Jump to content

Gjeografia e Shqipërisë

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Shqipëria gjendet në Evropën juglindore, në pjesën perëndimore të gadishullit Ballkanik.

Ka reliev kodrinor-malor.

Kufijtë e Shqipërisë u përcaktuan nga Konferenca e Londrës, në 1913.

Republika e Shqipërisë kufizohet me këto shtete: Republikën e Malit të Zi, Republikën e Kosovës, Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe me Republikën e Greqisë. Ndërsa në perëndim ka kufij detarë dhe kufizohet me Republikën e Italisë. Kufijtë janë të gjithë artificialë përveç atij perëndimor. Gjatësia e vijës kufitare të Republikës së Shqipërisë është 1094 km, nga të cilat 657 km janë vijë kufitare tokësore, 316 km vijë bregdetare 48 km vijë ndarëse përmes lumenjve dhe 73 km përmes liqeneve. 172 km vijë kufitare janë me Republikën e Malit të zi në veri-perëndim, 115 km vijë kufitare janë me Republikën e Kosovës në veri, 151 km janë me Republikën e Maqedonisë në veri-lindje dhe lindje, dhe 282 km me Republikën e Greqisë në jug dhe jug-perëndim.[1]

Njësitë administrative

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Shqipëria ndahet në 12 njësi administrative të quajtura qarqe të cilat janë vende, që kanë lidhje gjeografike, tradicionale, ekonomike e sociale me njeri tjetrin. Këto qarqe ndahen në 36 nën-njësi të quajtura rrethe të cilat ndahen më tej në 65 bashki dhe 309 komuna. Vetë komunat ndahen në 3020 fshatra.[2]

Bashkia e Tiranës gëzon status të veçantë nga bashkitë e tjera dhe ndahet në 11 njësi bashkiake të vogla.[3]

Republika e Shqipërisë ka 2,821,977 banorë nga te cilët 52,700 banore ose 1.9% e popullsisë janë minoritete etnike dhe kombëtare. Dendësia është 97 banorë/km2. Numri i lindjeve të popullsisë kap shifrën e 34,000 lindjeve në vit, ndërsa ai i vdekjeve është rreth 20,000 në vit, shifra këto që tregojnë për një shtesë pozitive natyrore. Raporti gjinor natyror (nr. i meshkujve për 100 femra) është 107.8 ndërsa mosha mesatare e popullsisë është 35.3 vjet. Gjithashtu vlen për t'u theksuar se popullsia që jeton në zonën urbane e tejkalon atë të zonës rurale me 6.8%, ku 53.5% e popullsisë jeton në zona urbane dhe 46.5% në zona rurale.[4]

Minoritetet etnike dhe kombëtare

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Shqipëria njeh aktualisht dy lloje minoritetesh, minoritete etnike kombëtare dhe minoritete kulturore dhe gjuhësore. Minoriteti më i madh në Shqipëri është ai grek me 24,242 veta të përqendruar në zonat e Sarandës, Delvinës dhe Gjirokastrës. 8,301 është afërsisht numri i personave në komunitetin rom, por burime të ndryshme e vlerësojnë popullsinë rome me shifra shumë herë më të mëdha ndërmjet 120 mijë - 60 mijë vetëve. Minoriteti arumun konsiston afërsisht në 8,266 veta. Në këtë minoritet vihet re një normë rritjeje prej 247%, e përafërt kjo me normën e përgjithshme të rritjes së popullsisë në vend. Minoritete të tjera përfshijnë: minoritetin maqedonas me 5,512 veta, atë malazez me 366 veta dhe minoritetin egjiptian me 3,368 vetë.[5]

Minoriteti Grek Rom Arumun Maqedonas Egjiptian Malazez Të tjera
Persona 24,242 8,301 8,266 5,512 3,368 366 2,644

Shqiptarët nëpër botë

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Numri i shqiptarëve të shpërndare nëpër të gjithë globin mendohet të jetë afërsisht 15 milion. Këtu vihet re një fenomen i veçante ku numri i personave në diasporë (rreth 12,6 milion) e kalon numrin e personave në shtetin amë, (rreth 2.4 milion) shifra këto që dëshmojnë për një migrim më shumë të imponuar se sa të dëshiruar të shqiptarëve. Që nga emigrantët e parë, në fillim të shekullit të kaluar e deri në ditët tona, në Amerikë llogaritet të jetojnë rreth 300 mijë shqiptarë ndërsa emigrantët që janë larguar nga trojet shqiptare drejt Kanadasë llogaritet të jenë rreth 25 mijë. Një numër i vogël gjenden edhe në shtetin e largët të Australisë, rreth 100 mijë shqiptarë. Në Evropë duket se ka një shpërndarje "të rregullt" të emigrantëve shqiptarë me diferenca të vogla. Kështu në Gjermani emigrantët shqiptarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Mali i Zi llogaritet të jenë rreth 300 mijë. Austria është një tjetër vend me numër të konsiderueshëm shqiptarësh, qe kap shifrat e 300 mijë vetëve. 200 mijë të tjerë jetojnë në Zvicër dhe po kaq shqiptarë jetojnë në Mal të Zi. 100 mijë shqiptarë banojnë në Francë dhe 50 mijë të tjerë në Spanjë .Edhe ne shtetin tone fqinj, Italinë jetojnë dhe punojnë rreth 300 mijë shqiptarë. Duhen përmendur edhe 100 mijë të tjerë të emigruar në Belgjikë. Ndërkohë në Kosovë janë rreth 2 milionë e katër qind mijë shqiptarë autoktonë. Një numër i konsiderueshëm shqiptaresh gjendet edhe në Serbi, ku jetojnë 70 mijë prej tyre. Në Maqedoni llogaritet që shqiptarët të zënë vendin e dytë për nga numri i popullsisë pas asaj vendase. Sipas statistikave, numri i shqiptarëve në Maqedoni mund arrijë rreth 1 milion. Po kaq shqiptarë jetojnë dhe në Greqi. Fluksi i emigrantëve që ka zgjedhur shtetin fqinjë jo vetëm për të punuar, por edhe për t'u vendosur familjarisht atje, shkon në një milion të tillë. Ndërsa numri më i madh i shqiptarëve që jetojnë jashtë trojeve të tyre etnike duket se është ai në Turqi. Sipas studiuesve dhe historianëve të ndryshëm shqiptarë, në Turqi llogaritet të jenë rreth 5 milion shqiptarë.[6]

Shteti Turqi Shqipëri Kosove Maqedoni Greqi Itali Sh.B.A Gjermani Austri Zvicër Mal i Zi Australi Belgjike France Serbi Spanje Kanada
Shqiptarë 5 milion 2.8 milion 2.4 milion 1 milion 1 milion 300 mijë 300 mijë 300 mijë 300 mijë 200 mijë 200 mijë 100 mijë 100 mijë 100 mijë 70 mijë 50 mijë 25 mijë

Relievi i Shqipërisë është kryesisht malor. Vargmalet e para alpine u formuan nga mbarimi i jurasikut, ndërsa gjatë erës kenozoike u shpejtua procesi malformues në tërësinë e Albanideve, që tani përbëjnë tokën e nëntokën e Shqipërisë. Lartësia mesatare e relievit është 708 metra, ose 2 herë më e lartë se mesatarja e Evropës. Lartësitë më të mëdha gjenden në Alpet shqiptare dhe në malet e Lindjes (Korabi 2751 metra mbi nivelin e detit, përbën edhe majën më të lartë të Shqipërisë).

Harta topografike

Territori i Shqipërisë ndahet në 4 regjione të mëdha natyrore (fiziko-gjeografike):

  1. Rajoni Verior dhe Verilindor
  2. Rajoni i malore qendrore
  3. Rajoni i maleve jugore
  4. Ultësira perëndimore

Nga Krahina Malore Veriore vlen të veçohen Alpet Shqiptare që shquhen për kontrast të madh midis maleve të larta dhe luginave të thella. Rreth 30 maja malesh ndodhen mbi 2 500 m mbi nivelin e detit. Ndër luginat dallohen sidomos lugina e Valbonës dhe ajo e Thethit. Krahina Malore Qendrore nuk është aq kompakte sa ajo veriore, por e ndarë në disa masive malore, si: Vargu i Korabit, Malet e Lurës, Malet e Skënderbeut etj. Këto male ndërpriten nga lugina të ndryshme. Krahina Malore Jugore arrin deri në detin Jon në jug dhe është e copëtuar në disa vargje malore dhe lugina lumore. Vend të veçantë në të zë riviera shqiptare, e cila shtrihet nga Gjiri i Vlorës deri në Butrint në jug. Përgjatë bregdetit Adriatik, në perëndim të vendit shtrihet Ultësira Perëndimore e Shqipërisë me gjatësi nga veriu në jug rreth 200 km dhe me gjerësi nga perëndimi në lindje, deri ne 50 km. Kjo ultësirë përbën ultësirën më të madhe në pjesën perëndimore të Ballkanit dhe është rajoni më i zhvilluar ekonomik i Shqipërisë.

Relievi i tokave shqiptare shtrihet nga niveli i detit deri në lartësinë 2751m (mali i Korabit). I gjithë ky ndryshim i lartësisë ndikon në ndryshimet e mëdha klimaterike, në bimësi, si dhe në dendësinë e vendosjes së qendrave të banuara në drejtim vertikal. Në relievin e tyre mbizotërojnë kodrat dhe malet. Duke u nisur nga lartësia mbi nivelin e detit, dallohen: relievi i ulët, i mesëm dhe i lartë. Relievi i ulët shtrihet nga niveli i detit, deri në 200 m mbi këtë nivel. Ai përfshin fushat dhe kodrat e ulëta pranë brigjeve detare të Adriatikut e Jonit dhe përgjatë sektorëve të mesëm të luginave lumore. Relievi i mesëm shtrihet nga 200 deri ne 1000m mbi nivelin e detit. Ai ka shtrirjen më të madhe dhe përfshin: kodrat, gropat, fushëgropat dhe luginat kryesore. Relievi i lartë shtrihet 1000 m mbi nivelin e detit dhe përfshin malet dhe sistemet malore. Pjesa më e madhe e këtyre maleve ka lartësi deri në 2000 m. Malet me lartësi më të madhe se 2000 m kanë shtrirje të kufizuar.sek. "Natyra"[7]

Malet kanë tipare morfologjike të ndryshme. Kreshtat e tyre janë herë të ashpra e herë të buta. Forma e tyre varet nga përbërja shkëmbore dhe veprimi i faktorëve të jashtëm. Kreshta te ashpra ndeshen kryesisht tek shkëmbinjtë gëlqerorë, por edhe në ato magmatikë të modeluar nga erozioni lumor i akujve të kuaternarit.[8]

Korabi është një nga malet më të larta të Evropës juglindore, i cili shtrihet përgjatë kufirit të Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë. Masivi i tij shkëmbor është një masiv shumë i thyer malor dhe përbëhet kryesisht nga rreshpe dhe gëlqerorë të Paleozoikut me strukturat në blloqe, si dhe disa shkëmbinj të dëmtuar rëndë prej gipsi të Triasikut Permian. Korabi është gjithashtu mikpritës i shume shoqatave te ndryshme alpiniste, synimi i te cilave është pushtimi i majës më të lartë të vendit, 2751 m mbi nivelin e detit.[9]

Alpet shqiptare

Alpet Shqiptare shtrihen në veri të lumit Drin dhe në perëndim të rrjedhjes së poshtme të lumit Valbona. Alpet përbehen kryesisht nga gëlqerorët, por gjenden edhe depozitime terrigjene dhe magmatike. Me këtë ndërtim gjeologjik lidhen pasuritë minerare si: minerali i bakrit, boksitet dhe kuarcitet. Ato përbëjnë grumbullin malor më të fuqishëm, më të lartë, më të ashpër dhe më të copëtuar të vendit me një lartësi mesatare 1500 m mbi nivelin e detit.[10]

Artikull kryesor : Mali i Tomorit

Mali i Tomorit është një mal i larte në Shqipërinë jugore në afërsi të qyteteve të Beratit dhe Poliçanit. Maja më e lartë e tij, quka e Partizanit, arrin një lartësi prej 2401 metra. Mali përmendet për tyrben e Kulmakut[11], një vend pelegrinazhi për besimtarët bektashian, që gjendet në majën më të lartë të tij, si dhe për disa kampe të ndryshme skijimi. Tomori gjithashtu ka një histori te pasur mitologjike duke qenë vend strehimi i shumë figurave të ndryshme të mitologjisë shqiptare nga ku ka marrë dhe emrin "Olimpi i Shqipërisë". Parku Kombëtar i Malit të Tomorit mbulon një sipërfaqe prej 4,000 hektarësh. Në park bredhin lirshëm shumë kafshë endemike, duke i dhënë vizitorëve një eksperiencë të paharrueshme dhe unike.[12]

Fushat zëne kryesisht pjesën perëndimore, përgjatë bregdetit Adriatik dhe lumenjve kryesore të vendit si Vjosa, Devolli, Osumi, Shkumbini, Erzeni, Mati e Drini, ku gjenden, gjithashtu, edhe tokat bujqësore e qendra të mëdha banimi, si dhe përshkohen nga rrugë të rëndësishme komunikimi. Fushat më të larta gjenden në pellgun e Korçës, mbi 800 m mbi nivelin e detit ndërsa fusha më e madhe është fusha e Myzeqesë e shtrirë në anën perëndimore, që është dhe fusha më e madhe e Ballkanit perëndimor.[13]

Shqipëria si vend bregdetar ka një numër të vogël ishujsh, shumica e tyre janë të vegjël dhe nuk kalojnë 1 km2 sipërfaqe, përveç ishullit të Sazanit dhe atij të Kunës. Ishujt e Shqipërisë ndodhen në Detin Adriatik, Detin Jon, si dhe në disa liqene brenda vendit. Disa nga ta janë të përshtatshëm për turizëm sepse kanë një bukuri që është e virgjër dhe e paprekur nga dora e njeriut, por asnjë nga ishujt nuk është i banuar.[14]

Ishulli i Sazanit

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Ishulli i Sazanit

Sazani është ishulli më i madh i Shqipërisë. Maja e tij më e lartë është 342 m. Ishulli i Sazanit ka një sipërfaqe prej 5,7 km2 dhe vijë bregdetare me gjatësi rreth 15 km. Ishulli nga pikëpamja e ekosistemit është një park i vërtetë, shumë i pasur dhe i mbrojtur, si rezultat i të qenit vazhdimisht zonë ushtarake. Kjo ka mundësuar shmangien e gjuetisë së paligjshme, si dhe të abuzimeve e dëmtimeve të tjera. Shpellat nënujore, si ajo e Haxhi Alisë, Gjirit të Djallit e të tjera janë nga më të mëdhatë që mund të gjenden në Mesdhe. Ato sot përbëjnë një sfidë të vërtetë për zhytësit dhe një atraksion të veçantë për sportet nënujore.[15]

Ishulli i dyte më i madh i Shqipërisë. Gjendet në deltën e Drinit, afër qytetit të Lezhës dhe ka një sipërfaqe prej 1.4 km2. Ishulli është 1.5 km larg bregut dhe strehon në gjirin e tij rreth 70 lloje zogjsh, 22 lloje zvarranikësh, 6 lloje amfibësh dhe 23 lloje gjitarësh. Në afërsi te tij gjenden plazhet e Tales dhe Kunës.[16]

Gadishulli i Karaburunit (Turq. Hunda e Zeze) është i vetmi gadishull në Shqipëri. Ai ka një sip. prej 62 km2 dhe ndodhet në qytetin e Vlorës. Gadishulli njihej që në lashtësi për pasuritë natyrore (mermerin), pasuritë pyjore (valanidhin), pasuritë historiko-arkeologjike si dhe rezervatin e pasur me derrat e egër. Në skajin veriperëndimor të Karaburunit ndodhet Kepi i Gjuhëzës, pika më perëndimore e Shqipërisë njëkohësisht dhe vend-strehimi i shpellës së Haxhi Aliut, shpellës më të madhe bregdetare të vendit. Natyra e tij paraqitet e pasur në pyje por e varfër në bimësi dhe ujëra sipërfaqësore, shkaqe këto që e kanë bërë zonën të pabanueshme. Pamja e tij e virgjër kontribuon në aspektin turistik të vendit i cili është i mbushur me shpella, të çara, gjire e plazhe të vegjël. Agjenci të ndryshme turistike aplikojnë jo vetëm udhëtime përgjatë këtij masivi, por edhe pushime njëditore, në plazhet që ndodhen aty. Udhëtime të tilla organizohen kryesisht gjatë stinës së verës, ndërsa synohet që ato të shtrihen gjatë gjithë vitit.[17]

Në Shqipëri gjenden më shumë se 50 shpella, të cilat dallohen për vlerat e tyre historike mijëravjeçare, si dhe për bukuritë e shumta natyrore që ato ofrojnë për vizituesit. Shumica prej tyre janë subjekte të legjendave të ndryshme, të cilat i përshkruajnë ato si vende të banuara nga krijesa mitologjike, ose si vend-strehime të thesareve dhe pasurive të shumta të fshehura.[18]

Shpella e Pirogoshit

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Shpella e Pirogoshit gjendet në Berat pranë fshatit Radesh, në një lartësi prej 450 metrash. Është shpella më e madhe në vend me fundin ende të pa zbuluar. Gjatësia e eksploruar deri më tani nga grupi speleologjik i Skraparit me tre speleologë francezë është 1853 m. Krahas formave të shumta karstike, shpella është e populluar nga kolonitë e lakuriqëve të natës. Sipas legjendave e besimeve vendase, në shpellë gjenden pasuri e thesare të shumta të fshehura.[12][19]

Shpella e Pëllumbasit

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Skeda:Shpella e Zeze (Pellumbasit).jpg
Pamje nga pjesa e brendshme e shpellës së Pëllumbasit

Shpella e Pëllumbasit, e njohur edhe si Shpella e Zezë, gjendet ne fshatin Pëllumbas. Kjo shpellë është ndër gjashtë shpellat karstike më të vjetra në Evropë. Shpella ndodhet 350 metra mbi nivelin e detit dhe formon një tunel diku 70-80 metra të gjatë. Në këtë vend llogaritet të kenë jetuar njerëz që në periudhën e hershme të neolitit diku 10.000 vjet më parë. Me studimet arkeologjike është vërtetuar se në këtë kohë është përdorur teknika e krijimit të zjarrit si dhe të veglave të para primitive dhe të atyre pak më të zhvilluara.[20]

Shpella e Piratëve

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Shpella e Piratëve gjendet në veri të Himarës, në fshatin e Dhërmiut. Është një shpellë karstike me hyrje detare. Emrin e ka marë sepse në të, kohë më parë strehoheshin piratët e detit me anijet e tyre. Frymëzuar nga kjo shpellë është shkruar dhe romani Shpella e Piratëve nga shkrimtari Petro Marko, si dhe filmi me të njëjtin emër.[21][22]

Shpella e Haxhi Aliut

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Shpella e Haxhi Aliut e njohur dhe si Shpella Ilirike, është shpella më e madhe e gjithë bregdetit shqiptar. Ka formën e një kubeje me gjatësi 30 m, lartësi maksimale 18 m, gjerësi 12 m dhe thellësi 10 m. Nga fundi i shpellës burojnë ujëra të ëmbla. Shpella e ka marrë emri nga një luftëtar dhe detar i shquar ulqinak, i quajtur Haxhi Aliu, i cili u strehua bashkë me të birin në këtë shpellë. Prej aty ata sulmonin piratët e detit dhe duke bashkëpunuar me barinjtë, mbronin tregtarët dhe udhëtaret që kalonin nga këto anë. Populli shqiptar i ka dedikuar edhe një këngë këtij detari të famshëm. Edhe sot anijet që kalojnë pranë shpellës i bien sirenës në nder të tij. Këtu janë gjetur edhe shume objekte arkeologjike që vërtetojnë se kjo shpellë është përdorur nga tregtarë e kalimtarë që në lashtësi.[23]

Pozita gjeografike në brigjet e detit Adriatik dhe të detit Jon, kushtet klimaterike, relievi i thyer, kryesisht kodrinoro-malor, përhapja e madhe e shkëmbinjve të përshkueshëm nga uji dhe veprimtaria e njeriut kanë kushtëzuar pasuritë e mëdha ujore dhe shumëllojshmërinë e tyre: dete, liqene, lumenj, përrenj dhe burime ujore.[24]

Pasuritë natyrore

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Pasuritë natyrore

Për një sipërfaqe të vogël sa të Shqipërisë mund të thuhet se është e begatshme me pasuri natyrore. Pjesa jug-perëndimore e vendit është e pasur me naftë dhe gaz natyror ndërsa në veri-lindje gjenden rezerva të konsiderueshme të mineraleve ndër të cilat vlen të përmenden: kromi, bakri dhe hekur-nikeli. Pjesa më e madhe e rezervave të qymyrit është gjetur në rrethinën e Tiranës ndërsa Selenica përmban rezerva të mëdha të bitumit.[25]

Me pozicionin e saj te favorshem përballe deteve Adriatik dhe Jon, si dhe malësitë e mbështetura mbi pjesën e ngritur të Ballkanit, Shqipëria ka një numër të madh zonash klimaterike, krahasuar kjo me sipërfaqen e saj modeste. Ultësirat bregdetare kanë klimë tipike mesdhetare, me dimër të bute dhe verë të lagësht. Temperaturat mesatare variojne nga 7 °C në dimër e deri në 24 °C në verë. Pjesa malore karakterizohet nga një klimë mesdhetare-kontinentale, e shkaktuar kjo nga masat ajrore që mbizotërojnë Evropën lindore dhe Ballkanin. Veçori kryesore të kësaj zone janë erërat e fuqishme me drejtimin verior dhe veri-lindor si dhe temperaturat mesatare disi më të ulëta. Sasia e reshjeve është mesatarisht e larte si rezultat i kombinimit të dy rrymave ajrore, ato mesdhetare dhe kontinentale. Niveli i reshjeve varion nga 600 mm në vit në fushëgropën e Korçës, në 3100 mm në vit në Bogë, të Alpeve Shqiptare Këtu, gjithashtu, vlen për t'u theksuar se rreth 95% e shirave të të gjithë vendit bien në sezonin dimëror.[26]

Jan Shk Mar Pri Maj Qer Korr Gush Sht Tet Nën Dhj
Temperatura mesatare minimale (°C) 2,0 2,0 5,0 8,0 12,0 16,0 17,0 17,0 14,0 10,0 8,0 5,0
Temperatura mesatare maksimale (°C) 12,0 12,0 15,0 18,0 23,0 28,0 31,0 31,0 27,0 23,0 17,0 14,0
Lagështia në % 71 69 68 69 70 62 57 57 64 67 75 73
Ditë me shi 13 13 14 13 12 7 5 4 6 9 16 17

Për shkak të trevave të saj të pandotura dhe të thella Shqipëria ka një larmi bimësh dhe shërben si strehë e fundit e shumë gjitarëve dhe zogjve të rrallë, që sot janë zhdukur ose janë në zhdukje e sipër në rajon dhe më gjerë.[27]

Ariu i murrmë

Pasuria dhe bukuria e krahinave fshatare dhe pyjeve shpesh u kane dhëne mundësi vizitorëve të gjejnë krijesa dhe kafshë që rrallë të qëllon t’i hasësh. Kështu pyjet e gjera të ahut, pishës dhe dushkut u japin strehë ujkut, dhelprës, çakallit, kurse në pyjet e larta të pishës gjejnë strofka ariu i murrmë, kunadhja e pishës, dy lloje të maces së egër, rrëqebulli e vjedulla. Kaprolli, dhia e egër dhe derri i egër janë të zakonshëm në disa krahina. Shqipëria ka jo më pak se 14 lloje lakuriqë nate dhe rreth 350 zogj vendas. Në to përmenden lloje shtegtarësh dhe jo shtegtarësh. Në pyjet e dendura të pishës jetojnë dy lloje të rralla të gjelit të egër dhe qukapikut. Në shumë lokalitete janë të zakonshëm zogjtë grabitqarë, ndër ta shqiponjat, fajkonjtë, hutat, skifterët dhe disa lloje të bufit, duke përfshire edhe bufin me mjekër, bufin me bri dhe kukuvajkën e vogël. Në Shqipëri gjenden edhe shumë zvarranikë siç janë: gjarpërinjtë e ujit, bolla e shtëpisë, beronja, nepërka helmuese etj. Në ujëra gjenden 260 lloje peshqish, ndër to më të zakonshmit e peshqve mesdhetarë gjenden në ujërat bregdetare ndërsa trofta në rrjedhat malore. Në liqene ka krap, ngjala dhe peshq të tjerë të zakonshëm kurse në brigje të tjera lundërza.[27]

Bima e dafinës

Shqipëria ka gjithashtu një florë të pasur, që konkretizohet me më shumë se 3,221 tipe të ndryshme bimësh. Ndër to, 489 janë të veçanta për Gadishullin e Ballkanit dhe 40 janë vetëm të Shqipërisë. Pyjet e dushkut janë tipike dhe përbëjnë afërsisht 20% të sipërfaqes pyjore të gjithë vendit. Në treva të tjera mbizotërojnë shkurret mesdhetare, deri në lartësinë 800 m duke pasur si më karakteristike: mërsinën, marenë, shqopën, dhe dushkullin e egër. Në brigjet jugore të nxehta gjenden fiqtë e detit, dafina, fiqtë, shkoza e zeze, eukaliptet etj.[27]...

Gjerësia dhe gjatësia
Lartësia
  1. ^ "Kopje e arkivuar" (në anglisht). Arkivuar nga origjinali më 4 mars 2016. Marrë më 7 qershor 2013.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Archived copy si titull (lidhja)
  2. ^ "Kopje e arkivuar". Arkivuar nga origjinali më 28 maj 2013. Marrë më 7 qershor 2013. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)Mirëmbajtja CS1: Archived copy si titull (lidhja)
  3. ^ "Kopje e arkivuar". Arkivuar nga origjinali më 20 qershor 2013. Marrë më 7 qershor 2013. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)Mirëmbajtja CS1: Archived copy si titull (lidhja)
  4. ^ sek."Popullsia" *http://www.instat.gov.al/media/178070/rezultatet_kryesore_t__censusit_t__popullsis__dhe_banesave_2011_n__shqip_ri.pdf Arkivuar 25 prill 2013 tek Wayback Machine
  5. ^ sek."Pyetjet mbi karakteristikat etnike dhe kulturore" http://www.instat.gov.al/media/178070/rezultatet_kryesore_t__censusit_t__popullsis__dhe_banesave_2011_n__shqip_ri.pdf Arkivuar 25 prill 2013 tek Wayback Machine
  6. ^ "Kopje e arkivuar". Arkivuar nga origjinali më 10 mars 2014. Marrë më 7 qershor 2013. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)Mirëmbajtja CS1: Archived copy si titull (lidhja)
  7. ^ http://gjeografiaerepublikesseshqiperise.blogspot.com/2009/03/republika-e-shqiperise.html
  8. ^ Gjegrafia 12, kap. 2.3, faqe 25
  9. ^ "Kopje e arkivuar". Arkivuar nga origjinali më 5 maj 2013. Marrë më 7 qershor 2013. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)Mirëmbajtja CS1: Archived copy si titull (lidhja)
  10. ^ "Kopje e arkivuar". Arkivuar nga origjinali më 17 gusht 2013. Marrë më 7 qershor 2013. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)Mirëmbajtja CS1: Archived copy si titull (lidhja)
  11. ^ "Kopje e arkivuar". Arkivuar nga origjinali më 23 gusht 2013. Marrë më 7 qershor 2013. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)Mirëmbajtja CS1: Archived copy si titull (lidhja)
  12. ^ a b "Kopje e arkivuar". Arkivuar nga origjinali më 1 maj 2012. Marrë më 7 qershor 2013. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)Mirëmbajtja CS1: Archived copy si titull (lidhja)
  13. ^ sek. "Natyra"http://gjeografiaerepublikesseshqiperise.blogspot.com/2009/03/republika-e-shqiperise.html
  14. ^ sek."Ishujt"http://www.akt.gov.al/tinymce/jscripts/tiny_mce/plugins/filemanager/files/broshura_ture_harte/broshura1/natyra_shqip.pdf Arkivuar 31 janar 2012 tek Wayback Machine
  15. ^ "Kopje e arkivuar". Arkivuar nga origjinali më 2 tetor 2011. Marrë më 7 qershor 2013. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)Mirëmbajtja CS1: Archived copy si titull (lidhja)
  16. ^ "Kopje e arkivuar". Arkivuar nga origjinali më 8 mars 2016. Marrë më 7 qershor 2013. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)Mirëmbajtja CS1: Archived copy si titull (lidhja)
  17. ^ http://www.bashkiavlore.org/index.php?option=com_content&task=view&id=62&Itemid=74
  18. ^ http://guribardhe.albanianforum.net/t632p15-lista-e-monumenteve-natyrore-ne-shqiperi
  19. ^ "Kopje e arkivuar". Arkivuar nga origjinali më 31 gusht 2013. Marrë më 7 qershor 2013. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)Mirëmbajtja CS1: Archived copy si titull (lidhja)
  20. ^ http://www.youtube.com/watch?v=QO1lQS1yVDY
  21. ^ "Kopje e arkivuar". Arkivuar nga origjinali më 8 gusht 2013. Marrë më 7 qershor 2013. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)Mirëmbajtja CS1: Archived copy si titull (lidhja)
  22. ^ "Kopje e arkivuar". Arkivuar nga origjinali më 4 qershor 2013. Marrë më 7 qershor 2013. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)Mirëmbajtja CS1: Archived copy si titull (lidhja)
  23. ^ sek. "SHPELLA E HAXHI ALISE"http://orikum.gov.al/index.php/al/turizmi/vende-per-tu-vizituar Arkivuar 4 qershor 2013 tek Wayback Machine
  24. ^ sek."Rrjeti hidrografik"http://www.akti.gov.al/kerkimishkencor/pkkzh/doc_03_05/PKKZH_PasuriteNatyrore_2003_2005.pdf Arkivuar 2 nëntor 2013 tek Wayback Machine
  25. ^ "Kopje e arkivuar" (PDF). Arkivuar nga origjinali (PDF) më 27 mars 2014. Marrë më 7 qershor 2013. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)Mirëmbajtja CS1: Archived copy si titull (lidhja)
  26. ^ "Kopje e arkivuar". Arkivuar nga origjinali më 15 dhjetor 2013. Marrë më 7 qershor 2013. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)Mirëmbajtja CS1: Archived copy si titull (lidhja)
  27. ^ a b c http://turizmishqipetar.weebly.com/flora-dhe-fauna.html
Referime të përgjithshme

Lidhje të jashtme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]