Shko te përmbajtja

Beteja e Albulenës

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Beteja e Albulenes
Pjesë e Luftërat shqiptaro-osmane

Gdhendje të një sulmi shqiptare në kampin turk gjatë betejës
Date2 shtator 1457 [1]
Vendi
Zhejë, Kurbin
Rezultati Fitojnë shqiptarët
Ndërluftuesit
Lidhja e Lezhës Perandoria Osmane
Komandantët dhe udhëheqësit
Gjergj Kastrioti Isak Bej Evrenoz
Hamza Kastrioti  (Rob lufte)
Fuqia
8,000 -10,000 20,000 - 80,000
Viktimat dhe humbjet
Të pakta 15,000 të vrarë
15,000 të kapur rob

Beteja e Albulenës, e njohur edhe si Beteja e Ujëbardhës, u zhvillua më 2 shtator 1457Shqipëri, midis forcave shqiptare të drejtuara nga Skënderbeu dhe një force ekspedite te Perandorisë Osmane. Ajo konsiderohet si fitorja më e madhe e Skënderbeut kundër osmanëve gjatë rebelimit të tij 25-vjeçar.

Ushtria osmane kishte përafërsisht 80.000 ushtarë,[2] edhe pse sot dyshohet që të kenë qenë më shumë se 40,000 në fushëbetejë, pasi që mijëra ushtarë kanë qenë të shpërndarë në vise të ndryshme të vendit. Forcat shqiptare, që numëronin rreth 8,000-20,000 vetë, u përballën me ato osmane në fushën e Ujëbardhës, midis Krujës dhe Lezhës.

Beteja e dytë e Kosovës përfundoi me disfatën e Janosh Huniadit. Skënderbeu dhe forcat e tij nuk arritën t'iu vinin në ndihmë hungarezëve dhe si rezultat e disfatës, osmanët ishin të lirë nga presioni hungarez.

1456, sulltan Mehmeti II mblodhi një ushtri të madhe për të rrethuar Beogradin. Rrethimi zgjati disa javë, mirëpo ndërhyrja Huniadit i detyroi osmanët të tërhiqeshin. Tri javë më vonë, Huniadi vdiq dhe për Skënderbeun kjo do të thonte se do t'i duhej t'i luftonte osmanët i vetëm në Ballkan.

Kështu, në pranverën e vitit 1457, sulltan Mehmeti II dërgoi një ushtri prej 40,000 vetash në drejtim të Shqipërisë, të drejtuar nga Isa Bej Evernozi dhe Hamza Kastrioti, nipi i Skënderbeut.[3] Hamzai, që i kishte shërbyer Skënderbeut që nga fillimi i rebelimit, u bashkua me osmanët për shkaqe ambicioze.

Sulmi i ushtrisë shqiptare në kampin osman

Plani osman ishte që ta vrisnin Skënderbeun sepse ata e dinin se pa të rezistenca shqiptare do të thyhej shpejt. Evernozi hyri në luginën e Matit e depërtoi ngadalë drejt Krujës. Pasi pasuan disa përleshje të vogla midis dy palëve, Skënderbeu i tërhoqi forcat. Të lirë, osmanët plaçkitën zonën duke mbledhur informata. Pas disa javëve dhe asnjë shenje nga Skënderbeu, Evrenozi e Hamzai filluan të mendonin se Skënderbeu ishte arratisur. Erdhën raporte se ai kishte humbur besimin e ushtrisë së tij, e cila kishte dezertuar, dhe se po përpiqej të kalonte në territoret e Venedikut. Në fakt, më 21 korrik, guvernatori venecian i Durrësit Marco Diedo, i shkruante senatit të Venedikut se "Skënderbeu, i tradhtuar nga të gjithë, është duke u përpjekur të fshihet në malet e larta të Shqipërisë, përderisa osmanët sundojnë në Shqipëri".

Në gusht, pozita e osmanëve në Shqipëri dukej e qëndrueshme. 20,000 ushtarë ruanin rrugët e furnizimeve, duke mbajtur nën rrethim fortesat në Çidhën, Dibër dhe Petralbë. 15,000 të tjerë mbanin nën rrethim fortesat në Mat, Rodon dhe Petrelë. Pjesa tjetër e ushtrisë, rreth 30,000, lëvizën nga gryka e Matit për në Ujëbardhë, në veriperëndim të Krujës dhe në jug të Lezhës, në mënyrë që të dyja qytetet të mund të mbaheshin nën vrojtim. Në fund të gushtit, tre muaj pasi kishin kaluar kufirin, ushtria osmane kishte arritur një nivel vetëkënaqësie, ndërsa vigjilenca e tyre kishte rënë ndjeshëm.

Me 2 shtator, Skënderbeu vendosi që të kalonte në ofensivë. Atij i duhej që të bënte një goditje të fuqishme dhe të befasishme ndaj pjesës kryesore të ushtrisë osmane dhe ta shkatërronte atë para se të vinin përforcimet në vendet e tjera. Nëse beteja do të zgjaste shumë, dhe forcat e tij do të detyroheshin të luftonin ballë për ballë me forcat osmane, osmanët do të kishin avantazh. Grupe të vogla shqiptare trazonin patrullat osmane, ndërsa pjesa kryesore e ushtrisë shqiptare i afrohej pjesës veriore të kampit. Në mesditë, trupat osmanë u zgjuan nga gjumi i mesditës duke e gjetur armikun në kamp. Një zhurmë e madhe, e shkaktuar nga mijëra mjete metalike zhurmëndjellëse, u la mbresën se ishin përballë një ushtrie më të madhe. U shkaktua ngatërresë kur kalorësia shqiptare erdhi nga perëndimi, ndërsa këmbësorët po e hapnin rrugën drejt qendrës së kampit.

Shumë shpejt çoroditja u shndërrua në panik kur komandantët osmanë nuk arritën të merrnin situatën nën kontroll. Një përpjekje për mbrojtje u bë nga Hamzai, por Skënderbeu i kishte kushtuar rëndësi kryesore shkatërrimit të tij dhe spahinjve nën të, duke dërguar kundër tij gardën e tij personale prej 2,000 kalorësish. Hamzai, pasi u habit plotësisht nga goditja, u shty prapa në panik. Brenda dy orëve kampi osman ishte i tëri në duart e shqiptarëve, përderisa pjesa e mbetur e ushtrisë së shpartalluar osmane u arratis. Humbjet e osmanëve duhet të kenë qenë nga 15,000 deri në 30,000. Këtij numri duhet t'i shtohen edhe 15,000 robër, ndërsa tërë plaçka e kampit ra në duart e shqiptarëve.[3]

Hamza Kastrioti u zu i gjallë dhe u internua në Napoli, i akuzuar për tradhti. Ai u lirua më vonë, dhe së bashku me familjen e tij, shkoi në Perandorinë Osmane, ku vdiq në fillim të vitit 1460 si lypës.

Rëndësia e betejës

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Beteja e Albulenës ishte e rëndësishme për rezistencën ndaj Perandorisë Osmane. Fitorja e shqiptarëve e detyroi Mehmetin II të nënshkruante një armëpushim me Skënderbeun, i cili do të zgjaste 3 vjet.[4]

Në vitin 1461, Skënderbeu u vendos në Itali që të ndihmonte mbretin Ferdinand I të Napolit, në përpjekje që të rimerrte fronin nga Anjou. Ferdinandi, si babai i tij Alfonsi V, ishte aleat i rëndësishëm i Skënderbeut, dhe e ndihmonte atë materialisht dhe e furnizonte me armë moderne.

  • Babinger, Franz (1978). Mehmed the Conqueror and His Time. Ralph Mannheim, translator. Princeton: Princeton University Press, ISBN 0-691-01078-1.
  • Davenport, R. A. (1838). The Life of Ali Pasha of Tepelini. London: Thomas Tegg.
  • Elsie, Robert (2004). Historical Dictionary of Kosova. Lanham, MD: Scarecrow Press, ISBN 0-8108-5309-4.
  • Runciman, Steven (1990). The Fall of Constantinople 1453. Cambridge: Cambridge University Press, ISBN 0-521-39832-0.
  • Setton, Kenneth (1978). The Papacy and the Levant. American Philosophical Society, ISBN 0-87169-114-0.
  • Suger, Peter F (1983). Southeastern Europe Under Ottoman Rule, 1354-1804. Seattle: University of Washington Press, ISBN 0-295-96033-7.
  • Hodgkinson, Harry (1999). Scanderbeg: From Ottoman Captive to Albanian Hero. Centre for Albanian Studies ISBN 1-873928-13-0
  • Francione, Gennaro (2003). Skenderbeu: Një hero modern (in Albanian translated from Italian). Shtëpia botuese "Naim Frashëri"
  1. Babinger p. 152.
  2. Setton 193.
  3. 1 2 Babinger, page 152.
  4. Sugar 67.