Bukumirët
Fiset shqiptare |
---|
Bukumirët (ndryshe, Bukmiri) ishte një fis shqiptar që jetonte në Malin e Zi qendror dhe juglindor të sotëm. Ata ishin baritorë gjysmë nomadë, organizimi shoqëror i të cilëve bazohej në lidhjet farefisnore rreth vëllazërive me prejardhje të përbashkët patrilineale. Me kalimin e kohës ata filluan të vendosen përgjithmonë dhe në shekujt 15 dhe 16 formuan vendbanimet e tyre kryesisht në Mal të Zi, por disa degë edhe në veri të Shqipërisë. Në vitet e mëvonshme, degë të Bukumirit hasen edhe në Sanxhak dhe në Kosovë.
Emri
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Emri është përbërje e fjalëve shqipe bukë dhe mirë.[1][2][3] Emri i tyre është interpretuar në mënyrë figurative si një tregues i pasurisë së tyre.[4] Sot në Mal të Zi prania e tyre historike është ruajtur në toponimin Bukumirsko jezero (liqeni i Bukumirit) në malin Komovi, vendndodhja Bukmira (komuna e Ulqinit) dhe mbiemrat Bukumiriq, Bukumiroviq dhe Bukumira. Në Shqipëri ruhet në toponimet Bukëmirë në Rrëshen dhe Bukmirë në Bruçaj (Pult).
Historia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Bukmirët ishin baritorë gjysmë nomade që jetonin në vendbanime jo të përhershme. Në muajt e verës lëviznin me kopetë e tyre në kullotat e Malit të Zi të sotëm dhe në muajt e dimrit fushonin në fushën e Shkodrës. Me kalimin e kohës ata u vendosën në fshatra dhe vendbanime. Në kadastrën vendase venedikase të viteve 1416-7, disa gjenden në vendbanimet përreth qytetit të Shkodrës.[5] Ata ishin katolikë. Njëri prej tyre, prifti Gjon Bukëmiri, që banonte në Drisht, hyri në manastirin e Trogirit në vitin 1340 dhe vdiq aty në vitin 1345.[6] Një tjetër Fra Nikaç gjendet në katun Bukmir në rajonin e Piperit në defterin e vitit 1497.[7]
Në fund të shekullit të 15-të, një pjesë e madhe e Bukmirit i dha fund lëvizjes së tyre baritore gjysmë nomade dhe u vendos në rajonin e Piperit - përfshirë edhe Bratonozhiqi - ku shfaqen si katun Bukmir me 43 familje. Një shekull më vonë, në vitin 1582 vendbanimi i tyre ishte bërë i përhershëm dhe ishte regjistruar si fshat.[5] Me kalimin e kohës, ajo u zhyt në Piperi dhe Bratonozhiqi që po formoheshin në atë kohë.[8] Po ashtu, në vitin 1485 në Mrkojevići gjendet një Nuliç, i biri i Bukmirit. Ai ishte një nga shqiptarët që shfaqet si pjesë e pravi Mrkojevići, komuniteti origjinal që përbënte bërthamën e atij fisi.[9] Bukmiri i Piperit dhe i Bratonozhiqit përfundimisht u bë gjithashtu ortodoksë. Në shekullin e 18-të, disa nga këto vëllazëri ortodokse të Bukmirit u vendosën edhe në rajonin historik të Bihorit, në Beranë dhe Petnjica. Në Bihor, shumë u konvertuan në Islam dhe sot ka familje në rajon që e kanë origjinën nga ky fis.
Degët e tjera u zhvendosën drejt jugut dhe u vendosën brenda Shqipërisë moderne. Në vitin 1485 një fshat i formuar prej tyre shfaqet në Malësinë e Dukagjinit si bashkësi derbenxhiane.[7] Grupe të tjera krijuan Bukëmirën në Rrëshen dhe Bukmirën në Bruçaj (Pult). Bukmira e Pultit grupohet me një fshat tjetër, Dajçin më 1671 nga peshkopi Shtjefën Gaspari. Në llogarinë e tij kishin 10 shtëpi dhe 73 banorë.[10]
Tregime dhe legjenda popullore për Bukmirët janë ruajtur në traditat e fiseve malazeze, veçanërisht ato të Vasoviqit.[1] Njëra prej tyre ka të bëjë me emërtimin e Bukumirsko jezero, i cili sipas mitit mori emrin e fshatarëve Bukumiri që u mbytën në liqen nga demonët (anatemnjaći). Një histori tjetër popullore në Bratonozhiqi tregon se për shkak se Bukmirët e zonës ishin të një statusi më të ulët se ata, ata nuk donin të martoheshin me gra të atij fisi.[8] Ekziston edhe një legjendë për origjinën e tyre që i lidh ata së bashku me Matarugen dhe Kriçin me fisin Shpani.[11]
Tradita të tjera rreth tyre janë të bazuara në histori. Një prej tyre është një tregim për Bukumirët e Sanxhakut, një vëllazëri ortodokse shqiptare që u mundën dhe humbën tokat e tyre nga gjyshi i Ali pashë Gucia, pronari më i shquar osman i Plav-Gusinje-Bihort në shekullin e 18-të.[12]
Shih edhe
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ a b Šufflay, Milan (2000). Izabrani politički spisi (në kroatisht). Matica hrvatska. fq. 131–2. ISBN 9531502579. Marrë më 19 shkurt 2020.
- ^ Gjinari, Jorgji. "A propos de l'article postposé de l'albanais sous l'aspect des rapports linguistiques illyro-albanais". Iliria (në frëngjisht). 5: 100. Marrë më 19 shkurt 2020.
- ^ Morozova, Maria; Rusakov, Alexander (2018). "SLAVIC-ALBANIAN INTERACTION IN VELJA GORANA: PAST AND PRESENT OF A BALANCED LANGUAGE CONTACT SITUATION". international scientific conference "Multiculturalism and Language Contact" (në anglisht): 8, 16–18. Marrë më 17 shkurt 2020.
- ^ Bukumirić, Mileta (2007). Život Srba u Goraždevcu (në serbisht). Srpska akademija nauka i umetnosti, Etnografski institut. fq. 37.
- ^ a b Pulaha, Selami (1975). "Kontribut për studimin e ngulitjes së katuneve dhe krijimin e fiseve në Shqipe ̈rine ̈ e veriut shekujt XV-XVI'". Studime Historike. 12: 87-89. Marrë më 30 janar 2020.
- ^ Lala, Etleva. "Klerikët shqiptarë të mesjetës në arkivat e Dubrovnikut" (PDF). Regione Basilicata. Rilindasi. Marrë më 19 shkurt 2020.[lidhje e vdekur]
- ^ a b Pulaha, Selami (1974). Defter i Sanxhakut të Shkodrës 1485. Academy of Sciences of Albania. fq. 404, 430. Marrë më 28 janar 2020.
- ^ a b Vukanović, Jovan (1960). Паштровићи: антропогеографско-етнолошка испитивања (në serbisht). Obod.
- ^ Morozova, Maria (2019). "Language Contact in Social Context: Kinship Terms and Kinship Relations of the Mrkovići in Southern Montenegro". Journal of Language Contact (në anglisht). 12: 313. doi:10.1163/19552629-01202003. Marrë më 15 shkurt 2020.
- ^ Gaspari, Stefano. "1671 Stefano Gaspari: Travels in the Dioceses of Northern Albania" (në anglisht). Robert Elsie. Marrë më 19 shkurt 2020.
- ^ GZM (1977). Glasnik Zemaljskog muzeja Bosne i Hercegovine u Sarajevu..: Bulletin du Musée de la République Socialiste de Bosnie- Herzégovine à Sarajevo. Etnologija (në serbisht).
- ^ Metjahić, Avdo (2008). "Starački muhabeti" (PDF). Almanah (në serbisht): 256. Marrë më 19 shkurt 2020.