*Ndeshjet dhe golat në ligën vendase të klubeve, të sakta prej datës 7 tetor 2023 ‡ Ndeshjet dhe golat e Kombëtares, të sakta prej datës 12 shtator 2023
Alessandro Bastoni (lindur më 13 prill 1999) është një futbollist profesionist italian i cili luan si qëndër-mbrojtës për klubin italian Internazionale dhe kombëtaren italiane. Ai njihet për ndyrjet e sakta dhe për lojën me top, si dhe konsiderohet si një nga qëndër-mbrojtësit më të mirë në botë.[2]
Bastoni ka lindur në Casalmaggiore të Lombordisë dhe e nisi karrierën e tij me ekipin e të rinjëve të klubit lokal Rivarolo Mantovano, e cila kishte babain e tij si trajner.[3] Në moshën 7 vjeç, ai u bë pjesë e akademisë së Atalantës.
Bastoni shpenzoi disa vite në akademinë e klubit, duke luajtur me ekipin nën-17 para se të bëhej pjesë e ekipit Primavera, me të cilën u bë titullar në qëndër të mbrojtjes. Ai u thirr për herë të parë në ekipin e parë nga trajneri Gian Piero Gasperini; debutimi i tij si profesionist erdhi më 30 nëntor 2016 në moshën 17 vjeç në fitoren 3–0 kundër Pescarës në kupë.[4] Më 22 janar 2017, Bastoni debutoi në Serie A në fitoren minimale 1–0 kundër Sampdorias në Bergamo.[5][6]
Më 31 gusht 2017, Inter njoftoi blerjen e Bastonit për 31 milion € si dhe huazimin e tij Atalanta për dy sezonet e ardhshme.[7][8] Pas rikthimit te Atalanta, Bastoni qëndroi në dispozicion të ekipit të parë edhe pse luajti më shumë me ekipin nën-19.
Në verën e vitit 2018, Inter prishi marrëveshjen me Atalantën dhe riktheu Bastonin në ekip, duke e huazuar menjëherë te Parma për një sezon.[9] Lojtari gjithashtu rinovoi kontratën e tij me Zikaltrit deri në qershor 2023.[10] Ai debutoi zyrtarisht më 7 tetor 2018 në fitoren 3–1 kundër Genoas në kampionat.[11] Bastoni e fitoi shpejtë besimin e trajnerit Roberto D'Aversa,[12] duke fituar vendin e titullarit në qëndër të mbrojtjes, aty ku kishte partner portugezin Bruno Alves.[13] Goli i tij i parë në Serie A në barazimin 3–3 kundër Sampdorias më 5 maj 2019.[14]
Bastoni u rikthye te Interi para fillimit të sezonit 2019–20, duke u vendosur nën urdhërat e trajnerit të ri Antonio Conte.[15][16] Ai bëri debutimin e tij me Zikaltrit më 28 shtator në fitoren 3–1 kundër Sampdorias në transfertë.[17][18] Përgjatë sezonit ai zhvilloi performanca të nivelit të lartë, duke shfaqur aftësi teknike, vendosmëri dhe kurajo në lojën e tij,[19] duke lënë në stol veteranin Diego Godín, i cili erdhi në ekip me parametra zero.[20] Më 19 janar 2020, Bastoni shënoi golin e parë me Interin në barazimin 1–1 në transfertë kundër Lecces.[21] Pas kësaj, ai luajti ndeshjen e parë në UEFA Ligën e Evropës në fitoren 2–1 kundër Ludogorets në shtëpi.[22] Më 28 qershor, Bastoni shënoi me kokë në fitoren 2–1 me përmbysje kundër ish klubit të tij Parma.[23] Ai e mbylli sezonin e parë me Inter duke luajtur 33 ndeshje në të gjitha kompeticionet, përfshirë edhe finalen e Ligës së Evropës, të cilën Interi e humbi 3–2 kundër Seviljes.[24]
Në sezonin 2020–21, Bastoni u bë një titullar i padiskutueshëm dhe një nga lojtarët më të rëndësishëm në ekip.[25][26][27] Më 21 tetor, ai luajti ndeshjen e tij të parë në UEFA Ligën e Kampioneve në barazimin 2–2 kundër Borussia Mönchengladbach në fazën e grupeve.[28] Dy muaj më vonë, ai luajti ndeshjen e 50të me klubin në fitoren 2–1 në transfertë kundër Veronës në kampionat.[29] Në kampionat, Bastoni shkëlqeu sëbashku me kolegët e mbrojtjes, Milan Škriniar dhe Stefan de Vrij,[30] një treshe e etiketuar "SDB" nga media italiane,[31] duke ndihmuar Interin që të fitonte Scudetton për herën e 19të në histori.[32] Interi e siguroi kampionatin më 2 maj falë fitores në transfertë kundër Crotone;[33] ky ishte trofeu i parë si profesionist për Bastonin. Falë performances së tij dhe kolegëve të tij në mbrojtje,[31] Interi e mbylli kampionatin me numrin më të vogël të golave të pësuar (35).[34]
Bastoni e ruajti vendin e titullarit në fillimin e sezonit 2021–22 në formacionin 3–5–2 të trajnerit të ri Simone Inzaghi, duke zhvilluar performanca të dalluara.[35][36][37][38] Më 9 janar 2022, në ndeshjen e parë të vitit të ri, Bastoni shënoi me një gjuajtje nga distanca në fitoren 2–1 kundër Lazios në kampionat.[39] Tre ditë më pas, ai fitoi trofeun e dytë me Zikaltrit, Superkupën e Italisë, me Interin që mposhti Juventusin 2–1.[40] Në ndeshjen e rradhës në kampionat kundër Atalantës, Bastoni luajti ndeshjen e tij të 100të me klubin në të gjitha kompeticionet.[41] Më 11 maj, Inter mposhti Juventusin 4–2 për të fituar kupën, e cila ishte trofeu i dytë i sezonit për Bastonin.[42] Në kampionat, ai luajti 31 ndeshje,[43] por Interi i dorëzoi titullin rivalëve të qytetit Milan.[44]
Në sezonin e rradhës, Bastoni fitoi Superkupën e Italisë për herë të dytë rresht, me Interin që fitoi 3–0 kundër Milanit.[45] Më 24 maj, ai fitoi edhe kupën për të dytin vit rresht, duke ndihmuar Interin të fitonte 2–1 me përmbysje kundër Fiorentinës në finale.[46] Bastoni ishte një nga lojtarët më të rëndësishëm në ekip gjatë fushatës në Ligën e Kampioneve, me Interin që arriti në finale për herë të parë që nga viti 2010.[47] Në finale, ai luajti 90 minuta të plota; Inter u mposht minimalisht 1–0 nga Manchester City.[48] Për performancat e tij gjatë turnamentit, Bastoni u emërua në "Ekipin e Sezonit".[49]
Bastoni e nisi karrierën e tij ndërkombëtare me ekkpin nën-15, me të cilën luajti shtatë ndeshje në vitin 2014. Pas kësaj, në vitin 2016, ai mori pjesë në Kampionatin Evropian me ekipin nën-17.[50] Po në atë vit, ai u ftua në ekipin nën-18 nga trajneri Paolo Nicolato, e cili e bëri Bastonin kapiten në ndeshjen e tij të dytë.[51]
Bastoni debutoi me ekipin nën-21 më 11 tetor 2018 në humbjen 1–0 kundër Belgjikës, duke u aktivizuar si zëvëndësues në pjesën e dytë.[52][53] Më 29 mars 2019, Bastoni shënoi golin e parë me ekipin nën-21 në ndeshjen miqësore kundër Kroacisë e cila u mbyll në barazim 2–2.[54] Tre muaj më pas, ai u ftua nga trajneri Luigi Di Biagio si pjesë e ekipit që do të luante në Kampionatin Evropian nën-21.[55] Bastoni luajti tre ndeshje si titullar, me Italinë që u eliminua në fazën e grupeve.[56]
Bastoni morri thirrjen e parë në ekipin e parë nga trajneri Roberto Mancini për ndeshjet e UEFA Ligës së Kombeve kundër Bosnje dhe Hercegovinës dhe Holandës në shtator 2020.[57] Megjithatë, debutimi i tij erdhi dy muaj më vonë në fitoren 4–0 kundër Estonisë, një ndeshje miqësore të cilën Bastoni e nisi si titullar.[58][59] Në qershor 2021, Bastoni ishte pjesë e ekipit me 23 lojtarë që do të merrte pjesë në UEFA Euro 2020.[60] Ai luajti ndeshjen e parë dhe të vetme në turnament në fitoren 1–0 kundër Uellsit në ndeshjen e tretë të fazës së grupeve; kjo fitore i lejoi ekipit të fitonte grupin me pikë të plota.[61] Më 11 korrik, Bastoni fitoi Kampionatin Evropian pasi Italia mposhti Anglinë 3–2 me penallti pasi koha e rregullt dhe shtesa u mbyllën në barazim 1–1.[62]
Pas largimit të Giorgio Chiellinit nga ekipi kombëtar, Bastoni e zëvëndësoi në formacionin titullar në rolin e qëndër-mbrojtësit.[63] Më 14 qershor 2022, ai shënoi golin e parë ndërkombëtar në humbjen 5–2 në transfertë kundër Gjermanisë në edicionin 2022–23 të Ligës së Kombeve.[64]
Bastoni është lojtar këmbë-majtë,[65] e cili e nisi karrierën e tij si mbrojtës krahu. Ai mund të luaj si qendër-mbrojtës, një rol në të cilën është aktivizuar dhe përmirësuar me kalimin e viteve.[59] Bastoni njihet për aftësinë e pasimit dhe kontrollin e topit, aftësi të cilat i kombinon me fizikun dhe shtatlartësinë.[66] Gjatësia e tij e bënë atë një lojtar të rrezikshëm në duelet ajërore.[67] Bastoni konsiderohet një talent dhe një lojtar me prespektivë;[68] në vitin 2020, ai ishte pjesë e listës "Pesëdhjetë për të ardhmen" nga UEFA.[69]
^"Comunicato Ufficiale N. 109"(PDF) (në italisht). Lega Serie A. 22 dhjetor 2016. fq. 2. Arkivuar nga origjinali(PDF) më 14 qershor 2021. Marrë më 14 qershor 2021.