Jump to content

Teuhidi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Teuhid-i)
Simbol i teuhidit

Teuhid ose tevhit (Në gjuhen arabe me kuptimin njësim, arabisht توحيد = tauḥīd = besimi në unitetin (unikalitetin, të qënit një) (e zotit)). Në Sheriat njëhsimi gjegjësisht shprehja Teuhid përkufizohet si: Njësimi i Allahut të Lartësuar në atë që i përket Atij prej të qenurit Zot, Krijues, Sistemues dhe Sundues i gjithçkaje që ekziston (Rububijes), të qenurit e Tij i vetmi i Cili meriton të adhurohet (Uluhijes), dhe njësimi i Allahut në Emrat dhe Atributet e Tij (el Esmau ues Sifat). Tauhīd-i do të thotë „besimi në unikalitetin e zotit“, e rrjedhur nga folja arabisht وحّد = vaḥḥada = bashkoj, njëhsoj, unifikoj, përkon në kuptim me termin monoteizëm.[1]

Shikuar nga këndëvështrimi shkencorë me Teuhid nënkuptohet përkufizimi i shprehjes Allahu.

Tauhīd do të thotë të shpallurit e zotit (arabisht: allah) si një të vetëm, unik, njohja e të qënit një të zotit. Me anë të kësaj shpalljeje dëshmohet se përveç zotit nuk ka perëndi të tjera, se ai as nuk është lindur as nuk është krijuar. Ky term nuk figuron në kuran (si edhe vaḥḥada) por allahut i autorizohen aty thjeshtësi (jo në kuptimin modesti) (aḥad, sure 112) dhe unikalitet (ilāh un vāḥid, në 13 vende në tekstin e kuranit; lā ilāha illā huva, në 29 vende përveç shprehjesh të tjera me të njëjtin kuptim). Sure 112 (al-ihlas) e formulon kështu: „Thuaj: ai është zoti, një i vetëm (allahu ahad)... Ai as nuk ka lindur as nuk është lindur...“ Kjo sure quhet edhe surat at-tauhīd. Fjalët e para të shpalljes së besimit të fesë islame (shahada) janë: „Nuk ka perëndi përveç zotit të vetëm...“. Këto cilësohen edhe si „fjalët e tauhīd-it“.

Teuhidi perbehet nga tri lloje:

Tauhid-i ndahet në 4 kategori:

  • tauhid ar-rububijah - Ruajtja e unitetit në sundimin e zotit
  • tauhid al-asma vas-sifat - Ruajtja e unitetit në emrat dhe cilësitë e allahut
  • tauhid al-Ibadah - Ruajtja e unitetit në shërbimin fetar ndaj allahut
  • tauhid al hakimijjah - Ruajtja e unitetit në ligjvënie (juridiksion) (tashree').

Teuhidi er Rububije

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Teuhidi er Rububije: është të njësuarit e Allahut të Madhëruar në të qenurit Krijues, Zotërues dhe Rregullues e Sistemues i gjithçkaje që ekziston. Të njësuarit e Allahut në të qenurit i Vetmi Krijues realizohet duke besuar se nuk ka krijues tjetër përveç Allahut.

Allahu i Lartësuar thotë: "Padyshim që i Tij është krijimi dhe komandimi." Nga kjo fjali (ajet) kuptohet veçimi dhe kufizimi i gjërave të përmendura vetëm për Allahun, pasi në të është paraprirë kallëzuesi para kryefjalës, gjë e cila në gjuhën arabe të jep të kuptosh që ky kallëzues është i posaçëm dhe i veçantë për atë kryefjalë. Allahu i Lartësuar thotë: "A ka krijues tjetër përveç Allahut që iu furnizon nga qielli dhe toka?!"

Nga ky ajet përfitohet gjithashtu se krijimi i përket vetëm Allahut dhe ai është i posaçëm vetëm për Të, pasi që pyetja që drejtohet në të është pyetje sfiduese. Ndërsa përsa i përket pohimit të ndonjë krijuesi tjetër përveç Allahut, si në Fjalën e Allahut: "I Lartësuar me Madhështi qoftë Allahu, më i Miri i krijuesve!"

Apo si në fjalën e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) rreth piktorëve, të cilëve do t'u thuhet: "Jepuni jetë atyre që keni krijuar." Këto në fakt nuk janë krijim në të vërtetë dhe as futje në ekzistencë pas mosekzistencës së tyre, por ato janë shndërrim i diçkaje nga një gjendje në një gjendje tjetër [Asgjë nuk krijohet nga asgjëja në këtë botë (nga njerëzit) dhe asgjë nuk zhduket (pasi është krijuar), por ajo kthehet nga një gjendje në një gjendje tjetër; Allahu është Krijuesi i gjithçkaje dhe tek Allahu është kthimi i çdo gjëje. Sh.P].

Vepra e njerëzve gjithashtu nuk është gjithpërfshirëse, por ajo kufizohet me mundësinë e njeriut dhe në një rreth shumë të ngushtë, kështu që kjo nuk e kundërshton fjalën tonë: Të njësuarit e Allahut në të qenurit Krijues.

Të njësuarit e Allahut në të qenurit i Vetmi Zotërues:

Kjo realizohet duke besuar dhe pasur bindjen se krijesat nuk i sundon veçse Krijuesi i tyre, siç thotë Allahu i Madhëruar: "I Allahut është sundimi i qiejve dhe Tokës." Dhe thotë: "Thuaj: "Në dorë të kujt është mbisundimi i gjithçkaje?!" Ndërsa përsa i përket pohimit të sundimit dhe zotërimit të dikujt tjetër përveç Allahut, si në Fjalën e Allahut: "Përveç me bashkëshortet ose me ato të cilat janë nën zotërimin e tyre (robëreshat), në këtë rast ata nuk ngarkohen me faj."

Dhe në Fjalën e Allahut: "Ose në shtëpinë të cilës ju i zotëroni çelësat." Ky në fakt është zotërim i kufizuar dhe nuk përfshin veçse diçka të pakët prej të gjitha këtyre krijesave. Njeriu zotëron atë që ka në dorën e tij dhe nuk e zotëron atë që gjendet në dorën e tjetrit. Po ashtu, zotërimi i tij është i mangët për nga përshkrimi; njeriu nuk e zotëron plotësisht atë që zotëron, për këtë shkak ai nuk vepron në të veçse konform ligjeve të vendosura në Sheriat. P.sh: Sikur ai të dëshironte të digjte pasurinë e tij, apo të rrihte kafshën e tij, ne do të thoshim: Kjo nuk lejohet. Ndërsa Allahu i Madhëruar e zotëron gjithçka me zotërim e sundim të plotë e gjithpërfshirës.

Të njësuarit e Allahut në të qenurit i Vetmi Rregullues e Përgatitës i gjithçkaje:

Kjo realizohet duke besuar se nuk ka rregullues e sistemues tjetër përveç Allahut të Vetëm. Allahu i Lartësuar thotë: "Thuaj: "Kush iu furnizon nga qielli dhe toka dhe kush është Zotëruesi i të dëgjuarit dhe të shikuarit? Kush e nxjerr të gjallën nga e vdekura dhe të vdekurën nga e gjalla dhe kush është rregulluesi dhe sunduesi i të gjitha çështjeve? Do të thonë të gjithë: 'Allahu'. Ndërsa ti thuaju: "A nuk keni frikë atëherë nga ndëshkimi i Allahut?! Ky është Allahu, Zoti juaj i Vërtetë dhe pas të vërttetës ç'gjë tjetër mund të ketë përveç errësirës dhe humbjes? Si atëherë ndërroni rrugë?!" Ndërsa rregullimi i njeriut është i kufizuar në atë që posedon dhe sipas ligjeve të Sheriatit.

Këtë lloj të Teuhidit nuk e kanë kundërshtuar as idhujtarët në mesin e të cilëve u dërgua Muhamedi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), por ata e pohonin atë. Allahu i Madhëruar thotë: "Sikur t'i pyesje ata se kush i krijoi qiejtë dhe tokën, ata do të thonë: "Ato i ka krijuar i Gjithëfuqishmi, i Gjithëdituri."

Këta e pohojnë se Allahu është Ai i Cili i rregullon e sistemon gjërat dhe se i Tij është zotërimi i qiejve dhe Tokës.

Këtë nuk dihet ta ketë mohuar askush prej bijve të Ademit; askush nuk ka thënë: Gjithësia ka dy krijues të barabartë! Pra askush nuk e ka mohuar Teuhidin er Rububije, as me refuzim të tij dhe as me shokvënie Allahut në të. Me përjshtim të asaj që ka ndodhur me Faraonin, i cili e mohoi atë me refuzim nga kryeneçësia. Ai e zhveshi Allahun nga të qenurit Zot dhe Krijues i gjithçkaje, madje e mohoi ekzistencën e Tij. Allahu i Lartësuar tregon për të: "Ai tha: "Unë jam zoti juaj më i lartë!", "Unë nuk di që ju të keni zot tjetër përveç meje!"

Kjo ishte një kryeneçësi dhe arrogancë e tij, pasi ai e dinte shumë mirë se Zoti ishte dikush tjetër dhe jo ai, siç thotë Allahu i Lartësuar: "Dhe ata i përgënjeshtruan ato (ajetet Tona) padrejtësisht dhe me kryeneçësi." Dhe thotë Allahu duke treguar për Musën (alejhis selam) kur ai polemizonte me Faraonin: "Në të vërtetë ti tashmë e more vesh se këto shenja nuk i ka zbritur veçse Zoti i qiejve dhe tokës." Ai në fakt, në vetvete e pohonte se Zoti ishte Allahu i Madhëruar.

Ndërsa me shokvënie Allahut, këtë lloj të Teuhidit e kanë mohuar mexhuset (adhuruesit e zjarrit), të cilët thanë: Gjithësia ka dy krijues; krijuesi i dritës dhe krijuesi i errësirës. Por megjithatë, këta nuk i kanë konsideruar të barabartë këta dy krijues. Ata thonë: Drita është më e mirë se errësira, pasi që ajo krijon të mirën, ndërsa errësira krijon të keqen, e ai që krijon të mirën është më i mirë se ai që krijon të keqen. Gjithashtu, sipas tyre errësira është asgjë dhe nuk ndriçon, ndërsa drita është ekzistencë që ndriçon, kështu që ajo është më e plotë në vetvete. Ata gjithashtu përmendin një dallues të tretë; drita është e vjetër (ka qenë gjithmonë, pa fillim), sipas terminologjisë së filozofëve, por kanë rënë në kundërshtim për errësirën; a është e vjetër apo aksidentale?!

Argumentimi logjik për të qenurit e Krijuesit të gjithësisë vetëm Një:

Allahu i Lartësuar thotë: "Allahu nuk ka marrë ndonjë fëmijë dhe as nuk ka ndonjë zot tjetër bashkë me Të. Përndryshe, secili prej zotave do të veçohej me atë që kishte krijuar dhe do të luftonin njëri-tjetrin." Sikur të pohonim se bota ka dy krijues, atëherë secili prej zotave do të veçohej me atë që kishte krijuar dhe do të bëhej i pavarur, ashtu siç e kanë zakon mbretërit, pasi që ai nuk dëshiron ta shoqërojë kush në sundim.

Dhe nëse do të bëhej i pavarur, ai do të kërkonte edhe diçka tjetër; që i gjithë pushteti e sundimi të jetë vetëm i tij dhe të mos e shoqërojë askush në të. E në këtë rast, kur secili prej tyre të kërkonte pushtetin e plotë, atëherë ose të dorëzohen që të dy nga pamundësia për të arritur këtë gjë, ose të triumfojë njëri prej tyre mbi tjetrin. E nëse do të ndodhte kjo e dyta, atëherë të qenurit zot do të aprovohej për këtë. Në të kundërt, nëse do të ishte e para, asnjëri prej tyre nuk është zot, pasi që ai që është i pamundur dhe i pafuqishëm, ai nuk mund të jetë zot.[2]

Teuhidi el Uluhije

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Teuhidi el Uluhije, apo siç i thuhet ndryshe edhe Teuhidi i adhurimit; vështruar nga dy këndvështrime; nëse do të vështronim nga të adresuarit e tij tek Allahut, quhet Teuhidi el Uluhije (Njësimi i Allahut në Hyjninë e Tij) dhe nëse do të vështronim nga të adresuarit e tij tek krijesat, quhet Teuhidi i el Ibade (Njësimi i Allahut në adhurim).

Domethënia e këtij Teuhidi është të njësuarit dhe të veçuarit e Allahut të Madhëruar me adhurim. Ai i Cili meriton të adhurohet është vetëm Allahu i Lartësuar. Allahu i Lartësuar thotë: "Kjo sepse Allahu është i Vërteti, ndërsa ato që lusin përveç Allahut janë të kotë e të pavërtetë." [3]

Termi “adhurim” përdoret për dy gjëra:

E para: Adhurim me kuptimin e të nënshtruarit Allahut të Madhëruar duke kryer urdhërat e Tij dhe duke iu larguar ndalesave të Tij, nga dashuria dhe madhërimi për Të.

E dyta: Adhurim me kuptimin e veprës e cila konsiderohet adhurim. Këtë të dytën e ka sqaruar Ibën Tejmije (Allahu e mëshiroftë!) me përkufizimin: “Adhurimi është term përmbledhës për çdo gjë të cilën Allahu e do dhe është i kënaqur për të, prej veprave të dukshme dhe të padukshme.”

Shembull për këtë është namazi; kryerja e tij është adhurim ndërsa vetë ai është të adhuruarit. Namazi është adhurim dhe ne adhurojmë Allahun me namaz. Prej këtu, Njësimi i Allahut me këtë lloj të teuhidit realizohet duke qenë rob vetëm i Allahut dhe t’i nënshtrohesh vetëm Atij me dashuri e madhërim dhe sipas asaj që Ai ka ligjëruar. Allahu i Lartësuar thotë: “Mos merr përkrah me Allahun të adhuruar tjetër, përndryshe do të ulesh i përçmuar, i braktisur (në zjarr).” [4] Allahu i Madhëruar thotë: “Falenderimi i takon vetëm Allahut, Zotit të botëve.” [El Fatiha: 2] Ky cilësim i Allahut me “Zoti i botëve” është pikërisht për aprovimin e të adhuruarit vetëm Allahut; Ai është i Adhuruari sepse Ai është Zoti i botëve. Allahu i Madhëruar thotë: “O njerëz! Adhurojeni Zotin tuaj i Cili iu ka krijuar ju dhe ata të cilët kanë qenë para jush.”[5]

Pra, Ai i Cili është i Vetmi Krijues, Ai është i Vetmi i Cili meriton të adhurohet. Përndryshe do të ishte jashtë logjike (budallik) që krijesën e krijuar dhe me fund të sigurtë ta marrësh për zot që e adhuron! Në të vërtetë ajo krijesë nuk ka për të të bërë dobi as me ngjallje, as me shtim të pasurisë dhe as me shtim të jetës, kështu që është mendjelehtësi të shkosh te varri i një njeriu i cili është tretur dhe bërë pluhur dhe t’i lutesh e ta adhurosh atë, kur në fakt është ai i cili ka nevojë për lutjen tënde, ndërsa ti nuk ke nevojë t’i lutesh atij. Ai nuk ka në dorë t’i bëjë dobi apo dëm vetes së tij, e si do ta ketë në dorë diçka të atillë për ty?! Këtë pjesë të Teuhidit e ka mohuar shumica e krijesave dhe për shkak të tij Allahu i ka dërguar Pejgamberët dhe ka zbritur Librat e Tij. Allahut i Lartësuar thotë: “Ne nuk kemi dërguar para teje ndonjë të dërguar veçse i kemi shpallur atij se nuk ka të adhuruar tjetër (me të drejtë) përveç Meje, ndaj më adhuroni vetëm Mua!” [6]

Megjithë këtë, pasuesit e të Dërguarve të Allahut kanë qenë të pakët. I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “…Unë pashë atje të kishte Pejgamber me një grup të vogël njerëzish (pasues të tij), një tjetër me një apo dy burra dhe një tjetër pa njeri tjetër bashkë me të.”

Vërejtje:

Eshtë për t’u habitur fakti që shumica e atyre të cilët shkruajnë rreth Teuhidit, në këto kohët e fundit, e përqendrojnë vështrimin e tyre në Teuhidin er Rububije, sikur të polemizojnë me njerëz të cilët e mohojnë ekzistencën e Zotit (edhe pse ekzistojnë njerëz të atillë), por fakti është se shumica e myslimanëve sot kanë rrëshqitur në shirkun (shokvënien Allahut) në adhurim!! Për këtë shkak kërkohet që përqendrimi të jetë në këtë pjesë të Teuhidit, me qëllim që t’i nxjerrim për tek ai ata myslimanë të cilët thonë se janë myslimanë, por të cilët në fak janë idhujtarë dhe nuk e dinë këtë.

Teuhidi el Esmai ue Sifati

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Teuhidi i Emrave dhe Atributeve te Allahut:

Kjo pjesë e Teuhidit është të njësuarit e Allahut me ato emra dhe atribute që Ai ka, dhe kjo përmban dy gjëra: E para: Pohimi; që të pohojmë të gjithë emrat dhe atributet e Allahut të Lartësuar të cilat Ai i ka pohuar për Veten e Tij në Librin e Tij apo në Sunetin e të Dërguarit të Tij (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!). E dyta: Mohimi i ngjasimit; që të mos i mveshim Allahut të ngjashëm me Të në emrat dhe atributet e Tij; siç thotë Allahu i Lartësuar:

  • “Asgjë nuk i përngjet Atij dhe Ai është Gjithëdëgjuesi, Gjithëshikuesi.” [7]

Ky ajet argumenton se Allahut nuk i përngjet asnjë prej krijesave në atributet e Tij. Edhe nëse ato përputhen në domethënie, por në realitet dhe në esencë ato ndryshojnë. Kështu, kushdo që mohon atë që Allahu ka pohuar për Veten e Tij, ai është gjymtues dhe ky gjymtim i tij i përngjan gjymtimit të Faraonit. Ndërsa ai i cili i pohon ato dhe i ngjason me të krijesave, ai është bërë i ngjashëm me idhujtarët të cilët adhurojnë bashkë me Allahun edhe të tjerë prej krijesave të Tij. Dhe vetëm ai i cili i pohon ato emra dhe atribute pa i ngjasuar me ato të krijesave, vetëm ai është prej njësuesve të Allahut.

Në këtë pjesë të Teuhidit ka humbur një pjesë e popullit mysliman dhe janë ndarë në grupe të shumta; dikush ka ndjekur rrugën e gjymtimit të tyre dhe i mohon ato atribute të Allahut duke thënë se ai kështu e pastron Allahun nga të metat, por në fakt ai ka humbur rrugë, pasi që në të vërtetë i pastruar është Ai nga i cili mohohen atributet e mangëta e të meta dhe Fjalët e të Cilit pastrohen nga të qenurit verbuese dhe çorientuese.

Nëse dikush thotë: Allahu nuk ka shqisë të dëgjuari, as të shikuari, as dije dhe as Fuqi absolute; ai nuk e ka pastruar e lartësuar Allahun, por e ka mveshur atë me të metat më të mëdha dhe Fjalën e Tij me të qenurit verbuese dhe çorientuese, pasi që Allahu e përsërit shpesh dhe e pohon këtë në Fjalën e Tij ku thotë: “Gjithëdëgjues, Gjithëshikues”, “I Gjithëfuqishëm, më i Drejti në gjykim”, “Falësi i Madh, Mëshirëploti”; sikur Allahu t’i pohonte këto në Fjalët e Tij dhe të ishte i zhveshur nga ato, kjo do të ishte kulmi i verbimit, çorientimit dhe shpifje për Fjalën e Allahut të Madhëruar.

Disa të tjerë kanë ndjekur rrugën e ngjasimit duke pretenduar se atributet e Allahut janë si ato të krijesave, por këta kanë humbur rrugë sepse ata nuk e kanë vlerësuar Allahun ashtu si i takon Atij. Kjo sepse këta i kanë mveshur Allahut mangësi dhe të meta, pasi që këta e kanë konsideruar të Plotin dhe Absolutin në çdo aspekt me të mangëtin në çdo aspekt. Përderisa krahasimi i më të plotit me atë më të mangëtin ul nga vlera e të parit, siç thuhet: A nuk e di ti se shpatës i ulet vlera Nëse thuhet se shpata është më mprehtë se shkopi

Atëherë si është puna me ngjasimin e Absolutit me të mangëtin?! Ky është krimi më i madh që mund të bëhet kundrejt Allahut të Madhëruar, megjithëse krimi i gjymtuesëve është edhe më i madh, por që të gjithë ata nuk e kanë vlerësuar Allahun ashtu si i takon Atij.

Kështu që, është obligim të besojmë në atë me të cilën Allahu ka Cilësuar dhe ka quajtur Veten e Tij në Librin e Tij dhe në gjuhën e të Dërguarit të Tij (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), pa shtrembërim, pa gjymtim, pa formësim dhe pa ngjasim.

Kështu ka thënë edhe dijetari i madh Ibën Tejmije (Allahu e mëshiroftë!) dhe të tjerë prej dijetarëve të mëdhenj.

Kështu, shtrembërimi bëhet në tekste, gjymtimi në bindje dhe akide, formësimi në cilësi dhe ngjasimi gjithashtu në cilësi e atribute, por ky i dyti është më i veçantë se formësimi; pasi çdokush që bën ngjasim të Allahut me Krijesat, ai ka bërë edhe formësim, dhe jo e anasjellta. Kështu që duhet ta pastrojmë akiden dhe bindjen tonë nga këto katër gjëra.

Kemi për qëllim me “shtrembërimin” këtu: interpretimin që kanë ndjekur shtrembëruesit e teksteve të atributeve të Allahut, pasi ata e kanë quajtur veten e tyre “interpretuesit”, me qëllim që të zbusin në sy të njerëzve rrugën që kanë ndjekur; për shkak se natyra njerëzore nuk e pranon fjalën shtrembërim (në tekstet Hyjnore), por kjo nuk është veçse zbukurim i fjalës para njerëzve me qëllim që ata të mos largohen nga ajo.

Por në të vërtetë, interpretimi i tyre është shtrembërim; devijim i shprehjes nga domethënia e saj e drejtpërdrejtë. Ne themi: Nëse argumenton ndonjë provë për këtë devijim, atëherë ai është i saktë dhe nuk është interpretim në atë kuptim që thoni ju, por komentim (tefsir). E nëse nuk argumenton asnjë provë për të, atëherë ai është shtrembërim dhe ndryshim i fjalës nga vendi i saj.

Këta njerëz të atillë të cilët kanë ndjekur këtë rrugë, këta kanë humbur. Ata i pohojnë atributet e Allahut por të shtrembëruara. Këta kanë humbur dhe janë vendosur në një rrugë të kundërt nga ajo e pasuesëve të sunetit dhe xhematit. Kështu që këta nuk mund të cilësohen prej pasuesve të sunetit dhe xhematit, pasi që mveshja me diçka përmban adresimin tek ajo; pasuesit e Sunetit i adresohen Sunetit pasi që ata janë të kapur për të, ndërsa këta nuk janë të kapur për Sunetin në shtrembërimet e tyre.

Po kështu edhe xhemati në origjinë vjen prej të bashkuarit dhe të grumbulluarit, ndërsa ata nuk janë të bashkuar në mendimet e tyre, pasi që në librat e tyre gjen ngatërrim, kundërshtim dhe kundërthënie, saqë ata akuzojnë edhe njëri-tjetrin për humbje e devijim, si dhe bienë në kundërthënie me vetveten e tyre.

Sqaruesi i librit “El Akidetu et Tahauije” ka përcjellë nga El Gazali, i cili arriti majat në shkencën e skolastikës (Ilmul Kelam), ka përcjellë fjalë të cilat nëse dikush i lexon, i bëhet e qartë se ata njerëz janë në rrugë të gabuar, të rrezikshme dhe kanë rrëshqitur, e se ata nuk janë të qartë në vetveten e tyre.

Ata janë të hutuar dhe në mëdyshje, nuk janë të bindur në çështjen e tyre, ndërsa atë të cilin e ka udhëzuar Allahu në Rrugën e Drejtë e gjen të sigurtë dhe të qetë. Ai lexon në Librin e Allahut dhe në Sunetin e të Dërguarit të Tij (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ato që Allahu i ka pohuar për Veten e Tij prej Emrave dhe Atributeve të Tij, dhe ky i pohon ato.

Si do të ishte ndryshe kur askush nuk di për Allahun ashtu siç di Allahu për Veten e Tij, askush nuk thotë ndonjë njoftim më të vërtetë se Allahu dhe askush nuk është më i saktë në sqarim se sa Allahu; ashtu siç thotë Allahu i Lartësuar:

  • “Allahu dëshiron që t’ua sqarojë juve.” [8]
  • “Allahu u sqaron ju me qëllim që të të mos humbni rrugë.”[9]
  • “Ne ta kemi zbritur ty Librin, sqarues për gjithçka.”[10]
  • “Dhe kush mund thotë fjalë më të vërtetë se Allahu.”[11]

Këto ajete e të tjera si këto argumentojnë se Allahu ia ka sqaruar krijesave të Tij me sqarim mëse të plotë rrugën që të shpie tek Ai dhe gjëja më e madhe për të cilën kanë nevojë krijesat që t’u sqarohet është njohuria për Allahun e Lartësuar me Emrat dhe Atributet e Tij, me qëllim që ta adhurojnë Allahun me dije dhe vendosshmëri. Përndryshe, adhurimi i dikujt të cilit nuk ia njohim atributet, apo i cili nuk ka atribute, është diçka që nuk mund të realizohet kurrë. Kështu që, është e domosdoshme që të njohësh atributet e të Adhuruarit tënd me qëllim që të drejtohesh tek Ai dhe ta adhurosh Atë ashtu si duhet dhe si e meriton Ai.

Njeriu nuk duhet t’i kalojë kufijtë e tij dhe të shkojë në formësim apo ngjasim, pasi që nëse ai është i paaftë për të përfytyruar shpirtin e tij që ka me vete, atëherë është edhe më i paaftë për të përshkruar realitetin e atyre atributeve me të cilat Allahu i Lartësuar ka cilësuar Veten e Tij. Ndaj është detyrë e njeriut që ai ta ndalojë veten e tij nga të pyeturit “Përse?” e “Si?”, në lidhje me Emrat e Allahut të Madhëruar dhe Atributet e Tij. Njeriu gjithashtu duhet ta ndalojë veten e tij nga të menduarit për formën e atyre atributeve.

Nëse njeriu e ndjek këtë rrugë, ai ka për të qenë i qetë dhe pikërisht kjo është edhe rruga që kanë ndjekur selefët (të parët tanë) (Allahu i mëshiroftë!) Për këtë shkak, kur një burrë erdhi tek imam Maliku (Allahu e mëshiroftë!) dhe i tha: “O Ebu Abdullah! “I Gjithëmëshirshmi mbi Arsh qëndroi.”; Si qëndroi?" Ai (Imam Maliku)tundi kokën pastaj tha: “Qëndrimi mbi diçka nuk është i panjohur, ndërsa forma e tij (në lidhje me Allahun) nuk është e kapur nga mendja njerëzore. Besimi në të është uaxhib (obligim), ndërsa pyetja për të është bidat (risi). E unë nuk të shoh ty veçse një bidatçi.”

Ndërsa në këtë kohën tonë gjejmë njerëz të thonë: Allahu zbret në Qiellin e kësaj bote në një të tretën e çdo nate, por nga kjo rrjedh që Ai të qëndrojë në Qiellin e kësaj bote gjatë gjithë natës, pasi që nata lëviz nëpër të gjithë tokën dhe një e treta e saj lëviz nga njëri vend në tjetrin!

Kjo sigurisht që është diçka të cilën nuk e kanë thënë shokët e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), dhe nëse kjo do të ishte diçka që shkon në zemrën e besimtarit, Allahu do ta kishte sqaruar atë që në fillim, apo në gjuhën e të Dërguarit të Tij (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), apo të nxirrte dikë që të pyeste për të dhe pastaj të zbriste përgjigjen, ashtu siç kanë pyetur sahabët të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!): "Ku ka qenë Allahu para se të krijonte qiejtë dhe Tokën?" Dhe ai (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) iu përgjigj atyre. Kjo pyetje e madhe argumenton se çdo gjë që i nevojitet njerëzve, Allahu ua sqaron atyre me anë të njërës prej tre mënyrave të mësipërme.

Ndërsa në përgjigje të problemit të shfaqur në hadithin e Zbritjes së Allahut, thuhet: Përderisa një e treta e natës në këtë zonë vazhdon të qëndrojë, atëherë zbritja e Allahut në të është realizuar. Ndërsa në zonat e tjera në të cilat nuk ka hyrë një e treta e natës, nuk është realizuar zbritja; dhe Allahut nuk i përngjet asgjë, ndërsa hadithi argumenton se koha e zbritjes mbaron me hyrjen e agimit.

Detyra jonë është të dorëzohemi dhe të themi: Dëgjuam, u bindëm, pasuam dhe besuam. Kjo është detyra jonë; të mos e tejkalojmë Kuranin dhe hadithin. Të tre këto lloje të Teuhidit janë bashkuar në Fjalën e Allahut të Madhëruar:

  • "Zot i qiejve dhe i tokës dhe i gjithçkaje që gjindet mes tyre, kështu që adhuroni Atë (Një e të Vetëm) dhe jini të vazhdueshëm e të duruar në adhurim ndaj Tij. A mos dini ndonjë që është i ngjashëm (ose me një emër) me Të?" [12][13]

Ndjekësit e tauhīd-it (ahl al-tauhīd) janë në përgjithësi myslimanë; mu'tazila ciliësohej vetë si ahl al-tauhīd val-'adl (arabisht أهل التوحيد والعدل = ahlu ʾt-tauḥīd va-ʾl-ʿadl = njohësit e unitetit të zotit dhe drejtësisë).

Termi në shumës muvahhidun (arabisht موحد; tekstualisht "njohësit e tauhīd-it" (cilësim për thjesht monoteistët) përdoret nga disa grupe islamike/islamiste, si psh. nga vahhabi-tët, për t'u vetëquajtur. Ky term përdoret si emër i dinastisë berbere të almohadëve, (arabisht الموحّدون = al-muvahhidun = al-muvaḥḥidūn) të cilët e kanë bërë teorinë e unitetit të zotit programin e vet fetaro-politik.

Termi i kundërt (antonim) janë politeistët, më saktë, ata, të cilët i vënë përbri zotit edhe perëndi ose bij të zotit duke qenë kështu ndjekës të shirk-ut („vendosjes bashkë“, politeizmit). Në suren 9, vargun 30 thuhet:

Çifutët thonë: ‚Yzairi (dmth. Esdra) është biri i zotit.‘ Ndërsa të krishterët thonë: ‚Krishti është biri i zotit‘... sa të lajthitur janë!“

Dualistët dënohen me anë të shprehjes së sures 16, vargu 51:

Dhe zoti ka thënë: mos merrni dy perëndi (zota)!

Teologjia e mëvonshme islamike e koncepton unitetin hyjnor praktikisht vetëm në kundërshtim me trinitetin kristian megjithëse teologët kristianë dhe çifutë e vendosin në qendër nocionin e unitetit të zotit duke përjashtuar implikime të ngjashme, ndër të tjera për teorinë e atributeve të zotit.

Gjithashtu termi tauhīd përdoret shpesh me një kuptim të veçantë në sufizëm, ku arritja e „unitetit (njësimit) me zotin“ (me këtë nënkuptohet shndërrimi i vullnetit vetjak në vullnetin e zotit dhe braktisja e egos (vetit)), vlen në të si qëllimi i krysor i jetës. Për ta arritur atë duhen përpjekje të mëdha (xhihad), si lufta kundra të brendshmes (shpirtit) të vet, kundra të ashtuquajturës „egos së ulët“ (an-nafs al-ammara). Si shkalla më e lartë vlen „uni i pastër“ (an-nafs al-safija), të cilin mund ta arrijnë vetëm pak sufi.

  • Dr. Abu Ameenah Bilal Philips: Tauhid - Der Eingottglaube im Islam (Tauhid-i, besimi në një zot në fenë islame) - ISBN 978-3-9811068-1-7
  • Daniel Gimaret: La doctrine d’al-Ashʿarī. Paris 1990
  • Daniel Gimaret: Art. tawḥīd, në: The Encyclopaedia of Islam, Brill, Leiden, vol. 10, f. 389

Lidhje të jashtme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
  1. ^ Gimaret, EI2, l.c.
  2. ^ Shkëputur nga libri "El kaulu el Mufid ala Kitabi et Teuhid" Autor: Muhamed ibën Salih el Uthejmin, Allahu e mëshiroftë! Përktheu: Bledar Hoxha
  3. ^ "Wikibooks:Lukman: 30". Arkivuar nga origjinali më 7 mars 2008. Marrë më 8 gusht 2006.
  4. ^ "Wikibooks> El Isra: 22". Arkivuar nga origjinali më 10 tetor 2006. Marrë më 8 gusht 2006.
  5. ^ "Wikibooks: El Bekare: 21". Arkivuar nga origjinali më 10 tetor 2006. Marrë më 8 gusht 2006.
  6. ^ "Wikibooks: El Enbija: 25". Arkivuar nga origjinali më 10 tetor 2006. Marrë më 8 gusht 2006.
  7. ^ "Wikibooks:Esh Shura: 11". Arkivuar nga origjinali më 10 tetor 2006. Marrë më 8 gusht 2006.
  8. ^ "Wikibooks En Nisa: 26". Arkivuar nga origjinali më 10 tetor 2006. Marrë më 8 gusht 2006.
  9. ^ "Wikibooks: En Nisa: 176". Arkivuar nga origjinali më 10 tetor 2006. Marrë më 8 gusht 2006.
  10. ^ Wikibooks:En Nahl: 89 Arkivuar 10 tetor 2006 tek Wayback Machine.
  11. ^ "Wikibooks: En Nisa: 122". Arkivuar nga origjinali më 10 tetor 2006. Marrë më 8 gusht 2006.
  12. ^ Wikibooks:Merjem: 65 Arkivuar 10 tetor 2006 tek Wayback Machine.
  13. ^ Rrugaepaqes.NET Teuhidi[lidhje e vdekur]