Letërsia shqipe

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Letërsia shqiptare)
Pjetër Budi, gravurë, Nga vepra "Paschyra e të rrëfyemit", Romë, 1621

Letërsia shqipe shtrihet që nga Mesjeta dhe përfshin atë letërsi dhe ato tekste të shkruara në gjuhën shqipe, duke përfshirë letërsinë e shkruar sot në Shqipëri,Kosovë dhe diasporë ashtu edhe në Mal të Zi, Maqedoni të Veriut dhe në diasporat historike të arbëreshëve.

Dokumenti më i vjetër që ka mbijetuar është Formula e pagëzimit shkruar nga Pal Engjëlli, ipeshkvi i Durrësit1462.[1]

Letërsia e vjetër[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Shekulli 15[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Dokumentet e para të shqipes së shkruar:

  1. Formula e Pagëzimit (1462)
  2. Fjalori i Arnold Fon Harfit (1497) dhe
  3. Perikopeja e Ungjillit të Pashkës (shek. 16)

Më i vjetri ndër këto tri dokumente është Formula e pagëzimit. Ajo i përket vitit 1462. Është një fjali e shkurtër: Un të pagëzonj pr`emen`t Atit e t`birit e t`shpirtit shenjt. Formula është shkruar në dialektin e veriut me alfabetin latin.

Arqipeshkvi i Tivarit, Guljelm Adami shkroi një raport më 1332 në të cilin dëshmon shkrimin e gjuhës shqipe me alfabetin latin.[2]

[lidhje e vdekur] Marin Barleti, Historia e Skënderbeut, 1510

Shekulli 16[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në fillimet e letërsisë shqiptare është epoka e Humanizmit, me veprat e Marin Barletit (Historia e Skënderbeut, 1508) dhe të humanistëve të tjerë, të botuara latinisht, e cila në atë kohë ishte gjuha universale e dijes në Evropë. Veprat e tyre ngrejnë idetë humaniste të Rilindjes Evropiane duke krijuar njëherësh vetëdijën kulturore dhe kombëtare të shqiptarëve. Autorët humanistë ishin elita kulturore që braktisën Shqipërinë pas pushtimit nga osmanët dhe mërguan në Itali. Veprat që krijuan kishin tematikë shqiptare: lufta e Skënderbeut dhe shqiptarëve kundër turqve për të ruajtur autencitetin jetësor dhe kulturën e tyre. Ata krijuan letërsi heroike që do të bëhet modeli fillestar i letërsisë shqipe. Veçohen veprat «Historia e jetës dhe e veprave të Skënderbeut» nga Marin Barleti (1508) dhe vepra e Dhimitër Frëngut për Skënderbeun (1539).[3] «»

Libri i parë i botuar në shqip është Meshari (1555) i Gjon Buzukut.[4][5] Njihet vetëm një kopje e cunguar që ruhet në Bibliotekën e Vatikanit, por supozohet se u botua në Venedik.[5] Rëndësia e këtij libri për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare është monumentale. Aty gjendet shqipja e shekullit XVI dhe një pasuri e madhe e fjalorit.[4] Gjuha e veprës është gegërishtja e shekullit XVI, e shkruar me alfabetin latin të tipit gjysmë gotik. "Kemi të bëjmë pikësëpari, pohon Çabej, me një gjuhë letrare, prodhim i një zhvillimi të mëparmë të shkrimit dhe të përpunimit nga ana e këtij shkrimtari".[5]

Autori më i rëndësishëm tek arbëreshët e Italisë ishte Lekë Matrënga, i cili në vitin 1592 botoi vjershën e parë në gjuhën shqipe, në tetë vargje, me titullin "Këngë e përshpirtshme".[6]

Shekulli 17[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Bogdani në lutje, gravurë nga "Çeta e Profetëve", Padovë, 1685.

Autorët më të rëndësishëm ishin Pjetër Budi, Frang Bardhi dhe Pjetër Bogdani.[7] Pjetër Budi në të vërtetë është poeti i parë shqiptar.[8] Në veprën "Doktrina e Krishtenë" (1618) botoi rreth 3000 vargje shqip, në dialektin gegë.[9] Përdori vargun tetërrokësh sipas modelit popullor. Programi poetik i Budit del në njërën nga poezitë e tij:"Sqip të mundem me rrëfyem/ndonji kankë të re/të mos gjindem i harruem/këtë jetë tue shkuem".[8] Frang Bardhi është autor i fjalorit të parë shqiptar, të botuar në Romë më 1635, i cili përmban 5640 zëra latinisht të përkthyer shqip, plus një shtojcë me pjesë të ligjëratës, proverba dhe dialogë.[10] Andrea Bogdani është autor i gramatikës së parë të gjuhës shqipe, e cila ka humbur gjatë ikjes nga turqit.[11]

Pjetër Bogdani konsiderohet babai i prozës shqipe. Në vitin 1685 botoi veprën "«Çeta e profetëve»" (Cuneus prophetarum) e cila merret si kryevepra e letërsisë së hershme shqiptare dhe është e para vepër me tipare të plota letrare e artistike në gjuhën shqipe.[12] Kjo vepër me tiparet e saj formale e kuptimore i përket poetikës së Barokut.[13] «Çeta e Profetëve» (1685) mund të quhet laboratori më i madh i përpunimit të vetëdijshëm e mjeshtëror të shqipes së vjetër. Për të shprehur koncepte të vështira filozofike e teologjike në gjuhën shqipe, Bogdanit iu desh punë e madhe për të njohur e shfrytëzuar mjetet e lashta të shqipes dhe pasurinë leksikore të gjuhës popullore. Si rezultat në penën e Bogdanit shqipja fitoi vlera të reja stili.[12][14] Në Çetën e Profetëve përveç prozës ka edhe poezi. Poezitë e Bogdanit klasifikohen në: Poezi të krijimit, poezi të sibilave dhe poezi të kushtimit. Llojit të parë i përket poezia Krijimi i Rruzullimit e cila është poezia e parë mendimtare dhe filozofike në letërsinë shqipe.[15] Bogdani është krijues i ciklit unikal të poezive,njohur si “Cikli i Sibilave” i ndërtuar mbi strukturën e alegorisë dhe poezisë transcedentale.[16] Poezia e Bogdanit përshkohet nga fryma e epokës së Barokut dhe poetika baroke. Ndër elementet bazike të kësaj poetike është toposi "bota e kthyer mbrapsht" (mundus inversus).[13]

Në Çetën e Profetëve është botuar edhe një poezi e poetit Luka Bogdani kushtuar kushëririt të tij Pjetër Bogdanit. Dy katrenat e parë të poezisë së Lukës himnizojnë Prizrenin, dy të tjera heroizimin duke përmendur Skënderbeun, dy krijojnë madhështinë e Bogdanit duke ngritur kultin e dijetarit, tri himnizojnë natyrën dhe mitologjinë me figuracion autentik: Zana blegtoreshë; tetë katrena portretojnë tri qytetet shqiptare: Prizrenin për trimërinë, Shkodrën, për zotëninë dhe Shkupin, për dritën e pasjen.[17]

Shekulli 18[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Midis autorëve arbëreshë të këtij shekulli janë Jul Variboba, Nikollë Brankati dhe Nikollë Keta.[18] Jul Variboba botoi në Romë më 1762 poemën «Jeta e Shën Mërisë së Virgjër»(Ghiella e Shën Mëriis Virghiër), i vetmi libër shqip i shtypur në shekullin e tetëmbëdhjetë. Kjo poemë prej 4717 vargjesh, e shkruar tërësisht në dialektin e Mbuzatit i kushtohet jetës së Shën Mërisë nga lindja deri në ngjitjen në qiell. Poema dëshmon më shumë për një tonalitet lirizmi e balade popullore, duke përdorur Kalabrinë e Varibobës si sfond të lindjes dhe duke i shndërruar personazhet biblikë në fshatarë truplidhur kalabrezë të shekullit të tetëmbëdhjetë. Variboba nuk e ka shoqin në letërsinë e vjetër shqiptare si për ndjeshmërinë e kthjellët e të thjeshtë poetike ashtu edhe për larminë e shprehjes ritmike.[19][20]

Nikollë Filja (1691-1769), një ndër mbledhësit e parë të folklorit shqiptar, më 1737 la një dorëshkrim të njohur si Dorëshkrimi i Kieutit në të cilin përveç disa poezive origjinale, gjenden edhe 18 këngë popullore, disa prej të cilave janë këngë legjendare.[21]

Perandorinë Osmane përgjatë këtij shekulli krijohej letërsia e poetëve të quajtur bejtexhinj, përfaqësuesit më të njohur të të cilëve ishin Nezimi i Beratit, Sulejman Naibi, Hasan Zyko Kamberi dhe Muhamet Kyçyku. Bejtexhinjtë ishin nën ndikimin e fortë të kulturës orientale, sidomos asaj turke dhe persiane,[22][23] dhe u mbështetën në motivet dhe modelet e poezisë orientale. Ata ruajtën me fanatizëm metrikën arabe-perse dhe nuk kanë lejuar që në poezinë e tyre të depërtojë asnjë ndikimin i poezisë popullore shqipe, meqenëse kjo konsiderohej e metë e bejtexhiut.[22] Vepra të njohura janë "Divani" i Nezim Frakullës, "Erveheja" dhe "Jusufi e Zelihaja" të Muhamet Kyçykut.[24]

Romanticizmi[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Shekulli 19[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Jeronim de Rada
Jeronim de Rada

Letërsia shqipe e shekullit 19 pati një drejtim iluminist, në të mbisundoi romanticizmi. U lëvrua sidomos poezia, tema themelore ishte dashuria për atdheun, evokimi i të kaluarës heroike dhe lufta për çlirim kombëtar. Vepra e parë madhore e kësaj periudhe qe poema «Këngët e Milosaos», e poetit arbëresh Jeronim de Rada, botuar më 1836, e cila për vlerat poetike është e krahasueshme me poemat bashkëkohëse të romantizmit evropian. Në qendër të kësaj vepre epiko-lirike është historia e dashurisë së princit Milosao me Rinën e varfër.[25] Shkrimtari francez Viktor Hygo e quajti Milosaon e De Radës "plotësimi i poezisë romantike moderne".[26]1839 De Rada botoi poemën e tij të dytë, «Serafina Topia»,[27][28] dhe filloi të shkruante poemën e tij më të madhe «Skënderbeku i pafan», në të cilën punoi deri në fund të jetës. Në këtë të fundit, De Rada trajton epokën heroike shqiptare dhe Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, i cili del si hero i përgjithshëm dhe si simbol i Rilindjes Kombëtare shqiptare.[29] Përpos De Radës, u shquan edhe Gavril Dara i Riu me poemën Kënga e Sprasme e Balës, Zef Skiroi me shumë poema, si Flamuri i Arbërit (1885), Mili e Hajdhia (1890), Te dheu i huaj (1891), dhe poezi, këngë tradicionale dhe përmbledhje folklorike, Françesk Anton Santori, Zef Serembe me lirikat personale, etj. Një nga veprat më të rëndësishme të Rilindjes është poezia «O moj Shqypni, e mjera Shqypni» e Pashko Vasës, më e ribotuara e letërsisë shqipe, e cila këndohej gjatë luftimeve për mbrojtjen e trojeve shqiptare.[30]

Proza sapo do të bënte hapat e parë si prozë publicistike, historike dhe më pak si prozë letrare. Po kështu dhe dramaturgjia dha veprat e para pioniere, me dramën e parë shqipe Emira të autorit arbëresh Anton Santori.[31]

Naim Frashëri

Një ndër shkrimtarët më të rëndësishëm të gjysmës së dytë të shekullit 19 ishte Naim Frashëri, i cili me poezinë e vet lirike dhe epike u bë poeti kombëtar i popullit shqiptar. Naimi është autor i disa veprave letrare romantike, epike, lirike e filozofike. Vepra e tij poetike luajti rol të rëndësishëm në zgjimin e vetëdijes atdhetare. Naimi i këndoi mallit e dashurisë për atdhe, krenarisë kombëtare dhe të kaluarës së lavdishme të shqiptarëve.[32]

Veprat në gjuhën shqipe filloi t'i botonte nga viti 1886, pasi shoqëria "Drita" bleu një shtypshkronjë për të shtypur libra shqip në BukureshtRumanisë.[33] Vetëm në vitin 1886 botoi në Bukuresht 6 vepra, ndër të cilat edhe poemën «Bagëti e Bujqësi».[34][32] Në vitin 1890 botoi vëllimin poetik «Lulet e Verës», në të cilin spikat veçanërisht poemthi erotik Bukuria, si për ndjesitë e holla ashtu dhe për mendimet e thella.[35] Në vitet e fundit të jetës do të shquhej prirja epike e Naimit.[36] Kësodore më 1898 botoi poemën epike «Istori e Skënderbeut» e cila u bë një nga veprat më të lexuara të Rilindjes.[37] Në këtë poemë me 12 mijë vargje, Naimi futi figura të mitologjisë popullore ilire dhe shqiptare si, dragojt, hijet, kuçedrat, lugetërit, shtrigat, zanat, të Bukurën e Dheut e të tjera.[38] Figura të tjera të shquara janë poetët Filip Shiroka, Gavril Dara, Zef Serembe,Mjeda, etj

Shekulli 20[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Çajupi

Para pavarësisë[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në fillim të shekullit 20 shfaqen fuqishëm në letërsinë shqipe shkrimtarët Andon Zako Çajupi , Faik Konica, Asdreni, dhe Gjergj Fishta.[39] Më 1902, Çajupi botoi veprën poetike Baba Tomorri. Konica nxori revistën Albania në vitet 1897-1909 dhe në faqet e saj botoi dhe komentoi autorët e brezit të tij. Në një artikull të revistës, Koncia vëren largimin e autorëve të rinj nga ideologjia kombëtare e romantizmit.[40] Në vitet 1905-1906, Fishta botoi nëntë këngët e para të poemës epike Lahuta e Malcís.[41]

Në dramaturgji u shqua, Fan Noli me dramën Israilitë dhe Filistinë që e botoi në vitin 1907 në Boston,[42] ndërsa Çajupi me 14 vjec dhëndër, me të cilën hodhi themelet e komedisë shqipe. Në dekadën e parë të shekullit 20 u botuan disa novela nga Papa Kristo Negovani, Mihal Grameno,etj.[43]

Pas pavarësisë[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Faik Konica

Me krijimin e shtetit të pavarur shqiptar, letërsia do të hynte në një periudhë të re duke lënë pas përherë e më tepër kanonet e romantizmit. Kjo periudhë u shqua me një zhvillim të paparë të të gjitha zhanreve. Në poezi u shquan Ndre Mjeda (Andrra e Jetës, 1917), Asdreni (Psallme Murgu,1930), por veçanërisht Lasgush Poradeci, Fan Noli dhe Migjeni, tre poetët më të mëdhenj të kohës.[42] Ndër prozatorët janë romancierët Ndoc Nikaj, Faik Konica dhe Haki Stërmilli.

Menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, filluan të dalin romanet e para shqipe. Më 1913 u botuan disa romane të Ndoc Nikajt, si: Fejesa n’djep dhe Shkodra e rrethueme; ndërsa në vitin 1914, Zef Harapi botoi romanin historik Pushka e tradhtarit. Romanet e kësaj dekade janë romane me dy linja: linja patriotike dhe linja e dashurisë dhe janë më shumë romanca se romane të mirëfillta.

Fan Noli

Vitet '20 do të shquheshin me romanin satirik të pakryer të Faik Konicës, Dr. Gjilpëra (1924-1925) dhe me novelën «Një Ambasadë e Zulluve në Paris» (1922), ndërsa më 1924 botohet romani Lulja e kujtimit e Foqion Postolit që u priu romaneve sentimentale të dekadave pasuese.[43]

Fishta dhe Noli u shquan në poliedrizmin e tyre, që nga dramaturgjia, poezia, publicistika dhe përkthimet. Fishta u shqua si satirist ndërsa më 1937 botoi të plotë epin e tij Lahuta e Malcís, me rastin e 25 vjetorit të pavarësisë. Nga ana tjetër, në lëmin e prozës do të ndjehet një ngritje e nivelit të tregimit, e cila do të kualifikohet artistikisht nga Migjeni, Mitrush Kuteli dhe Ernest Koliqi.

Gjatë periudhës së Pavarësisë, tema patriotike nuk do të jetë më në qendër të letërsisë. Problemet e mprehta shoqërore do të trajtohen nga brezi i letrarëve realistë, ku përmendim poetin dhe prozatorin e talentuar Migjeni, i cili la gjurmë të thella dhe ndikoi në rrjedhat e letërsisë moderne shqiptare. Kulmin e realizmit social e shënojnë veprat poetike dhe prozaike të tij Vargjet e lira, 1935 dhe Novelat e qytetit të veriut.

Letërsia shqipe pas Luftës së Dytë Botërore[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Kosovë[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Numri jubilar i "Jetës së Re" për 50 vjetor, 1999

Letërsia shqipe në Kosovë pas Luftë së Dytë Botërore ishte vazhdimësi e traditës së mëparshme të letërsisë shqipe.[44] Jashtë Shqipërisë, shkrimtarët shqiptarë shkruan të lirë nga kufizimet e ngushta të realizmit socialist të cilat ngulfatën letërsinë në Shqipëri, megjithatë në Kosovë letërsia u ngulfat nga politika antishqiptare serbe.[14][45] Në Kosovë u shfaqën talentë të rinj në poezi si Esad Mekuli, Ali Podrimja, Azem Shkreli, Rrahman Dedaj[14] dhe për një kohë edhe Martin Camaj.[46] Në prozë fillimisht u shfaqën Adem Demaçi dhe veçanërisht Anton Pashku,[14][47] më vonë Musa Ramadani,Sabri Hamiti, Ymer Shkreli, etj. Në vitin 1949 në Prishtinë u themelua revista letrare Jeta e Re.[48] Në brezin e parë të prozatorëve të pasluftës ishte shkrimtari dhe disidenti Adem Demaçi, i cili në vitin 1958 botoi romanin etnografik Gjarpinjt e gjakut, një vepër mbi gjakmarrjen dhe po të njëjtin vit u arrestua për shkak të kritikave ndaj dëbimit të qindra mijë shqiptarëve në Turqi. Do t'i kalonte 28 vite nëpër burgjet jugosllave si i burgosur politik, dhe do të lirohej më 1990.[49].

Anton Pashku

Në vitet '50 do të shfaqej në prozë edhe tregimtari, romancieri dhe dramaturgu eksperimental Anton Pashku.[50][51] Shtypja e egër politike mbi brezin e parë të prozatorëve shqiptarë në Kosovë në fund të viteve '50 e bëri këtë të tërhiqej në vetvete dhe të krijonte një botë hermetike të vetën.[52]. Pashku është përfaqësuesi i vetëm i drejtimit letrar të modernizmit në letërsinë shqipe.[53] U bë nismëtar i modernizimit të dramës shqipe në përgjithësi.[54] I solli për herë të parë publikut shqiptar teatrin absurd me dramat Sinkopa, (Prishtinë, 1968), dhe Gof, (Prishtinë, 1976),[55] duke sjellë risi dhe duke bërë thyerje në mënyrën e shkrimit të dramës shqipe, e cila u afrua me modelet evropiane të kohës, sidomos me dramën absurde, surrealiste dhe ekzistencialiste.[56]1971 botoi romanin eksperimental «Oh», i cili shënoi kthesën e madhe drejt romanit modern evropian. Në këtë vijë do të ecë romani shqiptar në letërsinë shqipe, me emrat e shquar si:Sabri Hamiti, Zejnullah Rrahmani, Musa Ramadani,etj.[57]

Gjatë viteve ’70, u shfaq brezi i ri romancierëve: Sabri Hamiti, Zejnullah Rrahmani, Rexhep Qosja, Musa Ramadani, Ymer Shkreli, Teki Dervishi, etj.[58] Zejnullah Rrahmani botoi romanin Zanoret e humbura (1974) si vajtim alegorik për situatën e përgjithshme të shtypjes shqiptare nga dhuna e tjetrit.[59]

Kah fundi i viteve ’60 në Kosovë ravijëzohen prirjet e dramës moderne, fillimisht dramë e absurdit.[60] Përgjatë viteve '70 dhe'80 drama shqipe në Kosovë ishte moderne dhe postmoderne.[61] Përfaqësuesit: Anton Pashku, Teki Dervishi, Rexhep Qosja, Beqir Musliu etj. I pari qe nismëtar i modernitetit, ndërsa tre autorët e tjerë kanë patur një ndikim të madh në modernitetin letrar të dramës shqipe, në dimensionin e saj filozofik dhe thellësinë psikologjike.[60]

Ali Podrimja

Poezia shqipe e Kosovës, pas Luftës së Dytë Botërore arriti vlera universale më të avancuara në letërsinë shqipe përgjithësisht. Ajo mbështetej në përvojat dhe shkollat më cilësore universale poetike, për t’u shprehur. E përbashkëta është gjuha ezopike që e kultivuan brezat e viteve '50 dhe '60. Në pjesën më të avancuar të poezisë shqipe gjatë tërë gjysmës së dytë të shekullit XX shprehej mosbesimi ndaj vlerave të proklamuara komuniste, si dhe revolta diskrete ndaj një realiteti politik antishqiptar.[62] Shtytje të ndjeshme zhvillimit të poezisë në fillim të viteve '50 i dhanë dy përmbledhjet poetike të Martin Camajt: «Nji fyell ndër male», (Prishtinë, 1953), dhe «Kânga e vërrinit», (Prishtinë, 1954), të cilat janë frymëzuar nga vendlindja e tij, malësia e Shqipërisë së veriut.[63]. Në vitin 1955, edhe poeti Esad Mekuli do të botonte librin «Për Ty» i cili pati ndikim të madh. Në fund të viteve ‘50, do të shfaqet brezi i “të nëntëve” i prirë nga Azem Shkreli, i cili vendosi kulme poetike në letërsinë shqipe. Këtij brezi do i bashkoheshin edhe Ali Podrimja dhe Rrahman Dedaj të cilët sapo kishin filluar të botonin krijimet e tyre në faqet e revistës Jeta e Re. Në fillim të viteve '70 u shfaq një brez i ri i poetëve, mes të cilëve ishte Sabri Hamiti.[62]

Shqipëri[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Ndryshimi drastik politik në Shqipëri më 1945 ndërpreu lidhjet me traditat letrare para Luftës së Dytë Botërore.[64] Literatura e kësaj periudhe u zhvillua në kuadrin e realizmit socialist. Shkrimtarët shqiptarë duhej të përqëndroheshin në luftën e partizanëve për çlirimin e Shqipërisë nga Nazi-fashizmi dhe përpjekjet për ndërtimin e socializmit, dhe gjithashtu të parandalonin ndikimin e kulturës dekadente perëndimore.[65]

Dritëro Agolli

Në lëmin e poezisë, Malëshova përmendet si "babai i letërsisë komuniste", pas tij më premtuesi qe Llazar Siliqi.[66] Me reformën agrare, Aleks Çaçi shkroi një poemë të frymëzuar "Ashtu, Myzeqe", duke i bërë vend fshatarakes së re tashmë letërsisë shqipe.[67] Me revolucionin kulturor doli në pah një tendencë e re në poezi, ku më përfaqësuesit ishin Agolli dhe Arapi.[68] Në vitet '60 u shfaq një brez i ri i poetëve: Ismail Kadare, Dritëro Agolli dhe Fatos Arapi, që solli risi në poezinë e kohës.

Në prozë në vitet e para të pasluftës botohen romanet me temë lufte: Çlirimtarët (1952, 1955) i Dhimitër Shuteriqit, Ata nuk ishin vetëm (1952) i Sterjo Spasses, Qyteti i fundit (1960) i Petro Markos, etj.[43][69] Disa prej tyre u nderuan me çmim Republike,[70] po ashtu Fatmir Gjata me novelën Tana (1955) dhe romanin Këneta (1959).[71] Ndonëse shumë nga librat narrativë ishin në përkim me realizmin socialist, disa vepra vijuan linjën realiste të ngelur përgjysmë. Në vitet 1951-1966 dolën disa punime realiste, ndër to qenë romani me pesë vëllime Kënga shqiptare nga Trebeshina me vepra të tjera të tij.[72] Marko me Hasta la Vista (1959) portretizoi përvojën e tij në Luftën civile spanjolle. Jakov Xoxa me romanin Lumi i vdekur pasqyroi jetën shqiptare në prag të Luftës së Dytë Botërore dhe fatin e dy familjeve, njërës nga Myzeqeja, tjetrës nga Kosova.[69] Roman i veçantë i kësaj periudhe është Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo (1973), kryevepra satirike e Dritëro Agollit, në të cilin ironizohet një zyrtar i burokracisë komuniste.[73] Në romane si Komisari Memo dhe Njeriu me top Agolli iu shmang paraqitjes bardh e zi të personazheve siç e kërkonte dogma letrare, duke rënë ndesh me shkollën socrealiste, përkundrazi personazhet e të dy taboreve kundërshtare paraqiten tokësorë, me anë të mira dhe të këqija, ata pikë së pari nga mentaliteti dhe psikologjia janë shqiptarë.[74]

Ismail Kadare

Në vitin 1963 botohet romani i parë antiskematik dhe shpërfillës ndaj doktrinës së realizmit socialist, Gjenerali i ushtrisë së vdekur nga Ismail Kadare, që qe një befasi e këndshme për lexuesin.[43] Romani e bëri Kadarenë të njohur në tërë botën.

Në mërgim u shqua sidomos Martin Camaj.

Në Maqedoni Abdylazis Islami.

Vitet '90[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Kosovës më 1989 iu hoq autonomia, ndërsa më 1990 filloi represioni ndaj shqiptarëve. Azem Shkreli gjatë viteve '90 botoi dy vëllime poetike: Lirikë me shi dhe Zogj dhe gurë. "Lirikë me shi" është konsideruar një ndër majat e Shkrelit.[75] Mehmet Kraja më 1990 botoi romanin voluminoz 649 faqësh Net Bizantine, në të cilin sipas albanologut Robert Elsie arriti maturinë e tij.[76] Zejnullah Rrahmani shkroi veprën Romani për Kosovën, ndërsa Musa Ramadani romanin Antiprocesioni.

Në Shqipëri pas përmbysjes së madhe të sistemit politik letërsia u çlirua nga dogma e realizmit socialist.[73] Liria në shkrim solli një dyndje veprash letrare, por vetëm pak prej tyre ishin të një niveli të pëlqyeshëm. Peshën më të madhe, sidomos në roman, e mbajtën akoma shkrimtarët që ishin dëshmuar edhe në periudhën e mëparme: Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Ferhat Cakaj njeriu i urte.Fatos Kongoli, Vath Koreshi dhe Zija Çela. Gjatë viteve '90 shpërtheu Fatos Kongoli, apo K-ja e dytë shqiptare siç u cilësua nga kritika letrare evropiane. Romanet e Kongolit, duke filluar nga «I humburi» (1991), u botuan në disa gjuhë evropiane.[73]

Shkrimtarë si Diana Çuli, Visar Zhiti, Besnik Mustafaj, Frederik Rreshpja, Nasho Jorgaqi, Sulejman Mato e plot të tjerë vezulluan në këtë periudhë. Brezi i ri i shkrimtarëve solli një frymë të re realiste sidomos në poezi. Në poezi u shquan Mimoza Ahmeti, Irma Kurti, Luljeta Lleshanaku dhe ndër më të rinjtë Ervin Hatibi e Shpëtim Kelmendi. U botuan të plota veprat e autorëve të ndaluar në Shqipëri. U botuan veprat e ndaluara dhe të dënuara gjatë sundimit komunist të shkrimtarëve Petro Marko, Pjetër Arbnori, Dhimitër Xhuvani, Visar Zhiti, Fatos Lubonja, Bashkim Shehu e shumë të tjerë. U botuan veprat që censura i kishte ndaluar apo i kishte cunguar, si ato të Ismail Kadaresë.

Në Maqedoni u shqua Luan Starova.[73]

Shekulli 21[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Dekadat e para[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Kadare mbeti prozatori kryesor shqiptar[77][78], i përkthyer në rreth 45 gjuhë të ndryshme, duke u bërë përfaqësues kryesor i letërsisë shqipe nëpër botë,[79] si dhe një shkrimtar i rëndësishëm botëror i gjysmës së dytë të shekullit XX dhe fillim shekullit XXI.[80] Me të, letërsia shqipe nga e paqenë për të huajt u bë e njohur, e lexuar dhe e çmuar. Për herë të parë në historinë e vet, nëpërmjet Kadaresë letërsia shqipe është integruar në letërsinë evropiane dhe botërore, dhe përfaqësohet denjësisht në hartën e tyre.[81] Në dekadën e parë të shekullit botoi disa romane, si: Lulet e ftohta të marsit, Pasardhësi, Çështje të marrëzisë, Darka e gabuar, Aksidenti, Kukulla, etj.

Në prozë u shquan edhe shkrimtarë tjerë si: Fatos Kongoli, Ridvan Dibra, Zija Çela, Ferhat Cakaj.Rexhep Qosja, Bashkim Shehu, Mehmet Kraja, Agron Tufa, Musa Ramadani, etj. U shfaqën autorë të rinj si Ben Blushi, Ag Apolloni, Agron Y. Gashi, Gëzim Aliu, Majlinda Nana Rama, Donika Dabishevci, Adil Olluri etj. Në poezi Sabri Hamiti, Luljeta Lleshanaku, etj.

Në këtë periudhë dominon letërsia postmoderniste.

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ Elsie, Robert (2005). Albanian Literature: A Short History (në anglisht). I.B.Tauris. fq. 5. ISBN 9781845110314.
  2. ^ Skëndi 2015, p. 111.
  3. ^ Hamiti 1995, p. 13-15
  4. ^ a b Hamiti 1995, p. 27
  5. ^ a b c Anamali 2002, p. 697.
  6. ^ Robert Elsie (2010). Historical Dictionary of Albania (në anglisht). Londër: Rowman & Littlefield. fq. 296.
  7. ^ Anamali 2002, p. 697.
  8. ^ a b Hamiti 1995, p. 35-37
  9. ^ Elsie 2005, p. 17-23.
  10. ^ Elsie 2005, p. 24-26.
  11. ^ Elsie 2005, p. 27-30.
  12. ^ a b Anamali 2002, p. 700-701
  13. ^ a b Berishaj 2020, p. 201-208
  14. ^ a b c d Robert Elsie (2005). Albanian Literature: A Short History (në anglisht). I.B.Taurus. fq. 27-30. ISBN 1-84511-031-5.
  15. ^ Hamiti 1995, p. 44-45
  16. ^ Moikom Zeqo (2016). "Pjetër Bogdani, bota ndryshe". Arkivuar nga origjinali më 14 mars 2021. Marrë më 23 shtator 2020.
  17. ^ Hamiti 1995, p. 46-47
  18. ^ Anamali 2002, p. 704
  19. ^ Robert Elsie (2010). Historical Dictionary of Albania (në anglisht). Londër: Rowman & Littlefield. fq. 465.
  20. ^ Robert Elsie (2005). Albanian Literature: A Short History (në anglisht). I.B.Taurus. fq. 45-46. ISBN 1-84511-031-5.
  21. ^ Kapllani, Migena (2018). Letërsia me zgjedhje 12. Tiranë: Filara. fq. 11.
  22. ^ a b Rexhepi 2019, p. 287-302
  23. ^ Anamali 2002, p. 702-704
  24. ^ Anamali 2002, p. 702-704
  25. ^ Hamiti 2017, p. 98-101
  26. ^ Hamiti 2017, p. 112
  27. ^ Hamiti 2017, p. 96
  28. ^ Akademia 2002, p. 101,544
  29. ^ Hamiti 2017, p. 94-95
  30. ^ Hamiti 2017, p. 84
  31. ^ Halili 2013, p. I.
  32. ^ a b Akademia 2002, p. 354
  33. ^ Akademia 2002, p. 242-243
  34. ^ Akademia 2002, p. 354
  35. ^ Hamiti 2017, p. 114,122
  36. ^ Qosja 1986, p. 106
  37. ^ Akademia 2002, p. 354-355
  38. ^ Qosja 1986, p. 26-27
  39. ^ Hamiti 2013, p. 61
  40. ^ Hamiti 2013, p. 9,67
  41. ^ Hamiti 2013, p. 10
  42. ^ a b Hamiti 2013, p. 209
  43. ^ a b c d Apolloni 2012, p. 15-20
  44. ^ Aliu 2012, p. 5,10.
  45. ^ Aliu 2012, p. 19.
  46. ^ Pipa, Arshi (2014) [1978]. "Trilogia Albanica III: Albanian Literature: Social Perspectives" [Trilogjia Albanika III: Letërsia shqipe: Perspektiva shoqërore] (në anglisht dhe shqip). Princi. fq. 172. ISBN 978-9928-4090-9-6.
  47. ^ Elsie, Robert (2010). Historical Dictionary of Kosovo (në anglisht). fq. 179–180. ISBN 978-0-8108-7483-1.
  48. ^ Elsie 2010, p. 279.
  49. ^ Robert Elsie (1995), Histori e Letërsisë Shqiptare, përktheu Abdurrahman Myftiu, Tirana & Peja: Dukagjini, 1997. fq. 304
  50. ^ Elsie 2010, p. 211.
  51. ^ Brahaj, Manjola (2017). "PROZA E ANTON PASHKUT MES MODERNES DHE EKSPERIMENTALES' - punim doktorature" (PDF). Tiranë. fq. 5, 11–12. Arkivuar nga origjinali (PDF) më 23 gusht 2020. Marrë më 23 gusht 2020.
  52. ^ Robert Elsie (1995), Histori e Letërsisë Shqiptare, përktheu Abdurrahman Myftiu, Tirana & Peja: Dukagjini, 1997. fq. 304-305
  53. ^ Brahaj 2017, pp. 5,11.
  54. ^ Halili 2013, p. 5.
  55. ^ Robert Elsie (1995), Histori e Letërsisë Shqiptare, përktheu Abdurrahman Myftiu, Tirana & Peja: Dukagjini, 1997. fq. 315
  56. ^ Halili 2013, p. 6-7.
  57. ^ Aliu 2012, p. 19.
  58. ^ Aliu 2012, p. 9.
  59. ^ Krasniqi 2019, p. 161.
  60. ^ a b Halili 2013, p. 3-5.
  61. ^ Halili 2013, p. I-III.
  62. ^ a b Aliu 2012, p. 8-9.
  63. ^ Robert Elsie (1995), Histori e Letërsisë Shqiptare, përktheu Abdurrahman Myftiu, Tirana & Peja: Dukagjini, 1997. fq. 308
  64. ^ Shatro 2016, p. 43
  65. ^ Shatro 2016, p. 54
  66. ^ Pipa, Arshi (2014) [1978]. "Trilogia Albanica III: Albanian Literature: Social Perspectives" [Trilogjia Albanika III: Letërsia shqipe: Perspektiva shoqërore] (në anglisht dhe shqip). Princi. fq. 165. ISBN 978-9928-4090-9-6.
  67. ^ Pipa 2014, p. 168.
  68. ^ Pipa 2014, p. 169.
  69. ^ a b Pipa 2014, p. 189.
  70. ^ Pipa 2014, p. 114.
  71. ^ Pipa 2014, p. 159.
  72. ^ Çakirtas, Önder (2017). Ideological Messaging and the Role of Political Literature (në anglisht). IGI Global. fq. 210. ISBN 9781522523925.
  73. ^ a b c d Aliu 2012, p. 13-17.
  74. ^ Aliu 2012, p. 47-48.
  75. ^ Hamiti, Sabri; Marashi, Adrian; Isufaj, Viola (2018). Letërsia 12. fq. 196–204. ISBN 978-9928-258-36-6.
  76. ^ Elsie, Robert (2010). Historical Dictionary of Kosovo (në anglisht). fq. 165. ISBN 978-0-8108-7483-1.
  77. ^ Morgan 2011, f. 66.
  78. ^ Apolloni 2012, f. 25.
  79. ^ Shatro 2016, f. 8.
  80. ^ Jose Carlos Rodrigo Breto (2018). Ismail Kadare: La grand estratagema (në spanjisht). Barcelona: Ediciones del Subsuelo. fq. 317–318. ISBN 978-84-947802-0-2.
  81. ^ Bashkim Kuçuku (2015). Kadare në gjuhët e botës. Tirana: Onufri. fq. 8-9.

Bibliografia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  • Anamali, Skënder; Prifti, Kristaq (2002). Historia e popullit shqiptar: vëllimi i parë. Tiranë: Toena. ISBN 9992716223.
  • Akademia e Shkencave e Shqipërisë (2002). Historia e popullit shqiptar: vëllimi i dytë. Tiranë: Toena.
  • Skëndi, Stavro (2015). The Albanian National Awakening (në anglisht). Princeton University Press. ISBN 9781400847761.
  • Elsie, Robert (2005). Albanian Literature: A Short History (në anglisht). I.B. Tauris. ISBN 978-1-84511-031-4.
  • Elsie, Robert (2010). Historical Dictionary of Albania (në anglisht). Londër: Rowman & Littlefield.
  • Shatro, Bavjola (2016). Between(s) and Beyond(s) in Contemporary Albanian Literature (në anglisht). Cambridge Scholars Publishing. ISBN 9781443899970.
  • Berishaj, Anton (2020). "VEPRA E PJETËR BOGDANIT DHE POETIKA E BAROKUT". STUDIME: Revistë për studime filologjike, numër 26. Prishtinë: ASHAK.
  • Rexhepi, Abdullah (2019). "A/Z". STUDIME: Revistë për studime filologjike, numër 25. Prishtinë: ASHAK.
  • Apolloni, Ag (2012). Paradigma e Proteut. Prishtinë: OM.
  • Rexhep Qosja (1986). Porosia e madhe: monografi mbi krijimtarinë e Naim Frashërit. Prishtinë: Rilindja.
  • Brahaj, Manjola (2017). PROZA E ANTON PASHKUT MES MODERNES DHE EKSPERIMENTALES' - punim doktorature (PDF). Tiranë. Arkivuar nga origjinali (PDF) më 23 gusht 2020. Marrë më 23 gusht 2020.{{cite book}}: Mirëmbajtja CS1: Mungon shtëpia botuese te vendodhja (lidhja)
  • Halili, Ernestina (2013). DUKURI MODERNE NЁ DRAMЁN SHQIPE NЁ KOSOVЁ' - disertacion (PDF). Tiranë. Arkivuar nga origjinali (PDF) më 26 gusht 2020. Marrë më 25 gusht 2020.{{cite book}}: Mirëmbajtja CS1: Mungon shtëpia botuese te vendodhja (lidhja)
  • Krasniqi, Nysret (2016). Letërsia e Kosovës 1953-2000. Prishtinë: AIKD.
  • Krasniqi, Nysret (2019). "A/Z". STUDIME: Revistë për studime filologjike, numër 25. Prishtinë: ASHAK.
  • Aliu, Ali (2012). Kënaqësia e leximit. Prishtinë: ASHAK.
  • Hamiti, Sabri (1995). Letërsia e vjetër shqipe. Prishtinë.{{cite book}}: Mirëmbajtja CS1: Mungon shtëpia botuese te vendodhja (lidhja)
  • Hamiti, Sabri (2013). Letërsia moderne shqipe. UET press. ISBN 9789995639457.
  • Hamiti, Sabri (2017). Letërsia 11. Tiranë: Albas. ISBN 978-9928-02-865-5.