Jump to content

Rubiku

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Rubiku
Popullsia
8.054
{{{postal_code_type}}}
4603
Faqja zyrtareBashkia e Rubikut
Rubiku

Rubiku është vendbanim në Shqipëri.

Pasi kalon Urën e Milotit, hyn në luginën e bukur të Fanit, ku shfaqet Kisha e të Shëlbuemit, vendosur mbi kepin e bardhë të Rubikut, njëra ndër më të vjetrat dhe më të rëndësishmet monumente të kulturës kombëtare, e cila daton të jetë ndërtuar tej vitit 1200. Kështu, Rubiku hyri në histori për kuvendin e mirënjohur benediktin, deri në gjysmën e dytë të shekullit që lamë pas, ku emri i këtij qyteti u lidh me nxjerrjen dhe përpunimin e bakrit. Mbi qytetin e vjetër u ndërtua qyteti i ri i minatorëve, metalurgëve dhe gjeologëve. Të parët që zunë vend këtu qenë minatorët, në vitet '30-të, kur nisën punimet në minierën e bakrit prej një firme italiane. Më pas, aty u ndërtua Uzina e Përpunimit të Bakrit, që siç pohojnë specialistët e industrisë, ishte njëra ndër katër më të zgjedhurat në Evropë. Njëra prej fabrikave të kësaj uzine prodhonte ar. Fatkeqësisht, sot, kjo uzinë nuk është gjë tjetër veçse një varrezë hekurishtesh edhe pse oxhakët e saj akoma të impresionojnë. Përballë saj hodhi shtat qyteti i Rubikut, i cili rritej bashkë me zhvillimin industrial.

Sipas historisë, Rubiku është pikasur prej mineralkërkuesve që herët. Aty nga fillimi i viteve `30-të, grupi i mineralkërkuesve bëhet nismëtar i ngritjes së një industrie të re, asaj nxjerrjes dhe shkrirjes së bakrit. Fillimisht, kanë qenë firmat mineralkërkuese italiane ato që ndërtuan bërthamën e parë. Më pas, sovjetikët, kinezët… E kush nuk vuri dorë në ngritjen e industrisë më të rëndësishme për bakrin në vend. Në Rubik, u paraqit e para industri shkrirëse në vend. Jo rastësisht, por, sepse aty gjendej vërtet ai, bakri, ari dhe argjendi, të përzier së bashku. Harta gjeologjike këtu kishte pikasur nën dhe një pasuri të madhe në tokën e Mirditës, ku që herët kishin jetuar përpunues të bakrit, Pirustët.

Kjo industri që mbajti me bukë qindra familje mirditore, sot dihet që po jeton grahmat e saj të fundit dhe çdo ditë po shkatërrohet barbarisht, pa të ngjallur shpresën se një ditë mund të rikthehet koha e artë. Asnjë projekt nuk ekziston për riaftësimin e saj nga Ministria e Industrisë dhe Energjetikës. Pas viti 1990-të, objekte të rëndësishme të metalurgjisë shkrirëse u lanë pa asnjë shërbim dhe kështu, të gjitha objektet filluan të degradojnë duke u bërë të papërdorshme pompat, vinçat, rripat e transmisionit dhe gjithçka tjetër. U vodhën makineritë dhe gjithçka vlente. Prej vitesh, mjediset që dikur gjallonin nga lëvizja, qëndrojnë të braktisura tërësisht. Tani flitet për shlyerjen e plotë, domethënë për fshirjen e saj nga faqja e dheut, edhe pse nëntoka e Mirditës ka ende tonelata mineralesh, kurse mbitoka dhjetëra miniera. Qytetet këtyre anëve kanë lindur nga zhvillimi i industrisë. Dikur, Rubiku kishte një minierë nxjerrëse, një uzinë përpunuese të bakrit dhe njërën nga ndërmarrjet më të mëdha gjeologjike në vend. Edhe Rrësheni, qendra administrative e rrethit të Mirditës, kishte një fabrikë pasurimi. Repsi mblidhte bakrin e Spaçit, Gurthit, Majës së Madhe dhe e pasuronte në dy fabrikat e pasurimit, ndërtuar njëra pas tjetrës në këtë qytet që ishte ngritur falë industrisë nxjerrëse dhe përpunuese pas vitit 1965.

Një tjetër qytet që ka hedhur shtat si rrjedhojë e vlerave minerale është Fushë-Arrëzi, ku gjithashtu kishte minierë dhe fabrikë të pasurimit të bakrit. Dhe një tjetër buzë Valmorit, Qyteti i Kurbneshit.. Por, veç qyteteve të mirëfillta ndër male, kishte dhe dhjetëra qyteza të minatorëve dhe gjeologëve. Po kështu, në Qaf-Vorrez, Kalor, Xhazuj, Perlat, Maja e Madhe, Munella, Mashtërkori. Qytete dhe qyteza që lindën bashkë me zhvillimin e industrisë nxjerrëse dhe përpunuese të bakrit dhe bashkë me të viqën ose vazhdojnë të japin grahmat e tyre të fundit. Minierat, fabrikat, uzinat, ndërmarrjet gjeologjike iu ishin qepur maleve të Mirditës për të zbuluar zemrën e tyre të artë, u jepnin jetë këtyre qyteteve, që tashmë pothuajse të gjitha kanë vdekur, ose vdesin bashkë me harresën ose humbjen e interesit për bakrin. “Minierat po shemben përditë, po groposen mijëra ton minerale”, - pohojnë specialistët e bakrit. Shembjet nëpër galeri i kanë kthyer ato në të pashfrytëzueshme. Po ashtu, fabrikat dhe uzinat shkatërrohen çdo ditë. Qindra punëtorë të minareve, fabrikave dhe uzinave të Mirditës mbetën pa punë. Gjallëria e qyteteve u zbeh dhe filloi të marrë jetë varfëria dhe skamja, papunësia dhe një kollë e thatë vdekjeprurëse. Filluan të japin grahmat e para minatorët dhe vdekjet e njëpasnjëshme zunë fill këtyre anëve.

Qytetet që i lindi industria e bakrit nëpër Mirditë, sot jetojnë me asistencë dhe me përkrahje sociale. Qytetet fillimisht jetuan ditët e ikjeve të mëdha. Kurbneshi ishte qyteti i parë, ku filluan prishjet masive. Fillimisht, u prish fabrika më e vjetër e pasurimit të bakrit në Shqipëri, dhe pse projektuesit e saj kishin parashikuar që një ditë ajo të kthehej në fabrikë çimentoje. Në këtë qytet, filluan me ritme të shpejta të vdesin institucionet shtetërore, më pas filluan të prishen pallatet nga tre deri në pesë kate, vetëm për t'iu marrë tullat. Kështu makinat, që dikur transportonin mineral, tani transportonin tullat që merreshin nga shembja e qytetit, nga shembja e pallateve nga tre deri në pesë kate. Derisa puna arriti atje, ku sipas kryetarit të Komunës, N. Lleshi, 75 për qind e popullsisë merr përkrahje sociale. Vetëm 62 punonjës janë të stabilizuar në punë shtetërore. E njëjta gjendje ekziston në Reps, e cila është qendra e Komunës së Oroshit. Kjo zonë e thellë malore ka vetëm se 257 hektar tokë që duhet të mbajë më shumë se 1274 familje. Në këtë komunë, rreth 60 për qind e banorëve kërkojnë të shpërngulen. Më parë, kanë vdekur qendrat e punëtorëve në Qaf -Vorrez, u zhduk qendra e punëtorëve në Gurth-Spaç, nuk ka mbetur asgjë nga qendra e gjeologëve në Mashtërkor. Është zhdukur qendra e punëtorëve në Kalor e në Xhazuj. Kështu po vdesin përditë qytezat dhe qytetet e ish-minatorëve. Kështu po braktiset përditë treva e Mirditës dhe numri i popullsisë nga 53 mijë banorë që kishte në vitin 1990-të, sot ka zbritur në afro 30 mijë, pra, 23 mijë banorë janë zhdukur, duke përdorur gjithëfarë mënyrash dhe metodash.

Në bazë të shifrave zyrtare, 3050 familje në trevën e Mirditës jetojnë vetëm me të ardhurat e përkrahjes sociale. Qindra prej familjeve mirditore kanë emrin në listat e gjata të borxheve, në dyqanet e miellit dhe të bukës. Afro 50% e popullsisë së qytetit të Rrëshenit, që është qendra administrative e rrethit, kërkon punë dhe është regjistruar pranë zyrës së punësimit si punëkërkues. Një mijë familje janë pa çati, edhe pse një pjesë e tyre që prej 30 vjetësh kanë emrin dhe statusin e të pastrehëve, edhe pse kanë jetuar 30 a më shumë vjet në Rrëshen, kurrë nuk kanë mundur të bëhen me një shtëpi banimi. Që nga viti 1990-të, nuk është dhënë asnjë fond për ngritjen e apartamenteve të banimit për familjet e pastreha, ndërsa Enti Kombëtar i Banesave as që ka pasur ndonjë projekt konkret për zbutjen e kësaj plage… Asnjë lekë për këtë çështje, për Mirditën

Bashkë me qytetet po vdesin dhe minatorët e njerëzit e nëntokës së Mirditës, shumë prej të cilëve në moshë të re. “Sëmundja e silikozës është e përhapur kudo nëpër Mirditë dhe kjo vjen nga përmbajtja e kuarcit në mineralin e bakrit. “Nëpër miniera është punuar me shpim të thatë, kështu që pluhuri ka veshur mushkëritë e minatorëve, të cilëve, nga dita në ditë, ua bën të pamundur frymëmarrjen, derisa ua ndërpret atë duke u shkaktuar vdekjen”, - pohojnë mjekët. Sipas drejtuesve të sindikatës së minatorëve, afro 500 vetë kanë vdekur nga kjo sëmundje në një kohë që lista u përket viteve të fundit dhe vdekjet vazhdojnë pa ndërprerje që në moshën 40-45-vjeçare. Kështu, qytetet e bakrit plaken, rrudhen dhe vdesin bashkë me industrinë që i ngriti ndër male, ku thuhej se para vitit 1990-të, ishte njëri ndër rrethet me standardet më të larta të jetesës në vend.

Rrugët nëpër shumë fshatra mungojnë. Zonat e thella dimrit bllokohen nga bora. Varfëria shtohet. Pasuritë e Mirditës rrugëtojnë gjithnjë jashtë saj. Edhe pse nëntoka dhe mbitoka e kësaj treve është aq e pasur, makina pafund, ngarkuar me lëndë drusore, rrugëtonin nga Mirdita në drejtim të Durrësit, Fierit, Lushnjës e gjetkë, derisa një ditë, dhe ajo duket se ka mbaruar.

Misteri i Rubikut

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Mijëra vjet më parë, në trevën e Rubikut thonë se ndryshku i kuq shfaroste njerëzit, mbyste bagëtitë dhe dëmtonte të mbjellat. Ishte hyjnesha Robiko, ajo që i shpëtoi banorët nga kjo murtajë e kuqe.

Dhe jo rastësisht, edhe emri Rubik i këtij vendbanimi, e ka origjinën pikërisht nga kjo perëndeshë e lashtë pagane. Gjendemi sërish në të njëjtin vend. Majë një shkëmbi të bardhë, prej gati 900 vjetësh, banorët vendas ndërtuan një prej kishave më të mëdha të asaj kohe. E pagëzuan me emrin Shelbuem, duke i dhënë emrin e festës, në përkujtim të hyjneshës. Edhe kisha ka legjendën e saj.

“Sipas gojëdhënave, ndërtimet që ishin bërë në një vend tjetër, prisheshin nga pëllumbat që merrnin materialet gurët, trarët dhe i sillnin në shkëmbin ku aktualisht ndodhet kalaja”, tregon Bardhoku, një banor i zonës. Sipas historianëve, Kisha e Shelbuemit është ndër më të vjetrat në Ballkan. Ajo është aty qysh prej vitit 1162. Por, studiuesi Gjon Marku thotë se kjo godinë qëndron mbi shkëmbin e bardhë, e bukur dhe rrezatuese, qysh prej kohëve ilire, e pacenuar nga rrebeshet e shekujve.

“Rrënjët e Rubikut duhen kërkuar më tej, kjo do të thotë se duhen kërkuar që në kohën e Justinianit ndoshta kur kemi edhe kisha të tjera paralele si ajo e Shirqit në Shkodër dhe kisha e Vikut në Mirëditë”, tregon Gjoni. Është e dielë. 900 vjet pas pagëzimit të Kishës së Shelbuemit, banorët vendas vijnë në meshën e bardhë të së dielës.

“Kjo kishë ka një kujtesë të veçantë sipas breznive të njerëzve. Kjo i kërkon Rubikut kohët e lashta kur këtu ishin misionet për të krishterët dhe jeta e murgjëve që mendohet se kanë qenë këtu dhe më pas e fretërve françeskanë që vjet kanë bërë 800 vjetorin e pranisë së tyre në të gjithë botën, por në këtë vend datojnë qysh në 1240-n”, tregon Frat Sokoli.

At Shtjefën Gjeçovi qëndroi dhe shkroi në kolegjin e Kishës së Shelbuemit pjesë nga vepra e tij e famshme “Kanuni i Lekë Dukagjinit”. Diku, në një gur të këmbanores, ai ka gdhendur edhe emrin e bukur Mirditë. Këtu, qëndroi dhe ndërtoi absidën e kishës edhe Gjergj Fishta, i cili shkroi këtu fragmente nga tragjedia e tij “Juda Makabe. Shërbeu gjer në fund të jetës dijetari, etnologu dhe folkloristi i njohur Bernardin Palaj. Por, edhe piktori At Leon Kabashi, i cili me art veç afreskeve të kësaj kishe, kishte pikturuar më parë edhe kapelat e kishave të Shkodrës. Sot, afresket mahnitëse të piktorit mirditor Kabashi, fatkeqësisht, janë dëmtuar ose janë lënë në harresë të plotë.

Rrënojat e vjetra të kolegjit të dikurshëm françeskan pranë kësaj kishe, ekspozojnë dhimbshëm indiferencën tonë ndaj objekteve të trashëgimisë kulturore. Bëhet fjalë për objekte dhe treva, ku historia risjell në kujtesë, pjesë të identitetit dhe ndërgjegjes sonë kombëtare.

“Në këto territore ka ekzistuar principata e Arbërit dhe në këtë vend nuk ka pasur asnjë lloj pushtimi. Këtu është përdorur për herë të parë fjala komb të cilën e kemi të datuar”, pohon Gjoni. Mesha e së dielës mbaron. “Ju nimoftë!…” është urimi që i bëjnë njeri tjetrit dhe grupit tonë të xhirimit banorët vendas. Të cilët, kishën e Shelbuemit e besojnë si një vend të shenjtë.

Një nga monumentet më të famshëm të kultit dhe të kulturës mesjetare në Rubik. Aty ku rrezikohet kisha monumentale e Shëlbuemit

  • Shëlbuemi, si po shuhet tempulli i moçëm i Rubikut

Çdo udhëtari që merr udhën për nga Miloti, kalon urën monument me harqe, që sot e 80 vite mban emrin e mbretit Zogu i Parë, për të vijuar luginës së Fanit, tutje ku bashkohen Mati me lumin Fan, një luginë që ditarmbajtësi dhe shkrimtari Fabian Barcata, një famullitar i njohur austriak i nëntëqindës e ka quajtur si “ma të bukurat e botës”, në të hyrë të Rubikut, syri të zë mbi një shkëmb të bardhë një nga kishat më monumentale në Shqipëri, atë të Shëlbuemit. E vendosur mbi një shkëmb gjigant të bardhë, duket se mbahet në gjirin e një prej maleve më të epërm të Shqipërisë së Veriut, formësuar i tërë në shkëmbenj të bardhë, të grish si mister të ngjitesh atje lart. Padyshim, tërë kuvendi atje, përbën një nga komplekset më të bukura që ka vendi ynë, në sfondin që ai krijon, qoftë si kompleks kishtar, por dhe turistik.

Por kur vë këmbën atje lart, vërehet se shumë gjëra nuk shkojnë mbarë. Sapo kalon portën pa roje, asgjë nuk pipëtin, askush nuk rri atje, duket sikur muret e moçme që kanë rrethojnë brenda tyre mijëra vjet histori, flasin me vete, ndërsa rënkojnë nën peshën e kohës dhe degradimin dita-ditës.

Bashkia e qytetit, është i vetmi institucion që është interesuar për këtë kompleks të rrallë, duke rregulluar rrugën me një donatim buxhetor, është ndërhyrë në ndriçimin e saj, ndërsa nga misionarja austriake Marianne Graf u financua për Udhën e Kryqit dhe disa ndërhyrje në pjesët e brendshme si dhe vënien e një obelisku, mishërim i simbolit të bashkëjetesës ndërfetare. Ndryshe nga Elbasani a rajone të tjera, ku simbolet fetare kanë sjellë ngatërresa, këtu në majë të shkëmbit që kundrohet kilometra të tërë larg, edhe pse ka një popullsi homogjene katolike, do të vendoset ky obelisk multifetar, i qarkuar nga një ndriçim i larmishëm që në mbrëmje i jep madhështi këtij vendi.

Nga ana tjetër, vetë misioni françeskan me qendër në Shkodër, nuk ka treguar as kujdesin më të vogël. Nëse për Kishën e Shna Ndout në Kurbin ku peligrinojnë mijëra vetë që kërkojnë ndihmën e shenjtit në jetën e tyre, e ku arka mbushet nga të hollat e dhuruara, këtu askush nga misioni françeskan, nuk është kujtuar. Më e shumta kujtesë është ndonjë meshë të dielash dhe kaq. Askush nuk rri këtu, as misionarë a rregulltarë, ndërkohë që para 1967, vit kur u shemb kuvendi, ka pasur misionarë, rregulltarë e murgj si dhe shkolla e përmendur për fretër.

  • Shkrepi i Rubikut

Futja në rrjedhat rrëfyese të romanit “Lule” që para 100 vitesh shkroi mbi këta shkëmbenj të bardhë Fabia Barcata, është vërtetë befasuese, me përshkrimin që ai i bën vendit ku do të zhvillohen ngjarjet dramatike, që kanë lidhje me fatin e një vajze malësore, të pastër si drita e një qielli të kthjellët, Lulen, por që pikësëpari sjell në vëmendje të studiuesve dhe për udhëtarë të huaj doket dhe zakonet ndër shqiptarët e viseve të Veriut.

  • Shkrepi i Rubikut asht shumë i madh dhe duket si t’ishte vendue prej ndonji vigani në nji nga luginat ma të bukurat e botës. Kjo dorë vigani, duket si ta kishte sheshue ma parë vendin dhe si t’i kishte largue malet penguese njenin nga tjetri tue përbamë në këtë mënyrë një luginë të vogël me një kunorë malesh rreth e përqark. Në mes kësaj lugine ngrihet shkrepi kolosal në vetmi, me pamje të madhnueshme. Erdhën pastaj njerëzit, panë se atje ishte një vend i bukur banimi, dhe themeluen mbi shkrep shtëpinë e vet të thjeshtë. Atje nalt jetuen e vdiqën brez pas brezi.

Ma vonë erdhi një popull pushtues, thadroj në majë të shkrepit shejet e veta pushtimi me shqipet fitimtare të legjioneve ushtarake, bani forcime të ndryshme, themeloi mure vigane me pirgje e frengji, në atë mënyrë sa mali u ba nji fortesë romake e papushtueshme. Por dhe vetë madhnia e Romës ra dhe u shkatërrue. Muret u rrëzuan dhe njerëzit u zhdukën. Rubiku ngeli si andërr, ngeli i harruem nga të gjithë, deri sa prej viseve të largta erdhën disa njerëz të përshpirtshëm pa pushkë e pa top, kjo çerdhe u pëlqeu atyne. Mbi rrënimet e bamuna nga kamba pushtuese ngritën përmes lutjeve që i naltojshin Perëndisë, nji Kishë e nji Kuvend. Pastruen dhe rregulluen pyllin, e dlirën nga gjaja e egër dhe e rrezikshme; livadhe dhe ara bleruan nga duert e tyre kujdestare dhe vunë rreth e qark shumë bimë të bukura e të dobishme.

Këso dore qe Abacia e Benediktinëve të Rubikut. Kaluan me qinda e qinda vjet. Mbas zhgunit të zi erdh zhguni i murrmë: Benediktinët u zëvendësuan prej Françeskanëve. Këta tue ndjekë gojëdhënat e të parëve të vet, u përpoqën, vuejtën, u salvuen për të mirën e të mbarën e popullit të Shqipnisë.

Prap kapërcyen qindra e qindra vjet, deri sa erdhi ora e zezë për tokën dhe popullin shqiptar. Ushtri turke i përkshkuen viset shqiptare, tue plaçkit, tue rrëmbye, tue mbyt, tue shkatërrue e tue zezue. Prapë vendi i qetë i Rubikut u ba menjëherë nji grumbull rrënimesh. Vetëm kisha ngeli e papërkitun. Përsëri kaluen katërqind vjet dhe prapë në Rubik gjindet një murg, i cili mundohet e përpiqet me ngjallë nji jetë të re mbi ato rrënoja….

  • Rubiku sipas mitologjisë greke

Ndue Dedaj, studiues vendas, në librin e tij “Toka e katedraleve” na çon në historinë e largët të këtij kuvendi, në një version mitologjik grek. Me këtë kishë duket se është i lidhur dhe emri i Rubikut vetë, një qytet i vogël verilindor sot. Sipas mitologjisë greke hyjnia Robigo ka qenë hyjnia që personifikonte ndryshkun, një sëmundje që prekte drithërat. Për nder të saj në këto anë bëheshin dhe festa, ku njerëzit i luteshin asaj që ta largonte ndryshkun nga drithërat. Në ato festa që ishin themeluar nga Numa Pompili e që organizoheshin me 25 prill, hyjnisë i thernin një buçë të kuqe, një dele dhe i blatonin verë. Mirëpo këtë perëndi në Rubik duhet ta ketë sjellë jo ndryshku i drithërave, po ai i tokës që ishte për shkak të mineralit të bakrit. Shpesh ujërat e tij acide i thanin bimët që në rrënjë. Kështu mund të ketë mbetur në këtë vend emri hyjnor Rubik, ashtu siç ekziston dhe ndonjë version tjetër.

Por nëse në Rubik nuk qe ulur ndonjë hyjneshë e bukur e ndryshkut, nuk pati ndodhur e njëjta gjë me shenjtorët e dishepujt e tyre, që patën themeluar në hershmëri një nga tempujt me të njohur të Krishtërimit në Shqipëri. Vetëm një çudi do të kishte mbase në kishën qindravjeçare të Shëlbuemit në fillim të këtij shekulli nuk do të lejohej ta vizitonte atë mbretëresha e pakurorëzuar e shqiptarëve, Miss Edit Durham, që vinte me kalin e saj të lodhur brigjeve të Fanit. Kjo grua fisnike nuk do të jetë zemëruar nga ky fakt duke e njohur jetën e rregulltarëve. Objekt i saj me siguri duhet të ketë qenë vëzhgimi nga afër i njërit prej monumenteve më të famshëm të kultit dhe të kulturës mesjetare dhe Rubiku ka qenë njëri nga të katër kuvendet benediktine të Mirditës.

  • Historia dhe arkitektura

Vendosur mbi këtë shkrep të bardhë të Rubikut, dallohej një kompleks kishtar modern me kishën, qelën famullitare, kolegjin, kumbanoren, rezidencën verore dhe jo pak mjedise të tjera, ndërtuar me një arkitekturë të rrallë, me paraqitje të brendshme grafike artistike (afreskët). Objektet janë restauruar shpeshherë. Kompleksi kishtar ishte vendosur në një ballkon natyror, gjithë shkallë e rrugina të gdhendura e të latuara nga dora e njeriut në masivin dekorativ të Gurit të Bardhë. Në tërësinë e vet, një vepër arti unikale, një pikë turistike e preferuar dhe mbi të gjitha, një monument kulture i veçantë. Aty ka shkruar papushim Gjeçovi shkencëtar, i cili në njërin nga gurët poshtë kishës ka gdhendur emrin e tij; aty ka rrjedhur muza e Fishtës poet, janë mbushur fletët e ditarit historik të At Pal Dodaj, famullitari austriak Franz Barcata do të hidhte shënimet për 10 vite në ditarin e tij të rrallë, apo do të nxirrte nga duart punime të papërsëritshme Leon Kabashi, piktor. Aty do të pritej me madhështi Prend Doçi pas kthimit nga mërgata e gjatë politike në vitin 1888.

Nisur nga stili i ndërtimit është thënë se kisha i përket shekullit të XII, ku Ipen, përcakton vitin 1272. Studiuesi Dedaj thotë se historianët, nëpër ravgimet e Mesjetës, i kanë mbledhur me mundim, gjurmë-gjurmë, dëshmitë historike mbi vjetërsinë e Rubikut kishtar, fillimisht kuvendin benediktin të njohur me emrin “sankti Salvatoris Arbanensis”, i cili me këtë emër paraqitet për herë të parë në një dokument të datës 19 qershor 1166. Që kuvendi ka qenë në fillim i Benediktinëve, studiuesit e lidhin dhe me përmendjen aty të inocentit Abat, emërtim ky që është karakteristikë vetëm për benediktinët e jo për françeskanët apo për domenikanët. Françeskanët e marrin më vonë në zotërim, aty ku sot është kuvendi dhe kisha e tyre (S. Salvatoris e Shelbuesit), mund të thuhet që nga shekulli XV, citohet F. Cordignano. Historiani i krishtërimit ndër shqiptarë, Zef Mirdita, citon pastaj Th. Ippen-in dhe M. Shuflay-n në përshkrimin e afreskëve të përmendura të kësaj kishe: “Kisha ka qenë pikturuar me freska dhe me citate nga Besëlidhja e Re dhe me emrat e shenjtërve të pikturuar, ndër të cilët është dhe emri i Shën Astit, ipeshkvit dhe martirit të Durrësit, por ka dhe dëshmi të kulturës bizantine, gjegjësisht monedha me shkrim bizantin.”

Farlati, nga ana e tij, njofton se “S. Salvator de Rebico” është famulli e thjeshtë në shekullin XVII, çka është e kuptueshme me rrënimin që pësoi kisha katolike në Shqipëri gjatë dyndjeve islamizuese të Turqisë. Kuvendi i Rubikut u ripërtëri në vitin 1898, i njohur si Kuvend i Noviciatit.

Me emrin dhe veprën e prelatëve të përvujtë e zëmërdhenjtë françeskanë është i lidhur çdo ndryshim dhe progres në historinë e këtij vendi sa të lakmuar për pozitën gjeografike dhe prirjen e njerëzve për qytetërim, aq të vështirë për ta kryer këtë mision për shkak të varfërisë, luftërave etj.

Si vlerë historike, kisha e Shëlbuemit të Rubikut, gjithnjë kishte mbajtur në trup dhe absidë gjurmët e moshës së vet të hershme, mbishkrime në mure apo kumbonë, datime të ngjarjeve që lidheshin me të. Kishin mbërritur këto gjer te At Fabian Barcata. Ai i tërheq vëmendjen vizitorit, K. Shteinmetz, të vitit 1472, në absidën e kapeles së stolisur me afreske tepër të rëndësishme të kishës së Rubikut, një monument madhor i Mesjetës shqiptare. Ka qenë gdhendur në një gur të Rubikut gjithashtu dhe një mbishkrim i At Shtjefën Gjeçovit në fillim të shekullit XX, kur ai mblodhi doke dhe shkroi një vepër letrare. Rubiku vazhdonte të mblidhte figura të njohura të kishës dhe kulturës. At Gjergj Fishta do të ndërtonte Absidën e kishës dhe do të shkruante fragmente të tragjedisë së tij “Juda Makabe”. Shërbeu në Shelbuem të Rubikut gjer në fundin e tij tronditës dijetari i madh françeskan, etnologu dhe folkloristi At Bernardin Palaj. Po dhe piktori At Leon Kabashi deri në 1967, i cili me art kishte pikturuar kapelet e Shkodrës.

Nga Rubiku doli një nga poetët e parë të Rilindjes, prifti i kultivuar, trim e atdhetar Imzot Prend Doçi, që u nis për udhë të gjatë nëpër botë, po bëri abacinë e Oroshit. Doçi është modeli i shqiptarit që e ngjiti qytetërimin në male. Në lartësitë e Malit të Shenjtë e gjeti Edit Durham dhe i bëri një portret më të fisëm se të lordëve të Anglisë. Nga kjo Luginë e Fanit doli dhe Pashko Vasa, bashkë me predikimin e tij të shqiptarisë “Feja e shqiptarit asht shqiptaria”. Por dhe shumë intelektualë të ditur të kohëve të reja, profesorë, inxhinierë, specialistë të fushave të ndryshme etj. Shëlbuemi zëmadh i Rubikut, prej nëntëqindvjetësh i dokumentuar, ishte tempulli i vëllezërve të vegjël të Shën Françeskut, që besohet të ketë shkelur në Lezhë (1221) për të mbjellë pishën që do të njihej me emrin e tij. Afresket, pikturat murale, do të mbanin gjurmët e një arti të madh mesjetar. Në kreshtën e naltë të shkrepit të bardhë, rrinte kalaja e Judejve, që në popull njihej si e gjodhive.

  • Historia me Ahmet Zogun

Në këtë kuvend historitë janë të pafundme, shumë janë shkruar e shumë prej tyre qarkullojnë si gojëdhëna. Një nga ato të fiksuara në një ditar lidhet me Mbretin e ardhshëm të shqiptarëve, Ahmet Zogu, dhe pikërisht me njërin prej fretërve të këtij kuvendi, At Pal Dodajn, autor i një Ditari Historik me vlerë. Ushtria austro-hungareze me 1916 kërkon të internojë nipin e Esad Pashë Toptanit, Ahmetin e ri. Duke mos pasur tjetër shpresë, nëna e tij i çon fjalë pader Palit, që asokohe ishte superior i Kuvendit Françeskan të Rubikut, ta ndihmonte, dhe ky menjëherë shkon dhe e merr në Burgajet të Matit për ta strehuar në këtë vend të Rubikut. Kështu për dy javë Mbreti i ardhshëm i shqiptarëve do të vazhdonte të ishte “xhakon” në seminarin mbi shkrep të bardhë, duke qenë i pari dhe i vetmi “seminarist” i besimit mysliman, që do ta kapërcente pragun e atij Kuvendi. Idhëtia e kësaj historie vjen 11 vjet më vonë kur rasti do ta sillte që pader Pali të hynte në burgun e Mbretit. I dëshpëruar, në Ditarin e tij, me 1925, do të shkruante se “kurrë nuk ia kishte marrë mendja se do t’ia shpërblente kështu “seminaristi” i tij i dikurshëm. Kishte qenë një ndërhyrje e menjëhershme e Nënës së Zogut që Frati të linte qelinë e Mbretit, që jo vetëm e kishte pas shpëtuar nga internimi, por ia kishte rregulluar punën që të vazhdonte studimet në Austri.

  • Epilog

Në vitin 1967, me dëbimin e franceskanit të fundit, At Leon Kabashi, u shua një nga tempujt historikë më të moçëm të Shqipërisë. Në fasadën e kinemasë ku shfaqeshin përgjithësisht filma rusë me “realizëm” u vendos një pankartë karikaturë ku stigmatizohej kisha dhe feja. Dalëngadalë u shkatërrua gjithçka arkivi, biblioteka, pikturat murale aq të përmendura, reliket. Mbeti në këmbë vetëm godina e kishës që erdhi duke u degraduar me kalimin e viteve. Kumbona me mbishkrimin “Popullit fisnik të Rubikut. 1932”, u përdor si çangë për të mbledhur punëtorët e uzinës. Bashkë me godinat e kishës, rezidencës, kuvendit dhe mjedisi i jashtëm aq harmonik e funksional, i gdhendur në çdo cep; hyrje-daljet si të një kështjelle, ballkoni veror, këmbanorja prej guri në majë, deri bodrumet e qelës, që përbënin një kat gjysmë të nëndheshëm, u degraduan dhe u shkatërruan. Kjo duket se po ngjet dhe sot, kur të futesh apo jo në kompleks nëpër shkallinat e shumta të gurta, duhet të matesh mirë, pasi tonelata të tëra guri të mureve të degraduara të rrinë mbi kokë, madje nëse do të ndodhte kjo gjë, edhe udhëtarët që kalojnë poshtë në rrugën nacionale do të ishin pre e këtij “agresioni” muranash, si një mallkim dhjetëravjeçar, ku askush nuk po vë dorë atje, më së pari misioni françeskan.

  • Somario

At Gjergj Fishta do të ndërtonte Absidën e kishës dhe do të shkruante fragmente të tragjedisë së tij “Juda Makabe”. Shërbeu në Shelbuem të Rubikut gjer në fundin e tij tronditës dijetari i madh françeskan, etnologu dhe folkloristi At Bernardin Palaj. Po dhe piktori At Leon Kabashi deri në 1967, i cili me art kishte pikturuar kapelet e Shkodrës

Kryetari i Bashkise Ndrec Dedaj

  • “Mirdita turistike, edicioni Rubik 2009…”
 Mirdita paraqet në vetvete një ofertë të mrekullueshme turistike me gjithë relievin gjeografik të saj, pamjet dhe peizazhet e daltuara nga natyra, por edhe monumente të shumta të kulturës apo ato natyrore.

E në veçanti pikë së pari në vëmendje të vizitorit vjen Rubiku, një nga rajonet e njohura në histori qoftë për vlerat e hershme të trashëgimisë kulturore e religjionale ashtu dhe për atë industriale, dhe për më tepër me një ekip që me përvoja interesante po e bën më të dukshëm për vizitorin vendas apo atë të huaj.

Kësaj kauze i ka shërbyer dhe edicioni turistik 2009, një bashkëpunim i suksesshëm në mes bashkisë Rubik, ambasadës franceze dhe ansamblit “Mirdita”.

Edhe pse në një ditë të të nxehti afrikan të mbërritur edhe këtu në zonat malore të Rubikut, gjithçka ka qenë e bukur për shtegtarët e shumtë turistikë, si të huaj apo vendas, prirë nga karvani i makinave sportive Rrelly-Albania.

Stacioni i parë mikpritës Vela, jo vetëm si një fshat i bukur me peizazhe ndjellëse, një fshat i vendosur hijshëm përmes grykës së Velës i tejpërshkuar nga përroj me ujin e kristaltë, por dhe historitë e shënuara ndër shekuj. Banorët e fshatit kanë dalë të presin miqtë shtegtarë si lajmëruesit e një turizmi malor që po lind kaq natyrshëm, ndërsa takimi i parë mbahet tek kisha e Velës, vend i përmendur jo vetëm si objekt kulti, por tamam këtu e 300 vite më parë lindi shkolla e parë shqipe.

Urimi i parë përcillet nga Flavia, veshur me kostumin karakteristik të krahinës:

Mark Ruci kryetar i bashkisë, promotor i disa lëvizjeve të tilla interesante duke uruar gjithë faktorët e kësaj nisme për të përcjellë ofertën turistike të kësaj zone, detajoj dhe gjithë programin e ditës.

Studiuesi Ndue Dedaj, ciceron i këtij shtegtimi, i ka futur vizitorët në historinë e këtij vendi, duke veçuar faktin se këtu kemi pasur një nga shkollat më të vjetra shqiptare, artikuluar kjo dhe te “Toka e Katedraleve”, kontribut i vyer i prelatëve katolikë shqiptarë. Ndërsa këtë shtegtim turistik e ka bekuar me fjalën e ngrohtë dhe dom Genci, famullitar i kësaj zone.

Karvani shtegtues vazhdoj itinerarin duke përshkuar luginën e Velës për të rënë më poshtë në qytetin e bukur të Rubikut dhe më pas për të mbërritur te stacioni i dytë, kuvendi françeskan, një nga tempujt më të hershëm, tashmë një monument shumë i rëndësishëm i kulturës sonë kombëtare. Pozicioni impozant, historitë e lashta, relieve fantastike përqark dhe puna që është bërë nga bashkia dhe famullia për ta bërë sa më të vizitueshëm, i imponohen kujto vizitori apo kalimtari që kalon përfund luginës në autostradën e re, që të ngjitet e të ringjitet tek ky shkëmb vigan ku duket se kisha është mirëvendosur në harmoni nga dora e njeriut në pajtim me natyrën.

Vizitorët dhe këtu njihen me historitë e këtij kuvendi, me absidën e famshme dhe muralet, varret e vjetra të zbukuara së fundi, me kalanë e Judejve, relaksohen me peizazhin mahnitës dhe fotografojnë bukuritë që të afron kjo pikë turistike e rrallë në Shqipëri. Ndue dedaj, ka bërë një historik të shkurtër të kësaj kishe, ndërsa në përshëndetjen e tij Gjon Dedaj, kryebashkiak i Rrëshenit, ka theksuar faktin se me dashuri në mes njëri tjetrit, mund të përvijojmë përvoja të tilla të mrekullueshme.

Stacioni i tretë është padyshim nga më të bukurit, udha i çon shtegtuesit për në fshatin Katundi i Vjetër, një nga fshatrat më karakteristik të malësive të Veriut. Rruga për në fshat kalon përmes një lugine të ngushtë ndërsa malet ngrihen lart duke formuar një hon në formën e një hinke madhështore, e ku vende duket sikur kepat e bardhë po i japin dorën njëri tjetrit prej lart, dhe këtu i nxehti nuk depërton dot për t’u përballur me freskun që përcjell përroj i katundit që i bie pash më pash këtij fshati të hijshëm.

Prej kohësh është menduar nga bashkia dhe donatorë të huaj, që kullat e këtij fshati të shërbejnë si laborator i një turizmi elitar, e në mes tyre humanistja Marianne Graf, ndaj dita e sotme është epilogu i një projekti të menduar imtësisht. Rruga kalon përmes gjelbërimit dhe pritja spontane e banorëve mikpritës të këtushëm, është një nga mrekullitë e para që prek me dorë shtegtuesi turistik. Të huajt mbeten të befasuar nga kjo pritje, ndërsa ardhjen e bardhë e uron kryeplaku i fshatit.

Më pas grupin vizitues e pret befasia e kësaj dite, pikërisht disa metra më lart ku gjendet kulla e Gjok Ndue Jakut. Me mirësinë më të madhe vetë i zoti i shtëpisë dhe djali i tij emigrant kanë vënë gjithçka në dispozicion për të kaluar një drekë të paharruar.

Kurrë në historinë e saj kjo kullë nuk ka pasur kaq miq të vecantë, por dhe një dasmë kaq perfekte që do të ndizet pas pak minutash. “Krushqit” e ansamblit Mirdita, kanë performuar një ritual të vërtetë dasme me të gjithë elementet e hershëm, duke sjellë kënaqësi të pafund për të pranishmit. Asgjë nuk mund ta dallonte më një dasmë të moçme, duke nisur me ardhjen e krushqëve që duket sikur të kenë kaptuar shtatë male për të mbërritur në kohë te kjo kullë bujare së bashku me “nusen” e hijshme, duke lidhur dy miqësi të forta, por që sot vjen si një gëzim tejse familjar, për krejt Katundin, një simbiozë në mes dasmës dhe ofertës turistike që paraqet ky vend. Nuk do kishte turistë në botë të mos mahnitej nga ky çast. 11 krushqit, nusja me duvak mbi kalin e bardhë, shoqëruar me këngë akapelo, kënga pritje përcellje e granisë së fshatit, dhe pse jo, për hajër disa të shtëna në ajër, janë një mozaik ekzotik i jashtëzakonshëm.

Pastaj ritet e nuses, pritur nga i zoti i shtëpisë, një çift kaq i bukur, kësula që lihen mbi kokën e nuses, buka e thyer dhe e ngjyer në kripë si simbol i mikpritjes së hershme mirditore: bukë kripë e zemër! Atmosfera është ndezur më tej nga kënga e përshëndetjes të kënduar nga Mark Gjoka e grupi, një përshtatje stilistike autentike, që të bën të ndjehesh tërë andrenalinë.

Dasma vazhdoj për orë të tëra në një drekë të bollshme të shtruar me ushqime te shijshme bio të krahinës, dhe kjo ofertë gastronomike është aq joshëse për këta shtegtarë. Të huajt mahniten dhe shkrepin aparatet e tyre për t’i marrë me vete si një eveniment të paharrueshëm. Celularë, aparate fotografike, kamera, të gjitha janë në optimumin e punës, për ta marrë sa më të plotë këtë eveniment fantastik, ndërsa grupi vazhdon të performojë këngët më të bukura të tij nga folku burimor. “Rituali i buzmit” aty në oborr, na sjell në vëmendje jo vetëm këtë rit pagan të hershëm, por dhe stërmundimin epik të banorëve të Mirditës për të jetuar me sakrifica me kullat mbi kepat e zinj e maje maleve por të panënshtruar.

Turistët bëhen pjesëtarë të kësaj ditë festive turistike, ndërsa është shpallur natyrshëm dhe projekti i MADA-s për të financuar projektin për katër shtëpi turistike në këtë fshat, një eksperiencë që do të gjejë terren hap pas hapi në të gjithë Mirditën për të zhvilluar turizmin e kullave! Një aspekt që bie në sy është dhe promocioni i bimëve medicinale të zonës, rreth 50 lloje të sjella nga bartësi i këtyre vlerave Nikoll Përshqefa.

Kënga dhe vallja janë bashkëshoqëruese, duke sjellë gëzim deri në eufori për të pranishmit, ndërsa kënga e Mrikë Trumshit, “Mirë se vjen Dita e Kosovës”, me tekst te Gjoke Becit, çon në këmbë të pranishmit për ta përcjellë përmes ovacioneve të shumta..

Këngë, rit tradicional, drekë e shijshme, mikpritje bujare, shtegtim guidistik në histori, miqësi të reja të krijuara: a nuk janë një paketë e kompletuar turistike, që kjo ditë ua kujtoj të gjithëve se turizmi nuk është vetëm për bregdetin apo disa qendra të klasifikuara, por dhe rajone të tilla të lëna në harresë, dhe kjo arrihet kur ka një bashkëpunim efikas tej ngarkesave e paragjykimeve politike, por kur tërë faktorët qeverisës dhe intelektualë mendojnë të ekspozojnë së bashku resurset dhe mrekullitë e krahinave të tilla si Mirdita.

Këtë na e tregoj ky eveniment turistik në Katundin e Vjetër, një veprimtari që shënoi dhe edicionin e dytë të “Mirdita Turistike”, filluar vitin e kaluar me Nënshejtin e Oroshit.

Shtegtime të tjera na presin nën urimin:

Ardhsh i bardhë në Mirditë!


Lidhje të jashtme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]