Fitër Bajrami

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Fitër Bajrami është festa e cila bëhet pas mbarimit të muajit të Ramazanit. Emri Fitër Bajram vjen nga ajo se myslimanët para ditës së bajramit shpërndajnë lëmoshë, solidarizohen me të varfrit, kështu për ta festuar së bashku këtë festë.

All-llahu i Madhëruar ligjësoi në fund të muajit të Ramazanit festën e Fitër Bajramit, gëzim për myslimanët ashtu siç ligjësoi festën e Kurban Bajramit në ditën e dhjetë të muajit Dhul-Hixhxhe. Festa e Bajramit manifestohet duke falur namazin e Bajramit.

Myslimanët kinez feston fitër bajramin

Falja e namazit të Bajramit[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Namazi i Bajramit është vaxhib (detyrim i domosdoshëm) për çdo mysliman. Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] i ka kushtuar rëndësi të veçantë duke i urdhëruar myslimanët që të falin këtë namaz.

Koha e namazit të Bajramit fillon me ngritjen e Diellit nga horizonti sa një shtizë, derisa të arrijë në zenit.

Namazi i Bajramit ka dy rekate dhe dallon prej namazeve tjera për nga mënyra e faljes. Në rekatin e parë pas tekbirit fillestar merren shtatë tekbire, mandej lexohet sureja Fatiha dhe ndonjë sure tjetër (preferohet të lexohet sureja A’ëla ose Kaf). Pas plotësimit të rukusë dhe sexhdesë së rekatit të parë, ngritet për në rekatin e dytë dhe menjëherë merren pesë tekbire pas të cilëve lexohet Fatiha dhe ndonjë sure (preferohet leximi i sures Gashije ose Kamer), më pas shkohet në ruku dhe sexhde e kështu përfundon namazi.

Përgatitja për festën e Bajramit[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Nga elementet përgatitjes për festën e bajramit janë:

  1. Larja e trupit.
  2. Të stolisurit me rrobe të bukura.
  3. Ngrënia e hurmave para daljes për të falur namazin e Bajramit.
  4. Shkuarja herët në musal-la për të falur namazin e Bajramit.
  5. Shkuarja në musal-la këmbas.
  6. Ndërrimi i rrugës në shkuarje dhe kthim nga musal-la.

Gabimet që bëhen në këtë festë[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Shumë njerëz duke mos i ditur rregullat që kanë të bëjnë me festën e Bajramit, bien në gabime, që duhet tërhequr vërejtjen nga ato:

  1. Agjërimi i ditës së Bajramit. Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] e ka ndaluar këtë vepër, siç transmetohet nga Ebu Seid el-Hudriju në Buhari dhe Muslim.
  2. Mospjesëmarrja e grave në faljen e namazit të Bajramit. Duke pasur parasysh faktin, se Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka urdhëruar që gratë të falin këtë namaz.
  3. Mosdhënia rëndësi këshillimit të grave në hutben e Bajramit.
  4. Caktimi i vizitimit të varrezave ditën e Bajramit. Kjo vepër bie në kundërshtim me praktikën e Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem].
  5. Shqiptimi i tekbireve bashkërisht. Gjithashtu kjo është në kundërshtim me praktikën e Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem].
  6. Gëzimi për shkak kalimit të muajit Ramazanit dhe kthimit të jetës së shfrenuar. Kjo nuk gjendet përveç se tek ata të cilëve All-llahu [subhanehu ve teala] ua ka vulosur zemrat në mëkate.

Pas festës[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Prej shenjave të pranimit të adhurimit është vazhdimi i bamirësisë pas çdo vepre të mirë. Të parët tanë [All-llahu i mëshiroftë], gjithmonë janë përpjekur që adhurimin ndaj All-llahut [subhanehu ve teala] ta përkryejnë, janë kujdesur që veprat e tyre të jenë në përputhje me sunnetin e Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], e me këtë të jetë e pranuar tek All-llahu [subhanehu ve teala]. Ibën Omeri [radijall-llahu anhu] thotë: Që të pranohet një vepër e imja tek All-llahu [subhanehu ve teala] është më mirë për mua se sa tërë bota.

Vetëm All-llahun [subhanehu ve teala] e lusim që t’i drejtojë muslimanët në rrugë të drejtë, t’i bëjë ata prej atyre që shkojnë rrugës së Muhammedit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] dhe shokëve të tij. Sepse tërë e mira është në pasimin e selefit )gjeneratave të para të myslimanëve), kurse e tërë e keqja është në pasimin e shpikjeve në fe.

Ajete dhe hadithe mbi bajramin[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  • Transmetohet nga Enesi [radijall-llahu anhu], i cili thotë: “Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] erdhi në Medine dhe gjeti njerëzit duke festuar dy ditë të caktuara. Ai pyeti: “Çfarë janë këto dy ditë”? Ata u përgjigjën: Në periudhën e injorancës, këto ditë ishin festa për ne. Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] tha: “All-llahu ua zëvendësoi me dy ditë më të mira, me Kurban Bajramin dhe Fitër Bajramit.” (Ebu Davudi, Nesaiu, Ahmedi – hadith sahih)
  • All-llahu [subhanehu ve teala] në Kur’anin Famëlartë thotë: “Ka shpëtuar ai që është pastruar. Që përkujton madhërinë e Zotit të vet dhe falet.” (A’la: 14-15) Po ashtu All-llahu [subhanehu ve teala] thotë: “Ti falu dhe prej kurban për hir të Zotit tënd.” (Keuther: 2)
  • Ummu Atijje thotë: “Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] urdhëronte edhe gratë që të dalin dhe të falin namazin e Bajramit”. (Buhariu, Muslimi)
  • Ibën Kajjimi [rahimehull-llah] thotë: “Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] vononte namazin e Fitër Bajramit dhe shpejtonte namazin e Kurban Bajramit, e Ibën Omeri për shkak të përkujdesjes së tij të madhe në pasimin e sunnetit, nuk dilte në namaz derisa të lindte Dielli.”
  • Transmeton Nafiu nga Ibën Omeri [radijall-llahu anhuma] se Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] lahej ditën e Bajramit para se të shkojë në musal-la (Hapësirë e madhe ku falet namazi i Bajramit.. (Bejhakiu dhe Maliku – hadith sahih)
  • Transmeton Xhabiri [radijall-llahu anhu] se Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka pasur një xhybe të veçantë, që e ka veshur në dy bajramet dhe në xhuma. (Ibën Huzejme në sahihun e tij)
  • Enesi [radijall-llahu anhu] thotë: Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] para se të shkojë për të falur namazin e Bajramit hante hurma.
  • Aliu [radijall-llahu anhu] thotë: Prej sunnetit është shkuarja në musal-la për të falë namazin e Bajramit këmbas.
  • Ibën Kajjimi [rahimehull-llah] thotë: Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ditën e Bajramit e ndërronte rrugën, shkonte në një rrugë dhe kthehet nga një tjetër.
  • Ummu Atijje thotë: Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] urdhëronte edhe gratë që të dalin dhe të falin namazin e Bajramit. (Buhariu, Muslimi)

Kalendari[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  • 20 shtator 2009 (1430)
  • 9 shtator 2010 (1431)
  • 30 gusht 2011 (1432)
  • 19 gusht 2012 (1433)
  • 8 gusht 2013 (1434)
  • 28 korrik 2014 (1435)
  • 17 korrik 2015 (1436)
  • 5 korrik 2016 (1437)
  • 25 qershor 2017 (1438)
  • 15 qershor 2018 (1439)
  • 4 qershor 2019 (1440)
  • 24 maj 2020 (1441)
  • 13 maj 2021 (1442)
  • 3 maj 2022 (1443)
  • 21 prill 2023 (1444)

Shiko edhe[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]