Jump to content

Plava (Sharr)

Checked
Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Pllava (Sharr))
Plavë
Fshat

Pllavë është një vendbanim në komunën e Sharrit, Kosovë.

Banorët e parë të fshatit Plavë (Pllavë) (por edhe të Opojës) besohet të jenë familjet Piraj dhe Tërshnjaku (apo Kreshnajku, formë e të shqiptuarit në viset e sotme, që gjenden në territorin e dikurshëm të krahinës së Epirit). Në familjen Piraj hyjnë edhe familja Lekaj dhe familja Tahiri, të cilat mbiemrin e modifikuan më vonë. Familjet tjera si ajo që është e mëhershmja familja Hulaj (Huçaj), pastaj vijnë familjet Cenaj, Bojaxhiu (Sadikaj), etj.

E dhëna që familjet Piraj dhe Tërshnjaku janë më të vjetrat në këto hapësira mund të vërtetohet nga pozita e shtëpive në fshat, varrezave dhe nga pozita e pronave të patundshme të tyre, pra e arave dhe livadheve të këtij fshati. Shtëpitë e familjes Tërshnjaku gjendeshin deri vonë mu në qendër të fshatit e gjithashtu pronat e tyre të patundshme gjendeshin në pozitat më të favorshme dhe gjithashtu në qendër të fshatit. Varri më i vjetër i fshatit ai i Mahmud Piraj gjendet në "Tyrben afër Xhamisë" pra te "Guri i Xhamisë" brenda fshatit dhe daton nga viti 1701.


Fshati Plavë (Pllavë) besohet të jetë fshati më i vjetër në Opojë. Këtë e dëshmon monumenti që gjendet në qendër të fshatit që njihet si "Minarja e Xhamisë së Plavës". Sipas analizave të vjetërsisë së materialit ndërtues të minares nga ana e Institutit Albanologjik (dega Arkeologji), dëshmohet se vjetërsia e saj është midis 500 dhe 550 vitesh. Kjo e dhënë shkencore, nga instituti në fjalë, natyrisht se vendos shumë pikëpyetje për kohën e përhapjes së Islamit në këto treva, madje edhe ndër shqiptarë në përgjithësi. Minare të tilla të vjetra gjenden edhe në fshatin Restelicë dhe fshatin Zgatar, por ato datojnë nga kohërat e mëvonshme.

Është fakt se familja Tërshnjaku (Kreshnajku e modifikuar më vonë në Tërshnjaku e më së voni edhe në Trinjaku, vlen të ceket se ka mendime alternative në lidhje me mbiemrin Tërshnjaku, p.sh. thuhet se rrjedh nga emri Tërshërë, por kjo nuk ka bazë të mjaftueshme etimologjike dhe historike) janë vendëse duke pasur parasysh se familja Piraj mbiemrin e trashëgoi nga Pirro sunduesi i Krahinës së Epirit nga territori i së cilës krahinë besohet të kenë ardhur këto dy familje që edhe e themelojnë fshatin Pllavë. Bashkëdyzimi i mbiemrave të këtyre familjeve Piraj dhe Kreshnajku do të mbante të gjallë kujtimin për prejardhjen nga Epiri, ku sundonte mbreti i Epirit, gjenerali Pirro.

Shikimi i hartave që datojnë nga sundimi Osman dëshmon ekzistencën e fshatit Pllavë që nga ato kohëra, ndërsa kufijtë e shtrirjes së këtij fshati shënohen deri në kufijtë mbi fshatrat e sotëm Zapluzhë dhe Bresanë. Gati e tërë krahina e Opojës ishte brendapërbrenda kufijve të këtij fshati. Territori i fundit që ky fshat e dhuroi është territori i "Malit të Plavës" të cilin ky fshat (sipas një gojëdhëne) “për një qyp me mjaltë” ia dhuroi fshatit Buçe.


Në kohën e sotme (2020) ky fshat kufizohet me fshatrat Buçe, Brezne, Brrut, Zym, Rrenc, Shajne dhe Krahinën e Gorës.


Lidhje të jashtme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]