Jump to content

Ekspansioni islam

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Zgjerimi ushtarak i islamit)
Ekspansioni islam

Ekspansioni islam quhet politika pushtuese e arabëve duke filluar nga mesi i viteve 630 Jahre dhe përhapja e fesë islame deri në shekullin e 8-të. Në qendër të vëmendjes së këtij artikulli është ekspansioni ushtarak. Zhvillimi i shkencave dhe ai kulturor trajtohet në artikullin Epoka e lulëzimit islam.

Fillimi i ekspansionit islam përdoret shpesh për të përkufizuar edhe fundin e antikitetit.

Gjendja në rajon në kohën e pikënisjes

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Zona e sundimit islam shtrihej në kohën kur vdiq Muhamedi më 632 pas Kr. brenda Gadishullit Arabik,[1] zonat e skajshme të të cilit ishin më së shumti nën kontrollin e Perandorisë romake të lindjes dhe të Perandorisë sasanide.

Këto dy fuqi të mëdha të antikitetit të vonë u kishin lënë në dorë për një kohë të gjatë mbrojtjen e kufijve të tyre fiseve arabe. Mirëpo mbreti sasanid Khosroes-i II. pati shkatërruar që më 602 mbretërinë e lahmidëve, kryeqendra e të cilëve Hira ndodhej në Irakun jugor të sotëm. Pak më vonë, në një përpjekje të vogël me persianët, arabët panë se kalorsia e tyre e lehtë mund t'ia dilte ose kishte epërsi ndaj katafraktëve të blinduar sasanidë.

Pas vdekjes së Muhamedit pati ndër arabët myslimanë një lëvizje braktisëse (ridda) pasi shumë fise ishin të mendimit se u detyroheshin vetëm vetë profetit. Kalifi i parë vendosi të pretendonte pozicionin jo vetëm të kreut fetar por edhe të atij politik dhe i mposhti kështu ushtarakisht rebelët; njëkohësisht u fillua me kërkimin e kundërshtarëve dhe armiqve të tjerë të rinj. Arabët kishin prej stërkohësh që merreshin me fushata grabitëse dhe plaçkitëse mes tyre. Por meqenëse feja islame u ndalonte myslimanëve që të sulmonin njëri-tjetrin dhe njëkohësisht nga ana tjetër Muhamedi kishte predikuar përhapjen e kësaj feje të re, u bashkuan motivet fetare, ekonomike dhe ato të brendshme politike që i nxitën arabët që, që më 632 të depërtojnë përtej kufijve të gadishullit.

Në favor të tyre ishte dobësia e madhe e kundërshtarëve: romakolindorët (ose bizantinët) kishin që në shekullin e pestë që mbështeteshin shumë tek ghasanidët pjesërisht të krishterë arabë që sundonin në jug të Damaskut. Por si Roma Lindore, ashtu edhe Persia ishin të raskapitura nga një luftë e gjatë që kishin patur me njëra-tjetrën deri më 629. Shih për këtë Herakleios-in dhe Luftërat romako-persiane. Të dyja këto perandori ishin të përqëndruara krejtësisht tek njëra-tjetra dhe ishin të papërgatitura ndaj një sulmi të arabëve. Pak përpara vdekjes së perandorit Heraklios (në pushtet 610 deri 641), i cili kishte mundur me zor të mposhte sasanidët (persianët) duke shpëtuar kështu edhe një herë perandorinë e tij, do të fillonte faza kryesore e ekspansionit arabo-islamik, pikërisht në kohën kur romakolindorët kishin pezulluar pagimet ndaj aleatëve të tyre arabë.[2]

Ekspansioni islam

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Pushtimi arab i orientit romak

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Solid i Herakleios-it me bijtë e tij Kostandini III dhe Heraklonas-i

Burimet historike mbi fushatat pushtuese arabe kundra Romës lindore/Bizantit dhe Persisë po ashtu si dhe rekonstruimet e bazuara tek to janë shumë problematike.[3] Mbi fushatat arabe (futuh-i) shkruajnë në mënyrë të detajuar psh. Baladhuri dhe Tabari, megjithëse përshkrimet e tyre (psh. në lidhje me kronologjinë dhe të dhënat në shifra) nuk janë gjithmonë të besueshme. Nga ana kristiane ekzistojnë kryesisht shënime sporadike, psh. në veprën historike të Sebeos-it, në kronikën e Gjonit të Nikiut ose në kronikat e ndryshme siriano-kristiane. Autorët bizantinë si Theofanes-i kishin në dispozicion vepra sot të humbura.

Që më 629 kishte hyrë një ushtri arabo-islamike duke plaçkitur në Palestinë por që u thye nga trupat romakolindore dhe arabo-kristiane. Ne vjeshtë 633 hyri përsëri një ushtri e madhe në Palestinë dhe Siri, e cila arriti të thyente trupat më të pakta perandorake por duke përparuar në përgjithësi me vështirësi. Në fakt, trupat kufitare romakolindore bënin qëndresë të fortë, prandaj edhe kalifi Abu Bakr i kërkonte komandantit të trupave në Irakun jugor Halid ibn al-Valid me urgjencë përforcime:

Nxitoni! Nxitoni! Se për zotin pushtimi i një fshati në Siri po më kushton më tepër se një provincë e madhe në Irak.[4]

Me ndihmën e përforcimit u thye edhe kjo qëndresë lokale romake. Perandori Herakleios, i cili nuk e priste një sulm kaq të vrullshëm nga shkretëtira, dërgoi trupa më të shumta në Siri por të cilat u thyen më 634 në jugperëndim të Jeruzalemit.

Pak pas kësaj arabët pushtuan pas një rrethimi të gjatë Damaskun. Kontrata e kapitullimit të këtij qyteti do të bëhej model për të ardhmen: popullsisë jo-myslimane i duhej të paguante një taksë për kokë (xhizjenë) por ishte në këtë mënyrë edhe e liruar nga taksat islame zakat dhe sadaka. Përveç kësaj ajo kishte të drejtën e ushtrimit të lirë të fesë së vet.[5]

Më 20 gusht 636 u zhvillua beteja e Jarmuk-utJordaninë e sotme. Trupat romakolindore, ndoshta 40 mijë vetë ose edhe shumë më pak, kishin në fillim epërsi në numër megjithatë ishin edhe të raskapitura nga Marshimi i gjatë. Veçanërisht grindjet brenda udhëheqjes ushtarake çuan në gabime të rënda. Epërsia e kalorsisë së lehtë të shpejtë arabe ndaj kalorësve të blinduar romakë, por sidomos grindjet në kryekomandon perandorake, problemet me marrëveshjen brenda kësaj ushtrie multietnike (shumëkombëshe) dhe disfavori topografik në vend, bënë që së fundi romakolindorët, aleatët arabë të të cilëve thuhet se dezertuan në fillim të betejës duke u bashkuar me myslimanët, u thyen pas një përpjekje të ashpër në mënyrë vendimtare. Kjo gjë përcaktoi edhe fatin e Sirisë dhe Palestinës deri atëherë kristiano-romake. Perandori Herakleios, i cili vetëm pak vite më parë kishte mundur me zor të mbrapste persianët, pa veprën e tij duke u shkatërruar dhe braktisi Antiokiën para se edhe ky qytet të binte në duart e arabëve. Ushtritë perandorake u tërhoqën në Azinë e Vogël dhe Herakleios-i, siç thuhet, ra në letargji. Qytetet e Sirisë vazhduan pjesërisht qëndresën e pavarur por në fund ranë të gjitha në duart e pushtuesve.

Më 638 kapitulloi me kushte të favorshme Jeruzalemi i izoluar, ndërsa qyteti port i rëndësishëm i Cezareas falë flotës perandorake bëri qëndresë deri më 640. Arabët nuk i pengonte më asnjë ushtri romake kështu që ata depërtuan në Egjipt, ku në korrik 640 thyen trupat e dobëta perandorake në afërsi të Kajros së sotme. Aleksandria, metropoli i helenizmit, ra përfundimisht më 642 në duart e tyre pas dështimit të një kundraofensive të romakolindorëve. Pas thyerjes së qëndresës së organizuar ushtarake të trupave perandorake, pjesa më e madhe e popullsisë civile në Siri dhe Egjipt iu përshtat arabëve, kjo ndoshta veçanërisht ngaqë të krishterët në këto vende ishin kryesisht „miafizitë“ dhe ndodheshin në grindje të vazhdueshme me perandorët „ortodoksë“. Por se në ç'masë grindjet brenda kishës së krishterë kanë kontribuar për suksesin e arabëve, kjo është sërish shumë e diskutueshme nga shkenca sot. Si më me rëndësi vlen sot fakti që Siria dhe Egjipti më parë për shumë vjet kishin qenë sasanide dhe vetëm pak më parë ishin bërë romakolindore; administrata perandorake nuk kishte hyrë ende mirë kur arabët mësynë. Prandaj shumë vendasve duhet t'u jetë dukur se vetëm po ndërronin sundimtarët për herë të tretë në dhjetë vjet. Lojalitet (besnikëri) ndaj Kostandinopojës duket të ketë ndjerë vetëm elita. Në këtë mënyrë arabët e kishin të lehtë sapo u thye ushtria e rregullt perandorake edhe ngaqë taksat që të nënshtruarve u duhet të paguanin, duhet të kenë qenë në fillim më të ulta se ato që kërkonte Kostandinopoja.

Në veri arabët pushtuan me shpejtësi Armeninë deri në vitet 650, ndërsa në Azinë e Vogël vargmalet e Taurusit penguan depërtimin e shpejtë. Kjo e shpëtoi trungun e perandorisë nga shkatërrimi. Romakolindorët shfrytëzuan këtu me sukses taktikën e tokës së djegur, decentralizuan (shpërqëndruan) mbrojtjen dhe iu shmangën një beteje tjetër të madhe, kështu që ata mundën si përfundim ta mbajnë Azinë e Vogël megjithë fushatat e shpeshta plaçkitëse arabe. Për herë të fundit romakët treguan me ketë se në rast nevoje ata mund të reagonin fleksibël ndaj sfidave ushtarake. Lufta civile e brendshme arabe e viteve 650 u solli atyre një pushim të shkurtër. Dy sylme arabe në shkallë të gjerë kundra Kostandinopojës u mbrapsën pas kësaj (shih më poshtë); por megjithatë forcat romakolindore, të cilat kishin shteruar pas luftës së gjatë persiane, nuk mjaftuan për një kundraofensivë të suksesshme.

Në Afrikën veriore arabët depërtuan deri në Marokun e sotëm. Por Kartagjena romakolindore mundi të qëndronte deri më 697/698 pasi berbërit luftuan në fillim kundra arabëve, ashtu siç kishin luftuar më parë edhe kundra romakëve. Megjithatë për Perandorinë Romake të Lindjes (ose Bizantin) mbeti vendimtar fakti që ajo, me zotërimet në Lindjen e Afërme, humbi dy të tretat e territorit të saj, tre të katërtat e të ardhurave tatimore dhe më tepër se gjysmën e popullsisë. Bastisjet arabe çuan gjithashtu edhe në Azinë e Vogël në rënien e shumicës së polis-ve (qyteteve), të cilat më pas u braktisën ose u zëvendësuan nga ngulime më të vogla të fortifikuara (fshatra të tillë të mbrojtur quheshin kastron).

Perandorisë Romake të Lindjes (ose Byzantit) iu desh dy shekuj për të marrë veten nga kjo trondritje dhe për të ndërmarrë sërish një ofensivë (të kufizuar). Megjithatë humbja e territoreve afrikanoveriore dhe e pjesëve të mëdha të Sirisë dhe Palestinës mbeti përfundimtare; ajo i dha fund fazës së antikitetit të vonë të perandorisë, e cila si pasojë përshkoi një shndërrim masiv administrativ, ushtarak dhe strukturor. Aristokracia e vjetër senatoriale kishte pësuar që gjatë sundimit të Fokas-it goditje të rënda, ndërsa pas hyrjes së arabëve ajo pothuajse u zhduk krejtësisht dhe bashkë me të edhe mënyra antike e jetesës si dhe formimi kulturor klasik. Vëndin e saj e zuri elita e re e arrivistëve (të ngriturve në pozitë) ushtarakë.

Megjithë qëndrimin në përgjithësi tolerant të pushtuesve arabë, shumë burime historike dëshmojnë se këto pushtime nuk janë bërë pa akte dhune ndaj popullsisë. I krishteri egjiptian Gjoni i Nikiut në kronikën e tij të rreth vitit 660 shkruan mbi sulmet arabe gjatë pushtimit të vendit të Nilit megjithëse burime të tjera japin një tabllo pozitive.[6] Por fushatat pushtuese arabe u bënë me sa duket jo pa shkatërrime dhe plaçkitje. Azia e Vogël kishte të bënte për dekada me radhë me sulmet arabe, gjë që ndikoi atje edhe në jetën e përditshme.

Të mërguar të shumtë u derdhën në territoret e mbetura bizantine duke përforcuar në mënyrë afatgjate perandorinë, e cila tashmë e humbi karakterin e saj latino-romak duke u shndërruar në perandorinë greko-bizantine të mesjetës.[7]

Pushtimi arab i perandorisë sasanide persiane

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Ekspansioni islam deri më 945.
Marrë nga G. Droysen, Historischer Handatlas, 1886

Pothuaj njëkohësisht me invazionin e zotërimeve romake u fillua edhe me pushtimin e Perandorisë Sasanide, e cila që prej mbi 400 vjetësh kishte qenë krahas Romës fuqia më me rëndësi në rajon. Në Mesopotami arabët përparuan në fillim shpejt pasi zona amortizuese e vasalëve të persianëve pas rënies së lahmidëve ishte zhdukur. Veçanërisht lutërat e brendshme të sasanidëve për pushtet pas humbjes së luftës kundra Herakleios-it e kishin dobësuar aftësinë e qëndresës persiane. Ndërmjet viteve 628 dhe 632 ishin në pushtet 14 sundimtarë të ndryshëm, ndër ta dy gra. Vetëm pas vitit 632 u vendos qetësia; shahanshahu i ri Jazdagird III nuk e pranoi kërkesën e arabëve për tribut dhe u përgatit energjikisht për mbrojtje. Një sulm i parë arab u smbraps me sukses më 634 në betejën e urës.

Në betejën e Kadazija-s në Irakun jugor u zhvillua më 636 (sipas disa burimeve më 637 ose 638) beteja e parë vendimtare. Spahbed-i („gjenerali“) sasanid Rostam Farrohzād, i cili komandonte trupat e kufirit në perëndim, u vra pas luftimesh të ashpra dhe arabëve u ra në dorë Mesopotamia e pasur bashkë me kryeqytetin sasanid Ktesifon (me thesarin e shtetit). Rënia e shpejtë e mbrojtjes kufitare sasanide në Mesopotami u shkaktua ndoshta edhe si pasojë e reformave që Khosroes-i I. kishte kryer në shekullin e 6-të: pas kësaj ndodhej vetëm një ushtri kufitare përballë agresorëve të mundshëm ndërsa në brendësi të vendit nuk ishin stacionuar trupa të tjera. Me humbjen në Kadazija duket se ushtarët sasanidë, prestigji i të cilëve ishte dëmtuar që nga humbja kundra Herakleios-it, kishin humbur aureolën (shkëlqimin) e tyre; burimet historike shkruajnë se popullsia e Mesopotamisë u ngrit kundra trupave persiane dhe armene të shahanshah-ut duke u bashkuar në shumicë me arabët fitimtarë. Më 639 këta arritën të merrnin provincën e pasur të Khuzistan-it.

Kundëraksionet e mëpasshme të persianëve u zhvilluan në fillim të pakoordinuara por më vonë qëndresa u fuqizua përsëri. Veçanërisht në brendësi të Persisë, në pllajën iraniane në lindje të Tigrit, arabët përparuan fillimisht me vështirësi dhe siç duket u synua që të ndalej ofensiva e mëtejshme kundra Iranit. Por më 642 Jazdagird III. u përgatit për një kundraofensivë dhe kështu edhe arabët mblodhën një ushtri të madhe. Tashmë u përcaktua fati i sasanidëve. Në Nehavend, në jug të Hamadan-it të sotëm në Iran, u zhvillua beteja vendimtare. Persianët duhet të kenë pasur epërsi në numër, megjithatë shifrat si 150 mijë vetë ose më tepër u detyrohen prirjes së kronistëve arabë për ta paraqitur fitoren edhe më të lavdishme. Ushtria sasanide numëronte ndoshta e shumta 70 mijë vetë ose më reasliste është 40 mijë; arabët çuan në betejë rreth 37 mijë vetë. Në fillim u duk se persianët ishin duke fituar por më vonë ata u ndollën nga pozicionet e tyre nga arabët, të cilët kishin pësuar vetë humbje të rënda, dhe u shkatërruan pas një beteje të ashpër. Kavaleria e blinduar rëndë sasanide nuk mund t'u shkaktonte gjë asaj të shpejtë arabe. Persianët humbën duke bërë që edhe pllaja iraniane ishte tashmë e hapur për invazorët. Sasanidi i fundit Jazdagird III. u tërhoq si përfundim në skajin verilindor të perandorisë, në MervTurkmenistanit të sotëm.

Pas kësaj, qëndresa e organizuar morri fund. Shumë aristokratë persianë ranë me sa duket në ujdi me invazorët megjithëse popullsia u ngrit herë pas here në kryengritje duke i cilësuar arabët ndër të tjera si „djaj“. Në disa rajone qëndresa do të vazhdonte për dekada me radhë. Më 651 Jazdagird-i III. u vra nga një nga vartësit e tij, (pasardhësit e të cilit edhe shekuj më vonë do të mbanin si pasojë emrin shtesë „mbretvrasës“). Përpjekjet e birit të tij Peroz-it për të ardhur sërish në pushtet me ndihmën e kinezëve, dështuan; ai vdiq në Lindjen e Largme në oborrin e perandorit Tang. Perandoria sasanide dhe me të perandoria e fundit e Lindjes së Afërme antike u zhduk nga skena e historisë së botës edhe pse kultura sasanide gjeti një jehonë të fortë në Kalifatin abbasid duke mbijetuar kështu pas rënies së shtetit. Vetëm prej vitit 900 myslimanët arritën të përbëjnë shumicën dhe karakteristike është se persianët, ndryshe nga shumica e vendeve të pushtuara nga arabët, ruajtën edhe gjuhën e tyre.[8]

Pushtimet arabe në Evropë dhe Azinë Qëndrore

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Nën kalifin Umar Ibn al-Khattab arabët u armatosën si fuqi detare duke prekur kështu në nerv Bizantin. Më 649 ata depërtuan një herë deri në Qipro ndërsa më 655 mundën të thyenin në betejën e Foiniks-it për herë të parë një flotë bizantine. Më 673 pasoi pushtimi i Rodit.[9]

Dy herë, më 674 deri 678 dhe 717/18, ata rrethuan Kostandinopojën, pa arritur natyrisht ta marrin atë. Faktikisht, ndalimi i ekspansionit arab nëpërmjet perandorit vërtetë të aftë bizantin Leon III. është e pakta i një rangu me fitoren e mëvonshme (dhe ndoshta të mbivlerësuar) të frankëve (shih më poshtë). Kjo i dha fund sulmeve arabo-islamike në Azi të Vogël pasi edhe burimet dhe mjetet shteruan. Edhe në Kaukaz arabët arritën më 737 të thyejnë në fakt barrierat kazare dhe të pushtojnë për një kohë të shkurtër Mbretërinë KazareVollgës por më 740 kalifatit iu desh të tërhiqte garnizonet dhe të largohej nga ai vend. Sidomos luftërat civile të brendshme arabe bënë që Irani lindor dhe pjesë të bregut palestinez si dhe Qipro i shpëtuan përkohësisht kontrollit të kalifatit.

Al-Andaluz-i, territori i Gadishullit Iberik i pushtuar nga myslimanët, rreth vitit 910

Ndërsa në perëndim u vazhdua me pushtimin e brigjeve afrikano-veriore dhe më 711 trupat myslimane (krysisht berbër) nën udhëheqjen e Tārik ibn Zijād-it u drejtuan kundra Evropës së krishterë duke zbarkuar në Spanjë në Gjibraltar (Mali i Tarik-ut). Vizigotët u thyen në korrik 711 në Betejën në Rio Guadalete. Më 711-719 u pushtua Gadishulli Iberik, deri më 725 ata arritën të kapërcejnë Pirenejtë duke pushtuar rajonin e mëparshëm vizigot Septimaninë në Francën jugperëndimore. Ky depërtim i arabëve në Mbretërinë Franke u ndal nëpërmjet Karl Martelit më 732 në betejën e Poitiers, megjithatë myslimanët mbajtën një territor rreth Narbonës deri më 759. Më vonë, pas rënies së kalifatit omajjad, u krijua në Al-Andaluz mbretëria e pavarur omajjade Emirati i Kordobës që më vonë u bë Kalifati i Kordobës.

Në lindje arabët depërtuan deri më 712 në kufijtë e Perandorisë Kineze dhe Indisë. Në Transoksani ata pushtuan zotërimet turke, e lidhur kjo me islamizimin e tyre të ngadaltë dhe me pasoja, por ku arabëve iu bë pjesërisht qëndresë e fortë.[10] Pak më vonë arabët ndërmorrën fushatat e para për në Sind; depërtimi i mëtejshëm për në Indinë perëndimore dhe qëndrore u pengua si pasojë e humbjes më 738 kundra sundimtarëve rajonalë të atjeshëm, ushtritë e të cilëve mund t'i përballonin mirë trupat arabe. Më 751 arabët thyen si përfundim në betejën në Talas një ushtri kineze pasi siç thuhet, një pjesë e madhe e trupave i panë arabët si çlirimtarë duke u bashkuar me ta. Si pasojë ndikimi kinez në Azinë qëndrore u smbraps në favor të atij arabo-islamik.

Më pas, faza e parë e madhe dhe vendimtare e ekspansionit arabo-islamik, humbi dinamikën e saj. Deri në shekullin e 9-të u arrit të pushtohen Balearet dhe Sicilia por pa patur shumë sukses islamizimi i Italisë. Nëpër Francën jugore arabët depërtuan deri në Zvicër. Arabët mundën për dekada me radhë të veprojnë pa u shqetësuar në Mesdhe, përpara sa Bizanti të hidhej sërish në ofensivë, ku më pas u krijua faktikisht në Mesdheun lindor një situatë pati (bllokimi). Prej shekullit të 12-të u shtua edhe dobësimi i fuqisë islame nëpërmjet kryqëzatave nga ana e Evropës së krishterë në drejtim të qendrave të pushtetit arab dhe mbretërive kristiane të krijuara atje. Në perëndim emiratet islame duke filluar nga mesjeta e mesme u mbrapsën pak nga pak; në gadishullin iberik nëpërmjet rekonkuistas së mbretërve kristianë që përfundoi më 1492 dhe në shekullin e 11-të nëpërmjet pushtimit të Sicilisë.

Masat administrative të arabëve në zonat e pushtuara

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në Siri arabët e ndanë vendin sipas shembullit bizantin në katër rajone administrative. Gjithashtu u mbajtën edhe nëpunësit grekofonë (grekofolës), gjë që pati si pasojë që greqishtja dhe persishtja (në perandorinë ish-sasanide) u zëvendësuan si gjuhë administrate nga arabishtja vetëm pas kohës së sundimit të Abd al-Malik-ut duke u mbrapsur vetëm pas shekullit të 8-të. Me sa duket arabët ndryshuan relativisht pak gjëra në sistemin administrativ ekzistues, i cili kishte funksionuar mirë deri atëherë. Në fillim, ky shtet i ri i madh ishte ndërtuar relativisht lirshëm, ku guvernatorët kishin në përgjithësi dorë të lirë. Vetëm me ardhjen në pushtet të Muavija-s I., organizuesit të vërtetë të kalifatit, u arrit një administratë qëndrore më e shtrënguar, ku në territoret ish-bizantine punonin ende kryesisht të krishterët si psh. Sarjun ibn Mansur-i, i cili nën pushtetin e Muavija-s ishte përgjegjës për financat. Islamizimi ose arabizimi i zonave të pushtuara zgjati një kohë të gjatë duke bërë në fillim vetëm pak përparim. Kristianizmi në Siri dhe Egjipt mbeti për një kohë të gjatë një forcë e gjallë dhe edhe besimi zoroastrist u mbraps vetëm pak nga pak; me sa duket vetëm prej rreth vitit 1000 fliste shumica e popullsisë së Egjiptit dhe Irakut arabisht ndërsa në Persi identiteti kuluror u mund të ruhet më shumë.[11]

Në lëmin e fesë arabët ishin relativisht tolerantë, megjithatë përderisa këtu nuk bëhej fjalë për „paganë“: besimtarëve të feve të librave (dmth. sidomos të krishterët, hebrenjtë dhe zoroastristët) u duhej të paguanin një taksë të veçantë për kokë (xhizjenë), u lejohej të ruanin besimin e vet por jo ta ushtronin atë publikisht dhe as të mbanin armë si dhe as nuk rekrutoheshin për shërbim ushtarak. Ky status quhet dhimma. Me përjashtim të shkeljeve gjatë fushatave pushtuese, u bënë më vonë eksese (shfrenime) të dhunshme nga ana e myslimanëve; edhe pesha e taksave u shtua më vonë. Një burim me rëndësi për këto represione (shtypje) paraqet kronika e pseudo-Dionisit të Tell Mahre-s.[12]

Arabët themeluan edhe qytete të reja (Kufa, Basra, Fustat-i, Kairouan (Kajro), Fès-i), të cilat morrën përsipër funksionin e qendrave të rëndësishme administrative dhe kulturore.

Arsyet për rënien e Persisë dhe për humbjet territoriale të Bizantit

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Arsyet për këtë fenomen gati të vetëm historik diskutohen ende nga studiuesit: është e shumta i ngjashëm me fushatën e Aleksandrit të Madh ose me pushtimet mongole, megjithëse vetëm nga larg. E sigurtë është veç, se nuk ka një shpjegim të përgjithshëm për suksesin e ekspansionit islam por shumë faktorë që e favorizuan këtë sukses.

Fakti është se Perandoria Romake e Lindjes dhe Persia ishin të raskapitura nga lufta e gjatë mes tyre. Prej vitit 540 ka patur vetëm për rreth 20 vjet paqe ndërmjet këtyre dy fuqive të mëdha, në luftën e fundit sasanidët i kishin çuar romakolindorët në buzë të shkatërrimit (shih edhe luftërat romako-persiane). Përveç kësaj nuk pritej një energji e tillë fetare e as më pak një invazion me këto përmasa, edhe pse më parë pati pasur disa shenja për këtë. Feja kishte luajtur që në luftën e fundit romako-persiane një rol me rëndësi.

Gjithashtu pushteti ortodoks perandorak ishte i padëshiruar në Siri dhe Egjipt. Nga njëra anë këtu mbizotëronte miafizitizmi dhe nga ana tjetër luante një rol të rëndësishëm afërsia etnike semite me arabët se sa në të kundërt marrëdhënia me grekët dhe romakët evropianë. Megjithatë nuk ka qenë ashtu që ardhja e arabëve hasi kudo në pëlqim; jo rrallë morrën pjesë në qëndresën kundra invazorëve psh. edhe egjiptianët ose sirianët. Ndoshta është marrë shpesh edhe nga studiuesit e të kaluarës në mënyrë të padiferencuar arsyetimi se në Egjipt dhe Siri kishte pakënaqësi ndaj politikës fetare të perandorëve; nga studiuesit sot kjo tezë është sidoqoftë sërish e diskutueshme.[13]

Përveç kësaj arabët i lejuan popullsisë së nënshtruar ushtrimin e fesë me kushtin e pagimit të një takse për kokë (kjo vlente si për të krishterët ashtu edhe për besimtarët e zoroastrizmit). Popullsia u islamizua vetëm pak nga pak, sigurisht edhe sepse nuk ekzistonin përndryshe pothuaj fare mundësi për ngritje sociale ose karrierë dhe se pozita ligjore si dhimmi (shih dhimma) ishte në përgjithësi e pasigurt. Në fillim pushtuesve nuk u lejohej as të merrnin tokë si pronë private (më vonë kjo gjë ndryshoi). Megjithatë pati shumë plaçkë lufte, gjë që ishte për shumë fise një joshje e madhe. Pjesë përbërëse të administratës ekzistuese u morrën përsipër nga arabët duke bërë kjo që psh. greqishtja të mbesë gjuhë zyrtare në zonat e pushtuara romakolindore deri në fund të shekullit të 7-të dhe në Persi të ruhet sistemi tatimor sasanid.

Së fundi edhe ushtria romakolindore ishte çmobilizuar pas luftërave të gjata kundra persianëve dhe i duhej një kohë e gjatë përgatitore për t'u aktivuar përsëri. Ndërsa perandoria sasanide përveç kësaj ishte dobësuar edhe nga kriza e brendshme dhe u befasua nga sulmet arabe përpara se të arrinte të stabilizohej.

  • Averil Cameron: The Byzantine and Early Islamic Near East. Princeton prej 1992, ISBN 0-87850-107-X
  • Fred M. Donner: Muhammad and the Believers: At the Origins of Islam. Cambridge/Mass. 2010.
  • Fred M. Donner: The Early Islamic Conquests. Princeton 1981.
  • James Howard-Johnston: Witnesses to a World Crisis. Historians and Histories of the Middle East in the Seventh Century. Oxford 2010.
  • Walter E. Kaegi: Byzantium and the Early Islamic Conquests. Cambridge 1992, ISBN 0-521-48455-3.
  • Walter E. Kaegi: Confronting Islam: emperors versus caliphs (641–c. 850). Në: The Cambridge History of the Byzantine Empire. Jonathan Shepard. Cambridge 2008, prej f. 365.
  • Hugh Kennedy: The Great Arab Conquests. Philadelphia 2007.
  • Hugh Kennedy: The Byzantine and Early Islamic Near East (= Variorum Collected Studies Series). Aldershot 2006.
  • Michael G. Morony: Iraq After the Muslim Conquest. Princeton University Press. Princeton 1984, ISBN 0-691-05395-2.
  • Albrecht Noth: Früher Islam. Në: Ulrich Haarmann, Geschichte der arabischen Welt. München 1994, f. 11–100, ISBN 3-406-31488-0.
  • Werner Schmucker: Untersuchungen zu einigen wichtigen bodenrechtlichen Konsequenzen der islamischen Eroberungsbewegung. Bonner Orientalistische Studien. Vol. 24. Bonn 1972.
  • The Cambridge History of Iran, Vol. 3.1, The Seleucid, Parthian and Sasanian Periods. Ehsan Yarshater. Cambridge 1983, ISBN 0-521-24699-7.
  1. ^ shih: W. Montgomery Watt: Muhammad at Medina. Oxford University Press, 1962. F. 78-151 si dhe Elias Shoufani: Al-Ridda and the Muslim Conquest of Arabia. University of Toronto Press, 1973. F. 10-48
  2. ^ Një vështrim të përgjithshëm me rëndësi mbi gjendjen e Perandorisë Romake të Lindjes në shekullin e 7-të ka shkruar John Haldon: Byzantium in the Seventh Century. Bot. i dytë, Cambridge 1997.
  3. ^ Një qëndrim shumë kritik ndaj burimeve mbi pushtimet arabe dhe përpjekjeve rekonstruuese të sotme mban psh. Whittow: Mark Whittow: The Making of Byzantium, 600-1025. Berkeley 1996, prej f. 82. Veçanërisht me problemin e trashëgimisë merret studimi i hollësishëm i James Howard-Johnston, Witnesses to a World Crisis.
  4. ^ cituar sipas Berthold Rubin, Propyläen Weltgeschichte, Vol. 5, Berlin 1990, f. 185
  5. ^ Për më detajuar: Jens Scheiner: Die Eroberung von Damaskus. Quellenkritische Untersuchung zur Historiographie in klassisch-islamischer Zeit. (Pushtimi i Damaskut. Studim kritik i burimeve mbi historiografinë e kohës klasike islamike). Leiden 2009.
  6. ^ Për këto rrëfime të ndryshme nga njëra-tjetra shih: Kennedy, The Great Arab Conquests, prej f. 350.
  7. ^ Për pushtimin në përgjithësi të orientit romak nga arabët shih botimin aktual të Kennedy, The Great Arab Conquests, prej f. 66; ose edhe Kaegi, Byzantium and the Early Islamic Conquests.
  8. ^ Për pushtimin e Perandorisë Sasanide shih: Kennedy, The Great Arab Conquests, prej f. 98. dhe prej f. 169.
  9. ^ Shih për një përmbledhje të luftërave detare: Kennedy, The Great Arab Conquests, prej f. 324. Më hollësisht: Ekkehard Eickhoff: Seekrieg und Seepolitik zwischen Islam und Abendland. Das Mittelmeer unter byzantinischer und arabischer Hegemonie (Luftërat dhe politika detare ndërmjet islamit dhe perëndimit. Mesdheu nën hegjemoninë bizantine dhe arabe). Berlin 1966.
  10. ^ Shih: Kennedy, The Great Arab Conquests, prej f. 225.
  11. ^ Si punim përmbledhës: Chris Wickham: The Inheritance of Rome: A History of Europe from 400 to 1000 (Trashëgimia e Romës: historia e Evropës prej vitit 400 deri 1000). London 2009, f. 285–288.
  12. ^ Në lidhje me „këndvështrimin e të mundurve“ shih: Kennedy, The Great Arab Conquests, prej f. 344.
  13. ^ Në mënyrë të shkurtër përmbledhëse: Wolfram Brandes: Herakleios und das Ende der Antike im Osten. Triumphe und Niederlagen (Herakleios-i dhe fundi i antikitetit në lindjen e afërme. Triumfe dhe humbje). Në: Mischa Meier, Sie schufen Europa (Ata që krijuan Evropën). München 2007, f. 248–258, këtu f. 257. Në lidhje me kritikën ndaj tezës se ilojaliteti (mosbesnikëria) e miafizitikëve ka fovorizuar pushtimin arab, shih psh. John Moorhead: The monophysite response to the Arab invasions. Në: Byzantion 51 (1981), f. 579-591.