Jump to content

Historia e Islamit

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Historia e Islamit (arabisht تاريخ الاسلام tārīch al-islām) është konceptuar në këtë artikull, si historia e përhapjes së fesë islame në botë, si fenomen politik, kulturor dhe shoqëror, i cili mund të nënndahet në disa faza.

Përhapja e fesë islame deri në vitin 750:
  Përhapja nën Muhamedin, 612-632
  Përhapja nën tre kalifët e parë, 632-655
  Përhapja nën hilafetin e omajjadëve, 661-750

Arabia përpara lindjes së fesë islame

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Myslimanët e cilësojnë kohën para islamit si xhāhiliyya, epoka e „paditurisë“. Feja e islame e ka origjinën e saj në gadishullin arabik (arabisht xhazirat al-`arab, „ishulli i arabëve“), një zonë stepash dhe shkretëtirash e banuar kryesisht nga beduinët. Arabia në atë kohë nuk ka qenë mbretëri e bashkuar, por ndodhej në periferi të zonës së influencës së Perandorisë bizantine në njërën anë dhe të Persisë në anën tjetër, si dhe të shteteve vasale të tyre, të ghasanidëve të bashkuar me bizantinët dhe të lakhmidëve aleatë të persianëve. Arabia paraqiste në këtë kohë vetëm një shoqëri fisnore, e cila karakterizohej nga kontradikta ndërmjet (hadar-ëve) të ngulur dhe (badu-ve) nomadë. Këta të fundit, beduinët, jetonin me blegtori dhe plaçkitje (arabisht gazv ose gazu) mes njëri-tjetrit. Bujqit e ngulur merreshin me bujqësi në oazet.

Mekka, vendlindja e Muhamedit, si pasojë e vendëndodhjes së favorshme në rrugën e temjanit, që kalonte nga Arabia jugore për në Siri, ishte zhvilluar në një metropol florues (i lulëzuar), i cili mbizotërohej nga kuraish-itët, një fisi arab tregtarësh. Edhe dega e Muhamedit, hashimitët, bënte pjesë në këtë fis, por ishte relativisht e varfër.

Migjithëse në gadishullin arabik (veçanërisht në Mekkë, Yathrib (Medinë), Vadi l-Kura, Chaibar, Fadak dhe në at-Ta'if në afërsi të Mekkës) jetonin edhe shumë çifutë dhe të krishterë, shumica e banorëve besonte në një numër të madh perëndish pagane lokale, si psh. në tre perëndeshat al-Lat, Manat dhe al-Uzza si dhe në Hubal-in që adhurohej sidomos në Mekkë. Kaaba (ose Qabeja) – arabisht edhe baytu'llah, „shtëpia e zotit“ – në Mekkë, ka qenë që në kohën paraislamike një vend i rëndësishëm pelegrinazhi duke paraqitur për kuraish-itët një burim me rëndësi influence ekonomike, fetare dhe politike.

Muhamedi dhe lindja e fesë islame

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Rreth vitit 571 lindi në Mekkë profeti i mëvonshëm Muhamedi. Ne kemi dijeni sot për një udhëtim tregtie që ka bërë Muhamedi 25 vjeçar me porosinë e një të veje të një tregtari të pasur, me të cilën ai u martua më 595.

Në moshën dyzetë vjeçare, Muhamedi pati vizione, të cilat ua tregoi si fjalët e zotit (allahut) vetëm rrethit të tij më të ngushtë. Më vonë këto vizione krijuan, të hartuara në formën e sureve, kuranin. Kur ndjekësit e kësaj feje të re filluan të luftojnë perënditë e vjetra, Muhamedi ra në konflikt me kuraish-itët. Më 620 Muhamedi me ndjekësit e tij u vendos nën mbrojtjen e dy fiseve medinase të ausëve dhe hasraxh-ëve (ose hazraxh-ëve), të cilët kërkonin një ndërmjetës (arabisht hakam) për zgjidhjen e grindjeve të tyre. Ibn Ishak-u, një nga biografët më të rëndësishëm të Muhamedit, shkruan për disa takime në Aqaba, një kodër afër Mekkës, ku Muhamedi lidhi një aleancë me medinasit (të cilët që prej aty u quajtën ansar „ndihmues“, „përkrahës“). Në shtator 622 Muhamedi me ndjekësit e tij shpërngulet nga Mekka për në Yathrib (Medinë), ngjarje kjo që shënohet si hexhra, fillimi i erës islame.

Shpërngulja në Medinë shënon njëkohësisht edhe fillimin e aktivitetit politik të Muhamedit dhe kështu lindjen e shtetit islam. Muhamedi kishte në shoqërinë medinase pozitën e respektueshme të ndërmjetësit, si dhe si kreu i komunitetit islamik, të ummas.

Në Medinë islami morri formën e tij shoqërore. Suret medinase të kuranit u referohen gjithnjë e më tepër rregullave të jetës konkrete dhe të organizimit të komunitetit islamik; theksohet dallimi me çifutët dhe të krishterët dhe përforcohet ndarja nga të pafetë dhe jobesimtarët.

Njëkohësisht fillojnë konfrontimet luftarake me Mekkën, ku Muhamedi paraqitet si prijës ushtarak i myslimanëve. Muhamedi ndërmerr prej vitit 623 disa fushata (majazi) kundra Mekkës (fitore e myslimanëve në betejën e Badr-it (624), beteja e Uhud-it (625) dhe beteja e llogoreve (627)) deri sa në mars 628 u vendos një armëpushim.

Më 629 myslimanët bënë udhëtimin e parë të pelegrinazhit (haxh-in) për në Mekkë, dhe më 630 të parët e Mekkës ia dorëzuan qytetin Muhamedit, pasi atyre iu premtua se ai do ta ruante katakterin e tij si vend pelegrinazhi. Muhamedi bëri që të hiqen simbolet pagane.

Në vitet deri sa vdiq Muhamedi më 632, influenca e fesë islame arriti të përhapej në të gjithë gadishullin arabik. Me krerët e fiseve të tjera u bënë marrëveshje që pjesërisht përmbanin detyrim tributesh (pagesash të detyrueshme) dhe pjesërisht njohjen e Muhamedit si profet. Një nga arsyet kryesore të përhapjes kaq të shpejtë të islamit, ishte struktura e brendshme e rendit shoqëror. Kushtetuta e Medinës, e trashëguar tek ne sot nga Ibn Hisham-i, përcaktonte si detyrim ndihmesën e myslimanëve ndaj njëri tjetrit, si dhe ndalonte sulmimin e myslimanëve të tjerë. Plaçkitjet, aq të preferuara të fiseve të kohës paraislamike, drejtoheshin tashmë pa përjashtim kundra jo-myslimanëve, pasi vetëm kundra tyre lejohej të bëhej luftë, ndërkohë kur islami ishte „shtëpia e paqes“ (dar ul-islam).

Kur më 8 qershor 632 Muhamedi vdiq në Medinë, ai nuk la trashëgimtar mashkull. Vajza e vetme e tij ishte Fatima. Përveç kuranit u bë edhe trashëgimia gojore (hadith-et, psh. ato të hartuara nga Al-Buhari) e fjalëve dhe veprave normative të tij (sunna), e rëndësishme për brezat pasardhës.

Epoka e kalifëve të drejtë

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Emri „kalifët e drejtë“ (arabisht الخلفاء الراشدون al-ḫulafāʾar-rāšidūn) përdoret vetëm për katër kalifët e parë,

për ata kalifë, të cilët kryesonin umma-n, komunitetin fetar ende të pandarë. Kalif do të thonte në fakt pasardhës i profetit, por kalifët e parë nuk ishin monarkë. Sundimi i tyre ishte akoma shumë i ndikuar nga shoqëria fisnore paraislamike. Ata gëzonin sidomos autoritet fetar, ushtronin detyrën e drejtuesit të faljes dhe të gjykatësit.

AbasidëtEmevitëtKalifët e drejtë

Kalifi i parë: Abu Bakr-i

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Kur më 632 Muhamedi s.w.a.s vdiq, doli pë myslimanët pyetja se kush do ta pasonte atë. Që atëherë doli në dritë kontradikta ndërmjet grupeve të ndryshme, të ndjekësve të parë të Muhamedit, të medinasve të kthyer në myslimanë dhe e mekkanasve të porsa kthyer me influencë, nga ana tjetër. Së fundi ata ranë në ujdi duke zgjedhur Abdallah Abu Bakr-in r.a (rreth 573–634), një nga ata të orëve të para, e bija e të cilit 'A'isha (Aishja) r.a ishte gruaja e Muhamedit, i cili që kur ishte gjallë Muhamedi e kishte përfaqësuar atë si drejtues i faljes publike. Sundimi i tij i shkurtër u karakterizua kryesisht nga konsolidimi i fesë së re islame. Shumë fise të gadishullit arabik nuk donin të pranonin trashëgimin e profetit dhe ngritën krye, por Abu Bakr i shtypi duke i lidhur ato kështu në mënyrë afatgjate. Që më 634 ai vdiq.

Kalifi i dytë: Umar-i

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Për të dhëna më të detajuara dhe literaturë shih artikullin Ekspansioni islam.

Abu Bakr-in e pasoi Umar ibn al-Khattab-i. Ky do të ishte ai që territorin e sundimit islamik do ta zgjeronte me anë të forcës ushtarake për të krijuar kështu perandorinë globale islamike.

Më 634 ushtritë arabe sulmuan gati njëkohësisht si Palestinën dhe Sirinë bizantine (romake të lindjes), ashtu edhe Mesopotaminë sasanide (persiane) (sot Irak), të cilat ishin ende të raskapitura nga luftërat e gjata kundra njëra-tjetrës.

Pas disa luftimeve më të vogla, fati i lindjes së afërme të krishterë u vendos në betejën e Jarmuk-utJordaninë e sotme. Jeruzalemi ra më 638 në duart e myslimanëve. Trupat e perandorit Herakleios u thyen duke bërë që bizantinët të tërhiqen nga Siria. Në vend të saj ata i përqëndruan forcat në mbrojtjen e Egjiptit, i cili megjithatë më 639/40 gjithashtu u pushtua. Më 642 ra Aleksandria, në vitet 70 u pushtuan brigjet e Afrikës së veriut, megjithëse Kartagjena rezistoi deri më 697/98. Në këtë mënyrë Bizanti u detyrua të kufizohej në Azinë e vogël, qytetin e Konstandinopojës dhe disa ishuj e zona bregdetare të Greqisë. Në lidhje me pushtimin e Egjiptit dhe Sirisë, nga studiuesit në të kaluarën është hedhur teza se arabët janë pritur krahëhapur nga monofizistët dhe nga kisha asiriane e lindjes. Sot studiuesit e shohin këtë kryesisht më tepër me pikëpyetje pasi burimet historike dëshmojnë se edhe këtu (së paku përkohësisht) është bërë qëndresë e fortë, edhe pse në këto rajone duket të ketë qenë e ndjeshme një farë ftohje ndaj kishës perandorake qëndrore.

Mbretëria sasanide madje u përfshi krejtësisht në perandorinë islamike. Në Irakun e jugut u zhvillua (ndoshta më 636) Beteja e Kadezias. Pas humbjes atje, trupat sasanide u tërhoqën brenda në Persi. Madje edhe kryeqyteti Ktesifonti u desh të dorëzohej. Por me kaq qëndresa persiane nuk ishe thyer akoma. Më 642 në Nehavend u realizua „fitorja e fitoreve“ ku ushtria persiane u asgjesua. Mbreti i fundit sasanid Jazdegerd III u vra më 651 në Merv si pasojë e konflikteve të brendshme mes sasanidëve, kështu që arabët arritën të pushtojnë Iranin gati pa pengesë megjithëse popullsia vazhdoi të bënte qëndresë me forcë dhe intensitet të ndryshëm. Në të vërtetë këtu u bë pjesërisht qëndresë e ndjeshme dhe vetëm pak nga pak sa erdhi e u shua qëndresa në Iran duke i dhënë fund në këtë mënyrë shtetit të fundit antik oriental.

Umar-i vendosi gjithashtu Amr ibn al-As-in si mëkëmbësin e tij në Palestinë dhe Egjipt, i cili mbajti rajonin nën kontroll me besnikëri dhe i cili do të jepte disa herë ndihme me vlerë për betejat e mëvonshme të kalifëve e në veçanti të Aliut. Në vitin 644 Umar-i u vra nga një skllav i krishter persian.

Popujt në zonat e pushtuara iu përshtatën së fundi (edhe pse më tepër nga e keqja) pushtuesve, megjithëse në burimet historike pushtimi i zonave të krishtera krahasohej me ardhjen e apokalipsit (katastrofës)[1] dhe pjesë të mëdha të zonave të pushtuara mbetën për një kohë të gjatë të krishtera ose zoroastre. Në kontekst me këtë gjë duhet përmendur edhe toleranca në përgjithësi e pushtuesve ndaj pakicave fetare. Një dëshmi për këtë paraqet letra e një peshkopi nestorianist (por ku duhet patur parasysh se nestorianët në Perandorinë Bizantine shiheshin nga kisha perandorake si heretikë): „Këta arabët, që në ditët tona zoti u ka dhënë pushtetin në dorë, janë bërë zotërit tanë; por ata nuk e luftojnë fenë e krishterë. Përkundrazi, ata mbrojnë besimin tonë, respektojnë priftërinjtë dhe shenjtorët tanë dhe bëjnë pagesa për kishat dhe manastiret tona.“[2] Më vonë megjithatë pati sigurisht eksese të dhunshme kundra besimtarëve të tjerë, mbi të cilat shkruan psh. kronika e Zuqnin-it (ose e njhur edhe si pseudo-Dionisi i Tell Mahre-s). Po ashtu u shtua së fundi edhe pesha nga taksat për jo-myslimanët.

Vendimtare për pushtimin e shpejtë të territoreve të mëparshme bizantine dhe persiane, ishte në fund të fundit veçanërisht motivimi dhe mobiliteti i madh i trupave arabe si dhe fakti që Bizanti dhe Persia ishin të rraskapitura nga lufta e përgjakshme e përfunduar më 628/29 (shih Luftërat romako-persiane), që lehtësoi konsiderueshëm dhe madje siç duket e bëri të mundur ekspansionin arab.[3]

Kalifi i tretë: Utman-i

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Me fillimin e sundimit të Utman ibn Affan-it nisi një periudhë konfliktesh të brendshme në islam që së fundi do të çonin në përçarjen e komunitetit islamik. Ai ishte si Muhamedi, pasardhës i fisit të Kuraishëve por bënte pjesë në degën e pasur të omajjadëve duke bërë që të ndiqeshin interesat e tyre.

Vepra më me rëndësi e tij ishte redaktimi përfundimtar dhe me vlefshmëri deri sot i kuranit, rreth njëzetë vjet pas vdekjes së profetit Muhamet. Rreth vitit 651 ekspansioni islamik i fillimit u bllokua, drejt perëndimit në Kirenaika (Libi) dhe drejt lindjes në lumin Oksus-i (Persia veriore, Turkmenistan, Afganistan). Azia e Vogël (Turqia e sotme) mbeti bizantine (deri në shekullin e 11-të/13-të).

Nepotizmi dhe mosbesimi ndaj mëkëmbësve të provincave të kësaj perandorie të madhe, të cilët vepronin kryesisht të pavarur, çoi në zëvendësimin e tyre me pjestarë të afërm, ndër ta më me rëndësi ishte Mu'avija në Siri (Muavija I i mëvonshëm). Më 656 vritet Utman-i në zonën e Medinës nga rebelët kryengritës. Nëse pas këtij atentati fshiheshin i poshtëruari Amr ibn al-As-i, Ali ibn Abi Talib-i, pasuesi i Utman-it në fronin e kalifit ose madje 'A'isha, e veja e profetit, kjo mbetet në errësirë.

Kalifi i katërt: Aliu

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Për shkak të trazirave në Medinë, disa sahaba u mblodhën dhe e lutën Aliun që të pasojë Utman-in si kalif i ardhshëm. Por Aliu nuk e pranoi këtë propozim duke ngulur këmbë për një zgjedhje të ligjshme për ta emëruar atë si kalif, ashtu siç kishte ndodhur edhe me kalifët e tjerë. Më 17 qershor 656 u zgjodh Aliu si kalifi i katërt nga sahaba-të në xhaminë e Medinës. Me emërimin e Aliut si kalif, kushëriri dhe dhëndri i profetit, nuk ishin të gjithë të një mendjeje. 'A'isha, e veja e Muhamedit dhe Mu'avija kërkuan së pari ndëshkimin e vrasësve të Utman-it. Kjo gjë çoi më 656 në betejën e deveve ndërmjet Aliut dhe Mu'avija-s, ku morri pjesë edhe 'A'isha. Mirëpo kjo betejë u zhvillua vetëm si pasojë e asaj që disa krerë i kishin penguar me dredhi bisedimet mes palëve kundërshtare. Faktikisht Aliu doli fitimtar nga kjo betejë, por kjo nuk caktoi ende fatin përfundimisht. Më 657 u zhvillua një betejë e dytë, beteja e Siffin-it, në rrjedhën e mesme të lumit Eufrat, në fund të të cilës do të vendoste përfundimisht një gjyq arbitrazhi se kujt do t'i takonte më në fund hilafeti. Kur Aliu i pranoi këto kushte, një pjesë e trupave të tij, të ashtuquajturit harixhit-ët, refuzoi t'i shkonte atij pas duke e akuzuar atë për dobësi. Vendimi i gjyqit nuk e përcaktoi gjendjen qartë, gjë që e dobësoi më tepër pozitën e Aliut. Aliu dhe Mu'avija u shkarkuan formalisht nga posti. Zona e sundimit të Aliut u kufizua tashmë në Irakun jugor. Ai u vra më 661 nga një harixhit.

Ndarja në sunnitë dhe shiitë

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Feja islame në botë. E gjelbër: sunnitë, e kuqe: shiitë

Që më 660 Mu'avija krijoi në Damask një kundra-hilafet. Ky konflikt mes këtyre të dyve, i parë nga besimtarët si njollosje e fesë islame, çoi në një komplot të harixhit-ëve të mbledhur në Mekkë. 661 u bënë njëkohësisht atentate kundra Aliut dhe Mu'avijas, ku vetëm Mu'avija mbeti gjallë duke bërë që ky të emërohet si kalif.

Por pala e Aliut nuk e pranoi atë si kalif gjë që çoi në skizmën ndërmjet sunnitëve dhe Shi'at 'Ali-t. Fraksioni i Ali-ut u tërhoq në jug të Irakut, kurse me Mu'avija-n filloi dinastia e omajjadëve.

Shih edhe: Hilafeti, Ekspansioni islam, Shia, Aliu

Perandoritë e kalifëve

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Kalifët omajjadë të Damaskut
661–750
Name von bis
Mu'avija I 661 - 680
Jazid-i I 680 683
Mu'avija II 683 684
Marvan-i I 684 685
Abd al-Malik-u 685 705
al-Valid I 705 715
Sulajman-i 715 717
Umar Ibn Abd al-Aziz-i 717 720
Yazid-i II 720 724
Hisham-i 724 743
al-Valid-i II 743 744
Jazid-i III 744
Ibrahim-i 744
Marvan II 744 750

Hilafeti i omajjadëve zgjati prej 661 deri më 750. Omajjadët ishin një degë e fisit arab të kuraish-itëve, ku bënte pjesë edhe dega e hashimitëve e profetit Muhamet. Ata qeverisnin nga Damasku, nga qendra e re politike e perandorisë.

Kalifi i parë omajjad ishte Mu'avija I (në pushtet 661–680), i cili pasoi kalifin e drejtë të fundit, Aliun. Mu'avija sundonte në mënyrë autoritare, mirëpo ai nuk ishte sundimtari i vetëm, por kishte përkrah edhe krerët e fiseve (sheikët)) dhe persona të tjerë. Perandoria pati në këtë kohë një fazë konsolidimi dhe paqe të brendshme.

Më 674 deri 678 u ndërmorrën gati çdo vit goditje në drejtim të Azisë së Vogël duke rrethuar edhe Konstandinopojën. Më 679 u vendos paqe me Perandorinë romake të lindjes (Bizantin), me detyrim tributar (taksash) për të.

Beteja e Kerbelasë (ose Qerbelasë) më 10 tetor 680 manifestoi përçarjen e myslimanëve, ku nipi i Muhamedit dhe i biri i Aliut, Husein-i, u vra. Husein-i kishte kërkuar të bëhej sundimtari i gjithë myslimanëve, por humbi në këtë betejë. Si pasojë (deri më 692) vijuan luftëra civile.

Më vonë pati një periudhë paqeje të brendshme. Iraku fitoi më tepër rëndësi, ku qytetet Basra dhe Kufa u zhvilluan si qendra kulturore. Prej 696 filloi një arabizim i provincave ish romako-lindore dhe persiane. Gjuha arabe zuri vendin e greqishtes dhe persishtes si gjuhë zyrtare.

Që më 693 u përfshi Armenia në perandorinë islamike (deri më 885). Së fundi më 697 u pushtua Kartagjena.

Nën al-Valid-in I (në pushtet 705–715) nisi vala e dytë e ekspansionit të perandorisë islamike. Myslimanët depërtuan deri në Spanjë duke mposhtur aty mbretërinë e vizigotëve. Kjo provincë e re u quajt Al-Andaluz (Andaluzia). Në lindje u arrit në të njëjtin vit lumi Indus (Pakistan). U vazhdua më vonë deri në Uzbekistan (atëherë Transoksania me qytetet Buhara und Samarkandi dhe krahinën Koresmia në jug të liqenit Aral).

Përpjekja për të rrethuar Konstandinopojën dështoi më 717/718. Fushata të tjera për në Azinë e Vogël u ndërmorrën më 726 deri 740.

Beteja e Tours dhe Poitiers më 732 i dha fund plaçkitjeve arabe në Francë kundra Odonit të Akuitanisë. Fortesat Narbonne, Carcassonne dhe Nîmes si dhe pjesë të Provansës mbetën fillimisht në duart e myslimanëve. (shih edhe: Feja islame në Francë).

Rebeli persian Abu Muslim-i arriti të bashkojë së fundi qëndresën fetare në Mekkë dhe Medinë nga njëra anë, dhe atë të shiitëve nga ana tjetër duke ndihmuar kështu që sundimi i omajjadëve të merrte fund më 750.

Omajjadët u përndoqën politikisht, por arritën më 765 nën Abd ar-Rahman-in I të shkëpusin Emiratin i Kordobës (Spanjë) nga perandoria dhe të vazhdojnë të qëndrojnë në fuqi si dinasti (deri më 1031 me kalifin e fundit të Kordobës).

Shih edhe: Emevitët

Dinastia e abbasidëve sundoi nga 749 deri më 1258. Ajo rridhte nga Abbas ibn Abdulmuttalib-i, një xhaxhai të Muhamedit, duke bërë pjesë kështu në degën fisnore të hashimitëve.

Abu l-Abbas as-Saffah-u ishte sundimtari i parë abbasid. Ai ishte një stërnip i Abbas-it të lartpërmendur. Kështu erdhi përsëri në fuqi një i afërm i profetit. Mirëpo ai vdiq që më 754.

Trashëguesi i tij, Al-Mansur-i (në pushtet 754–775), themeloi qytetin e Bagdad-it duke e bërë atë si qendrën e re të perandorisë islame. Në këtë kohë zë fill edhe epoka e lulëzimit të kulturës islamike. Për shkak të afërsisë gjeografike të kryeqytetit të ri me Persinë, ishin edhe shumë persianë mbartës të kësaj kulture, të filozofisë islamike, artit, letërsisë, shkencave dhe teknikës.

Nipi i Mansur-it Harun ar-Rashid-i (në pushtet 786–809) është ndoshta sundimtari më i njohur islamik, i përjetësuar në përrallat e njëmijëenjë netëve. Peradoria e hilafetëve arriti kështu zenitin (kulmin) e lulëzimit të saj. Emra intelektualësh si el-Kindi (800–873), er-Razi (864–930), el-Farabi (870–950), Aviçenna (980–1037) dëshmojnë për këtë epokë të jetës kulturore islamike.

Në fakt u shkëputën në shekullin e 9-të dhe të 10-të provinca të tjera me dinasti të vetat

por duke e njohur autoritetin e kalifit në Bagdad.

Kufijtë e perandorisë mbetën të pandryshuar megjithëse pati herë pas here konflikte me Bizantin. Më 910 në Qipro, më 911 në Samos dhe më 932 Lemnos.

Shih edhe: Abasitët; Epoka e lulëzimit të kulturës islamike

Koha e selxhukëve

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Selxhukët ishin turq nga zonat e ngulimeve të prejardhjes së tyre në veri të OksusitTransoksani (sot Turkmenistan, Uzbekistan). Ndryshe nga persianët në jug, ata ishin sunnitë.

Rreth vitit 1025 deri 1030 ata depërtuan në perandorinë e hilafetit duke pushtuar më 1055 kryeqytetin Bagdad, më 1071 Jeruzalemin dhe më 1076 Damaskun.

Në Azinë e Vogël (Turqia e sotme) u vendos më 1097/98 Sulltanati i Rum-it.

Më 1067 selxhukët themeluan Nizamija-n në Bagdad si pol të kundërt të Azhar-it (në atë kohë ismailit) në Kajro. Teologu më me rëndësi do të bëhej shpejt Al-Ghazali (1058–1111), i cili u përpoq të bashkonte sufizmin me islamin ortodoks sunnit. Por me ripërtëritjen e teologjisë ai shkaktoi edhe dobësimin e filozofisë, deri atëherë të gjallë në perandorinë islamike lindore.

Më 1194 u rrëzua edhe sulltani i fundit selxhuk në Persi nga korazmitët sunnitë.

shih edhe: Selxhukët, Kryqëzatat

Fatimidët në Egjipt

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Fatimidët shiitë bënin pjesë në rrymën fetare të ismailitëve duke e quajtur veten sipas së bijës së Muhamedit Fatima. Ata sunduan nga 909/969 deri më 1171 në Maghreb, Egjipt dhe Siri. Fatimidët ishin në konkurrencë me hilafetin të abbasidëve duke u quajtur vetë kalifë me seli në Kajro.

Ata arritën të mundin më 909 aghlabidët në Tunizi dhe Algjeri. Më 969 ata morrën Egjiptin nga ihshididët. Më 973 u bë Kajro kryeqyteti i hilafetit të ri fatimid. Ata ishin edhe themeluesit e universitetit të al-Azhar-it.

Sundimtari i parë fatimid në Egjipt ishte el-Muizz-i (në pushtet 953–975). Nën të dhe të birin e tij Al-Aziz-in (në pushtet 975–996) vendi pati një farë lulëzimi, por pa arritur atë të hilafetit abbasid.

Al-Hakim-i (në pushtet 996–1021) u përpoq të islamizonte koptët e krishterë (mbartësit e administratës egjiptiane), gjë që çoi në trazira. Rryma e besimit të ri të druzëve në Siri, e adhuronte atë si mishërim të zotit.

Nën Al-Mustansir-in (në pushtet 1036–1094) përparoi në mënyrë të pandërprerë rënia e hilafetit fatimid. Selxhukët i shkëputën atyre më 1076 Sirinë dhe Palestinën (çka çoi në kryqëzatat). Pas vdekjes së Al-Mustali-t (në pushtet 1095–1101) u shkëputën ismailitët si pasojë e konflikteve në lidhje me trashëgimin e hilafetit duke shkaktuar lindjen e asasinëve armiqësorë ndaj kalifëve.

Që në fillim të shekullit të 11-të u veçuan në Ifriki (Algjeri, Tunizi, Tripolitani) ziridët, të cilët u kthyen në besimin sunnit duke njohur kalifin abbasid në Bagdad. Fatimidët dërguan kundra tyre beduinët e banu hilal-it dhe sulaim-it, të cilët shkretuan Maghreb-in. Ziridët mundën të vazhdonin qëndresën vetëm në zonat bregdetare (deri më 1152).

Më në fund më 1171 gjenerali i madh kurd Saladini i rrëzoi Fatimidët nga pushteti.

Shih edhe: Fatimitët, Ziridët

Dinastitë e almoravidëve dhe almohadëve në Afrikën veriore dhe Spanjë

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Oborri i AlhambrasGranadë, Spanjë me ornamente në formë arabeskash.

Almoravidët përfaqësonin një islam purist ortodoks dhe zunë përfundimisht vendin e ziridëve në Afrikën veriore. Më 1086 ata ndërhynë në Spanjë duke ndihmuar atje në sigurimin e sundimit islamik. Por shpejt ata humbën rëndësinë dhe vendin e tyre e zunë më 1147 almohadët ende ortodoksë, të cilët mundën të qëndronin në fuqi në Spanjë deri më 1235 dhe në Maghreb deri më 1269.

Shih edhe: Almoravidët dhe Almohadët

Koha e mongolëve

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Më 1220 shahu koresm Ala ad-Din Mohammed-i vdiq në ndjekje e sipër nga mongolët jo-myslimanë, kundra të cilëve ai kishte dalë në luftë. Koresmia ra nën sundimin mongol. Hilafeti mbeti hëpërhë i paprekur. Më 1255–1258 Hulagu, nipi i Xhingiz Khan-it, pushtoi përfundimisht Persinë duke asgjesuar atje asasinët, ndërsa prijësit lokalë duke i lënë në fuqi.

Hilafeti abbasid morri fund në shkurt të vitit 1258 pas pushtimit të Bagdadit dhe ekzekutimit të kalifit Al-Mustasim. Në fakt ekzistoi nga 1261 deri më 1517 një hilafet abbasid i dytë në Egjipt (mamlukët), por që me përjashtim të Indisë veriore pothuajse nuk njihej tjetërkund. Kështu morri fund edhe uniteti i perandorisë islamike nga ana e jashtme.

Shih edhe: Mongolët

Ajjubidët ishin dinasti islamiko-kurde. Nën Saladin-in ajo bëri luftëra kundra kryqëzatave e krishterë. Ajjubidët sunduan në Egjipt deri rreth vitit 1250. Ata mundën të ripushtojnë nga kryqtarët Tripolin (1172), Damaskun (1174), Alepon (1183), Mosulin (1185/86) dhe Jeruzalemin (1187).

Mamlukët në Egjipt

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Mamlukët, ose edhe ghulām-ët, ishin në fillimet e tyre skllevër ushtarakë me prejardhje turke në disa vende nën sundimin islamik. Mamlukët ndër të tjera, arritën të marrin në dorë pushtetin në vitin 1250 në Egjipt dhe ta zgjerojnë atë dhjetë vjet më vonë edhe mbi Levantin. Prej vitit 1260 mongolët u përballuan tek mamlukët me një fuqi që arriti t'u bënte qëndresë. Më vonë emri mamlukë është përdorur për disa dinasti sunduesish që ishin me prejardhje nga mamlukët, por pa qenë vetë skllevër. Më 1517 mamlukët turq u mposhtën prej osmanëve gjithashtu turq, por duke vazhduar të sundojnë faktikisht mbi Egjiptin si mëkëmbës të osmanëve deri në betejën e piramidave.

Shih edhe: Mamlukët

Ekspansioni i Perandorisë Osmane

Trashëgimia e të dhënave historike mbi fillimet e osmanëve (osmanlı, Perandoria Osmane = Devlet-i Âliye, Osmanlı Devleti) janë shumë të pakta, ndoshta ngaqë bëhej fjalë për një principatë të vogël ndër shumë të tjera që ishin krijuar në Azinë e Vogël pas shkatërrimit të perandorisë selxhuke. Dhënësi i emrit, Osmani I, ishte rreth fillimit të shekullit i 14-të sunduesi i një fisi nomad, i klanitkynyk-ëve nga fisi i kaji-ve pranë Söğüt-it në Anadollin veriperëndimor, me prejardhje turkmene dhe i besimit islamik. Më 1299 Osmani shpalli pavarësinë e beylik-ut të tij nga Sulltanati i Rum-it. Ky vit konsiderohet tradicionalisht si viti i themelimit të Perandorisë Osmane. Në vitet që pasuan, osmanët fituan gjithnjë e më tepër epërsi ushtarake në botën islamike duke arritur të bëhen fuqia e madhe islamike e fundit.

Perandoria Osmane ishte që në fillim një sistem shtetëror kryesisht ushtarak me orientimin për të zgjeruar „perandorinë e islamit“ (dar al-islam-in) me anë të pushtimeve në kuadër të xhihadit të territoreve me fe të tjera (të dār al-harb-it). Ushtarët osmanë të rënë në luftë konsideroheshin përgjithësisht si shahid-ë (dëshmorë). Koekzistenca (bashkëjetesa) paqësore deri në tanzimat ishte e mundshme vetëm nëpërmjet hudna-s, që kishte zakonisht si kusht tributin (detyrime taksash) ndaj osmanëve. Ulama (turqisht ulema) luante këtu një rol të rëndësishëm: krerët e klerit të jurisprudencës islamike (fikh-ut) nga rrethi i ngushtë i ilmije-s me kryemyftiun ose sheikulislam-in (turqisht şeyhülislâm) në krye, shërbenin si këshilltarë të rëndësishëm në interpretimin e ligjit islamik, të sharias (turqisht şeriat). Dekrete të lëshuara në emër të sharias në bazë të ekspertizave ligjore (fatva-ve, turqisht fetva) të ulama-s (zakonisht në emër të kryemyftiut) ishin të pakundërshtueshme duke konsoliduar kështu në mënyrë të konsiderueshme regjencën (pushtetin) e sulltanit. Ofiqin osman „ligjvënësi“ (kanuni), Sulejmani I e morri kur ai, nën kryemyftiun Abu ssund efendi, hartoi direktiva se si të zbatohej sharia dhe parimi "urdhëro të drejtën dhe ndalo të papranueshmen" në praktikën reale shtërore. Qeveria e Perandorisë Osmane emëronte për çdo provincë (elajet) nga një myfti.

Xhamia e Suleimanit (turqisht: Süleymaniye Camii) në Stamboll e ndërtuar me porosi të sulltan Suleimanit të I nga arkitekti osman Sinani më 1557

Më 1453 osmanët pushtuan nën Mehmet fatihun ("pushtuesin") Konstandinopojën. Selimi I, mposhti mamlukët, pushtoi Mekkën, Medinën duke trashëguar kështu më 1517 hilafetin e myslimanëve. Hilafeti osman ishte hilafeti i fundit që njihej. Duke u bazuar në suren 8, vargu 41, të kuranit, osmanët zbatonin devshirme-në (rekrutimin me forcë të fëmijëve).

Sistemi i miletit rregullonte statusin e pakicave jo-myslimane dhe autonominë e komuniteteve fetare në Perandorinë Osmane nga shekulli i 16-të deri të 18-të. Ky sistem u garantonte ahl al-kitab-it (të krishterëve dhe çifutëve) të drejta të caktuara; nga ana tjetër, pjesëtarëve të këtyre komuniteteve fetare (dhimma-s) u ndolohej mbajtja e armëve si dhe angazhoheshin për të paguar të ashtuquajurën xhizja-në. Për këtë ata ishin të liruar nga taksat myslimane, (zakat-i), nga sadaka si dhe nga detyrimi i shërbimit ushtarak.

  • Werner Ende, Udo Steinbach: Der Islam in der Gegenwart. (Feja islame sot) C. H. Beck, München 2005, ISBN 3-406-53447-3
  • Gerhard Endreß: Der Islam – Eine Einführung in seine Geschichte. (Feja islame. Hyrje mbi historinë e saj). C. H. Beck, München 1997, ISBN 3-406-42884-3
  • Ulrich Haarmann: Geschichte der arabischen Welt. (Historia e botës arabe). C. H. Beck, München 2004, ISBN 3-406-47486-1
  • Albert Hourani: Die Geschichte der arabischen Völker. (Historia e popujve arabë). Fischer Verlag, Frankfurt 1997, ISBN 3-596-15085-X
  • Wolfgang Jäger: Die islamische Welt. (Bota islamike). Cornelsen Verlag, 2002, ISBN 3-464-64288-7
  • Gudrun Krämer: Geschichte des Islam. (Historia e fesë islame). C. H. Beck, München 2005, ISBN 3-406-53516-X
  • Bernard Lewis: Die Araber. (Arabët). Dtv, München 2002, ISBN 3-423-30866-4
  • Albrecht Noth: Der islamische Orient, Grundzüge seiner Geschichte. (Lindja islamike. Skicë e historisë së saj). Ergon Verlag, 1998, ISBN 3-932004-56-6
  1. ^ shih: Hugh Kennedy: The Great Arab Conquests. (Pushtimet e mëdha arabe). Philadelphia 2007, prej f. 344-.
  2. ^ Giuseppe Simone Assemani: Bibliotheca orientalis III 2, f. XCVI
  3. ^ shih ndër të tjera: Walter Kaegi: Byzantium and the Early Islamic Conquests. (Bizanti dhe pushtimet e hershme arabe). Cambridge 1992, si dhe: Hugh Kennedy: The Great Arab Conquests. (Pushtimet e mëdha arabe). Philadelphia 2007.