Shqiptarët në Afrikën e Jugut
Shqiptarët në Afrikën e Jugut janë një komunitet i vogël shqiptarësh me një histori jo edhe aq të gjatë.[1]
Historia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Rreth 150 vjet më parë 3 hollandëzë, 2 gjermanë dhe 1 portugez vendosën të lënë qytetin Cape në Afrikën e Jugut për t’iu kushtuar kërkimit të floririt në brendësi të vendit. Eksploratorë të kombësive të ndryshme kishin vënë re gjatë udhëtimeve të tyre se fise zezake dispononin zbukurime ari dhe kishin shumë të zhvilluar teknologjinë e përpunimit të tij. Që në atë kohë ky vend rreth 12 mijë kilometra të largët nga Shqipëria kishte një komunitet shqiptarësh, kryesisht pinjollë të familjeve të pasura.
Prania e shqiptarëve të vërtetë u shënjua më 1981 kur Leka Zogu së bashku me familjen e tij mbërriti në Johannesburg. Sipas mbretit ai gjeti aty vetëm një shqiptar nga Turqia që merrej me tregtinë e qilimave. Siç mendohet komuniteti u pasurua pas ndryshimeve të vitit 1990. Dy shqiptarët e parë post-komunistë ishin një familje me origjinë minoritare që kishin të afërmit e tyre aty.
Menjëherë pas tyre, po në vitin 1991 mbërritën edhe dy vëllezër nga Korça, Artur dhe Hektor Jaja. Që nga koha kur ishin emigrantë në Greqi ata kishin ëndërruar të shkonin në një vend të largët ekzotik dhe vetëm me 1 dollarë në xhep kishin ndërmarrë aventurën. Një vit pas tyre mbërriti në Johannesburg edhe një shok i tyre nga Elbasani, Gazmend Shabanaj. Komuniteti shqiptar në 1999 shënonte në Johannesburg jo më pak se 40 persona. 7 vite pas vendosjes atje, ata kishin krijuar një stabilitet financiar dhe pronat e tyre.
“Ne kemi pasur shumë vështirësi kur kemi ardhur këtu, kemi ardhur me 1 mijë dollarë. Ishim komunitet pa mbështetje për shkak të dokumenteve, por prap e ndjejmë veten të sigurte dhe shikojmë perspektivë këtu. Kemi bizneset tona”, tha Arturi një prej shqiptarëve që jeton në Afrikën e Jugut dhe që është ndër të parët e zhvendosur atje bashkë me vëllain e tij.
Shqiptarët atje tregojnë se kanë shkuar me ëndrrën se do të ndihmoheshin nga Leka I, mbreti i shqiptarëve. Më pas kontaktet e tyre me të kanë qenë thuajse inexistente. Leka ka refuzuar t’i presë ata për një kohë të gjatë dhe më pas ata nuk kanë shpresuar më tek ai. Pas ngjarjeve të shkurtit të vitit 1999 kur Leka Zogu u ndalu nga autoritetet lokale komuniteti shqiptar i është gjendur pranë dhe në prill të atij viti është realizuar edhe takimi i parë me Zogun. Marrëdhëniet mes tyre u çliruan dhe të dyja palët krijuan marrëdhënie shumë të mira me njëra-tjetrën.[1]