Liceu Artistik “Jordan Misja”

Coordinates: 41°19′19″N 19°49′30″E / 41.321816°N 19.825136°E / 41.321816; 19.825136
Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Liceu Artistik “Jordan Misja” është një shkollë e profilit artistik. Liceu ndodhet në rrugën e Elbasanit në Tiranë dhe përfshin të gjitha klasat nga e para deri tek e mesmja. Përfshin si instrumentet muzikore ashtu edhe pikturën.

Historiku[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Liceu artistik "Jordan Misja" në Tiranë u themelua në vitin 1946, dhe emërtimi u bë në nder të piktorit dëshmor Jordan Misja. Që në fillim të veprimtarisë së tij, me punën dhe angazhimin tregoi se është një qendër e rëndësishme edukative dhe arsimore për përgatitjen e artistëve të rinjë në gjini të ndryshme të artit. Liceu artistik "Jordan Misja" për disa dekada ishte e vetmja shkollë e mesme artistike në Shqipëri. Kishte pesë seksione:

  1. Seksioni teorik
  2. Seksioni për kanto
  3. Seksioni i artit dramatik
  4. Seksioni për koreografi si dhe
  5. Seksioni i arteve figurative (me disa specialitete)[1]

Personeli[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Për themelimin dhe ngritjen e këtij liceu kontribuan pedagogët dhe artistët e mëdhenjë shqiptarë, skulptorët: Odhise Paskali, Janaq Paço, Kristina Hoshi, (e para grua skulptore, shqiptare), Andrea Mano, etj., piktorët: Foto Stamo, Abdurrahim Buza, Kel Kodheli, Sadik Kaceli, Nexhmedin Zajmi, Guri Madhi etj., në dramë: Mihal Popi, Zina andri (Pano), Naim Frashëri, Kadri Roshi, etj., në muzikë kompozitorët: Çesk Zadeja, Tish Daija, Avni Mula, Kozma Laro, Feim Ibrahimi, Simon Gjoni; dirigjentët: Mustafa Krantja, Rifat Teqja, violinisti Ludovik Naraçi, artistë të vokalit: Marie Kraja, Nina Mula, Gjoni Thanasi, Jorgjie Truja, Shpresa Nishani, muzikologu Ramadan Sokoli etj., në koreografi: Perkunji (rus), Panajot Kanaçi, Xhemil Simitçiu, Ganimete Vendresha, Zoica Haxho, Agron Aliaj, Petrit Vorpsi, etj. Drejtori i parë ishte kompozitori Konstandin Trako.[2]

Nxënës të dalluar[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Nga bankat e kësaj shkolle dolën shumë figura të ndritura të artit e muzikës shqiptare por edhe disa politikane. Shumë nga ata i vazhduan studimet në botën e jashtme dhe së bashku me profesorët e tyre, edukuan shumë breza mësuesish të artit, ngritën dhe punuan në institucione të ndryshme të artit si: Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore, Teatri i Operas dhe i Baletit, Instituti i Lartë i Arteve et., dhe krijuan vepra madhore në të gjitha gjinitë e artit kombëtar shqiptar në gjysmën e dytë të shekullit XX. Pra, nga bankat e kësaj shkolle dolën mes të tjerëve edhe: piktorët e skulptorët: Vilson Kilica, Kristaq Rama, Shaban Hadëri, Hektor Dule, Thoma Thomai, Mumtaz Dhrami, Ksenofon Dilo, Sali Shijaku, Fuat Dushku, Danish Jukniu, Thanas Papa, Naxhi Bakalli, etj., artistë të teatrit dhe filmit: Kristaq Dhamo, Tinka Kurti, Ismail Hoxha, Hysen Hakani, Tomi Mato, Kujtim Spahivogli, Mihallaq Luarasi etj., figura të shquara të muzikës si: kompozitori Nikolla Zoraqi, dirigjentët: Milto Vako, Suzana Turku, Ermir Krantja, tenorët: Gaqo Çako e Kristaq Paspali, pianistja Margarita Kristidhi, violinistët: Rajmonda Koço, Bujar Sykja, Gjovalin Lazri, Nasho Paspali, Rudina Banja, muzikologët: Hamide Stringa e Zana Shuteriqi, balerinët: Ajshe Vaso, Nermin Strazimiri, Keti Trajani, etj., Në këtë shkollë u shkollua edhe kantautori dhe ylli i spektakleve Ardit Gjebrea, violinisti me famë botërore Tedi Papavrami, "magjia e skenës botërore" Inva Mula, kryeministri aktual i Shqiperise Edi Rama, ish-prefekti i Tiranes Taulant Dedja etj. [2]

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ Fjalor enciklopedik shqiptar, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 2008, fq. 1507.
  2. ^ a b Hajrullah Koliqi: Historia e arsimit dhe e mendimit pedagogjik shqiptar, "Libri shkollor", Prishtinë, 2002, fq. 444 - 445.

41°19′19″N 19°49′30″E / 41.321816°N 19.825136°E / 41.321816; 19.825136