Lufta e Dytë Botërore
Lufta e Dytë Botërore | |||||||
---|---|---|---|---|---|---|---|
| |||||||
| |||||||
Pjesëmarrësit | |||||||
Aleatët | Fuqitë e Boshtit | ||||||
Komandantët dhe udhëheqësit | |||||||
Udhëheqësit kryesor i Aleatëve: | Udhëheqësit kryesor të Fuqisë së Boshtit: | ||||||
Viktimat dhe humbjet | |||||||
|
|
Lufta e Dytë Botërore ishte konflikti i armatosur midis Aleatëve dhe Boshtit Nazist, i përbërë nga Italia, Gjermania dhe Japonia nga viti 1939 deri në vitin 1945.
Marrëveshja e Versajës në Paris, ngarkoi Gjermaninë me të gjitha fajet e luftës. Sanksionet që iu vendosën ishin të rënda, por Gjermania do të firmoste këtë marrëveshje. Inflacioni, shkëputja e territoreve, kushtet e këqija të jetesës, si edhe shumë arsye të tjera do shkaktonin fillimin e asaj që u quajt Lufta e Dytë Botërore.
Tensioni i madh dhe çështjet e pa përfunduara të Luftës së Parë Botërore, do bënin që vetëm pas 20 vjetësh të fillonte Lufta e Dytë Botërore.
Përmbledhje
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Origjina e Luftës
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Pas Luftës së Parë Botërore e quajtur ndryshe edhe Lufta e Madhe, Konferenca e Parisit (disa e njohin edhe me emrin Traktati i Versajës) shënoi një hap të madh në negociatat e paqes. Në këtë konferencë merrnin pjesë vendet fitimtare në luftë si Anglia, Franca e të tjerë. Ndërmjet tyre edhe SHBA e përfaqësuar nga presidenti Wilson. Bisedimet vendosën kushte të rënda mbi palët humbëse. Gjermania ishte një nga vendet që u dëmtua më shumë, por Austria në të vërtetë pati humbjet më të mëdha si në njerëz, ashtu edhe në territore.
Embargo që iu vendos Gjermanisë ishte me të vërtetë e rëndë. Gjermania u limitua në një ushtri defensive me 100.000 ushtarë si edhe nuk i'u lejua të prodhonte tanke, aeroplan, anije dhe nëndetëse. Kjo gjendje e rënduar dhe varfëria do të bënte më vonë të mundur hipjen në pushtet të forcave naziste në krye me Hitlerin.
Megjithatë kjo konferencë nuk pati suksesin e pritur. Presidenti i SHBA-së Wilson, u dërgua mbrapsht me të gjithë revoltimin e tij. Loyd George doli në pah me idenë se SHBA nuk kishte më vend aty dhe se Evropa i përkiste evropianëve, një mendim ky që ishte shprehur më parë nga vetë amerikanët në Doktrinën e Monrosë. Dokumenti i Wilsonit, i përbërë nga 14 pika, u pa si një cenim për Evropën. Pika e 12-të e këtij dokumenti kishte në përmbajtje material me rëndësi edhe për Shqipërinë dhe vendet e vogla të tjera, që sipas tij, duhet të merrnin pavarësinë ose të paktën autonominë (pra ishte një pikë që mbronte të drejtat e shteteve të vogla për të formuar shtetin e tyre). Me rëndësi është të përmendim edhe një tjetër synim të kësaj pike që ka lidhje me Perandorinë Osmane. Nga Perandoria Osmane kërkohej hapja e gjireve dhe ngushticave (pas Luftës së Dardaneleve) për të gjithë, nën vëzhgimin e Kombeve të Bashkuara (që do të ishte organizata ndërkombëtare që Wilsoni kërkonte formimin). Në pikën e 14, ai kërkonte formimin e një organizate ndërkombëtare që të mund të zgjidhte dhe njëkohësisht të parandalonte luftërat dhe konfliktet midis dy ose më shumë shteteve. Në këtë konferencë ai shprehet se dëshiron vetëm paqen dhe i jep një rëndësi të madhe formimit të kësaj organizate ndërkombëtare edhe pse pa rezultat.
Pas Luftës së Parë Botërore, shtetet arabe kishin parë mundësinë për të qenë të pavarur dhe për të formuar më në fund, shtetet arabe të pavarura. Megjithatë kjo gjë nuk do lejohej nga vendet evropiane sepse ato toka ishin të pasura me naftë, që mbas Luftës së Parë Botërore u pa si një lëndë shumë me vlerë. Marrëveshja e San Remos, do të ishte thjeshtë një modifikim i Marrëveshjes së Syces-Picot, e bërë pa dijeninë e SHBA-së duke mohuar marrëveshjen e bërë më parë të King-Crane. Me anë të kësaj marrëveshje, Francës i jepej Siria dhe Lubjana, problemet e kësaj të fundit vazhdojnë edhe sot e kësaj dite.
Konfliktet megjithatë nuk kishin të sosur dhe situata ishte dramatike gjithashtu. Ndërkohë Rusia, që ishte tërhequr nga lufta dhe pas hipjes së bolshevikëve në fuçi, kishte hapur të gjitha marrëveshjet e fshehta të regjimit të carit. Franca kërkonte shfuqizimin e plotë të Gjermanisë, ndërsa Anglia nuk donte kurrsesi që në Evropë të formohej vetëm një shtet i fortë. Ideja e Wilsonit ishte hedhur poshtë tashmë. Perandoria Osmane gjithashtu ishte në prag të trazirave. Duke pasur dijeni të të gjithë këtij tensioni, Konferenca e Vienës, nuk bëri asgjë tjetër, përveç se përgatiti terrenin e fillimit të Luftës së Dytë Botërore.
Evropa
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Më 1 shtator të vitit 1939, Gjermania e udhëhequr nga pushteti nazist me Adolf Hitlerin në krye pushton Poloninë. Kjo ishte bërë e mundur me anë të një kontrate të fshehur me Bashkimin Sovjetik. Të dyja palët morën pjesë në sulmin e 17 shtatorit. Deklarata e vonuar e Francës dhe Anglisë kundër Gjermanisë, do të shpallej vetëm më 3 shtator të po atij viti. Me këtë deklaratë, flota angleze dhe franceze filluan manovrimin e gjerë në ujërat territoriale të Evropës. Në këto kushte, me anë të Sulmit Blitzz Creig (Sulm rrufe), Gjermania pushton dhe shtie në dorë shpejt Poloninë, Norvegjinë, Holandën, Belgjikën dhe Francën në 1940. Në 1941 do të merrte edhe Jugosllavinë, Greqinë si dhe Shqipërinë. Trupat italiane, në aleancë me boshtin nazist, do të sulmonin trupat britanike në Afrikën e Veriut. Deri në verë të 1941, Gjermania kishte arritur të shtinte në dorë të tërë Francën dhe pjesën më të madhe të Evropës. Britania e Bashkuar, tashmë qëndronte vetëm pa aleatë me sy nga ShBA-të, megjithatë pushtimi i saj u bë i pamundur për shkak të forcave ajrore (Royal Air Force) dhe detare (Royal Navy).
Duke e parë Britaninë si një armik të pashpresë dhe të dobët, Hitleri kthehet nga Bashkimi Sovjetik, me një sulm të befasishëm më 22 qershor 1941, duke prishur kështu marrëveshjen e mossulmimit që kishte bërë me të. Në fundin e vitit 1941, Gjermania kishte pushtuar një pjesë të konsiderueshme të Bashkimit Sovjetik, por hapi i tyre do të ndalej jashtë Moskës, në betejën e Stalingradit. Gjatë betejave të përgjakshme në Stalingrad, që për më tepër dukej si një luftë personale midis Hitlerit dhe Stalinit, rrethimi dhe kapja e Garnizonit të Gjashtë të trupave gjermane, e bëri Gjermaninë të mendonte se nuk do të ishte një nismë e lehtë marrja e Rusisë. Sulmi rrufe i Gjermanisë naziste, dukej sikur nuk kishte dobi në tokat e mbuluara me borë dhe të pa fundme të Rusisë. Beteja e Stalingradit u zhvillua në vitet 1942–1943 ku boshti nazist pati humbje të mëdha. Humbja tjetër në Betejën e Kursk dhe thyerja e Syrgjynosjes së Leningradit do t’i jepte luftës një pamje tjetër tashmë. Ushtria e kuqe duket e papërmbajtshme dhe tashmë nga një mbrojtje e fortë, kalon në ofensivë të përgjithshme, duke gjëmuar Wehrmacht deri në Berlin. Në Betejën e Berlinit, Ushtria e Kuqe merr lagjet e këtij qyteti një nga një, deri sa më 30 prill 1945, Hitleri kryen vetëvrasje në bunkerin ku strehohej, duke mos parë rrugë shpëtimi.
Ndërkohë, Italia fashiste me Benito Mussolinin në krye kapitulloi në 1943. Tashmë ajo kishte dalë kundra ish-aleates së saj Gjermanisë që vazhdonte luftën. Trupat e aleatëve u futën në Itali dhe më pas në 1944, ata do të lironin edhe Francën. Më pas, me rënien e Gjermanisë, aleatët dhe Sovjetikët do të takoheshin në qendrën e Gjermanisë, Berlin. Kjo vetëm pas Betejës së Bulge (Battle of the Bulge) në dhjetor.
Gjatë kësaj lufte, është për t’u përmendur holokausti që iu bë me miliona (6 milion mendohet) hebrenjve. Në këtë gjenocid gjithashtu u eksterminuan edhe persona me origjinë rome.
Azia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Japonia pushtoi Kinën në 7 korrik 1937 dhe planet e saj ishin të shtrinte pushtetin e saj në të gjithë Azinë si lindore ashtu edhe jugore. Më 7 dhjetor 1941, Japonia do të ndërmerrte një sërë sulmesh surprizë ndaj shumë vendeve duke përfshirë këtu edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Pearl Harbor, Hawai, një gjë që bëri të pashmangshme futjen e ShBA-së në luftë.
Për gjashtë muaj rresht, Japonia kishte korrur vetëm fitore të bujshme, Beteja në Detin Koral (Battle of the Coral Sea) do të merrte pjesë, për t’u ndjekur më pas me Betejën e Midway (Battle of Midway), ku Japonia pati humbje të mëdha, ndër këto 4 avionmbajtëse. Duke ndaluar hapin e japonezëve, ishte radha e aleatëve të hidheshin në ofensivë tashmë. Kjo ofensivë u vërtetua me Betejën e Gjirit të Milne-s (Battle of Milne Bay) dhe Beteja e Guadalcanal (Battle of Guadalcanal), territore këto të pjesës jugperëndimore të Paqësorit.
Duke pasur dy fronte në këto zona, aleatët e panë të nevojshme hapjen e një fronti edhe në pjesën qendrore të Paqësorit. Aleatët korrën sukses në këto beteja ku për t’u përmendur është Beteja në detin e Filipineve (Battle of the Philippine Sea) dhe Beteja e Leyte Gulf (Battle of Leyte Gulf) në 1944. Gjithashtu pushtimi i ishujve, që ishte njëkohësisht edhe pikë kyçe për aleatët, ishin Iwo Jima dhe Okinawa në 1945. Gjatë këtyre betejave të shumta, një rol të madh luajtën edhe nëndetëset, të cilat prenë linjën e furnizimit të Japonisë me naftë dhe shumë materiale të tjera të nevojshme për luftën.
Në vitet e fundit të luftës, aleatët ndërmorën një fushatë masive bombardimi mbi Japoni. Më 6 gusht 1945, ShBA hodhi më në fund bombën atomike në qytetin e Japonisë Hiroshima. Vetëm tre ditë më vonë, në 9 gusht 1945, një tjetër do të hidhej në Nagasaki, duke detyruar më në fund, perandorin Hirohito të shpallte kapitullimin më 15 gusht 1945.
Lufta kishte mbaruar.
Shkaqet dhe Pasojat
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Shkaqet në Evropë
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Ashtu si edhe Lufta e Parë Botërore, shkaqet dhe arsyet e Luftës së Dytë Botërore janë rritja e nacionalizmit dhe militarizmit. Arsye të tjera ishin edhe mos vendosja e saktë e kufijve. Më 1929 kur situata ishte akoma e tensionuar, në Gjermani dhe Itali, filluan të ngriheshin dhe të fuqizoheshin lëvizjet fashiste. Depresioni i Madh i viteve 1930 i kishte ulur moralin popullsisë gjermane, e cila për më tepër vuante edhe borxhin prej 65 miliard markave që i ishte imponuar për dëmet e shkaktuara në luftën e parë dhe kur ShBA vendosi që të ndalte kredinë e saj, situata u rëndua më shumë me Francën, që kur pa që Gjermania nuk mundi të paguante as këstin e parë dhe të dytë të borxhit, pretendoi territore nga shteti Gjerman.
Me të vërtetë Gjermania kishte firmosur Traktatin e Versajës, por ajo nuk e kishte pëlqyer kurrë këtë gjë, sidomos artikullin 231 që thoshte me pak fjalë që Gjermania pranonte të merrte për sipër të gjitha shpenzimet dhe humbjet e aleatëve, që ajo i kishte shkaktuar atyre kur forcat aleate përpiqeshin të mbroheshin. Besimi i përgjithshëm i popullit në Dolchstosslegende (një besim mitologjik i hershëm që në shqip do të thotë “thikë në shpinë”), si edhe Depresioni i Madh, solli në pushtet Partinë Socialiste Punëtore Gjermane (partia Naziste) me Adolf Hitlerin në krye.
Kur marrëveshja e Versajës po humbte vlerën e saj, shteti Anglez dhe Francez kanë një meritë në këtë mes. Franca lidhi me të vërtetë kontratë me Anglinë dhe Italinë, por të dy këta dolën nga fjala. Formimi i “Stresa”, ishte formimi i fronteve nga ana e Italisë dhe Anglisë kundra Gjermanisë, por Anglia nuk iu përmbajt kësaj marrëveshjeje. Në atë kohë në pushtet ishte Chamberlein. Ky i fundit, paraardhës i Çërçillit, ndjente simpati për partinë e re në Gjermani. Ai mendonte se ata kishin vepruar shumë rëndë mbi Gjermaninë. Gjithashtu frika e një France të gjithëpushtetshme në Evropë, ishte një arsye tjetër që këto dy vende nuk do vendosnin një marrëdhënie stabile midis njëri tjetrit. Italia do vepronte me të njëjtën mënyrë duke e lënë Francën vetëm dhe fronti “Stresa” tashmë përfshinte vetëm mbrojtjen e dobët franceze, të ndërtuar sipas stilit të Luftës së Parë Botërore, që nuk i bëri dot ballë teknologjisë së re gjermane.
Pakti Molotov-Ribbentrop midis gjermanëve dhe sovjetikëve, bëri që Gjermania të merrte e qetë Poloninë. Shtetet e bashkuara nuk arritën të vendosnin një lidhje të fortë me njëra tjetrën, duke i lënë Hitlerit kohë të fuqizohej. Më në fund Lufta e Dytë Botërore kishte filluar dhe tashmë nuk do të kishte më mundësi për negociata paqeje.
Shkaqet në Azi
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Politika e Japonisë imperialiste në 1930, ishte sunduar nga militarist. Ushtarakët që ishin në krye të hierarkisë së shoqërisë japoneze, dëshironin të realizonin ëndrrën e tyre për ta bërë Japoninë një vend me fuqi botërore. Këto ide dhe të tjera shkaqe ishin përfshirja e Japonisë në luftë. Në vitin 1931, Japonia pushtoi Mançurian dhe Kinën në vitin 1937. Kina ishte një vend i pasur me burime natyrore si edhe një vend i mirë për të zgjeruar dhe fortifikuar pozitën ushtarake në Azi. Si Sh. B. A, ashtu edhe Anglia (kjo e fundit kishte interesat e veta në Kinë), reaguan duke dërguar ndihma ushtarake në Kinë, si instruktorë dhe avionë luftimi, të cilët u dërguan në Kuomintang. Një tjetër reagim ishte edhe embargo e materialeve të nevojshme lufte kundrejt Japonisë. Në se Japonia nuk do furnizohej së shpejti me këto materiale që i’u ndaluan, asaj padyshim që nuk do i mbeste gjë tjetër veç se tërheqja ose gjetja e burimeve të tjera që ishin të rëndësishme për ekonominë e saj. Pra zgjidhjet ishin të thjeshta, tërheqja, pushtimi i territoreve ku ndodheshin burimet si nafta e materiale të tjera ose marrja e këtyre burimeve nga Dutch East Indies (kompani Holandeze në Indonezi e formuar në shek. XIX), Malajzia dhe Filipinet. Duke besuar se vendet evropiane do të ishin shumë të zëna me njëra tjetrën dhe duke menduar se ShBA-ve do t’i duhej shumë vite para se të mund të organizohej në luftë (dhe edhe në se organizohej do i duhej shumë kohë në negociata), Japonia zgjodhi rrugën e pushtimit dhe kështu do të fillonte plani për pushtimin e Azisë.
Si rrjedhojë Lufta Aziatike do të fillonte dhe Paqësori do të lyhej me gjak. Megjithatë, shkaku më i fortë që detyroi Amerikën të futej në luftë, ishte sulmi i pabesë në Pearl Harbor, në Singapor dhe në Filipine në 7-8 dhjetor të vitit 1941. Kjo i dha shumë shpresë Gjermanisë, që kur pa se ShBA do të ishte shumë e zënë me fushatën në Paqësor, i shpalli luftë asaj në 12 dhjetor 1941. Por ShBA do të kishte më shumë burime se sa mendonte Hitleri.
Pasojat
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Në se ka një dhimbje në këtë botë, ajo shtrihet gjerë në zemrën njerëzore.
Pasojat e Luftës së dytë Botërore ishin të shumta. Rreth 62 milion njerëz, që është ekuivalentja e 2.5% e popullsisë së planetit, humbën jetën. Lufta përfundoi me kapitullimin dhe pushtimin e Gjermanisë, humbjen e Japonisë dhe Koresë si edhe me dorëzimin e territoreve të Finlandës që ishin në dorë të Sovjetikëve. Globi tashmë do përballej me një ekonomi të shkatërruar, si të Evropës ashtu edhe të Azisë. Ushqimi i shfrytëzuar nga të dyja palët armike nuk do të ishte i mjaftueshëm për të gjithë popullsinë. Shumë persona që luftuan u zhgënjyen nga lufta duke humbur shpresën për një jetë më të mirë (është për t’u theksuar numri i madh i vetëvrasjeve në periudhën pas luftës e shkaktuar nga depresioni).
Përfundimi i Luftës së Dytë Botërore nuk shihej si ëndrra që më në fund të gjitha luftërat do të përfundonin, por duke ditur këtë vende të ndryshme do të merrnin masa. Aleatët do të formonin OKB-në (Kombet e Bashkuara) të udhëhequr nga ShBA në vitin 1945, kjo lidhje do t’u formonte në San Francisko, Kaliforni, me shpresën që konfliktet në të ardhmen nuk do të shkonin deri aty ku kishin shkuar deri tani.
Perandoritë që kishin ekzistuar deri atëherë si Perandoria e Holandës, Perandoria e Francës dhe Perandoria e Britanisë, nuk do të ekzistonin më. Aleanca të reja do të krijoheshin në shumë territore të ndryshme si në Azi dhe Afrikë. Filipinet kërkonin akoma pavarësinë e tyre të plotë duke i kujtuar ShBA-së fjalën e dhënë për pavarësi dhe në 1946 do e fitonin një gjë të tillë. Për Gjermaninë dhe Poloninë do të hartoheshin territore të reja. Gjermania e ndarë në katër zona të ndryshme do të vuante më shumë dënimin e pasluftës. Nga katër zonat që ajo u nda, tre pjesë ishin në dorë të aleatëve që vendosën edhe një sistem demokratik konstitucional. Pjesa tjetër e mbetur, ishte në dorë të Bashkimit Sovjetik. Ky i fundit shtiu nën kontroll edhe shumë vende të tjera të Evropës lindore. Frontet ishin të dukshëm tani. Në njërën anë qëndronin aleatët me ShBA në krye dhe në tjetrën anë qëndronte Bashkimi Sovjetik me shtetet satelite të tij. Furnizimi i Evropës me bombën atomike, do të rriste akoma më shumë tensionin dhe kjo do të shënonte fillimin e Luftës së Ftohtë.
Në Azi, dhe pikërisht në Japoni, Perandoria imperialiste Japoneze u shfuqizua nga gjenerali Amerikan në fuqi Douglas McArthur (Daglas Mek Artur), për t’u zëvendësuar me një Monarki Konstitucionale, ku Perandori Hiroito do të ishte akoma në krye. Ndryshe nga Wilhelmi II, që dha dorëheqjen dhe mori fajin për sipër kur Gjermania humbi në Luftën e Parë Botërore, Perandori japonez, nuk e bëri një gjë të tillë dhe trashëgimi e tij vazhdon edhe sot e kësaj dite.
Me kapitullimin e Japonisë, Koreja do të merrte pavarësinë. Koreja ishte e ndarë në dy pjesë atë kohë. Njëra pjesë (Koreja Veriore) kishte ndihmën dhe mbështetjen e Sovjetikëve, ndërsa pjesa tjetër (Koreja Jugore) kishte mbështetjen e trupave amerikane. Ndërkohë në Kinë, lufta civile nuk zgjati shumë deri sa Partia Popullore e Kinës hipi më në fund në pushtet në 1949. Anëtarët e Partisë Nacionaliste Kineze tërhiqen në Tajvan.
Lufta e Dytë Botërore pati një zhvillim të pashmangshëm të teknologjisë. Radari kishte qenë një mjet vendimtar në shkatërrimin e nëndetëseve gjermane. Aeroplanët, anijet, punimet plastike, zhvillimi i lëndëve plasëse, helikopterët, teknologjia e raketave, si edhe energjia nukleare, do të zhvilloheshin me hapa të shpejta nga të dyja palët gjatë Luftës së Ftohtë. Ilaçe të shumta do të përmirësoheshin dhe të tjera do zbuloheshin. Penicilina dhe antibiotikët gjithashtu do kishin një përmirësim rrënjësor në këtë kohë. Por për momentin nuk mund të mendohej një përdorim i publik i përgjithshëm i tyre, por më vonë përdorimi publik i shumicës së mjeteve do të bëhej i mundshëm.
Lëvizjet e Para
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Idealet e Gjermanisë
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Qëllimi kryesor i Gjermanisë në atë kohë ishte rifitimi i territoreve Gjermane, të humbura me firmosjen e Traktatit të Versajës. Një qëllim tjetër ishte shtimi i territoreve të minoriteteve gjermani në Austri me idenë për të formuar Gjermaninë e Madhe (ide kjo edhe e partisë fashiste e shfaqur në Itali, ku me termin “Perandoria Romake”, pretendonte të merrte ato territore që kjo perandori kishte përfshirë në të në lashtësi, por kuptohet kjo ishte vetëm një thirrje propagandistike). Politika e jashtme gjermane kishte lidhje me tokat e shkëputura nga Austria si edhe me pjesën gjuhë folëse gjermane në territoret e Polonisë dhe Çekosllovakisë të humbura gjithashtu si pasojë e Traktatit të Versajës. Bisedimet dhe negociatat e Hitlerit me Çamberlein (Chamberlein), kishin si justifikim pikërisht këto motive, që lejonin në një farë mënyre Gjermaninë të kërkonte këto territore.
Hitleri i paraqiti raporte të shumta Neville Çamberlainit, ku tregoheshin dhunimi dhe keqtrajtimi që i bëhej minoriteteve gjermane në ato territore. Kur Gjermania naziste, mori këto territore nga Polonia dhe Çekosllovakia, ai u prit ngrohtë nga gjermanët aty. Por ky entuziazëm nuk do të rezultonte si një gjë pozitive më vonë. Me fundin e luftës, këta minoritete, u zhvendosën me forcë nga aty ku ishin. Duke i mbetur vetëm një vend për të shkuar, ata do t’i drejtoheshin Gjermanisë.
Një arsye tjetër e fortë është edhe kushtet e vështira të vendosura në Konferencën e Parisit. Hitleri e bindi popullin se vetëm partia naziste do mund ta lironte Gjermaninë nga ai pakt. Shumë shpejt, shërbimi ushtarak i detyrueshëm do të rivendosej edhe pse ai ishte ndaluar nga traktati i lartë përmendur. Sipas Hitlerit, traktati po i hiqte Gjermanisë dhe gjermanëve të drejtën për të funksionuar si një shtet i vërtetë.
Këto dhe lojëra të tjera propagandistike, do të përdoreshin më vonë nga partia naziste për të arritur qëllimin e saj të vërtetë të luftës. Gjithashtu vetëm kështu partia naziste e Hitlerit mund të kryente diskriminime shoqërore dhe ideologjike, duke bërë që një pjesë e mirë e intelektualëve dhe kundërshtarësh politik, të largoheshin për të gjetur strehë diku tjetër. Me këto ide, diskriminimi ndaj hebrenjve kishte filluar, duke marrur prej tyre një pjesë të mirë të pasurisë dhe duke i zëvendësuar ata nga vendet e larta të punës me punonjës gjerman, që sipas të njëjtës propagandë, ishin racë ariane (raca më e pastër në botë).
Lëvizjet dhe Aleancat para luftës
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Në fillimet e luftës, Britania dhe Franca ndoqën një politikë mos veprimi ndaj Gjermanisë duke dashur të ruanin paqen në Evropë. Ka mendime se kjo politikë u ndoq pasi këto dy fuqi të mëdha dyshonin në se popujt e tyre do të kishin dëshirën të luftonin një luftë tjetër madhore në kaq pak kohë.
Me Marrëveshjen e Mynihut (Munich Agreement) në vitin 1938, u kuptua qartë që tashmë lufta ishte e pashmangshme, pasi pikërisht Britania e Madhe dhe Franca, dhanë leje pushtimit të atyre tokave Çekosllovake, ku sipas Hitlerit jetonin popullsi gjermano-folëse. Çamberlain deklaroi se ky ishte një pakt që do të shënonte paqen në Evropë. Por në të vërtetë, Gjermania pas pushtimit të “tokave që i përkisnin”, në mars të 1939, do të pushtonte të gjithë Çekosllovakinë. Në më pak se një vit nga pushtimi i Çekosllovakisë, Britania e Madhe dhe Franca, do t’i deklaronin luftë Gjermanisë.
Me pushtimin e Çekosllovakisë u pa qartë dështimi i Marrëveshjes së Munihut. Gjithashtu Britania e Madhe dhe Franca arritën në përfundimin se Hitlerit nuk i zihej besë dhe se ai kërkonte të shtrinte pushtetin në të gjithë Evropën, një gjë kjo që ata nuk mund ta toleronin. Polonia dhe Franca do të binin dakord të ndihmonin njëra tjetrën më 19 maj 1939, në rast sulmimi nga pala Gjermane. Britania e Madhe do të ofronte ndihmën e saj ndaj Polonisë me të njëjtin qëllim si Franca në Mars. Më 23 gusht 1939, pakti Gjermano-Rus i Molotov-Ribbentrop do të firmosej nga të dyja palët. Ky pakt ishte i fshehtë dhe kishte si synim kryesisht formimin e një protokolli për të realizuar ndarjen e Evropës qendrore, ndërmjet Nazistëve dhe Sovjetikëve. Kjo ndarje do të bëhej sipas planeve të interesave dypalëshe dhe gjithashtu i premtonte Bashkimit Sovjetik një pjesë të Polonisë. Të dy palët arritën në një marrëveshje që lejonte si Gjermaninë dhe Rusinë të “bridhnin” të qeta dhe të mund të kryenin veprime ushtarake në tokat e njëri-tjetrit. Duke kujtuar Luftën e Parë Botërore ku Anglia i kishte bllokuar shumë gjëra asaj duke bërë që Gjermania të vuante urinë, Gjermania dëshironte një kontratë me Bashkimin Sovjetik, ku ky i fundit zotohej të shiste ushqimet, naftën dhe produkte të tjera Gjermanisë.
Gjermania tashmë nuk frikësohej dhe ishte gati t’i shpallte luftë Britanisë së Madhe, Polonisë dhe Francës. Hitleri në fillim qartësoi se ai donte thjeshtë të shtinte në dorë Qytetin e Danzing (do ishte më e saktë të thuash Qytet-Shtet) dhe Korridorin e Polonisë, por qëllimet e pushtimit të plotë të Polonisë ishin të qarta. Marrëveshja midis Britanisë së Madhe dhe Polonisë në 25 gusht, nuk do të ndryshonte planet e Hitlerit.
Periudha dhe Ngjarje të luftës
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Evropa si Fushë-Betejë
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Pushtimi i Polonisë
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Më 1 shtator 1939, Gjermania pushton Poloninë. Me pretekstin e rremë se Polonia “sulmoi” një pikë Gjermane në kufi, Hitleri do të hidhej në sulm kundra saj duke e pushtuar. Më 3 shtator të po atij viti, si Britania e Madhe ashtu edhe Franca, do të shpallnin luftë ndaj Gjermanisë. Shumë shpejt edhe Australia, Kanadaja dhe Zelanda e Re do t’i shpallnin luftë asaj gjithashtu. Francezët do të organizoheshin shumë ngadalë. Pas ofensivës në Saar, ata shumë shpejt do të hiqnin dorë dhe do të tërhiqeshin. Ndërsa Britania, e kujtuar pak vonë, nuk mundi të bënte asgjë për të ndihmuar Poloninë që ndodhej nën sulm tashmë. Në 8 shtator, Gjermania Naziste do të arrinte në Varshavë (kryeqyteti i Polonisë), pas thyerjes së bujshme të mbrojtjes së dobët Polake.
Më 17 shtator 1939, Bashkimi Sovjetik sulmon nga lindja dhe pushton atë pjesë të Polonisë që i ishte premtuar nga marrëveshja e fshehtë me Gjermaninë. Një ditë pas kësaj ngjarjeje, si presidenti dhe kryetari i përgjithshëm i trupave të armatosur polake, do t’ia mbathini në Rumani. Më 1 tetor, pas një muaj sulmesh mbi Varshavën, forcat armike do të shtinin në dorë qytetin. Batalioni i fundit i trupave polake, do të dorëzohej më 6 tetor, edhe pse zyrtarisht, Polonia nuk iu dorëzua kurrë Gjermanisë. Trupat polake të mbetura, u tërhoqën në vendet fqinje duke shpëtuar për momentin. Këto trupa do të luftonin më vonë në Fushatën e shtatorit dhe do të jepnin një ndihmë të madhe ndaj forcave aleate për fitimin e Luftës së Dytë Botërore.
Lufta rrufe
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Pas rënies së Polonisë, Gjermania e ndaloi hapin e saj për t’u rigrupuar gjatë dimrit të viteve 1939 dhe 1940 deri në prillin e 1940-ës. Gjatë kësaj kohe Franca dhe Britania e Madhe kishin qëndruar në gjendje mbrojtjeje. Pushtimet e mëvonshme do të zhvilloheshin shumë shpejt nga ana e gjermanëve me anë të sulmit të quajtur “Blitzkrieg” (e cilësuar si “the Phony War" – "Lufta e rremë", nga mediat e Britanisë së Madhe sepse terreni i përdorur ishte shumë pak ndërsa luftimet ishin shumë të shpejta). Në shqip komentohet Blitzkrieg ose "Luftë-rrufe" por njihet gjithashtu edhe si BlitzKrieg (në të vërtetë kjo gjë është deri diku e gabuar sepse ky term i përket gjuhës gjermane duke bërë që ndonjëherë të dalin keqkuptime).
Beteja për Atlantikun
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Ndërkohë në pjesën veriore të Oqeanit Atlantik, anijet luftarake gjermane dhe anijet e vogla të luftimit si edhe nëndetëset (këto të fundit të emëruara nga britanikët U-boats. Shiko figurën për detaje), do të dëmtonin rëndë Flotën e Aleatëve. Nëndetëset me sa duket ishin shumë efektive në Betejat e Atlantikut. Një e tillë do të sulmonte dhe përmbyste anijen transportuese të britanikëve HMS Courageous, ndërsa një tjetër do të fundoste luftanijen HMS Royal Oak, kur kjo e fundit qëndronte e qetë e ankoruar në portin e Scapa Flow (territor në Skoci që shërbeu si bazë detare në dyja luftërat botërore). Në katër muajt e parë të luftës, këto anije do të fundosnin të paktën 110 mjete lundruese, duke u kthyer në tmerrin e flotës së aleatëve. Eficienca më e madhe e nëndetëseve ishte kundrejt anijeve tregtare trans-atlantike. Është i diskutueshëm mendimi se eficienca e tyre në këtë luftë ishte fati dhe guximi. Më saktë do ishte të themi se ishin aftësitë luftarake ato që bënë këto anije dhe nëndetëse të korrnin sukses në beteja.
Mbas 1943, Gjermania do e kuptonte se nuk kishte shumë shpresa të fitonte në det. Aleatët do të ndërtonin anije më të shpejta se ato që u fundosën. Plani i shoqërimit të çdo anije me anije të tjera luftarake do të ulte humbjet e trupave detare. Gjithashtu lufta kundra nëndetëseve do të bëhej shumë efektive. Këtu ka një meritë edhe shpikja e radarit, që arrinte të zbulonte nëndetëset Gjermane ku këto të fundit dilnin natën për t’u furnizuar me oksigjen ose për të bërë ndonjë riparim të mundshëm. Sulmi nga qelli do të ishte i befasishëm duke mos i lënë nëndetëses shumë mundësi për t’ia mbathur. Prodhimi në masë i Tipit 21 nëndetëse nuk pati shumë efektivitet përderisa lufta tashmë kishte ardhur në përfundimet e saj.
Në pjesën jugore të Atlantikut, admirali Graf Spee arriti të fundosë nëntë anije tregtare britanike. Kruiserat anglez si HMS Ajax, HMS Exeter dhe HMNZS Achilles do të angazhoheshin më vonë kundra admiralit Graf Spee, në atë që njihet me emrin Battle of the River Plate (Beteja e River Plate). Këto kruisera që i përkisnin divizionit të Zelandës së re, do të dëmtoheshin rëndë në të vërtetë, por edhe Graf Spee do të detyrohej të tërhiqej në ujërat neutrale të Uruguait, në Portin e Montevideo.
Në Betejën e Atlantikut, flota gjermane nuk do të vepronte sipas rregullave të pashkruara të luftës. Robërit që arrinin të shpëtonin nga fundosja e anijeve, kapeshin dhe i dorëzoheshin Gestapo-s që zakonisht i torturonte dhe ekzekutonte. Jo në pak raste është qëlluar nga anijet luftarake, kundrejt marinarëve të pambrojtur në det. Kjo gjë do të kritikoj më vonë, pas mbarimit të luftës.
Pushtimi i Danimarkës dhe Norvegjisë
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Norvegjia dhe Danimarka do të binin në dorë të Gjermanisë Naziste, në datën 9 prill 1940. Ky pushtim mori emrin Operation Weserübung dhe kishte si synim pengimin e një zbarkimi të mundshëm të trupave aleate në këto zona. Danimarka ra pa asnjë rezistencë. Norvegjia nuk u dorëzua dhe luftimet filluan. Trupat Britanike të përgatitura për luftë, do të zbrisnin në veri të Norvegjisë. Vonë në korrik, trupat aleate do të pësonin disfatë dhe do të tërhiqeshin. Pas dorëzimit të Ushtrisë Norvegjeze, Gjermania do të kontrollonte pothuajse të gjithë Norvegjinë. Me rënien e Norvegjisë, Familja Mbretërore do të arratisej në Londër. Gjermania do të përdorte Norvegjinë si bazë për të dërguar karvanë ushtarake kundra Bashkimit Sovjetik.
Pushtimi i Francës
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Më 10 maj 1940, Gjermania pushtoi Luksemburgun, Belgjikën, Holandën dhe Francën. British Expeditionary Force (BEF – Forcat Ekspeditëse Britanike), lëvizën për në Belgjikë duke planifikuar një luftim në veri, por gjithmonë duke ruajtur një distancë më Maginot Line (Vija Maginot) e ndodhur në jug. Megjithatë Aleatët nuk do të korrnin sukses. Aleatët do të thyheshin nga sulmi i quajtur Blitzkrieg. Megjithatë qyteti gjerman i Roterdamit, u shkatërrua gjatë bombardimeve masive.
Në fazën e parë të pushtimit, plani i Gjermanisë kundra Francës do u quante Fall Gelb. Grupi i Tankeve Gjerman (Panzergruppe von Kleist) të Wehrmacht, do të kalonte përmes Ardenes (Ardennes), që ishte një pyll i dendur. Aleatët në të vërtetë nuk menduan se një ushtri e armatosur ashtu si ajo Gjermane do mund të kalonte në një vend të tillë. Gjermanët do të thyenin vijën franceze në Sedan. Mendohet se rënia e kësaj vije u bë e mundur pasi mbrojtja përbëhej kryesisht nga trupa rezerviste.
Gjermania vazhdoi më tutje në perëndim, duke kaluar nëpërmjet Francës Veriore, për të arritur më në fund Kanalin Anglez. Në këtë mënyrë, Aleatët do të ndaheshin në dy grupe. Ndërkohë, Belgjika, Luksemburgu dhe Holanda ranë shpejt nën sulmin e Grupit Ushtarak Gjerman B.
BEF dhe Forcat Franceze u evakuuan nga Dunkirku. Kjo tërheqje e përgjithshme e trupave u bë e mundur me anë të asaj që u njoh me emrin Operacioni Dinamo (Operation Dynamo). Në këtë tërheqje, që u quajt njëkohësisht edhe si evakuimi më i madh në të gjithë historinë, 338 000 trupa Franceze dhe Britanike do të transportoheshin me anë të anijeve luftarake, si edhe me anë të anijeve civile.
Më 10.06.1940, Italia gjithashtu do të bashkohej në luftë duke sulmuar trupat franceze në jug. Më pas ishte shumë e thjeshtë për Gjermaninë të pushtonte pjesën e mbetur të Francës. E parë ngushtë në këtë situatë, Franca do të detyrohej të nënshkruante një marrëveshje me Gjermaninë më 22.06.1940. Kjo marrëveshje shënoi pushtimin e Parisit dhe 2/3 e të gjithë territoreve franceze. Në të vërtetë, në Francë do të krijohej një shtet neutral (ku në të vërtetë pushteti ishte një qeveri-kukull e Gjermanisë). Qendra e kësaj qeverie, do të ishte pjesën juglindore të Francës dhe do të njihej si Vichy France.
Beteja e Britanisë
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Gjermania u përgatit të pushtonte Britaninë e Madhe në vitin 1940 në atë që u quajt Unternehmen Seelöwe nga gjermanët dhe Operation Sea Lion nga anglezët (Operacioni Luanët e Detit në shqip). Britania kishte humbur një pjesë të mirë të trupave të saj në Dunkirk. Megjithatë, Flota Britanike (Royal Navy) qëndronte solide dhe Nazistët e dinin që nuk kishin shpresa kundra saj. Kështu u mendua se veprimi më shpresëdhënës, ishte sulmi nga ajri. Por edhe Forcat Ajrore Britanike (Royal Air Force) nuk ishin mangët. Gjermanëve do t’ju duhej të ndesheshin me këto forca.
Në verën e vitit 1940, beteja midis këtyre dy Forcave Ajrore do të fillonte. Kjo betejë u pagëzua me emrin Beteja e Britanisë. Luftwaffe (Forcat Ajrore Gjermane) në fillim do të përqendronin sulmet e tyre mbi RAF Fighter Command (një nga tre qendrat komanduese të Britanisë së madhe). Pika të tjera do të ishin edhe aeroporte të ndryshëm si edhe stacionet e radarëve, që rezultonin shumë dëmtuese për nëndetëset Gjermane. Pasi Britanikët do të bombardonin Berlinin, Hitleri vendosi të kundërpërgjigjej duke bombarduar Londrën. Sulmi mbi Londrën njihet si The Blitz (Operacioni Rrufe nëse do e përshtatnim në shqip). Forcat Ajrore Gjermane u dëmtuan rëndë nga sulmet mbi Britaninë. Hurricanes dhe Spitfires do të bënin të mundur, që Hitleri ta rikonsideronte planin e tij të sulmit mbi Britaninë. Kanali i Lamashit, do të qëndronte në dorën e Flotës Angleze, por Hitleri kishte plane të tjera. Ai do të kthente sytë nga lindja, duke anuluar planet e tjera për pushtim.
Një sy mbi Italinë
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Mbreti i Italisë Viktor Emanueli i Tretë në të vërtetë kishte kundërshtuar pushtimin e Shqipërisë, duke e konsideruar si një rrezik pa fitim. Por Musolini kishte planet e tij. Ultimatumi ndaj Shqipërisë për t’ju dorëzuar Italisë u bë më 25 mars 1939. Refuzimi i Shqipërisë për dorëzim, bëri që Benito Musolini ta pushtonte atë në 7 prill të 1939. Rezistenca ishte e dobët (Rezistenca e Durrësit) dhe shumë shpejt, trupat ushtarake Italiane do të merrnin kontroll mbi Shqipërinë. Mbreti i Zog, arratiset me familjen e tij në vendin fqinj Greqinë dhe më pas në Londër. Pasi kishte pushtuar Shqipërinë, më 28 tetor të 1940 edhe Greqia do të binte në duar të Italianëve. Italia nuk provoi veten të denjë për të mbajtur nën kontroll këto dy vende.
Bombarduesit anglez do të ishin shumë eficient kundra anijeve Italiane. Një luftë-anije u fundos, ndërsa shumë të tjera do të dëmtoheshin rëndë duke dalë jashtë-përdorimit. Sulmi i avionëve bombardues ndaj Flotës Italiane do të bëhej e mundur në portin jugor të Tarantos, ku avionët do të përdornin torpedo për të fundosur dhe dëmtuar anijet Italiane. Torpedot do të konsideroheshin si shumë të rëndësishme dhe përdorimi i tyre do të bëhej i mundur më vonë në sulmin e Japonezëve në Pearl Harbor, kundra ShBA-së.
Azia si Fushë-Betejë
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Tërbim në Paqësor
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Artikulli kryesor: Masakra e Nanjing
Luftërat Japoneze në Oqeanin Paqësor e njohur si Lufta Sino-Japoneze. Lufta Sino-Japoneze filloi në 1937 me sulmin e Japonisë ndaj Kinës. Që nga 1931, Japonia mbante të pushtuar Mançurian dhe me datë 7 korrik të 1937, ajo do lëshonte sulme të shumta ndaj Kinës në afërsi të Beiping (Bezhingu i sotëm). Japonezët avancuan të pathyeshëm deri në Betejën e Shangait, ku ndaluan hapin. Shangai do të binte në dhjetor 1937. Pak më vonë edhe kryeqyteti Nanzhing do të binte. Qeveria Kineze u largua nga aty duke shkuar në Çongqing.
Gjatë kësaj lufte, Japonia kreu masakra të shumta, duke mbjellur terror mbi popullsinë civile. Keqtrajtime të shumta u kryen edhe kundrejt robërve të luftës që u gjendën përballë torturash çnjerëzore. Për t’u përmendur është Masakra e Nanjing, ku vetëm brenda një muaji, do të masakroheshin më shumë se 300 mijë civilë.
Lufta e dytë midis Rusisë dhe Japonisë
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Më 8 maj 1939, 700 kalorës (por numri i këtyre trupave mund të jetë i diskutueshëm) kaluan lumin Khalka. Kjo sipas japonezëve ishte kufiri i Mançurias. Si mongolët dhe sovjetikët, u justifikuan duke thënë se ata e dinin kufirin 20 milje më tutje në lindje. Kjo nuk ndaloi forcat e Mançurisë dhe forcat mongole të hapnin zjarr mbi njëra tjetrën. Nuk do kalonin shumë ditë dhe Japonia ashtu si edhe Bashkimi Sovjetik, do të dërgonin trupa të shumta në asistencë të këtyre vendeve që ishin nën kontrollin e tyre. Kontingjenti i madh i karvanëve do të ndeshej ashpër me kontingjentin tjetër armik, një luftë kjo që do të zgjaste deri në shtator të atij viti. Nuk pati fitimtarë në këtë luftë, por kjo luftë do të bënte më vonë të mundur firmosje e Paktit Molotov-Ribbentrop. Të frikësuar nga hapja e një lufte me dy fronte, Sovjetikët nënshkruan këtë marrëveshje të fshehtë me nazistët. Nuk ka të dhëna shumë të sakta, por mendohet se do të kishte 18 mijë humbje nga pala Japoneze dhe 9 mijë humbje nga pala Ruso-Mongole. Kjo ishte lufta e dytë që zhvillohej midis këtyre dy fuqive.
Një shikim mbi Luftën Sino-Japoneze
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Deri në 1940, asnjë nga palët nuk kishte bërë ndonjë progres të dukshëm. Lufta u duk sikur po qëndronte pezull. Kina ishte me të vërtetë e dëmtuar, por ShBA do e financonte atë si edhe do të vente në dispozicion të Kinës avionët “Flying Tigers”, që do të jepnin ndihmesën në këtë luftë.
Azia Juglindore gjithashtu do të shikonte luftime të ashpra. Japonia më 22 shtator, kishte arritur të shtinte në dorë territore të Indo-Kinës, që ishin në duar të Francezëve. Kërkesa e Japonisë për të marrë bazat e ndërtuara vetëm dy muaj më parë, nuk ishte një surprizë. ShBA e pa këtë veprim si të papërshtatshëm dhe kjo do të bënte që ShBA të thyente marrëveshjen e vitit 1911, duke vënë mbi mallrat japonezë embargo, ajo nuk do lejonte eksportimin e lëndëve të domosdoshme për luftën që Japonia po zhvillonte.
Vende të tjera
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Afrika e Veriut
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Flota Franceze kishte humbur efektivitetin e saj tashmë. E gjendur në këtë situatë, Flota Mbretërore Britanike, qëndroi e vetme në betejën me Flotën Italiane për Mesdheun. Britanikët kishin avantazh në këtë betejë. Ata kishin baza të shumta në Gjilbartar. Baza që i përkisnin Britanisë ndodheshin gjithashtu në Maltë dhe Aleksandri, Egjipt.
Trupat Italiane do të sulmonin trupat Britanike dhe në gusht do të kapnin trupat Britanike në Somali. Por Fushata e Afrikës Veriore do të fillonte vetëm në shtator me sulmin e Trupave Italiane të vendosura në Libi, ndaj forcave Britanike në Egjipt. Duke bërë kështu, Italianët shpresonin të zinin Kanalin e Suezi, që ashtu si edhe Në Luftën e Parë Botërore, kishte qenë një vend strategjik për Britanikët pasi ajo ishte pikë-lidhja e tyre me Indinë. Në operacionin e quajtur Kompas (Compass), Forcat Britanike, Indiane dhe Australiane do të kundra-sulmonin duke u lëshuar në ofensivë kundra Italianëve. Por në 1941, këto trupa (nga Australia dhe Zelanda e Re), do të dërgoheshin në Greqi për ta mbrojtur atë nga sulmet Gjermane. Por kjo nuk do të jepte shumë rezultate, sepse Trupat Gjermane që do të vepronin në Afrikë, mbas zbarkimit të tyre në Libi, do të sulmonin sërish Egjiptin. Ky i fundit ishte akoma në dorë të Britanikëve. Ervin Rommel (Erwin Rommel) do ishte ai që do drejtonte këto sulme për palën gjermane.
I Gjithë Globi në Luftë: 1941
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Ndihma e ShBA-së
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Pas rënies së Francës në 1940, ShBA e pa si të domosdoshme të ndërhynte në këtë luftë që po përfshinte globin. Megjithatë në ato vite, ShBA nuk ishte në gjendje shumë të mirë dhe disa mendonin që ShBA, nuk kishte fonde të mjaftueshme për të ndihmuar në luftë. Pavarësisht nga kjo Frenklin Rusvelt (Franklin D. Roosevelt), do kërkonte nga kongresi të drejtën e “Lend-Lease act” (Ky është ai akt ku kongresi i jep të drejtë presidentit të ShBA-së të japë ndihmë ushtarake, armatime dhe fonde monetare atyre vendeve që Presidenti mendonte se po luftonin për të siguruar territoret e ShBA-së, një akt ky nga ku shumë vende si Anglia, Bashkimi Sovjetik, Kina e të tjerë do të përfitonin). Ky akt u aprovua nga kongresi më 11 mars 1941 dhe i siguroi kryesisht Britanisë dhe 37 vendeve të tjera rreth 50 bilion dollar në furnizime ushtarake dhe mjete të tjera të nevojshme për luftën. Nga ky fond, Britania dhe Komunuelthi (Commonwealth) do të përfitonin 31.4 bilion dollar.
Duke parë këtë lëvizje të ShBA-së, Kanadaja duke iu përshtatur të njëjtit plan, do të jepte një fond prej 4.7 bilion dollarësh (Dollar Amerikan), Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Sovjetik.
Pushtimi i Jugosllavisë, Greqisë dhe Shqipërisë
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Artikulli kryesor: Shqipëria në luftën e dytë botërore
Më 6 prill 1941, forcat Gjermane, Italiane dhe Bullgare, sulmuan dhe pushtuan Jugosllavinë. Lufta do mbaronte me datë 17 prill me dorëzimin e shpejtë të Jugosllavisë si edhe me krijimin e një qeverie kukull me qendër në Kroaci. Vetëm dy grupe do të vazhdonin luftimet. Grupi komunist AVNOJ, të udhëhequr nga Tito, më vonë do të tregonte epërsi në forcë dhe influencë ndaj grupit tjetër të çetnikëve të udhëhequr nga Draža Mihailović. Gjithashtu, më 6 prill, Gjermania do të pushtonte Greqinë, duke futur trupat e saj nga Bullgaria.
Rezistenca Greke ishte e gatshme të luftonte, por pavarësisht nga kjo ata ishin shumë më të pakët në numër dhe detyrimisht humbën. Kështu me datë 27 prill, Athina do të bie edhe pse, me meritë të Britanisë së Madhe, më shumë se 50 000 trupa ushtarake greke mundën të tërhiqeshin diku tjetër, për të luftuar mbase më vonë. Shqipëria gjithashtu ra pre e pushtimit nazist. Me vendosjen e një qeverie-kukull në Shqipëri, Nazistët shprehën qartë se nuk do të ishin kalimthi aty. Lufta e shqiptarëve do të ishte një luftë partizane dhe u drejtua nga grupi komunist me në krye Enver Hoxhën.
Lufta në Ballkan, pavarësisht se nuk do të përbënte ndonjë problem për Gjermaninë, do të vononte sulmin e saj ndaj Bashkimit Sovjetik për një periudhë prej 6 javësh.
Sovjetikët nën Sulm
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Që nga koha që Pakti Molotov-Ribbentrop ishte firmosur në gusht të 1939, Bashkimi sovjetik kishte pajisur Gjermaninë me armatime dhe të mira të tjera të domosdoshme për pushtimin e Evropës. Megjithatë, kur Gjermania do t’i kthehej kundra ish-aleatit së saj, Stalini do të arrinte në përfundimin që edhe Britanikët dhe Francezët kishin arritur më parë; Hitlerit nuk i zihet besë. Më 22.06.1941, operacioni më i madh në histori do të fillonte; Operacioni Barbarosa. Tre grupe ushtarake gjermane, të përbërë nga 4 milion njerëz, do të hynin në territorin rus duke shkatërruar gati të gjithë divizionet e Ushtrisë së Kuqe, në sajë të strategjisë së rrethimit. Ushtria e Kuqe që ndodhej në pjesën perëndimore të Bashkimit Sovjetik të pësonte humbje të mëdha. Përballë kësaj situate, Sovjetikët u tërhoqën për në Ural, duke marr atë që mund të merrnin dhe duke shkatërruar atë që nuk mund të merrnin. Asgjë nuk duhet të binte në dorë të armikut (një strategji kjo që është përdorur edhe kundra Napoleon Bonapartit). Në Ural, rusët do mund të rigrupoheshin dhe furnizimi i Ushtrisë së Kuqe, mund të bëhej i mundur.
Vonë në dhjetor të po atij viti, Trupat Gjermane kishin arritur në dyert e Leningradit, dyert e Moskës dhe Rostov. Arritja deri aty kishte qenë e mundimshme për Gjermanët. Ata kishin humbur 23% të ushtrisë që kishte sulmuar në fillim. Megjithatë gjermanët vazhdonin të avanconin. Dimri i fortë i Rusisë, do të bënte që ata të ndaleshin. Në këto kushte, ishte e pamundur realizimi i sulmit Blitzkrieg (sulm rrufe) sepse tanket nuk mund të manovronin thjeshtë në fushat e mbuluara me borë.
Gjermanët e kishin nënvlerësuar numrin e madh të ushtarëve që Ushtria e Kuqe kishte nën dispozicion. Ushtarët gjerman, nuk ishin të pajisur mirë për një mot të tillë. Mungonin mjetet e transportit dhe makineritë nuk i bënin dot ballë motit të ftohtë, duke marrë parasysh teknologjinë e atëhershme.
Trupat Gjermane filluan të demoralizohen nga luftimet e pafundme dhe ardhja e trupave të reja nga Siberia. Këto trupa ishin të shumtë dhe drejtoheshin nga Gjenerali Zhukov, një gjeneral ky me përvojë nga Lufta e Parë Botërore. Gjithashtu, këta ushtarë Sovjetik, ishin mësuar me ato kushte të ashpra.
Gjermania kishte avancuar shumë përpara, por kësaj radhe Sovjetikët do të “kthenin përgjigje”. Më 5 dhjetor, Sovjetikët kundërsulmuan dhe i detyruan trupat gjermane të ktheheshin mbrapa për kilometra të tëra (mendohet 150-250 kilometra). Kjo kishte qenë thyerja e parë e gjermanëve në luftë.
Më 25 qershor 1941, lufta e vazhdueshme e sovjetikëve me Finlandën, bëri që sovjetikët të ndërmerrnin një fushatë të gjerë bombardimesh ajrore kundra kësaj të fundit. Këto bombardime, filluan pak mbrapa fillimit të Operacionit Barbarosa.
Afrika Veriore dhe Lindja e Mesme
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Në Afrikën Veriore, Romueli (Rommel), i cilësuar si dhelpra e shkretëtirës, fitoi terren në territoret lindore, duke arritur më në fund në një pikë kyçe për aleatët, Tobruk. Sulmet të shumta u lëshuan ndaj portit Tobruk duke e zënë atë. Dy sulme të aleatëve, dështuan kundra Romuelit, por më vonë ofensiva në fund të vitit e mbiquajtur edhe si Operation Crusader (përshtatje në shqip do ishte Operacioni Luftëtarët e Shenjtë edhe pse theksohet se kjo luftë nuk pati asnjë karakter fetare), do të detyronte trupat e Romuelit të tërhiqeshin pas luftimesh të ashpra.
Në prill dhe maj të vitit 1941, rebelime të shumta do të fillonin në Irak kundra Britanisë së Madhe, edhe pse britanikët morën sërish në dorë situatën. Në muajin e 6-të, aleatët u detyruan të bënin një farë pushtimi në Siri dhe Liban. Në ditën e 17 të po atij muaji, Damska gjithashtu do të binte në dorë të Aleatëve. Vonë në gusht Britanikët dhe Ushtria e Kuqe do të vendoseshin në Iran, që ishte neutral në luftë. Vendosja në Irak do të bëhej me qëllim për marrjen dhe shfrytëzimin e naftës nga Ushtria e kuqe për fushatën kundra Gjermanisë.
Përsëri në Atlantik
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Më 9 maj, Destroyer HMS Bulldog (tip anije e aleatëve ku “Destroyer” merr kuptimin e “Shkatarrues”) i Flotës Britanike do të kapte një U-Boat (tip nëndetëse gjermane) gjermane. Nga kjo nëndetëse, do të merrej e paprekur një makineri që u quajt nga Britanikët Enigma Machine. Ky mjet do të ishte me rëndësi jetësore për fitoren e aleatëve në Atlantik. Kjo makinë do dërgohej në Bletchley Park dhe do i lejonte aleatëve të thyenin dhe të kuptonin kodet e ushtrisë gjermane.
Më 24 maj, luftanija gjermane Bismark, do cenonte Flotën e Aleatëve në Oqeanin Atlantik. Luftanija Britanike Battlecruiser HMS Hood do të fundosej në betejën e Danimarkës (Battle of the Denmark Strait). Pas kësaj, flota e britanikëve, do të ndërmerrte një gjueti të përgjithshme kundra luftanijes Bismark në pjesën veriore të Oqeanit Atlantik. Kjo nismë nuk do të ishte edhe aq e thjeshtë për Britanikët. Njësia ajrore bombarduese Fairey Swordfish, e nisur nga aeroplanmbajtësja HMS Ark Royal, të pajisur me bomba torpedo, do të sulmonin Bismarkun. Këto avionë nuk rezultuan shumë efektivë ndaj saj dhe dëmet ishin minimale, por kjo do t’ia bënte punën Flotës Britanike më të thjeshtë.
Bismarku më në fund u fundos. Për fundosjen e saj do u donte një gjëmim prej 2 700 kilometrash dhe angazhimi i 8 luftanijeve dhe 8 anije Kruizer, 2 aeroplanmbajtëse, 11 Kruizerave, 21 Destroyer (Shkatërrues) dhe 6 nëndetëseve.
ShBA dhe Japonia në Luftë
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Në verën e 1941, ShBA, Britania e Madhe dhe Holanda vendosën embargo ndaj Japonisë. Kjo embargo kishte në qendër ndërprerjen e naftës, në mënyrë që Ushtria Japoneze të humbte superioritetin e saj në luftë. Japonia nuk u tërhoq nga lufta, madje vazhdoi të avanconte në territoret Kineze. Japonia do të planifikonte një sulm ndaj Flotës së ShBA-së në Pearl Harbor (Porti i Perlave). Ajo gjithashtu u përpoq të shtinte në dorë, zonat e pasura me naftë në dorë të kompanive holandeze (Dutch East Indies në Indonezi). Më 7 dhjetor 1941, flota japoneze e pajisur me anije aeroplanmbajtëse, do të sulmonte në mënyrë të papritur dhe të rrufeshme Portin Pearl Harbor, në Hawai. Ky sulm i pabesë, rezultoi i suksesshëm. Shumë avionë që qëndronin të qetë në bazë, do të shkatërroheshin dhe flota gjithashtu do të goditej rëndë. Gjashtë Luftanije do të përmbyteshin, por mendohet se këto të fundit, pas riparimeve të nevojshme, do të fillonin përsëri funksionimin e tyre. Megjithatë, katër Aeroplan-Mbajtëset që ishin planifikuar për t’u shkatërruar, për fatin e mirë të Aleatëve, nuk ndodheshin në port gjatë sulmit. Të gjitha ndërtesat dhe infrastrukturat e dëmtuara në Pearl Harbor do të riparoheshin shumë shpejt.
Ky sulm nuk u tolerua nga opinioni publik që kërkoi ndëshkim ndaj Japonisë. Një ditë më vonë, ShBA, më 8 dhjetor të po atij viti, deklaron luftë ndaj Japonisë. Në të njëjtën kohë, Kina gjithashtu do të shpallte zyrtarisht luftë ndaj Japonisë. Kjo e fundit do të pushtonte Malajzinë.
Ndërkohë edhe Britania do të përjetonte një tragjedi. Përmbytja e luftanijes HMS Prince of Wales dhe HMS Repulse në 10 dhjetor, do të shkaktonte shumë humbje për Britanikët. Këto anije ishin përmbytur nga 85 bombardues japonezë si edhe nga torpedo të lëshuara nga baza Saigon. Në këtë humbje të madhe ku 840 ushtarë britanikë do të humbnin jetën, Winston Çërçill do të shprehej se ky ishte lajmi më tronditës që ai kishte marrë që nga fillimi i luftës.
Gjermania ndërkohë, i shpall luftë ShBA-së edhe pse në të vërtetë nuk ishte i detyruar që ta bënte një gjë të tillë. Hitleri shpresonte që Japonia do të sulmonte Bashkimin Sovjetik, ndërkohë që Japonia dhe Bashkimi Sovjetik kishin lidhur një marrëveshje mossulmimi ndaj njëra tjetrës. Deklarata e Gjermanisë, e bindi edhe një herë ShBA-në, që nuk kishte asnjë arsye që mos përfshihej në luftimet në Evropë.
24 orë pas sulmit në Pearl Harbor, Japonia pushton Hong Kongun. Filipinet dhe kolonitë e Britanisë së Madhe në Malajzi, Borneo dhe Burma do të pësonin të njëjtin fat. Megjithatë Japonia në të vërtetë po synonte marrjen e tokave të pasura me naftë të kompanisë Holandeze “Dutch East Indies”. Japonia do të ndeshej në rezistencën e Filipineve, Australisë, Zelandës së Re, Britanikëve, Kanadezëve, Indianëve si edhe të Amerikanëve. Pavarësisht nga kjo rezistencë, të gjithë këto territore do të binin në duart e Japonezëve brenda disa muajsh. Ishulli i Britanikëve në Singapor, që mbahej si një fortesë e vërtetë, ra në duart e japonezëve. Rënia e kësaj fortese, u cilësua edhe një herë nga Çërçilli si një nga humbjet më të turpshme të historisë së Britanisë.
I Gjithë Globi në Luftë: 1942
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Luftë në Çekosllovaki dhe Francë
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Në maj të 1942, projektuesi i projektit Zgjidhja Përfundimtare, Reinhard Heydrich (që ishte plani për zhdukjen e të gjithë hebrenjve), do të vritej nga agjentë të rezistencës Çeke gjatë operacionit Antropoid. Kur Hitleri mori vesh një gjë të tillë, urdhëroi sulmin e territoreve ku ndodheshin partizanët, duke shkaktuar reprezalje të shumta kundra popullsisë civile. Më 19 gusht, 1942, Forcat Kanadeze lëshuan kundra trupave naziste, një sulm të shpejt në portin e Dieppe të Francës, që u njoh me emrin Operacioni Xhubileu (Operation Jubilee). Aleatët pësuan disfatë në këtë betejë, por kjo disfatë do të siguronte më vonë informacion që do të shërbente në operacione të tjera, si Operacioni Torç (Operation Torch) dhe Operacioni Ovërlord (Operation Overlord)
Ofensiva e Sovjetikëve
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Në veri, Sovjetikët do të sulmonin nën operacionin e koduar Toropets-Kholm, në 9 janar deri në 6 shkurt të 1942. Ky aksion bëri të mundur, që divizionet gjermane të ngushtoheshin në afërsi të territorit të Andreapolit. Gjithashtu, Ushtria e Kuqe do të rrethonte një divizion të ushtrisë gjermane në “Xhepin e Demjansk-ut” (Rrethimi i Garnizonit gjerman u pagëzua me këtë emër). Kjo do t’i jepte avantazh Ushtrisë së Kuqe, duke prishur moralin e trupave gjermane.
Forcat e Boshtit në Sulm
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Në muajin e gjashtë të 1942, me datë 28, do të fillonte ofensiva e Aleatëve e koduar Operacioni Blu. Ky plan përfshinte vendosjen e trupave të Aleatëve, nga lumi Don deri në lumin Volga, drejt maleve Kaukaziane. Grupi Ushtarak B, ndërkohë po bënte plan, shtënien në dorë të Stalingradit; një veprim ky që do mund të forconte frontin Gjerman. Ndërsa Grupi Ushtarak A, planifikoi marrjen e fushave të pasura me naftë në jug. Në Betejën e Kaukazit, Trupat e Boshtit Nazist do të kapnin nga fundi i verës dhe vjeshtë së 1942-it, fushat e pasura me naftë.
Beteja e Stalingradit
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Artikulli kryesor Beteja e Stalingradit
Më 23 gusht, 1942, Gjermanët arritën Vollgën, në veri të Stalingradit. Gjermanët pa humbur kohë, do të bombardonin qytetin duke shkatërruar shtëpitë prej druri. Shkatërrimi i këtyre të fundit u bë me qëllim që të dëmtoheshin uzinat moderne të sovjetikëve. Më 23 shtator, Ushtria Gjermane kishte marrë në dorë këto fabrika dhe rrezja e veprimit të Ushtrisë Gjermane, ishte aq i gjerë sa që kishte nën kontroll të gjithë lumin. Sovjetikët do të sillnin përforcime dhe tashmë do të fillonte ajo që në histori u njoh si Beteja e Stalingradit. Në rrugët e Stalingradit, do të zhvilloheshin beteja të ashpra guerirlase. Duke qenë se të dy palët luftonin brenda në qytet, mendohet se luftimet trup më trup nuk kanë munguar.
Lufta e egër, bëri që morali i trupave të të dyja palëve të binte. Edhe pse Gjermania po dëmtohej shumë nga kjo betejë, Hitleri nuk do të urdhëronte kurrë dorëheqjen. Von Paulus, i ndodhur në një gjendje të mjerueshme, do provonte edhe një herë një sulm kundra Sovjetikëve në fillimet e nëntorit. Tashmë Ushtria Gjermane kishte në dorë rreth 88% të qytetit, por me sa dukej, rezistenca e Ushtrisë së Kuqe, nuk do të binte bashkë me qytetin e shkatërruar. Ndërkohë që Ushtria Gjermane, futej akoma më thellë në qytet, Sovjetikët kishin forcuar krahët në rrethinat e Stalingradit. Në këtë mënyrë, Sovjetikët patën mundësi të rrethonin deri diku Ushtrinë Gjermane. Operacioni Uranus, në 19 nëntor, pati si bazë sulmimin e forcave gjermane nga të dyja krahët. Ky operacion korri sukses. Trupat Sovjetike do të takoheshin në Kalaç dhe 4 ditë më vonë, Divizioni i Gjashtë i Ushtrisë Gjermane, do të rrethohej i tëri. Kjo për ta ishte një grackë nga ku nuk do të ishte shumë e lehtë të dilnin.
Divizioni i Gjashtë, kërkoi leje për të dalë nga rrethimi, por Hitleri nuk i lejoi, duke i premtuar se ata do të furnizoheshin nga qelli me ushqime, deri sa të shpëtoheshin. Megjithatë Sovjetikët nuk do të bënin sehir ndërkohë që Hitleri të sillte ndihmat. Në atë kohë, Sovjetikët do të lëshonin një sulm kundra forcave të ndodhura në afërsi të Moskës. Ky sulm i quajtur Operacioni Mars, kishte si synim ndërprerjen e kontakteve ndërmjet divizionit qendror me atë të divizionit në jug të Stalingradit.
Me të shpejtë, Von Manstein do të formonte një batalion modest me ushtarë gjermanë, me qëllim për të shkuar në ndihmë ushtrisë që kishte ngecur në Stalingrad. Por ai do të afrohej vetëm 50 kilometra me ushtrinë e mbetur në brendësi të Stalingradit. Trupat Sovjetike, nuk do ta lejonin atë të ecte përpara qoftë edhe një metër me shumë. Në fund të vitit 1942, Divizioni i Gjashtë, ishte katandisur si mos më keq, pasi Luftwaffe (Forcat Ajrore Gjermane), nuk sillte as 1 të 6 e furnizimeve të nevojshme. Fieldmarshall Von Paulus do t’i dorëzohej Ushtrisë së Kuqe më 2.2.1943 duke mos parë rrugë tjetër shpëtimi. Nga ky vendim, 91 000 ushtarë Gjerman dhe 22 gjeneralë, do të binin në duart e Sovjetikëve. Kjo do të ishte lufta më e madhe në të gjithë historinë, si në shpenzime, ashtu edhe në humbje njerëzore. Mendohet se Gjermanët humbën rreth 850 000 ushtarë. Ndërsa gjithsej 2 milion njerëz do të vdisnin në këtë betejë (por kjo është e diskutueshme).
Betejat e Aleatëve në Paqësor
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Më 19 shkurt 1942, Presidenti i ShBA-së Rusvelt (Roosevelt) do të firmoste Urdhrin Ekzekutiv të Shteteve të Bashkuara të Amerikës 9066, duke shpallur luftë ndaj Boshtit Japoni-Gjermani-Itali. Me fillimin e luftës, shumë persona japonez, italian dhe gjerman, që në të vërtetë ishin persona me shtetësi Amerikane, do të internoheshin nëpër kampe. Në këto kampe do të dërgoheshin edhe persona nga Hawai. Por këto kampe ishin brenda standardeve të jetesës dhe nuk pati keqtrajtime ndaj personave që qëndruan aty gjatë luftës.
Më 18 prill të 1942-it, bombardimi i parë ajrorë do të godiste Japoninë në zemër të saj. Ky operacion i quajtur Doolittle Raid, pavarësisht se do shkaktonte dëme të pakta ndaj Japonisë, do të bënte që kjo e fundit të rikonsideronte tërheqjen e disa njësive ushtarake në mbrojtjen e Japonisë. Ky sulm gjithashtu do të ngrehte lartë moralin e trupave Amerikane.
Në fillimet e majit, Trupat Ushtarake Japoneze, do të sulmonin Portin Moresby, Guinea e Re. Por kjo për ta nuk do të ishte edhe aq e thjeshtë sepse Flota e Aleatve do të kundërsulmonte në atë që njihet si Beteja në Detin Koral (Battle of the Coral Sea). Kjo ishte kundërpërgjigjja e parë e armatosur e Aleatëve kundra forcave japoneze. Taktikisht Japonezët do të fitonin, sepse ShBA do të humbiste anijen aeroplan-mbajtëse USS Lexington në këtë betejë. Por pavarësisht nga kjo humbje, beteja u konsiderua si sukses nga Aleatët. Kjo ishte beteja e parë që organizohej midis dy anijeve aeroplan-mbajtëse. Vetëm një muaj më vonë, më 5, Beteja e Midway do të fillonte. Në këtë betejë, bombarduesit nën ujorë do të sulmonin me sukses Flotën Japoneze, duke fundosur katër nga anijet aeroplan-mbajtëse më të rëndësishme të Flotës Japoneze. Kjo betejë ishte një sukses sepse tashmë Japonia nuk do zgjeronte më fuqinë e saj në Paqësor. Historianët e vlerësuan këtë betejë, si një kthesë të luftës nga ana e Aleatëve, edhe pse më vonë do të kishte shumë për të luftuar. Për t’u theksuar është se kjo betejë u fitua me anë të Kriptografisë. Pra Ushtria e ShBA-së, arriti të zbërthente kodet e Flotës Japoneze dhe rrjedhimisht e dinte se ku ata do të do të sulmonin.
Në korrik, forca të shumta dhe të mirë-armatosura japoneze, do të sulmonin nga toka Portin e Moresby. Kundra këtyre forcave të stërvitura mirë në luftë, qëndronin vetëm trupat e papërgatitura Australiane. Këta të fundit, nuk kishin shumë armatime në dispozicion dhe nuk kishin shumë eksperiencë. Ajo që ka më shumë rëndësi është se këto trupa do të ishin edhe më të pakta në numër si edhe më keq të armatosur. Por kjo nuk i ndaloi Ushtarët Australian të luftonin dhe të fitonin betejën kundra 5 000 forcave të mirë-armatosura Japoneze. Australianët i detyruan këto trupa (në të vërtetë ishin dy njësi ushtarake japoneze ato që sulmuan forcat australiane) të tërhiqeshin mbrapsht. Kjo betejë, do të ishte mposhtja e parë e Japonezëve në teren si edhe fitorja e parë e rëndësishme e Forcave Ushtarake Australiane. Edhe pse Beteja për Kokodën, do të ishte shumë e kushtueshme në njerëz, aq sa trupat do të demoralizoheshin. Oficerët e AIF do të udhëhiqnin trupat Australiane, duke detyruar Japonezët të tërhiqeshin sa më larg, duke shpresuar kështu që brigada e 21-të, të forcohej dhe të riorganizohej.
Më 7 gusht të po atij viti, Flota e ShBA-së do të kalonte në ofensivë në Betejën e Guadalcanal. Luftimet zgjatën gjashtë muaj rresht, ku si japonezët, si Amerikanët, luftuan ashpër për të marrë nën kontroll ishullin. Ndërkohë, beteja të tjera detare në territoret në afërsi, do të angazhonin flotën aleate në luftime. Për t’u përmendur janë Beteja e SavoIsland (Beteja e Ishullit Savo), Beteja e Cape Esperance, Lufta Detare e Guadal Kanal dhe Beteja e Tassafaronga.
Vonë në gusht dhe në fillimet e shtatorit, trupat japoneze tinzarisht do të kryenin një sulm në pjesën e lindore të Guineja së Re. Ky sulm nuk do të ishte një surprizë për aleatët. Trupat Australiane do të ishin aty për të kundërshtuar forcat japoneze. Kjo do të ishte Beteja e Milne Bay (Beteja e Gjirit të Milne).
Ofensiva Japoneze në 1942
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Japonezët do të fillonin një ofensivë madhore kundra Kinës, pak mbrapa sulmit të saj në Pearl Harbor. Ofensiva synonte të merrte qytetin e Çangsha, që ishte një pikë kyçe për Japonezët. Forcat Japoneze ishte përpjekur edhe më parë për të marrë Çangashan, por në të dy sulmet kishin dështuar. Në një sulm të tillë, japonezët menduan se 120 000 ushtarë do të ishin të mjaftueshëm, por Forcat Kineze do të mobilizonin 300 000 trupa. Të gjendur në një ekuilibër të tillë, shumë shpejt trupat Japoneze do të rrethoheshin dhe si rrjedhojë do të detyroheshin të tërhiqeshin.
I Gjithë Globi në Luftë: 1943
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Ofensiva e Sovjetikëve dhe Ofensiva Gjermane
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Mbas dorëzimit të Divizionit të Gjashtë të Ushtrisë Gjermane në Stalingrad, më 2 shkurt 1943, Ushtria e Kuqe do të hidhej në sulm kundra trupave tjera gjermane. 8 dallgë sulmesh do të ndesheshin me ushtrinë gjermane gjatë dimrit. Shumica e këtyre sulmeve, u përqendruan përgjatë Donit, një nga lumenjtë afër Stalingradit. Në fillim Ushtria e Kuqe do të korrte sukses, por më vonë gjermanët do të riorganizoheshin. Duke marrë avantazh nga dobësimi i Ushtrisë Sovjetike, që kishte bërë gjithashtu gabimin të zgjerohej shumë në terren, Gjermanët do të kundra-sulmonin dhe do të shtinin në dorë edhe një herë qytetin e Kharakov si edhe terrenet në afërsi. Kjo do të ishte fitorja më e madhe strategjike e Ushtrisë Gjermane.
Vjeshta do të shërbente vetëm si një pengues për të zhvilluar luftën. Shirat e rrëmbyeshëm do ta bënin situatën të vështirë për të dyja palët luftuese. Megjithatë të dyja anët do të përgatiteshin gjatë këtij intervali për të luftuar në betejën e verës. Gjermanët do të shtynin disa herë ofensivën e tyre, duke bërë të mundur një përgatitje sa më të fortë. Më 4.6.1943, Wehrmacht do të organizonte një mbledhje të përgjithshme. Në këtë mbledhje u vendos që në ofensivën e verës kundra Trupave Sovjetike, të përqendrohej artileria më efektive në dispozicion e përdorur gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kjo ofensivë do të hidhej kundra sovjetikëve në afërsi të qytetit të Kursk. Ishte e qartë për sovjetikët që në këtë linjë defensive do të kishte një sulm së shpejti dhe prandaj ata do të dërgonin përforcime në këtë pikë. Kjo u bë e mundur me hapjen e transheve, furnizim me armatim dhe ushtarë, duke shpresuar se sovjetikët do të përgatisnin një mbrojtje të fortë në këtë mënyrë. Gjermanët do të sulmonin vijën defensive të sovjetikëve si nga jugu, ashtu edhe nga veriu, duke shpresuar të takoheshin në qendër. Në se Gjermanët do të takoheshin në qendër, vija defensive mendohej se do të binte dhe 60 Divizione Sovjetike do të kapeshin rob. Megjithatë kjo ishte vetëm një presupozim i gjeneralëve gjermanë, sepse në të vërtetë forcat gjermane në veri do të bënin shuma pak përpara. Në veri mbrojtja Ruse qëndronte e pathyeshme, por në jug situata po shkonte pak keq dhe gjermanët po avanconin gjithmonë e më shumë. Duke iu frikësuar një penetrimi nga ana e forcave gjermane në këtë zonë (që njëkohësisht mund të lente njësinë mbrojtëse në veri të zbuluar), sovjetikët do të sillnin përforcimet e tyre. Kjo do të njihej si Beteja e Kurskut. Beteja e Kurskut, do të ishte beteja më e madhe e tankeve në të gjithë historinë. Luftimet do të zhvilloheshin në afërsi të qytetit të Prokhorovka dhe beteja do të merrte një kthesë krejt ndryshe nga ajo që Gjeneralët Gjermanë kishin menduar. Artileria dhe armatimet e tankeve gjermane, do të mbaronin shpejt. Njësitë gjermane tashmë ishin të lodhura nga luftimet, ndërkohë që sovjetikët, duke përfituar nga kjo situatë, filluan një kundër-ofensivë. Në këtë gjendje, Trupat Ushtarake Gjermane do të tërhiqeshin. Nga kjo ofensivë në verë, gjermanët do të humbnin pozicionin e tyre të mëparshëm duke u tërhequr akoma më mbrapa.
Sovjetikët më vonë do të çlironin Kharakovin, pas një fitoreje të bujshme në Kursk. Shirat e rrëmbyeshëm të Vjeshtës, bindën Hitlerin të merrte vendimin për një tërheqje të përgjithshme në gusht, deri në linjën e lumit Dnieper, që kontrollohej nga trupat gjermane. Ndërkohë që muajt ndiqnin njëri tjetrin, dhe ndërkohë që shtatori i linte vënd tetorit, Gjermanët do të ndërgjegjësoheshin se ishte me të vërtetë e pamundur të mbaje nën kontroll Dnieperin. Forcat Sovjetike do të gjenin mënyrën për të kaluar lumin dhe qytetet e rëndësishme të Dnieperit do të binin një nga një, duke filluar me qytezën e Zaporozhye, për të vazhduar më vonë me rënien e Dnepropetrovsk. Në fillimet e nëntorit, sovjetikët do të kalonin në të dy anët e Kievit dhe do ta çlironin kryeqytetin e Ukrainës. Gjatë Krishtlindjeve, Forcat Ukrainase do të sulmonin në Korosten. Tashmë Sovjetikët kishin rrugë të hapur. Sovjetikët do të avanconin deri tek kufijtë Sovjetiko-Polake të vitit 1939. Kjo tregonte hapur avancimin e tyre ndaj Gjermanisë, e cila po humbte betejë mbas beteje.
Kapitullimi i Italisë
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Forcat e boshtit do të dorëzoheshin në Tunizi më 13 maj 1943 dhe me këtë dorëzim, 250 000 ushtarë do të binin rob në duart e Aleatëve. Fushata në Afrikën e Veriut, kishte qenë një disfatë për Italianët. Në këtë gjendje, Aleatët do të hidheshin në sulm kundra Italisë në bërthamën e saj. Aleatët në Operacionin Husky, pushtuan Sicilinë në 10 korrik. Vetëm për pak muaj ishulli do të binte dhe pushteti i Musolinit gjithashtu. Më 25 korrik ai do të hiqej nga detyra nga Viktor Emanueli i Tretë (Mbret i Italisë) dhe do të arrestohej më vonë me aprovimin e Këshillit të Lartë Fashist. Një qeveri e re do të formohej. Kjo qeveri e re, që mori fuqinë menjëherë në dorë, do të drejtohej nga Pietro Badoglio. Kjo qeveri deklaroi se Italia do të qëndronte e angazhuar në luftë. Megjithatë në të njëjtën kohë, Pietro kishte filluar bisedimet me Aleatët për paqen, edhe pse këto bisedime ishin të fshehta.
Aleatët do të pushtonin pjesën kryesore të Italisë më 3 shtator 1943. Italia do t’i dorëzohej zyrtarisht Aleatëve më 8 shtator, pas negociatash të shumta. Familja mbretërore dhe qeveria e Pietro Badoglios, u arratisën për në jug të Italisë, duke lënë Ushtrinë Italiane pa urdhër. Ndërkohë që Italia nuk po përbënte më një problem për Aleatët, luftimet u morën në dorë nga Gjermanët, të cilët detyruan Aleatët të ndalonin krejtësisht hapin e tyre gjatë dimrit të 1943 dhe 1944. Kjo u njoh si Linja e Gustavit, në jug të Romës. Në veri, Musolini me mbështetjen e Partisë Naziste, do të formonte një qeveri kukull e njohur me emrin Republika Sociale Italiane ose Republika e Salò-s.
Betejat në Atlantik
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Betejat në Atlantik gjithashtu do të rezultonin në avantazh të Aleatëve. Beteja për Atlantikun do të merrte kthesë në fillimet e 1943. Gjatë kësaj kohe aleatët kishin studiuar mënyrën e luftimit të Ushtrisë Gjermane si edhe kishin mësuar nga gabimet e bëra më parë. Teknologjia e re do të përdorej në mënyrë efektive kundra nëndetëseve të gjermanëve. Megjithëse dy nga karvanët e Aleatëve pësuan dëme të mëdha gjatë këtij viti, edhe nëndetëset gjermane pësuan shumë humbje, duke bërë kështu që ata të hiqnin dorë nga ofensiva e tyre kryesore në Atlantik. Aleatët gjithashtu kishin rifilluar transportimin e ndihmave për Bashkimin Sovjetik me anë të karvanëve detare nga veriu. Në dhjetor, beteja më e madhe në Atlantik do të fillonte, kur Flota Mbretërore e Britanisë (Royal Navy) do të ndeshej me Flotën Gjermane. Në betejën e Kepit të Veriut (Battle of North Cape), Flota Gjermane do të humbiste edhe anijen-luftarake të fundit, Kruiserin Scharnhorst, i cili do fundosej nga HMS Duke of York, HMS Belfast si edhe anije të vogla të tjera. Në këtë vit, Aleatët do të tregonin hegjemoninë e plotë në Atlantik dhe rreziku i Flotës Gjermane do të zvanitej plotësisht në këtë hemisferë ujore të globit.
Oqeani Paqësor në 1943
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Në 2 janar, Buna, Guineja e Re u kap nga Aleatët. Me kapjen e këtij territori, Porti Moresby mund të flinte i qetë. Deri më 22 janar 1943, Forcat Aleate ia kishin arritur qëllimit të tyre për të izoluar Forcat Japoneze në lindje të Guinesë së Re. Gjithashtu Aleatët kishin prerë rrugët kryesore të furnizimit të forcave armike. Më 8 shkurt, Aleatët e deklaruan Guadalcanal-in të sigurtë. Fill pas kësaj, Forcat Amerikane dhe Australiane ndërmorën fushatën e gjatë për rimarrjen e pjesëve të pushtuara të ishullit Solomon. Rezistenca do të ishte e ashpër edhe pse ishulli do të merrej plotësisht në vitin 1943.
Në nëntor, Flota Amerikane fitoi Betejën e Tarawa-s. Pavarësisht nga fitorja, Flota e ShBA do të pësonte humbje të shumta dhe kjo do të shkaktonte reagime të shumta në ShBA. Opinioni publik nuk mund të kuptonte gjithë këto humbje për një ishull të vogël dhe të parëndësishëm. Nga kjo situatë, Flota Amerikane do të përshtaste planin “Island hopping” (Shpresa e Ishullit). Ky plan synonte anash-kalimin e disa ishujve të fortifikuar japonezë dhe përqendrimin e trupave të kufizuara të aleatëve, në ato territore që mendoheshin se kishin rëndësi jetësore për luftën. Pra qëllimi i thjeshtë ishte ndërprerja e furnizimeve të këtyre vëndeve të fortifikuar, duke e detyruar armikun të “dilte vetë nga loja”. Mbas marrjes së ishujve kryesorë, Amerika shpresonte të sulmonte dhe të mposhte me lehtësi ato vende që do mund t’i kushtonin shumë në se sulmoheshin për momentin. Një plan i tillë rezultoi me sukses për flotën Amerikane. Flota e ShBA-së e bëri të mundur këtë plan me anë të nëndetëseve që shërbenin për të prerë linjat e furnizimeve të këtyre vendeve armike.
Lufta Japoneze dhe Azia Juglindore
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Beteja e Çangade në Kinë do të konsiderohej si Stalingradi i Azisë. Gjithçka filloi me sulmin e japonezëve ndaj provincës Hunan më 2 nëntor të 1943. Askush nuk do të tregonte supremaci në këtë betejë. Beteja e Çangde-së do të ndryshonte herë në favor të Ushtrisë Kineze dhe herë në favor të Ushtrisë Japoneze edhe pse si përfundim, qyteti mbeti në duar të forcave kineze. Ushtria Kineze ndoqi një strategji defensive. Ata shpresonin për një kundër-ofensivë të Aleatëve ndërkohë që vetë organizoheshin për të ndërtuar një ushtri më të fuqishme. Për këtë betejë nga ana japoneze ishin mobilizuar 100 000 trupa.
Në të vërtetë Ushtria Kineze ishte e ndarë në dy ushtri. Njëra ushtri ishte Ushtria Nacionaliste Kineze Kuomintang nën urdhërat e Çiang Kai-shek dhe Ushtria Komuniste e Kinës nën urdhërat e Mao Cedunit. Të dy këto ushtri ishin kundra sundimit japonez, por duke qenë se ndanin ideale të ndryshme, nuk morën kurrë mundimin të bashkoheshin bashkë. Kuptohet që kishte bashkëpunim por ky bashkëpunim ishte i dobët dhe jo i mirëfilltë. Konfliktet midis nacionalistëve dhe komunistëve kishin filluar përpara se lufta të fillonte dhe do të vazhdonte edhe pas luftës.
Japonezët do të kapnin një pjesë të gjerë të Burmës dhe detyrimisht do të bllokonin Rrugën e Burmës që i shërbente Aleatëve për të furnizuar Ushtrinë Nacionaliste Kineze. Kjo detyroi Aleatët që të krijonin një rrugë të gjatë e të mundimshme transporti nga India. Kjo ishte arsye që trupat kineze, pas një tërheqje strategjike, do të furnizoheshin përsëri me armatime dhe nën komandën e Gjeneralit Joseph Stilwell, do të përpiqeshin të “hapnin” Rrugën Ledo, duke u përpjekur të zëvendësojnë rrugën e Burmës. Por kjo do të kërkonte përdorimin e shumë mekanizmave teknologjike dhe një punë inxhinierike të mirë.
Këto do të ishin ngjarjet e fundit që do të përcillnin 1943-shin.
I Gjithë Globi në Luftë: 1944
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Ushtria e Kuqe Përsëri në Ofensivë
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Në veri-perëndim ofensiva e Sovjetikëve në janar të 1944-ës i kishte dhënë fund rrethimit të Stalingradit. Gjermanët do të tërhiqeshin me kujdes nga Leningradi. Tashmë vija e Trupave Gjermane do të ngushtohej dhe një vijë mbrojtëse do të formohej në liqenet e jugut. Në jug, në mars dy njësi sovjetike do të rrethonin Ushtrinë e Parë të Panzerave të drejtuar nga Generaloberst Hans-Valentin Hube, pak në veri të lumit Dniestr. Gjermanët i mbathën nga kurthi ku e kishin mbërthyer veten vetëm në muajin prill. Nga kjo tërheqje shumë nga trupat gjermane do të shpëtonin, por gjermanët do të lenin mbrapa shumë makineri të rënda lufte dhe armatime. Në fillimet e majit, Njësia Ushtarake 3 e Ukrainës si pjesë e Ushtrisë së Kuqe, do angazhohej kundra Njësisë Ushtarake 17 Gjermane. Njësia 17 ishte lënë mbrapa që kur se Trupat Gjermane ishin tërhequr nga Ukraina. Beteja ishte padyshim një fitore e Ushtrisë së Kuqe. Vetëm gjatë përpjekjes për arratisje përmes Detit të Zi, do të humbnin jetën 250 000 trupa gjermane dhe rumune.
Gjatë prillit, Ushtria e Kuqe do të sulmonte vazhdimisht pranë qytetit të Iashi në Rumani. Sovjetikët shpresonin në këtë mënyrë, kapjen e territoreve strategjike. Megjithatë trupat gjermane dhe rumune do të mbronin pozicionin e tyre me sukses dhe në fund të prillit territoret e rëndësishme për sovjetikët mbetën në duar të gjermanëve. Sulmi në Târgul Frumos ishte përpjekja e fundit e forcave sovjetike për të arritur qëllimin e tyre. Me marrjen e atyre territoreve, sovjetikët synonin përgatitjen e ofensivës gjatë verës. Një vënd i përshtatshëm ky për t’u futur në Rumani.
Me avancimin e Forcave të Ushtrisë së Kuqe, Trupat Gjermane do të pushtonin Hungarinë. Pushtimi i Hungarisë u bë i mundur më 20 mars të 1943 dhe kjo u bë me arsyen se Adolf Hitleri nuk besonte se udhëheqësi i Hungarisë, Admirali Miklós Horthy do të qëndronte besnik për shumë kohë. Ndërkohë në shkurt, Finlanda u përpoq të vendoste një lidhje paqeje me Sovjetikët. Marrëveshja për paqe kishte disa kushte që Finlanda nuk dëshironte t’i pranonte. Pra do të lindnin kontradikta midis Moskës dhe Finlandës. Por kur më 9.6.1944 Ushtria e Kuqe do të ndërmerrte një ofensivë kundra kësaj të fundit, Finlandia do e pranonte marrëveshjen pa kushte.
Bombardimet Ajrore mbi Gjermani
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Artikulli kryesor: Beteja e Berlinit (Bombardimet Ajrore)
Në muajin e gjashtë të 1944, gjermanët do të përdornin raketën e parë të tipit kruiser kundra Anglisë. Kjo raketë u pagëzua nga Britanikët si “V-1 flying bomb” (Bomba Fluturuese V-1), e cila do të ndiqej nga “V-2 rocket” (Rraketa V-2). Kjo e fundit (gjithashtu e përdorur për herë të parë në luftë), ishte një raketë e mbushur me lëndë plasëse dhe mund të komandohej në distancë.
Britanikët u gjendën të papërgatitur ndaj këtyre raketave të reja, që për kohën zotonin një teknologji të nivelit të lartë. Megjithatë Forcat Ajrore të ShBA-së, Britanisë dhe Kanadasë, do të sulmonin rëndë Luftwaffe-in (Forcat Ajrore Gjermane). Kështu bombardimet ajrore masive do të fillonin. Këto bombardime zakonisht kishin për synim qytetet e mëdha në brendësi të Gjermanisë. Kjo nismë u mor nga komandanti në detyrë Marshall Herris (Air Chief Marshall Harris), që më pas do të merrte edhe nofkën “Bomber Haris”. Çërçilli do të urdhëronte “bombardimet e terrorit”, që synonin bombardime masive të tilla, sa që qyteti të mund të bëhej rrafsh me tokën. Në këtë mënyrë, fabrikat gjermane do të shkatërroheshin krejtësisht dhe punëtorët gjerman do të mbesnin pa strehë gjithashtu. Bombardimet masive zakonisht përfshinin angazhimin e 600 deri në 1000 bombarduesish të rëndë. Zakonisht objektivat ishin qendra të industrializuara, baza nëndetësesh, rrugë hekurudhore si edhe depozitat e naftës, edhe pse nga fundi i bombardimeve, njësitë që lëshonin Bomba Fluturuese V-1 dhe Raketa V-2 do të bëheshin objektive primare, pasi ata shkaktonin shumë dëme mbi Britani. Një gjë e tillë ishte shumë për Luftwaffe-n. Forcave Ajrore Gjermane nuk i kishin mbetur më shumë se disa avionë që nuk mund të bënin shumë përpara një force të tillë ajrore si ajo e aleatëve.
Duke mos dashur të dalim nga 1944, e rëndësishme është të themi se deri në 1945, që kur se këto bombardime kishin filluar, të gjithë qytetet e mëdha të Gjermanisë ishin kthyer në gërmadha.
Një sy mbi Italinë dhe Ballkanin
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Me kapitullimin e Italisë, Trupat gjermane morën në dorë situatën dhe Linja Gustav do të formohej në pjesën jugore të Maleve Apenine (në jug të Romës). Aleatët nuk mundën ta thyenin këtë linjë dhe menduan se një zbarkim detar në Anzio do të ishte më e logjikshme. Zbarkimi u bë i mundur më 22 janar 1944 dhe operacioni u quajt Operacioni Shingle. Ky veprim nuk dha rezultatet e pritura pasi njësitë ushtarake në këtë zonë u rrethuan me shpejtësi nga gjermanët.
Të pa aftë të bëjnë shumë kundra Linjës së Gustavit me dështimin e operacionit Shingle, Aleatët vendosën ta thyenin këtë linjë me sulme qendrore. Më 15 shkurt manastiri i Monte Kassino (një manastir ky shumë i vjetër), u shkatërrua nga bombarduesit B-17 dhe B-26, pasi mendohej se godina po përdorej nga Trupat Gjermane për vendosje artilerie. Dy ditë pas bombardimeve, trupat parashutiste gjermane u dyndën në gërmadhat e ndërtesës për ta mbrojtur. Në luftë e sipër për këtë territor, pas plot katër bombardimesh nga ana e aleatve, aleatët do të humbnin 54 000 trupa ndërsa gjermanët 20 000 trupa.
Vetëm mbas shumë muajsh, Linja e Gustavit do të binte dhe Aleatët patën mundësi të marshonin për në veri. Më 4.6.1944, Roma do të çlirohej nga Aleatët, që më pas në gusht do të arrinin deri në Florencë. Më pas ata do të ndalonin përsëri në dimër dhe një linjë tjetër do të formohej. Kjo linjë u njoh me emrin Linja e Gotikës.
Ndërkohë Gjermania u tërhoq nga Ballkani, edhe pse Hungaria u mbajt e pushtuar deri në shkurt të 1945-ës. Rumania u kthye kundra Gjermanisë në gusht të 1944, duke kërcënuar linjat gjermane me Ukrainën, që ishte e vetmja rrugë tërheqjeje e trupave gjermane në atë territor. Bullgaria do të dorëzohej në shtator.
Rreth Revoltës Polake
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Sovjetikët avanconin dhe lëshonin vazhdimisht ofensiva të rënda kundra ushtrisë gjermane. Më 22.6.1944, Operacioni Bagration ishte një ofensivë që përfshinte rreth 2.5 milion njerëz dhe rreth 6000 tanke. Qëllimi i Operacionit Bagration ishte pastrimi i qytetit Belarus nga trupat gjermane. Beteja do të ishte një sukses për sovjetikët dhe disfatë për gjermanët. Batalioni Gjerman Qendror u shkatërrua nën furinë e tankeve dhe Wehrmacht (ushtria gjermane) humbi 800 000 trupa, duke pësuar kështu goditjen më të rëndë në historinë e saj. Sovjetikët do të avanconin më tutje dhe më 31 korrik do të ishin në dyert e Varshavës.
Avancimi i Ushtrisë së kuqe i bëri Polakët të merrnin shpresë se shumë shpejt ata do të çliroheshin. Në Varshavë revoltat do të fillonin dhe me 1 gusht të 1944, një nga operacionet më të gjerë të kohës do të fillonte. Me Operacionin Furtuna, Rreth 40 000 luftëtarë të rezistencës Polake morën në dorë qytetin. Megjithatë Ushtria e Kuqe nuk do të avanconte më tepër dhe ndihma e vetme që do të merrnin polakët nga sovjetikët, ishte artileri e rëndë. Ndërkohë trupat gjermane do të organizoheshin. Ata lëvizën në brendësi të qytetit me qëllim që të shuanin revoltën. Revolta mbaroi më 2 tetor 1944, me trupat gjermane fitimtare. Këta të fundit shkatërruan edhe atë pjesë që kishte mbetur nga qyteti i Varshavës.
D-Day - Zbarkimi i Aleatëve në Normandi
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]6.6.1944, D-Day (shqiptimi Di Dei – Dita D). Trupat Aleate të përbëra kryesisht nga ushtarë amerikanë, britanikë dhe kanadez, do të sulmonin Normandinë që ishte nën pushtimin e Gjermanisë Naziste. Rezistenca gjermane ishte e fortë dhe e mirë pozicionuar, sidomos në plazhin Omaha dhe qytetin e Caen (Kaen). Në muajin e parë, Aleatët do të fitonin terren. Luftime të ashpra do të ndodhnin në këto toka me pyje të dendur dhe fusha të gjera që pikërisht për këtë faunë do të merrnin emrin luftimet Bocage (fjalë në frëngjisht). Por në të vërtetë Aleatët hovin do ta merrnin vetëm gjatë Operacionit Kobra në Saint-Lô, një qytet në veri të Francës.
Gjatë gushtit, Armata e Shtatë Gjermane dhe Armata e Pestë e Panzerave ishin rrethuar gati krejtësisht në Falaise. 50 000 ushtarë u zunë rob por një pjesë e mirë e ushtrisë, arriti të dalë nga rrethimi dhe të iki. Forcat aleate që vepronin në Itali u detyruan të pushtonin Rivierën Franceze dhe më 15 gusht, bënë të mundur lidhjen me trupat në Normandi.
Më 19 gusht, Rezistenca Franceze në Paris, ngriti krye kundra pushtuesve gjerman. Njësia Franceze nën komandën e Gjeneralit Jacques Leclerc, që erdhi në qytet drejt e nga Normandia, mori deklaratën e dorëzimit të forcave gjermane atje dhe kështu më 25 gusht, Parisi më në fund ishte çliruar.
Ofensiva Gjermane dhe Kundër-ofensiva e Aleatëve
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Në dhjetor, ushtria gjermane do të lëshonte ofensivën e fundit në frontin perëndimor. Kjo ofensivë, që ishte angazhimi i fundit gjerman në luftë do të njihej me emrin Beteja e Bulge. Hitleri shpresonte se duke përdorur teknikat luftarake si ajo që ishte përdorur gjatë Ofensivës së Ardenes në 1940 ku ushtria gjermane kishte fituar betejën në mënyrë të shkëlqyeshme, Aleatët do të tërhiqeshin deri diku. Në këtë mënyrë sipas Hitlerit trupat Aleate do të binin dakord për negociata paqeje. Në fillimet e kësaj beteje, gjermanët korrën sukses. Ky sukses erdhi si pasojë e kapjes së trupave Aleate në mënyrë të papërgatitur. Grupi ushtarak i panzerave gjerman Kampfgruppe Peiper të drejtuara nga Jochen Peiper do të shkonte shumë larg. Avancimi i këtyre trupave në linjat e trupave amerikane, u quajt Beteja e Bulge (fjala “Bulge” merr kuptimin e “Avantazh”).
Moti i keq favorizoi këtë ofensivë duke i dhënë për momentin avantazh trupave gjermane pasi trupat e aviacionit të Aleatëve, nuk mund të përdoreshin. Megjithatë rezistenca e trupave amerikane në Saint Vith do të ishte e fortë dhe e vendosur për të mbajtur pozicionet e tyre. Marshimi i trupave gjermane do të ndalonte shpejt. Ushtria e Tretë e ShBA-së me gjeneralin George Patton në krye, do të merrte në dorë situatën. Rreziku gjerman do të shuhej dhe falë kundërsulmeve të ndryshme të trupave ushtarake të ShBA-së, një pjesë e mirë e divizioneve gjermane do të zihej ngushtë. Trupat e mbetura gjermane do të detyroheshin të tërhiqeshin në Gjermani. Këto beteja konsiderohen si nga betejat më të përgjakshme të trupave amerikane në frontin e perëndimit.
Lufta Sino-Japoneze dhe Azia Juglindore
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Në prillin e 1944, japonezët do të lëshonin sulmin e njohur me emrin Operacioni Ichigo. Kjo u bë për të siguruar territoret hekurudhore përmes territoreve të pushtuara nga Japonia, dhe pjesës verilindore të Kinës, Koresë dhe Azisë Juglindore. Në këtë mënyrë ata shpresonin se do mund të shkatërronin bazat ajrore të ShBA-së që ndodheshin në atë territor. Në muajin e gjashtë të po atij viti, japonezët mobilizuan 360 000 trupa dhe pushtuan Çangasha-n për herë të katërt. Ky kishte qenë numri më i madh i përdorur nga forcat japoneze gjatë të gjithë luftës Sino-Japoneze. Numri i madh i ushtarëve do të jepte efektet e veta dhe mbas 47 ditë luftimesh të përgjakshme, qyteti do të binte në duar të forcave japoneze. Deri në nëntorë, japonezët kishin marrë gjithashtu qytetin e Guilin dhe Liuzhou, të cilët kishin shërbyer si baza të avjacionit amerikan për të bombarduar Japoninë. Megjithatë, me sa dukej japonezët ishin larg nga ndalimi i trupave ajrore amerikane, sepse amerikanët mund të bombardonin sërish Japoninë me anë të bazave ajrore që dukej se i shtinin në dorë shumë shpejtë. Këto baza mbinin si kërpudhat mbas shiut, gjithmonë të palodhura për të bombarduar qytetet e armikut të tyre. Në dhjetor, forcat japoneze arritën French Indochina (firma e naftës në duar të holandezëve në territorin e Indonezisë), dhe arritën të përmbushnin objektivin e tyre për të shtënë dorë mbi floririn e zi (pra naftën), edhe pse kjo i kushtoi atyre shumë. Japonia nuk mund të kënaqej me një fitore si ajo e Pirros.
Ndërkohë në Azinë Juglindore, Amerikanët do të kishin përfunduar rrugën Ledo (Ledo Road), që lidhte më në fund Indinë dhe Kinën me qëllim furnizime ushtarake. Kjo do të shtynte forcat japoneze dhe në mars të 1944-ës do të vendosnin të sulmonin Indinë. Ky marshim në kryeqytetin e Indisë, nuk do të ishte një shëtitje në park për trupat japoneze, sepse në Indi, trupat britanike në aleancë me ato indiane do të kundërshtonin rëndë këtë "marshim". Trupat japoneze u përpoqën të shkatërronin trupat britanike dhe indiane në Imfal (Imphal). Luftimet që u zhvilluan ishin të ashpra. Japonezët do të merrnin hov në fillimet e luftimeve. Trupat aleate, pavarësisht se ndodheshin të rrethuara, furnizoheshin vazhdimisht nga qelli me ushqime dhe armatime, deri sa trupat e freskëta të aleatëve do të vinin aty dhe do të thyenin rrethimin e trupave japoneze me lehtësi, pasi kësaj radhe trupat luftuese japoneze ishin të sfilitura nga luftimet e vazhdueshme dhe pa furnizime. Japonezët u tërhoqën mbrapsht duke lënë pas rreth 85 000 të vdekur nga radhët e tyre. Një nga disfatat më të mëdha të trupave japoneze në luftën e madhe të Azisë.
I Gjithë Globi në Luftë: 1945
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Ofensiva e Madhe e Sovjetikëve; 60 KM larg Berlinit
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Më 12 janar të 1945, Ushtria e Kuqe dukej se ishte gati për ofensivën e radhës. Trupat e Konevit, të pozicionuara afër lumit të Vistulës, sulmuan trupat gjermane në territorin jugor të Polonisë duke u zgjeruar më tej dhe duke u afruar në Sandomierz. Më 14 janar, Trupat e Rokosovskit do të sulmonin nga lumi Narev, në veri të Varshavës. Ata thyen me sukses trupat mbrojtëse gjermane përgjegjëse për Prusinë Lindore (emri i një territori që nuk egziston më nën kufirin e Gjermanisë). Trupat e Gjeneralit Zhukov, do të sulmonin në qendër nga territori i tyre afër Varshavës. Fronti gjerman, u rrënua krejtësisht nga kjo ofensivë e madhe e Ushtrisë së Kuqe.
Më 17 janar 1945, Zhukovi hyri në Varshavë dhe vetëm dy ditë më vonë, trupat e tankeve ruse nën komandën e këtij të fundit, do të shtinin në dorë edhe qytetin e Lodz. Në po të njëjtën ditë, trupat e Konevit arritën më në fund kufijtë që Gjermania kishte pasur përpara luftës. Në fundin e javës të kësaj ofensive të madhe, sovjetikët kishin bërë përpara 160 kilometra në frontin gjerman me një gjerësi të madhe veprimi prej 650 kilometrash. Më 13 shkurt të po atij viti, sovjetikët shtinë në dorë Budapestin. Në eufori e sipër, në fund të muajit ushtria e kuqe do të marshonte deri në lumin Oder, duke lënë vetëm një distancë prej 60 kilometrash nga Berlini. 60 kilometra ishin gjithçka që ndanin sovjetikët nga fitorja përfundimtare.
Ofensiva e Dimrit, Aleatët në sulm
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Më 14 janar 1945, Trupat Luftuese XII Corps (ose Njësia e Dytë Ushtarake Britanike), do të lëshonin Operacionin Blackcock. Operacioni me karakter ofensivë, kishte si synim pastrimin e Trekëndëshit të Roer. Ky trekëndësh nuk ishte asgjë tjetër më shumë se një territor strategjik në duart e trupave gjermane, i vendosur midis rivierës Maas dhe Roer, në jug të Roermond. deri me datë 27 të po atij muaji, trupat gjermane do të shtyheshin thellë në lindjen e Roer.
Konferenca e Jaltës dhe Konferenca e Potsdam
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Artikulli kryesor: Konferenca e Jaltës
- Artikulli kryesor: Konferenca e Potsdamit
Më në fund Gjermania ndodhej në fijen e perit, dhe udhëheqësit e mëdhenj të ShBA-së, Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Sovjetik vendosën të takoheshin në Jaltë. Konferenca e Jaltës përfshiu presidentin e ShBA, Ruzvelt, liderin e pa diskutueshëm të Bashkimit Sovjetik, Josif Stalin dhe Ministrin e Parë (ose më saktë kryeministrin) e Britanisë së Madhe Uinston Çërçill. Konferenca filloi më 4 shkurt të 1945 dhe zgjati 7 ditë, deri në 11 shkurt. Në këtë konferencë u trajtuan shumë tema ku më të rëndësishmet ishin:
- Në prill të 1945 vendet fituese do të rimblidheshin përsëri për të formuar Kombet e Bashkuara.
- Polonia do të kishte zgjedhje të lira, pa presione nga sovjetikët.
- Vendet satelite të Bashkimit Sovjetik do të reformoheshin dhe do të merrnin ndihmë me qëllim restaurimin e tyre.
- Sovjetikët do të sulmonin trupat e mbetura japoneze në Kinë, tre muaj mbas kapitullimit të Gjermanisë Naziste.
- Kufijtë e Polonisë do të zhvendoseshin nën kurrizin e territorit të Gjermanisë. Gjermania do të humbiste shumë toka dhe Rusia do të përfitonte gjithashtu. Edhe mbas aprovimit për shkatërrimin e Murit të Berlinit, Rusia mbajti të njëjtin qëndrim duke deklaruar se nuk do të kishte ndryshime kufijsh.
- Si temë dytësore në këto diskutime, janë për t’u theksuar diskutimet në lidhje me detin e Mesdheut dhe hapjen e gjireve për flotën Ruse për qëllime tregtare dhe luftarake në territoret që kishin rëndësi për të. Kjo prekte kryesisht territoret e Turqisë.
Këto ishin disa nga pikat me rëndësi që do të trajtoheshin në konferencën e Jaltës. Më vonë, më 17 korrik, një tjetër konferencë do të zhvillohej midis fuqive të mëdha. Kjo konferencë do të zhvillohej në Potsdam, jashtë qytetit të Berlinit dhe do të zgjaste deri më 2 gusht të po atij viti. Në këtë konferencë, aleatët do të binin dakord për ndarjen e territorit të Gjermanisë. Kjo e fundit do të ndahej në katër territore, që do të kontrolloheshin nga Britanikët, Amerikanët, Francezët dhe Sovjetikët. Gjithashtu, ShBA dhe Britania e Madhe, do të ndryshonte qëndrim ndaj Sovjetikëve duke u tërhequr nga disa pika që ata kishin pranuar në konferencën e Jaltës, edhe pse kjo nuk shkaktoi ndonjë problem ose ndonjë ndodhi të padëshirueshme. Në Konferencën e Potsdamit do të parashtrohej gjithashtu edhe një ultimatum ndaj Japonisë. Nga kjo e fundit kërkohej dorëzimi i menjëhershëm dhe tërheqja nga territoret e Kinës. Në se ajo nuk do vepronte sipas ultimatumit, kjo do të kishte shumë pasoja të rënda për Japoninë.
Beteja për Berlinin
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Ushtria e Kuqe kishte mbërritur në Berlin edhe pse marrja e këtij të fundi do të rezultonte një fushatë shumë lodhëse dhe me humbje si për sovjetikët ashtu edhe për gjermanët. Sulmi ndaj Berlinit nga ana e sovjetikëve, do të fillonte më 16 prill. Më 24 prill, tre grupe ushtarake do të rrethonin qytetin. Asgjë nuk mund të futej ose të dilte më nga kryeqyteti Gjerman. Atëherë, Hitleri, si një ndërmarrje e mjerueshme do të bënte thirrje për ndihmë te civilët. Duke rekrutuar adoleshentë dhe persona të moshuar, milicia Volkssturm (që në shqip do të merrte kuptimin “Stuhia e Popullit”), do të formohej për të luftuar kundra një ushtrie me përvojë si ajo e sovjetikëve. Milicia do të kishte edhe mbështetjen e atyre veteranëve që kishin luftuar edhe më parë.
Beteja mori pamjen më të egër të saj dhe Berlini do binte shtëpi mbi shtëpi dhe lagje mbi lagje. Nga luftimet në Berlin, pala e sovjetikëve do të kishte 305 000 të humbur, ndërsa nga ana gjermane do të kishte 325 000 të vdekur. Hitleri dhe do të fshihej në bunkerin e tij nga ku mendohet se dilte shumë radhë (kjo përfshinë edhe filmimet e dekorimit të fëmijëve nga ana e Hitlerit që mendohet se janë xhiruar afër bunkerit ku strehohej). Më 30 prill të vitit të fundit të luftës, ai do të kryente vetëvrasje për mos të rënë në duart e sovjetikëve; gruaja e tij Eva Braun gjithashtu do të kryente vetëvrasje.
Aleatët në Perëndim
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Vonë në janar, aleatët do të rifillonin marshimin e tyre në Gjermani. Pengesa e fundit që i ndante aleatët nga Gjermania, ishte lumi Rajn. Por edhe ky i fundit do të kalohej në mars të 1945-ës. Kalimi u bë i mundur vetëm pas kapjes së urës së Ludendorf në Remagen. Pasi aleatët kaluan Rajnin, britanikët do të shkonin në veri-lindje drejt Hamburgut, duke kaluar lumin Elbe për të lëvizur më tutje drejt Danimarkës dhe Detit Baltik. Njësia ushtarake e nëntë e amerikanëve do të drejtohej për nga jugu, ndërsa njësia ushtarake e parë amerikane do të drejtohej për nga veriu. Këto njësi ushtarake drejtoheshin nga gjenerali në fuqi Omar Bredli. Ky i fundit kishte nën komandë një numër të konsiderueshëm ushtarësh. Më 4 prill, rrethimi i Grupit B të trupave gjermane u bë i mundur. Gjermanët u izoluan bukur në xhepin e Ruhrit ku 300 000 prej tyre do të dorëzoheshin, duke u shpallur si të burgosur lufte. Aleatët atëherë (njësia ushtarake e nëntë e amerikanëve dhe njësia ushtarake e parë amerikane) do të drejtoheshin nga lindja. Ata do të ndalonin në Elbe, dhe në muajin prill aleatët perëndimorë do të përplaseshin me aleatët e tyre lindorë, sovjetikët.
Mbase kjo është arsyeja që shumë historianë e pranojnë idenë se aleatët perëndimorë në të vërtetë po dyndeshin mbi Gjermaninë thjeshtë për të ndalur një rrezik sovjetik. Në librin e gjeneralit Zhukov (volumi i dytë i botuar edhe në shqip), Zhukovi hedh një mendim se me atë ritëm, Ushtria e Kuqe mund të kalonte në dorë të gjithë Evropën që nuk mbahej më në këmbë. Megjithatë, gjithmonë sipas librit, Zhukovi shprehet se Stalini kishte plane të tjera. Kuptohet që këto janë mendime që debatohen edhe sot e kësaj dite.
Kapitullimi
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Gjermania
Admirali Karl Dënic do të bëhej kryetari dhe udhëheqësi i Gjermanisë pas vetëvrasjes së Adolf Hitlerit. Tashmë ishte e qartë që lufta ishte e humbur. Trupat gjermane dorëzuan Berlinin në duart e sovjetikëve më 2 maj 1945.
Forcat gjermane akoma vepruese në Itali do të dorëzoheshin te aleatët perëndimorë, në po të njëjtën datë. Dy ditë më vonë, trupat ushtarake gjermane në Danimarkë dhe Holandë do të vepronin në të njëjtën mënyrë. Kapitullimi i forcave gjermane në Itali do të ishte i diskutueshëm. Sovjetikët do të akuzonin Britaninë e Madhe dhe ShBA-të, pasi këta të fundit (gjithmonë sipas sovjetikëve), në mars të 1945-ës, me anë të "Operacionit Lindja e Diellit" (Operation Sunrise), në mënyrë sekrete po bënin marrëveshje paqeje me Gjermaninë. Ndërsa komandanti i trupave gjermane në Rheims të Francës, do të dorëzohej më 7 maj. Dorëzimi i tyre do të ndiqej nga festimi i "Ditës V-E" më 8 maj nga aleatët perëndimorë.
9 maji do të ishte dita e festimeve të fitores së sovjetikëve, edhe pse në të vërtetë grupe ushtarësh gjerman ë do të vazhdonin akoma luftën për t'u dorëzuar përfundimisht më 12 maj. Komandanti në terren i Ushtrisë së Kuqe, Georgi K. Zhukov do të parakalonte i hipur mbi kalë së bashku me Rokosovskin në "Sheshin e Kuq" më 24.06.1945 si shenjë e mposhtjes përfundimtare të regjimit nazist.
- Japonia
- Artikulli kryesor: Hedhja e Bombës Atomike në Hiroshima dhe Nagasaki
Presidenti Rusvelt ishte larguar nga lufta me kohë duke i lënë vend presidentit të ri Truman. Harry S. Truman (Herri Truman) me leje të kongresit të ShBA, vendosi të përdorte një bombë atomike kundra Japonisë që vazhdonte akoma luftimet e vetme kundra të gjithëve. Një simulim i betejës së Okinavas, pra luftimi i trupave japoneze në tokën e tyre, përfundoi negativ. Mendimi i një Normandie tjetër i frikësonte amerikanët. Simulimi i betejës jepte një shifër tmerruese humbjesh nga radhët e ushtrisë së ShBA-së. Gjithashtu, një betejë mësymëse në tokat e Japonisë, mendohej se do të bënte kërdinë mbi civilët japonezë gjithashtu. Më 6 gusht 1945, bombarduesi B-29 Superfortress, e emëruar si Enola Gay, do të hidhte bombën atomike të emëruar "Little Boy" (Djali i vogël) mbi Hiroshimën. Qyteti u shkatërrua krejtësisht nga shpërthimi i bombës. Tre ditë më vonë, më 9 gusht 1945, bombarduesi B-29 i emëruar Bockscar do të lëshonte mbi Nagasaki bombën e dytë atomike të emëruar Fat Man (Burri i majmë). Kjo pati pasoja shkatërruese për Japoninë e cila do të dorëzohej shumë shpejt. Gjithashtu, sovjetikët do të sulmonin trupat japoneze në Mançukuo, duke i'u përmbajtur kështu fjalës së tyre dhënë në konferencën e Jaltës.
Ajo do të dorëzohej më 14 gusht 1945 mbas një deklarate në të gjitha radiot nga perandori Hirohito. E njohur si V-J nga Amerikanët, kjo datë do të pasohej nga data zyrtare e 2 shtatorit. Trupat japoneze të mbetura në Kinë, u dorëzuan te trupat kineze jo në mënyrë zyrtare më 9 shtator 1945. Lufta e Globit kishte përfunduar.
Humbjet e Luftës
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Artikulli kryesor: Humbjet në Luftën e Dytë Botërore
Bota do të dilte e shkatërruar nga Lufta e Dytë Botërore. Mendohet se gjatë viteve të luftës, rreth 62 000 000 në mos më shumë njerëz do të humbnin jetën, duke përfshirë edhe civilë. Ky numër është i barabartë me 2.5% të popullsisë së globit (në kohën e luftës). Nga këto humbje, mendohet se 12 000 000 persona kanë humbur jetën vetëm gjatë holokaustit. Në një skemë të thjeshtë, aleatët do të kishin humbjet më të mëdha. Aleatët patën 80% të humbjeve dhe Forcat e Boshtit do të kishin 20%-shin tjetër. Civilët do të kishin qenë ata që do të vuanin më shumë nga lufta. Shumë civilë do të humbnin jetën si pasojë e sëmundjeve, urisë, gjenocidit, dhe eksperimenteve ushtarake të kryera kryesisht nga forcat e boshtit. Në ditët e sotme e vetmja gjë që mund të bëhet është mos harrimi i dëshmorëve dhe të rënëvë të luftës duke shpresuar se një luftë e tillë nuk do të përfshijë më njerëzimin. Më poshtë paraqitet një listë e shifrave të të humburve ushtarakë në Luftën e Dytë Botërore:
- Australia — 40 400
- Belgjika — 12 100
- Brazili — 1 000
- Japonia — 2 000 000
- Italia — 306 400
- Zelanda e Re — 11 900
- Bashkimi Sovjetik — 10 700 000
- ShBA — 407 300
- Britania e Madhe — 382 600
- Franca — 212 000
- Gjermania — 5 500 000
- Shqipëria — 28 000
- Kanadaja — 45 300
- Greqia — 20 000
- Kina — 3 000 000
- Totali në të gjithë botën — 24 456 700
Referimet
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Referime Baze:
- World History - Patterns of Civilization nga Marian Nelson (University of Nebraska, Onaha, Shteti i Nebraskes). fq 586 - 640. ISBN 0-13-967886-7
Referime te tjera:
- World History - Patterns of Civilization, fq. 517 - Duke modernizuar Japonine.
- "World War II". The Columbia Encyclopedia (6th). (2007). Data 2008-03-10 marre nga arkivat.
- Hakim, Joy (1995) Nje Histori e Jona: Lufte, Paqe dhe Xhaz) New York: Oxford University Press. ISBN 0-19-509514-6.
- http://www.history.navy.mil/photos/events/wwii-dpl/hd-state/potsdam.htm Arkivuar 19 dhjetor 2014 tek Wayback Machine - Konferenca e Potsdam
- Shaw, Anthony. World War II Day by Day (Dite pas Dite), fq. 35
- Japonia ka testuar arme kimike mbi te burgosurit e luftes: Provat e reja. The Japan Times (2007-07-27). Marre ne daten 2007-06-10.
- Georgi Zhukov (Shtypshkronja Ushtarake, gusht 2005) - Kujtimet e Gjeneralit Zhukov, volumi i dyte i botuar ne shqip. ISBN ja nuk dihet, por mund te gjendet ne te gjitha biblotekat shteterore te RSH.
- Roger Ford - Armet Sekrete te Gjermanise - Lufta e Dyte Boterore - ISBN 0-7603-0847-0
- Yuki Tanaka - Krime te Fshehta, 1996, fq. 23.
- Myers, Ramon; Peattie, Mark. Perandoria Militariste Japoneze, 1895-1945, fq. 458
- http://www.un.org/aboutun/history.htm
Referime dytesore:
- "Historia e Shtetit dhe se Drejtes ne Shqipëri" - Aleks Luarasi, fq 388. ISBN 978-99943-756-6-0 (Libri flet kryesisht per institucionet e shtetit Shqiptar gjate periudhes se monarkise, por prek lehtasi edhe fillimet e ekspansionit Italian mbi vendin tone).
- "E Drejta Publike" - Luan Omari, perkufizime te partise Naziste. Informacione te tjera rreth aneksimit te Shqipërise nga Italia fashiste.
- "Dear Stalin" - Korrenspondenca personale e Winston Cherchill me Josif Stalinin.
- https://web.archive.org/web/20080423233822/http://www.spartacus.schoolnet.co.uk/2WWpotsdam.htm - Rreth Konferences se Potsdam (Burime jo zyrtare)
- Jakup Mato - "Misioni anglez ne Fterre", gazeta Fterra jone Nr 2 korrik 2001
Shiko edhe
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Lidhje të jashtme
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Databaza mbi Luftën Botrore II
- BBC History\Luftën Botrore II
- Informacion i hartuar nga vetë Gjermanët me komente dhe opinione për luftën dhe pasluftën
- Informacione ditore, publikuar nga Shteti Gjerman
- Historia sekrete e luftës