Kuzhina shqiptare

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko

Kuzhina shqiptare është një përzierje e influencave të kuzhinës turke, asaj ballkanike dhe evropiane. Ajo është e njohur për vlerat e larta ushqimore dhe shijen e saj mjaft të mirë. Pothuajse çdo krahinë ofron specialitet e saj të veçanta.

Gatimi i mishit të pjekur, sidomos qingjit dhe përgatitja e byrekëve të ndryshëm është e përhapur në të gjithë vendin. Veçanërisht në krahinat e jugut dhe Shqipërisë së mesme është i njohur përdorimi në shkallë të gjerë i perimeve dhe zarzavateve, vajit të ullirit, erëzave të ndryshme dhe limonit.

Pjatat e peshkut janë të njohura veçanërisht në qytetin e Shkodrës (tava e krapit), Pogradecit (korani me arra dhe lloje të tjera), zona bregdetare e Jonit dhe Adriatikut etj.

Në Shqipëri gatuhen ëmbëlsira të shumëllojshme, shumë prej të cilave janë të përbashkëta edhe për vendet e tjera ballkanike dhe Azinsë së vogël (ballkavaja, kadaifi, sheqerparet, hashurja etj). Ndër ëmbëlsirat më tradicionale është "ballokumja", e cila gatuhet në qytetin e Elbasanit për festen e Ditës së Verës (14 Mars).

Si rezultat e klimës së përshtatshme mesdhetare Shqipëria është e njohur për kultivimin e rrushit dhe prodhimit e një varieteti verërash të kuqe dhe të bardha. Ndër më të përmendurat janë ato Merlot, Kabërnet, Pinot Nero, Kallmet, Shesh i Zi, San Gioveze, Riesling, Shesh i Bardhë etj.

Pija më tradicionale alkoolike është rakia (një lloj Brandy i prodhuar nga rrushi). Në disa zona të Shqipërisë prodhohet edhe rakia e kumbullës (Korçë, Dibër), ajo e manit (Boboshticë etj). Shqipëria është gjithashtu e njohur edhe për prodhimin e konjakut Skënderbej, i përmendur për shijen dhe aromën e tij. Konjaku shqiptar ka fituar gjithashtu edhe çmime ndërkombëtare.

Ndër pijet jo alkoolike është për tu përmendur boza (një pije freskuese me bazë misrin), e prodhuar në veri të vendit sidomos në krahinën e Kukësit si dhe rehania, e cila vjen nga lëngu i rrushit dhe është pije tipike e Skraparit.

Burimet[redakto | redakto tekstin burimor]

Referencat[redakto | redakto tekstin burimor]