Jump to content

Perandoria Bizantine

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Perandoria Romake Lindore)
Perandoria Bizantine
Latinisht:Imperium Romanum
Greqisht: Βασιλεία Ῥωμαίων
Perandoria e Romakëve
286/395–1204, 1261–1453
Flamuri i Perandorisë Bizantine
Chi Rho
Stema e Perandorisë Bizantine
Stema
Parimi: 
Në kohën e Paleologut
Perandoria në 555 nën Justinianin e Madh, në shtrirjen e saj më të madhe që nga rënia e Perandorisë Romake Perëndimore
Perandoria në 555 nën Justinianin e Madh, në shtrirjen e saj më të madhe që nga rënia e Perandorisë Romake Perëndimore
Evolucioni i trojeve të Perandorisë Romake Lindore nën çdo dinasti perandorake deri në rënien e saj në 1453.
Evolucioni i trojeve të Perandorisë Romake Lindore nën çdo dinasti perandorake deri në rënien e saj në 1453.
GjendjaPerandori
KryeqytetiKostandinopoja
Gjuhët e zakonshmeLatinisht · Greqisht
Besimi
Ortodoksia · Minoritetet: Islami dhe Judaizmi
Qeveria
Lloji i qeverisjesAristokracia · Burokracia
Perandor 
• 286 – 305
Diokleciani (i pari)
• 306 – 337
Kostandini I
• 1449 – 1453
Kostandini XI (i fundit)
KuvendiSenat
Historia 
• Ndarja e parë e Perandorisë Romake
1 Prill 286
11 Maj 330
• Ndarja përfundimtare Lindje-Perëndim pas vdekjes së Teodosit I
17 Janar 395
• Rënia e Perandorisë Romake Perëndimore; deponimi i Romulusit
4 Shtator 476
• Vrasja e Julius Nepos
9 Maj 480
• Pushtimet e hershme myslimane; fillimi i epokës së errët
634–750
• Beteja e Manzikert; humbja e Anadollit për shkak të luftës civile pasuese
26 Gusht 1071
• Pushimi i Kostandinopojës nga kryqtarët katolikë
12 Prill 1204
• Rimarrja e Kostandinopojës
25 Korrik 1261
• Rënia e Kostandinopojës
29 Maj 1453
• Pushtimi i osmanëve
29 Maj 1453
Popullsia
• 457
16,000,000
• 565
26,000,000
• 775
7,000,000
• 1025
12,000,000
• 1320
2,000,000
Ekonomia
MonedhaSolidus · Nomisma · Denarius
Të dhëna të tjera
Paraprirë nga
Pasuar nga
Perandoria Romake
Perandoria Osmane
  1. ^ Βασιλεία Ῥωμαίων mund të përkthehet në latinisht si "Basileia Rhōmaiōn, fjalë për fjalë do të thotë "Mbretëria e Romakëve", por zakonisht përkthehet "Perandoria e Romakëve".
  2. ^ Midis 1204 dhe 1261 pati një interregnum kur Perandoria Latine mori kontrollin e Kostandinopojës, duke bërë që vetë Perandoria Bizantine të ndahej në Perandorinë e Nikesë, Perandorinë e Trebizondit, Mbretërinë e Arbërisë dhe Despotatin e Epirit. Perandoria e Nikesë konsiderohet nga historianët si vazhdimi legjitim i Perandorisë Bizantine sepse arriti të rimarrë Kostandinopojën.

Perandoria bizantine, Perandoria Romake Lindore ose Perandoria romake e Lindjes ishte gjysma lindore e Perandorisë romake, që mbijetoi për një mijë vjet pas copëtimit të gjysmës perëndimore në mbretëri feudale të ndryshme dhe që ra përfundimisht pas sulmeve të vazhdueshme të turqve osmanë në 1453.

Vetë emri Bizantin shfaq keqkuptimet me të cilat është rënduar historia e perandorisë, duke ditur që banorët e saj nuk do ta konsideronin aspak të përshtatshëm. Sipas tyre, ata nuk i përkisnin askujt tjetër përveç Perandorisë romake, të themeluar pak përpara fillimit të Periudhës së krishterë me aprovimin e Zotit për të bashkuar popullin në pregatitje për ardhjen e të birit. Krenarë për prejardhjen e krishterë dhe romake, ata e quanin veten Romaioi ose romakë. Historianët modernë bien dakord me ta vetëm pjesërisht. Termi Roma Lindore përshkruan saktësisht njësitin politik që përfshinte provincat lindore të Perandorisë së vjetër romake deri në 476, kur akoma kishte dy perandorë. I njëjti term mund të përdoret deri në fund të pjesës së dytë të shekullit të 6-të, sa kohë që njerëzit vazhdonin të vepronin e të mendonin jo ndryshe nga ata të Perandorisë së hershme romake. Në po këtë kohë, megjithatë, pati ndryshime aq të shumta saqë pas shekullit të 7-të, shteti dhe shoqëria në Lindje ndryshonin dukshëm me format më të hershme. Për të shfaqur këtë ndryshim, historianët tradicionalisht e kanë përshkruar perandorinë mesjetare si Bizantine.[1]

Termi i dytë vjen nga emri Bizant, prej një kolonie të lashtë greke në anën evropiane të Bosforit, midis Mesdheut dhe Detit të Zi; qyteti ishte, për shkak të vendndodhjes, një pikë natyrore tranziti midis Evropës dhe Azisë së vogël (Anadolli). I rithemeluar si Roma e re nga perandori Kostandini i Madh, iu dha emri Kostandinopojë, qyteti i Kostandinit. U quajt prej Bizantit sepse thekson një aspekt qendror të qytetërimit bizantin: shkalla në të cilën administrata dhe jeta intelektuale e perandorisë u përqendrua në Kostandinopojë nga 330 deri në 1453, viti i mbrojtjes së fundit dhe të pasuksesshme të qytetit nga Kostandini XI Paleologu. Rrethanat e mbrojtjes së fundit janë interesante, kur në 1453 e lashta, mesjetarja dhe modernia u takuan për një kohë të shkurtër. Kostandini i fundit ra duke mbrojtur Romën e re të ndërtuar nga Kostandini i parë. Muret që rezistuan në Mesjetën e hershme gjermanët, hunët, avarët, sllavët dhe arabët u hodhën poshtë nga artileria moderne, misteret e së cilës teknikët evropianë ia kishin mësuar pushtuesve më të suksesshëm të Azisë qendrore: turqve osmanë.

Fatet e perandorisë ishin kësisoj të lidhura ngushtë me popujt e tjerë, arritjet dhe dështimet e të cilëve karakterizuan historinë mesjetare të Evropës dhe Azisë. Jo gjithmonë pati armiqësi në marrëdhëniet midis bizantinëve dhe atyre që ata i quanin barbarë. Edhe pse intelektuali bizantin besonte thellë se qytetërimi mbaronte në kufijtë e botës së tij, ai e hapi atë edhe për barbarin, nëse ky i fundit (bashkë me fisin) do të pranonte të pagëzohej dhe të shprehte besnikëri ndaj perandorit. Falë lëshimeve që vinin prej këtyre politikave, shumë emra, në dukje grekë, fshihnin origjina të ndryshme: sllave, ose ndoshta turke. Si pasojë, analfabetizmi barbar errëson brezat e hershëm të disa familjeve të destinuara për të qenë parësore në shërbimin civil ose ushtarak të perandorisë. Bizanti ishte një shoqëri e përzierë, e karakterizuar në shekujt e tij të hershëm nga një shkallë mobiliteti shoqëror që hedh poshtë stereotipin shpeshherë të atribuar të një shoqërie të palëvizshme dhe të vendosur me kastë.[2]

Një burim fuqie në Mesjetën e hershme, pozita gjeografike e Bizantit i shkaktoi dëm perandorisë pas shekullit të 10-të. Pushtimet e asaj epoke sollën probleme të reja të organizimit dhe asimilimit dhe këto perandorët duhej t'i përballnin në të njëjtën kohë kur çështje më të vjetra të politikave sociale dhe ekonomike kërkonin zgjidhje në forma të reja dhe afat-shkurtra. Asnjëherë nuk u arritën zgjidhje të kënaqshme. Në shekujt e vonë të perandorisë u shquan armiqësi fetare dhe etnike të ashpra duke dobësuar Bizantin para armiqve të rinj që shfaqeshin nga lindja dhe perëndimi. Perandoria përfundimisht ra kur strukturat administrative nuk mund të përballonin më tej barrën e drejtimit të vendosur mbi to pas pushtimeve ushtarake.

Shënime:

  1. Ky entitet ishte "pjesa lindore" derisa ra "Perandoria romake perëndimore"; kur Odoakri i dha skeptrin perandorak Kostandinopojës ishte thjesht Perandoria romake.
  2. Kostandinopoja (330–1204 dhe 1261–1453). Kryeqyteti i Perandorisë së Nikesë, perandoria pas Kryqëzatës së 4-të, ishte në Nike, Izniku i sotëm, Turqi.
  3. Data e themelimit tradicionalisht konsiderohet rithemelimi i Kostandinopojës si kryeqytet i Perandorisë romake (324/330), ndonëse data të tjera përdoren shpesh.[3]
  4. Data e rënies njihet universalisht si 1453, ndonëse pati disa mbetje të përkohshme në More dhe Trebizond.[3]

Sfondi romak dhe i krishterë

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Uniteti dhe diversiteti në Perandorinë e vonë romake

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Perandoria romake, paraardhësja e bizantines, arriti të kombinojë jashtëzakonisht mirë unitetin dhe diversitetin. Gjuha latine e përbashkët, monedha, ushtria ndërkombëtare e legjioneve romake, rrjeti urban, ligjet dhe trashëgimia e kulturës civile greko-romake shquheshin nga hallkat që Augusti dhe pasardhësit e tij shpresonin se do sillnin bashkim dhe paqe në një botë mesdhetare të lodhur nga shekuj luftërash civile. Për të lidhur këto nyje të qytetërimit perandorak, perandorët shpresonin se një tregti e gjallë dhe e lirë do të zhvillohej në provincat e perandorisë. Në krye të piramidës së kësaj bote qëndronte vetë perandori, burrë i mençur që do të strehonte shtetin nga çfarëdo problemesh që fati fshihte në errësirë. Perandori i vetëm mund të jepte këtë mbrojtje dhe duke qenë se konsiderohej mishërim i të gjithë virtyteve, zotëronte në perfeksion ato cilësi të shfaqura vetëm të paplota nga nënshtetasit e tij.

Formula romake e përballimit të fatit me arsyen (dhe në këtë mënyrë duke siguruar unitetin në gjithë Mesdheut) punoi si për çudi mjaft mirë nën presionin për paqëndrueshmëri që koha shumëfishon. Pushtimet sollën rajone me sfond të larmishëm nën sundimin romak. Provincat lindore ishin qendra të lashta dhe shumë të populluara të jetës urbane që përcaktuan karakterin e qytetërimit mesdhetar për mijëvjeçarë. Provincat perëndimore kishin hyrë vonë në rrugën e zhvillimit urban nën administrimin jo gjithmonë të butë të mjeshtërve të tyre romakë.[4]

Secili nga aspektet e unitetit të numëruar sipër kishte cenin e vet. Jo të gjithë kuptonin apo flisnin latinisht. Duke paralelizuar dhe ndonjëherë ndikuar ligjin romak ishin zakonet dhe praktikat lokale, kuptueshëm të ngulitura në arsye prej vjetërsisë së tyre. Tempujt paganë, sinagogat hebreje dhe pagëzoret e krishtera janë treguese të shtrirjes së feve të organizuara me të cilat format zyrtare të shtetit romak, përfshirë adhurimi i perandorit, nuk mund të bashkëjetonin në paqe. Në vend që të bashkonte botën romake, rritja ekonomike shpeshherë krijoi njësi të vetë-mjaftueshme në disa rajone, provinca apo prona të mëdha.

Duke ditur pengesat me të cilat mjeshtërit e shtetit romak u përpoqën të kapërcejnë, është për tu lavdëruar që patriotizmi romak qe më shumë se një formulë boshe, por që i vinte në dijeni njerëz nga Shtyllat e Herkulit në Detin e Zi se kishin diçka të përbashkët. Kjo diçka mund të përkufizohet në kuptimin më të gjerë si tradita civile greko-romake nga ana institucionale, intelektuale dhe emocionale. Mirënjohës për kushtet e paqes që ajo krijoi, njerëz të pasur dhe të kulturuar ia dedikuan kohën dhe burimet e tyre lartësimit të kësaj tradite duke zbukuruar qytetet që ishin shembuj të saj dhe duke arsimuar të rinj që shpresonin një ditë ta vazhdonin atë.

Në këtë botë barbarët u shfaqën pas vitit 150. Për të mbrojtur kufijtë prej tyre, perandorët luftëtarë ia kushtuan aq kohë sa kishin në dispozicion përleshjeve konstante për të rivendosur kontrollin mbi provincat ku ishin krijuar regjime lokale. Duke parë luftën e vazhdueshme, sëmundjet e shumta dhe ndryshimet e shpeshta të fronit perandorak, do ishte e lehtë të thuhej se pak ngelej nga shoqëria greko-romake apo struktura burokratike e krijuar enkas për të.

Asnjëri nga këto sugjerime nuk është i saktë. Shkatërrimi ishte rastësor dhe disa rajone vuanin më shumë se të tjerat. Në fakt, ekonomia dhe shoqëria e perandorisë si e tërë gjatë kësaj periudhe qe më e larmishme se kurrë. Të detyruar nga nevoja ose të tërhequr nga fitimi, njerëzit shpërnguleshin nga provinca në provincë. Parregullsitë sociale krijuan mundësi për pasuri dhe pushtet që rregulli i qëndrueshëm i epokës më të hershme nuk i kishte lejuar për të talentuarit dhe ambiciozët. Për arsye personale dhe dinastike, perandorët preferonin disa qyteza dhe provinca mbi të tjerat dhe seria e paqartë e pasardhjes bashkë me një ndryshim të vazhdueshëm të zyrtarëve të lartë administrativë dëmtuan rëndë qëndrueshmërinë ekonomike dhe shoqërore.[5]

Reformat e Dioklecianit dhe Konstantinit

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Tetrarkët, një skulpturë porfiri e plaçkitur nga një pallat bizantin në 1204, sot qëndron në cepin jugperëndimor të Bazilikës së Shën Markut, Venedik

Përkufizimi i një politike të qëndrueshme perandorake u vendos nga dy perandorë-ushtarë të mëdhenj, Diokleciani (sundoi 284-305) dhe Kostandini I (perandor i vetëm 324-337), që sëbashku i dhanë fund një shekulli anarkie dhe rithemeluan shtetin romak. Ka shumë ngjashmëri mes tyre, një prej tyre problemet që u deshën të përballnin: të dy nxorën mësimin nga anarkia e shekullit të 3-të se një burrë i vetëm dhe pa ndihmë nuk mund të shpresojë të kontrollojë botën shumëformëshe romake dhe as të mbrojë kufijtë e saj; si ushtarakë, të dy konsideronin reformën e ushtrisë si nevojë parësore në një epokë që kërkonte mobilitetin më të lartë të mundshëm; të dy e panë Romën e vjetër dhe Italinë si baza ushtarake të pakënaqshme për shumicën e forcave perandorake. Të ndikuar thellësisht nga prirja e ushtarit për hierarki, sistem dhe rregull, që e kishin të përbashkët me shumë nga bashkëkohësit e tyre si dhe perandorë paraardhës, ata u tmerruan nga mungesa e sistemit dhe parregullsia karakteristike e ekonomisë dhe shoqërisë në të cilën jetonin. Të dy, si pasojë, ishin të vendosur për të përmirësuar dhe familjarizuar disa masa të dëshpëruara të marra nga paraardhësit e tyre ushtarakë për të komanduar aferat e shtetit romak. Çfarëdo bindjesh fetare kishin, të dy besonin se çështjet e perandorisë do ecnin për mbarë vetëm nëse nënshtetasit e perandorit besonin në zotat e vertëtë në mënyrën e saktë.[6]

Rrugët me të cilat adoptuan këto qëllime ndryshojnë kaq shumë nga njëra-tjetra saqë njëri, Diokleciani, sheh nga e shkuara dhe mbaron historinë e Romës; tjetri, Kostandini, sheh nga e ardhmja dhe themelon Bizantin. Kësisoj, në çështjet e pasardhësisë së ofiqit perandorak, Diokleciani adoptoi precedent që mund ta gjente në praktikat e shekullit të 2-të. Ai e shoqëronte veten me një bashkëperandor, ose August. Secili August pastaj adoptonte një koleg të ri, ose Çezar, për të ndarë sundimin dhe përfundimisht për të marrë vendin e partnerit të vjetër. Ky sundim katërsh, ose tetrarki, dështoi në qëllimin e vet dhe Kostandini e zëvendësoi atë me parimin dinastik të pasardhjes trashëguese, një procedurë e ndjekur përgjithësisht në shekujt në vazhdim. Për të ndarë përgjegjësitë administruese, Kostandini zëvendësoi prefektin e vetëm pretorian, që tradicionalisht ushtronte funksione civile dhe ushtarake në afërsi të perandorit me prefektë rajonalë të vendosur në provinca që gëzonin këtë autoritet civil të vetëm. Me kalimin e shekullit të 4-të, katër prefektura rajonale të mëdha dolën nga fillimet e Kostandinit dhe praktika e ndarjes së pushtetit civil nga ai ushtarak vazhdoi deri në shekullin e 7-të.[7]

Ndryshime në fusha të tjera të politikave perandorake janë po aq të dukshme. Diokleciani i persekutoi të krishterët dhe u përpoq të ringjallte fenë e vjetër. Kostandini, një i konvertuar i fesë tjetër, e ngriti në statusin e një feje të lejuar. Diokleciani e vendosi qendrën e tij në Nikomedi, një qytet që kurrë nuk u ngrit më shumë në status sesa një qendër provinciale gjatë Mesjetës, kurse Kostandinopoja, qyteti i themeluar nga Kostandini, lulëzoi madhërishëm. Diokleciani u përpoq të sillte rregull ekonomik duke fiksuar rrogat dhe çmimet dhe duke startuar një reformë valute të bazuar mbi një monedhë të re ari, aureus-in, i barazvlefshëm me 120 për një kilogram ar. Fiksimet dështuan dhe aureus-i u zhduk për t’i lënë vend arit të Kostandinit, solidus-it. Monedha e dytë u vendos me vlerë më të ulët: 150 për një kilogram ar, standard që ngeli funksional për shekuj. Për çfarëdolloj arsye, si përfundim, politikat e Kostandinit qenë shumë të suksesshme. Disa prej tyre—sidomos pasardhja trashëguese, njohja e krishtërimit, reforma e valutës dhe themelimi i kryeqytetit-qenë përcaktuese për disa prej aspekteve që qytetërimi bizantin njihet.[8]

Megjithatë do ishte e gabuar ta konsiderosh Kostandinin një revolucionar ose të mos vësh re ato fusha në të cilat ai ndoqi paraardhësit dhe nuk qe inovativ. Perandorët e hershëm ishin përpjekur të detyronin grupe njerëzish të kryenin detyra të caktuara që ishin jetësore për mbijetesën e shtetit por që qenë jo tërheqëse për ata që u detyruan të marrin këtë barrë. Detyra të tilla përfshinin lëvrimin e tokës, që ishte detyra e fshatarit, ose colonus; transportimi i mallrave të lirë në shumicë në zonat metropolitane të Romës ose Kostandinopojës, që ishte detyra e mjeshtrit të anijeve, ornavicularius; dhe shërbimet e sjella nga curiales, anëtarë të senatit bashkiak me detyrë vlerësimin dhe mbledhjen e taksave vendore. Ligjet e Kostandinit në shumë raste i bënë të trashëgueshme këto përgjegjësi të detyruara, duke vendosur kështu bazat e sistemit collegia, ose esnafeve të trashëguara shtetërore që qenë një tipar shumë i shquar në jetën shoqërore të vonë romake. E fundit, por po aq e rëndësishme, ai i kërkonte fshatarëve që të qëndronin në atë zonë ku listat e taksave i kishin shënuar.[9]

Shekulli i 5-të: Vazhdimi i qytetërimit greko-romak në Lindje

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Qoftë inovative apo tradicionale, masat e Kostandinit përcaktuan drejtimin e politikave perandorake përmes shekullit të 4-të deri në të 5-tin. Gjendja e perandorisë në 395 mund të përshkruhet si rezultatet e punës së Kostandinit. Parimi dinastik qe vendosur aq fortë saqë perandori që vdiq atë vit, Teodosi I, ia la trashëgim ofiqin perandorak djemve të tij, të cilët ishin të dy të rinj dhe të paaftë: Arkadi në Lindje dhe Honori në Perëndim. Kurrë më nuk do sundonte një njeri i vetëm të gjithë sipërfaqen e perandorisë në të dyja pjesët e saj. Kostandinopoja ishte rritur në një popullsi midis 200 000 dhe 500 000; në shekullin e 5-të perandorët u përpoqën të zvogëlojnë rritjen. Pas 391 krishtërimi ishte shumë më tepër se një prej feve: nga ai vit e tutje, dekreti perandorak ndalonte çdo lloj forme të kultit pagan dhe tempujt u mbyllën. Presioni perandorak ishte shpesh i pranishëm në këshillet e kishës në shekullin e 4-të, kur perandori ndërmori një rol në përcaktimin dhe shtypjen e herezive.

Politikat ekonomike dhe shoqërore

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Ekonomia e perandorisë kishte lulëzuar në disa pika. Provinca të caktuara ose pjesë provincash si Italia veriore lulëzuan në tregti dhe bujqësi. Kostandinopoja, në veçanti, ndikoi në rritjen urbane dhe shfrytëzimin e frontiereve bujqësore. Qytezat e Ballkanit përgjatë rrugës që të çonte në kryeqytet lulëzuan, kurse të tjerat jo shumë të pëlqyera ngelën mbrapa, madje edhe u zhdukën. Toka e palëvruar në rajonet kodrinore të Sirisë veriore filluan të plugohen për të furnizuar me ushqim masat e Kostandinopojës. Me ecjen e shekullit të 4-të, solidusi i Kostandinit jo vetëm qëndroi ar i pastër, por prova të nxjerra nga shumë burime tregojnë se ari ishte shumë më i bollshëm se ç’kishte qenë në dy shekujt e fundit. Ndoshta burime të reja të këtij metali të çmuar u zbuluan: këto ndoshta mund të jenë plaçkitur nga tempujt paganë; ose nga miniera të reja në Afrikën perëndimore që u bënë të mundura për herë të parë për tokat e perandorisë nga nomadë që transportonin me deve arin përmes Saharasë në bregdetin mesdhetar të Afrikës veriore.

Mobiliteti shoqëror gati ekstrem që u shqua në fund të shekullit të 3-të dhe në fillimet e shekullit të 4-të shfaqet më pak karakteristik në gjysmën e dytë të shekullit të 4-të. Me siguri perandorët vazhduan përpjekjet për të detyruar njerëzit të kryenin detyrën e tyre kolektive, por përsëritja e vazhdueshme e ligjeve që lidhnin colonus-in në pronat e tij dhe navicularius-in te anija e tij dhe curialis-in te senati i tij bashkiak tregon se këto edikte patën shumë pak ndikim. Në fakt, do të ishte gabim të konkuldosh nga ky legjislacion se shoqëria romake ishte e organizuar kudo në mënyrë universale në kasta të vendosura nga urdhërat perandorake. Çdo provincë kishte ndryshimet e saj.

Edhe përpara përfundimit të çerekut të parë të shekullit të 5-të, këto ndryshime provinciale ishin të dukshme; dhe në një shkallë jo të vogël ato ndihmojnë në shpjegimin e mbijetesës së qeverisë perandorake dhe qytetërimit greko-romak në Lindje kur të dyja këto ishin zhdukur në Perëndim. Në provincat lindore popullsia ngeli e lartë dhe perandorët në Kostandinopojë kurrë nuk iu duhej të kërkonin (të paktën deri në shekullin e 6-të) për burra që të mbushnin ushtrinë. Siç mund të pritet nga ato toka lindore ku qytetërimi urban ishte disa shekuj i vjetër, qytetet qëndruan dhe me to një ekonomi monetare dhe një klasë tregtarësh. Tregtarët lindorë, të njohur në burime si tregtarë, ndërmorën trasnportimin e mallrave midis Lindjes dhe Perëndimit, shpeshherë duke vendosur koloni në qytetet e dëmtuara të Perëndimit.

Më e rëndësishmja, perandori në Lindje kurrë nuk e humbi aksesin ose kontrollin mbi burimet e tij të krahut të punës dhe parasë. Një klasë e vjetër dhe e pasur senatoriale aristokratike konsolidoi pronat e saj të mëdha në Perëndim dhe ndërmori mbrojtjen dhe patronazhin e klasave punëtore rurale, duke i hequr shtetit shërbime financiare dhe ushtarake që i duheshin dëshpërimisht. Klasa senatoriale në Lindje nuk kishte origjinë aq të vjetër dhe fillimet e tyre gjendeshin te favoritët e Kostandinit apo parvenytë që e kishin ndjekur në kryeqytetin e tij të ri. Në fillim të shekullit të 5-të, pasuria e tyre ishte shumë më e vogël se ajo që homologët e tyre në Perëndim zotëronin; pronat e tyre ishin shumë të shpërndara dhe ruralët e varur nën ta shumë më të pakët. Ata ishin kështu më pak të aftë për të sfiduar vullnetin perandorak dhe të viheshin mes shtetit, në njërën anë, dhe ushtarëve apo taksapaguesve potencialë në tjetrën.[10]

Marrëdhëniet me barbarët

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Këto ndryshime midis Perëndimit dhe Lindjes, shtuar dhe tiparet gjeografike, janë shkaku i pritjes së ndryshme që iu bënë pushtuesve gjermanikë të shekujve të 4-të dhe të 5-të në Lindje dhe Perëndim. Ndonëse popujt gjermanikë kishin krijuar valë në frontieret e Danubit dhe Rinit që nga shekulli i 2-të, sulmet e mëdha filluan vetëm në pjesën e dytë të shekullit të 4-të, kur Hunët e frikshëm shpërngulën nga vendi i tyre Ostrogotët dhe Vizigotët, duke bërë që këta të fundit të kërkonin strehim brenda frontierit të Danubit në perandori. Ndërveprimi i parë mes romakëve dhe barbarëve nuk ishte aspak miqësor; romakët filluan t’i shfrytëzonin të ftuarit e padëshiruar dhe gotët u inatosën, duke mundur një ushtri romako-lindore në Adrianopojë në 378 dhe duke vrarë perandorin lindor që komandonte ushtrinë. Perandori Teodosi I (sundoi 379–395) adoptoi një politikë tjetër, duke i dhënë gotëve toka dhe status ligjor të aleatëve, ose foederati, të cilët ishin pjesë e ushtrisë romake si njësi autonome nën liderin e tyre.

Politika e Teodosit I nuk qe popullore as në Perëndim, as në Lindje. Gotët, ashtu si shumica e popujve gjermanikë me përjashtim të frankëve dhe lombardëve, ishin konvertuar në arianizëm, të cilin romakët katolikë, apo ortodoksë, e konsideronin një herezi të rrezikshme. Natyra luftëtare e gjermanëve nuk qe shumë e pëlqyeshme nga aristokracia senatoriale që ishte kryesisht pacifiste dhe fillimi i shekullit të 5-të shquhet në të dyja pjesët e perandorisë nga reagimi ndaj liderëve gjermanikë në poste të larta. Në Kostandinopojë më 400, p.sh, qytetarët u ngritën kundër një oficeri të vjetër të gardës perandorake (magister militum), Gainas, duke therur atë bashkë me gjithë ndjekësit e tij gotë. Ndonëse kjo revoltë e caktuar nuk pati të njëjtat rezultate si ngjarje të ngjashme në Perëndim dhe liderët gjermanikë u shfaqën përsëri në role komande në Lindje, këta vepronin tanimë si individë pa mbështetjen e atyre grupeve autonome të ushtarëve që komandantët barbarë perëndimorë vazhduan të gëzojnë.

Më tej, Lindja përdori më së miri burimet e saj të arit, krahu pune dhe diplomacie, kur në të njëjtën kohë mësoi si të veprojë me secilin armik. Gjatë sundimit të Teodosit II (408–450), hunët nën kryetarin e tyre Atila morën sasi të mëdha ari që ruajtën gjendjen e paqes së vështire me perandorinë lindore. Kur Marciani (sundoi 450–457) refuzoi dhënien e arit, Atila u tërhoq nga hakmarrja për shpresën e pushtimit në Perëndim. Ai kurrë nuk u kthye për të sfiduar perandorinë lindore dhe me vdekjen e tij në 453, perandoria hune ra përtokë.[11] Si Marciani ashtu edhe pasardhësi i tij, Leoni I (sundoi 457-474) sunduan nën mbikqyrjen e Flavius Ardaburius, ose Aspar; por Leoni I arriti të sfidojë pozitën e Asparit dhe ndikimin e gotëve duke favorizuar izaurët luftëtarë dhe kryetarin e tyre, Tarasikodisa, të cilin e martoi me princeshën perandorake, Ariadnën. Ndjekësit izaurë të Tarasikodisës, i cili sundoi në një kohë të vorbullt si perandori Zeno (474-491), ishin popull malësor nga Anadolli jugor dhe nga ana kulturore ishin edhe më barbarë se gotët apo gjermanët e tjerë. Megjithatë, ata ishin nënshtetas të perandorit romak në Lindje, pra ishin padyshim romakë dhe qenë mjaft efektivë në zvogëlimin e ndikimit të gotëve në Kostandinopojë. Në prefekturën e Ilirisë, Zenoni zhduku kërcënimin e Teodorikut duke e bindur atë (488) të guxojë të marrë Italinë bashkë me ostrogotët e tij. Kjo provincë ishte nën duart e kryetarit gjerman Odoakër, i cili në 476 kishte hequr nga froni Romul Augustin, perandorin e fundit romak në Perëndim.[12] Kështu, duke sugjeruar se Teodoriku duhet të pushtonte Italinë për mbretërinë e tij ostrogote, Zenoni mbante të paktën një supremaci juridike në tokën perëndimore ndërkohë që hoqi qafe nga perandoria lindore një nën-sundimtar të rrezikshëm.[13]

Me vdekjen e Zenonit dhe ngritjen në pushtet të shërbyesit civil romak Anastasi I (sundoi 491-518), mbajtja e ofiqit perandorak nga izaurët përfundoi, por jo deri në 498 kur forcat e perandorit të ri morën masa efektivë kundër rezistencës izaure.[14] Pas fitores së atij viti, nënshtetasit besnikë të perandorit romak lindor mund të merrnin frymë lehtësisht: izaurët u përdorën për të mundur gjermanët, por populli i egër malësor nuk arriti dot të zotërojë përfundimisht ofiqin perandorak. Autoriteti perandorak kishte ruajtur integritetin e vet në Lindje ndërkohë që ishte shpërbërë në Perëndim në disa shtete pasardhëse: anglët dhe saksonët kishin pushtuar Britaninë që në 410; vizigotët kishin zotëruar pjesë të Spanjës që në 417, kurse vandalët kishin hyrë në Afrikë në 429; frankët, nën Klodvigun, kishin filluar pushtimin e Galisë qendore dhe jugore në 481; dhe Teodoriku sundoi Italinë deri në 526.

Nëse armiqësitë etnike ishin më pak kërcënuese rreth vitit 500 se në të shkuarën, mosmarrëveshje që buronin nga çështjet fetare kërcënuan seriozisht unitetin perandorak dhe historia politike e shekullit të ardhshëm nuk mund të kuptohet pa ekzaminuar të ashtëquajturën herezi monofizite. Ishte herezia e dytë e madhe në perandorinë lindore; e para ishte konflikti i shkaktuar nga mësimet e prifit nga Aleksandria, Ariusit, i cili në një përpjekje për të ruajtur madhështinë e Të Atit, predikonte se vetëm ai ishte i përjetshëm, kurse I Biri ishte krijuar në një kohë të caktuar. Falë mbështetjes perandorake, herezia ariane kishte mbetur përmes shekullit të 4-të dhe u dënua përfundimisht vetëm në 381 me nxjerrjen e doktrinës se I Ati dhe I Biri ishin një substancë dhe ekzistonin sëbashku.

Nëse Baballarët e kishës në shekullin e 4-të grindeshin mbi marrëdhienet mes Të Atit dhe Të Birit, ata të shekullit të 5-të u përballën me problemin e përcaktimit të marrëdhënies mes dy natyrave – njerëzore dhe hyjnore- të Të Birit, Jezu Krishtit. Teologët e Aleksandrisë në përgjithësi besonin se natyrat njerëzore dhe hyjnore ishin të bashkuara pa dallim, kurse ata të Antiokut predikonin se të dy natyrat bashkëjetonin veçmas te Krishti dhe natyra njerëzore sipas tyre ishte “ena e zgjedhur nga Zoti … njeriu i lindur nga Maria.” Me kalimin e shekullit të 5-të, këto dy pozicione kundërshtuese teologjike u bënë pjesë e një përleshje për supremaci ndërmjet patriarkanave rivale të Kostandinopojës, Aleksandrisë dhe Romës. Nestori, patriarku i Kostandinopojës në 428, adoptoi formulën antiokase, e cila, sipas tij, theksonte natyrën njerëzore të Krishtit mbi atë hyjnore. Kundërshtarët e tij (fillimisht patriarku i Aleksandrisë, Cirili dhe më vonë dishepujt e Cirilit, Dioskuri dhe Eutiku) theksuan natyrën e vetme hyjnore të Krishtit, rezultat i Ringjalljes. Besimi i tyre në Monofizizëm, ose natyra e vetme e Krishtit si I Biri, u bë shumë popullore në provincat e Egjiptit dhe Sirisë. Roma, në personin e papës Leo I, deklaroi, në kundërshtim me të tjerët, pro Diofizizmit, një doktrinë që predikon se dy natyrat, perfekte dhe të veçanta, ekzistonin te Krishti. Në Këshillin e Kalcedonisë (451), kjo pikëpamje triumfoi falë mbështetjes nga Kostandinopoja, që ndryshoi pozitën e saj dhe dënoi si nestorianizmin, ose theksimin e natyrës njerëzore të Krishtit, dhe Monofizizmin, ose besimin në natyrën e vetme hyjnore.

Më e rëndësishme për historinë ushtarake dhe politike sesa detajet teologjike të konfliktit ishte impakti që Monofizizmi shkaktoi në disa rajone të botës mesdhetare. Duke qenë një formulë që shprehte rezistencë ndaj sundimit perandorak të Kostandinopojës, Monofizizmi qëndroi në Egjipt dhe Siri. Derisa këto dy provinca u pushtuan nga myslimanët në shekullin e 7-të, secili perandor duhej në njëfarë mënyre të përballej me tendencat separatiste të shprehura me anë të herezisë. Ai duhej ose të merrte armët kundër Monofizizmit dhe të përpiqej ta zhdukte me forcë, ose të formulonte një doktrinë që do mund të përziente atë me Diofizizmin, ose të besonte vetë te kjo herezi. Asnjë nga këto të treja nuk qenë të suksesshme dhe armiqësia fetare nuk ishte më e pakta nga pakënaqësitë që çuan Egjiptin dhe Sirinë t’iu dorëzoheshin me lehtësi pushtuesit arab. Nëse perandori lindor donte të rivendoste kontrollin mbi Perëndimin, ai duhet të zbulonte një formulë që do kënaqte ortodoksinë perëndimore duke mos armiqësuar Monofizizmin lindor.[15]

Perandoria në fund të shekullit të 5-të

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Nën sundimin e Anastasit I (491–518), të gjitha tendencat e shekullit të 5-të gjetën fokusin e tyre: ndjenja e Romanitetit, që kërkonte një romak dhe jo një izaur apo gjerman si perandor, konflikti mes ortodoksisë dhe monofizizmit dhe vazhdimi i lulëzimit ekonomik në Lindje. I vlerësuar dhe zgjedhur si perandori ortodoks dhe romak që do i jepte fund hegjemonisë së izaurëve dhe aktiviteve të urryera të heretikëve monofizitë, Anastasi arriti objektivin e parë por dështoi në të dytin. Ndonëse ai mundi izaurët dhe i çoi shumë prej tyre në vendlindjen anadollake, ai gradualisht filloi të mbështesë herezinë monofizite megjithë deklarimet e ortodoksisë që bëri në kurorëzim. Nëse politikat e tij fituan mbështetës në Egjipt dhe Siri, ato armiqësuan nënshtetasit e tij ortodoksë dhe në fund çoi në luftë civile dhe trazira.

Politikat ekonomike të Anastasit qenë shumë më të suksesshme; nëse ato nuk dhanë bazën për arritjet e shquara në shekullin e 6-të në çështjet ushtarake dhe artet e qytetërimit, ato të paktën shpjegojnë pse Perandoria Lindore lulëzoi në ato fusha gjatë kësaj periudhe. Një inflacion i monedhës së bakrit, i pranishëm që nga koha e Kostandinit, mbaroi më në fund me rezultate të dëshiruara për ata anëtarë të shtresave të ulëta që i kryenin operacionet e tyre me këtë metal bazë.[16] Përgjegjësia për mbledhjen e taksave bashkiake u mor nga anëtarë të senatit vendor dhe iu vu si detyrë agjentëve të prefektit pretorian. Tregtia dhe industria u nxitën nga mbarimi i chrysargyron, një taksë në ar që paguhej nga klasat urbane. Nëse klasat rurale duhej të paguanin taksën e tokës në para dhe jo në natyrë, thjesht fakti se ari mendohej se ishte i disponueshëm në fshatra, është një tregues i fuqishëm i prosperitetit rural. Në Lindje, rritja ekonomike e shekullit të 4-të vazhdoi dhe nuk është e çuditshme që Anastasi pasuroi thesarin me 150 000 kilogram ar gjatë sundimit të tij.[17]

Me këto burime financiare në dispozicion, pasardhësit e perandorit mund të shpresonin të rivendosnin autoritetin romak mbi shtetet pasardhëse gjermanike perëndimore, nëse mbushnin këto dy objektiva: e para, ata duhet të shëronin mosmarrëveshjet fetare ndërmjet nënshtetasve; e dyta, ata duhet të mbronin frontierin lindor ndaj kërcënimit të persëve sasanidë. Për shkak se kishte luftë të vazhdueshme në të dy frontet gjatë shekullit të 6-të, pak njohuri e këtij rivaliteti shumë të vjetër mes Romës dhe Persisë është thelbësor për të kuptuar problemet me të cilat u përball më i madhi nga pasardhësit e Anastasit, Justiniani I (sundoi 527-565), ndërkohë që ndërmerrte pushtimin e Perëndimit.

Në 224 Perandoria antike perse ra nën duart e një dinastie të re, sasanidëve, regjimi i të cilëve i solli një jetë të re shtetit të dobësuar. Pasi kishin siguruar kontroll të qëndrueshëm mbi tokat e mëdha që ishin nën ta, sasanidët ringjallën përleshjet e vjetra me Romën për Mesopotaminë veriore dhe qytetet fortesa të Edesës dhe Nisibisit, që shtriheshin mes Eufratit dhe Tigrit. Në shekullin e 4-të, burime të reja armiqësie u shfaqën kur Roma lindore u bë një perandori e krishterë. Pjesërisht si reagim, Persia Sasanide forcoi organizimin klerik të fesë zoroastriane; jotoleranca dhe përndjekjet u bënë çështje të ditës në Persi dhe konflikti mes perandorive u bë njëfarë lufte fetare. Armiqësitë u u përkeqësuan kur Armenia, që shtrihej në veri midis këtyre dy perandorive, u konvertua në krishtërim dhe kështu kërcënonte integritetin fetar të Persisë. Nëse lufta në shkallë të vogël gjatë shekujve të 4-të dhe të 5-të rrallë shpërthente në fushata të mëdha, kërcënimi ndaj Romës mbetej gjithnjë i vazhdueshëm dhe kërkonte vigjilencë dhe fortifikime të kënaqshme. Në 518, balanca mund të thuhet se anonte nga ana e Persisë kur ata fituan qytetet e Teodosiopolisit, Amidës dhe Nisibisit.

Shekulli i 6-të: nga Roma lindore në Bizant

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Justiniani I, detaj nga kisha San Vitale, Ravenë

Shekulli i 6-te u hap me vdekjen e Anastasit dhe ngjitjen në fron të ushtarit ballkanas që e zëvendësoi atë, Justinit I (sundoi 518-527). Gjatë shumicës së sundimit të Justinit, pushteti aktual ishte në duart e nipit dhe pasardhësit të tij, Justiniani I.[18] Të dhënat për më shumë se 40 vjet të sundimit të Justinianit janë të bazuara në veprat e bashkëkohësit të Justinianit, historianit Prokop. Ky i fundit shkroi një vepër lavdëruese të arritjeve ushtarak të perandorit të titulluar “Polemon (Luftëra)” dhe i shtoi edhe “Anecdota (Historia Sekrete)” ku sulmon furishëm jetën personale të perandorit , karakterin e perandoreshës Teodorë dhe drejtimin e administratës së brendshme perandorake. Sundimi i Justinianit mund të ndahet në tre periudha: (1) një epokë fillestare e pushtimeve dhe arritjeve kulturore që shtrihet deri në dekadën e 540-ës; (2) 10 vjet krizë dhe gati shkatërrim gjatë viteve 540; dhe (3) dekada e fundit e sundimit të tij, në të cilën gjendja shpirtërore dhe realitet sociale ishin shumë të ngjashme me ato gjatë sundimit të pasardhësve të Justinianit sesa viteve të para të sundimit të tij.

Pas 550, është e mundur të flasim për një bizantin mesjetar sesa për një romak antik lindor, ose perandori. Nga katër traumat që transformuan Bizantin—murtaja, luftërat, trazirat sociale dhe sulmi mysliman arab në vitet 630-dy të parat ishin tipare të sundimit të Justinianit.

Vitet e arritjeve deri në 540

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Justiniani ishte veç një shembull i magjisë civilizuese që Kostandinopoja punonte mbi pasardhësit e atyre që rrezikonin brenda mureve të saj. Justini, xhaxhai i tij, ishte një ushtar i ashpër dhe analfabet; Justiniani, nipi, ishte një zotëri i kultivuar, i aftë në teologji, ndërtues kishash madhështore dhe nxitës i kodifikimit të ligjit romak. Të gjitha këto arritje janë, në kuptimin e thellë të fjalës, civile dhe është e lehtë të harrosh që perandoria e Justinianit ishte pothuajse gjithmonë në luftë. Historia e Romës lindore gjatë kësaj periudhe tregon si efektet e luftës transformojnë ide dhe institucione njëlloj.

Sundimi u hap me luftëra të jashtme dhe konflikte të brendshme. Nga Lazika në shkretëtirën arabe, frontieri pers u ndez nga një seri fushatash ku shumë gjeneralë të destinuar për famë në Perëndim demonstruan për herë të parë aftësitë e tyre. Fuqia e ushtrisë romake lindore ishte e tillë që ndërsa mbanin persët në kufijtë e tyre, Justiniani mund të çonte trupa për të sulmuar hunët në Krime dhe të ruante frontierin e Danubit kundër shumë armiqve. Në 532, Justiniani vendosi të lërë mënjanë operacionet ushtarake në favor të diplomacisë. Ai negocioi, për një haraç të lartë, një “Paqe të Përjetshme” me mbretin pers, Kosraun, që i liroi duart e romakëve në këtë pjesë të globit. Kështu, Justiniani arriti objektivin e parë të nevojshëm për ripushtimin e Perëndimit: paqen në Lindje.[19]

Edhe përpara ngjitjes në fron, Justiniani kishte ndihmuar në arritjen e objektivit të dytë. Pak pas shpalljes si perandor, Justini kishte mbledhur një këshill peshkopësh në Kostandinopojë. Këshilli ktheu politikat e Anastasit, pranoi formulën ortodokse të Kalcedonisë dhe shprehu gatishmërinë për negocime me papën. Justiniani personalisht mori pjesë në këto diskutime dhe rivendosi vëllazërinë me Romën dhe gjithë kishat lindore përveç Egjiptit. Jo më një mbret barbar mund të ruante besnikërinë e nënshtetasve të tij katolikë duke bindur ata se një perandor monofizit sundonte në Lindje.[20]

Perandoresha Teodora, detaj nga kisha San Vitale, Ravenë

Në po atë vit 532, Justiniani i mbijetoi një revolte në Kostandinopojë, kryengritjes së Nikas, që fillimisht kërcënoi jetën dhe fronin e tij, por ngjarja vetëm sa forcoi pushtetin e tij. Për të kuptuar rrjedhën e ngjarjeve, është thelbësore të kujtohet që Kostandinopoja, si qytetet e tjera romake lindore të mëdha, varej nga milicia urbane, ose demes, për të mbrojtur muret e tyre. Brenda demesit kishte ndarje te bazuara në dy grupime që mbështesnin garues rivalë në koçi: Blutë dhe të Gjelbërit. Fillimisht mendohej se këto dy grupime ishin të ndara nga pikëpamje të ndryshme politike dhe fetare që i transmetoheshin perandorit gjatë garave. Studime të fundit kanë treguar se këto dy grupime zor se motivoheshin më shumë se fanatizmi partizan për garuesit respektivë. Kryengritja e Nikës—“Nika!” (“Pushto!” ose “Fito!”) ishte slogani që thërritej gjatë garave—e vitit 532, megjithatë, ishte një rastet e rralla ku grupimet shprehën kundërshtim politik ndaj qeverisë perandorake. Të zemëruar nga shkalla me të cilën prefekti urban kishte shtypur një grindje të mëparshme, Blutë dhe Të Gjelbërit u bashkuan për herë të parë dhe liruan liderët e tyre nga burgu; ata kërkonin që Justiniani të shkarkonte nga zyra dy prej zyrtarëve më jopopullorë të tij: Johanin e Kapadokias dhe Tribonianin. Edhe pse perandori iu dorëzua këtyre kërkesave, turma nuk u zbut, duke e kthyer grindjen në kryengritje, dhe shpalli një nip të Anastasit si perandor. Justiniani u shpëtua vetëm se perandoresha Teodorë refuzoi të dorëzohet. Gjenerali i aftë i Justinianit, Belisari, i rrethoi rebelët në Hipodrom dhe i masakroi të 30 000. Liderët u ekzekutuan dhe pronat e tyre kaluan përkohësisht në duart e perandorit.[21]

Pas vitit 532 Justiniani sundoi më fort se kurrë. Me shpalljen e “Paqes së Perjetshme”, ai shpresonte të përdorte reputacionin e tij si kampion i ortodoksisë kalcedonase dhe t’i tërhiqte romakët perëndimorë që preferonin sundimin e një perandori romak katolik sesa një mbret arian gjerman. Në vitet e hershme të 530-ës, Justiniani mund të pozicionohej si perandor romak dhe i krishterë. Latinishtja ishte gjuha e tij dhe njohuria e tij e historisë romake dhe antikitetit ishte e thellë.

Në 529 zyrtarët e tij përfunduan një mbledhje të madhe të ligjeve të perandorit dhe dekrete në fuqi që nga sundimi i Hadrianit. I quajtur Codex Constitutionum dhe i bazuar pjesërisht në Kodin Teodosian të shekullit të 5-të, ai përbën të parin nga katër veprat e përpunuara mes viteve 529 dhe 565 të quajtura sëbashku Corpus Juris Civilis (Kodi i Ligjit Civil), i njohur nga shumica si Kodi i Justinianit. Ky koleksion i parë i edikteve perandorake, megjithatë, nuk krahasohet dot me Digesta që u përfundua nën direksionin e Tribonianit në 533. Në këtë vepër, rregull dhe sistem u vendosën në qëndrimet kontradiktore të juristëve të mëdhenj romakë; për të udhëzuar nxënësit në shkollat juridike u bë i gatshëm një libër mësimor i quajtur Institutiones (533). Libri i katërt, Novellae Constitutiones Post Codicem (i njohur nga shumica si Novelat), përmban një koleksion të edikteve të Justinianit mes viteve 534 dhe 565.[22]

Aja Sofia

Ndërkohë, arkitektët dhe ndërtuesit punonin me ritëm të lartë për të ndërtuar Kishën e re të Mençurisë së Shenjtë, Aja Sofia, që do zëvendësonte një kishë më të vjetër që ishte shkatërruar gjatë kryengritjes së Nikas. Ata arritën ta ndërtojnë këtë ndërtesë në pesë vjet, që qëndron sot si një nga monumentet më të mëdhenj të historisë së arkitekturës.[23]

Në 533 kishte ardhur koha për të rivendosur autoritetin romak të krishterë në Perëndim dhe Afrika veriore vandale dukej si më interesanti nga teatret e luftës që mund të hapeshin. Megjithëse një ekspeditë madhore e kryesuar nga Leoni I kishte dështuar të rifitonte provincën, gjendja politike në monarkinë vandale e kishte bërë situatën më të favorshme për perandorin lindor. Kur mbreti Hilderik ra nga froni dhe u zëvendësua, Justiniani mundej me të drejtë të protestonte ndaj një veprimi të ndërmarrë kundër një monarku që kishte ndaluar persekutimin e katolikëve afrikano-veriorë dhe kishte krijuar aleancë me Kostandinopojën. Tregtarët lindorë preferonin veprimin ushtarak në Perëndim, por gjeneralët e Justinianit hezitonin; për shkak të kësaj, vetëm një forcë e vogël u bë gati nën Belisarin.[24] Suksesi u arrit me një lehtësi të çuditshme pas dy angazhimesh dhe në 534 Justiniani iu vu organizimit të këtyre provincave të reja të Perandorisë romake.[25]

Në fakt, këto ishin vite të riorganizimeve madhore të provincave dhe jo vetëm në Afrikën veriore. Një seri ediktesh të viteve 535 dhe 536, të konceptuara qartësisht si pjesë të një plani mjeshtëror nga prefekti Johan i Kapadokias, ndryshuan strukturat administruese, juridike dhe ushtarake në Trakë dhe Azi të Vogël. Në përgjithësi, Johani u përpoq të bënte të mundur një strukturë ekonomike dhe adminstruese të thjeshtuar ku jurdiksione që takoheshin me njëra-tjetrën u zhdukën, funksionet civile dhe ushtarake u kombinuan në dhunim të parimeve të Kostandinit dhe ata zyrtarë që mbetën iu dhanë paga më të mëdha duke siguruar personel më të mirë dhe duke zvogëluar tërheqjen ndaj ryshfeteve.

Në parathëniet e edikteve të tij, Justiniani mburrej për autoritetin e rivendsour në Afrikën veriore, linte të kuptohej për pushtime më të mëdha që do vinin dhe—si kompensim për përfitimet që dekretet e tij do sillnin—nxiste nënshtetasit e tij të paguanin taksat në kohën e duhur në mënyrë që të ekzistonte “harmoni mes sunduesit dhe të sunduarve.” Shumë qartë, perandori po organizonte shtetin për përpjekjen ushtarake më rraskapitëse dhe më vonë (mundësisht në 539), reformat e tij u zgjeruan edhe për Egjiptin, nga ku eskporti i grurit ishte absolutisht thelbësor për mbështetjen e ushtrive në fushata dhe Kostandinopojës.

Ngjarjet gjatë viteve 534 dhe 535 në Italinë ostrogote e bënë atë viktimën më të mundshme të rradhës pas rënies në Afrikës veriore vandale. Kur Teodoriku vdiq në 526, atij ia zuri vendin një nip i vogël për të cilin vazja e Teodorikut, Amalasunta, veproi si regjente. Kur vdiq djali, Amalasunta u përpoq të fitojë pushtetin me të drejtën e saj dhe bashkëpunoi në vrasjen e tre armiqve të saj kryesorë. Marrëdhëniet e saj diplomatike me perandorin lindor gjithmonë ishin shquar nga miqësia, madje edhe nga varësia; prandaj, kur Amalasunta vdiq si viktimë e gjakmarrjes e ndërmarrë nga familjet e burrave të vrarë, Justiniani gjeti mundësinë për të protestuar vrasjen.[26]

Në 535, ashtu si në 533, një ekspeditë e vogël u dërgua në Perëndim-në këtë rast, në Sicili-dhe pati fillimisht sukses të lehtë. Në fillim gotët negociuan; pastaj ata e forcuan rezistencën, rrëzuan nga froni mbretin e tyre, Teodahadin në favor të një burri më të fortë, Vitigun, dhe u përpoqën të bllokojnë ushtrinë e Belisarit kur ata hynë në gadishullin Italik. Atje progresi i ushtrisë romake lindore qe më i ngadaltë dhe fitorja nuk erdhi deri në 540 kur Belisari mori Ravenën, bastionin e fundit madhor në veri dhe me të, mbretin Vitig, disa fisnikë gotë dhe thesarin mbretëror.[26]

Të gjithë u kthyen në Kostandinopojë, ku Justiniani ishte mirënjohës për përfundimin e armiqësive në Perëndim. Gjatë viteve 530, gjeneralët e Justinianit duhet të luftonin vazhdimisht për të ruajtur autoritetin perandorak në provincën e re të Afrikës veriore dhe në Ballkan gjithashtu. Në 539 disa delegatë gotë arritën Persinë dhe informacioni që i dhanë mbretit Kosrau e bëri atë më të padurueshëm nën shtrëngesën e “Paqes së Përjetshme”. Gjatë vitit tjetër (i njëjti vit [540] kur një forcë bullgare plaçkiti Maqedoninë dhe arriti muret e Kostandinopojës), ushtria e Kosraut arriti deri në Antiok në kërkim të plaçkës dhe duke bërë shantazh. Ata u kthyen të padëmtuar dhe në 541 persët morën nën zotërim një fortesë në Lazika. Në Itali, ndërkohë, gotët zgjodhën një mbret të ri, Totilën, nën udhëheqjen e aftë të të cilit situata ushtarake në atë tokë do transformohej së shpejti.

Kriza e mesit të shekullit

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Kërcënimi i dy luftërave të njëkohësishme rrezikonte planet e Justinianit. Gjatë viteve 550, ushtria e tij qe e aftë t’i bënte ballë kësaj sfide, por një fatkeqësi madhore e pengoi ta bënte këtë mes viteve 541 dhe 548. Fatkeqësia ishte murtaja bubonike e viteve 541-543, e para nga këto goditje, ose trauma të përmendura sipër që e transformuan Romën lindore në Perandorinë bizantine mesjetare. Murtaja u vu re për herë të parë në Egjipt dhe nga atje kaloi në Siri dhe Azi të Vogël deri në Kostandinopojë. Në 543 ajo arriti Italinë dhe Afrikën dhe mund të ketë goditur edhe ushtrinë perse në fushatë atë vit. Në Azinë lindore kjo sëmundje ka vazhduar deri në shekullin e 20-të, duke i dhënë mundësi shkencës mjekësore ta studiojë me imtësi. I transmetuar te njerëzit nga pleshtat e infektuar prej brejtësve, murtaja sulmon gjendrat e trupit dhe shfaqet fillimisht me fryrje (buboes) në sqetulla dhe ijë, nga vjen dhe emri bubonike. Po ta gjykosh nga përshkrimi i simptomave nga Prokopi në 542, sëmundja atëherë dukej më shumë si një formë virale pneumonike, ku bacilet vendosen në mushkëritë e viktimave. Shfaqja e formës pneumonike ishte shumë e rrezikshme sepse mund të transmetohej drejtpërdrejt nga një person te tjetri, duke shpërndarë infeksionin me lehtësi dhe me shkallë vdekshmërie tmerrësish të lartë. Studimet krahasuese, të bazuara në statistika nga përphapja e së njëjtës sëmundje në Evropën e mesjetës së vonë, sugjerojnë se një e treta deri një e dyta e popullsisë së Kostandinopojës mund të ketë vdekur, ndërkohë që qytetet më të vogla të perandorisë dhe fshatrat nuk qenë në asnjë mënyrë më pak të rrezikuara.[27]

Ndikimi afat-shkurtër i murtajës mund të vërehet në disa forma të aktiviteteve njerëzore gjatë viteve 540. Legjislacioni i Justinianit i atyre viteve ishte padyshim i preokupuar me amanetet dhe pasardhjen e pasurive që linin njerëzit pa testamente. Krahu i punës qe shumë i pakët dhe punëtorët kërkonin rroga aq të larta, saqë Justiniani u përpoq t’i kontrollojë me edikt siç monarkët e Francës dhe Anglisë bënë gjatë murtajës së shekullit të 14-të. Sa për çështjet ushtarake, ato vite ishin vite humbjesh, qëndrimi në vend dhe mundësish të pashfrytëzuara. Në vend të një opozite efektive romake, ishte lodhja e Kosraut nga një luftë pa fitim që e bëri atë të nënshkruajë një traktat paqeje ku pranonte haraç nga Justiani dhe ruante pushtimet perse në Lazika. Hunët, sllavët, antët dhe bullgarët plaçkitën dhe shkatërruan Ilirinë pa kundërshtimin më të vogël nga ushtritë romake. Në Afrikë, një garrizon i zvogëluar nga murtaja përballi me vështirësi kërcënimin e një pushtimi maur. Në Itali, Totila filloi sulmin, duke marrë Italinë jugore dhe Napolin dhe shkoi edhe në Romë (546) megjithë përpjekjet e Belisarit për të çliruar rrethimin. Dëshpërmisht, gjenerali i madh i Justinianit kërkoi përforcime nga Lindja; edhe pse erdhën, ato erdhën shumë vonë dhe ishin nga ana numerike aspak të mjaftueshëm për tu përballur me detyrën që u ishte vënë.[28]

Vitet e fundit të Justinianit I

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Pas vitit 548, fatet e romakëve u përmirësuan dhe në mes të viteve 550, Justiniani kishte fituar në shumicën e teatreve ushtarakë me përjashtim të vetëm Ballkanin, një shenjë orgurzezë.[29] Ai e filloi me frontin lindor. Në 551 fortesa e Petrës u rimor prej persëve, por luftimi vazhdoi në Lazika derisa u nënshkrua një paqe 50 vjeçare në 561 që përcaktoi marrëdhient mes dy perandorive të mëdha. Peshorja anonte në anën e Justinianit. Ndonëse Justiniani pranoi të paguajë haraçin vjetor prej 30 000 solidesh, Kosrau, në rikthim, hoqi dorë nga pretendimet e tij për Lazikën dhe premtoi të mos persekutojë nënshtetasit e tij të krishterë.[30]

Traktati gjithashtu regulloi edhe tregtinë mes Romës dhe Persisë, sepse rivaliteti mes dy fuqive të mëdha kishte patur gjithmonë edhe aspektin ekonomik. Ai fokusohej kryesisht në tregtinë e mëndafshit. Mëndafshi mbërrinte në Kostandinopojë nëpërmjet ndërmjetësve persë, ose me rrugë tokësore që shkonte nga Kina përmes Persisë ose nga agjencia e tregtarëve persë në Oqeanin Indian. Nevoja për të thyer këtë monopol pers e kishte çuar Justinianin në kërkim të rrugëve dhe popujve të rinj për të shërbyer si ndërmjetës: në jug, tregtarët etiopianë të mbretërisë së Aksumit; në jug, popujt rreth Krimesë dhe në mbretërinë kaukaziane të Lazikës, ashtu si dhe turqit e stepave përtej Detit të Zi. Mallra të tjerë të vlefshëm shkëmbeheshin në rajonin e Detit të Zi, përfshirë tekstile, bizhuteri dhe verë nga Roma lindore për gëzofë, lëkura dhe skllevër të ofruar nga barbarët; megjithatë, mëndafshi mbetej malli më kryesor. Qenë me fat atëherë, kur përpara 561-shit, agjentët romakë lindorë kishin marrë krimba mëndafshi nga Kina për në Kostandinopojë, duke themeluar një industri mëndafshi që e çliroi perandorinë nga varësia perse dhe u bë një nga operacionet më të rëndësishme ekonomike të Bizantit mesjetar.[31]

Në Perëndim, sukseset e Justinianit ishin edhe më spektakolare. Në 550 kërcënimi maur kishte përfunduar në Afrikën veriore. Në 552 ushtria e Justinianit ndërhyri në një konflikt mes sundimtarëve vizigotë të Spanjës, por trupat romako-lindore qëndruan më gjatë se ç’ishin ftuar të qëndronin dhe shfrytëzuan mundësinë për të pushtuar disa qyteza bazë në cepin juglindor të Gadishullit Iberik.[32] Më e rëndësishme nga të gjitha, Italia u rimor. Në fillim të viteve 550, Justiniani mblodhi një ushtri të madhe të përbërë jo vetëm nga romake por edhe nga barbarë, përfshirë lombardë, herulë dhe gepidë ashtu si dhe dezertues persë. Komanda e kësaj ushtrie iu dha një komandanti të aftë, siç provuan ngjarjet, por të pamendueshëm: eunukut dhe oborrtarit Narses. Në dy beteja vendimtare (Busta Gallorum dhe Mons Lactarius), gjenerali romako-lindor mundi fillimisht Totilën dhe pastaj pasardhësin e tij, Teiasin. Gotët pranuan të largohen nga Italia. Megjithë rezistencën e vazhduar nga disa garrizone gote, bashkë me ndërhyrjen e frankëve dhe alamanëve, pas 554 toka ishte thelbësisht një provincë e Perandorisë romake lindore.[33]

Me kaq shumë popuj që zbarkuan aty, Ballkani përbënte një situatë shumë më të ndërlikuar dhe romakët përdorën një larmi më të madhe taktikash për të larguar barbarët. Pas sulmit të bullgarëve kutrigurë në 540, Justiniani vuri në punë një rrjet fortifikimesh që shkonte në tre zona përmes Ballkanit dhe në jug deri në Kalimin e Termopileve. Megjithatë, fortesat, kështjellat dhe kullat e vrojtimit nuk qenë të mjaftueshme. Sllavët plaçkitën Trakën në 545 dhe u kthyen në 548 duke kërcënuar Dyrrahun; në 550 skllavinët, një popull sllav, arritën deri 65 kilometra larg Kostandinopojës. Pushtimi i madh erdhi në 559, kur bullgarët kutrigurë, të shoqëruar nga sllavët, kaluan Danubin dhe ndanë forcat e tyre në tre kolona. Njëra kolonë arriti Termopilet; e dyta zuri rrënjë në Gadishullin e Galipolit afër Kostandinopojës; e treta shkoi deri në periferinë e vetë Kostandinopojës, të cilin Belisari i moshuar duhej ta mbronte me një forcë të dobët të civilëve, burra të demosit dhe disa veteranë. Të shqetësuar nga veprimet detare romake në Danub, që rrezikonin rrugën për shtëpi, kutrigurët hoqën dorë nga sulmi, u kthyen në veri dhe e gjetën veten të sulmuar nga utigurët, një popull që agjentët e Justinianit e kishin fituar me një ryshfet të majmë. Dy popujt dobësuan njëri-tjetrin në luftëra dhe kjo ishte ajo që diplomatët bizantinë donin të arrinin.[34]

Sa kohë që burimet financiare ishin të mjaftueshme, diplomacia provoi se ishte arma më e kënaqshme në një kohë kur trupat ushtarake ishin të rralla dhe shumë të shtrenjta. Vartësit e Justinianit përpiqeshin të rregullonin marrëdhëniet me popujt e Ballkanit dhe Rusisë jugore.[35] Nëse nga tokat e Azisë qendrore kishte shumë popuj nga ku një kërcënim i ri mund të shfaqej, shtimi i armiqve do të thoshte përdorimin e njërit kundër tjetrit me anë të ryshfeteve, traktateve apo tradhtive. Marrëdhëniet romako-lindore në fund të shekullit të 6-të me avarët, nje popull mongol që kërkonte strehim larg turqve, janë një shembull i shkëlqyer i këtij “imperializmi mbrojtës”. Ambasadorët avarë arritën Kostandinopojën në 557 dhe, megjithëse nuk morën tokat që kërkonin, ata u mbushën me dhurata të çmuara dhe iu ofrua një aleancë nëpërmjet një traktati me perandorinë. Avarët lëvizën në perëndim nga Rusia jugore dhe mundën utigurët, kutrigurët dhe sllavët në dobi të perandorisë. Në fund të sundimit të Justinianit, ata qëndronin në Danub, një popull nomad i uritur për toka dhe gjithashtu të aftë në atë lloj diplomacie të pabesë që do t’i ndihmonte të arrinin objektivat e tyre.

Asnjë përmbledhje e viteve të fundit të Justinianit nuk mund të jetë e plotë pa marrë parasysh murtajën e vazhdueshme bubonike dhe efektin që ajo pati deri në shekullin e 8-të. Ashtu si shoqëritë e tjera të shkatërruara nga luftërat apo sëmundjet, shoqëria romako-lindore mund t’i kompensonte humbjet e viteve 540 nëse mbijetuesit martoheshin herët dhe riprodhonin më shumë fëmijë. Dy shkaqe nuk lejuan rikuperimin: monasticizmi, që kërkonte beqari, u rrit shumë në shekullin e 6-të dhe murtaja, që rikthehej sporadikisht duke sulmuar të sapolindurit që mund të kishin zëvendësuar anëtarët e rënë të brezave të vjetër.

shkurtimi i ndjeshëm i krahut të punës ndikoi në disa aspekte të shtetit dhe shoqërisë që po humbisnin karakterin romak dhe po merrnin atë bizantin. Ndërtimi i kishave, një tipar i shquar i viteve më të hershme, ndaloi dhe njerëzit nuk bënin më shumë sesa mirëmbajtje apo të shtonin ndonjë pjesë. Nevoja në rritje për taksa, me një numër në ulje të taksapaguesve, çoi në ligje të rrepta që detyronin anëtarë të një grupi taksash të fshatit të merrnin përgjegjësinë kolektive për tokat joprodhuese ose të papunuara. Kjo, siç thonë burimet bashkëkohore, qe një barrë shumë e vështirë për tu mbajtur, pas reduktimit të bujqve prej murtajës. Si përfundim, ushtritë që fituan betejat e përshkruara sipër në lindje dhe perëndim qenë fituese vetëm për shkak se Justiniani i mbushi me më shumë barbarë si asnjëherë tjetër: gotët, armenët, herulët, gepidët, saracenët dhe persët-për të përmendur më të njohurit. Ishte e vështirë të ruhej disiplina në një ushtri kaq të përzierë; megjithatë, kur barbari i padisiplinuar pranonte jetën më të qetë të ushtarit të garrizonit, ai humbiste aftësinë për të luftuar kundër barbarëve të tjerë përtej frontit, që akoma e ruanin karakterin luftarak. Ushtria qe një krijim i luftës dhe e ruajti cilësinë sa kohë që merrte pjesë në fushëbetejë, por nuk mund të ndërmerrej një luftë e vazhdueshme nga një shoqëri me një mungesë afatgjatë të njerëzve dhe parave.

Si përfundim, shteti romako-lindor (më saktë, bizantin) i fundit të shekullit të 6-të u përball me shumë nga rreziqet që shkatërruan Perandorinë perëndimore në shekullin e 5-të. Barbarët ushtronin presion nga përtej frontit të Ballkanit dhe në të njëjtën kohë, popujt me origjinë barbare kishin mbushur ushtritë që mbroheshin prej tyre. Pasuria e mbledhur në shekullin e 5-të ishte harxhuar dhe kishte shumë pak romakë për të përmbushur nevojat bazë ekonomike dhe ushtarake. Nëse Perandoria bizantine shmangu fatin e Romës Perëndimore, ajo e bëri këtë vetëm pse kombinoi trimërinë me fatin sëbashku me disa avantazhe si institucionet dhe qëndrime që perandoria e vjetër nuk i zotëronte. Një nga avantazhet e përshkruara më sipër, aftësia diplomatike, përzien ndryshimin në qëndrim dhe institucione, sepse diplomacia nuk do funksiononte kurrë nëse shtetarët bizantinë nuk do ishin aq të ditur dhe kuriozë për zakonet dhe lëvizjet e popujve barbarë, ndryshe nga paraardhësit e Justinianit. Qëndrimi i bizantinëve kishte ndryshuar edhe në një mënyrë tjetër. Ata ishin i gatshëm të pranonte barbarët brenda shoqërisë së tyre nëse ata pranonin krishtërimin ortodoks dhe autoritetin e perandorit. Krishtërim qe shpesh një lustër që në kohë krize zhdukej dhe paganizmi i vjetër shfaqej, ndërkohë që mund të hiqej dorë nga besnikëria ndaj perandorit, gjë që ndodhte shpesh. Pavarësisht këtyre të metave, besimi i krishterë dhe institucionet klerike të shekullit të 6-të qenë shumë më të afta për të bashkuar njerëzit dhe nxitur moralin e tyre sesa kultura pagane e botës greko-romake.[36]

Kultura e krishterë e Perandorisë bizantine

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Legjislacioni i Justinianit merrej me çdo aspekt të jetës së krishterë: hyrjen në të nëpërmjet konvertimit ose pagëzimit; administrimin e kungatave që jepeshin në pjesë të ndryshme të jetës; marrëdhëniet me njerëzit e thjeshtë në mënyrë që mëria e Zotit të mos binte në një popull të mëkatur; dhe së fundmi, rregullat që secili që bënte një jetë të shenjtë në klerin sekular ose manastiror duhet të ndiqte. Paganët urdhëroheshin të shkonin në kishë dhe të pagëzoheshin, ndërkohë që një spastrim e kishte zvogëluar numrin e tyre në Kostandinopojë dhe shumë prej tyre ishin konvertuar në Azinë e vogël nga misionarë. Vetëm gruaja ortodokse mund të gëzonte privilegjin e prikës; hebrenjtë dhe samaritanëve iu mohohej, bashkë me disa të drejta të tjera civile, privilegji i trashëgimisë me testament nëse nuk konvertoheshin. Një grua që punonte si aktore do bënte më mirë të hiqte dorë nga çdo betim që kishte marrë, edhe ato para Zotit, që të mbeste në atë profesion imoral. Blasfemia dhe sakrilegji ishin të ndaluara, në mënyrë që shoqëria e krishterë të mos ndëshkohej nga murtajat, tërmetet apo uria. Me siguri Zoti do hakmerrej mbi Kostandinopojën si mbi Sodomën dhe Gomorrën, nëse homoseksualët vazhdonin me veprimet e tyre “jonatyrale”.

Justiniani rregulloi sasinë e kishave dhe manastireve, i ndaloi ato të shisnin prona për fitim dhe qe i zemëruar nga numri i priftërinjve dhe peshkopëve që nuk ishin të mësuar sa duhet në liturgji. Përpjekjet e tij për të përmirësuar klerin sekular, ose atë që merrej me çështjet e kishës në botë, qenë në kohën më të përshtatshme. Njerëzit më të aftë nevojiteshin, duke ditur që në shumicën e qyteteve romako-lindore gjatë shekullit të 6-të, detyrat civile dhe perandorake gradualisht iu transferuan peshkopit apo patriarkut. Këta të fundit mblidhnin taksat, vendosnin drejtësinë, jepnin bamirësi, organizonin tregtinë, negocionin me barbarët, madje grumbullonin edhe ushtarët. Në fillim të shekullit të 7-të, qyteti bizantin tipik, në pamje të jashtme, ngjante me një fortesë; nga brenda, ishte thelbësisht një komunitet fetar nën udhëheqjen klerike. Po kështu, Justiniani nuk harroi as klerin manastiror, ose ata që ishin tërhequr nga kjo botë. I bazuar në rregullat e shkrimeve të një prej Baballarëve të Kishës, Shën Basilit të Çezaresë, ashtu si edhe akteve të këshilleve të kishave në shekujt e 4-të dhe 5-të, ai vendosi rregull në formën e jetës në manastir në mënyrën më të detajuar të mundshme, saqë edhe kodi i shekullit të 9-të nga Teodor Studiti vetëm sa zhvillon themelet e vendosura nga Justiniani.

Politikat më pak të suksesshme fetare të Justinianit qenë ato që u përpoqën të pajtojnë monofizitët me kalqedonasit ortodoksë. Pas suksesit të negociatave që pajtuan Perëndimin gjatë sundimit të Justinit I, Justiniani u përpoq të fitonte mbi monofizitët e moderuar, duke i ndarë nga ekstremistët. Vetëm rezultati mjafton të dihet prej ngjarjeve të ndërlikuara që ndodhën. Me zhvillimin e një doktrine të pranueshme për monofizitët e moderuar në Lindje, Justiniani armiqësoi kalqedonasit e Perëndimit dhe kështu sakrifikoi fitimet e hershme. Monofizitët ekstremë refuzuan të dorëzohen. Duke reaguar ndaj persekutimeve të Justinianit, ata forcuan organizimin e tyre klerik dhe si përfundim, shumë nga qytetet fortesa të përmendura sipër, sidomos ato të Egjiptit dhe Sirisë, ishin besnike të lidershipit klerik monofizit. Justiniani i la trashëgim pasardhësve të njëjtin problem që trashëgoi nga Anastasi.

Edhe pse rregullat që vendosi ai për jetën e krishterë qenë të suksesshme, kjo ndodhi kryesisht sepse nënshtetasit e tij ishin të gatshëm t’i pranonin. Kultura tradicionale greko-romake qe çuditërisht e qëndrueshme, madje edhe prodhuese gjatë shekullit të 6-të dhe gjithmonë do të mbetej një zotërim i çmuar i elitës intelektuale në Bizant; por i njëjti shekull qe dëshmitar i ngritjes së një kulture rivale të krishterë. Himne madhështore të shkruara nga Shën Roman Melodi vënë në dukje zhvillimin e madh në liturgji gjatë sundimit të Justinianit, një zhvillim që nuk qe pa pasoja shoqërore. Aty ku kultura tradicionale pagane qe e drejtpërdrejtë dhe pëlqimi i saj i limituar vetëm te ata që kishin kohë të lirë ose që ishin të pasur, festimet liturgjike të krishtera qenë të mundura për të tërë, pa dallim vendi apo pozite shoqërore. Biografitë u bënë dukshëm të krishtera dhe shumë popullore. Përmes fshatrave dhe qyteteve, njerëz të shenjtë shfaqeshin si legjenda ose si fakte, duke kryer ekzorcizma, shëruar të sëmurë, ushqyer të uriturë dhe larguar pushtuesë. Duke ndjekur të njëjtën mënyrë si Athanasi në shekullin e 4-të për të shkruar jetën e Shën Andonit, biografët e shenjtorëve regjistruan bëmat e këtyre njerëzve të jashtëzakonshëm, duke krijuar një formë letërsie që lulëzoi gjatë shekujve të 6-të dhe 7-të.

Vitaliteti dhe përhapja e kulturës popullore të krishterë u shfaq më qartë në adhurimin e ikonave, imazhe të thjeshtuara të Krishtit, Virgjëreshës apo shenjtorëve. Të shquara për fuqinë dhe përjetësinë që shprehnin në sytë e shikuesit, ikonat dukshëm dhunonin Urdhëresën e Dytë që kërkonte të mos adhurohej asnjë imazh fetar. Meqë shumë në shekujt e hershëm të kishës besonin kështu, së bashku me shkatërruesit e ikonave të shekullit të 8-të, ikonoklastëve, armiqësia ndaj imazheve ishte po aq e fortë saç kishte qenë në Judaizëm më përpara.

Njerëzit e shekullit të 4-të u ndikuan nga adhurimi që romakët i bënin figurës së perandorit. Ndonëse të krishterët e kundërshtuan këtë praktikë të bashkëkohësve të tyre paganë dhe refuzonin të adhuronin figurën e perandorit pagan, pasardhësit e tyre të shekullit të 4-të qenë më të gatshëm për t’i dhënë nderime perandorëve të krishterë pas Kostandinit. Kështu Urdhëresa e Dytë e humbi krejt rolin. Ikonat përdoreshin edhe për qëllime private, edhe për publike në fund të shekullit të 6-të: si përçues i hyjnores te individi dhe si hajmali për të garantuar sukses në betejë. Gjatë viteve të errëta që pas sundimit të Justinianit, asnjë element tjetër i besimit popullor të krishterë nuk do ta ngrinte aq shumë moralin pa të cilin perandoria Bizantine nuk do mbijetonte.

Pasardhësit e Justinianit: 565-610

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Perandoria bizantine në vdekjen e Justinianit, 565.

Derisa mbërriti Herakli për ta shpëtuar perandorinë, paqëndrueshmëria dhe kontradiktat shquajnë politikat e ndërmarra nga perandorët, reflektim i paaftësisë së tyre për të zgjidhur problemet që Justiniani ua la trashëgim pasardhësve të vet. Justini II (565-578), me arrogancë, refuzoi të vazhdojë pagimin e haraçit avarëve dhe persëve; në këtë mënyrë ai arriti të ruajë burimet e thesarit, të cilat i rriti duke vendosur taksa të reja. Sado që për tu lavdëruar duket refuzimi i tij për t’iu nënshtruar shantazheve, kundërshtimi i Justinit vetëm sa rriti kërcënimet ndaj perandorisë. Pasardhësi i tij, Tiberi II (578-582), hoqi taksat dhe, duke zgjedhur mes armiqve, u dha para avarëve ndërsa veproi ushtarakisht kundër persëve. Megjithëse gjenerali i Tiberit, Maurici, udhëhoqi një fushatë të suksesshme në kufirin lindor, haraçi që iu ofrua avarëve nuk i ndaloi ata që të sulen. Ata morën fortesën ballkanike të Sirmit në 582, ndërkohë që turqit përparuan drejt Danubit, që do t’i çonte në 50 vjet në Maqedoni, Trakë dhe Greqi.

Ngjitja në fron e Mauricit në 582 solli një sundim 20 vjeçar që u shqua nga sukseset kundër Persisë, një riorganizim i qeverisë bizantine në Perëndim dhe përdorimi i ekonomisë në fushatat e tij ballkanike që, sado të pashmangshme, do ta shkatërronin atë në 602. Përpjekjet bizantine kundër Persisë sasanide u shpërblyen në 591 nga një aksident fatlum. Pretendenti i ligjshëm i fronit pers, Kosrau II, i kërkoi ndihmë Mauricit kundër rebelëve që cënonin ngjitjen e tij. Në mirënjohje për mbështetjen, Kosrau hoqi dorë nga qytetet kufitare dhe pretendimet mbi Armeninë, dy burime kryesore konflikti mes Bizantit dhe Persisë. Kushtet e traktatit i jepnin Bizantit akses në Armeni, një tokë e pasur me ushtarë që duhej dëshpërimisht dhe gjithashtu, po aq e rëndësishme, një mundësi për tu përqendruar në kufij të tjerë ku situata ishte përkeqësuar.

Të përballur nga fuqizimi i vizigotëve në Spanjë dhe nga pasojat e pushtimit longobard të Italisë (568), i cili e kishte zvogëluar pushtetin bizantin në Ravena, Venediku dhe në jug Kalabrinë dhe Siçilinë, Maurici zhvilloi një formë qeverisjeje ushtarake në provincat e sigurta të Afrikës veriore dhe ato pak rajone që kishin mbetur në Itali. Ai hoqi dorë nga parimi i vjetër i ndarjes së pushteteve civile dhe ushtarake, duke i vendosur të dyja në duart e gjeneralëve, ose ekzarkëve, të vendosur në Kartagjenë dhe Ravena. Provincat e tyre, ose ekzarkatet, ndaheshin në dukate të përbëra nga qendra garrizonesh të zëna jo nga ushtarë profesionistë, por nga pronarë lokalë tokash që ishin thirrur nën armë. Sistemi i ekzarkatit i qeverisjes ushtarake funksionoi mirë: Afrika veriore qe përgjithësisht e qetë megjithë kërcënimet maure; dhe në 597 Maurici i sëmurë kishte si qëllim të vendoste djalin e tij të dytë si perandor në ato zotërime perëndimore që akoma qenë të rëndësishme.

Por përpjekjet më të mëdha gjatë viteve të fundit të sundimit të tij qenë shpenzuar në Ballkan, ku, nëpërmjet fushatave të njëpasnjëshme, në 602 forcat e tij kishin kthyer mbrapa në Danub avarët. Gjatë këtyre operacioneve ushtarake, Maurici bëri dy gabime: i pari e dobësoi atë; i dyti e shkatërroi atë sëbashku me dinastinë e vet. Në vend që t’i shoqëronte vazhdimisht forcat e tij në fushë, siç do të bënin pasardhësit e tij në shekujt e 7-të dhe të 8-të, Maurici qëndroi për pjesën më të madhe të kohës në Kostandinopojë, duke humbur mundësinë të fitonte besnikërinë e trupave. Ai nuk mund të mbështetej në bindjen e tyre kur urdhëroi uljen e pagës për ta në 588 dhe në 602, urdhëroi që ushtarët të vendoseshin përkohësisht gjatë dimrit në tokat armike nëpër Danub, sa kohë që nevojat e tyre nuk tejkalonin burimet financiare dhe bujqësore të provincave perandorake në jug të lumit. Të acaruar nga kjo kërkesë e fundit, ushtarët u revoltuan, vendosën si kryetar një oficer të ri të quajtur Fokas dhe Marshuan drejt Kostandinopojës. Blutë dhe të Gjelbërit u bënë sërish aktivë politikisht, të bashkuar kundër Mauricit dhe perandori i moshuar pa sesi pesë djemtë e tij u therën përpara se të vdiste vetë barbarisht.

Sundimi pasues i Fokës (602-610) mund të thuhet se qe shkatërrimtar. Kosrau shfrytëzoi mundësinë që iu shfaq pas vrasjes së mirëbërësit të tij, Mauricit, për të filluar një luftë hakmarrëse që i çoi trupat perse në zemër të Anadollit. Haraçet përsëri dështuan për t’i detyruar barbarët të qëndronin në veri të Danubit; pas 602 kufiri ra përtokë, për të mos u rivendosur pa koston e shekujve luftë. Me mungesën e legjitimitetit, duke mbajtur kurorën vetëm me të drejtën e pushtimit, Foka e gjeti veten të rrethuar nga rebelime dhe revolta të vazhdueshme. Për bashkëkohësit e tij, koincidenca e murtajës, luftës së pambarimtë dhe trazirave sociale në të njëjtën kohë dukej sikur paralajmëronte ardhjen e Antikrishtit, ringjalljen e të vdekurve dhe fundin e botës.

Por qe një shpëtimtar njerëzor që u shfaq. Herakli, djali i Ekzarkut të Afrikës, lundroi nga kufijtë perëndimorë të perandorisë, duke e vendosur flotën e tij nën mbrojtjen e një ikone të Virgjëreshës kundër Fokës, që quhej nga burime të kohës si “korruptues i virgjëreshave.” Gjatë udhëtimit të tij përgjatë brigjeve veriore të Mesdheut, Herakli shtoi forcat e tij dhe arriti në Kostandinopojë në tetor 610, ku e thërritën si shpëtimtar. Me mbështetjen e grupimit të Gjelbër, ai mundi shpejt armikun e tij, duke i prerë kokën Fokës dhe bashkë me të, ata që Foka i kishte ngritur në ofiqet më të larta civile dhe ushtarake. Si pasojë, pati pak këshilltarë me eksperiencë për të ndihmuar Heraklin, sepse nga njerëzit e rëndësishëm gjatë sundimit të Fokës-dhe më herët gjatë sundimit të Mauricit-, pak mbijetuan për ta përshëndetur perandorin e ri.

Shekulli i 7-të: Dinastia e Heraklit dhe sfida e Islamit

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Herakli dhe origjina e temave

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Solidus që paraqet Heraklin dhe në krah të tij të birin, Herakli Kostandinin.

Problemi më kërcënues me të cilin përballej Herakli ishte sulmi i avarëve dhe persëve dhe asnjë nga këta dy popuj nuk e zvogëloi presionin gjatë viteve të para të sundimit të tij. Avarët për pak nuk e kapën Perandorin në 617 në një sulm jashtë mureve të gjata që mbronin kryeqytetin. Persët hynë në Azinë e Vogël dhe iu kthyen jugut, duke marrë Jeruzalemin dhe Aleksandrinë (në Egjipt). Epoka madhështore e Perandorisë perse akamenide dukej sikur ishte rikthyer sërish dhe Herakli nuk mund të gjente asnjë inkurajim nga paraardhësit e tij të fundit. Ai nuk mund të mbijetonte pa mbajtur të armatosur trupat që solli me vete; megjithatë, fati i Mauricit shfaqi se kjo nuk ishte gjë e lehtë, duke ditur mungesën e burimeve financiare dhe bujqësore të perandorisë.

Tre burime force e bënë të mundur që Herakli ta kthente humbjen në fitore. E para ishte mënyra e qeverisjes ushtarake në ekzarkatet e Afrikës së Veriut dhe të Ravenës. Këtë mënyrë qeverisjeje e vendosi edhe në Lindje. Problemet civile u bën të pandara nga ushtria: Herakli nuk mund të shpresonte të vendoste drejtësinë, të mblidhte taksa, të mbronte kishën dhe të siguronte të ardhmen e dinastisë së tij nëse nuk përdorte forcën ushtarake. Ekzarkati, një sistem qeverisjeje ushtarake, i kishte përmbushur këto objektiva kaq mirë në Perëndim saqë, në një moment dëshpërimi, Herakli mendoi të rikthehej në tokat e origjinës së tij. Ai aplikoi parime të ngjashme të sundimit ushtarak në zotërimet e tij në Azinë e Vogël, duke i dhënë gjeneralëve të tij (stratēgoi) si autoritet civil, si ushtarak mbi ato toka që ata mbanin në kontroll me “temat” e tyre, siç quheshin trupat ushtarake në vitet e para të shekullit të 7-të.

E dyta. Gjatë trazirave shoqërore të dekadës së kaluar, me shumë mundësi thesari perandorak kishte konfiskuar pronat e shumë individëve të rëndësishëm që ishin ekzekutuar gjatë sundimit të terrorit të Fokës ose pas vdekjes së tij. Si pasojë, megjithëse thesarit i mungonin paratë, ai zotëronte toka me bollëk dhe Herakli, nëse nuk mund t’i siguronte shpenzimet e ushtarëve të kalorësisë me para, i siguroi ato me dhurime tokash. Nëse kjo hipotezë është e saktë, atëherë, që përpara vitit 622, temave, ose grupimeve ushtarake-përfshirë këtu rojet (Opsikioi), armenët (Armeniakoi) dhe lindorët (Anatolikoi)—iu dhanë toka dhe u vendosën në Azinë e Vogël në mënyrë kaq permanente, saqë përpara përfundimit të shekullit, tokat e zëna prej tyre njheshin me emrat e temës që i kishte zënë. Opsikioi-t gjendeshin në temën Opsikion, Armeniakoi-t në Armeniakon dhe Anatolikoi-t në Anatolikon. Termi temë nuk u përdor më për të identifikuar një grup ushtarak, por për të përshkruar njësinë lokale adminstrative bizantine gjat mesjetës, nën autoritetin e komandantit të temës, gjeneralit (stratēgos).

Kur Herakli shkoi në tokat e temave në 622 për të ndërmarrë një përleshje shtatë vjeçare kundër persëve, ai përdori burimin e tretë të fuqisë së tij: fenë. Lufta që pasoi nuk ishte gjë tjetër veçse një luftë e shenjtë: ishte pjesërisht e financuar nga thesari i vënë nga kisha në dispozicion të shtetit; ushtarët e Perandorit thërrisnin për ndihmën e Zotit kur vërsuleshin në betejë; ata ndiheshin të rehatuar kur shihnin imazhin e Krishtit në krye të rreshtit të Marshimit. Fatkeqësisht, një përmbledhje e shkurtër e fushatës nuk mund të na japë një ide të vështirësive që hasi Herakli kur çliroi Azinë e Vogël (622); kur luftoi në Armeni me aleatë nga popuj të krishterë të Kaukazit, si lazikët, abasgët dhe iberianët (624); dhe kur mundohej në Lazikën e largët ndërkohë që Kostadinopoja i qëndronte një rrethimi të përbashkët nga avarët dhe persët (626). Aleanca me kazarët, një popull turk nga veriu i Kaukazit, qe e rëndësishme për sigurimin e ndihmës materiale në ato vite dhe për diplomacinë bizantine, duke qenë fillimi i një marrëdhënieje jetëgjatë. Herakli më në fund e shkatërroi ushtrinë kryesore perse në Nineve në 627 dhe pas pushtimit të Dastagirdit në 628, shijoi një triumf total kur armiku i tij, Kosrau, u rrëzua nga froni dhe u vra. Perandori bizantin fare mirë mund të besonte se, nëse sukseset më të hershme të persëve sinjalizonin rilindjen e Perandorisë Akemenide, arritjet e tij kishin përmbushur ëndrrat e Çezarit, Augustit dhe Trajanit.

Megjithatë kjo luftë u luftua nga Bizanti mesjetar dhe jo nga Roma e lashtë. Shpirti i saj u shfaq në 630, kur Herakli triumfalisht rivendosi Kryqin e Vërtetë në Jeruzalem, nga ku persët e kishin vjedhur. Gjatë sulmit avaro-pers më 626, patriarku Sergi ruajti moralin e garnizonit duke ecur rreth e përqark mureve duke mbajtur imazhin e Krishtit për të shmangur zjarrin dhe duke pikturuar në portat e mureve perëndimore imazhe të Virgjëreshës dhe fëmijës për të shmangur sulmet e avarëve. Avarët u tërhoqën kur anijet bizantine mundën kanoet e sllavëve, të cilëve nomadët avarë u kishin besuar flotën. Këta të fundit nuk e morën më veten pas kësaj disfate. Me rënien e perandorisë së tyre, popuj të rinj nga Deti i Zi dhe Ballkani u shfaqën për të marrë pushtetin: bullgarët e Kuvratit, sllavët nën Samon dhe serbët e kroatët që Herakli i lejoi të vendoseshin në Ballkanin veriperëndimor nëse pranonin krishtërimin.

Mbrojtësit bizantinë të Kostandinopojës e festuan fitoren e tyre duke kënduar himnin e Romanosit “Akathistos,” ku kori dhe turma alternonin tingullin e “Alleluia”. Himni, që akoma këndohet në ceremonitë e kreshmës, përkujton ditët kur fortesa e Kostandinopojës mbijetoi nën udhëheqjen klerike dhe mbrojtësve të saj të mbrojtur nga ikonat dhe të bashkuar në liturgji. Kjo këndohej në greqisht, siç i përshtatej një populli ku kultura tani ishte greke dhe jo më latine.

Pasardhësit e Heraklit: Islami dhe bullgarët

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në të njëjtin vit që Herakli shkoi te tokat e temave, Muhamedi bëri hixhretin nga Meka në Medinë, ku ai themeloi ummanë, ose komunitetin mysliman. Me vdekjen e Profetit më 632, kalifët, ose pasardhësit, i përqendruan energjitë e beduinëve arabë në një plan të qëllimshëm e të organizuar pushtimi. Rezultatet qenë spektakolare: ushtria bizantine u mposht në Betejën e lumit Jarmuk (636), duke marrë nën zotërim Palestinën dhe Sirinë. Aleksandria kapitulloi më 642, duke hequr njëherë e përgjithmonë provincën e Egjiptit nga autoriteti bizantin. Arabët, ndërkohë, kishin përparuar brenda në Mesopotami, duke pushtuar qytetin mbretëror të Ktesifonit dhe si përfundim, mundën ushtrinë e drejtuar nga vetë mbreti pers. Kështu përfundoi historia e gjatë e Persisë nën akemenidët, parthët dhe sasanidët. Të paktën tre arsye mund të shpjegojnë lehtësinë fenomenale me të cilën arabët arritën të mundin armiqtë e tyre: e para, të dy perandoritë, të rraskapitura nga luftërat, ishin çmobilizuar përpara 632-shit; e dyta, të dyja kishin ndaluar së mbështeturi shtetet kliente që i kishin mbajtur nën kontroll beduinët e shkretëtirës për tërë shekullin e kaluar; e treta, kjo e veçantë për Bizantin, grindjet fetare kishin dobësuar besnikërinë e sirianëve dhe egjiptianëve për Kostandinopojën. Herakli ishte përpjekur në 638 të qetësonte ndjenjën monofizite në këto dy provinca duke shpallur doktrinën e Monotelitizmit, që theksonte se Krishti, edhe pse ka dy natyra, ka vetëm një vullnet. As në Lindje, as në Perëndim nuk u pranua ky kompromis. P.sh, myslimanët fituesë i lejuan liri fetare komunitetit të krishterë në Aleksandri dhe aleksandrianët menjëherë thirrën patriarkun e tyre të mërguar monofizit për t’i sunduar ata, duke i lejuar pushtuesve të tyre vetëm autoritet politik. Në këtë mënyrë qyteti mbijetoi si një komunitet fetar nën dominimin arab që ishte më i mirëpritur dhe më tolerant se ai bizantin.

Herakli i moshuar qe i paaftë të përballej me detyrën e re dhe ajo iu la pasardhësve të tij—Kostandinit III (sundoi nga shkurt deri maj 641), Konstanci II(641-668), Kostandini IV (668-685) dhe Justiniani II (685-695, 705-711). Kjo listë e shkurtër perandorësh fsheh konfliktet brenda familjes që shpesh vunë në rrezik pasardhjen, por gradualisht u vendos parimi se edhe sikur vëllezërit të sundojnë si bashkëperandorë, autoriteti i më të madhit është i pari. Megjithëse konflikti mes Bluve dhe të Gjelbërve vazhdoi gjatë tërë shekullit, revoltat e brendshme nuk e shqetësuan dinastinë deri në sundimin e Justinianit II. Ky i fundit u rrëzua nga froni dhe u shpërfytyrua (iu pre hunda) në 695. Me ndihmën e bullgarëve, ai u kthye më 705 për të rimarrë sundimin dhe u hakmor në mënyrë aq të tmerrshme saqë rrëzimi i tij i dytë nga froni dhe vdekja më 711 duken të çuditshme vetëm që zgjatën plot gjashtë vjetë. Nga 711 deri më 717 fatet e perandorisë u zhytën; në atë vit, Leoni, strategu i temës Anatolikon, mbërriti si një Herakël i dytë për të themeluar një dinasti që e shpëtoi perandorinë nga dy armiqtë e rinj, arabët dhe bullgarët.

Ndërkohë, në frontin ballkanik bullgarët kishin zënë vendin e avarëve pas 626-ës. Një popull pagan i shpërngulur me forcë nga Delta e Danubit prej kazarëve në pjesën e dytë të shekullit të 7-të, ata i rezistuan përpjekjeve të Kostandinit IV për t’i mundur në 681. Për shkak të traktatit të firmosur atë vit dhe të tjerëve që datojnë nga 705 deri 716, bullgarët u njohën si një mbretëri e pavarur që kishin nën zotërim (duke turpëruar Bizantin) tokat në jug të Danubit në brendësi të Trakisë. Megjithëse bullgarët i kishin hequr perandorisë kontrollin mbi Ballkanin qendror dhe verior, bizantinët mund të rehatoheshin nga ekspeditat e 658-ës dhe 688/689 në Maqedoni, respektivisht nga Konstanci II dhe Justiniani II dhe nga formimi i temave të Trakisë (687) dhe Hellasit (695); këto lëvizje ishin provë se autoriteti bizantin po fillonte të mbizotëronte përgjatë vijës bregdetare të gadishullit dhe në disa pjesë të Greqisë ku sllavët kishin hyrë.

Në Perëndim, situata qe më pak afirmuese. Monotelitizmi kishte shkaktuar një pritje armiqësore nga kishat e Afrikës veriore dhe Italisë dhe pakënaqësia kishte inkurajuar të dy ekzarkët e Kartagjenës (646) dhe Ravenës (652) të revoltoheshin. Në fund të shekullit, Afrika do të pushtohej pothuajse e tëra nga myslimanët të cilët, në 711, vunë nën kontroll fortesën e fundit në Septem. Për momentin Sicilia dhe zotërimet e shpërndara në Itali qëndronin të sigurta. Konstanci ndërmori operacione kundër lombardëve dhe kishte qëllim ta zhvendoste kryeqytetin në Sicili, përpara se vrasja e tij të përfundonte karrierën e perandorit të fundit lindor që veproi në Perëndim. Si përmbledhje, Leoni III në 717 sundonte mbi një perandori të turpëruar nga prezenca e barbarëve paganë në Ballkanin që konsiderohej “romak”, të kërcënuar nga një sulm mbi zemrën e Anadollit dhe mbi kryeqytetin dhe si përfundim, të zvogëluar në Perëndim në Sicili dhe pjesët e mbetura të ekzarkatit të Ravenës.

Epoka e ikonoklazmës: 717-867

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Shpërfytyrimi i Krishtit, ikonë mozaiku, fillimi i shekullit të 12-të

Për më shumë se një shekull pas hipjes në fron të Leonit III (717-741), një çështje e vazhdueshme e historisë bizantine qe në përpjekjet e perandorëve, shpesh me mbështetje të gjerë popullore, për të eliminuar adhurimin e ikonave, një praktikë që dikur pati luajtur një rol thelbësor në ngritjen e moralit për të mbijetuar. Kjo ndjesi qe rritur intensivisht gjatë shekullit të 7-të; Këshilli në Trulo (Quinisext Concilium) i 692-shit vendosi se Krishti duhet të paraqitej si njeri dhe jo, siç paraqitej në mënyrë simbolike, si qengj. Perandori sundues, Justiniani II, kishte marrë hapa të papara ndonjëherë për të vendosur pamjen e Krishtit në monedhat e tij duke e deklaruar veten “skllav i Zotit”. Reagimi ndaj kësaj doktrine ikonodule (që ka lidhje me adhurimin e ikonave) filloi që herët në shekullin e 8-të, por ikonoklazma e plotë (shkatërrimi i ikonave) u shfaq si politikë perandorake vetëm me dekretet e Leonit III në 730. Nën djalin e tij, Kostandinit V (sundoi 741-775), lëvizja ikonoklaste u rrit, duke marrë formën e persekutimit të dhunshëm të klerit manastiror, mbrojtësit më të madh të doktrinës ikonodule. Këshilli i Nikesë i 787-ës rivendosi doktrinën ikonodule me nxitjen e perandoreshës Irenë, por i detyruar nga ushtria, Leoni V ringjalli në 815 politikat ikonoklaste të Kostandinit V, një prej gjeneralëve më të suksesshëm të Bizantit. Vetëm në 843 ikonat u vendosën përfundimisht në vendet e tyre të adhurimit dhe adhurimi i tyre u deklarua solemnisht si besim ortodoks.

Sundimet e Leonit III (Izaurit) dhe Kostandinit V

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Leoni III (majtas) dhe djali i tij Kostandini V

Menjëherë pas hipjes në fron të Leonit, fatet e perandorisë u përmirësuan ndjeshëm. Me ndihmën e bullgarëve, ai e ktheu mbrapsht sulmin e myslimanëve në 718 dhe, gjatë intervaleve të luftës në 20 vitet e ardhshme, i dha vetes detyrën e riorganizimit dhe konsolidimit të temave në Azinë e Vogël. Me ndihmën e aleatëve tradicionalë, kazarëve, sundimi i Leonit përfundoi me një fitore madhore, e marrë kundër arabëve, në Akroenos (740). Pasardhësit të tij, Kostandinit, iu desh fillimisht të luftonte për të hipur në fron, duke shtypur një revoltë të temave të Opsikionit dhe Armeniakonit të nisur nga kunati i tij Artavasdos. Gjatë viteve të ardhshme, problemet e brendshme të botës myslimane ndihmuan Kostandinin ndërkohë që dinastia abaside luftonte për t’i marrë kalifatin umajadëve. Me dobësimin e armikut të tij, Kostandini korri fitore të rëndësishme në Sirinë veriore, duke i transferuar të burgosurit e kapur atje në Trakë në përgatitje për luftën kundër bullgarëve, që do ta okuponte atë nga viti 756 deri në 775. Në jo më pak se nëntë fushata, ai e dobësoi kaq shumë fuqinë e bullgarëve saqë armiku verior dukej përgjithmonë i dobësuar, për të mos thënë i shkatërruar. Edhe kritikat e lëshuara nga kronikantët ikonodulë nuk mund ta fshehin popullaritetin e madh që i sollën fitoret e tij.

Në shekujt e mëvonshëm, populli i Kostandinopojës do të qëndronte në anë të varrit të tij, duke kërkuar ndihmë kundër kujtdo armiku që rrezikonte muret e qytetit.

Pasardhësit e dobët të Kostandinit

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Pasardhësit e tij i humbën të gjitha fitimet e marra nga ikonoklasti i madh. Djali i Kostandinit, Leoni IV, vdiq parakohe në 780, duke lënë t’ia marrë vendin djali i tij 10-vjeçar, Kostandini VI, nën regjencën e perandoreshës Irenë. S'mund të thuhen shumë gjëra për Kostandinin, ndërsa politikat e Irenës si regjente (pas rrëzimit dhe verbërimit të djalit të saj urdhëruar nga ajo) dhe si sundimtare e vetme nga 797 deri më 802 qenë shkatërruese. Politikat e saj ikonodule e armiqësuan me shumë trupa të temave, të cilët akoma i qëndronin besnike kujtimit të perandorit të madh luftëtar, Kostandinit V. Në një përpjekje për të ruajtur poullaritetin ndër mbrojtësit e saj murgjër dhe të popullsisë së Kostandinopojës, ajo zvogëloi taksat që këto grupe ishin të detyruara të pagonin; ajo gjithashtu reduktoi taksat doganore në portet e Kostandinopojës, Abidosit dhe Hierosit. Humbja e mëpasshme në thesar u rëndua edhe më shumë nga kërkesat e arabëve dhe bullgarëve për haraç pas fitoreve të tyre ne Azinë e Vogël në 781 dhe 792 respektivisht. Një revoltë e zyrtarëve të lartë të pallatit çoi në rrëzimin e Irenës në 802 dhe e ashtëquajtura dinasti Izaure e Leonit III përfundoi me vdekjen e saj, në mërgim, në ishullin e Lesbosit.

Të përballur me kërcënimin bullgar, asnjë nga tre perandorët pasardhës nuk qe i aftë të themelojë një dinasti. Niqifori I (sundoi 802–811), ministri i aftë i financës që i zuri vendin Irenës, rivendosi taksat që perandoresha kishte hequr dhe kreu disa reforma të tjera. Duke ndjekur traditën e Kostandinit V, Niqifori forcoi fortifikimet në Trakë duke vendosur në atë temë kolonistë nga Azia e Vogël.

Duke i marrë vetë armët, ai i udhëhoqi trupat kundër kanit të ri dhe energjik bullgar, Krumit, por humbi dhe gjeti vdekjen nga dora e këtij të fundit. Pasardhësi i tij, Mihal Rangabe (811-813), nuk e pati më mirë; grindjet e brendshme e thyen ushtrinë e tij kur ajo u përball me Krumin pranë Adrianopojës dhe kjo humbje i kushtoi atij fronin. Vetëm në një aspekt ai zë një vend të rëndësishëm në analet e Perandorisë bizantine. Perandori i parë që mbante një emër familjeje, përdorimi nga ana e Mihalit e patronimit Rangabe, është tregues i ngritjes së familjeve të mëdha, që kishin akumuluar shumë toka në dëm të pronarëve të vegjël prej të cilëve perandoria varej për taksat dhe shërbimin ushtarak. Emri Rangabe ka mundësi të ketë qenë forma e helenizuar e origjinalit sllav (rokavu), dhe, nëse ishte kështu, origjina etnike e Mihalit dhe pasardhësit të tij, Leon V Armenit (sundoi 813-820), janë prova të mjaftueshme që Bizanti në shekullin e 9-të jo vetëm që ishte një shoqëri e përzierë, por edhe një shoqëri në të cilën posti më i lartë qe i hapur për këdo që kishte durimin dhe mendjemprehtësinë e nevojshme për ta arritur. Leoni ra viktimë e vrasjes, por përpara vdekjes ngjarje që nuk qenë në dorë të tij kishin përmirësuar situatën e perandorisë. Krumi vdiq në 814 ndërkohë që përgatitej të sulmonte Kostandinopojën dhe djali i tij, Omortagu, vendosi paqe me Perandorinë bizantine për të mbrojtur kufijtë perëndimorë të Perandorisë bullgare kundrejt presionit të ushtruar nga zgjerimi frank nën Karlin e Madh dhe pasardhësit e tij. Vdekja e kalifit të pestë, Harun ar-Rashidit, kishte çuar në një luftë civile në botën myslimane. Kjo bëri të mundur përfundimin e armiqësive me atë pjesë të botës. Leoni e shfrytëzoi këtë çlirim hapësirë për të rindërtuar qytetet trake që bullgarët kishin shkatërruar më përpara. Puna e tij shfaq depërtimin gradual bizantin në pjesët bregdetare të Gadishullit Ballkanik, siç qe organizimi i disa temave në të njëjtin rajon gjatë shekullit të 9-të: ato të Maqedonisë, Selanikut, Dyrrahut, Dalmacisë dhe Strimonit.

Perandori i ri, Mihali II, qe i aftë të themelojë një dinasti—Amorianen—me djalin e tij Teofilin (829-842) dhe nipin e tij Mihalin III (842–867), secili duke zënë fronin në rradhë, por asnjë nuk do e kishte parashikuar një të ardhme kaq të lumtur gjatë viteve të para të Mihalit II. Thoma Sllavi, një shok i vjetër lufte i Mihalit, aktroi sikur qe perandori i pafatë Kostandin VI dhe siguroi kurorëzimin nga Patriarku i Antiokisë; kjo u përmbush me lejen e kalifit mysliman, i cili kishte juridiksion mbi Antiokinë. Kështu Thomai Marshoi për në Kostandinopojë në krye të një force të përzierë popujsh kaukazianë, lidhja e vetme e të cilëve qëndronte në devotshmërinë e tyre ndaj doktrinës ikonodule dhe urrejtjes ndaj ikonoklazmës së Mihalit. I ndihmuar nga Omortagu dhe i mbrojtur nga muret e Kostandinopojës, Mihali mundi armikun e tij, por ngjarja shfaq tensionet nën sipërfaqen e shoqërisë bizantine: gjendja e sëmurë sociale, armiqësitë etnike dhe mosmarrëveshjet e krijuara nga ikonoklazma. Të gjitha këto shpjegojnë dobësinë e paraqitur gjatë sundimit të Teofilit, kur një ushtri myslimane mundi vetë perandorin (838) përpara se të merrte fortesën Amorium në Azinë e Vogël. Kjo shpjegon edhe dobësimin e njëkohësishëm në Mesdhe, i shfaqur në marrjen e Kretës nga arabët (826 ose 827) dhe në fillimin e sulmeve mbi Sicilinë që në fund i siguruan botës islame ishullin. Ikonoklazma padyshim luajti rol edhe në përkeqësimin e marrëdhënieve mes Perëndimit dhe Lindjes.

Kriza ikonoklaste

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Ikonoklastët dhe ikonodulët binin dakord në një pikë themelore: një popull i krishterë nuk mund të lulëzojë nëse nuk merr një pozicion të saktë drejt imazheve të shenjta, ose ikonave. Ata nuk binin, sigurisht, se cili duhet të ishte pozicioni që duhej mbajtur. Secila palë mund të gjente argumente mbështetëse në shkrimet e kishës së hershme dhe është thelbësore të dihet se debati mbi imazhet është po aq i vjetër sa arti i krishterë. Themelet e ikonoklazmës nuk ishin medoemos zbulime të shekullit të 8-të. Mbështetësi më i aftë i pozicionit ikonodul ishte, megjithatë, teologu i shekullit të 8-të Shën Gjoni i Damaskut. Duke u ndikuar nga doktrina neoplatonike, Gjoni sugjeroi se imazhi nuk ishte veçse një simbol; krijimi i një ikone justifikohej kështu, prej mishërimit të Zotit në njeri.

Ikonoklastët përgjigjeshin duke treguar formulimin e Urdhëresës së Dytë. Dënimi aty i adhurimit të imazheve peshoi rëndë mbi Leonin III, i cili mund të jetë ndikuar nga Islami, një fe që e ndalon rreptësisht përdorimin e imazheve fetare. Kjo pikë e fundit është e debatueshme, ashtu siç është edhe argumenti se ikonoklazma ishte një shprehje e sentimentit veçanërisht në temat lindore të perandorisë. Nuk ka dyshim se monofizizmi ndikoi në idetë e Kostandinit V dhe, nëpërmjet tij, rrjedha e debatit gjatë gjysmës së dytë të shekullit të 8-të. Në sytë e monofizitëve, të cilët besonin në natyrën hyjnore, të padallueshme të Krishtit, ikonoduli ishte fajtor i sakrilegjit. Ose ai ishte një nestorian, i cili e reduktonte natyrën hyjnore në mënyra njerëzore nëpërmjet imazheve, ose ai ishte një diofizit kalqedonas, i cili i barazonte të dy natyrat njerëzore dhe hyjnore. Një arsye tjetër favorizuese për ikonoklazmën ishte konceptimi i perandorit për rolin e tij si nën-regjenti i Zotit në Tokë. Gjatë fundit të shekullit të 6-të dhe 7-të, perandorët ikonodulë përpiqeshin të theksonin nënshtrimin dhe devotshmërinë e tyre ndaj Zotit. Kostandini V, nga ana tjetër, me krenari i zëvendësoi ikonat me portrete perandorake dhe me paraqitje të fitoreve të tij. I parë në këtë dritë, ikonoklazma sinjalizon një rilindje të besimit perandorak; kaq i madh ishte reputacioni i Kostandinit dhe kaq të dobëta arritjet e pasardhësve të tij, saqë Leoni V, p.sh, mund të besonte me lehtësi se Zoti favorizonte batalionet ikonoklaste.

Nën Kostandinin V, lufta kundër ikonave u bë një luftë kundër mbrojtësve të tyre kryesorë, komunitetit manastiror. Shkatërrimi i menjëherëshëm i dhënë nga Kostandini dhe pasuesit e tij fanatikë është, megjithatë, me ndikim më të shkurtër sesa efekti i përherëshëm që la persekutimi i klerit ortodoks. Thënë shkurtimisht, kisha u bë një institucion i mbizotëruar nga faksionet, ku pakënaqësia popullore gjeti një mënyrë për tu shprehur. Ikonodulët e papajtueshëm donin t’i gjenin udhëheqësit e tyre nga murgjit e Studionit, një manastir i themeluar nga Studi dhe ata e gjetën një: abati i manastirit, Shën Teodor Studiti (759–826). Te patriarku Injac (847–858; 867–877) ata gjetën një zëdhënës që i përshtatej: i nxjerrë nga radhët e murgjëve dhe përbuzës ndaj të gjitha tundimeve të botës sekulare. Më të rëndësishëm se burrat e ekstremit tjetër, patriarkëve ikonoklastë, përfshirë Anastasin dhe Johan Gramatikun, ishin përfaqësuesit e partisë së moderuar, e përbërë nga patriarkët Taras, Niqifor, Metod dhe Fot. Megjithëse simpatizonte më shumë ikonodulët, grupi pati lidhje të dobëta me fanatikët e manastireve. Ndryshe nga murgjit e zakonshëm, ata ishin laikë të arsimuar mirë, të trajnuar në shërbimet perandorake dhe të gatshëm për të bërë kompromis me autoritetin perandorak.

Jo vetëm që Ikonoklazma ishte një ngjarje madhore në historinë e Bizantint ose të Kishës Ortodokse, por ajo pati ndikim të përherëshëm në marrëdhëniet mes perandorisë dhe Evropës katolike. Për shkak të përparimit lombard, autoriteti bizantin në Itali ishte reduktuar në Ekzarkatin e Ravenës dhe në këtë cep papat e shekullit të 7-të, vetë me origjinë greke ose siriane, ishin strehuar për mbrojtje kundër armikut të përbashkët. Duke filluar nga shekulli i 8-të, dy çështje kishin armiqësuar Romën me Kostandinopojën: Ikonoklazma dhe grindjet për shkak të çështjes së juridiksionit mbi Ilirikumin dhe Kalabrinë në Italinë jugore. Papa Gregori II refuzoi të pranojë doktrinën ikonoklaste të Leonit III; pasardhësi i tij, Gregori III, dënoi hapur atë. Sapo Ravena ra në duart e lombardëve dhe ekzarkati pushoi së ekzistuari, papatit i duhej të gjente një mbrojtës të ri. Ky ishte udhëheqësi frank Pepini III, i cili kërkonte të ligjëronte marrjen e kurorës nga duart e dobëta të përfaqësuesit të fundit të dinastisë merovinge. Prandaj papa Stefan II (ose III) e ligjëroi Pepinin si mbret të frankëve në 754 dhe ky i fundit hyri në Itali për të luftuar kundër mbretit lombard. As rikthimi i adhurimit të ikonave në 787 nuk mundi të përmirësojë marrëdhëniet mes Bizantit ortodoks dhe Evropës katolike, sepse këshilltarët e djalit të Pepinit, Karlit të Madh, e dënuan qëndrimin ikonodul po aq shumë sa një brez më përpara kishin dënuar dekretet ikonoklaste të Leonit III. Në të njëjtën kohë, njerëzit e kohës së Karlit të Madh nuk mund ta pranonin që një femër—perandoresha Irenë—të zotërojë dinjitetin e duhur të perandorit të romakëve. Për të gjitha këto arsye, Karli i Madh, mbret i frankëve dhe lombardëve si e drejtë pushtimi, u kurorëzua si perandor i romakëve në Krishtlindjen e vitit 800 nga Papa Leoni III. Jo më një mbret barbar, Karli i Madh u bë, sipas simbolizmit të kohës, një Kostandin i ri. Këtë bizantinët nuk mund ta pranonin, sepse, nëse kishte një Zot dhe një besim, atëherë nuk mund të kishte përveçse një perandori dhe perandor; dhe ata me siguri sundonin në Kostandinopojë, jo Ahenin e Karlit të Madh. Mosmarrëveshjet e mëpasme ndërmjet Romës dhe Kostandinopojës më shumë dukeshin të përqendruara në çështjet e disiplinës klerike; përveç këtyre ndryshimeve ishin edhe dy çështje të rëndësishme që nuk mund të injoroheshin. Teorikisht kishte vetëm një perandori; mirëpo, qartësisht, ishin dy. Dhe ndërmjet Romës dhe Kostandinopojës qëndronte një grupim popujsh të hapur ndaj konvertimit: sllavët e Evropës qendrore dhe bullgarët në Ballkan. Cilin nga këto dy juridiksione do të pranonin këto popuj? Kujt, si rezultat, do t’i kishin detyrim shpirtëror?

Sundimi i Mihalit III i solli bashkë këto çështje bashkë me të tjera nga e shkuara. Adhurimi i ikonave u rehabilitua në 843 dhe kjo u bë në një mënyrë aq diplomatike, saqë nuk shkaktoi grindje të reja, megjithëse ndarja në grupime mbeti me caktimin e një murgu, Injacit, si patriark. Fanatizmi i papajtueshëm i këtij të fundit nuk pati mbështetje nga Çezari Bardas, xhaxhai i Mihalit, i cili kishte marrë pushtetin në duar nga Perandoresha Regjente në 856. Dy vite më vonë Injaci u dëbua dhe u zëvendësua nga një i moderuar: studiuesi laik Foti. Askush nuk është shembull më i mirë i epokës dhe në të njëjtën kohë personi që luajti rolin më të madh në rilindjen kulturore dhe aktivitetet misionare ndër sllavët, bullgarët dhe rusët, gjatë mesi të shekullit të 9-të. Po i njëjti shpirt agresiv dhe aventurier u shfaq në fitoret ushtarake në kufirin e Azisë së Vogël, duke kulmuar me fitoren e Petronasit në Poson (863) mbi emirin mysliman të Melitenës.

Në Siçili dhe pjesët e tjera të Mesdheut, bizantinët nuk qenë aq të sukesshëm, por me ndihmën e aftësive diplomatike të Fotit, selia e Kostandinopojës ruajti pozitën e saj ndaj Romës në të ashtëquajturën “Skizma Fotiane”. Kur papa Nikolla I kundërshtoi ngjitjen e Fotit si patriark, duke konsideruar si kundër kanunit shpejtësinë prej gjashtë ditësh në të cilën ai ishte ngjitur në të gjitha shkallët hierarkike, patriarku refuzoi të përkulej. Ai, me zotësi, bindi delegatët e Nikollës që të organizohej mbledhja e një këshilli në Konstadinopojë ku të hetohej çështja nëse ai ishte patriarku i ligjshëm megjithë pretendimet e grupimit rival të Injacit. Nikolla, duke dyshuar se njerëzit e tij ishin korruptuar, çkishëroi Fotin; një këshill në Kostandinopojë u kundërpërgjigj (867) duke çkishëruar Nikollën. Çështjet e drejtpërdrejta mes dy selive ishin çështje të supremacisë klerike, liturgjisë dhe disiplinës klerike; pas këtyre burimeve të ndarjes qëndronte çështja e juridiksionit të të konvertuarëve në Bullgari. Dhe pas asaj çështje qëndronin shekuj në të cilët ishte zmadhuar ndarja mes mendjeve dhe institucioneve të botërave perëndimore dhe lindore mesdhetare, të simbolizuara në rolet e dy protagonistëve kryesorë në Skizmën Fotiane. Ishte autoriteti më i madh shpirtëror, papa, që lëshonte mallkime nga Perëndimi, por ishte mëkëmbësi i Zotit në Tokë, perandori Mihali III, që drejtoi këshillin e vitit 867.

Mihali nuk mbijetoi gjatë pas këtij momenti triumfi. Në fund të atij viti, ai u vra nga i preferuari i tij, Bazili, i cili, në rrugën e tij të përgjakshme drejt fronit, kishte hequr qafe më përpara Çezarin Bardas. Ashtu si Herakli dhe Leoni III përpara tij, Bazili arriti të themelojë një dinasti, dinastinë maqedonase. Ndryshe nga paraardhësit e tij, ai nuk erdhi si një shpëtimtar, por si një fshatar aventurier i cili mori në zotërim një perandori të shëndoshë e cila do të shihte në shekujt e saj të ardhshëm kulmin e saj.

Nën maqedonasit, të paktën deri në vdekjen e Bazilit II në 1025, perandoria pati një periudhë të artë. Ushtritë e saj rimorën iniciativën kundër arabëve në Lindje dhe misionarët e saj kthyen sllavët, duke zgjeruar ndikimin bizantin në Rusi dhe Ballkan. Dhe, megjithë karakterin e ashpër ushtarak të shumë prej perandorëve, pati një rilindje në shkrimet bizantine dhe zhvillime të rëndësishme në ligj dhe administratë. Në të njëjtën kohë kishte edhe shenja rënieje: burimet u shpenzuan në një shkallë tepër të lartë; pati rritje të mosmarrëveshjeve me Perëndimin; dhe një revolucion shoqëror do ta dobësonte pushtetin ekonomik dhe ushtarak të perandorisë.

Perandoria ishte teorikisht një monarki elektive pa ligj trashëgimie. Por dëshira për të themeluar dhe vazhduar një dinasti ishte e fortë dhe shpeshherë e inkurajuar nga ndjenjat popullore. Kjo qe sidomos e vërtetë në lidhje me dinastinë maqedonase, themeluesi i së cilës, Bazili I, kishte vrarë të gjithë kundërshtarët në rrugën e tij drejt fronit në 867. Mundësisht me origjinë armene, megjithëse ata ishin vendosur në Maqedoni, familja e Bazilit nuk ishte aspak e veçantë dhe nuk mund të pritej të nxirrte një linjë perandorësh që do të zgjaste për gjashtë breza dhe 189 vite. Por, me marrjen e kurorës perandorake, Bazili u përpoq të sigurohej që familja e tij nuk do ta humbte atë dhe emëroi tre nga djemtë e tij si bashkëperandorë. Megjithëse ai ishte më pak i preferuari i tij, me anë të Leonit VI, që e pasoi në 886, pasardhja ishte të paktën e sigurtë. Edhe tre perandorë-ushtarët që uzurpuan fronin gjatë epokës maqedonase ishin të vetëdijshëm, në shkallë të ndryshme, se ata po mbronin të drejtat e një trashëgimtari legjitim gjatë miturisë së tij: Roman Lekapeni për Kostandinin VII, djalin e Leonit VI dhe Niqifor Foka e Johan Cimisha për Bazilin II, nipin e Kostandinit VII.

Ringjallja ushtarake

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Rikonfirmimi i fuqisë ushtarake dhe detare bizantine në Lindje filloi me fitore kundër arabëve të arritura nga gjenerali i Mihalit III, Petronasi, në 856. Duke filluar që nga 863, iniciativa ishte në duart e bizantinëve. Përleshja me arabët, që për një kohë të gjatë kishte qenë një përleshje për mbijetesë, u kthye në një ofensivë në rritje që arriti kulmin e vet briliant në shekullin e 10-të. Në 867 ekzistonte një kufir i përcaktuar qartë mes Perandorisë Bizantine dhe hilafetit abasid. Pika më e dobët ishte në Malet Taurus sipër Sirisë dhe Antiokut. Bazili I i drejtoi operacionet e tij kundrejt asaj pike, rikuperoi Qipron për pak kohë dhe luftoi kundër paulikanëve, një sekt heretik i krishterë, propaganda anti-perandorake e të cilëve ishte efektive në Anadoll. Por konflikti me Islamin ishte ai që shqetësonte të gjithë perandorinë, si në Perëndim, si në Lindje, nga deti po ashtu edhe nga toka. Në 902 arabët përfunduan pushtimin e Sicilisë, por u zmbrapsën nga provinca bizantine e Italisë jugore, për mbrojtjen e së cilës Bazili I kishte bërë, madje, përpjekje për të bashkëpunuar me perandorin Perëndimor, Luigjin II. Dëmi më i madh, megjithatë, u bë nga piratët arabë që kishin marrë nën kontroll ishullin e Kretës. Në 904 ata plaçkitën Selanikun, duke marrë me vete sasi të mëdha plaçke dhe shumë të burgosur. Leoni VI dërgoi një ekspeditë detare në Kretë në 911, por myslimanët e larguan atë dhe turpëruan marinën bizantine në Kios në 912.

Në frontin lindor, ofensiva bizantine u mbajt me sukses gjatë sundimit të Roman Lekapenit nga gjenerali armen Johan Gurgen, i cili pushtoi Melitenën (934) dhe më pas Edesën (943), duke përpara përgjatë Eufratit brenda territorit të kalifit. Ishte Gurgeni i cili shtroi rrugën për fushatat e dy perandorëve-ushtarë të brezit tjetër. Në 961 Niqifor Foka, atëherë komandant i ushtrive në Perëndim, ripushtoi Kretën dhe shkatërroi flotën arabe që kishte terrorizuar Egjeun për 150 vjetë; ai, në këtë mënyrë, rivendosi superioritetin detar bizantin në Mesdheun lindor. Në 962 strategjia e tij arriti triumfe të papritura përgjatë tërë frontit lindor dhe kulminoi me marrjen e Alepos në Siri. Kur u shpall perandor në mars 963, Niqifori vendosi një tjetër gjeneral armen, Johan Cimishën, si komandant të Lindjes, megjithëse ai mbajti vetë komandimin e operacioneve kundër arabëve. Në 965, ai i kishte larguar ata nga Qipro dhe ishte bërë gati për ripushtimin e Sirisë. Ky moral i ringjallur dhe vetëbesimi i Bizantit në Lindje u shfaq dukshëm në zellin kryqtar të Niqifor Fokës dhe Johan Cimishës për ripushtimin e Sirisë dhe Tokës së Shenjtë. Tokat e humbura prej Islamit në shekullin e 7-të po rifitohej mjaft shpejt; megjithëse Jeruzalemi nuk u arrit asnjëherë, qyteti i rëndësishëm i krishterë i Antiokut, seli e një prej patriarkateve, u rimor në 969. Këto fitore u arritën kryesisht nga forca e re kalorësiake e ndërtuar nga Niqifor Foka. Në zonat e rikuperuara nga arabët, toka u shpërnda në prona ushtarake me interesin e kalorësisë në mendje. Por fitoret u arritën duke hequr dorë nga provincat perëndimore dhe një tentativë për të rikuperuar Sicilinë dështoi në 965.

Johan Cimisha

Fushatat e Johan Cimishës, i cili e uzurpoi fronin në 969, u drejtuan kundër emirit të Mosulit në Tigër dhe kundër kalifit fatimitë Egjiptit, i cili kishte plane për të marrë Sirinë. Në 975, pothuajse e gjithë Siria dhe Palestina, nga Çezarea në Antiok, ashtu si dhe një pjesë e madhe e Mesopotamisë në lindje të Eufratit, ishte në kontrollin e Bizantit. Rruga shfaqej e hapur për Cimishën që të avanconte në kryeqytetin abasid të Bagdadit në njërën anë dhe në Jeruzalem dhe Egjipt në anën tjetër. Por ai vdiq në 976 dhe pasardhësi i tij, Bazili II, pasardhësi ligjor i dinastisë maqedonase, i përqendroi shumicën e burimeve të tij në mposhtjen e bullgarëve në Evropë, megjithëse ai nuk e braktisi idenë e ripushtimeve të mëtejshme në Lindje. Mbretëria e Gjeorgjisë (Iberia) u bashkua me perandorinë me anë të një traktati. Një pjesë e Armenisë u pushtua, ndërsa pjesa tjetër i kaloi Bizantit me vdekjen e mbretit të saj. Bazili II personalisht drejtoi dy ekspedita ndëshkuese kundër fatimidëve në Siri; megjithatë, politika e tij lindore konsistonte në mbajtjen dhe konsolidimin e asaj që ishte fituar. Fitimet mund të maten nga numri i temave (provincave) të reja të krijuara në fillimin e shekullit të 11-të në zonën ndërmjet Vaspurakanit në Kaukaz dhe Antiokut në Siri. Marrja nën kontroll e Armenisë, atdhe i shumë prej perandorëve dhe ushtarëve të mëdhenj të Bizantit, ndihmoi në forcimin e murit lindor të Perandorisë Bizantine për gati një shekull.

Marrëdhëniet me sllavët dhe bullgarët

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Megjithëse territori perandorak në Lindje mund të rifitohej vetëm me anë të pushtimeve ushtarake, në Ballkan dhe Greqi rifitimi mund të ndihmohej nga arma diplomatike e konvertimit. Sllavët dhe bullgarët mund të silleshin brenda orbitës bizantine me anë të konvertimit në krishtërim. Konvertimi i sllavëve u nis nga patriarku Foti dhe u krye nga murgjërit Ciril dhe Metod nga Selaniku. Shpikja e tyre, alfabeti sllav (cirilik dhe glagolitik), bëri të mundur përkthimin e Biblës dhe liturgjisë greke dhe u mësoi sllavëve shkrim e këndim, përveçse solli besimin e krishterë. Puna filloi në mbretërine sllave të Moravisë dhe u shpërnda në Serbi dhe Bullgari. Misionerët latinë e urrenin atë çka ata e konsideronin ndërhyrje bizantine te sllavët veriorë dhe pati përleshje të vazhdueshme interesi që i dëmtuan edhe më tej marrëdhëniet mes selive të Romës dhe Kostandinopojës. Konvertimi i bullgarëve u kthye në një kompeticion mes dy kishave dhe kjo u shfrytëzua aftësisht nga mbreti bullgar Boris derisa, më 870, ai zgjodhi krishtërimin ortodoks me kushtin e të paturit një arqipeshkv të vetin.

Luftërat bullgare

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Perandori Bazil II (976–1025)

Tregtia me Kostandinopojën që pasoi misionarët rriti shumë oreksin e skllavëve dhe bullgarëve për një pjesë mëtë madhe të pasurisë materiale të Bizantit. Simeoni I i Bullgarisë, i cili pasoi babain e vet Borisin në 893 dhe që ishte arsimuar në Kostandinopojë, rezultoi një armik edhe më i rrezikshëm se arabët. Përpjekjet e tij për tu bërë perandor dominuan historinë bizantine për rreth 15 vjet. Në 913 ai mori me vete një ushtri në muret e Kostandinopojës, duke kërkuar titullin perandorak. Patriarku, Nikolla Mistiku, u përpoq të kënaqte Simeonin për ca kohë, por qe Roman Lekapeni i cili, me durim dhe diplomaci, zvogëloi fuqinë e bullgarëve dhe zmbrapsi ambiciet e Simeonit. Simeoni vdiq në 927 dhe djali i tij Pjetri I u paqtua me Bizantin dhe u martua me një mbesë të Romanit.

Marrëdhëniet me Rusinë

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Rusët qëndronin plotësisht jashtë juridiksionit romak. Luftanijet e tyre, duke lundruar poshtë Dnjeprit nga Kievi deri në Detin e Zi, e sulmuan për herë të parë Kostandinopojën në 860. Ata u mundën dhe menjëherë pas kësaj u dërguan misionarë bizantinë në Rusi. Rusëve iu dhanë të drejtë për tregtuar në 911, por në 941 dhe 944, të drejtuar nga princi Igor, ata u kthyen për të sulmuar. Të dyja sulmet u zmbrapsën dhe Romani I u vendos për t’i dhënë fund armiqësisë dhe izolimit të rusëve ndaj kontakteve diplomatike dhe tregtare. Në 957, vejusha e Igorit, Ollga, u pagëzua dhe bëri një vizitë shtetërore në Kostandinopojë gjatë sundimit të Kostandinit VII; ndikimi i saj bëri të mundur që misionarët bizantinë të punonin me siguri më të madhe në Rusi, kësisoj duke shpërndarë krishtërimin dhe kulturën bizantine. Djali i Ollgës, Svjatosllavi, qe i kënaqur t’i shërbente perandorisë si aleat kundër bullgarëve nga 968 deri në 969, megjithëse ambicia e tij për të pushtuar Bullgarinë çoi në luftë me Bizantin në të cilën ai u mund dhe u vra. Në 971 Johan Cimisha përmbushi arritjen e dyfishtë të turpërimit të rusëve dhe reduktimit të Bullgarisë në statusin e nje mbretërie kukull. Ndikimi bizantin mbi Rusinë arriti kulmin e vet kur Vladimiri i Kievit, i cili e kishte ndihmuar Bazilin II të ngjitej në fron, mori si shpërblim martesën me motrën e perandorit dhe ai u pagëzua më 989. Kjo u ndoq nga konvertimi në masë i popullit rus dhe nga themelimi i një kishe zyrtare ruse nën autoritetin e patriarkut të Kostandinopojës.

Kryengritja bullgare

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Bullgarët, megjithatë, nuk ishin të kënaqur si vasalë të Bizantit dhe rebeluan nën Samuelin, më i riu nga katër djemtë e një guvernatori provincial në Maqedoni. Samueli e bëri Ohrin kryeqytetin e tij dhe krijoi një perandori bullgare që shtrihej Adriatiku deri në Detin e Zi dhe madje, për ca kohë, deri në Greqi, ndonëse Selaniku mbetej bizantin. Zgjidhja përfundimtare e problemit bullgar erdhi nga Bazili në një fushatë të pamëshirshme dhe metodike ushtarake që zgjati për rreth 20 vjetë, derisa, më 1018, rezistenca e fundit u shtyp. Zotërimet e Samuelit u bënë një pjesë thelbësore e Perandorisë Bizantine dhe u ndanë në tre tema të reja. Në të njëjtën kohë principatat sllave të Serbisë (Rashka dhe Dioklea) dhe Kroacia u bënë shtete vasale të Bizantit. Po ashtu porti adriatik i Dyrrahut erdhi nën kontrollin bizantin. Perandoria nuk kishte patur kaq shumë territore evropiane që nga koha e Justinianit. Por pushtimi i Bullgarisë do të thoshte se Danubi tanimë ishte e vetmja vijë e mbrotjes kundër fiseve më veriore si Peçenegët, Kumanët dhe Magjarët.

Ftohja ndaj Perëndimit

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Perandoria Bizantine në 1025

Zgjerimi i interesave bizantine në Adriatik, për më tej, kishte ngritur edhe një herë çështjen e pretendimeve bizantine në Italinë e jugut dhe në të tërë pjesën perëndimore të perandorisë së vjetër romake. Ndarja fizike e perandorisë në Lindje dhe Perëndim ishte theksuar nga vendosja e sllavëve në Gadishullin e Ballkanit dhe Greqi dhe që nga shekulli i 7-të të dy botët kishin zhvilluar mënyrat e tyre. Ndryshimet midis tyre shfaqeshin hapur në konfliktet kishtare, si Skizma Fotiane. Konvertimi i sllavëve kishte krijuar urrejtje mes agjentëve të juridiksioneve rivale. Por rivendosja e autoritetit bizantin në Greqi dhe Evropë lindore, shtuar fitoret kundër fuqive islamike në Azi, përforcuan besimin bizantin në universalitetin e perandorisë, sipas të cilit Italia dhe Perëndimi me siguri do ribashkoheshin në kohë. Derisa të vinte koha, ruhej fantazia se sundimtarët në Evropën perëndimore, si ata të sllavëve, e mbanin autoritetin e tyre të mbështetur në marrëdhënien e tyre të veçante me perandorin e vetëm të vërtetë në Kostandinopojë.

Disa herë u sugjerua se një aleancë e lidhur nga martesa mund të sillte bashkë pjesët Perëndimore dhe Lindore të perandorisë dhe kështu do ofronin një mbrojtje të bashkuar kundër armikut të përbashkët në Sicili—arabëve. Në 944 Romani II, djali i Kostandinit VII, u martua me një vajzë të Hugos së Provansës, pretendentit karoling të fronit italian. Kostandini VII gjithashtu mbajti kontakt diplomatik me Oton I, mbretin sakson të Gjermanisë. Por situata u ndryshua dramatikisht kur Oto u kurorëzua perandor i romakëve në 962, sepse kjo ishte një përplasje direkte me pozicionin unik të perandorit bizantin. Oto u përpoq dhe dështoi në rrënjosjen e pretendimit të tij ose me forcë në provincën bizantine në Itali, ose me negociata në Kostandinopojë. Ambasadori i tij, Liutprandi i Kremonës, shkroi një përshtypje të misionit të vet në Bizant në 968 me perandorin Niqifor Foka dhe të refuzimit përbuzës të perandorit për martesën e propozuar ndërmjet djalit të Otos dhe një princeshe bizantine. Incidenti ilustron qartazi sjelljen prej superiori të bizantinëve ndaj perëndimorëve në shekullin e 10-të. Johan Cimisha u zbut deri në një pikë duke ujdisur martesën e një prej të afërmëve të tij me Oton II në 972, megjithëse kjo nuk nënkuptonte njohjen e pretendimit perëndimor të perandorisë. Bazili II ra dakord se Oto III gjithashtu duhet të martonte një princeshë bizantine. Por ky bashkim nuk u arrit kurrë; pas kësaj Bazili riorganizoi administratën e Italisë bizantine dhe u përgatit për një tjetër fushatë kundër arabëve në Sicili në kohën kur ai vdiq më 1025. Miti i Perandorisë Romake universale vdiq kur akoma ishte i fortë.

Kultura dhe administrata

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Kriza ikonoklaste kishte ashpërsuar ftohjen e kishës bizantine dhe perandorisë nga Perëndimi. Por kjo ndihmoi në përcaktimin e parimeve të ortodoksisë dhe pati një efekt në karakterin e shoqërisë bizantine në të ardhmen. Nga ana tjetër, kisha fitoi një unitet dhe vitalitet të ri: misionarët e saj përhapënbesimin ortodoks në cepa të rinj të botës, manastiret e saj lulëzuan dhe tradita e saj shpirtërore u vazhdua nga predikimet dhe shkrimet e patriarkut Fot në shekullin e 9-të dhe të Simeon Teologut të Ri në shekujt e 10-të dhe 11-të. Nga ana tjetër, perandoria ishte bërë më e vetëdijshme për trashëgiminë e saj greko-romake. Interesi për studimet në greqishtjen e vjetër u ringjallën pas riorganizimit të Universitetit të Kostandinopojës nga Mihali III. Ringjallja u ushqye dhe u mbrojt sidomos nga shkollari-perandor Kostandin VII Porfirogjeneti, i cili shkroi tre vepra të mëdha për administratën, ceremonitë oborrtare dhe provincat e perandorisë së tij. Ai gjithashtu porositi kompletimin e një historie të epokës në të cilën ai kontribuoi me një biografi të gjyshit të tij, Bazilit I. Epoka nuk pati shumë kërkim origjinal, por leksikë (si ai i shekullit të 10-të “Suda”), antologji, enciklopedi dhe trajtesa (si “Lexicon” dhe “Bibliotheca” e Fotit) u prodhuan në numër të madh. Perandorët-ushtarë të shekullit të 10-tëqenë më pak të interesuar në aktivitete intelektuale, por studimet shkollare patën një shtysë të madhe në shekullin e 11-të me Mihal Psellin.

Themeluesi i dinastisë, Bazili I dhe djali i tij, Leoni VI, e bënë të qartë qëllimin e tyre për ta inauguruar këtë epokë të re duke ripërpunuar ligjet perandorake. Bazili shpresonte t’i bënte një redaktim të plotë kodit ligjor, por në kohën e tij vetëm një tekst preliminar (Procheiron) sëbashku me një hyrje (Epanagog) u shkruan. Megjithatë, Leoni VI e përfundoi punën me publikimin e 60 librave të Bazilikës, i cili helenizoi kodin ligjor të Justinianit dhe e bëri më të kuptueshëm për juristët. Shtimet dhe korrigjimet e bëra për të ruajtur hapin e kohës u përmblodhën në 113 novelat (dekretet) e Leonit, të cilat përfaqësojnë reformën e fundit të rëndësishme të kodit civil bizantin. Si themel i shenjtë i këtij legjislacioni ishte parimi i autokracisë absolute të perandorit, figura e të cilit ishte ligj më vete. Senati, mbetja e fundit e institucioneve republikane romake, u shpërnda përfundimisht. Vetëm në çështjet e mirëqënies shpirtërore perandori njihte kufizime në autoritetin e tij. Në një seksion të Epanagogës së Bazilit, me siguri shkruar nga Foti, ishte përshkruar marrdhënia ideale diarkike mes perandorit dhe patriarkut.

Administrata e kësaj periudhe ishte edhe më tepër e përqendruar në Kostandinopojë, me një burokraci të ndërlikuar me shumë zyrtarë që vendoseshin dhe paguheshin nga perandori. Perandori gjithashtu kontrollonte makinerinë po aq të ndërlikuar të shërbimit diplomatik. Disa nga nëpunësit e tij, megjithatë, qenë mjaftueshëm të fuqishëm sa të luanin rolin e mbret-bërësit, veçanërisht Bazili, shambellani që bëri të mundur ngjitjen në fron të Niqifor Fokës dhe Johan Cimishës. Rendi dhe sistemimi i tregtisë, ekonomisë dhe industrisë në qytet ishin në duart e prefektit të qytetit, funksionet e të cilit ishin të përmbledhura në “Librin e Eparkëve” (shkruar në shekullin e 9-të). Ai kishte për detyrë organizimin dhe kontrollimin e esnafeve ose kolegjeve të zejtarëve dhe shitësve me pakicë, që kishin të drejta ligjore dhe detyrime ndaj shtetit që zbatoheshin rreptësisht. Provincat në Evropë dhe Azi administroheshin sipas ndarjes së tyre territoriale në tema, të cilat, në shekullin e 10-të, numëronin më shumë se 30. Temat, ndonëse kishin nënndarje dhe ishin të zvogëluara në madhësi, ruanin karakterin e tyre ushtarak. Guvernatorët e tyre, ose stratēgoi, kombinonin autoritetin civil me atë ushtarak dhe i përgjigjeshin direkt perandorit, i cili i emëronte ata. Ushtria dhe flota rekrutonin, shumicën e kohës, bujq-ushtarë të cilëve u ishin dhënë toka me të drejtë trashëgimi brenda territorit të çdonjërës prej temave. Provincat kufitare mbroheshin nga një kontigjent trupash të frontit, të drejtuar oficerët e tyre. Bëmat dhe aventurat e tyre u romantizuan në epikën popullore të shekullit të 10-të, Digjenis Akrita. Por lufta studiohej dhe perfeksionohej si shkencë dhe ishte subjekt për traktate si “Taktika” e Leonit VI, që e kishte prejardhjen nga “Strategjikoni” i perandorit Mauric.

Ndryshimet shoqërore dhe ekonomike

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Kostandinopoja u bë qyteti më i madh dhe më i pasur në Evropë ndërmjet shekullit të 9-të dhe 11-të

Luftërat e ripushtimit në frontin lindor në këtë periudhë dhe orientimi i përgjithshëm ushtarak i politikës perandorake nxorri në dritë një klasë të re aristokracie, pasuria dhe pushteti i së cilës bazohej në pronësinë e tokës dhe që mbante shumicën e posteve të larta ushtarake. Tregtia dhe industria në qytete ishin kaq rreptësisht të kontrolluara nga qeveria saqë e vetmja formë e përfitueshme e investimit ishte blerja e tokës. Kësisoj, aristokracia ushtarake filloi të blinte fermat e ushtarëve dhe fshatarëve të lirë duke i lënë ata në një gjendje varësie. Me fuqizimin e perandorisë, të pasurit u bënë edhe më të pasur. Duke ditur sistemin bujqësor që mbizotëronte në Anadoll dhe në Ballkan, çdo dështim në të korrura, çdo zi buke, thatësirë apo murtajë prodhonte një numër të caktuar fshatarësh-ushtarë që, për shkak të gjendjes së mjerueshme, ishin të gatshëm t’i dorëzonin veten dhe tokën për mbrojtje një prej pronarëve të mëdhenj të tokave. Perandori i parë që e kuptoi rrezikun e këtij zhvillimi ishte Roman Lekapeni, i cili, në 922 dhe 934, kaloi ligje për të mbrojtur pronarët e vegjël ndaj instikteve blerëse të të “fuqishmëve”, sepse ai e kuptoi që fuqia ushtarake dhe ekonomike e perandorisë varej nga mirëmbajtja brenda sistemit të temave e institucionit të fermerëve-ushtarë dhe fshatarëve që ishin të lirë, por në të njëjtën kohë edhe taksapaguesë. (Vetëm qytetarët e lirë ishin të detyruar për shërbim ushtarak).

Perandorët pasardhës të Romanit I e zbatuan dhe zgjeruan legjislacionin e tij agrar. Por kostoja e fushatave të ripushtimit ndaj arabëve duhet të mbulohej nga taksa më të larta, që i detyruan shumë nga fshatarët e varfër të shisnin tokat e tyre dhe të kërkonin siguri si bujq me qira në tokat e pronarëve të mëdhenj. Niqifor Foka, i cili i përkiste një prek këtyre familjeve aristokratike pronare të Anadollit, ishte natyrisht hezitues për të vepruar kundër anëtarëve të klasës së tij, megjithëse ai i qëndronte besnik parimit se të drejtat e të varfërve duhen mbrojtur. Ligjet e tij mbi pronësinë e tokës ishin sidomos të vendosura për të krijuar një forcë më mobile me kalorësi të rëndë të rekrutuar nga ata që mund të paguanin për pajisjet, gjë që ndryshoi rrjedhimisht strukturën shoqërore të milicisë fshatare. Nga ana tjetër, Niqifori mbajti një qëndrim të fortë ndaj marrjes së mëtejshme të tokave nga kisha dhe ndaloi rreptësisht shtimin e numrit të manastireve, pronat e të cilave ishin të shumta dhe joproduktive për ekonominë.

Perandori i fundit që u mor seriozisht me këtë çështje ishte Bazili II, vendosja e të cilit në fron e kishte përfshirë perandorinë në një luftë të kushtueshme dhe të hidhur kundër familjeve aristokratike Skleri dhe Foka. Në 996 Bazili nxorri me dekret një legjislacion ndëshkues kunër familjeve pronare, duke urdhëruar rikthimin e tokave të blera fshatarëve që nga 922 dhe duke kërkuar prova për pronësinë e tokave të tjera deri në 1000 vite në disa raste. Më tej, sistemi i përgjegjësisë kolektive për pagimin e taksave të jashtëzakonshme i njohur si “allelengyon” tanimë nuk binte mbi pjesën tjetër të komunitetit të fshatit, por mbi pronarin e madh më të afërt, qoftë normal apo klerik. Pushtimi i Bullgarisë nga Bazili e ndryshoi në një farë mënyre trendin shoqëror dhe ekonomik të perandorisë, sepse u krijuan tema të reja atje ku nuk kishte traditë të gjatë të një aristokracie pronare si në Anadoll. Pas vdekjes së tij në 1025, të fuqishmit goditën mbrapsht dhe qeveria në Kostandinopojë nuk ishte më e aftë për të kontrolluar thithjen e pronarëve të vegjël të lirë nga pronarët e mëdhenj dhe si pasojë, feudalizimin e perandorisë.

Ky proces qe sidomos shkatërrues për klasën ushtarake. Suksesi dhe prestigji i Perandorisë Bizantine në periudhën maqedonase i detyrohej shumë efektivitetit të parivalizueshëm të ushtrisë së saj në Anadoll. Duke qenë një forcë profesionale, që megjithatë ishte kryesisht vendase dhe drejt për së drejti e shqetësuar për mbrojtjen e tokës së saj, ajo nuk kishte të barabartë si në botën perëndimore, si në atë arabe gjatë asaj kohe. Megjithatë, qe në këtë institucion që farat e gërryerjes dhe çintegrimit morën rrënjë, sepse shumica e komandantëve të ushtrisë vinin nga pronarët e mëdhenj të Anadollit, të cilët kishin marrë pasuritë e tyre duke dobësuar strukturën ekonomike dhe shoqërore në të cilën varej rekrutimi. Bazili II i kishte kufizuar me një dorë kaq të hekurt, saqë reagimi ishte i pashmangshëm pas vdekjes së tij. Në fakt, është e dyshimtë nëse shoqëria bizantine mund të toleronte një tjetër Bazil II, megjithë triumfet e tij. I thartuar nga shumë vite lufte civile në fillim të sundimit të tij, asketik dhe i pakulturuar nga natyra, Bazili përfaqësonte tiparet më pak tërheqëse të aristokracisë bizantine. Disa e kanë cilësuar perandorinë më të madh. Por virtyti i bamirësisë, që bizantinët e vlerësonin dhe e përgëzonin tek çdonjë prej sundimtarëve të tyre, nuk ishte pjesë e madhështisë së tij; cilësitë që e rafinonin karakterin bizantin, ndërmjet tyre dashuria për të mësuar dhe artet, nuk u përkrahën gjatë sundimit të tij. Megjithatë, ndërsa Bazili ishte i zënë duke fituar nofkën Bullgaroktoni (“Vrasësi i Bullgarëve”), Shën Simeoni eksploronte dashurinë e Zotit për njeriun në disa nga predikimet më poetike të letërsisë mistike.

Rënia bizantine dhe nënshtrimi ndaj ndikimit perëndimor: 1025–1260

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Bazili II nuk u martua asnjëherë. Por pas vdekjes së tij, të afërmit e tij qëndruan në zotërim të fronit deri në 1056, jo për shkak të efektivitetit të tyre sesa prej ndjenjës së përgjithshme të popullit bizantin se begatia e perandorisë ishte e lidhur me vazhdimësinë e dinastisë maqedonase. Kur vëllai i Bazilit, Kostandini VIII, vdiq në 1028, dinastia u vazhdua nga dy vajzat e tij, Zoe dhe Teodora. Zoe u martua tri herë: me Romanin III Argjirin (sundoi 1028-34), me Mihalin IV (1034–41) dhe me Kostandinin IX Monomakun (1042–55), i cili jetoi më gjatë se ajo. Kur Kostandini IX vdiq në 1055, motra e Zoes, Teodora, sundoi e vetme si perandoreshë deri në vdekjen e saj një vit më vonë.

Perandorët e mëdhenj të epokës së artë (jo të gjithë anëtarë të familjes maqedonase) i dhanë formë historisë së asaj epoke. Pasardhësit e Bazilit II ishin më tepër krijesa të rrethanave, sepse ata nuk arritën të kishin ndikim. Në 56 vitet nga 1025 deri në 1081 pati 13 perandorë. Një tenativë e bërë nga Kostandini X Dukasi për të themeluar një dinasti të re qe e pasuksesshme në mënyrë katastrofale. Stabiliteti nuk u rivendos deri në ardhjen e Aleksit I Komnenit në 1081, prej të cilit sundoi për 100 vjet (1081–1185) familja e Komnenëve.

Dobësia e shekullit të 11-të

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Gjendja e Perandorisë bizantine në shekullin e 11-të mund të krahasohet me atë të Perandorisë romake në shekullin e 3-të, kur, pas një periudhe të gjatë begatie dhe sigurie, kërcënime të reja përtej kufijve acaruan tensionet ekzistuese në shoqëri. Sundimet e shkurtra të pasardhësve të Bazilit II reflektuan dhe ishin produkt i një ndarjeje në klasën sunduese bizantine, një konflikt midis aristokracisë ushtarake të provincave dhe aristokracisë civile, ose burokracisë së Kostandinopojës. Secili grupim nxori perandorë rivalë. Aristokracia e sofistikuar urbane vlerësonte sunduesit që do ta kthenin trendin ushtarak të perandorisë dhe që do të zgjeronin shërbimin civil dhe që do t’i jepnin familjeve të tyre ofiqe joshëse dhe tituj nderi. Familjet ushtarake, që e kishin pasurinë jo në kryeqytet, por në provinca dhe që ishin ndëshkuar nga legjislacioni i Bazilit II, vlerësonin perandorët që ishin ushtarë dhe jo shërbyesë civilë. Në këtë pikë ata ishin më realistë, pasi në fund të shekullit të 11-të u bë mëse e qartë se fuqia ushtarake e perandorisë nuk ishte më e mjaftueshme për t’i mbajtur mbrapa armiqtë. Pronarët e tokave në provincë ishin më të gatshëm të rrezikonin se qeveria në Kostandinopojë dhe ata e bënë këtë rrezik arsye për të zmadhuar pronat e tyre në kundërshtim me çdo ligj të kaluar në shekullin e 10-të. Sistemi i temave në Anadoll, i cili kishte qenë baza e fuqisë mbrojtëse dhe sulmuese të perandorisë, po shpërbëhej me një shpejtësi të madhe në po atë moment kur armiqtë e rinj po mblidhnin forcat e tyre.

Nga ana tjetër, aristokracia urbane e Kostandinopojës, duke reaguar ndaj brutalizimit të luftës, u përpoq ta bënte qytetin një qendër të kulturës dhe sofistikimit. Universiteti u rihap nga Kostandini IX në 1045, pjesërisht për të sjellë më shumë shërbyesë civilë për burokracinë. Shkolla e juridikut u ringjall nga juristi Johan Ksifilini; shkolla e filozofisë ishte e drejtuar nga Mihal Pselli, kërkimet e të cilit në çdo fushë të dijes i dhanë një reputacion për gjithëdije dhe një ndjekje të madhe nga nxënës të shkëlqyer. Pselli—oborrtar, shtetar, filozof dhe historian—është në vetvete një shembull për gjallërinë e shoqërisë bizantine në shekullin e 11-të. Ajo që ai dhe shumë të tjerë si ai nuk arritën të kuptonin ishte se perandoria po shpenzonte më shumë e më shumë burime dhe po jetonte nën reputacionin e ndërtuar nga perandorët maqedonas.

Ardhja e armiqve të rinj

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Marrja e Edesës (1031) nga bizantinët (1031) nën Gjergj Maniakun dhe kundërsulmi nga selxhukët

Armiqtë e rinj që u shfaqën në shekullin e 11-të, ndryshe nga arabët apo bullgarët, nuk kishin arsye për ta respektuar atë reputacion. Ata u shfaqën njëherazi në frontet veriore, lindore dhe perëndimore. Ishte diçka e zakonshme për bizantinët që të luftonin në dy fronte në të njëjtën kohë. Por detyra kërkonte një ushtar në fron. Peçenegët, një fis turk, njiheshin prej një kohe të gjatë si fqinjët veriorë të bullgarëve. Kostandini VII i kishte vlerësuar si aleatë të vlefshëm kundër bullgarëve, magjarëve dhe rusëve. Por, pas pushtimit të Bullgarisë, peçenegët filluan të plaçkisnin përmes Danubit në atë që atëherë ishte territor bizantin. Kostandini IX i lejoi të vendosen në jug të lumit, ku numrat dhe ambiciet e tyre u rritën. Në mes të shekullit të 11-të, ata ishin bërë një kërcënim i vazhdueshëm për paqen në Traki dhe Maqedoni dhe ata inkurajonin shpirtin e rebelimit te heretikët bogomilë në Bullgari. Detyra iu la Aleksit I që ta largonte krizën duke mundur peçenegët në betejë në 1091.

Ardhja e re në frontin lindor ishin turqit selxhukë, pushtimet e të cilëve do ta ndryshonin të gjithë formën e botëve bizantine dhe islamike. Në 1055, pasi kishin pushtuar Persinë, ata hynë në Bagdad dhe princi i tyre mori titullin sulltan dhe mbrojtës i hilafetit abasid. Për jo shumë kohë ata vendosën autoritetin e tyre në kufijtë e Egjiptit fatimid dhe Anadollit bizantin. Ata kryen eksplorimet e para përtej kufirit bizantin në Armeni në 1065 dhe në 1067 deri në Çezarea, në Anadollin qendror. Plaçkitësit u frymëzuan nga ideja islamike e luftës së shenjtë dhe pushtimet nuk qenë aspak sistematike. Megjithatë, ata e gjetën çuditërisht të thjeshtë të plaçkisnin fshatrat dhe të izolonin qytetit, si pasojë e neglizhimit të gjatë të mbrojtjes së frontit lindor nga perandorët në Kostandinopojë. Kjo emergjencë i dha dorë aristokracisë ushtarake në Anadoll, e cila, në 1068, përfundimisht siguroi zgjedhjen e një prej tyre, Romanit IV Diogjenit, si perandor. Romani mblodhi një ushtri për tu përballur me atë që ai e shihte si një operacion ushtarak në shkallë të madhe. Ishte një shenjë e kohës që ushtria e tij përbëhej kryesisht nga mercenarë të huaj. Në gusht 1071, ajo u mund në Manzikert, pranë liqenit Van në Armeni. Romani u kap si i burgosur nga sulltani selxhur, Alp-Arsllani. Ai u lejua ta blinte lirinë e tij pasi firmosi një traktat, por kundërshtarët në Kostandinopojë refuzuan ta mbajnë si perandor dhe vendosën kandidatin e tyre, Mihalin VII. Romani u verbua tradhëtisht. Kësisoj, selxhukët ishin të justifikuar t’i vazhdonin plaçkitjet e tyret dhe madje u inkurajuan ta bëjnë këtë. Mihali VII e ftoi Alp-Arsllanin që ta ndihmonte kundër rivalëve të tij, Niqifor Brienit dhe Niqifor Botaniatit, pasi secili prej tyre ishte vetëshpallur perandor në Adrianopojë në 1077 dhe në Nike në 1078. Në ato 4 vite luftë civile nuk kishte asnjë ushtri që të mbronte frontin lindor. Në 1081, turqit kishin arritur në Nike. Zemra e fuqisë ushtarake dhe ekonomike të ushtrisë, të cilën arabët asnjëherë nuk e kishin zotëruar, ishte tashmë nën sundimin turk.

Armiqtë e rinj në perëndim ishin normanët, të cilët filluan pushtimin e Italisë së Jugut në fillim të shekullit të 11-të. Projekti i Bazilit II për ta rikuperuar Sicilinë nga arabët për pak sa nuk ishte realizuar në 1042 nga i vetmi gjeneral i madh në epokën pas-maqedonase, Gjergj Maniaku, i cili u rithirr nga Kostandini IX dhe u vra si pretendent për fronin. Më pas, normanët bënë avancime graduale në Itali. Të kryesuar nga Robert Giskardi, ata morën gjithçka që i dilte përpara; në prill 1071, Bari, fortesa e fundit bizantine, ra pas një rrethimi tre-vjeçar. Sundimi bizantin në Itali dhe shpresa e ripushtimit të Sicilisë morën fund.

Mural i shenjtëve Ciril dhe Metod, shekulli i 19-të, Manastiri Trojan, Bulgaria

Disfatat në Manzikert dhe Bari, në po atë vit 1071, në skajet e kundërta të perandorisë, ilustrojnë në mënyrë grafike rënien e fuqisë bizantine. Humbja përfundimtare e Italisë nënkuptonte edhe faktin e ndarjes përfundimtare mes lindjes greke dhe perëndimit latin, që tanimë nuk ishte thjesht një ndarje gjeografike dhe politike, por gjithmonë e më shumë një ndarje kulturore dhe kishtare. Në 1054 u deklarua një gjendje shizme mes kishave të Romës dhe Kostandinopojës. Konteksti politk i ngjarjes ishte pushtimi norman i Italisë, i cili në atë kohë ishte shqetësim po aq për papatin sa për Bizantin. Por ngjarja në vetvete, çkishërimi i patriarkut Mihal Kerulari nga Kardinali Humbert në Kostandinopojë, simbolizonte një ndryshim te papajtueshëm në ideologji. Lëvizja reformatore në kishën katolike e theksonte idealin e rolit universal të papatit, që ishte krejtësisht e papërputhshme me traditën bizantine. Gjithashtu, të dyja palët i acaruan ndryshimet mes tyre duke ringjallur të gjitha grindjet teologjike dhe rituale që ishin bërë thirrje për betejë gjatë shizmës fotiane në shekullin e 9-të. Shizma e 1054 nuk u vu re shumë nga historianët bashkëkohorë bizantinë; rëndësia e saj si pikë kthyese në marrëdhëniet lindje-perëndim u kuptua më vonë.

Aleksi I dhe kryqëzata e parë

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Por as ngjarjet e vitit 1071 nuk e kishin bërë të pakthyeshme situatën e Bizantit. Zvogëlimi I kufijve të saj e reduktoi perandorinë nga statusi I një fuqie botërore dominuese në atë të një shteti të vogël grek që luftonte për mbijetesë. Kjo mbijetesë tani varej nga forcat e reja politike, tregtare dhe të Perëndimit, sepse ajo nuk mundej më të përfitonte nga burimet e saj ekonomike dhe ushtarake në Anadoll. Aristokracia civile e Kostandinopojës u dorëzua pa dinjitet. Pas katër vjetësh lufte civile, lordët ushtarakë triumfuan me ngjitjen në front ë Aleksit I Komnenit, ushtari dhe shtetari më i madh në krye të perandorisë që prej Bazilit II. Historia e mbretërimit të tij është shkruajtur në një greqishte elegante nga vajza e tij Ana Komnena. Dhe kjo filloi, siç shënon ajo, me perandorinë të rrethuar me armiq nga të tëra anët. Normanët morën Durrësin në 1082 dhe planifikuan përparimin në Selanik. Aleksi thirri Venedikasit për ndihmë, por vdekja e Robert Giskardit në 1085 e lehtësoi pzrkohshmërisht problemin norman. Vitin e ardhshëm sulltani selxhuk vdiq dhe sulltanati u nda prej rivaliteteve të brendshme. Fati, pra, luajti rol pozitiv pzr Aleksin duke i eliminuar atij dy nga armiqtë që e rrethonin. Megjithatë, ai i mundi me aftësitë e veta Peçenegët në 1091.

  1. ^ Kazhdan & Epstein 1985, p. 1.
  2. ^ Kazhdan & Constable 1982, p. 12.
  3. ^ a b Kazhdan 1991, p. 344.
  4. ^ Ostrogorsky 1959, p. 21; Wells 1922, Chapter 33.
  5. ^ Moss 1966, p. 1-41.
  6. ^ Jones 1986.
  7. ^ Bury 1923, p. 1; Kuhoff 2002, pp. 177–178.
  8. ^ Baynes 1975.
  9. ^ Brown 1971.
  10. ^ Cameron 2009, pp. 54, 111, 153.
  11. ^ Alemany 2000, p. 207; Bayles 1976, pp. 176–177; Treadgold 1997, pp. 184, 193.
  12. ^ Cameron 2009, p. 52
  13. ^ Burns 1991, pp. 65, 76–77, 86–87
  14. ^ Lenski 1999, pp. 428–429.
  15. ^ Mango 2007, pp. 108–109, 115–125
  16. ^ Grierson 1999, p. 17.
  17. ^ Postan, Miller & Postan 1987, p. 140.
  18. ^ Meier 2003, p. 290.
  19. ^ Gregory 2010, p. 137
  20. ^ Sotinel 2005, p. 278; Treadgold 1997, p. 187.
  21. ^ Meier 2003, pp. 297–300.
  22. ^ Gregory 2010, p. 150.
  23. ^ Cameron 2009, pp. 113, 128.
  24. ^ Gregory 2010, p. 145.
  25. ^ Evans 2005, p. xxv.
  26. ^ a b Bury 1923, pp. 180–216; Evans 2005, pp. xxvi, 76.
  27. ^ Laiou & Morisson 2007, pp. 3, 45, 49–50, 231; Magdalino 2002, p. 532.
  28. ^ Bury 1923, pp. 236–258; Evans 2005, p. xxvi.
  29. ^ Bury 1920, "Preface", pp. v-vi
  30. ^ Greatrex 2005, p. 489; Greatrex & Lieu 2002, p. 113
  31. ^ Laiou 2002, p. 723; Laiou & Morisson 2007, p. 13.
  32. ^ Bury 1923, pp. 286–288; Evans 2005, p. 11.
  33. ^ Bury 1923, pp. 259–281; Evans 2005, p. 93.
  34. ^ Evans 2005, pp. 11, 56–62; Sarantis 2009, passim.
  35. ^ Neumann 2006, pp. 869–871.
  36. ^ Chrysos 1992, p. 35.