Lufta e tretë iliro-romake

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Lufta e tretë iliro-romake ishte një konflikt i armatosur midis republikës romake dhe mbretërisë së Ilirisë në vitin 168 p.e.s.

Konteksti[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Romakët, të cilët po luftonin me Perseun e Maqedonisë në Luftën e Tretë Maqedonase, fushuan në lumin Genesus në vitin 168 p.e.s. dhe iu bashkuan kontingjentet balliniane, apoloniane dhe dyrrsake, dhe pasi mësuan për një aleancë të mundshme midis Perseut të Maqedonisë dhe GentitMbretërisë së Ilirisë vendosi të nisë armiqësi.

Zhvillimi i konfliktit[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Genti mblodhi ushtrinë e tij prej rreth 15.000 burrash në lumin Lissus dhe dërgoi Caravantin, me 1.000 këmbësorë dhe 500 kalorës, kundër Caviit, një popull ilir i favorshëm për romakët që nuk iu bindën Gentit. Kur Karavanti u kërkoi atyre të nënshtroheshin, ata preferuan të duronin një rrethim dhe të mos dorëzoheshin; megjithatë, qyteti i Durnium hapi portat e tij për Karavantin, por një qytet i quajtur Karavandis i mbylli ato dhe kur sulmoi lagjen dhe plaçkiti fushat pësoi shumë viktima.

Genti përparoi drejt Basanisë, një qytet disa kilometra larg Lisit ndërsa Lucius Anicius Gallus, i cili ishte vendosur në Apolloni të Ilirisë dhe vendosi të takohej me pjesën më të madhe të forcave romake të udhëhequra nga Appi Claudius Centó në brigjet e lumit. Genusos, duke kontribuar gjithashtu me 2000 këmbësor parthianë të udhëhequr nga Epicadus dhe 200 kalorës parthianë të udhëhequr nga Algalus. [1]

Lucius Anicius Gali u informua se piratët ilirë sulmonin bregun e Durrakut dhe Apolonisë dhe dolën me flotën romake për të sulmuar flotën armike duke i detyruar anijet ilire të tërhiqeshin; më pas ai shkoi në zonën ku ndodhej Api Klaudi, duke e detyruar mbretin Genti të tërhiqej në kryeqytetin e tij Scodra ndërsa një pjesë e ushtrisë së tij iu dorëzua romakëve. Fuqia e Galiusit bëri që shumë qytete të nënshtroheshin dhe Lucius Anicius Gaul ishte në gjendje të përparonte deri në Scodra. Genti u largua nga qyteti për t'u përballur me romakët në fushë të hapur, por Lucius Anicius Gaul i vuri forcat e tij në arrati. Mbreti dërgoi ambasadorë për të kërkuar një armëpushim tre-ditor për të shqyrtuar se çfarë duhet të bënte dhe në fakt të prisnin përforcime nga vëllai i tij Karavanti . Lucius Anicius Gallus i dha atij tre ditë dhe meqenëse përforcimet nuk erdhën, Genti vetë shkoi në kampin romak dhe u dorëzua në mënyrën më të përulur.

Gali hyri në Scodra ku liroi të burgosurit romakë dhe dërgoi një nga të liruarit, Perpenna, në Romë me lajmin e dorëzimit të Gentit.

Ardhja në fuqi e Gentit dhe gjallërimi i forcave antiromake në Iliri[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Pasi fitoi luftën e dytë me Maqedoninë, Roma u kujdes të forconte pozitat e saj në Greqi dhe të zinte këtu vendin e Maqedonisë. Për këtë qëllim ajo shfrytëzoi me mjeshtëri kontradiktat që ekzistonin midis shteteve greke; duke përkrahur Lidhjen e Ahesë asgjësoi lëvizjen e Nabisit në Spartë, më pas u dha fund pretendimeve të Lidhjes Etole për hegjemoni në Greqi dhe njëherësh me këtë u preu rrugën synimeve të Antiohut të Sirisë mbi këtë vend.

Në këto ngjarje Mbretëria e dobët Ilire, e varur dhe e lidhur me detyrime ndaj Romës, veproi si aleate e saj. Pleurati qe detyruar të dërgonte flotën e tij kundër brigjeve të Greqisë dhe të ndihmonte me këtë për fitoren romake mbi etolët në vitin 189. Edhe Filipi V mori anën e romakëve. Ai i ndihmoi ata kundër Nabisit dhe pastaj edhe në luftën kundër etolëve dhe Antiohut. Duke u përzier në këtë luftë Filipi shpresonte të përmirësonte pozitat e tij dhe u mundua t’i kthejë Maqedonisë një pjesë të tokave të humbura, por romakët e detyruan të tërhiqej në kufijtë e vitit 196, duke i dhënë të kuptonte se nuk kishin ndërmend të ndanin me të pozitat e tyre në Greqi.

Interesat e Maqedonisë u ndeshën përsëri me politikën agresive të Romës. Filloi një periudhë e re marrëdhëniesh të acaruara, që çuan dalëngadalë në konfliktin e fundit të armatosur midis tyre. Përgatitjet për luftë gëlltitën për shumë vite me radhë burimet më të rëndësishme ekonomike dhe ngritën në këmbë forca ushtarake që nuk kishte njohur më parë historia e luftërave të këtyre dy vendeve. Me luftën e ashpër politike për të bërë aleatë dhe përkrahës ato e shtrinë konfliktin mbi një zonë të gjerë të Ballkanit dhe të Lindjes. Shtetet e kësaj zone dhe shtresat e ndryshme shoqërore u tërhoqën në konflikt sipas interesave të tyre politike dhe ekonomike.

Historia e shtetit ilir në këtë kohë është e lidhur ngushtë me përpjekjet që bëhen në Maqedoni dhe në Ballkan për të përballuar rrezikun e ri romak. Gjendja që u krijua pas luftës kundër etolëve dhe Antiohut dhe ngjarjet e lidhura me marrëdhëniet midis Maqedonisë e Romës gjetën një vlerësim të ri në Iliri. Politika agresive e Romës që synonte tani asgjësimin e plotë të shtetit maqedon nuk mund të pritej mirë nga shtetet e vogla të Ballkanit, duke përfshirë këtu edhe shtetin e dobësuar ilir. Gjendja e ekuilibruar që ishte krijuar nga prania përballë njëra-tjetrës në Gadishull e forcës maqedone dhe asaj romake, ishte i vetmi faktor që kishte siguruar, në një mënyrë ose në një tjetër, mbijetesën e këtyre shteteve. Prishja e kësaj gjendjeje nuk ishte në interesin e tyre. Duke vlerësuar drejt këtë rrezik u gjallëruan dhe u aktivizuan forcat antiromake në Iliri. Si pasojë, në vitet e fundit të sundimit të Pleuratit vihet re një kthesë në marrëdhëniet e mbretit ilir me Romën, që u shpreh në afrimin e tij me Maqedoninë. Të dhënat numizmatike dëshmojnë për vendosjen e lidhjeve të ngushta ekonomike dhe politike midis shtetit ilir dhe Maqedonisë. Edhe prania e trupave ilire në përbërjen e garnizonit të Kasandresë që provohet nga Livi dhe që sipas fjalëve të tij “i pat dërguar prej kohësh Pleurati”, vërteton këtë mendim.

Senati reagoi me forcë të madhe kundrejt qëndrimit të ri ilir, veçanërisht pas ardhjes në fuqi të Gentit, i cili pasoi Pleuratin në vitin 181. Politika romake u drejtua kundër mbretit të ri me tërë ashpërsinë e saj. Ai u akuzua si nxitës për rifillimin e piraterisë nga ana e ilirëve dhe për trajtimin e keq që po u bëhej gjoja aleatëve të Romës dhe qytetarëve romakë në Korkyra Nigra. Me këtë pretekst senati caktoi në vitin 178 një flotë të posaçme prej 10 anijesh, e cila do të vepronte në Adriatik për të ruajtur nga flota ilire ujërat midis Ankonës dhe Tarantos.

Brenda vendit mbreti u vu, jo pa nxitjen e Romës, përpara vështirësive edhe më serioze. Kundër tij u ngritën dalmatët, të cilët u shkëputën nga mbretëria. Përpjekje të tilla u bënë edhe nga krerë të fiseve të tjera. Gentit iu desh të bënte një luftë të ashpër kundër aristokracisë së lartë me tendenca proromake, e cila kishte përkrahës edhe në oborrin mbretëror. Në këtë luftë ai nuk u ndal as përpara sakrifikimit të vëllait, Platorit, që Roma synonte ta vinte në fron në vend të tij.

Përpjekjet për forcimin ekonomik e politik të Mbretërisë[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Kërcënimi i ri romak diktonte nevojën e përgatitjeve për t’i dalë përpara një konflikti të hapur, i cili siç tregojnë ngjarjet, ishte i pashmangshëm. Duke e kuptuar qartë këtë detyrë, Genti i kushtoi gjithë vëmendjen e tij forcimit ekonomik dhe politik të mbretërisë.

Midis masave me karakter ekonomik ajo që na dëshmohet më mirë nga burimet është veprimtaria e dendur monedhaprerëse që zhvilloi Genti. Krahas Skodrës dhe Lisit mbreti u njohu të drejtën e prerjes së monedhave edhe dy qyteteve të tjera të mëdha, Rizonit dhe Lyhnidit, si dhe dy fiseve të rëndësishme Labeatëve e Daorsëve. Kjo zgjeroi shumë qarkullimin monetar dhe e shtriu atë në viset më të thella të mbretërisë. Rëndësi të veçantë patën përpjekjet e Gentit për vendosjen e një sistemi të përbashkët monetar në mbretërinë e tij. Për këtë qëllim ai ndërpreu prerjet e vjetra të punishtes së Skodrës dhe në vend të tyre hodhi në treg monedha të reja. Tani monedha kryesore e Skodrës në vend të Zeusit, mban në faqe portretin e mbretit, kurse në shpinë, duke ruajtur si simbol anijen ilire, vendin e legjendës së qytetit e zë titulli dhe emri i mbretit.

Monedhën me mburojë përkrenare që u fut në sistemin monetar të Skodrës qysh prej kohës së Pleuratit, Genti vazhdoi ta presë, por edhe kësaj i hoqi legjendën e vjetër dhe në vend të saj vuri titullin dhe emrin e vet. Kjo tregonte se Genti i kishte hequr Skodrës autonominë monetare dhe punishten e bashkësisë qytetare e ktheu në punishte mbretërore.

Ndryshe prej Skodrës mbreti u njohu Lisit, Labeatëve dhe Daorsëve të drejtën që monedhat e tyre t’i siglojë me emrin e bashkësisë qytetare apo fisnore (?as????? Ge?????), por edhe këta i detyroi të respektojnë standardin shtetëror: të pajisin monedhat e tyre me portretin e mbretit dhe anijet ilire, si dhe t’u japin të njëjtën masë e peshë që kishin monedhat e prera në punishten mbretërore të Skodrës. Më vonë mbreti shtiu në dorë edhe punishten monetare të Lisit dhe i ndaloi qytetit prerjen e monedhave autonome; që nga kjo kohë ai krijoi për Skodrën, Lisin dhe krahinat qendrore të mbretërisë, një sistem monetar të përbashkët të përbërë nga tri monedha: dy prej tyre ishin monedhat e njohura që priteshin në punishten mbretërore të Skodrës; njëra me portretin e mbretit - anijen ilire, dhe tjetra me mburojë - përkrenare. Monedha e tretë ishte monedha e vjetër, e vogël e Lisit, e cila paskëtaj do të siglohej me titullin dhe emrin e mbretit. Në sistemin e ri monedha e parë përfaqësonte nominalin, kurse dy të tjerat nëndarjet e tij.

Sistemi monetar që vendosi Genti në zonën qendrore nuk u shtri edhe në qytetet periferike të mbretërisë. Monedhat prej argjendi të Rizonit me mburojë - pegas dhe ato prej bronzi të Lyhnidit me mburojë gjysmë anije, të prera në emër të bashkësisë qytetare (??ss?t??, ?aß?at??, ?a??s??) dëshmojnë për një farë autonomie në marrëdhëniet ekonomike të këtyre qyteteve me mbretërinë.

Gjatë sundimit të Gentit, Skodra, Lisi dhe qytete të tjera të mbretërisë fituan një gjallëri të madhe ekonomike. Rrezja e qarkullimit të monedhave të prera në emër të mbretit apo të qyteteve e të fiseve në punishtet e Skodrës, Lisit, Rizonit, Lyhnidit etj., u shtrinë në skajet më të thella të Mbretërisë Ilire dhe në disa raste edhe përtej kufijve të saj. Në jug monedhat e Gentit zbresin deri në Dyrrah e Apoloni. Vetë prerjet e daorsëve dhe të labeatëve si dhe monedhat e gjetura në Mat, Peshkopi, Malësi e Madhe dhe në krahinat e thella të Malit të Zi, tregojnë se qarkullimi monetar kishte depërtuar dhe në krahinat e brendshme malore.

Politika e ndjekur prej Gentit në fushën e prerjeve monetare mund të konsiderohet një reformë e vërtetë, që i lejoi mbretit të përqendrojë në duart e tij mjete të fuqishme financiare. Dëshmi e qartë e kësaj është përmbajtja e thesarit mbretëror që u kap nga romakët. Livi na thotë se në arkën e mbretit u gjetën 27 ponde ari, 19 ponde argjendi, 13 000 denarë dhe 120 000 monedha ilire argjendi. Kjo ishte një shumë e madhe që mbreti e kishte grumbulluar nga të ardhurat e pronarëve mbretërorë dhe taksat e rënda që u kishte vënë nënshtetasve.

Dendësimi i prerjeve monetare dhe përpjekja për të përqendruar në arkën shtetërore sa më shumë mjete financiare diktohej në radhë të parë nga gjendja ndërkombëtare. Rreziku romak sa vinte bëhej më i qartë dhe mbreti duhej të shtonte përpjekjet e tij për forcimin e ushtrisë dhe të flotës. Fakti që në kohën e shpërthimit të konfliktit efektivi i ushtrisë ilire numëronte 15 000 veta, me të cilët Genti u drejtua kundër romakëve (pa llogaritur këtu garnizonet e veçanta të qyteteve) dhe fakti që flota ilire numëronte ende në fund të luftës 220 anije, tregon se sundimtari ilir e kishte vlerësuar drejt këtë rrezik dhe u kishte kushtuar gjithë vëmendjen përgatitjeve për ta përballuar atë.

Ato elemente të organizimit shtetëror që në burimet e periudhës së sundimit të Agronit apo të pasardhësve të tij dolën në mënyrë sporadike, tek Genti vijnë e plotësohen dhe problemi bëhet më i qartë në tërësinë e tij.

Në kohën e Gentit, edhe pse e cunguar, Mbretëria Ilire shtrihej ende në një territor mjaft të gjerë dhe përfaqësonte fuqinë e dytë pas Maqedonisë, në pjesën perëndimore dhe jugore të Gadishullit. Pasi i dhanë Pleuratit Parthen dhe Lyhnidin, romakët i njohën Mbretërisë Ilire si kufi jugor Genusin; në lindje ajo përfshinte edhe tokat e Penestisë, kurse në veri pas shkëputjes së dalmatëve nuk shtrihej më tej se krahina rreth gjirit të Rizonit.

Kryeqytet i mbretërisë ishte Skodra. Njësitë administrative të saj duket se përputheshin me territorin rreth qyteteve. Ato kishin si qendër një qytet të rëndësishëm dhe rreth tij një varg kështjellash, të cilat mbronin kryeqendrën dhe gjithë krahinën. Një njësi të tillë formonte Rizoni me kështjellat e vogla rreth këtij gjiri. Që nga koha që Skodra u bë kryeqytet i mbretërisë duket se qendra e Labeatëve kaloi në Meteon. Në jug, si shembull mund të sillet krahina e penestëve, për të cilën burimet lejojnë të nënkuptohet se formonte një tërësi të tillë. Uskana, qyteti më i madh i penestëve, ishte kryeqendra e krahinës, kurse kështjellat që përmenden rreth saj ishin, me sa duket, qendra me funksione më të ngushta administrative e mbrojtëse.

Burimet nuk sjellin të dhënat e nevojshme për të përcaktuar sa njësi të tilla kishte mbretëria, megjithatë, duhet menduar se atje ku kemi një qytet të rëndësishëm, rreth tij kemi dhe një krahinë që formonte një njësi administrative të mbretërisë. Nuk mund të kërkohet kjo për krahinat e thella malore ku jeta qytetare nuk u zhvillua. Rolin e qendrave kanë mundur ta luajnë këtu vetëm fortesat e vogla që shërbenin si seli e aristokracisë së fiseve.

E mbështetur në ekonominë e përparuar skllavopronare të qyteteve Mbretëria Ilire e Gentit paraqitet me tipare të qarta të një monarkie të tipit helenistik. Pushteti më i lartë ishte në duart e mbretit. Ashtu si dhe parardhësit e tij ai mbante titullin “mbret i ilirëve” dhe sundonte si një mbret romak dhe nuk njihej në burimet ndonjë organ tjetër që të kufizonte veprimet e tij. Anëtarë të veçantë të familjes mbretërore zinin detyra me përgjegjësi në punët e shtetit, por rolin më të rëndësishëm në jetën politike e luanin “miqtë” e mbretit. Ata ishin bashkëpunëtorët më të afërt e më të besuar të tij. Këtë institucion, që ishte tipik helenistik e ndeshim në Mbretërinë Ilire për herë të parë gjatë sundimit të Teutës; “miqve” ajo u besoi drejtimin e punëve të shtetit. Në kohën e Gentit “miqtë” e mbretit luanin një rol të dukshëm në qeverisjen e vendit dhe ngarkoheshin me misione të rëndësishme diplomatike.

Mbreti ishte kryekomandant i forcave të armatosura tokësore dhe detare. Veprimet ushtarake i drejtonte vetë ose ua besonte komandantëve të veçantë. Bërthamën kryesore të ushtrisë që ishte mbështetja kryesore e pushtetit mbretëror e përbënin kontingjentet e rregullta, të cilat sipas rastit qëndronin si garnizone në qytete ose përqendroheshin për të ndërmarrë një ekspeditë apo për të përballuar luftimet në një front të caktuar. Burimet nuk bëjnë fjalë për forca ndihmëse në përbërjen e ushtrisë ilire, por nuk duhet përjashtuar mundësia që fiset malore të kenë ushqyer ushtrinë mbretërore me forca të tilla, sa herë që i thërriste mbreti, duke qenë të komanduara nga krerët e tyre.

Njësi e flotës ilire është lembi, një anije e vogël, por e shpejtë dhe e manovrueshme. Çdo lemb, përveç rremtarëve, kishte edhe 50 luftëtarë që përbënin njësinë bazë të forcave ushtarake detare dhe mbase edhe tokësore ilire.

Mbreti kishte nën kontroll punishtet monetare dhe autorizonte prerjen e monedhave në emër të vet ose të bashkësisë qytetare e fisnore. Një aparat fiskal vilte taksat me të cilat Genti kishte ngarkuar shtetasit; kurse burgjet dhe nënkuptohet, një aparat dhune garantonin rendin e vendosur nga shtresa sunduese dhe përfaqësuesi i saj më i lartë, mbreti.

Në marrëdhëniet me botën e jashtme shtetin e përfaqësonte gjithashtu mbreti; ai shpallte luftën dhe përfundonte paqen, lidhte aleanca, zhvillonte bisedime të drejtpërdrejta ose përmes përfaqësuesve caktonte pengje për të garantuar një marrëveshje, merrte hua etj.

Administrimi i qyteteve dhe i krahinës që lidhej me to u besohej dinastëve, të cilët mbreti mund t’i zëvendësonte. Në zonën qendrore të mbretërisë Genti arriti ta kufizonte shumë autonominë e qyteteve dhe ta dobësonte autoritetin e dinastëve lokalë, të cilët në burimet njihen ndryshe dhe si “principa illyriorum”.

Siç shihet, në këtë periudhë shteti ilir paraqitet me një strukturë të gjithanshme dhe me organe administrative që ishin ngarkuar me funksione të ndryshme në veprimtaritë për forcimin e pushtetit qendror dhe konsolidimin e shtetit. Reforma monetare ishte një shprehje e qartë e kësaj politike. Kontradiktat në plan ndërkombëtar që mplekseshin me ato sociale, të brendshme, e diktonin një politikë të tillë. Genti e përçoi këtë pa ngurrim dhe me rezultat në zonën qendrore të mbretërisë.

Politika e jashtme e Gentit[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Duke qenë në marrëdhënie të ndera me Romën, Genti u kujdes të vendosë marrëdhënie të mira me fqinjët ballkanikë. Qysh në fillim të sundimit të tij, ai ia arriti të vendoste lidhje miqësore me fqinjën lindore, Mbretërinë Dardane. Këto marrëdhënie mbreti i përforcoi me një martesë dinastike dhe sado e ndërlikuar që u bë më vonë gjendja politike në Ballkan, nga burimet nuk del që ato të jenë prishur.

Por bazën e politikës së jashtme të shtetit ilir në këtë kohë e përbënin marrëdhëniet miqësore me Maqedoninë. Synimet ekspansioniste të Romës kishin diktuar një politikë të tillë qysh në vitet e fundit të sundimit të Pleuratit. Tani në kohën e Gentit, vazhdimi i kësaj politike bëhej edhe më i nevojshëm, sepse, në fund të viteve 80 dhe sidomos gjatë dekadës së re, senati e shtoi presionin politik mbi shtetet e Ballkanit dhe në mënyrë të veçantë mbi Maqedoninë dhe Mbretërinë Ilire. Burimet letrare nuk hedhin dritë mbi marrëdhëniet e tij me sundimtarin e Maqedonisë Perseun, në vitet e para të sundimit të Gentit, por në to vihet re qartë një paralelizëm në qëndrimin armiqësor të Republikës (Romës) ndaj tyre. Nga ana tjetër, materiali numizmatik dëshmon për lidhje të ngushta ekonomike dhe si rrjedhim edhe politike, midis Mbretërisë Ilire dhe Maqedonisë.

Marrëdhëniet e Gentit me Perseun dokumentohen më mirë në prag të luftës së fundit. Dy lajme të Livit që lidhen me fundin e vitit 173 dhe fillimin e vitit pasues hedhin dritë mbi këto marrëdhënie. Njëri ka të bëjë me vrasjen e Artetaurit, një dinasti të vogël që përkrahte politikën romake diku në Iliri, ndoshta në zonën e pushtuar nga romakët dhe që në burime paraqitet si një aksion i kombinuar i Perseut dhe i Gentit. Lajmi tjetër bën fjalë për dy sulme të Gentit kundër tokave të Isës dhe përkon në kohë me aktivitetin që zhvillon Perseu për të përmirësuar pozitat e tij në jug dhe në lindje. Këto ngjarje që shkaktuan shqetësimin e romakëve dhe të aleatëve të tyre nuk mund të merren thjesht si një produkt i propagandës romake që synonte t’i paraqiste të dy sovranët si provokatorë. Livi, sipas Polibit, pohon se, krahas delegatëve që vijnë nga Lindja me ankesa kundër Perseut, delegatë nga Isa vijnë para senatit për të akuzuar Gentin për atë që “ishte në një mendje me mbretin e Maqedonisë dhe që të dy së bashku po përgatitnin luftën kundër romakëve”. Gjendja ishte e tillë që u impononte të dy sovranëve nevojën e veprimeve të bashkërenditura për të përballuar rrezikun romak që sa vinte bëhej më kërcënues. Megjithatë është fakt se duke u përgatitur për t’i bërë ballë këtij rreziku, të dy sovranët nuk donin një konflikt të hapur me Romën, fuqia e së cilës nuk ishte për të mos u përfillur. Prandaj Genti, ashtu siç bën edhe Perseu, u shpejtua të dërgonte delegatë në Romë “për të larë nga fajet që i ngarkonin isasit”. Senati nuk pranoi të bisedonte me të dërguarin e mbretit dhe i bëri të ditur pakënaqësinë e tij duke e shoqëruar me kërcënime. Duke dashur, nga ana tjetër, që ta izolonte plotësisht Perseun, senati provoi ta bindë Gentin që të shkëputej nga miqësia me mbretin maqedon dhe të bashkonte armët e tij me ato të romakëve. Genti qëndroi në pozitat e tij dhe delegati romak u kthye në atdhe i dyshuar se ishte korruptuar me të hollat e mbretit ilir. Me këtë ndërpriten përpjekjet romake për të tërhequr Gentin nga ana e tyre.

Kështu në pragun e luftës kundër Maqedonisë, kur Roma zhvillonte një veprimtari të etshme diplomatike, të shoqëruar me presion të madh politik, për të izoluar Perseun, sundimtari ilir nuk mori anën e Republikës. Livi e paraqet Gentin të lëkundur, por faktet tregojnë se as këtë radhë, as më pas, mbreti ilir nuk tregon shenja lëkundjeje në qëndrimin e tij ndaj Romës. Ishte vetëm përgatitja e pamjaftueshme që do ta pengonte për të dalë në fushën e betejës kundër saj.

Aleanca iliro - maqedone[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Gjendja në frontin thesal edhe në vitin 170 mbeti e pandryshuar. Në Iliri përkundrazi u zhvilluan ngjarje të rëndësishme. Në verën e këtij viti romakët i shtuan forcat e tyre rreth Mbretërisë Ilire. Garnizoni i Isës që kishte më parë vetëm 12 anije të vogla vendase u përforcua me 18 anije të tjera pesërremëshe dhe 2 000 ushtarë, që do të ishin të gatshëm për çdo rast kundër Gentit. Nga ana tjetër, Senati dërgoi në Iliri edhe 4 000 këmbësorë dhe kjo forcë u rrit më vonë me 8 000 veta, me trupat ndihmëse që u mobilizuan midis aleatëve të Romës. Kështu forcat romake nga 5 000 që ishin në fillim të konfliktit u rritën në vitin 170 në 15 000 veta. Kjo forcë e konsiderueshme që ushtronte presionin e vet të vazhdueshëm mbi Mbretërinë Ilire, kishte krijuar një gjendje lufte të pashpallur.

Gjendja e krijuar në Iliri shqetësonte mjaft edhe Perseun, sundimtarin e Maqedonisë. Forcat romake që ishin grumbulluar këtu po bëheshin një rrezik gjithnjë më serioz për të dhe po e ngushtonin Gentin që ai e quante aleatin e tij të natyrshëm. Prandaj, pasi përfundoi fushatën kundër dardanëve, Perseu vendosi t’i godiste pozicionet romake në Penesti dhe, duke u shtyrë në thellësi të Ilirisë, të vendoste kontaktet me Gentin. Si kohë të përshtatshme për këtë ekspeditë, Perseu zgjodhi mesin e dimrit (dhjetor-janar 170/169), kur një sulm romak kundër Maqedonisë nga ana e Thesalisë ishte pothuajse i pamundshëm, meqenëse bora e madhe i bënte të pakapërcyeshme malet që ndanin këto dy vende. Pasi përqendroi një forcë goditëse prej 12 500 vetash në Stuberë u drejtua kundër Uskanës, qytetit më të madh të tokës së penestëve dhe e rrethoi atë. Mbas një qëndrese të vogël garnizoni romak prej 4 000 vetash dhe forcat ndihmëse të mobilizuara tek ilirët u dorëzuan. Romakët i ndanë në grupe të vogla dhe i shpërndanë nëpër qytete për t’i mbajtur në rojë, kurse uskanasit dhe ilirët e zënë rob i shitën.

Pas kësaj Perseu u drejtua kundër qytetit Oene, që zinte një pozitë strategjike në rrugën për në krahinën e labeatëve, qendër e mbretërisë së Gentit. Por më parë iu desh të nënshtronte një varg kështjellash, midis të cilave Draudakun, një qendër e fortë dhe me një popullsi të dendur, që zinte një vend me rëndësi në mbrojtjen e Oenes. Vetëm pasi zuri këto kështjella dhe bashkë me to edhe garnizonet e vogla romake, gjithsej 1 500 veta, Perseu arriti në Oene. Qyteti ishte vendosur në një vend të mbrojtur mirë nga lumi që i kalonte pranë dhe një mal i lartë në shpinë të tij. Meqenëse nuk pranoi të dorëzohej, mbreti qe i detyruar ta merrte me forcën e armëve pas një rrethimi të gjatë e të lodhshëm. I zemëruar, Perseu urdhëroi të masakroheshin të gjithë burrat; gratë e fëmijët i mori rob dhe qytetin ua la ta plaçkisnin ushtarakëve.

Pas kësaj fitoreje ekspedita i kishte arritur objektivat e saj: kishte larguar njëherë për njëherë rrezikun e një invazioni romak nga perëndimi dhe kishte çelur rrugën për tek Genti. I kënaqur Perseu u kthye në Stuberë dhe menjëherë u kujdes për të hyrë në lidhje me mbretin ilir, aleancën me të cilin në këtë çast e çmonte shumë. Për këtë qëllim, nisi dy përfaqësues të vet, Adeun nga Maqedonia, dhe ilirin Pleurat, i cili gjendej pranë tij i mërguar dhe që do të shërbente si përkthyes. Delegatët u porositën të informonin Gentin mbi rezultatet e luftës kundër romakëve dhe dardanëve, në mënyrë të veçantë t’i vinin në dukje fitoret që kishte korrur Perseu gjatë fushatës së fundit në Iliri dhe t’i propozonin aleancë. Pasi përshkuan një rrugë të gjatë, përmes krahinave malore të Ilirisë delegatët arritën në Skodra. Genti ndodhej në Lis, prandaj i ftoi ta gjenin atje. Bisedimet që filluan këtu në janar të vitit 169 dhe që u rimorën disa herë gjatë këtij viti, përfunduan vetëm në janarin tjetër të vitit 168. Që në takimin e parë Genti e pranoi idenë e një aleance, por u tha të dërguarve të Perseut se nuk kishte armë dhe të holla të mjaftueshme për t’u shpallur luftën romakëve. Pas kësaj përgjigjeje të Gentit, tradicioni antik dhe pas tij gjithë historiografia moderne, kanë parë gjithmonë lëkundjet dhe pavendosmërinë e mbretit ilir për t’u prishur haptazi me romakët dhe dëshirën e tij për të përfituar sa më shumë të holla. Perseu, nga ana tjetër, paraqitet gjatë traktativave si një koprac që do t’ia arrijë qëllimit me një çmim sa më të lirë, prandaj humbet kohën me bisedime të zgjatura dhe pa rezultat. Nuk ka dyshim se qëndrimi proromak i Polibit, që i transmeton këto bisedime, ka bërë që të errësohet përmbajtja racionale e këtyre traktativave. Rezerva që bën Genti në lidhje me mungesën e armëve dhe të të hollave dëshmon vetëm se ai ishte i papërgatitur për të hyrë në luftë. Kjo vërtetohet edhe me atë që një vit më vonë ai do ta bënte këtë pa ngurrim. Fakti që Genti nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës së Perseut tregon se midis tyre kishte, me sa duket, vështrime të ndryshme të karakterit taktik për çështjen e luftës. Ndërsa mbreti maqedon, mbasi kishte hyrë në luftë, donte që me aksionet e tij ushtarake dhe politike t’u imponohej romakëve, t’i bindte se ishte e pamundur fitorja mbi maqedonët, dhe t’i bënte të pranonin një zgjidhje kompromisi, Genti që e shikonte ende të balancuar forcën romake me atë maqedone, donte të fitonte kohë për një përgatitje të mjaftueshme para se të hynte në luftë, në qoftë se kjo do të ishte e pashmangshme.

Ndërsa këta dy sovranë mendonin dhe vepronin me mënyrën e tyre, romakët merrnin masa për të kaluar në veprime vendimtare. Në muajt e fundit të dimrit të vitit 169, aksionet e tyre në Iliri ishin ende të parëndësishme: ata ndërmorën një sulm që përfundoi pa sukses, për të ripushtuar Uskanën dhe më pas u kujdesën që të forconin kontrollin mbi krahinat e pushtuara të Ilirisë, duke marrë për këtë qëllim pengje nga parthinët dhe disa qytete të penestëve, që kishin mbetur në duart e tyre. Romakët nuk patën sukses në një aksion që ndërmorën në Epir. Por në prag të verës gjendja ndryshoi. Në frontin thesal romakët, me një manovër të shkathët kaluan masivin e Olimpit dhe papritur u gjendën në Maqedoni, duke e detyruar Perseun të tërhiqej në pozita të reja mbrojtëse.

Ndërkaq forcat romake në Iliri u rritën në 30 000 veta. Në numrin e përgjithshëm të forcave tokësore dhe detare që përqendroi Republika në fillim të vitit 168, kjo ishte një fuqi e konsiderueshme. Në kundërshtim me tendencën e historiografisë antike dhe moderne për të minimizuar rolin e Mbretërisë Ilire, kjo shifër tregon qartë se ç’vend zë ajo në këtë luftë vendimtare për fatet e popujve të Ballkanit, sa kohë që Roma qe detyruar të drejtonte kundër saj një forcë të tillë ushtarake.

Përpjekjet që u bënë nga Perseu gjatë dimrit 169/168 për të gjetur një zgjidhje diplomatike të konfliktit, duke përdorur si ndërmjetës shtetet helenistike, dështuan. Në këto rrethana u bë e qartë se fati i luftës do të zgjidhej vetëm në fushën e betejës. Në janar të vitit 168 bisedimet midis përfaqësuesve të Perseut dhe Gentit morën fund pasi pala maqedone kishte marrë përsipër të jepte një ndihmë financiare prej 300 talentesh për nevojat e luftës dhe “gjithë sigurimet e domosdoshme”. Kjo frazë që mbase nënkuptonte rregullimin e gjithë marrëdhënieve midis dy mbretërive gjatë dhe mbas luftës, mbetet për fat të keq te Polibi e papërfunduar. Menjëherë pas kësaj Genti ratifikoi marrëveshjen në Meteon dhe pasi bëri betimin, u dorëzoi përfaqësuesve të mbretit maqedon pengjet. Perseu që i jepte një rëndësi të veçantë kësaj aleance, në këtë çast kritik për Maqedoninë, e shpalli përfundimin e marrëveshjes me një solemnitet të veçantë: ai organizoi në Dium ceremoninë e betimit dhe të këmbimit të pengjeve në prani të kalorisë maqedone, duke llogaritur kështu edhe efektin psikologjik që do të kishte kjo ngjarje në trupat e tij.

Përveç delegacionit që asistoi në ceremoninë e ratifikimit të marrëveshjes, Genti dërgoi në Maqedoni edhe dy përfaqësues, të cilët së bashku me një delegacion maqedon do të shkonin në Rod për ta tërhequr këtë fuqi detare në aleancën e tyre. Këtij misioni sovranët i jepnin një rëndësi të madhe, sepse sipas tyre po të bënin për vete këtë qytet, romakëve nuk do t’u mbetej asnjë shpresë për fitore as në tokë, as në det. Ata kishin shumë besim në suksesin e këtij misioni, sepse edhe Rodi, me pozitën hegjemone në Mesdheun Lindor nuk e donte daljen e Republikës në këto anë.

Pas kësaj Genti mori qëndrimin e parë të hapur kundër romakëve, të cilët kohët e fundit kishin riaktivizuar diplomacinë e tyre për ta bërë për vete mbretin ilir. Dy delegatë që senati kishte dërguar për këtë qëllim i arrestoi dhe menjëherë kaloi në masat efektive për fillimin e veprimeve luftarake. Në këtë pikë tradita polibiane i atribuon Perseut një veprim të pandershëm që e shpjegon me vesin e tij të kopracisë. Sipas Polibit, mbreti maqedon i bindur se me këtë hap Genti ishte komprometuar në marrëdhëniet me romakët, ndërpreu dërgimin e ndihmës financiare, lejoi vetëm dërgimin e 10 talenteve, kurse shumën tjetër të parave, të vulosura me simbole ilire, që kishte arritur në kufi, urdhëroi ta kthenin mbrapsht. Ky pasazh i Polibit, për vërtetësinë e të cilit e mbrojnë me forcë edhe autorë modernë, është vënë në dyshim me të drejtë, si një shprehje e qëndrimit të tij, përgjithësisht armiqësor ndaj Perseut, ashtu sikurse edhe ndaj Gentit, figurat e të cilëve ky historian dhe pas tij gjithë burimet antike i paraqisnin në një dritë të rreme.

Lufta[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Kështu në çastin kur konflikti kishte arritur kulmin e tij, mbreti ilir kishte vendosur të hynte në luftë kundër Romës, duke e zgjedhur këtë si të vetmen rrugë për mbrojtjen e pavarësisë politike. Vendimi i tij u prit me entuziazëm në Maqedoni, në Rod dhe duhet menduar edhe në vise të tjera të Ballkanit, sepse ngjallte shpresa për fitoren mbi romakët.

Genti nuk vonoi të vepronte. Pasi kishte grumbulluar në Lis një forcë të konsiderueshme prej 15 000 vetash, u hodh në sulm. Me forcat kryesore u drejtua kundër qytetit Basania, i cili siç na ka mbërritur në tekstin e Livit, ishte 5 milje nga Lisi. Ky qytet ishte në aleancë me romakët. Genti u mundua ta bëjë për vete atë me anë të bisedimeve, por mbasi nuk pranoi të nënshtrohej, e rrethoi. Ndërkaq të vëllanë Karavandin e dërgoi me 1 000 këmbësorë dhe 50 kalorës, në veri për të nënshtruar fisin e Kavëve. Qyteti Durn e priti mirë, kurse qyteti tjetër i mbylli dyert Karavandit. Genti nuk pati sukses edhe në operacionet detare. Flota e tij prej 80 anijesh që ishte dërguar të godiste tokat rreth Dyrrahut dhe Apolonisë dhe, me sa duket, të vendoste kontrollin mbi rrugën detare që lidhte të dy brigjet e Adriatikut, u thye në afërsi të Apolonisë në ndeshjen me flotën romake dhe qe e detyruar të tërhiqej në drejtim të veriut.

Pas kësaj romakët, që kishin përqendruar ndërkaq forcat e tyre në Genus, u drejtuan kundër mbretit në Basania. Forcat romake, dy herë më të mëdha në numër, mbasi pushtuan qendrat e rëndësishme gjatë rrugës, u gjendën para mureve të Skodrës. Boshllëku që është krijuar në tekstin e Livit nuk jep mundësi për të njohur hollësitë e këtyre veprimeve luftarake.

Qëndresën e fundit Genti e bëri në Skodra. Ai shpresonte shumë në këtë qytet që e kishte zgjedhur si kryeqendër të mbretërisë, sepse pozita e tij ofronte një mbrojtje të sigurt. Dhe me të vërtetë i rrethuar nga dy lumenj, Klausali dhe Barbana dhe i fortifikuar mirë, qyteti mund të përballonte me sukses një rrethim të gjatë. Por mbreti nuk diti ta organizonte mirë mbrojtjen. Në vend që forcat ilire të qëndronin brenda mureve rrethuese të qytetit dhe t’i shmangeshin përleshjes në fushë të hapur, u futën në betejë aty ku armiku kishte epërsi numerike, dhe i theu keqas. Pasi dështuan edhe përpjekjet e vëllait të tij, Karavandit, për të grumbulluar forca të tjera nga krahinat përqark, Genti u dorëzua.

Dhjetë ditë më vonë pas rënies së Skodrës, në betejën që u zhvillua në Pydna (Oene) u shkatërrua përfundimisht dhe ushtria maqedone. Njëherësh me Ilirinë dhe Maqedoninë romakët nënshtruan dhe Epirin. Genti dhe Perseu bashkë me familjet e tyre, me plaçkë e robër të shumtë lufte u dërguan në Romë.

Kështu u nënshtruan dy shtetet e fuqishme të Ballkanit dhe u vendos në këto krahina sundimi romak.

Pasojat[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Mbretëria e Ilirisë u inkorporua në Republikën e Romës . [2] Luci Anici Gal e bëri fushatën në tridhjetë ditë dhe senati shpalli një falënderim publik treditor ndaj tij. Në kthimin e tij në Romë Gali festoi triumfin.

Pas kësaj lufte kishte edhe disa revolta të vazhdueshme, e fundit prej të cilave ishte në Dalmaci. Nga viti 12 kur Dalmacia u nënshtrua plotësisht, ky rajon dhe Iliria, megjithëse ishin krahina të ndryshme, i morën të dy emrat në mënyrë indiferente (teknikisht Iliria ishte vendi midis Savës dhe Detit Adriatik).

Shih edhe[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Literatura[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  • Le Bohec, Yann (1995), Édition du Rocher (red.), Histoire militaire des guerres puniques, L'art de la guerre (në frëngjisht), Monaco, ISBN 978-2-268-02147-8{{citation}}: Mirëmbajtja CS1: Mungon shtëpia botuese te vendodhja (lidhja)
  • Broughton, T. Robert S. (1951), The American Philological Association (red.), The Magistrates of the Roman Republic (në anglisht), vëll. I, Nova Iorque{{citation}}: Mirëmbajtja CS1: Mungon shtëpia botuese te vendodhja (lidhja)
  • Piganiol, André (1974), Presse Universitaire de France (red.), La conquête romaine, Peuples et civilisations (në frëngjisht), Paris{{citation}}: Mirëmbajtja CS1: Mungon shtëpia botuese te vendodhja (lidhja)
  • Políbio (1969), les Belles lettres (red.), Histoires: livre I, coleção des universités de France (në frëngjisht), Paris{{citation}}: Mirëmbajtja CS1: Mungon shtëpia botuese te vendodhja (lidhja)
  • Will, Edouard (2003), Édition du Seuil (red.), Histoire politique du monde hellénistique: 323-30, Points. Histoire (në frëngjisht), Paris, ISBN 978-2-02-060387-4{{citation}}: Mirëmbajtja CS1: Mungon shtëpia botuese te vendodhja (lidhja)
  • Yann Le Bohec (1995), Éditions du Rocher (red.), Histoire militaire des guerres puniques (në frëngjisht), Monaco, ISBN 978-2-268-02147-8{{citation}}: Mirëmbajtja CS1: Mungon shtëpia botuese te vendodhja (lidhja)
  • Piganiol, André (1974), Presses universitaires de France (red.), La conquête romaine (në frëngjisht), Paris{{citation}}: Mirëmbajtja CS1: Mungon shtëpia botuese te vendodhja (lidhja)
  • Will, Edouard (2003), Édition du Seuil (red.), Histoire politique du monde hellénistique (në frëngjisht), Paris, ISBN 978-2-02-060387-4{{citation}}: Mirëmbajtja CS1: Mungon shtëpia botuese te vendodhja (lidhja)

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ Livi, Titus (2004). The History Of Rome (në anglisht). Vëll. 6. Kessinger Publishing. fq. 167. ISBN 141916631X.
  2. ^ Livi, Tit (1797). The History of Rome (në anglisht). A. Strahan and T. Cadell jun. and W. Davies. fq. 249.