Jump to content

Koretishti

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Karanishte)
Koretisht
Fshat

Koretisht është një vendbanim në komunën e Artanës, Kosovë. Shtrihet rreth 3 km në veriperëndim të Gjilanit. Është vendbanim i tipit të grumbulluar. Familjet: Në këtë vendbanim jetojnë familjet serbe të vëllazërive të ndryshme. Mikrotoponimet më karakteristike: Gllama, Pashnjaku, Bosatinic, Vërshefci, Selishte, Livadhet e Gata, Gançarica, etj.

Në lokalitetin Ara Tupanit, në ngastrën në veri të fshatit, në anën e majtë të rrugës Koretishtë-Strazhë. Janë gjetur pjesë të tjegullave dhe të qeramikës së pjekur. Në bazë të këtyre gjurmëve, mund të supozohet se aty ka ekzistuar një nekropole e antikës së vonë ose mbeturina të një objekti të vogël ndërtimor. Në vendin Grançarica,në sipërfaqe prej 3-4 ha, në mënyrë të qartë vërehen mbeturina të bedemeve si dhe ndërtime të tjera. Në tërë ngastrën mund të gjenden fragmente të qeramikës dhe qeramikë të pjekur antike (materiali mund të datojë nga koha e bizantit të hershëm deri në shekullin XIV). Sipas deklaratës së vendorëve, në një vend sipas legjendës gjenden kanale nëntokësore.

Me emrin Koretishtë përmendet që në vitin 1437 në librin e borxhlinjve të tregtarit novabërdas Mikel Llukarit. Në defterin kadastral të Vilajetit Vëllk të vitit 1455, me emrin Karanishte, kishte 14 shtëpi. Si vendbanim me emrin Guretishta[1] është regjistruar në defterin kadastral të Kazasë së Novabërdës të vitit 1498 dhe kishte 14 kryefamiljarë. Në një hartë austriake të vitit 1689 është regjistruar si vendbanim me emrin Koretishtë. Përmendet edhe në regjistrin e Manastirit të Deviçit në vitin 1764. Përkitazi me këtë vendbanim, 1929 A. Urosheviq [sr] thotë: se kur u vendosën serbët Kovaçevët (serbisht: Ковачеви / Kovačevi) në këtë lokalitet, aty nuk jetonte askush, por aty më parë ekzistonte një vendbanim, të cilin këta prapë e ngritën. Sipas disa shënimeve këtu ka jetuar dhe i ka pasur pronat Ismail Tetova, i cili ka jetuar deri në vitin 1912, dhe pastaj shpërngulet në Gjilan dhe ia shet tokën Gjorgje Nikoliqi (serbisht: Ђорђе Николић / Đorđe Nikolić). Me këtë emër është regjistruar në sallnamet e Vilajetit të Kosovës të vitit 1893, të vitit 1896, të vitit 1900.

Shënimet statistikore Në vitin 1903 kishte 55 shtëpi serbe; rreth vitit 1905, 59 shtëpi serbe dhe 18 shqiptare. Këtu është përfshirë edhe fshati Muhaxheraj (Pasjak) ku kanë jetuar shqiptarët; në vitin 1911 fshati - 66 shtëpi serbe. Shtëpitë shqiptare nuk janë regjistruar; Së bashku me lagjen Pasjak në vitin 1913, 717 banorë; në vitin 1918 këtu jetonin 30 familje serbe me 229 banorë dhe 10 familje shqiptare me 84 banorë; (Shqiptarët janë të lagjes Pasjak); sipas regjistrimit të vitit 1921 - 85 shtëpi me 528 banorë; në vitin 1927 - 84 shtëpi serbe; në vitin 1948 - 125 shtëpi me 896 banorë; në vitin 1953 - 137 shtëpi me 941 banorë; në vitin 1956 - 137 familje me 1041 banorë (541 meshkuj dhe 500 femra); në vitin 1961 - 157 shtëpi me 1144 banorë serbë; në vitin 1981 - 221 shtëpi me 1196 banorë (1195 serbë, 1 të tjerë). Sipas regjistimit serb të vitit 1999, fshati kishte 1226 banorë serbë.


Në malin Gllama,[1] ndërmjet fshatrave Koretishtë dhe Strazhë ekzistojnë zgafellat e xeherorës mesjetare.


[2]

  1. ^ a b Gllama Arkivuar 13 shkurt 2019 tek Wayback Machine www.galabri.com
  2. ^ Osmani, Jusuf (2004). Vendbanimet e Kosovës. Prishtinë: Shkrola. ISBN 9951-8547-5-3. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)

Lidhje të jashtme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]