Jump to content

Eqrem bej Vlora

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Eqrem bej Vlora
Ministër sekretar shteti i Tokave të Lirueme
Në detyrë
7 maj 1942 – janar 1943
Paraprirë ngaMustafa Kruja
Pasuar ngaIsmet bej Kryeziu
Ministër i Punëve të Jashtme
Në detyrë
17 korrik 1944 – 28 gusht 1944
Paraprirë ngaBahri Omari
Pasuar ngaIbrahim bej Biçakçiu
Të dhëna vetjake
U lind më21 shkurt 1885
Vlorë, Perandoria Osmane
Vdiq më25 maj 1964
Vjenë, Austria
NënshtetësiaShqiptar
Punësimipolitikan, diplomat, historian

Eqrem bej Vlora (Vlorë, 1 dhjetor 1885 - Vjenë, 25 maj 1964) që hera-herës emri i figuron edhe në trajtën Ekrem ishte nëpunës i Perandorisë Osmane, veprimtar i çështjes shqiptare, diplomat, politikan, shkrimtar dhe historian shqiptar. I emëruar Beu i fundit, diplomati Pietro Kuaroni e përshkruan se "ka qenë, pa dyshim, personaliteti më inteligjent... që kam takuar në Shqipëri. Një mendje e kthjellët, e ndritur dhe e prerë, zhveshur nga retorika dhe nga iluzionet e kota."[1]

U lind në Vlorë më 1 dhjetor 1885, i biri Syrja bej Vlorës dhe i Miri hanëm Toptanit.[2] Familja e tij ishte një nga familjet më të pasura të trojeve shqiptare të jugut, por pas Tanzimati si pasuria ashtu edhe influenca e tyre ra. Falë zotësisë së të atit në ekonomi e administrim, pasuria e familjes së tij u dhjetëfishua duke iu afruar kështu gjendjes së para-Tanzimatit.[3]

Qysh në fëmini pati mësues privatë: një djalosh italian, inxh. Luigji Bekali (Luigi Beccali) nga Mesina, dhe shqiptari Mehmet efendi Lusi (Luzaj[4]), hoxhë i Kaninës që më vonë do zëvendësohej nga prof. Jusuf Riza efendiu. Gjermanisht nxuri nga z. Fajgenvinter (Feigenwinter) nga Baseli. I pari do të ishte mësuesi i tij i përhershëm, i dyti mësuesi i tij i fesë duke nxënë kështu mësimet fillore mes viteve 1891-96.[5]

Në vitet 1899/1900-1906 nisi studimet liceale dhe universitare në Theresianum, Akademia Orientale mbretërore e perandorake në Vjenë, ku u specializua në çështje ballkanike. Plotësoi studimet për doktoraturë në drejtësi në Stamboll në 1904.[6] Gjatë udhëtimeve në Lindje të Mesme do të krijonte njohje me personalitete të larta të kohës, Fild-Marshallin britanik Herbert Kitchener, shefin e Shtatmadhorisë Austro-Hungareze Franz Conrad von Hötzendorf, dhe togerin e ri Mustafa Kemal Atatyrk[7] dhe sheikë të shumtë arabë që kishin qeverisë apo do qeverisnin rajone e shtete të Lindjes së Afërme e të Mesme.

1906, Sekretar i gradës së III në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Perandorisë Osmane. 1907, Sekretar i gradës së III në Ambasadën e Perandorisë Osmane në Shën Petërburg për tre muaj. 1909, Sekretar i II në zyrën e përkthimeve Ministria e Punëve të Jashtme të Perandorisë Osmane. Hapën të parin klub "Bashkimi" në Stamboll më 1908 me miqtë e tij. Punonte të botonte gazetën e re "Shqiptari" bashkë me ikanakun nga Struga, Dervish Hima dhe shkodranin Hilë Mosin.[8] Po atë vit merr mandat nga kolonia shqiptare e Stambollit që bashkë me Dervish Himën t'i përfaqësojë në Kongresin e Manastirit por pengohet nga shefi i tij.

Gjatë Luftës së Parë Ballkanike ai shërbeu si komandant i batalionit territorial të Vlorës me gradën major në rezervë, i caktuar nga kryekomandanti dhe zëvendësvaliu Esat pashë Halasti.[9] Pas luftimeve të suksesshme me forcat greke në zonën e Bregut ai u thirr në Vlorë nga xhaxhai i tij, Ismail beu.

Më 1912, u bë zëvendës president i Senatit/Pleqësisë ndonëse 27 vjeçar.[10] Me rënjen e qeverisë së parë dhe vendimin e Komisionit Ndërkombëtar për të prurë një fisnik evropian për t'u kurorëzuar Mbret i Shqipërisë, ai ishte pjesëtar i dërgatës (si përfaqësues i Tiranës e Shijakut) për në Neuwied të takonin Princ Vidin, i cili ishte zgjedhur për të mbretëruar në Shqipëri. I atashohet Princit Vid si sekretar dhe përkthyes. 1914, Zv/Sekretar i Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme Shqiptare. Ai ishte mbështetës i Fuqive Qendrore, arsye për të cilën u mbajt nën arrest në Itali si austrofil për gjysmën e dytë të Luftës së Parë Botërore e deri më 1919, i internuar në Sardenjë[1] përgjatë krejt asaj kohe, ku nxuri edhe spanjishten. 1921, Kandidat për Kryetar i Bashkisë Vlorë. 1923, deputet i Kuvendit Kushtetues, duke përfaqësuar pref. e Vlorës në krahun konservator por shpesh i joshur nga ideja t'i bashkohej krahut që ai quan demokratik, i cili kryesohej nga Noli e Gurakuqi.

Eqrem bej Vlora në vitet '30.

1925, u bë senator për një periudhë të shkurtër kohe derisa zevëndësohet nga Isuf Dibra.[11] Më 1925 i dha fund beqarisë, u martua me Hadijen - të bijën e Salih pashë Vrionit. "Ishte një martesë me mendje dhe jo me dashuri", e përshkruan te kapitulli "Beu i fundit", por e quan "zgjedhje të qëlluar dhe fatlume". Me të do të ketë dy vajza, Shehzaden që leu në Vlorë dhe Aishen. Më 1927 emrohet i ngarkuar me punë në Londër, u thirr në Tiranë dhe pas pak kohe të kaluar si i ngarkuar me punë në Athinë më 1929-'30,[6] dha dorëheqjen nga shërbimi diplomatik shqiptar.

Më 1933 del në pah si Sekretar Politik në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë. Më 1934 zuri vendin e Sekretarit të Përgjithshëm në atë Ministri. Më 1936 u zgjodh për postin e ministrit shqiptar në Berlin por prej një gabimi që e futën në listat zgjedhore të fundit të janarit 1937.[12] 10.02.1937 - 05.04.1939, Deputet i Vlorës. Mik i ngushtë i baroneshës bavareze Marie Amelie von Godin, me të cilën ai përktheu Kanunin e Lekë Dukagjinit në gjermanisht i ndihmuar në përkthim nga etërit françeskan të Shkodrës aty nga 1938.

Pushtimi italian dhe veprimtaria gjatë Luftës së Dytë Botërore

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Mbas 7 prillit 1939 përfaqëson pref. e Vlorës në Asamblenë Kushtetuese gjer në prillin e 1940 kur Asamblea u suprimua dhe u zëvendësua nga vëllai, Safa. Më pas u bë Kryetar i Zyrës së Punëve Civile, Kryetar i Zyrës Ceremoniale në “Luogotenenca” Tiranë.

Eqrem bej Vlora renditet në atë grup njerëzish që më vonë do etiketoheshin si "kolaboracionistë". Gjatë qeverive kolaboracioniste ishte bashkë me Dimitri Poppan dhe Gjon Marka Gjonin një nga tre anëtarët shqiptarët të Këshillit të kancelarisë së Urdhërave Besa dhe Skënderbeu nën sovranitetin e mbretit të Italisë.[13] Në prillin e 1940 u bë pjesë e Institutit të Studimeve Shqiptare.

Me Dekret Mëkambësor nr. 333, datë 3 dhjetor 1941, në Qeverinë e Tiranës u krijua Ministria e Tokave të Lirueme, e cila ekzistoi deri në shkurt 1943.[14] Në 7 maj 1942, Mustafa Kruja e emëroi atë ministër për Kosovën, Dibrën, Plavën e Gucinë që iu bashkuan Shqipërisë "së vjetër". Nën kujdesin e tij si ministër, u lëvizën94 familje dhe 87 individë hebrenj në drejtim të Shqipnisë së mbrendshme nga Prishtina sipas politikës të vetë kryeministrit.[15] Cilësohet "ish-diplomat turk dhe nacionalist i zjarrtë, jo më pak se Kryeministri i tij Kruja."[16]

Në verën e vitit 1944, ai u bë ministër i Jashtëm dhe i Drejtësisë para se të shkonte në mërgim në Itali me ardhjen e komunistëve në pushtet. Qëndroi për 10 vite në Itali derisa u shpërngul në Austri prej ku i shkruante familjes me nofkën Adalgisa Rosi.[17] Vdiq në krah të bijës së baxhanakut, Hanës së Ali Këlcyrës në mbrëmje kur mbeska kishte thirrur urgjencën prej një ligështie në zemër të beut të moçëm.[18]

I përshëndetur dhe i përhironjur nga Koliqi tek "Shêjzat",[6] eshtrat iu prehën në varrezat Neustift am Walde të kryeqytetit austriak deri në marsin e 2014 u muar vendimi i Këshillit të Ministrave për t'ia riatdhesuar eshtrat dhe varrosjen e tyre në Kaninë më 30 mars, ku historikisht qenë varrosur Vlorajt në tyrben e tyre.

Përndjekja e familjes dhe pronat

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Banesa ne Vlorë
Banesa në Vlorë

Para se të nisej në Itali çoi të shoqen dhe të bijat tek motra e tij, e shoqja e Eqrem bej Libohovës. E vogla ndër to qe njëmbëdhjetë muajshe kur u largua i ati, ndërsa e madhja 12 vjet më e madhe. Jetuan atje deri në vitet '50, e prej aty kaluan në Babrru e më pas në Durrës. Vajzat përfunduan shkollimin e mesëm dhe u futën në punë, e madhja në ndërtim kurse e vogla në fidanishte e mbasandej në Ndërmarrjen Artistike deri në pensionim. Lajla, siç e quan e motra e vogël, vdiq e re nga një grip që quhej "Hong Kong", ndërsa e shoqja e Eqrem beut vdiq më 1984.[17]

Kur hynë komunistët më 1944, çifligjet e Mekatit, Llakatundit, Grabjanit dhe Bunavicës u mbrojtën nga besnikët dhe bujqit e Vlorajve. Ndër to, Jusuf Hamiti u vra. Besnikët e familjes i ndihmuan gruan dhe fëmijët e Eqrem beut deri kur përfunduan 90 sosh burgjeve dhe internimeve.[19]

Biblioteka dhe koleksioni arkeologjik

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Meraku i tij më i madh pas familjes qe biblioteka e Vlorajve, e cila ishte një nga biblioteka private më të pasura të parakomunizmit. Eqrem beu i përmend vleftën tek "Kujtimet" dhe e qan shpesh si nuk mundej t'ia shfrytëzonte burimet që ishin mbledhur ndër breznitë e Vlorajve që i dhanë rëndësi, posaçe nga vetë Eqremi me të atin, Syrja beun. Më 1812 vëllimet ishin diku tek 5200 sish, pas gati një shekulli më 1914 librat në bibliotekën e bejlerëve qenë 14640 vëllime; 2000 nga të këta vëllime me rëndësi të posaçme për fusha të ndryshme studimore të cilave do t'i shërbenin shumë. Ajo ndoqi fatin e asaj të Mit’hat bej Frashërit dhe Lef Nosit duke u "shtetëzuar", e brendësuar në Bibliotekën Kombëtare. Me t'u hapur Biblioteka "Shevqet Musaraj", kishte të regjistruar në fondin e saj themelor bibliotekën private të Vlorajve. Përpos fondit të Vlorajve, biblioteka do vendosej po ashtu në shtëpinë e Eqrem beut mbas 1974s.

Më 1924 në Apolloni nisën gërmimet arkeologjike të misionit të Leon Rey, me zbulimet që u bënë lindi nevoja të vendohej diku koleksioni arkeologjik i mbledhur gjer atëherë në ndërtesën e parë qeveritare ku Eqremi dha shumë nga gjërat e zbuluara nga fshatarët ndër pronat e Vlorajve. Dëshmi për kujdesin që tregonte Beu për zbulimet vijnë edhe nga konti Ugolini, duke pasë mbledhur edhe në shtëpinë e tyre një sasi të çmuar sendesh e vjetërsish të cilat arkeologu i kishte parë ndërkohë që bunte në shtëpinë e bejlerëve gjatë Lëvizjes së qershorit[20].

Si njeri i pendës, Eqerem bej Vlora përmendet për monografinë e tij "Aus Berat und vom Tomor: Tagebuchblätter" ("Nga Berat dhe Tomori: Faqe të një Ditari"), Instituti i Studimeve Ballkanike-Sarajevë-Gjermanisht 1909. 1910, E vërteta mbi politikën e Xhonturqve në Shqipëri, Vjenë, Gjermanisht. Përkthen veprën e Johann Georg von Hahn «Shënime përmi shkrimin e vjetër Pellazgjik» më 1910 në Stamboll, që u shkëput nga "Albanesische Studien"/Studimet Shqiptare të botuara që me 1854. Shkruan tek "Shêjzat" e Koliqit artikuj me vlerë historike, juridike e folklorike me trajtesa mbi të drejtën zakonore të Labërisë dhe kalasë së Kaninës.[21][22]

Forca e Popullit Shqiptar, (Enciklopedia e Akademisë Diplomatike) Paris, frëngjisht; 1956[23] dhe në veçanti, kujtimet e tij në dy vëllime në gjuhën gjermane që ia kishte caktuar dr. Bernath i Institutit "Südost" të Mynihut[6] botuar pas vdekjes me titullin "Lebenserinnerungen" ("Kujtime"), Mynih 1968, 1973. Punim i cili jep një pasqyrë interesante në botën e një fisniku shqiptar të fillim shekullit të 20-të. Janë përkthyer në gjuhën shqipe "Kujtime 1885-1925", Tiranë 2002, dhe në turqisht "Osmanli Arnavutluk'undan anilar, 1885-1912" ("Shënime nga Shqipëria otomane, 1885-1912"), Stamboll 2006. Dorëshkrimi i daktilografuar i tij monumental në 1200 faqe në bashkëpunim me Baroneshën von Godin "Beiträge zur Geschichte der Türkenherrschaft in Albanien: Skizze eine historische" përkthyer nga Afrim Koçi "Kontribute në historinë e sundimit turk në Shqipëri: një Skicë Historike" në dy vëllime nga shtëpia botuese "55", Tiranë 2010.

  • 1904—Kalorës i Urdhërit Takovo të Serbisë;
  • 1906—Klas III i Urdhërit Otoman të Mexhidies;
  • 1907—Kalorës i Urdhërit të Leopoldit, Belgjikë;
  • 1908—Medalje e fushatës Edzekaz;
  • 1914—Komandar i Urdhrit të Shqiponjës së zezë të Shqipërisë;
  • 1927—Oficer i Kurorës së Italisë;
  • 1934—Oficer i Urdhrit Karagjergjoviç;
  • 1935—Oficer i Yllit të Rumanisë;
  • 1942—Kordon i madh i Urdhëri i Skënderbeut.
  • 1935—Anëtar i Akademisë së Shkencave Gjermanike Humbold;
  • 1935—Medalje Ari e Akademisë së Shkencave Gjermanike Humbold;
  • 1936—Anëtar i Akademisë Diplomatike–Paris;
  • 1941—Anëtar i Institutit të Shkencave –Tiranë;[24]
  • 1954—Anëtar i Institutit të Shkencave–Romë[23].

Breve cronaca normanna

  1. ^ a b Kuaroni, Pietro (1993) [1956]. Valixhja diplomatike [Valigia diplomatica]. Përkthyer nga Lazam Koldashi. Tiranë: Albinform. fq. 190. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  2. ^ Vlora, Eqrem bej (2003) [1963]. Kujtime 1885-1925 [Lebenserinnerungen]. Përkthyer nga Afrim Koçi. Tiranë: IDK. fq. 19. ISBN 99927-780-6-7. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  3. ^ Von Godin, Marie Amelie Freiin (2007) [1914]. Koçi, Afrim (red.). Nga Shqipëria e re [Aus demm neuen Albanien]. Përkthyer nga Elda Gjana-Boriçi. Tiranë: Koçi. fq. 103. ISBN 978-99943-755-8-5. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  4. ^ Kujtimet e djalit të Isuf Luzaj: Ja si na mashtroi dhe persekutoi Hysni Kapo, citynews.al, 22 prill, 2016.
  5. ^ Vlora 1963, pp. 26, 32.
  6. ^ a b c d Koliqi, Ernest (1964). Ekrem Vlora. Romë: Shêjzat v. VIII. fq. 77–82. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  7. ^ Vlora 1963, p. 246.
  8. ^ Vlora 1963, p. 230.
  9. ^ Vlora 1963, p. 291.
  10. ^ Vlora 1963, p. 315.
  11. ^ Istrefi, Diana (2005). "Ligjvënësit shqiptarë 1920-2005" (PDF). parlament.al. Tiranë. fq. 17, 21. Arkivuar nga origjinali (PDF) më 19 tetor 2020. Marrë më 13 qershor 2018. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  12. ^ Raporti vjetor që Sir Andrew Ryan i dërgonte më 1929 Viskontit Halifax, F.O. 371/23710.
  13. ^ Rrumbullaku, Filip (2010). Dekorimet nga Princ Vidi deri sot. Tiranë: Onufri. fq. 111. ISBN 978-99943-42-80-8. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  14. ^ Haklaj V., "Dëshmi tronditëse të barbarizmave sërbe ndër shqiptarë: [në shkrim jepen tabela dhe emra konkretë të personave të ekzekutuar, burgosur dhe zhdukur. Edhe shkrime të shtypit të asaj kohe në lidhje me krimet e kryera]", Gazeta Tema. - Nr. 2237, 18 nëntor, 2007, f. 14 - 19.
  15. ^ Sinani, Shaban (2009). Hebrenjtë në Shqipëri ─ Prania dhe shpëtimi. Tiranë: Naimi. fq. 127, 129. ISBN 978-99956-800-2-2. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  16. ^ Umiltà, Carlo (1948). Jugoslavia e Albania: Memorie di un diplomatico. Milano: Garzanti. fq. 147. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  17. ^ a b Jaupaj, Ani (4 mars 2012). "E bija e Eqrem bej Vlorës, Ajnisha: Nga sarajet e shërbëtorët, në Artistiken e Kavajës". panorama.com.al. Panorama. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  18. ^ Qafoku R., Hana Këlcyra rrëfen çastet e fundit të Eqrem bej Vlorës, Tema, 11 mars 2014.
  19. ^ Vlora 1963, p. 535.
  20. ^ Llojdia G., Shtëpi muze për familjen Vlora?, zemrashqiptare.net, 12 mars 2014.zemrashqiptare.net
  21. ^ Vlora E., Disa gojëthanje mbi «Kanunin e Papasullit (ose Idris Sullit)», Shêjzat, vj.I, nr.2-3 shtatuer-tetuer 1957, fq. 56-61.
  22. ^ Vlora E., Kalaja e Kaninës, Shêjzat vj. V 9-10 1961, vj. VI 1-2 1962.
  23. ^ a b Shabani S., Prezantim për librin "Kujtime"
  24. ^ Llojdia G., Eqrem bej Vlora, patriot, intelektual i madh dhe burrë shteti i shquar, Gazeta Metropol. - Nr. 1177, 24 shtator, 2007, f. 18 - 19.