Jump to content

Myfid bej Libohova

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Mufid Libohova)
Mufid bej Libohova
Ministër i Punëve të Brendshme
Në detyrë
4 dhjetor, 1912 – korrik 1913
Paraprirë ngaPavarësia
Pasuar ngaEsad pashë Toptani
Ministër i Punëve të Jashtme
Në detyrë
(zv/kryeministër) korrik 1913 – 14 mars, 1914
Paraprirë ngaIsmail Qemali
Pasuar ngaTurhan pashë Përmeti
Në detyrë
6 janar, 1925 – 28 shtator, 1925
Paraprirë ngaImzot Gjergj Koleci
Pasuar ngaHysen bej Vrioni
Ministër i Drejtësisë dhe i Kultit
Në detyrë
14 mars – 3 shtator, 1914
Paraprirë ngaPetro Poga
Pasuar ngaSali Toro
Zëvendëskryeministër
Në detyrë
22 mars, 1919 – 29 janar, 1920
Paraprirë ngaPreng Bibë Doda
Pasuar ngaEshref Frashëri
Ministër i Drejtësisë dhe zëvendësisht i Financave
Në detyrë
3 mars, 1924 – 27 maj, 1924 / 16 prill, 1924
Paraprirë ngaMD Milto Tutulani / MF Kolë Thaçi
Pasuar ngaMD Benedikt Blinishti / MF L. Gurakuqi
Ministër i Financave
Në detyrë
30 maj – 10 qershor, 1924
Paraprirë ngaLuigj Gurakuqi
Pasuar ngaL. Gurakuqi
Në detyrë
6 janar, 1925 – 23 shtator, 1925
Paraprirë ngaL. Gurakuqi
Pasuar ngaSulejman Starova
Të dhëna vetjake
U lind më1876
Libohovë, Perandoria Osmane (sot Shqipëria)
Vdiq mëshkurt 1927
Sarandë, Mbretëria e Shqipërisë
NënshtetësiaShqiptar
Bashkëshortja/et1. Sheref hanëm Pojani-Gjiridli 2. Olga Scheitzer
MarrëdhënietMaliq Naili Pasha Bej (Gjyshin)
Fëmijët1. Ibrahim Maliq beu 2. Elmas beu (l. 1922)
Prindër(it)Ali Neki Pasha (Babai), Behixhe Hamza (Mamin)
Punësimidiplomat, politikan
Nënshkrimi

Ahmet Myfit bej Libohova, emri i të cilit është shkruar edhe në trajtat Myfid/Mufit (Libohovë, 1876 - Sarandë, shkurt 1927) ka qenë diplomat Perandorisë Osmane, deputet shqiptar në Mexhlisin osman, nënshkrues i Shpalljes së Pavarësisë, disa herë ministër i shtetit shqiptar dhe themelues i Bankës së Shqipërisë.

U lind në Libohovë më 1876 i biri i Ali Neki Pashës dhe hanëmes çerkeze, Behixhes nga Tuapseja,[1] pinjoll i oxhakutAsllan Pashalive të Libohovës.[2] Studimet e para i kreu në mjedis privat, më pas studimet e mesme në gjimnazin ZosimeaJaninës dhe më vonë, në Stamboll ku mbaroi liceun perandorak Gallata Saraj në gjuhën frënge. Universitetin e kreu me plot sukses, në degën e drejtësisë. U laureua përsëri në Lozanë ku mori edhe doktoratën në Shkencat Politike.

Më 1898-1904 emërohet sekretar i parë në legatën osmane në Bruksel. Ndihmoi nacionalistët shqiptarë që vepronin në atë kryeqytet dhe veçanërisht Ismail Kemal bej Vlorën që botonte në atë kohë gazetën Albanie e më vonë Le salut de l`Albanie që shtypej në shqip, turqisht dhe greqisht. Më 1904, u transferua në Bernë si kryetar i misionit diplomatik në Zvicër. Gjatë atyre viteve ai vizitoi shumë kryeqytete të Evropës në Berlin, në Vjenë, Paris, Londër, Romë dhe Shën Petërsburg për t'i fituar miq kauzës shqiptare. Më 1906, shkoi në Kajro si mysafir i Hidivit (mbreti i Egjiptit) Abas Hilmi Pashajt të cilin e kishte mik për t'i kërkuar ndërhyrjen e tij pranë Oborrit të Stambollit në favor të autonomisë shqiptare.[3]

Më 1907 shërben si kryekonsull në Larisa të Thesalisë.[4] Por me shpalljen e Hyrrietit më 1908, megjithëse ishte graduar Ministër Fuqiplotë dhe kishte një të ardhme të shkëlqyer në Perandorinë Osmane dha përnjëherë dorëheqjen së bashku me vëllezërit e tij Ekrem beun dhe Ajet beun, - i pari oficer epror Akademist i Kavalerisë në Shtatmadhorinë dhe i dyti Këshilltar i Ambasadës Perandorake në Athinë - për të marrë pjesë më aktive dhe direkte në lëvizjen kombëtare për lirinë e Atdheut duke sakrifikuar sisoj pa ngurim, tre vëllezërit nacionalistë interesat e tyre personale.[3]

Në vitin 1908 i fali beledijes së Gjirokastrës sheshin kryesor të qytetit që ishte pronë e familjes si dhe një dhuratë financiare prej 5.000 napolona për ngritjen në atë vend të gjimnazit shtetëror.[5]

Më 1908-1912 deputet në parlamentin osman i Sanxhakut të Delvinës. Libohova qe një nga ato që mundën të bashkonin gjithë deputetët shqiptarë të katër vilajeteve në një ballë të vetëm parlamentar. Qeveria e Stambollit u trondit tepër nga veprimtaria guximtare e tij dhe që ta bënte për vete i ofroi një ministri me rëndësi në qeveri ose kryesinë e një ambasade, po ai që të dyja këto propozime të rëndësishme i refuzoi.[3]

Më 1912 është përfaqësues i vendlindjes së vet në Kuvendin e Vlorës ku firmos Shpalljen e Pavarësisë. Është ministri i parë i Punëve të Brendshme i shtetit të pavarur shqiptar. Gjithashtu qe edhe kryeministër i Shqipërisë gjatë një periudhe të shkurtër në viteve 1913 - 1914, kur Ismail Qemali përpiqej në udhëtime diplomatike të stabilizonte çështjet e shtetit të porsapavarur. Më 1914 anëtar i palës shqiptare në Komisionin Ndërkombëtar të Kontrollit.

Në qeverinë e parë të Turhan pashë Përmetit emërohet ministër i Drejtësisë dhe i Kultit. Në qershor 1914 ministër i Shqipërisë në Romë.

Më 1914-1918 qëndron në Korfuz.

Më 1918 tok me Mehmet bej Konicën janë nxitësit e Kongresit të Durrësit. Më 1919-20 shërben si zv/kryeministër i qeverisë së fundit të Turhan Pashës, pasi vritet zëvendësi i tij Preng Bibë Doda. Më 1924 në qeverinë e Shefqet bej Vërlacit mban postin e ministrit të Drejtësisë dhe në qeverinë jetëshkurtër Vrioni atë të Financave.

Me ndodhitë e Lëvizjes së qershorit ikën nga Shqipëria përmes Shkodrës drejt Mbretërisë Jugosllave. Më 24 dhjetor 1924 ishte njëri nga komanduesve të trupës që rrëzoi qeverinë kryengritëse të Fan Nolit, duke hyrë nga Kakavija në bashkërendim me hyrjen e Zogut nga viset verilindore.

Më 1925 emërohet ministër i Financave si vazhdimësi e qeverisë Vrioni dhe merr përsipër edhe kabinetin e Punëve të Jashtme pas mospranimit të Imzot Gjergj Kolecit.

Ndër detyrat më të rëndësishme që kreu ishte ajo e nënshkrimit të një marrëveshjeje ekonomike me palën italiane, e cila përfol se i kishte siguruar të ardhura personale. Gjithsesi e vërteta është që kjo marrëveshje zhbllokoi marrëdhëniet financiare të shtetit shqiptar. Nga ky shkak shëndeti i tij shkoi në përkeqësim dhe në shkurt të 1927 pas një hemoragjie cerebrale, ndërroi jetë në Sarandë[4] dhe u varros në tyrben e oxhakut në Libohovë.[4]

Në mbarim të vitit 1926, pak kohë para vdekjes, i dha fund pjesës së parë të kujtimeve të tij politike dhe diplomatike që mbulon periudhën 1896-1927. Ato përfshijnë edhe dokumente shtetërore dhe ndërkombëtare origjinale, të pabotuara, me një rëndësi të veçantë për historinë e Shqipërisë, janë aty dhe fjalimet e debatet në Parlamentin e Stambollit në favor të pavarësisë kombëtare si dhe veprimtaria e tij në fushën diplomatike ndërkombëtare me qeveritë më të mëdha të atëhershme.[5]

  1. ^ Bilmez, Bülent; Clayer, Nathalie (2016). "A prosopographic study one some 'Albanian' deputies". The First Ottoman Experiment in Democracy (PDF) (në anglisht). Würzburg: Ergon Verlag in Kommission. fq. 164. ISBN 978-3-95650-191-3.
  2. ^ Vlora, Eqrem bej (2003). Kujtime 1885-1925. Përkthyer nga Afrim Koçi. Tiranë: IDK. fq. 601. ISBN 99927-780-6-7.
  3. ^ a b c Libohova A. & K., Mufid Libohova, nga Ali pashë Tepelena te Enver Hoxha, Albania. - Nr. 68, 27 mars, 2004, f. 10 - 11.
  4. ^ a b c Dervishi, Kastriot (2012). Kryeministrat dhe ministrat e shtetit shqiptar në 100 vjet. Tiranë: 55. fq. 171. ISBN 9789994356225.
  5. ^ a b Lushaku H., Të pathënat e jetës së Mufid bej Libohovës, Tirana observer, 6 dhjetor 2012.