Jump to content

Aleksandër Meksi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Aleksander Meksi)
Aleksandër Meksi
Kryeministër
Në detyrë
13 prill 1992 – 11 mars 1997
Paraprirë ngaVilson Ahmeti
Pasuar ngaBashkim Fino
Të dhëna vetjake
U lind më8 mars 1939
Tiranë, Mbretëria Shqiptare (1939–43)
Nënshtetësiashqiptar
Partia politikePartia Demokratike
Fëmijëtdy djem
Punësimipolitikan, arkitekt, specialistë i restuarimit të monumenteve fetare, studiues

Aleksandër Meksi (8 mars 1939, Tiranë) është një studiues, restaurator i monumenteve të arkitekturës mesjetare (kryesisht kisha e xhami) si dhe ka qenë kryeministër i shtetit shqiptar.

U lind në Tiranë më 8 mars 1939, i biri i Gabriel Meksit (1894-1958) dhe Efigjeni Haxhistasës (1912-1983), i ati ishte nga Labova dhe ishte mësues historie ndërsa e ëma nga Berati.

Ka kryer studimet universitare në degën e ndërtimit në Fakultetin e Inxhinierisë të Universitetin Shtetëror të Tiranës (1955-1959). Në vitet 1960-1962 punoi në hidrocentralin e Shkopetit, ndërsa në vitet 1962 - 1987 punoi në Institutin e Monumenteve të Kulturës.[1] Në vitin 1965 ka kryer specializim (6 muaj) në “Scuola di perfezionamento per lo studio e il restauro dei monumenti” pranë fakulteti të arkitekturës të Universitetit të Romës. Në vitet shkollore nga 1974 -1977 ka dhënë lëndën e Historisë së arkitekturës në Degën e ndërtimit në  UT. Ndërsa në vitin shkollor 1989-1990 ka qenë pedagog për dy lëndë (ushtrime e seminare-në semestrin e parë) në Universitetin e Marburgut. Aktiviteti kërkimor dhe ai për gjurmimin dhe restaurimin e monumenteve është pasqyruar në dhjetëra artikuj dhe monografi si autor i vetëm apo dhe si bashkautor. Mban gradat shkencore Kandidat i Shkencave (1982) dhe Doktor i shkencave (1988) si dhe titullin Profesor (1995).

Karriera politike i fillon në dhjetor 1990 si bashkëthemelues dhe hartues i Programit minimal, i Statutit të Partisë Demokratike dhe anëtar  i Komisionit Nismëtarë të saj. Qysh atëherë e deri ne vitin 1997 ka qene anëtar i Kryesisë se PD dhe më vonë, me ndonjë shkëputje (1997- 2001), anëtar ex oficio i Këshillit Kombëtar. Që nga zgjedhjet e para pluraliste është zgjedhur deputet për në Kuvendin e Shqipërisë (1991-2001). Pas fitores së Partisë Demokratike në 22 mars 1992, më 13 prill zgjidhet Kryeministër i Qeverisë Demokratike, post që e mbajti deri ne 13 mars 1997 (pasi dha dorëheqjen në 1 mars). Qeveria Meksi ndërmori reformimin e shtetit shqiptar nga një shtet i diktaturës së proletariatit në një shtet demokratik të së drejtës, me ekonomi të tregut të lirë, ku respektohen të drejtat e njeriut. Detyra të vështira për një vend në krizë të plotë politike-ekonomike e sociale, në një vend të rrënuar nga marrëzia komuniste e diktatura e proletariatit. Me ndihmën e vendeve të Evropës së Bashkuar dhe Sh.B.A. u përmbys shteti komunist, u krijua një shtet i ri me Kode e ligje të reja, me ndryshime rrënjësore në sistemin politik dhe ekonomik që tjetërsuan në ato vite Shqipërinë. Qysh nga viti 2001 është kritik ndaj drejtuesve  të Partisë Demokratike për mungesën e demokracisë së brendshme si dhe keqqeverisjes gjatë viteve  2005-2013; por vazhdon të jetë aktiv në jetën politike të vendit me shkrime politike si opozitar, intervista e biseda në mediat televizive.

Është i martuar me Dhurata Shala dhe ka dy djem Endri e Redon.

Gjatë kësaj periudhe kohore krahas  botimeve  shkencore ka publikuar dhe  një numër të madh artikujsh shkencor si dhe monografi, ashtu  dhe shkrime publicistike nga fusha e politikës dhe kulturës. Po japim këtu monografitë dhe librat si përmbledhje artikujsh.

  • Restaurimi i Monumenteve të Arkitekturës 2004
  • Arkitektura mesjetare në Shqipëri  (1983)
  • Studime për monumentet dhe restaurimin I – Monumentet 1971-1980
  • Studime për monumentet dhe restaurimin II – Monumentet 1981-1990
  • Arkitektura e Xhamive të Shqipërisë shekujt XV-XIX  (2007)
  • Arkitaktura e kishave të Shqipërisë shk.VII-XV, Tiranë 2004
  • Aleksandër Meksi përmes fjalës së tij Tiranë 1997
  • Xhamitë e Shqipërisë, Historia, Arkitektura, shek.  XV-XIX   (2015)
  • Xhamitë e Shqipërisë, Historia, Arkitektura, shek.  XV-XIX   (2018)
  • Shën Kolli Mesopotam, Sarandë   (2018)
  • 100 vjet pavarësi kombëtare - 2012
  • Historia e Arkitekturës në Shqipëri – Maket   (1978)
  • Berati, Historia dhe Arkitektura  (1988)
  • Berati, Historia dhe Arkitektura  (2018)
  • Historia e Arkitekturës në Shqipëri   (2016)
  • Aleksandër Meksi Përmes fjalës se tij  (1997)
  • Dhjetor 90, Dokumente e Materiale  (2010)
  • Rrugë e Vështirë  1 – Shkrime e Intervista  (2015)
  • Rrugë e Vështirë 2 – Për njerëz e Libra   (2015)
  1. ^ Dervishi, Kastriot (2012). Kryeministrat dhe ministrat e shtetit shqiptar në 100 vjet. Tiranë: "55". fq. 143–144. ISBN 9789994356225.