Miloti

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Milot)

Stampa:Qytet në Shqipëri Miloti është një qytetKomunën Milotrrethin e KurbinitShqipëri.

Historia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Sipas të dhënave nga studiues të ndryshëm, banorët e zonës janë me prejardhje ilire nga fisi ilir i Karavanteve (Ndre Mjeda) qe u pasuan nga Albanet (Ptolomeu, sh. II pas K.). Këto hipoteza mbështeten në studimet që u janë bërë toponimeve të njëjta në kohë të ndryshme, sidomos emrave të fshatrave dhe vërtetohet se ka jetuar në këto troje një popullsi e lashtë që ka shkruar historinë e vet nëpërmjet qëndresës së lavdishme me luftë të armatosur e rezistencë të pathyeshme.

Në periudhën e Mesjetës Miloti është përfshirë në Principatën e Arbnit që njihet si formacioni i parë shtetëror feudal i shqiptarëve qysh nga fundi i shekullit Xll, me sundimtarët Progoni, në vitet 1190-1199 dhe të bijtë, Gjini që sundoi në vitet 1199-1208, Dhimitri 1208-1216, periudhë që njohu fuqizimin më të madh të kësaj Principate. Kjo principate i perket asaj te Skurajve, me stemen e famshme te ujk-luanit, qe sundoi ne shekujt XII-XV ne krahinen e Kurbinit, dhe me vone iu mbeshtet Topiajve dhe Kastrioteve. Per t'u permendur, Princi Aleksander Skura, zot i Vlores, i pari princ shqiptar qe merr pjese ne nje beteje kunder turqeve ne fushen e Rumelise si komandant i forcave shqiptare, ne koalicionin ballkanik kunder turqeve me 1378 (kronikat rumune). Skuraj ishte qendra e principates se familjes Skura, nje familje mesjetare kufitare me familjet e medha te Arberise. Në këtë periudhë në grykëderdhjet e lumenjve u ngritën skela të vogla detare që shërbenin për transportimin e mallrave në rrugë detare brenda vendit dhe me vende të tjera. Në grykëderdhjen e lumit Mat funksionoi Skela e Shufadasë. Me krijimin e principatave feudale ne fundin e shekulit XlV, Kurbini me Milotin dhe fshatrat përreth te përfshira në Principatën e Skurajve, iu mbeshteten ma vone principates se Topiajve dhe të Kastriotëve. Princi i fundit Ndue Skura, u largua per ne Itali me gjithe familje pas vdekjes se Gjergj Kastriotit. Gjithashtu ne legjendat popullore vendase, por pa ndonje domethenie reale historike, permendet edhe njefare Koke Malci, i njohur si plak i mencur qe e kishte keshillue Gjergj Kastriotin Skenderbeun ne nje beteje qe do te zhvillohej ne fushen poshte Milotit, gjate lumit Mat.

Qyteti Milot dhe këto fshatra janë historikisht baza e krahinës së Kurbinit që është dalluar si mbështetëse e luftrave të Skënderbeut edhe të luftrave të mëvonshme për liri dhe pavarësi. Është për tu përmendur mbledhja e Kuvendit Krahinor të Kurbinit në fshatin Delbnisht “ku kanunet e Flamurit e të Kurbinit me 5, 6 e 7 gusht 1906 vendosur nga Gjin Pjeter Mark Pervizi Skluraj plak i pare i 54 pleqve te Kurbint e te semtit te Krujes, dhe udheheqesi i kryengritjes se Kurbinit 1906-1912[1] Kanuni historik i Bajrakut i Kurbinit i bëri nje shtesë kanunit te Lekë Dukagjinit te hartuar nge Shtjefen Kostandin Gjeçovi. Ne kete kuvend ishin te pranishm e deshmitare Dom Nikollë Kaçorri dhe vete Shtjefen Gjeçovi, i cili perveç Kanunit ka lene te shkruar edhe protokollet e ketyre mbledhjeve (doreshkrim ne Biblioteken Kombetare ne Tirane) prej 114 faqesh mbi Kryengritjen e Kurbinit.[2] Kryengritja e Kurbinit e viteve 1906 – 1912, nisi me betejen e Pushes se Tallajbese ne Kruje, duke i dhene nisje Kryengrtjes se pergjithshme kombetare [3] dhe është padyshim fakti më i gjallë historik i rezistencës me armë në dorë të patriotëve kurbinas e krutane që e detyruan Qeverinë Osmane të falte taksat mbi gjënë e gjallë, të lejonte Kurbinin të gëzonte të drejtën e të vepronte sipas venomeve të veta, të shpallte amnisti për të gjitha fajet e kryera nga banorët e zonës, të paguante dëmshpërblimet për dëmet që kishte shkaktuar ushtria turke gjatë ekspeditave ndëshkimore në Kurbin. Por turku nuk i mbajti fjalet e lufta vazhdoi, ku taborret turke rrethuan Skurajn per te shuar kryengritjen, me qelim per te vrare ose zene rob kryengritesit, posacerisht Gjin Pjetrin, te cilit i dogjen per se dyti kullat, qe ishin djegur ne shtypjen e kryengritjes ne kohen e Lidhjes se Prizrenit me 1881, prej Dervish Pashes. Lëvizjet e vazhdueshme të rezistencës, të organizuara nga Gjin Pjeter Mark Pervizi me patriotët e luftetaret kurbinas bënë që më 28 nëntor 1912 edhe në Milot, ashtu si në Vlorë, në të njëjtën ditë dhe orë, të ngrihej flamuri i pavarësisë, flamur qe Dom Nikoll Kaçorri i kishte dorezuar ne Rubik Gjin Pjetrit per kete qellim, i cili mbajti fjalen e rastit te fitores se lirise e pavaresise duke e pershendetur me gjashteshen e tij te karadakut dhe 300 pushket e luftetareve kurbinas. Ne kete dite ishin mbledhur ne Milot te vjeter e te rinj. Organizatori i këtij akti patriotik ishte Dom Nikolle Kaçorri, nenkryetari i Qeverise se Vlores, se bashku me patriotet e tjere shqiptarë si At Shtjefen Gjecovi O.F.M. dhe Imzot Prend Bardhi (Primo Bianchi), ipeshkvi i Durresit me seli rezidenciale ne Delbnisht, fshati i tij i lindjes. Mjerisht diktatura komuniste nuk e shkruajti ashtu sikurse dukej kete pjese te historise sepse nipi i Gjin Pjetrit, gjenerali Prenk Pervizi se bashku me familjen e tij, ishte kundershtar i vendosur i komunizmit dhe i arratisur politik i rendesishem jashte shetit. Nipat e Gjin Pjetrit luftuan me arme ne dore per te mbrojtur idealet demokratike ne lufte te hapur kunder diktatures komuniste deri ne fundin e vitit 1952. Në vitet 1916 – 1917 do të nisë funksionin pazari i Milotit, i transferuar nga Fusha e Limes ne Skuraj, si treg rajonal për shitjen e produkteve bujqësore, blegtorale dhe artizanale. Ky Pazar, në një periudhë shumë të shkurtër kohe, do të bëhej i njohur në të gjithë Shqipërinë. Ne vitet 1920-1939, nje figure tjeter e lavdishme e Kurbinit do t'ishte nipi i Gjin Pjetrit, Gjeneral Prenk Pervizi (Skuraj, 4 maj 1897 – Belgjike, 6 shtator 1977). Në periudhë e mbreterise në vitet 1934 – 1936 është ndërtuar aksi rrugor Delbnisht – Selitë – Mafsheq, 1936 km i gjatë, i shtruar me kalldrëm dhe me të gjitha veprat e artit. Në vitin 1926 mbreti Zog do të financonte ndërtimin e urës mbi lumin Mat, sipas projektit të arkitektëve europianë e të zbatuar nga arkitekti shkodran Gjovalin Gjadri.

Gjeografia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Qyteti i Milotit ndodhet ne pjesen qendrore te Republikes se Shqipërisë. Ka një pozicion strategjik me që lidh veriun e Shqipërise me kryeqytetin (Tirana). Ne ndarjen administrative perfshihet nga rrethi i Kurbinit. Miloti merr nje rëndësi të madhe edhe per faktin se autostrada Durres-Prishtine kalon kalon ne periferi te qytetit ne nje gjatesi prej 13 km. Komuna Milot shtrihet në një sipërfaqe prej 138 km2 ku jetojnë 12856 banorë. Kufizohet në veri me Bashkinë e Rubikut, në verilindje me Komunën e Ulëzës, në veriperëndim me Komunën e Zejmenit, në jugperëndim me Komunën e Fushë Kuqes, në jug me Bashkinë Laç në juglindje me komunen e Cudhinit, në jugperendim me Bashkinë e Mamurrasit.Komuna është një njësi e pushtetit lokal të rrethit të Kurbinit, dhe përfshihet në Qarkun e Lezhës, dhe qyteti i Milotit njihet si qendër e Komunës. Miloti ndodhet 45 km larg kryeqytetit dhe është një nyje lidhëse me të gjithë krahinat e Shqipërisë së Veriut e Verilindjes si kryqëzim i rrugëve kombëtare. Miloti ndodhet 65 km larg portit të Durrësit, 20 km larg portit të Shëngjinit, 40 km larg aeroportit “Nënë Tereza”, 20 km larg plazhit të Shëngjinit e 14 km larg plazhit të Patokut. Komuna Milot ka një shtrirje veri-jug 8 km, lindje – perëndim 17.2 km.Qendra e Komunës është qyteti i Milotit. Komuna ka në territorin e saj 12 fshatra që janë, Fushë Milot, Mal-Milot, Shullaz, Malbardhë, Delbnisht, Selitë, Gallatë, Skuraj, Vinjollë, Gernac, Shkopet, Ferre-Shkopet.

Relievi dhe Klima[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në territorin e Komunës është i ndryshëm; në pjesën perëndimore ëshë fushor me kuotë të ulët mbi nivelin e detit dhe në pjesën lindore është kodrinor – malor në të gjithë zonën e fshatrave të malësisë në një kuotë deri në 700 metra mbi nivelin e detit në lindje të saj. Zona fushore përfshin Qytetin e Milotit, fshatrat Fushë Milot, Shullaz, Prozhme e lagjen Malbardhë Fushë. Zona kodrinore përfshin fshatrat Delbnisht, Shkopet e Ferrë Shkopet, lagjet Malbardhë Kodër dhe Shullaz Kodër. Zona malore përfshin fshatrat Selitë, Gërnac, Vinjollë, Gallatë, Skuraj. Zona përshkohet nga lumi Mat, i cili ka një gjatësi 115 km, sipërfaqe të pellgut ujëmbledhës 2441 km2 dhe lartësi mesatare 746 m dhe buron në Kaptinën e Martaneshit. Në fshatin Skuraj, në vendin e quajtur Lime, lumi i Matit bashkohet me lumin e Fanit dhe në një gjatësi prej 16 km duke filluar nga diga e hidrocentralit të Shkopetit përshkon territorin e Komunes. Prurja mesatare shumëvjeçare e lumit Mat është 103 m3 në sekondë. Sasia e lëndëve inerte pezull është 2.000.000 m3 në vit. Ujrat e lumit Mat kanë mineralizim të ulët dhe një temperaturë mesatare që lëkundet nga 5,3 gradë celcius në janar deri në 19,9 gradë celcius në gusht. Klima. Në territorin e Komunës mbizotëron klima mesdhetare, ka një siperfaqe prej 138 km2 që ka bregdet, ka fusha pjellore,ka kodrina të ulëta, ka vargmale me lartësi mbi 700 m mbi nivelin e detit, ka pyje të dendur. Klima mesdhetare me verë të nxehtë e të thatë e dimër të butë e të freskët, është tipike për zonën fushore e kodrinore, ndërsa në zonën malore, kryesisht në fshatrat Selitë, Vinjollë e Gërnac bie dëborë në dimër.Trashësia mesatare e dëborës shkon mesatarisht deri në 50 cm. Karakteristike për çdo stinë të vitit janë erërat e forta që fryjnë nga verilindja dhe lindja e drejtohen nga korridoret natyrore, shpatet e maleve, që si rezultat i ngritjes së nivelit të shtratit të lumit Mat nga ndërtimi i baseneve të hidrocentraleve, veçanërisht hidrocentrali i Ulzës ku shpejtësia e tyre arrin deri në 100 km/h sidomos në periudhën e dimrit. Nga pikëpamja e temperaturave vërehen amplituda të mëdha midis dimrit dhe verës. Temperatura mesatare vjetore është 15.6 gradë celcius, kurse amplituda mesatare është 18 gradë celcius. Reshjet në territorin e Komunës kanë një shpërndarje të pabarabartë. Sasia mesatare e reshjeve është 1350mm në vit. Në zonën malore, kryesisht aty ku bie dëborë në dimër, reshjet janë të pranishme edhe gjatë verës, kurse në zonën kodrinore dhe fushore vera është e thatë. Ditët me diell variojnë nga 220-240 dite, ku mesatarisht gjatë vitit ka deri 3000 orë diell.

Flora dhe Fauna[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Bimësia është e shpërndarë sipas kushteve klimatike, duke formuar zona bimësie si zona e shkurreve mesdhetare (zhvillohen shkurret, kryesisht shqopa e mareja), e dushqeve (lisi, gështenja), e ahishteve (ahu) dhe e halorëve (pisha). Duke u nisur sipas vetive të përdorimit në zonë rriten edhe bimët mjeksore e aromatike që përmbajnë lëndë aktive dhe esenca. Bimët mjekësore që rriten në këtë zonë janë: sherbela, trumza, kamomili, lulebliri, çaj mali, luleshtrydha, lulëkuqja, mullaga. Në zonën tonë rriten edhe bimët spontane foragjere me vlera ushqimore për bagëtinë. Në bimësinë e livadheve dhe kullotave, mbizotërojmë graminoret dhe bishtajoret në gjendje të egër si: tërfili, grami, talla, shpatorja. Bimët endimike janë bimë që rriten vetvetiu brenda një territori të caktuar të kufizuar dhe rriten në vartësi të relievit e klimës.Kështu është për tu përmendur pylli i gështenjave në fshatin Selitë me sipërfaqe prej 75 ha. Fauna në Komunën e Milotit është zhvilluar në vartësi të mjedisit. Kështu dallohen fauna tokësore, fauna e ujrave të ëmbla dhe fauna e egër. Pozita e favorshme gjeografike, klima mesdhetare, relievi që varion nga fushor e deri në reliev të thyer malor, dalja e afërt në det (grykëderdhja e lumit Mat) kanë bërë që fauna të jetë e pasur. Në ujërat e ëmbla te lumit Mat dhe të zallit të Urdhazës rriten peshq si ballëgjëri, krapi, qefulli etj. Shpendë të gjuetisë janë rosa e pata e egër, thëllënxa, karabullakët, çapkat etj. Kafshë të egra që rriten në këtë zonë janë dhelpra, lepuri, ujku, ariu dhe derri i egër. Gërnac, Shkopet, Ferrë Shkopet dhe Prozhmë.

Demografia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Komuna Milot sipas te dhëna zyrtare (dhjetor 2010), ka një popullsi prej 13317 banore. Nga keta :

QYTETI MILOT ka 4334 banore. Ndërsa te gjitha fshatrat te marra se bashku kane 8963 banore gjithsej, ku secili ka : Skuraj 731 banore, MAL-MILOT 757, Fushe Milot 2236, Mal Bardhe 1522, Gallate 358, Selite 352, Gernac 373, Vinjoll 369, Shullaz 1343, Shkopet 254, Ferr Shkopet 345, Delbnisht 233 dhe.

Ekonomia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Infrastruktura[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Territorin e Komunës e përshkojnë 45 km rrugë nacionale, 55 km rrugë rurale dhe afro 80 km rrugë dytësore që lidhin lagjet e fshatrave, fshatrat me njëri-tjetrin dhe me rrugën nacionale e qendrën e Komunës.Rruga nacionale nga Shullazi deri në Shkopet, (18 km) është rruga kryesore që përshkon territorin e Komunës. Rruga nacionale Delbnisht – Selitë – Gërnac, është gjithsejt 18 km. Rrugët nacionale në zonën fushore, në fshatrat Shullaz dhe Malbardhë si : rruga Shullaz – Fushë Milot, Superstradë – Prozhmë, Malbardhë – Qendër Malbardhë, Superstradë – Ura e Shullazit, janë rrugë me bazament dhe plotësojnë kushtet për shtresat e paraasfaltit e asfaltit. Komuna Milot ka një rrjet të furnizimit me tension të ulët dhe tension të lartë elektrik të amortizuar dhe të paremontuar prej vitesh nga mungesa e bazës materiale dhe të investimeve në këtë fushë. Komuna Milot ka një sistem ujësjellësi për qytetin me cikël të mbyllur (burimi – magistrali – rezervuari dhe rrjeti i shpërndarjes). Sistemi i ujësjellësit për furnizimin e depos është me ngritje mekanike dhe gjatësia e tij nga burimi deri në depo është 1200 m. Lagja Mal Milot furnizohet me uje nga rezervuari 100 m3 me sistem rrjedhje te lire qe furnizon rreth 50 familje. Rreth 5000 banorë të qytetit, furnizohen me ujë në lidhje direkte në banesë.

Arsimi dhe shëndetësia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Themelet e arsimit shqip në trojet etnike shqiptare janë vënë në Kurbin në fshatin Gallatë ne Komunën e Milotit në gjysmën e parë të shekullit të XVII (1632), kur në seminarin që funksiononte pranë selisë i peshkvore këtu në kishën e Shën Prenës, në të cilin përgatiteshin priftërinjtë e ardhshëm, u hap edhe shkolla e parë shqipe e njohur si Shkolla e Kurbinit. Shkolla e parë shqipe në Milot u hap në vitin 1900 pranë qelës famullitare. Sot Miloti ka një shkollë të mesme të përgjithshme me rreth 200 nxënës, një shkollë 9-vjeçare me 530 nxënës si dhe kopshtin për fëmijët me 120 fëmijë. Gjithashtu në fshatrat që mbulon komuna janë edhe 8 shkolla të tjera 9-vjeçare të cilat, jane hapur fillimisht ne periudhen mes viteve 1948-1960. Gjithsej në të tre nivelet e arsimit mesojne 1677 nxenes dhe japin mësim 108 mësues gjithsej.

Shërbimi shëndetsor realizohet nga një personel mjeko - sanitar prej 25 vetësh, i përbërë nga 3 mjekë, ndërsa të tjerët janë infermiere – mami të specializuara, të shpërndarë në të gjitha fshatrat ku edhe kryejnë shërbimin ambulator. Në qendrën shëndetësore plotësohen vetëm nevojat më urgjente të popullatës për diagnostikimin, imunizimin, shërbimin primar e monitorim të rritjes së fëmijëve, ku shërbejnë 3 mjekë dhe 12 infermiere.

Bujqesia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Komuna Milot ka një sipërfaqe të përgjithshme tokë bujqësore prej 2272 ha, ndërsa tokë e punueshme është 1966 ha, rreth 306 ha tokë në territorin e Komunës, kryesisht në zonën kodrinore e malore, janë joproduktive. Me rikonstruksionet e kryera në rrjetin e vaditjes,të kanaleve kryesore dhe degëzimeve, aftësia ujitëse, kryesisht në zonën fushore, është 180 ha, por për arsye të ndryshme rrjeti i vaditjes nuk funksionon plotësisht. Pemtaria kultivohet në mënyrë individuale pothuajse në të gjitha fshatrat nga fermerët, si në zonën fushore, ashtu edhe në atë kodrinore e malore. Kështu sipërfaqe e zënë me dru frutorë është 118 ha, nga këto 103 ha pemtore e 15 ha vreshtë. Sipërfaqja e pyjeve të Komunës është 10686 ha. Në këtë sipërfaqe ka pyje të të gjitha kategorive, si pyje halorë, dushqe, gështenja, pyje mbrojtës në brigjet e lumit Mat e përrenjeve në fshatra. Kështu pyje prodhues të matërialit drusorë në zonën e fshatit Malbardhë janë 2920 ha, në zonën Skenderbe 3560 ha, në zonën Milot-Lester 1300 ha dhe në zonën Shkopet 780 ha. Sipas VKM nr.770 datë 21.05.2008 u miratua lkista përfundimtare e pronave të paluajtshme publike,pyje e kullota, që janë në juridiksionin territorial te Komunës Milot. Sipërfaqja 3167 ha, fond pyjor dhe kullosor transferohet në përdorim të Komunës, kryesisht në zonat e banuara që përbëhen nga kullota, livadhe, shkurre, zabele dhe pyje.

Kultura[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Sa i takon traditës si dhe aktiviteteve kulturore, mjafton të thuhet se me rënien e diktaturës ranë edhe insitucionet që mbanin kulturën masive ideologjike të kohës. Sidoqoftë do theksuar se tradita folklorike e zonës se Milotit është shume e pasur, sidomos në fshatrat Vinjollë e Malbardhë (kënga folklorike), Skuraj (tradita kuvendore), Milot (tradita artizanale dhe ajo tregtare) etj. Janë të njohur rapsodët këngëtarë Ali Halili, Kurt dhe Sherife Lika me këngën e mirënjohur "Gjall a dek nusen t'ma bini", këngëtarja Anilda Haxhiu etj. Në krijimtarinë letrare veçohet krijimtaria e Lek Pervizit, ish i burgosun dhe i internuar politik, që tani jeton në Belgjikë, piktor, poet e shkrimtar i afirmuar, me veprat poetike "Ankimi i Zanave" e "Petale Trendafili" botuar shqip - frengjisht e italisht. Librin "Lahutari Shqiptar", kangë popullore nga kampet e burgjet e diktaturës. Si piktor, me tabllonë "Beteja e Gjergj Kastriotit e Fushë-Kuqes, 1457; portrete e vizatime nga kampet e internimit, me një aktivitet të gjërë në diasporë e fitues i disa çmimeve ndërkombëtare në poezi, etj. Po ashtu veçohen studiuesi dhe shkrimtari Kastriot Marku me vëllimin poetik "Përhumbje" dhe poetja Elona Vocaj me "Zëri i shpirtit tim". Ndërkohë studiuesi Vlash Prendi me punimet: "Kurbini tradita-kultura" në dy vëllime, dhe "Gjurmëve të melosit popullor në Kurbin", ka trajtuar një pjesë të kulturës së kësaj zone, ndërsa Kastriot Marku me punimet e tij: "Kishat e Kurbinit" si dhe "Miloti-Guidë Shqip/Italiano", ka prekur thelbësisht aspekte të ndryshme të kulturës arkitekturore, artistike, dhe turistike të zonës së Milotit, sikurse edhe dom Frano Illiaj (ish famullitar i Milotit), me veprën e lënë dorëshkrim Famullia e Milotit, botuar postume, në të cilën jepet një pamje e plotë e kësaj famullie deri në vitin 1967, kur edhe feja u ndalua me ligj nga regjimi komunist. N/kolonel Dr. Pjetër Hidri me monografinë "Gjeneral Prenk Pervizi" (përkthyer dhe botuar frëngjisht), shënon një kontribut për figurën e këtij personaliteti, sikurse edhe Zef Kola me monografinë me titull "Ndoc Dede Marku po na vjen...". Alfred Mirashi (me pseudonimin artistik MILOTI), në Firence (Itali) dhe Leonard Pervizi në Bruksel (Belgjike) gjithashtu janë piktorë të njohur në shkallë ndërkombëtare me ekspozita të hapura në galeritë e artit më të njohura në Evropë dhe botë. Ky i fundit është përfshirë në enciklopedinë e piktorëve të Belgjikës të shekullit XX. Fitues i disa çmimeve me vepra të njohura si; Seria e Kryqeve, Figura Antropomorfe, pejzazhe nga Shqipëria. Po ashtu në publicistikë, kryesisht atë politike ka dhënë një kontribut edhe Bektash Zeneli me përmbledhjet: "Në kufijtë e dhimbjes e të shpresës", "Udha e rritjes", dhe "Gjysmëfitimtare gjysmëhumbur".

Politika[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  • Kryetar i Komunës Milot është [Behar Haxhiu].
  • Zgjedhjet e Fundit per Pushtetin Lokal 8 maj 2011.
  • Zgjedhjet e Fundit Parlamentare 28 qershor 2009.

Kryetaret e komunes 1992-2011.

  • Gjoke Gjoka (1992-1996)
  • Besim Hamataj (1996-2000)
  • Vlash Gega (2000-2011)
  • Behar Haxhiu (2011-2015)

Personazhe historike që lindën apo vepruan në Milot[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  • Imzot Gjon Kolesi (1615-1625)
  • Imzot Mark Skura (1635-1657
  • Imzot Nikollë Karpeni (1657-1670)
  • Imzot Gerard Gallata (1671-1695)
  • Imzot Pjetër Zymi (1700-1720)
  • Imzot Pjetër Skura (1720-1737)
  • Imzot Gjon Gallata (1738-1752)
  • Imzot Nikollë Radovani (1752-1774)
  • Imzot Tomë Marjani (1774-1796)
  • Imzot Pal Gallata (1815-1837)
  • Imzot Nikollë Bjanki (1837-1843)
  • Imzot Gjergj Labella (1844-1847)
  • Imzot Rafael D’Ambrosio (1848-1859)
  • Llesh Mark Kola
  • Ndoc Ded Marku
  • Imzot Prend Bjanku.
  • Imzot Françesko Melchiori.
  • Imzot Pjetër Gjura.
  • Imzot Vinçenc Prennushi.
  • Imzot Frano Illia
  • At Shtjefn Gjecovi
  • Imzot Nikolle Kacorri
  • Gjin Pjetri
  • Dom Ndue Lleshi
  • Dom Llesh Bitroi

Bibliografia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  • BAJO, Luan: “Mbi kryengritjen e përgjithshme të vitit 1912 në rrethin e Krujës », në Studime Historike, nr. 1. 1971. f. 131 – 154:
  • HIDRI, Pjetër: Gjeneral Prenk Pervizi. Botimet Toena, Tiranë, 2002.
  • Historia e Popullit Shqiptar. Vol. I, (Ilirët, Mesjeta. Shqipëria nën Perandorinë Osmane, gjatë shek. XV - Vitet 20 të shek XIX; Vol. II. (Rilindja Kombëtare. Vitet 30 të shek. XIX - 1912). Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë. Toena. Tiranë, 2002.
  • ILLIA, Frano: Famullia e Milotit. (Famullia e Shën Nikollës (Milot), Famullia e Shna Prendes (Gallatë), Famullia e Shna Vlashit (Skuraj). Shkruar në Milot në vitet 1962 - 1967. Përgatiti, Kastriot Marku, Chaminade, Lezhë, 2006.
  • ILLIA, Imzot Frano: Kanuni i Skanderbegut. Mbledhë e kodifikue nga Imzot Frano Illia Arqipeshkëv Metropolit i Shkodrës. Editriçe La Rosa. Milot & Brescia, 1993.
  • ISUFI, Hajredin: Feja dhe Flamuri. Dom Nikollë Kaçorri. Pegi, Tiranë, Pa vit botimi, por, 2008.
  • ISUFI, Hajredin: “Kryengritja e Kurbinit dhe Nikollë Kaçorri (1905 – 1907), Studime historike, nr. 2. 1986. f. 89 – 109.
  • Kruja e Skënderbeut, Shtëpia botuese Naim Frashëri, Tiranë, 1967.
  • MARKU, Kastriot: Arsimi në Gallatë, Chaminade, Lezhë, 2005.
  • MARKU, Kastriot: Kishat e Kurbinit. (Kishat dhe organizimi kishtar në Kurbin), Geer, Tiranë, 2008.
  • MARKU, Kastriot: Miloti, Guidë/Guida, shqip-italiano, Milot, 2007.
  • MARKU, Kastriot: “Shkolla e Kurbinit” (1632), Revista Pedagogjike, Organ i Institutit të Kurrikulave dhe Trajnimit, Nr. 3, Tiranë, 2008, f. 127 – 144.
  • MATA, Ruzhdi: Shtjefën Gjeçovi jeta dhe veprat, Shtëpia Botuese e Librit Shkollor, Tiranë,1982.
  • MIRAJ P. Klement: „Kontributi i krahinës së Kurbinit për çashtjen kombëtare“, në; Hylli i dritës, Vjeta VIII, (1937) nr. 11, f. 561-564; nr.12, f. 606-613.
  • PJETRI, Zef: Shkolla 9-vjeçare Skuraj, në 60 vjetorin e saj. (Historiku 60-vjeçar i shkollës, mësuesit, nxënësit e rezultatet e tyre përmes kujtimeve, shënimeve e fakteve. Lezhë, 2008.
  • PRENDI, Vlash: Gjurmëve të melosit popullor. Kënga popullore kurbinase. Enti Botues “Gjergj Fishta”, Lezhë, 2009
  • PRENDI, Vlash: Kurbini, tradita, kultura, Kurbin, 1997.
  • PRENDI, Vlash: Kurbini, tradita, kultura II, Skanderbeg books, Tiranë, 2002.

Lidhje të jashtme[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Referimet[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

 Commons: Milot, Albania – Album me fotografi dhe/apo video dhe materiale multimediale
  1. ^ Atë Shtjefën Gjeçovi O.F.M: Kanuni i Lekë Dukagjinit, Shkodër 1933
  2. ^ Shtjefen Gjeçovi, Kryengritja e Kurbinit, doreshkrim, Laç Sebaste, 1906
  3. ^ Atë Giuseppe Valentini, Il Diritto delle Comunità nella tradizione giuridica albanaes, Vallecchi, Roma 1956.

Shiko edhe[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]