Jump to content

Historia e Ulqinit

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Historia e Ulqinit përmbledh të kaluarën e njërit prej qyteteve më të vjetra në bregdetin e Adriatikut. Treva e Ulqinit dëshmohet si vendbanim qe nga periudha parahistorike. Në të ndeshen gjurma të jetës dhe të vendbanimeve ilire që nga epoka e bronxit, siç janë dyshemetë e dheut, tumulat dhe sëpatat të ashtuquajtura të tipit shkodran-dalmatin. Në rrugëtimin e jetës urbane mbi dymijë vjeçare, janë ndërruar stinë e mote të panumërta, të shoqëruara me bukuri joshëse të ”kohëve të arta legjendare” por edhe me furtuna e rrëbeshe të kohëpaskohshme që kanë kanosur ekzistencën dhe jetën e këtij qyteti.[1][2]

Ulqini është themeluar rreth shekullit V p.e.s. nga ilirët. Në vitin 163 p.e.s. u pushtua nga Perandoria Romake dhe pas ndarjes së perandorisë i takon Perandorisë Bizantine. Gjatë mesjetës ishte nën udhëheqjen sllave dhe pastaj nën atë të Balshajve. Në këtë kohë ishte qendër e rëndësishme e pushtuesve të rinjë. Më 1405 u morr nga Republika e Venedikut e pasaj më 1571 nga Perandoria Osmane. Në Ulqinin osman jetoi vitet e fundit të jetës edhe "mesia i rremë", Sabataj Cevi. Në vitet 1880-1916, sipas marrëveshjeve ndërkombëtare, Ulqini hyri në kuadër të Principatës, përkatësisht të Mbretërisë së Malit të Zi. Gjatë Luftës së Parë Botërore (1916-1918) kaloi në duar të Austro-Hungarisë dhe më pas, deri në vitin 1920, ishte pjesë e Italisë, vit që shënon përfshirjen e Ulqinit në Mbretërinë Serbe-Kroate-Sllovene.[2] Gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, Ulqini do të përjetoj edhe epokën e tij të artë, që u ngrit nga turizmi i nivelit të lartë.

Historia e Ulqinit

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Dëshmia e parë në formë të shkruar për emrin e lashtë të Ulqinit ndeshet tek Tit Livi, kur përshkruan rrjedhën e ngjarjeve të Luftës së tretë iliro-romake, ku ai e përmend me emrin Ulcinium.[3] Po ashtu Plini Plak, i cili në veprën e tij Naturali Historiae, pohon se Olciniumi (Ulqini i lashtë) më parë është quajtur Col-Chinium, pra Kolkin ose Kolhin, sipas kolkasve apo kolhëve, themeluesve të parë të tij. Sipas një hipoteze, emri më i hershëm Colchinium ka të bëj me kolkët apo kolhët nga Azia, si themelues të këtij qyteti, në mbështetje edhe të të dhënës mbi poetin helen Apolonin nga Rodosi i cili, kur këndon për argonautët, thotë se kolkët janë vendosur në trevat ilire. Ndërsa historiani dhe gjeografi kroat Grga Novak pohon se banorët e vjetër të Ulqinit i kanë takuar fisit ilir të taulantëve. Shkencëtarët gjerogjianë emrin e Kolhidës ose Kolkidës e vënë në raport me emrin Κολχισ që ndeshet te Ptolemeu, përkatësisht me stacionet Colchis dhe Colchion nga Tabula Peuntingeriana.[3]

Në përgjithësi, Ulqini në burimet e autorëve antikë del me emrat Ulcinium, Olcinium, Kolkinium, Ulkinion, Biccinium. Ky emër është shpjeguar me fjalën shqipe ulk (ujk) dhe sillet si një nga dëshmitë e burimit të shqipes prej ilirishtes. Plini (shih) e përmend me emrin Olcinium, si qytet që gëzonte të drejtën romake, duke shënuar se më parë qyteti quhej Kolkinium, sepse ishte themeluar prej Kolkidasve. Ptolemeu e shënon me emrin Ulkinion. Të dhënat arkeologjike dëshmojnë se ky vendbanim ka qenë i banuar që në shek. V p.e.r. Ato tregojnë se Ulqini ka pasur akropol në rrafshin më të lartë të qytetit të vjetër, të rrethuar me mure prej blloqesh kuadratike. Lulëzimin më të madh Ulqini e arriti në kohën e Shtetit ilir. Me reformën administrative të perandorit Dioklecian, Ulqini u përfshi në provincën e Prevalitanës. [3]

Qyteti u ripërtëri me rindërtime në kohën e perandorit Justiniani I (527 - 565), burimet materiale dhe tërthorazi ato të shkruara dëshmojnë se Kalaja e qytetit ishte forcuar me mure të qëndrueshme. Në fund të shek. X, Kalaja e Ulqinit u rezistoi sulmeve të mbretit bullgar, Samuilit, dhe sulmeve mongole (1242).[2] Kalaja ilire e Ulqinit përmendet edhe në shënimet e gjeografit të shek. XII al-Idrizit (shih), si dhe në atlasin e Xhovani Françesko Kamoços (Giovanni Francesco Camocio), të v. 1574.[3] Në shek. XI, si komunë në vete bëhet pjesë e shtetit të Dioklesë, ndërkaq nga viti 1183 ra nën nemanjidët, pastaj në gjysmën e dytë të shek. XIV (1361) nën shtetin e Balshajve, të cilët së pari e caktuan si qendër të përkohshme dhe e shndërruan më pas nga viti 1396 në qendër të tyre rezidenciale. Republika e Venedikut e pushtoi Ulqinin në vitin 1421, ndërsa osmanët më 1571. Gjatë sundimit venedikas dhe osman depërtuan elemente të reja në strukturën arkitektonike dhe urbane të qytetit. Qyteti kishte të drejta dhe privilegje të vetadministrimit, deri te komuna autonome qytetare. Ulqini kishte statutin e tij, si shprehje më e lartë e organizimit komunal të qyteteve në mesjetë. Kishte noterin e vet, i cili krahas punëve juridike, kryente edhe detyrën e mësuesit. Dominikanët shqiptarë themeluan shkolla e studime pranë kuvendeve në Ulqin (1258). Në mesin e dominikanëve shqiptarë përmendet fratër Shtjefën Zaharia.[2]

Përmes rrugës së Zetës, Ulqini është lidhur mirë me qytete të Kosovës mesjetare. Më 1379 dhe 1380 në Prishtinë hasim Marin Nikollën, qytetar raguzan nga Ulqini. Gjatë gjysmës së parë të shekullit XV në Prishtinë kanë jetuar disa pjesëtarë të familjes bujare shqiptare Tani nga Ulqini. Prania e ulqinakëve vërehet edhe në Venedik dhe Dalmaci jo vetëm pas pushtimit osman (1571), por edhe pas rënies së Shkodrës (1479). Prania e tyre në Venedik ndeshet që nga gjysma e parë e shek. XIV dhe kryesisht janë marrë me veprimtari detare dhe zejtare. Kishte edhe priftërinj, si dhe të punësuar në shërbime shtetërore dhe tregtare. Ulqinaku Luke Paneti në vitet 1517-1518 posedonte një shtypshkronjë dhe librari. Në Dalmaci, përkatësisht në Raguzë, mund të ndeshen mjaft ulqinakë, ku veçohen familjet bujare Gabro dhe Tani. Më 1331 shërbimin ipeshkvnor në Raguzë e kryente ipeshkvi ulqinak Graciani. Në Universitetin e Gracit, më 1596 përmendet studenti shqiptar nga Ulqini, Johannes Mihilius. Nga disa dokumente raguzane dhe venedikase mësohet se Martin Segoni-Novobërdasi ishte ipeshkëv i Ulqinit. Ndërsa familjet e njohura bujare ulqinake, Bruni (Gjon dhe Gaspër Bruni) dhe Bruti (Bartolome, Kristofor e Anton Bruti) kishin mbetur simbol i qëndresës ulqinake ndaj pushtimit osman më 1571.[2]

Për gati dy shekuj (1183-1361) Ulqini ishte në përbërjen e shtetit mesjetar të nemanjidëve. Në vitin 1242 u sulmua nga ushtritë tataro-mongole, që nuk mundën ta merrnin dhe, në kthim dogjën qytetin e Shasit. Në vitin 1361 Ulqinin e morën Balshajt (shih). e që e mbajtën 60 vjet dhe e bënë qendër të , tyre. Venedikasit e pushtuan në vitin 1421 dhe e mbajtën deri më 1571, kur ra nën sundimin osman. Të gjitha këto periudha historike janë të dëshmuara me fazat e ndryshme ndërtimore në muret rrethuese të kështjellës mesjetare të Ulqinit dhe në ndërtesat në brendësi të saj. Me jetëgjatësinë e vazhdimësinë e banimit Olcini ka rëndësi të veçantë për studimin e qytetërimit antik e mesjetar në atë pjesë bregdetare të Adriatikut. Në Mesjetë në Ulqin janë prerë monedha (Moneta de Dulcigno) me stemën e qytetit. Gjatë periudhës nën administrimin e Venedikut ndryshoi fizionomia urbane e qytetit, lulëzoi tregtia detare e mallrave ushqimore, si vaj ulliri, verë, peshk, drithë etj. Porti kryesor ka qenë në Valdanos. Në Mesjetë Ulqini si qytetet e tjera bregdetare kishte kuvendin e qytetit dhe statutin e vet, i cili daton që nga viti 1330. Gjatë kësaj kohe në qytet dhe në rrethinë u ndërtuan disa kisha në stilin roman e gotik. Arkitektura ka pasur traditë në këtë qytet, ku ishte dhe një punishte e njohur gurskalitëse. Në shekullin XIV përmenden skalitësit Mikeli, Gjergji dhe Radosh Gjoni. Në periudhën e Skënderbeut, ushtria shqiptare, pasi theu ushtrinë e Venedikut, depërtoi në Ulqin e Tivar dhe e vuri Venedikun në pozitë të vështirë.[3]

Në periudhën e sundimit osman Ulqini u bë qendër e rëndësishme tregtare; lidhte rajonet e brendshme e sidomos Shqipërinë e Veriut me qendrat e Adriatikut e të Mesdheut. Më 1706 ulqinakët kishin rreth 300 anije, ndërsa në shek. XVIII-XIX rreth 400 anije të ndryshme. U. ndryshoi dhe fizionominë urbane, sepse u ndërtuan shumë xhami, hamame, kroje publike, tyrbe, kulla e sahatit (1754), ujësjellësi, kanalizime etj. Gjatë kësaj kohe u zhvillua shumë tregtia, lundrimi e zejtaria. Detarët ulqinakë kanë lundruar nëpër Adriatik e Mesdhe. Ushtria malazeze e pushtoi Ulqinin më 18 janar 1878, dogji qytetin dhe çarshinë, por me vendimet e Kongresit të Berlinit qyteti iu la Perandorisë Osmane (nuk u nda nga trojet e tjera shqiptare) dhe trupat malazeze u larguan më 8 shkurt 1879. Popullsia e Ulqinit dha ndihmesë të shquar në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare. Në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në qytet e rrethinë vepronte dega e Lidhjes. Më 1880 Ulqini me rrethinën e tij, së bashku më Shkodrën, u bënë vatrat kryesore të qëndresës së popullsisë shqiptare kundër ushtrive osmane, malazeze dhe Fuqive të Mëdha, flota ushtarake e të cilave bllokoi qytetin per ta detyruar popullsinë e tij t'i aneksohej Malit të Zi. Pas pazarllëqeve të Fuqive të Mëdha dhe shtypjes së qëndresës së ushtrive të Lidhjes, Ulqini me rrethinën e tij u aneksua nga Mali i Zi në nëntor 1880.[3]

Pushtimet osmane u shoqëruan edhe me ngulitjen në Ulqin të 400 kusarëve algjerianë në krye me Eulg-Aliun. Nga kjo kohë Ulqini konsiderohej njëra ndër qendrat e mëdha të kusarëve në Adriatik. Kusarët ulqinakë plaçkitnin anijet nëpër Adriatik deri në shek. XVIII. [2]

Principata e Malit të Zi

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Pas aneksimit nga mali i Zi popullsia shqiptare filloi të shpërngulet nga qyteti i Ulqinit. Sipas të dhënave, nga qyteti u shpërngulën dhe u vendosën në Shkodër 143 familje shqiptare, ndërsa pas v. 1880 u shpërngulën edhe 400 familje të tjera së bashku me parinë e qytetit, duke u vendosur kryesisht në Shkodër, por edhe në Durrës e Lezhë. Llogaritet se numri i popullsisë së larguar arrin në 3000 banorë, apo rreth 35% e popullsisë së përgjithshme të qytetit. Nga ana tjetër pushteti malazez planifikoi të ndryshojë strukturën etnike të popullsisë duke e kolonizuar këtë mjedis me popullsi sllave. Kështu, nga viti 1880 e deri më 1893 u vendosën 400 familje kolonësh sllavë, të cilave ju dhuruan 5000 rrallë tokë (1 rrallë = 1804 m²) nga mali i Mozhurës deri te 1. Bunë, ndërsa më pas u vendosën edhe në qytet. [3]

Veprimtaria ekonomike kryesore e popullsisë lidhet me turizmin dhe hotelerinë, pastaj vijnë tregtia, zejtaria, ndërtimtaria, puna në kripore etj. Në Ulqin ka shkollë të mesme dhe dy shkolla tetë- vjeçare ku mësimi zhvillohet në dy gjuhë (shqip dhe serbisht). Ulqini ka shtëpinë e shëndetit, postë, gjykatë, çerdhe fëmijësh. Nga viti 1987 ka filluar të punojë radioja vendore, ndërsa nga viti 2002 edhe një radio private. Televizioni i parë privat ka filluar në tetor të vitit 2003. Falë zhvillimit të turizmit, sidomos nga vitet 1970 e këndej, në qytet dhe në paralagjet (Kodër, Gjeranë) janë vendosur një numër i madh banorësh nga rrethina e tij, nga Ana e Malit dhe Kraja. Nga Ulqini kanë mërguar shumë banorë në botën e jashtme (në Zvicër, Gjermani, SHBA dhe Australi).[3]

  1. ^ Ushaku, Ruzhdi (2010). Ulqini: në përmasa kërkimi dhe frymëzimi. Ulqin: Fondacioni Lika. fq. 7. ISBN 978-86-908739-2-0.
  2. ^ a b c d e f Kraja, Mehmet, red. (2018). "Fjalori Enciklopedik i Kosovës". (Encyclopedic Dictionary of Kosova). Vëll. 2. Prishtinë: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës. fq. 1702–1703. ISBN 9789951615846. OCLC 1080379844.
  3. ^ a b c d e f g h Lafe, Emil, red. (2008). "Fjalor Enciklopedik Shqiptar". (Encyclopedic Dictionary of Albania). Vëll. 3. Tiranë: Akademia e Shkencave e Shqipërisë. fq. 2798–2799. ISBN 9789995610272. OCLC 426069353.