Vendenisi (lokalitet arkeologjik)

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Vendenisi (Lokalitet arkeologjik))
Jump to navigation Jump to search
Lokaliteti arkeologjik Vendenis Polanicë
Lloji Arkeologjike
Vendndodhja Gllamnik, Podujevë, Kosovë
Ndërtuar Romake, Antikitet i Vonë
Emri zyrtar: Lokalitet Arkeologjik / Rezervat
Lloji Nën mbrojtje
Përcaktuar 0301-607/85
Nr. i referencës 2121

Vendenisi ose Vindenisi është një lokalitet arkeologjik i cili ndodhet në fshatin Gllamnik, pranë lumit Llap, në komunën e Podujevës, 25 km në veri të Prishtinës.[1]

Historiku[redakto | përpunoni burim]

Në literaturën antike përmendet si Vendenis dhe Vindenis.[1] Rëndësia e këtij lokaliteti që i takon periudhës romake (shekujt I-IV) dhe asaj të antikitetit të vonë (shekujt IV-VI), u dëshmua me rastin e gërmimeve arkeologjike të realizuara gjatë viteve 1980-86. Ndonëse gërmimet ishin mjaft modeste (u gërmuan gjithsej 534 m2 ose vetëm 2% e arealit), ato ndriçuan gjurmë të antikitetit romak ku vlen të theksohen zbulimet e veçanta siç është Mozaiku i Orfeut, unik në Ballkan dhe më gjerë. Mozaiku i Orfeut edhe në ditët e sotme gjendet në Muzeun Popullor të Beogradit dhe akoma nuk është kthyer në muzeun amë, në Muzeun e Kosovës. Nga gjetjet më të rëndësishme në Vendenis vlen të veçohet një sarkofag tërësisht i punuar nga mermeri i bardhë (dim: 2,15 x 0,98 x 0,80 m) me çati dy ujore të stilizuar me katër akrotere në akse dhe e zbukuruar me stilin e luspave të peshkut. Supozohet se ky sarkofag bashkë me kapakun e saj peshon mbi 3 (tre) ton. Vendenisi dallohet nga lokalitetet tjera arkeologjike romake të zbuluara në Kosovë, sidomos tek ritet e varrimit biritual si me inhumacion ashtu dhe me djegie apo incernacion. Po ashtu janë gjetur edhe fragmente të shumta të enëve, poçe si dhe enë qelqi dhe një sasi e konsiderueshme e monedhave të periudhës perandorake romake. Vendenis ishte njëri nga stacionet kryesore rrugore që gjendej në trasenë e rrugës Via Lissus (Lezhë)- Naissus (Nish), dhe kjo e dëshmuar nga gjeografi grek Ptolomeu i shek. II, si dhe në hartën e famshme të Konrad Peuntingerit, shih Tabula Peutingeriane. Paraprakisht mendohet se Vendenis, ishte një stacion i rëndësishëm rrugor që lidhte para së gjithash Ulpianën, Therandën antike dhe Vicianën (Shih), me Ad Finesin - sot banja e Kurshumlisë, për të vazhduar në drejtim të Naissusit. Nga të dhënat e mëparshme, si dhe nga incizimet gjeo-fizike, mendojmë se ky lokalitetit do të duhej të jetë i shtrirë në rreth 20 hektarë sipërfaqe. Ekipi i gjeofizikantëve dhe arkeologëve (gjermanë dhe kosovarë), gjatë realizimit të matjeve gjeofizike në arealin e paracaktuar, arriti të evidenton disa gjurmë të mirëfillta të strukturave të objekteve të ndërtuara nga materialet e gurit, tullave, tjegullave dhe llaçit. Studimet e kryera me magnetometër incizuan struktura të shumta të objekteve të ndryshme për banim por vlen të veçohet një objekt i veçantë me përmasa prej 150 x 150 m dhe me trashësi të mureve prej rreth 5m, që paraprakisht na indikon në gjurmë të një Castrumi garnizoni ushtarak romak.[2] Me rëndësi të posaçme është gjetja e një fragmenti altari kushtuar DEAE DARD, çka dëshmon edhe për autonominë shpirtërore të popullatës autoktone.[1]

Galeria[redakto | përpunoni burim]

Referenca[redakto | përpunoni burim]

  1. ^ a b c Fjalor Enciklopedik Shqiptar, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 2008, fq. 2870 - 2871.
  2. ^ Lokaliteti arkeologjik Vindenis ‘Polanicë’ (Podujevë), Databaza e Trashegimise Kulturore të Kosoves 8.07.2016

Lidhje të jashtme[redakto | përpunoni burim]

Koordinatat: 42°51′58″V 21°11′00″L / 42.865994°V 21.183222°L / 42.865994; 21.183222