Surja en-Nebe`ë
Ky artikull është pjesë e koleksioneve: |
Islam |
---|
Suretu “En-Nebe’ë” ose “Amme” është kaptinë mekase, ka gjithsej 40 ajete dhe ka zbritur pas kaptinës l-Mearix. Në radhitjen e Kur'anit mban numrin rendor 78.
Transmetojnë Ibn Durejsi, Nuhasi, Ibn Merdevije dhe Bejhekiu nga Ibn Abbasi të ketë thënë: ‘Ka zbritur kaptina “Amme jetesaelune” në Mekë”. Ibn Merdevije transmeton të njëjtin transmetim edhe nga Ibn Zubejri.[1]
Emërtimi i kësaj sureje
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Kjo sure është emërtuar me këtë emrin “En-Nebe’ë”, sepse në të bëhet fjalë për një lajm shumë të rëndësishëm, e ai është momenti i kataklizmës - Kiameti dhe ringjallja.
Lidhshmëria
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Lidhmëria kuptimore e kaptinës “En Nebe’ë” me atë paraprake “El Murselat”
Si në mes çdo kaptine të Kur’anit që ekziston lidhmëria kuptimore, poashtu shohim se edhe në mes sures “En-Nebe’ë” dhe asaj paraprake “El-Murselat” ekziston një lidhmëri e mrekullueshme kuptimore, po edhe tematike.
Kaptina “El-Murselat” fillon me betimet e Allahut:
- “Betohem në (engjëjt ose erërat) që dërgohen njëri pas tjetrit (pandërprerë), betohem në ata që shfaqen si stuhia e rrëmbimshme (duke kryer urdhrat e Zotit), betohem në engjëjt që u është besuar sjellja e shpalljeve, dhe pastaj dallojnë qartë (të vërtetën nga e pavërteta), dhe që përcjellin këshillat (libra të Zotit, te pejgamberët), si arsyetim ose si vërejtje, s’ka dyshim se ajo që premtoheni (Dita e Gjykimit) gjithsesi ka për të ndodhur” (El Murselat 1-7),
betime këto që kishin të bënin me shenjat e Ditës së Gjykimit e të cilat idhujtarët i përgënjeshtronin.
Fundi i ajetit: “…s’ka dyshim se ajo që premtoheni (Dita e Gjykimit) gjithsesi ka për të ndodhur ” është përgjigje e betimeve të mëparshme të Allahut, se ajo ditë të cilën ju, mohues, po e përgënjeshtroni, patjetër do të vijë dhe do të jetë një realitet. Për t’ua sqaruar edhe më afër këtë realitet se si do të ndodhë, Allahu xh. sh. vazhdon më tutje të përmendë shenjat e kësaj ndodhie të madhe, në ajetet vijuese :
- “Kur yjet të shuhen (zymtohen), dhe kur qielli të hapet, dhe kur kodrat të copëtohen, dhe kur të dërguarve u është caktuar koha (për të dëshmuar). E për cilën ditë atyre u është caktuar koha ? Për Ditën e Gjykimit (kur drejtësia e Zotit ndan të mirën nga e keqja). E ku e di ti se çka është Dita e Gjykimit ? Atë ditë është mjerim për ata që përgënjeshtruan”. (El Murselat 8-15).
Duke u nisur nga tërë kjo, është plotësisht e arsyeshme dhe e logjikshme që kaptina që do të pasonte, në këtë rast ajo “En Nebe’ë”, të sqaronte se ç’është vërtet Dita e Gjykimit.
Nëse ndalemi dhe analizojmë ajetet 12-14 të kaptinës “El-Murselatë” :
- “E për cilën ditë atyre u është caktuar koha? Për Ditën e Gjykimit (kur drejtësia e Zotit ndan të mirën nga e keqja). E ku e di ti se çka është Dita e Gjykimit ?”, do të shohim se kurdo që Allahu xh.sh. ka cekur fjalën “Ve ma edrake”, menjëherë ka pasuar sqarimi prej të Plotfuqishmit se për se është fjala, në këtë rast në suren vijuese “En Nebe’ë” ka ardhur sqarimi se Dita e Gjykimit është një ndodhi e madhe, një lajm i madh e tronditës, dhe është një ditë e caktuar
- “S’ka dyshim se dita e gjykimit është caktuar. Është ditë që i fryhet Surit, e ju vini grupe-grupe”. (En Nebe’ë 17-18)
Ndërsa, sa herë që në Kur’an është përdorur kjo fjalë në trajtën e kohës së ardhme “Ve ma judrike”, atëherë ajo gjë nuk është sqaruar dhe ka mbetur enigmë ose një sekret prej sekreteve të Allahut.
Kaptina “Amme” ka lidhmëri tjetër stilistike në ajete me suren paraprake “El-Murselat”, siç e shohim edhe nga ajetet në vijim. P.sh. në suren “El-Murselat” ajetet 25-26, thuhet: “A nuk e bëmë Ne tokën që në gjirin e vet mban, të gjallë e të vdekur”, kurse në suren “En-Nebe’ë” ajeti 6, thuhet : “A nuk e bëmë Ne tokën të përshtatshme (për jetë)”.
Përmbajtje e shkurtër e kësaj kaptine
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Përgjithësisht, tematika e kësaj kaptine rikonfirmon besimin në ringjalljen pas vdekjes, që e kontestonin idhujtarët. Për ta përforcuar faktin se Kiameti vërtet dhe patjetër do të ndodhë, Allahu xh. sh. sjell argumente të pakontestueshme të fuqisë së Tij absolute, kur thuajse në formë pyetjeje sikur u drejtohet mohuesve të kësaj dite: Si nuk besoni në ringjalljen kur:
- “ A nuk e bëmë Ne tokën si shtrojë të përshtatshme (për jetë), dhe (a nuk i bëmë-ngulitëm) kodrat sikur shtylla (përforcuese në tokë)? (En-Nebe’ë, 6-7)
I Gjithëfuqishmi pas këtyre pyetjeve varg, që dëshmojnë në të njëjtën kohë se Ai është krijues, ricek ringjalljen dhe ditën e caktuar (Jevmul Fasl), ditën kur i fryhet Surit dhe kur çdo krijesë do të dalë para Madhërisë së Tij për të dhënë llogari.
Më pas në vazhdim të kësaj kaptine flitet për Xhehennemin si vendstrehim dhe vendqëndrim i pabesimtarëve, përshkruhen vuajtjet dhe mundimet që do t’i përjetojnë ata që mohuan urdhrat e Allahut, kurse në vazhdim flitet edhe për besimtarët e devotshëm, për të mirat dhe kënaqësitë që janë përgatitur për ta në Xhennet.
Kjo kaptinë përfundon me një skenë të tmerrshme e të llahtarshme të asaj dite të vështirë, kur femohuesit më tepër do të dëshironin të ishin pluhur (dhe), sesa të japin llogari për të gjitha ligësitë dhe të paudhat që punuan gjatë jetës së kësaj bote.
Komentim
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- عَمَّ يَتَسَاءَلُونَ عَنْ النَّبَإِ الْعَظِيم الَّذِي هُمْ فِيهِ مُخْتَلِفُون كَلاَّ سَيَعْلَمُونَ ثُمَّ كَلاَّ سَيَعْلَمُونَ
- Për çfarë e pyesin ata (mohuesit) njëri-tjetrin?
- Rreth lajmit të madh?
- Për të cilin ata kanë mendime të ndryshme (kundërthënie).
- Jo, (mos të pyesin) sepse ata sigurisht (një ditë) do ta kuptojnë!
- Dhe, gjithsesi (bindshëm) do ta kuptojnë (se ringjallja dhe Dita e Gjykimit janë realitet)!“ (En-Nebe’ë, 1-5)
Idhujtarët kurejshitë, të ballafaquar me një realitet krejtësisht të ri me paraqitjen e Muhamedit a.s., si i dërguar i Allahut, me një fe që për ta ishte risi, nga e cila shihnin rrezikun e zhvlerësimit të fesë së tyre pagane, stërgjyshore, nuk mund të imagjinonin se një njeri i rëndomtë e i thjeshtë nga mesi i tyre të mund të ishte i zgjedhur prej Allahut si i dërguar. Madje, ata kurrsesi të bindeshin se predikimet e Muhammedit a.s. për ringjalljen dhe jetën pas vdekjes, mund të ishin të vërteta, aq më parë kur kishin bindjen e paluhatshme se vetëm koha mund t’i shkatërronte, ashtu siç na i përshkruan edhe Kur’ani :
- “Ata (idhujtarët) thanë : Nuk ka tjetër, vetëm se kjo jeta jonë në këtë botë, po vdesim dhe po lindemi dhe asgjë nuk na shkatërron tjetër pos kohës. Ata për këtë nuk dinë asgjë, ata vetëm fantazojnë”. (El-Xhathije, 24)
dhe në ajetin tjetër:
- “Ata (idhujtarët) thanë: Nuk ka tjetër, vetëm kjo jeta jonë në këtë botë, dhe ne nuk do të ringjallemi“. (El-En’amë, 29)
Mu për këtë arsye Allahu xh.sh. si kundërpërgjigje ndaj pohimeve të tyre të mësipërme, për t’ua bërë të qartë se vdekja do t’i mbërrijë dhe se do të ringjallen zbriti këtë sure, e cila flet për lajmin e madh, për lajmin tronditës e të llahtarshëm të Ditës së Gjykimit.
Fjala “Nebe’ë”, edhe pse mund të përkthehet me fjalën “lajm”, ka një domethënie shumë më të gjerë, sepse nuk është fjala vetëm për një lajm të rëndomtë, por për një ngjarje të madhe, një ndodhi tronditëse, për një kumt të jashtëzakonshëm, pra fjala është për ringjalljen dhe Ditën e Gjykimit.
Në lidhje me natyrën e lajmit të madh e të rëndësishëm, të gjithë dijetarët pajtohen se ky lajm është “Ringjallja”, “Jeta pas vdekjes” ose “Dita e Gjykimit”. Këtë mendim e ndajnë mufessirët më të mëdhenj me në krye Taberiun, Vahidiun, Bejdaviun, Nesefiun, dhe shumë të tjerë, kurse Muxhahidi, Abdurrezak San’ani, Mukatili dhe Ferrau, mendojnë se fjala “Lajm i madh” ka të bëjë me vetë Kur’anin, i cili bart në vete lajme të jashtëzakonshme. Kur’ani është lajm i madh, sepse, sipas këtyre dijetarëve, idhujtarët e cilësuan atë si magji, poezi etj.
Është shumë e qartë se ata që kishin mospajtime mendimesh sa i përket këtij lajmi të madh, janë idhujtarët mekas, po edhe grupet e ndryshme të të krishterëve dhe të çifutëve. Përderisa idhujtarët mohonin kategorikisht jetën pas vdekjes, sepse mendonin se jetojnë e vdesin dhe nuk i shkatërron asgjë tjetër përveç kohës, grupet e ndryshme të Ehli Kitabit, mendonin se do të ketë vetëm ringjallje shpirtërore, por jo edhe fizike.
Prandaj si kundërpërgjigje ndaj këtyre kundërthënieve të palogjikshme të tyre, Allahu sjell kërcënimin e Tij hyjnor në ajetet 4 dhe 5 të po kësaj kaptine:
- كَلاَّ سَيَعْلَمُونَ ثُمَّ كَلاَّ سَيَعْلَمُونَ
- “Jo, (mos të pyesin) sepse ata sigurisht (një ditë) do ta kuptojnë, Dhe, gjithsesi (bindshëm) do ta kuptojnë (se ringjallja dhe Dita e Gjykimit janë realitet)”
Tefsirologët më eminentë gjatë komentimit të këtyre dy ajeteve, thonë se pjesëza “kel-la”, paraqet një kërcënim të hapur ndaj atyre që mohojnë ringjalljen dhe nuk besojnë në fuqinë e Allahut.
Madhështia e mrekullisë stilistike kuranore ripërsëritet në ajetin 5, ku ripërsëritet kërcënimi, por tash edhe më fuqishëm dhe më ashpër:
- ثُمَّ كلاَّ سَيَعْلَمُونَ
- “Dhe, gjithsesi (bindshëm) do ta kuptojnë (se ringjallja dhe Dita e Gjykimit janë realitet)“, që do të thotë se atë që ju, o pabesimtarë, e mohoni, do ta përjetoni patjetër.
Disa të tjerë mendojnë se ajeti i 4-t:
- “Jo,(mos të pyesin) sepse ata sigurisht (një ditë) do ta kuptojnë”, ka të bëjë me besimtarët që do ta kuptojnë se ajo që e besuan në lidhje me vdekjen dhe ringjalljen, vërtet u bë realitet, kurse ajeti i 5-të
- “Dhe, gjithsesi (bindshëm) do ta kuptojnë (se ringjallja dhe Dita e Gjykimit janë realitet)“, nënkupton pabesimtarët që e mohuan kategorikisht ringjalljen pas vdekjes, dhe ky moment do të jetë ballafaqimi më i hidhur i tyre me të vërtetën që e kundërshtuan haptazi.
Dijetari i mirënjohur bashkëkohor, Sha’raviu, në lidhje me ajetin e 4-të:
- “Jo, (mos të pyesin) sepse ata sigurisht (një ditë) do ta kuptojnë”, thotë
- “Të gjithë njerëzit, besimtarë ose pabesimtarë, në momentet e dorëzimit të shpirtit, pra para vdekjes, do të ndeshen me një botë tjetër të panjohur për ta, botë e cila deri atëherë ka qenë imagjinative, i shohin melaiket e Allahut, shohin vendin se ku do të qëndrojnë në jetën e Berzahut etj (jetën në varreza, një jetë në mes kësaj jete dhe ringjalljes në të cilën nuk mbretërojnë ligjet e kohës). Në lidhje me këtë, Allahu xh. sh. në Kur’an thotë :
- “(I thuhet) Ti ishe në një huti nga kjo (ditë) e Ne ta hoqëm perden (para syve tu) dhe tash ti sheh shumë mprehtë”. (Kaf, 22).
Do të thotë aty për aty njeriu kalon në një dimension të ri të jetës. Besimtarët e vërtetë, të qetë dhe me një prehje shpirtërore presin shpërblimin e merituar gjatë jetës në Berzah, kurse pabesimtarët do t’i kaplojë tmerri e llahtari, sepse iluzionet e tyre se pas vdekjes më nuk do të ketë as jetë e as ringjallje, do të shemben ashtu siç shembet kështjella prej rërës. Të dyja grupet do ta shohim me sytë e tyre këtë realitet, i cili tashmë është bërë “ajnul jekiin- pamje e sigurt”, që më parë në jetën e kësaj bote për ta ishte vetëm “Ilmul jekiin-dije e sigurt”, kurse ajeti i pestë: “Dhe, gjithsesi (bindshëm) do ta kuptojnë (se ringjallja dhe Dita e Gjykimit janë realitet)“
flet për momentin kur pabesimtarët pas dhënies së llogarisë, do të hidhen në zjarrin e Xhehennemit, dhe do ta kuptojnë bindshën edhe një herë se ishin në një humbje të vërtetë, dhe tash i pret përjetimi fizik i dënimit që do ta shijojnë, dhe kjo tashmë është “hakkul jekiin-e vërtetë e sigurtë” një realitet përjetues me të gjitha gjymtyrët”.
- أَلَمْ نَجْعَلِ الأَرْضَ مِهَادًا
- وَالْجِبَالَ أَوْتَادًا
- وَخَلَقْنَاكُمْ أَزْوَاجًا
- وَجَعَلْنَا نَوْمَكُمْ سُبَاتًا
- وَجَعَلْنَا اللَّيْلَ لِبَاسًا
- وَجَعَلْنَا النَّهَارَ مَعَاشًا
- 6. A nuk e bëmë Ne tokën si shtrojë të përshtatshme (për jetë),
- 7. Dhe (a nuk i bëmë-ngulitëm) kodrat sikur shtylla (përforcuese në tokë)?
- 8. Ne u krijuam juve në çifte.
- 9. dhe gjumin tuaj jua bëmë për pushim.
- 10. dhe natën jua bëmë mbulesë (si rrobat).
- 11. ndërsa ditën e bëmë për gjallërim”. (En-Nebe’ë, 6-11)
Në vazhdim të kaptinës, i Lartmadhërishmi, për t’i bindur të gjithë ata që mohojnë momentin e kataklizmës dhe ringjalljen, d.t.th. “Lajmin e madh” për të cilin kanë mendime të ndryshme kundërthënëse, ua rikujton dhuntitë e Tij për njerëzimin. Të gjitha këto të mira të panumërta, dëshmojnë qartë se pabesimtarët–mohuesit janë në humbje të madhe, përderisa nuk besojnë se të gjitha këto argumente flasin për një të vërtetë të madhe që do të ndodhë.
Karakteristikë e veçantë e këtyre ajeteve që jemi duke i komentuar, është se ato flasin për argumente të ndjeshme e të prekshme, argumente lëndore, me të cilat ndërlidhet jeta jonë e përditshme. Këto ajete janë një shëti e shkurtër në këtë ekzistencë me pamje e tablo të ndryshme; janë ajete të cilat në formë pyetjesh flasin, dëftojnë dhe në të njëjtën kohë argumentojnë ; janë ajete që zgjojnë ndërgjegjen dhe zemrën e fjetur nga intrigat e shejtanit ; janë ajete që rikthejnë freskinë në arsyen e njerëzve që të kuptojnë se kush janë ata në të vërtetë, përse janë në këtë botë, përse jetojnë, përse duhet të vdesin? etj…
- أَلَمْ نَجْعَلِ الأَرْضَ مِهَادًا
- 6. A nuk e bëmë Ne tokën si shtrojë të përshtatshme (për jetë).
Toka si një ndër nëntë planetët e sistemit tonë diellor, megjithëse shumë e vogël, në krahasim me planetët e tjerë në këtë gjithësi, prapëseprapë është më e dashura dhe më tërheqësja për ne. A thua përse ? Ç’rëndësi ka ajo për ne?
Përgjigja e vetme është se toka është “nëna, shtëpia dhe foleja jonë”. Nga elementet e kësaj toke u krijuam, në këtë tokë u lindëm, në të do të vdesim dhe po nga kjo tokë do të ringjallemi përsëri, siç thotë i Plotfuqishmi Allah në Librin e Tij të shenjtë:
- “Ne prej saj (tokës) ju krijuam, në të do t’ju kthejmë përsëri, dhe prej saj do t'ju nxjerrim edhe një herë”. (Ta Ha, 55)
Në këtë tokë filloi jetën e vet raca njerëzore, në këtë tokë Allahu xh.sh. dërgoi shpalljet hyjnore nëpërmjet të dërguarve të Tij besnikë. Në të, për herë të parë ra në sexhde balli i njeriut-Ademi a.s., dhe, në të, do të jehojë deri në momentet e fundit të kësaj ekzistence–fjala “Allahu ekber, la ilahe il-lall-llah–Allahu është më i Madhi, s’ka zot përveç Allahut”, sepse ky është Vullneti i Krijuesit tonë, i Lartësuar dhe i zhveshur qoftë nga çdo e metë.
Dhe, këtë tokë Allahu e bëri të përshtatshme për jetesën tonë, e bëri tamam sikur djep në të cilin pushon dhe fle foshnja. Ky zatën është edhe njëri prej kuptimeve të këtij ajeti. Mu për këtë arsye Allahu xh.sh. u drejtohet mohuesve në formë pyetjeje : “A nuk e bëmë Ne tokën si shtrojë të përshtatshme (për jetë)”
Dihet se pozita e volitshme e tokës në radhitjen planetare në kuadër të sistemit diellor ka bërë që ajo vërtet të jetë e përshtatshme për jetesë. Nuk është as shumë afër diellit në mënyrë që në të të mbretërojnë temperatura të larta tropike, të cilat do ta bënin avullimin e ujit nëpër oqeane me se do të pamundësohej jeta në të, po nuk është as fort larg tij në mënyrë që nga temperaturat e ulëta, toka dhe oqeanet të shndërroheshin në akullnaja në të cilat kushte, jeta do të ishte prapë e pamundshme. Por deshi i Madhi Zot që toka të jetë në pjerrtësinë vertikale prej 23,5 shkallësh, e cila i mundëson jetën dhe gjallërinë e një bote të tërë organike dhe inorganike, një bote dhe një natyre të shumëllojshme të florës dhe faunës, të cilën mund ta hasim në çdo hap në këtë tokë.
Pastaj Allahu xh.sh. thotë :
- وَالْجِبَالَ أَوْتَادًا
- 7. Dhe (a nuk i bëmë-ngulitëm) kodrat sikur shtylla (përforcuese në tokë)?.
A thua ç‘synohet me këtë ajet? Përse Allahu xh.sh. na sjell si shembull kodrat ? Ç’rëndësi kanë ato për ne dhe përgjithësisht për tokën si planet?
Tash, vetëm tash vonë, në këtë shekull, pasi njeriu arriti lartësitë qiellore me anën e fluturakeve të ndryshme, raketave e satelitëve, arriti të fotografojë dhe të studiojë formën dhe relievin e vërtetë të tokës. U vërtetua me saktësi e vërteta e madhe kuranore edhe nga profesorët më eminentë të gjeologjisë, se kodrat vërtet janë një element përforcues dhe ekuilibrues në tokë. Ata vërtetë u impresionuan nga këto të dhëna kuranore që para 14 shekujsh.
Të shohim se ç‘thotë Allahu xh.sh. për kodrat :
- - “Kurse kodrat i përforcoi”. (En-Naziat, 32)
- - “ Dhe (a nuk i bëmë-ngulitëm) kodrat sikur shtylla (përforcuese në tokë)”. (En-Nebe’ë, 7)
- - “Dhe Ai vuri kodra (të forta) në tokë, ashtu që ajo të mos lëkundet me ju” (En-Nahl, 15)
Këto ajete, e të tilla në Kur’an ka të shumtë, japin të kuptojnë se një prej mrekullive të Allahut në këtë tokë, janë edhe kodrat dhe ndërtimet e tyre të jashtme e të brendshme.
Meqë shkenca tash vërtetoi se pothuaj në të njëjtën masë sa jashtë secila kodër ka rrënjët dhe bazamentin e vet mbështetës nën dhe, del se fjalët e Allahut vërtet janë një mrekulli e përjetshme. A thua deri para pak kohësh, ka mundur kush të përfytyronte se kodrat e mëdha që i shohim në formë gungash dhe në forma të tjera mbi sipërfaqen e tokës, kanë pothuajse të njejtën shtrirje në brendinë e tokës, të cilën shkencëtarët e quajnë rrënjë, kurse Kur’ani e quan shtyllë-bazament. Vetë Allahu xh.sh. në mënyrë shumë të thjeshtë e praktike u sjell njerëzve argumente nga gjërat që janë në kontakt me të çdo ditë. Fjala “veted-evtad” do të thotë kunja-shtylla apo bazamanet qendror mbi të cilin ngrihet tenda (çadra), në mënyrë që të kuptohet më lehtë nga njerëzit se edhe kodrat e kanë rolin e tyre ekuilibrues dhe të baraspeshimit për tokën, qofshin ato kodra kontinentale apo oqeanike.
- وَخَلَقْنَاكُمْ أَزْوَاجًا
- 8. Dhe Ne ju krijuam në çifte”
Këto fjalë të Allahut që në të njëjtën kohë dëftojnë për mrekullinë krijuese të Tij, që çdo gjë në këtë ekzistencë ta krijojë në çift, janë tërheqje e vërejtjes ndaj mohuese të Ditës së Gjykimit, se Ai që ju krijoi në çift për t’u shumëzuar pa qenë fare, Ai edhe ju vdes dhe e ju ringjall përsëri !
Allahu xh.sh. dëshiroi që në rregullin e gjithmbarshëm të gjithësisë të mos ketë mangësi dhe disharmoni, dëshiroi që kjo gjithësi të jetë e denjë për Madhështinë, Forcën dhe Kreativitetin e Krijuesit. Ky është një manifestim i hapët i fuqisë absolute të Allahut xh.sh., në ligjet e kësaj ekzistence. Një manifestim i tillë i kësaj fuqie është edhe krijimi në çifte i çdo gjëje, përveç melaikeve në këtë Univers.
Po të marrim shembull edhe thërrmijën më të vogël të atomit, si gjënë më të imtë në këtë gjithësi, të cilën tash për tash e njohim, do të shohim se brenda vetë kësaj thërrmije atomike ekzistojnë protonet dhe neutronet, pozitive e negative, të cilat së bashku formojnë tërësinë e atomit. Po i njëjti proces manifestohet në botën organike dhe atë inorganike, kurse krijimi i njeriut në çifte është një prej mrekullive të përkryera të Allahut, i Cili bëri që sipas “Ligjit të Shkaqeve”, kontaktit intim midis burrit e gruas, me lejen dhe dëshirën e Tij, nga një bashkim i spermatozoideve të mashkullit me farën ë gruas, të lind një fryt i ri njerëzor, fryt që deri në formësimin e plotë dhe daljen në këtë botë kalon nëpër etapa të ndryshme të cilat Kur’ani i ka përshkruar me një përpikëri të paparë si p.sh. në kaptinën “El-Mu’minun” :
- “Për All-llahun, Ne krijuam njeriun prej një ajke (lëngu), e një balte. Pastaj atë (ajke - baltë) e bëmë (e shndërruam) pikë uji (farë) në një vend të sigurt. Më pas, atë pikë uji e bëmë copë gjaku, e atë gjak të ngurtë e bëmë copë mishi, e atë copë mishi e shndërruam në eshtra, edhe eshtrave ua veshëm mishin, pastaj atë e bëmë krijesë tjetër (me shpirtë). I lartë është All-llahu, më i miri Krijues !” (El-Mu’minun, 12-14)
- وَجَعَلْنَا نَوْمَكُمْ سُبَاتًا
- 9. Dhe gjumin tuaj jua bëmë për pushim.”
S’ka dyshim se gjumi është një ndër argumentet më bindëse që dëshmon ekzistimin e Zotit. Për këtë Allahu xh.sh. thotë në Kur’an :
- “Nga argumentet e Tij është edhe gjumi juaj natën dhe ditën, edhe përpjekja juaj për të fituar nga të mirat e Tij. Në këtë ka argumente për popullin që dëgjon”. (Er-Rrum, 23)
Dihet se gjumi është një nevojë e domosdoshme për të gjitha qeniet e gjalla. Nëse ndonjë njeri a krijesë privohet apo pengohet për gjumë, nuk mund të përballojë dot ritmin e pandalshëm të jetës.
Gjumi a të fjeturit është përmendur disa herë në Kur’an, në mënyrë që të vihemi në dijeni se ai është argument dhe shenjë nga Allahu xh.sh. Fjala “subata”–“sebtun” në gjuhën arabe d.t.th. shkëputje, vdekje, ndërprerje nga aktivitetet e ditës (jetës), për një kohë të caktuar, në mënyrë që qelizat tona trupore të kenë kohë të mjaftueshme për rifreskim.
Me këto kuptime ka ardhur në disa vende në Kur’an si:
- - “Dhe kur Ai ju kaploi me një kotje (gjumë) që ishte siguri (qetësim) për ju nga ana e Tij”. (El-Enfal, 11)
- - “Mandej, pas asaj tronditjeje të rëndë, Ai ju lëshoi sa për qetësim, një kotje (gjumi të lehtë) që i kaploi një grup prej jush”. (Ali Imran, 54)
Dihet se gjumi është edhe një vdekje e vogël, e cila mund të krahasohet me të ashtuquajturën “vdekje klinike” për se edhe i Gjithëmëshirshmi na njofton, kur thotë :
- “Ai është që ju vë në gjumë natën (ju vdes natën ) dhe e di ç’keni vepruar ditën, pastaj ju ngjall-zgjon në të (ditën) deri në afatin e caktuar (vdekje)”. (El-En’am, 60)
dhe:
- “All-llahu i merr shpirtat kur është momenti i vdekjes së tyre (i vdekjes së trupave të tyre), edhe atë që është në gjumë e nuk ka vdekur, e atij që i është caktuar vdekja e mban (nuk e kthen), e atë tjetrin (që nuk i është caktuar vdekja, por është në gjumë), e lëshon (të kthehet) deri në afatin e caktuar. Vërtet, në këto ka argumente për një popull që mendon.” (Ez-Zumer, 42)
Shikuar nga këndvështrimi shkencor, shkencëtarët ende nuk kanë arritur të deshifrojnë saktësisht fshehtësinë hyjnore të gjumit, por në bazë të shumë eksperimenteve në laboratoriume shkencore, gjumin e kanë ndarë në 5 etapa:
- Etapa e parë – është etapa e hyrjes graduale në gjumë dhe përfshin 2 deri në 5 % të kohës së gjumit.
- Etapa e dytë – është etapa e gjumit të lehtë – jo të thellë, dhe përfshin rreth 50 % të kohës së gjumit.
- Etapa e tretë dhe e katërt – janë etapat e gjumit të ngadalshëm, të thellë, të qetë e të zakonshëm. Këto dy etapa të gjumit prehës e qetësues përfshijnë 20 % të kohës së gjumit.
- Etapa e pestë – është etapa e gjumit të thellë, e shoqëruar me ëndrra dhe lëvizje, ose gjumë i çudtishëm, sepse ai që fle, gjatë etapës së gjumit me ëndrra, edhe pse është në gjumë tejet të thellë, lëvizjet e frymëmarrjes, të gjakut dhe të syve i ka pothuajse si të ishte zgjuar. Mbase i tillë do të ketë qenë ndoshta edhe gjumi i banorëve të shpellës (As’habul kehf).
- "Do të mendoje se ata janë të zgjuar, e ata ishin në gjumë" (El-Kehf, 18).
Kjo etapë e gjumit përfshinë 25 % të gjumit.
Me një fjalë, gjumi është dhunti e Allahut për njeriun, që ai të ç’lodhet fizikisht po edhe shpirtërisht nga vështirësitë e jetës.
- وَجَعَلْنَا اللَّيْلَ لِبَاسًا.وَجَعَلْنَا النَّهَارَ مَعَاشًا.
- 10. Dhe natën jua bëmë mbulesë (si rrobat).
- 11. ndërsa ditën e bëmë për gjallërim.
S’ka dyshim se nga shenjat e mëdha të Allahut në këtë tokë janë dita dhe nata. Pas një dite të kaluar në punët e zakonshme, është shumë e natyrshme që njeriu të lodhet, kështu që trupi dhe mendja e tij kanë nevojë për çlodhje. Nata e ka këtë cilësi, të cilën Allahu xh.sh. e krahason me mbulesë (libas), ku njeriu merr pjesën e merituar të pushimit dhe freskimit për të vazhduar punën e tij qysh me agimin e parë të mëngjesit.
Këtu duhet theksuar se, nëse njeriu në këtë botë punon e vepron sipas programit të përkryer hyjnor, vërtet do ta shijojë ëmbëlsinë e jetës, pushimin e natës dhe gjallërinë e ditës.
Besimtari i vërtetë qysh para lindjes së diellit zgjohet nga gjumi, falënderon Allahun i Cili e ringjalli nga vdekja e vogël (gjumi), ashtu siç ka vepruar gjithmonë i Dërguari i Allahut, kur thoshte: “Falënderimi i qoftë Allahut, i Cili na ngjalli pasi në bëri të vdekur (në gjumë) dhe vetëm tek Ai është ringjallja” (Transmetojnë Buhariu dhe Tirmidhiu).
Pastaj merr abdest dhe falë namazin e sabahut duke e lutur Allahun e Plotëfuqishëm që t’i japë nga mirësitë e Tij gjatë asaj dite. Dhe ai vazhdon punën ditës, tregton, punon dhe i lutet prapë Allahut duke falur namazin e drekës. Pas një rishikimi të asaj që ka punuar, vjen koha e ikindisë, që njeriu të falënderojë Allahun edhe një herë sepse i mundësoi edhe një ditë jete, pune e fitimi hallall. Dalngadalë nata shtrin flatrat e saj mbi tokë për t'i zënë vendin ditës, dhe, pas tërë kësaj, Allahu dëshiroi që nata të jetë një mbulesë dhe ç‘lodhje për njeriun: “Dhe natën jua bëmë mbulesë (për çlodhje)” , sepse dita që shkoi, ishte gjallëri e punë e vazhdueshme, për të cilën Allahu xh.sh. thotë: “Dhe ditën e bëmë për gjallërim”.
Ky është sistemi i përkryer i orarit të jetës së njeriut në këtë tokë, të cilën Allahu e bëri të përshtatshme e komode për jetë, me të gjitha predispozitat dhe kushte e nevojshme.
Dhe, me gjithë këto fakte e argumente, ka ende të tillë që nuk besojnë Allahun e as ringjalljen, veçse mrekullitë dhe argumentet e Allahut për t’i bindur mohuesit nuk kanë të sosur…
- وَبَنَيْنَا فَوْقَكُمْ سَبْعًا شِدَادًا
- وَجَعَلْنَا سِرَاجًا وَهَّاجًا
- وَأَنزَلْنَا مِنْ الْمُعْصِرَاتِ مَاءً ثَجَّاجًا
- لِنُخْرِجَ بِهِ حَبًّا وَنَبَاتًا
- وَجَنَّاتٍ أَلْفَافًا
- 12. Dhe Ne kemi ndërtuar mbi ju një shtatëshe të fortë.
- 13. dhe kemi vënë ndriçuesin që flakëron.
- 14. Ne prej reve të shtrydhura kemi lëshuar shi të madh.
- 15. që me të të rrisim drithëra e bimë.
- 16. dhe kopshte të dendura palë mbi palë.” (En Nebe’ë, 12-16)
Në Kur’an ka ajete të shumta të cilat vazhdimisht provokojnë mendjen njerëzore, duke e nxitur atë që këto argumente të panumërta të Allahut në këtë ekzistencë, t’i studiojë në mënyrë serioze e shkencore, sepse fjala e Allahut xh.sh. kurrsesi nuk mund të vijë në kundërshtim me të vërtetat e mirëfillta shkencore.
Nëse e analizojmë vetëm pak ajetin 53 të kaptinës Fussilet:
- “Ne do t’ua mundësojmë atyre (mohuesve) që të sodisin argumentet tona në horizonte (të hapësirave qiellore) po edhe në vetveten e tyre, derisa t’u bëhet e qartë se ky (Kur’an) është i vërtetë (dhe i zbritur nga i Gjithëfuqishmi)”, do të kuptojmë se provokimi hyjnor mbetet aktual për çdo brez a gjeneratë të njerëzimit, andaj nuk është aspak i rastit fakti se në vazhdim të kaptinës “En Nebe’ë”, i Lartmadhërishmi thotë
- وَبَنَيْنَا فَوْقَكُمْ سَبْعًا شِدَادًا
- 12. Dhe Ne kemi ndërtuar mbi ju një shtatëshe të fortë.
Të gjithë komentatorët e Kur’anit, pa dallim, janë të mendimit se fjala “shtatëshe e fortë“ simbolizon shtatë palë qiej, do të thotë qiellin, të cilin Allahu xh.sh. e ka ngritur-ndërtuar mbi ne sikur të ishtë ndonjë pullaz-ombrellë. Ai në Kur’an thotë:
- “Qiellin ua kemi bërë kulm të sigurt, por ata zmbrapsen prej atyre argumenteve.”(El-Enbija 32)
Fjala qiell më të gjitha derivatet dhe format e saj në Kur’an është përmendur 298 herë. Në Kur’an fjala qiell me këto sinonime të shtatëshit ka ardhur edhe në disa vende të tjera, si p.sh. :
- - “Ne krijuam mbi ju shtatë palë (qiej) dhe nuk jemi të pakujdesshëm ndaj asaj që krijuam”. (El- Mu’minun, 17)
- - “All-llahu është Ai që krijoi shtatë palë qiej dhe prej tokës aq sa ata…” (Et Talak, 12)
- - “Ai është që krijoi shtatë qiej palë mbi palë…” (El-Mulk, 3).
- - “A nuk e keni parë se si All-llahu krijoi shtatë palë qiej (në kate).“ (Nuh, 15).
- - “Ai (All-llahu) është që për ju krijoi gjithçka ka në tokë, pastaj vullnetin e Vet ia drejtoi qiellit dhe i përsosi ata shtatë qiej. Ai është i Gjithëdijshmi për çdo gjë”. (El Bekare, 29)
- - “Dhe ata i krijoi shtatë qiej brenda dy ditëve dhe secilit qiell i caktoi atë që i nvojitej. Qiellin më të afërt (të dynjasë) Ne e stolisëm me yje ndriçuese dhe e bëmë të mbrojtur. Ky është caktim i të plotfuqishmit, i të Dijshmit”. (Fussilet, 12), etj…
Sa i përket ajetit në fjalë “Ne kemi ndërtuar mbi ju një shtatëshe të fortë”, ne vetëm mund të supozojmë se këta shtatë qiej mund të jenë shtatë tufa galaktike të sistemit tonë diellor, ose mund të kenë ndonjë lidhje të afërt me sistemin tonë diellor. Ne banorët e tokës bëjmë pjesë në galaktikën “Rruga e Qumështit” e cila ka lidhje të ngushtë me disa galaktika të tjera, si M-31, VIRGO, pastaj me tufën galaktike të ANDROMEDËS, etj.
Supozohet se në këtë gjithësi mund të ketë përafërsisht mbi 100 miliardë galaktika dhe secila përbëhet përafërsisht nga 100 miliardë yje. Në çdo galaktikë ka ndoshta edhe po aq planetë sa edhe yje, që me numrin e shifrave do të thotë : 1011 x 1011 = 1022 ose 10 miliardë bilionë yje dhe planetë.
Vetëm galaktika jonë “Rruga e Qumështit” supozohet të ketë mbi 200 miliardë yje madhësish të ndryshme, lëvizja e të cilëve karakterizohet për një elegancë dhe graciozitet të mrekullueshëm.
Allahu xh.sh.në Kur’an thotë:
- “Vërtet, Ne kemi stolisur qiellin më të afërt (të dynjasë) me bukurinë e yjeve.” (Es-Safat, 6)
- “Ne, në qiell kemi krijuar galaksione yjesh dhe atë (qiellin më të afërt të dynjasë) e kemi zbukuruar për ata që e shikojnë me vëmendje.” (El-Hixhr, 16)
- “Ne, qiellin më të afërt e kemi zbukuruar me kandila (yje ndriçuese)” (El Maide, 5)
Mirëpo se çfarë ka synuar në të vërtetë Allahu xh.sh., me fjalët “shtatëshe të fortë”, ne nuk mund ta dimë dhe kjo mbetet në dijen absolute të Allahut xh.sh.
Nga ajeti në fjalë vetëm mund të kuptojmë se këta qiej kanë një ndërtim të fortë dhe se bukuria e tyre dëfton për mrekullinë e krijimit, por që tërë kjo hapësirë qiellore mbi ne, kjo “shtatëshe e fortë” qiellore ka lidhje të ngushtë me jetën e njeriut në këtë tokë, dëshmon shumë qartë ajeti në vazhdim, ku Allahu xh.sh. thotë:
- وَجَعَلْنَا سِرَاجًا وَهَّاجًا
- 13. Dhe kemi vënë ndriçuesin që flakëron.
Allahu xh.sh. e bëri jetën në tokë të përshtatshme, sepse parapërgatiti të gjitha kushtet e nevojshme e të domosdoshme për një gjë të tillë. Padyshim, Dielli si ylli qendror i sistemit tonë diellor, është burim i energjisë dhe pa dritën e nxehtësinë e tij, jeta në tokë do të ishte e pamundur.
Dielli nuk është asgjë më tepër se një yll që jep dritë, nxehtësi dhe energji. Mu për këtë arsye Allahu xh.sh. për të thotë: “Dhe kemi vënë ndriçuesin që flakëron”.
Fjala “siraxh” do të thotë “diçka që jep dritë e shkëlqim”, kurse “vehhaxh” do të thotë “diçka që jep edhe dritë po edhe nxehtësi-energji”.
Nga këndi i shkencës së astronomisë shohim se Dielli përbëhet nga hidrogjeni, gazi i lëngët dhe heliumi. Nga e tërë masa e sistemit diellor, Dielli përbën 99.86%, kurse masën tjetër, 0.14% e përbëjnë nëntë planetët e tjerë të sistemit diellor, natyrisht përfshirë këtu edhe satelitet e tyre, etj. Sigurisht kjo masë kaq e madhe, dhe ky gravitacion kaq i fuqishëm i Diellit i ka “robëruar” – detyruar 9 planetët e Sistemit diellor: Tokën, Marsin, Venerën, Merkurin, Saturnin, Jupiterin, Neptunin, Uranin dhe Plutonin që nëpër shtigje spirale të sillen-rrotullohen rreth tij. Toka, planeti ynë, një lëvizje të tillë rreth Diellit e kryen për 365 ditë.
Sipas shkencëtarëve, jeta e Diellit numëron mbi 5 miliardë vjet. Sipërfaqja e tij është mbi 12 mijë herë më e madhe se ajo e Tokës. Masa e tij është 333.000 herë më e madhe se e Tokës. Largësia midis Diellit dhe Tokës është 150 milionë km., kurse rrezja e dritës së Diellit deri në Tokë arrin për 8 minuta e 20 sekonda.
Me një fjalë, po të mos kishte diell, nuk do të kishte as jetë në tokë, por krahas diellit, botës organike dhe inorganike u nevojitet edhe një komponent tjetër i rëndësishëm pa të cilin nuk do të kishte mundësi të zhvillohej procesi jetësor. Ky komponent kaq i nevojshëm është UJI.
Ja pra se si i ndërlidh i Gjithëfuqishmi Allah këto dy komponente, kur në vazhdim të kaptinës thotë:
- وَأَنزَلْنَا مِنْ الْمُعْصِرَاتِ مَاءً ثَجَّاجًا
- 14. Ne prej reve të shtrydhura kemi lëshuar shi të madh.
Pra, krahas dritës dhe nxehtësisë së Diellit, gjallesave të gjalla si dhe botës bimore, patjetër u nevojitet edhe uji, të cilin Allahu xh.sh. përveç burimeve të ujit që gjenden në brendi të Tokës. atë e lëshon edhe nga qielli nëpërmjet reve,
Se për ç’arsye Allahu xh.sh. ka ndërlidhur ajetin ku flet rreth Diellit dhe reve që lëshojnë shi, sot, pas shumë zbulimeve shkencore, nuk është e vështirë ta kuptojmë. Shkenca na mëson se në këtë rast kryhet një proces natyror, ai i avullimit të ujit nga lumenjtë, detet dhe oqeanet, që pastaj të kondensohet lart në re, të cilat pastaj i bartin erërat andej e këndej dhe e shkundin ujin që gjendet në to.
Kur jemi tek retë dhe tek procesi i rënies së shiut, të shohim se ç’thotë Allahu xh.sh. në disa ajete kuranore:
- “A nuk e ke parë se si All-llahu drejton retë, pastaj i bashkon, i bën grumbull ato dhe atëherë e sheh shiun se si rrjedh prej tyre” (En-Nur, 43)
pastaj:
- “All-llahu është Ai që i lëshon erërat, e ato i lëkundin retë dhe Ne i derdhim ato në një vend të thatë dhe me atë ujitje e ngjallim tokën pas vdekjes së saj. Ja, kështu është ringjallja.” (Fatir, 9)
dhe:
- “All-llahu është Ai që i lëshon erërat, e ato lëkundin retë dhe Ai i shtrinë lart si të dojë, i bën ato edhe të ndara në pjesë, dhe përmes tyre e sheh se si bie shi, e kur ia lëshon atë kujt të dojë prej robërve të vet, qe, ata gëzohen.” (Er-Rrum, 48)
Por t’i kthehemi edhe një herë fjalës së ajetit: “el muë’sirat”. Fjala “I’ësar” – muassar-muë’sir”, në aspektin terminologjik do të thotë shtrydhje, e kjo do të thotë reja që lëshon shi pas bashkëdyzimit dhe pas zbrazjes së thërrmijave elektrike, pozitive e negative, do të thotë pas “shtrydhjes së saj - “I’sar”, ajo mund të lëshojë shi me lejen e Allahut xh.sh.
Dijetarët rreth termit “el mu’sirat” kanë dhënë këto mendime:
- Grupi i parë mendojnë se fjala është për retë që shtrydhen, do të thotë që lëshojnë shi, një mendim që është më i pranueshmi dhe më i sakti.
- Grupi i dytë mendojnë se fjala është për erërat, të cilat pas fekondimit të reve, e shtrydhin ujët nga retë.
Një gjë është më se e vërtetë, se gjatë procesit të avullimit e deri tek rënia e shiut, këto elemente kanë gjëra të përbashkëta dhe janë të ndërlidhura në të njëjtin proces. Kështu, nga ndikimi i rrezeve të diellit, të cilin Allahu xh.sh. e quajti “Kandil flakërues”, bëhet avullimi i ujit të lumenjve, deteve dhe oqeaneve. Kur ky avull të ketë arritur lart, për të marrë ftohtësinë dhe për t’u kondensuar, vjen roli i erërave, të cilat bartin me vete grimcat e pluhurit, që përmbajnë elemente të fekondimit, thërrmija pozitive e negative, dhe ky kontakt përfundon me zbrazjet elektrike. Pas kësaj, erërat, po ashtu me lejen e Allahut, i bartin këto re të fekonduara atje ku Allahu dëshiron, dhe shiu bie.
Në lidhje me këtë Allahu xh.sh. thotë:
- “Ne i lëshojmë erërat mbarësuese, e nga qielli (retë) lëshojmë shi dhe atë jua japim ta pini, po ju nuk mund ta ruani atë”. (El-Hixhr, 15)
- “Edhe Ai është që i lëshon erërat myzhde në prag të mëshirës së Tij (shiut) dhe Ne lëshuam prej qiellit ujë të pastër.” (El-Furkan, 48)
- “Dhe në të kemi vënë kodra të forta e të larta dhe ju dhamë të pini ujë që jua shuan etjen”. (El-Xhinn, 27)
Në vazhdim të kaptinës, Allahu xh.sh. pasi krijoi të gjitha kushtet e nevojshme për një jetë të vrullshme organike dhe inorganike në tokë, duke nënshtruar rrezet e diellit, pastaj ujin dhe procesin e tyre të shndërrimit në shi që bie prej reve si mëshirë prej Allahut xh.sh., na bën me dije se rezultat i tërë këtij procesi zinxhiror, i cili vërtet dëshmon për mrekullinë krijuese të Tij, është kultivimi i bimëve dhe fryteve të ndryshme për të mirën e botës njerëzore dhe asaj shtazore:
- لِنُخْرِجَ بِهِ حَبًّا وَنَبَاتًا. وَجَنَّاتٍ أَلْفَافًا
- 15. “Që me të të rrisim drithëra e bimë.
- 16. dhe kopshte të dendura palë mbi palë.”
Këtu patjetër duhet të ndalemi një çikëz dhe të meditojmë për mrekullinë dhe precizitetin e paparë të kësaj shprehjeje kuranore.
Këto fjalë s’mund të jenë të ndonjë mendjeje njerëzore, por vetëm të Krijuesit të gjithësisë, i cili flet për një proces të natyrshëm, ku së pari përmend farën-kokrrën, e cila duhet të mbillet për të dalë pastaj mbi tokë e për të dhënë fryte, qofshin ato bimë ose pemë, e pastaj kur këto pemë të rriten, ato, me degët e tyre palë-palë formojnë kopshte të dendura.
Të gjitha këto fakte dhe argumente të pamohueshme të cilat i prezantoi i Gjithëfuqishmi dëshmojmë që kjo ekzistencë e ka Krijuesin e vet dhe se kësaj gjithësie me lejen e Allahut një ditë do t’i vie fundi. Nuk ka dyshim se Ai që bëri tokën të përshtatshme për jetë dhe kodrat si shtylla dhe që na krijoi në qifte duke na bërë gjumin pushim, natën mbulesë e ditën gjallërim, duke ngritur mbi ne shtatë palë qiej dhe në qiellin e kësaj toke vendosi diellin si kandil ndriçues dhe bëri që prej reve të lëshojë shi me të cilin rriten drithërat e bimët dhe kopshtet e dendura palë mbi palë, Ai një ditë, ata që mohuan Ditën e Gjykimit do t’i ballafaqojë me atë ditë të llahtarshme, ditë e cila shumë shpejtë do të vie sepse është ditë e përcaktuar...
- إِنَّ يَوْمَ الْفَصْلِ كَانَ مِيقَاتًا
- يَوْمَ يُنفَخُ فِي الصُّورِ فَتَأْتُونَ أَفْوَاجًا
- وَفُتِحَتْ السَّمَاءُ فَكَانَتْ أَبْوَابًا
- وَسُيِّرَتْ الْجِبَالُ فَكَانَتْ سَرَابًا
- إِنَّ جَهَنَّمَ كَانَتْ مِرْصَادًا
- لِلْطَّاغِينَ مَآبًا
- لَابِثِينَ فِيهَا أَحْقَابًا
- لَا يَذُوقُونَ فِيهَا بَرْدًا وَلَا شَرَابًا
- إِلَّا حَمِيمًا وَغَسَّاقًا
- جَزَاءً وِفَاقًا
- إِنَّهُمْ كَانُوا لَا يَرْجُونَ حِسَابًا
- وَكَذَّبُوا بِآيَاتِنَا كِذَّابًا
- وَكُلَّ شَيْءٍ أَحْصَيْنَاهُ كِتَابًا
- فَذُوقُوا فَلَنْ نَزِيدَكُمْ إِلَّا عَذَابًا
- 17. “S’ka dyshim se Dita e Gjykimit është caktuar.
- 18. Është dita që i fryhet Surit, e ju vini grupe-grupe.
- 19. dhe qielli hapet e bëhet dyer-dyer.
- 20. dhe kodrat shkulen e bëhen pluhur (si valë rrezesh-fatamorganë).
- 21. E Xhehennemi është në pritë (në pusi).
- 22. është vendstrehim i arrogantëve.
- 23. aty do të mbesin për tërë kohën (pa mbarim).
- 24. aty nuk do të shijojnë as freskim, as ndonjë pije.”
- 25. përveç ujë të valë e qelbësirë.
- 26. si ndëshkim i merituar.
- 27. Ata ishin që nuk pritnin se do të japin llogari.
- 28. dhe argumentet Tona i përgënjeshtruan me këmbëngulje.
- 29. ndërsa Ne çdo send e kemi ruajtur me shkrim të saktë.
- 30. E ju pra, vuani, se Ne nuk do t’ju shtojmë tjetër veçse vuajtje.” (En Nebe’ë, 17-30)
- إِنَّ يَوْمَ الْفَصْلِ كَانَ مِيقَاتًا
- 17. ”S’ka dyshim se Dita e Gjykimit është caktuar.
Kjo ditë dhe Lajmi i Madh për të cilin pabesimtarët ishin në kundërshti, është ditë e caktuar dhe ka afat të prerë nga ana e Allahut xh.sh. Dhe, ja tash i Gjithëfuqishmi i paralajmëron për momentin më të vështirë për ta, që do të ballafaqohen me veprat e tyre para Allahut xh.sh.
Tmerri i kësaj dite do t’i dezorientojë të pafetë, të cilët nuk besonin se një gjë e tillë fare do të ndodhë. Ata në jetën e kësaj bote, madje sa ishte gjallë edhe vetë i Dërguari i Allahut, me një ironi dhe sarkazëm pyesnin:
- “Dhe thoshin
- kur do të vijë (jetë) ai premtim (me të cilin na kërcënoheni) nëse jeni të drejtë në atë që flisni” (Jasin, 48)
Dhe ja që tash Allahu xh.sh. këta njerëz të ligj do t’i ballafaqojë me këtë ditë të lemeritshme, sepse tek i Gjithëpushtetshmi çdo gjë është e përcaktuar, dhe, nuk vonon e premtimi dhe kërcënimi i Tij bëhen realitet.
Kiameti apo Kataklizma e përgjithshme, në Kur’an është përmendur në shumë vende dhe me shumë emra. Sa për ilustrim do t’i cekim vetëm disa prej tyre:
Jevmul Kijameh - Dita e Ringjalljes (e Ngritjes nga varret), Jevmul Ahir - Dita e Fundit, Es-Sa’atu - Momenti, Jevmul Ba’thi - Dita e Ringjalljes, Jevmul Fasli - Dita e Ndarjes (e Gjykimit), Jevmul Veiid - Dita e Premtuar (për realizimin e kërcënimit), Jevmul Hashr - Dita e Tubimit, etj., Komentatorët e Kur’anit kanë numëruar mbi njëqind emra të kësaj dite dhe këtij momenti të vështirë e të tmerrshëm.
Kjo është ditë e caktuar, ditë e ndarjes së çështjeve të njerëzve në bazë të veprave të punuara në këtë botë, ditë kur ata do të shpërblehen për të mirat e tyre dhe do të ndëshkohen për të këqijat e tyre.
Se kur do të vijë saktësisht ky moment, këtë nuk mund ta dijë askush pos Allahut të Gjithëdijshëm, por dihet që kjo ditë përveç të tjerash dallohet për një karakteristikë të veçantë që është:
- يَوْمَ يُنفَخُ فِي الصُّورِ فَتَأْتُونَ أَفْوَاجًا
- 18. Është dita që i fryhet Surit, e ju vini grupe-grupe.
Kjo hapësirë në të cilën jemi duke jetuar, e mbushur përplot gjallëri dhe me krijesa nga më të ndryshmet, disa prej të cilave i shohim e disa nuk i shohim, e të cilat janë në lëvizje të përhershme dinamike, do të mbetet kështu deri në ditën kur Allahu xh.sh. do t’i zhdukë të gjitha gjallesat, me përjashtim të atyre që do Ai të mos vdesin:
- “Dhe i fryhet Surit dhe bie e vdekur ç’ka në qiej dhe ç’ka në tokë, përveç atyre që do Allahu (të mos vdesin), pastaj i fryhet atij herën tjetër, kur qe, ata të ngritur presin (urdhrin e Zotit)” (Ez-Zumer, 68)
Fryrja në Sur, e cila përmendet në ajetin që jemi duke e komentuar, është fryrja e dytë pas asaj të parës, me të cilën sinjalizohet fillimi i kataklizmës së përgjithshme, e cila zgjat shumë shkurt, ndoshta vetëm për disa çaste, kur do të shkatërrohet çdo gjë në këtë ekzistencë.
- “Çdo gjë që është në të (tokë) është e zhdukshme, e do të mbetet vetëm Zoti yt që është i madhëruar dhe i nderuar.” (Er-Rahman, 26-27)
Sipas të gjithë komentatorëve të Kur’anit, fryrësi në Sur është një prej katër melekëve të mëdhenj-Israfili a.s., i cili është i ngarkuar me këtë detyrë nga ana e Allahut xh.sh. Këtë e vërteton edhe dijetari i madh Ibn Haxher el Askelani, i cili thotë: “Është e ditur se fryrësi i Surit është Israfili a.s., për të cilin thotë se ekziston Ixhmaja (pajtimi i gjithë dijetarëve islamë).
Në Mustedrekun e Hakimit qëndron transmetimi i Ebu Hurejres r.a. se i Dërguari i Allahut (s.a.v.s) ka thënë: “Shikimi i fryrësit në Sur është i drejtuar nga Arshi i Allahut, që kur është i dërguar (autorizuar) për të, nga frika se mos urdhërohet para se ta largojë shikimin. Sytë e tij janë si dy yje flakëruese”
Besimtarët e kishin pyetur të Dërguarin a.s. se ç’duhej të thoshin sikur ta përjetonin këtë moment. Ai u ishte përgjigjur: “Hasbunallahu ve ni’mel vekil, tevekkelna ala Allahi rabbina”. – “Neve na mjafton Allahu, Ai është mbrojtësi më i mirë. I jemi mbështetur vetëm Allahut, Zotit tonë”
Dijetarët islamë poashtu janë kompaktë se Surit do t’i fryhet dy herë: herën e parë do të ndodhë vdekja e të gjitha gjallesave, ndërsa fryrja e dytë sinjalizon ringjalljen e të gjitha gjallesave. Në Kur’an këto dy të fryra janë përmendur edhe në kaptinën En-Naziat ajetet 6-7:
- “Ditën që vrullshëm bëhet dridhja. Që pas saj pason tjetra”
Pra fryrja (dridhja) e parë është quajtur Er-Raxhifeh, kurse fryrja (dridhja) e dytë Er-Rradifeh.
Në ajetet 49-51 të kaptinës Jasin, fryrja e parë është quajtur “Es-Sahatu”-“Britma”, ndërsa e dyta “Fryrja në Sur” :
- “(Allahu u përgjigjet) Nuk janë duke pritur tjetër veçse se një britmë që i rrëmben ata kur janë duke u zënë në mes vetes. E nuk do të mund të lënë as porosi (vasijet-testament) e as të kthehen në familjet e tyre. Dhe i fryhet “Surit” kur qe, ata duke u ngritur prej varrezave paraqiten te Zoti i tyre”.
Sidoqoftë, pas fryrjes së dytë në Sur, të gjitha krijesat e vdekura do të ringjallen, do të ngrihen nga varret e tyre dhe do të nisen në Vendtubimin e Madh, për të dalë para Allahut xh.sh. Kjo do të jetë Dita e Llogarisë së përgjithshme, asaj Llogarie të cilën e përgënjeshtruan pabesimtarët dhe mohuan me kryeneçësi edhe ringjalljen.
Se në ç’vend të kësaj gjithësie do të jetë ky tubim madhështor i mbarë njerëzimit, ne nuk dijmë e as që mund ta imagjinojmë, sepse kjo është vetëm në dijen dhe kompetencat e të Gjithmëshirshmit.
Ky është rrugëtimi i fundit i jetës së njeriut, në të cilën, në dallim nga etapat e tjera të kaluara të jetës; së pari në botën e ezelit (atomit), pastaj në jetën e kësaj bote dhe pas saj në jetën e varrezave (berzah), tash nuk ka më vdekje, por vetëm amshim dhe përjetësi.
Atë ditë njerëzit do të vijnë grupe-grupe, popuj-popuj, ymmet-ymmet dhe secili do të jetë me pejgamberin ose prijësin e tyre, për të dhënë llogarinë, siç thotë Allahu i Lartmadhërishëm:
- “(kujto) Ditën kur do të thërrasim secilin njeri me prijësin (librin, pejgamberin, shënimet e veprave) e tyre” (Isra’ë, 71 )
Dhe, në këtë ditë, të gjithë njerëzit do të thirren një nga një për të dhënë llogarinë e veprave të punuara në këtë botë.
- وَفُتِحَتْ السَّمَاءُ فَكَانَتْ أَبْوَابًا
- 19. Dhe qielli hapet e bëhet dyer-dyer.
Ky ajet tregon për gjendjen e gjithësisë në momentet e kataklizmës. Ky dhe ajeti në vazhdim tregojnë për disa gjëra që do të ndodhin para fryrjes së dytë në Sur. Përmendja e fryrjes së dytë në Sur para këtyre ndodhive që do të ndodhin pas fryerjes së parë, janë cekur për hir të madhështisë së momentit të fryrjes së dytë në Sur si dhe të trishtimit të madh të atij momenti.
Dihet se qielli është një hapësirë në të cilën nuk mund të shohësh ndonjë zbrazëti, siç na mëson Allahu xh.sh.: “Në krijimin e Mëshiruesit nuk mund të shohësh ndonjë kontrast, andaj drejto shikimin tënd (drejt qiellit) se a sheh ndonjë çarje (zbrazëti)? Mandej, herë pas herë drejto shikimin, e shikimi do të kthehet tek ti i përulur dhe i molisur” (El Mulk, 4-5)
Por ja që vjen momenti të ndodhin çrregullimet në gjithësi dhe çdo gjë fillon të shkatërrohet. Qielli çahet dhe “dyert” e tij hapen krah e krah, dhe nga ai fillojnë të zbresin melaiket.
- “Dhe (kujto) Ditën kur do të çahet qielli me anën e një reje e lëshohen engjëjt (melaiket) në një mënyrë madhështore” (Furkan, 25)
Mbi gjendjen e qiellit në këto momente flasin edhe ajetet në vazhdim:
- “Kur të pëlcasë qielli”. (Inshikak, 1)
dhe:
- “E kur të çahet qielli”. (Infitar, 1)
Tërë kjo do të thotë se do të bëhet rrënimi i rregullit të gjithmbarshëm të gjithësisë. Çdo gjë fillon të shkatërrohet, ashtu siç ka thënë Allahu xh.sh.:
- “Ditën kur toka ndryshohet në tjetër tokë e edhe qiejt (në të tjerë qiej), e ata (njerëzit) të gjithë dalin sheshazi para Allahut Një, Mbizotërues”. (Ibrahim, 48)
Shenjë tjetër e kataklizmës është edhe shkatërrimi i kodrave, për se na flet ajeti në vazhdim i kësaj kaptine:
- وَسُيِّرَتْ الْجِبَالُ فَكَانَتْ سَرَابًا
- 20. Dhe kodrat shkulen e bëhen pluhur (si valë rrezesh-fatamorganë).
Kodrat si elemente përforcuese të kësaj toke në të cilën jetojmë, janë përmendur 29 herë në Kur an, prej tyre 11 ajete kanë të bëjnë me gjendjen e kodrave në Ditën e Kiametit.
Kodrat-malet në momentet e kataklizmës, do të pësojnë transformime nga më të ndryshmet deri në shkatërrimin e plotë të tyre. Ja se si i përshkruan Kur’ani famëlartë këto forma:
- “Dhe kur të barten (ngrihen) toka e kodrat e t’i mëshojnë njëra-tjetrës me një të goditur” (El-Hakkah, 14)
Kjo do të thotë se fillimisht bëhet ndeshja e kodrave me njëra-tjetrën dhe copëtimi i tyre, pastaj ato shndërrohen në diçka që u gjason shtëllungave të leshit të shprishur:
- “Dhe kodrat bëhen si leshi i shprishur”. (El-Kariatu, 5)
Kjo do të thotë se kodrat e humbin fortësinë dhe ekuilibrin e tyre dhe pas kësaj gjendjeje do të pasojë shkapërderdhja dhe shpërndarja e tyre në hapësirë në formë të pluhurit apo të rërës:
- “(Ajo ndodh) Kur toka tundet nga dridhje të forta e kodrat të shkapërderdhen e të bëhen copë e thërrmija, si pluhur i shpërndarë”. (El-Vakiatu, 4-6)
dhe:
- “Atë ditë kur toka e kodrat të dridhen, e kodrat të bëhen si grumbuj të shkapërderdhur të rërës”. (El-Muzemmil, 14)
Dhe në fund ato shndërrohen në vegim-fatamorganë, si një formë vizuale, në fakt e paqenë:
- ”Dhe kodrat shkulen e bëhen pluhur (si valë rrezesh-fatamorganë-vegim).”
Kjo do të thotë se kodrat do të shndërrohen në hi e pluhur dhe nga larg duken sikur kodra, por, kur t’u afrohesh, nuk sheh asgjë, mu sikur ndodh vegimi në shkretëtirë kur nga reflektimi i rrezeve të diellit në rërë, krijohen vegime dhe reflektime ngjyrash-fatamorganë dhe të bëhet sikur para teje sheh ujë, por, kur të afrohesh tek ai vend, sheh vetëm rërë të shkretëtirës dhe asgjë tjetër.
- إِنَّ جَهَنَّمَ كَانَتْ مِرْصَادًا. لِلْطَّاغِينَ مَآبًا. لَابِثِينَ فِيهَا أَحْقَابًا
- 21. E Xhehennemi është në pritë (në pusi).
- 22. është vendstrehim i arrogantëve.
- 23. aty do të mbesin për tërë kohën (pa mbarim).
Ata që mohuan dhe përgënjeshtruan këtë ditë si dhe ata që refuzuan mësimet e pejgamberëve, si “shpërblim” kanë ndëshkimin e përjetshëm në zjarrin e Xhehennemit, i cili i pret në pusi qysh prej kohësh, për t’i djegur e përcëlluar me dënimet e tij të tmerrshme.
A nuk ua bëri me dije Allahu xh.sh. në shumë ajete kuranore se kthimi është tek Ai, dhe sidomos në ajetet 4 e 5 të kësaj kaptine “En Nebe’ë”:
- Jo, (mos të pyesin) sepse ata sigurisht (një ditë) do ta kuptojnë! Dhe, gjithsesi (bindshëm) do ta kuptojnë (se ringjallja dhe Dita e Gjykimit janë realitet)!“
- A nuk u tha Allahu xh.sh.
- “A menduat se Ne ju krijuam kot dhe se nuk do të ktheheni prapë tek Ne?!” (El-Mu’minun, 115)
Dhe, tash, kur të tillët tmerrohen nga pamjet dhe pastaj nga ndëshkimi në Xhehennem, vërtet i Lartësuar është Allahu xh.sh. që tha:
- “Mjerë për përgënjeshtarët atë ditë” (El-Murselat, 15)
Të mjerët ata që nuk iu nënshtruan urdhrave të Allahut në këtë botë; të mjerët ata që lakmia e kësaj bote i mashtroi dhe nuk çanë kokën për këtë ditë të tmerrshme.
Pra, për të tillët: arrogantët, keqbërësit e mendjemëdhenjtë, vendstrehim i tyre do të jetë Xhehennemi. Në të do të qëndrojnë përjetë. Vetë fjalët nga ajeti “Labithine fiha ahkaba-Aty do të mbesin për tërë kohën (pa mbarim).”, japin të kuptohet se ata do të mbesin aty përgjithmonë, në përjetësi të amshueshme e të pambarim.
Rreth kuptimit terminologjik të fjalës “ahkaba” janë dhënë disa mendime, por ajo që karakterizon më tepër kuptimin e këtij termi, është se ka të bëjë me një periudhë të pacaktuar kohore. Mendim tjetër është se ky term nënkupton periudha-epoka kohore, të cilat pasohen automatikisht nga njëra-tjetra, pa shkëputje.
Dijetari i mirënjohur islam Muhammed M. Sha’ravi, tek shpjegon fjalën “ahkaba”, thotë se me këtë term cilësohet vetëm ajo periudhë kohore e cila pas përfundimit, automatikisht pasohet nga tjetra. Ky term është në të njëjtën lidhje kuptimore me fjalën “Halidine fiha ebeda – Në të do të jenë përgjithmonë”, por këtu fjala “ahkaba” është përmendur me një qëllim të caktuar dhe për një urtësi të madhe. Sha’raviu vazhdon më tutje e thotë se pas përfundimit të njërës epokë (periudhë kohore), me urdhrin e Allahut, melaiket i nxjerrin këta pabesimtarë nga Xhehennemi për disa çaste dhe i afrojnë nga Xhenneti për t’i parë kënaqësitë në të cilat janë duke jetuar besimtarët e vërtetë e të sinqertë, dhe pastaj në mënyrën më të vrazhdë ata do të tërhiqen zvarrë për t’u rikthyer në Xhehennem për të shijuar rishtazi dënimin e dhembshëm e të përjetshëm deri në përfundimin e asaj epoke, për t’u përsëritur pastaj e njëjta gjë rishtazi.
Xhehennemi është vend i mizorëve, në të ka vend për të gjithë pabesimtarët, kriminelët, munafikët dhe ata që tradhtuan amanetin e Allahut. Mu për këtë, kur do të pyetet Xhehennemi nga ana e Allahut xh.sh. nëse ka më vend të zbrazët në të, përgjigjja është kjo:
- “(Kujto) Ditën kur Ne Xhehennemit i themi
- a je mbushur? e ai thotë: a ka ende (kriminelë e pabesimtarë që t’i ndëshkojë)?” (Kaf, 30)
- لَا يَذُوقُونَ فِيهَا بَرْدًا وَلَا شَرَابًا. إِلَّا حَمِيمًا وَغَسَّاقًا. جَزَاءً وِفَاقًا
- 24. Aty nuk do të shijojnë as freskim, as ndonjë pije.
- 25. përveç ujë të valë e qelbësirë.
- 26. si ndëshkim i merituar.
Në tërë atë mjerim e nënçmim, pabesimtarët dhe ata që i bënë shok Allahut, tok me munafikët e ndyrë, nuk do të shijojnë ndonjë freskim ose pije të ftohtë, që t’ua flladitë trupat dhe shpirtrat e tyre që janë duke u ndëshkuar. Ata do të kërkojnë prej melaikeve ndonjë freskim a pije të ftohtë, por melaiket e ndëshkimit, në vend të freskimit dhe ujit të ftohtë, do t’u ofrojnë ujë të valë që ua këput zorrët, dhe qelbësirë, si ndëshkim meritor për ta.
Se ky ndëshkim i Allahut është vërtet meritor, na tregon ajeti në vazhdim: ”Ndëshkimi i së keqes bëhet me një të keqe në të njëjtën mënyrë”. (Esh-Shura, 40)
Pabesimtarët mbesin të hutuar e të nemitur dhe sikur pyesin: Ku mbeti drejtësia dhe mëshira e Allahut; përse ne të mbesim përgjithmonë në këtë dënim? Por ja që përgjigjja e Allahu nuk vonon por pason menjëherë nga drejtësia e Tij absolute me të cilën e ka mbushur tërë këtë ekzistencë. Allahu si kundërpërgjigje ndaj tyre thotë:
- إِنَّهُمْ كَانُوا لَا يَرْجُونَ حِسَابًا. وَكَذَّبُوا بِآيَاتِنَا كِذَّابًا. وَكُلَّ شَيْءٍ أَحْصَيْنَاهُ كِتَابًا
- 27. Ata ishin që nuk pritnin se do të japin llogari.
- 28. dhe argumentet Tona i përgënjeshtruan me këmbëngulje.
- 29. ndërsa Ne çdo send e kemi ruajtur me shkrim të saktë.
Do të thotë, ky është një dënim dhe ndëshkim vërtet meritor për ta, sepse pas të gjitha atyre argumenteve (librave) që i shpalli Allahu xh.sh., dhe pas të gjithë atyre pejgamberëve që ua tërhoqën vërejtjen për këtë dënim të madh, këta megjithatë insistuan në mosbesimin e tyre. Nuk besuan në fjalët e të dërguarve për ringjalljen, madje edhe talleshin me ta.
A nuk u dëftoi Allahu xh.sh. shumë prej argumenteve të Tij në këtë ekzistencë, kur thotë:
- “Ne do t’ua mundësojmë atyre (mohuesve) që të sodisin argumentet tona në horizonte (të hapësirave qiellore), po edhe në vetveten e tyre, derisa t’u bëhet e qartë se ky (Kur’an) është i vërtetë (dhe i zbritur nga i Gjithëfuqishmi)” (Fussilet, 53)
Është shumë e vërtetë se pabesimtarët, para vetes patën argumente të qarta, por mohuan dhe përgënjeshtruan me vetëdije të plotë. Mirëpo llogaria e tyre nuk u doli e saktë. Ata menduan se është vetëm jeta dhe kënaqësia e kësaj bote dhe se nuk do të ketë ringjallje e as llogari për të bëmat e tyre në këtë botë. Andaj, sa keq do të çuditen kur nesër para Allahut xh.sh. do t’u paraqiten atyre këto vepra të shëmtuara.
Ata natyrisht do të përpiqen të mohojnë ato vepra, por është e pamundur. Çdo imtësi është shënuar në atë “pllakë-procesor”, dhe askujt nuk i bëhet e padrejta.
Përcjellës besnikë të këtyre veprave ishin melekët e ngarkuar, për të cilët Allahu xh.sh. thotë:
- “Kurse mbi ju vigjëlojnë përcjellësit. Janë shkrues të ndershëm tek Allahu. Ata e dinë se çfarë punoni”. (El-Infitar, 10-12)
Pastaj ajetet:
- “Secilit njeri ia kemi varur në qafë fluturaken (shënimin për veprimin) e tij, e në Ditën e Gjykimit Ne do t’i prezantojmë atij libër të hapur
- “Lexo librin tënd, mjafton të jesh sot llogaritës i vetvetes”. (Isra’ë, 13-14).
dhe:
- “Vërtet, Ne i ngjallim të vdekurit, i shënojmë veprat (e tyre të bëra) si dhe gjurmët e tyre, dhe çdo gjë e kemi regjistruar në Librin e ruajtur (Levhi Mahfudh)”. (Jasin, 12).
Pabesimtarët, po edhe besimtarët, në Ditën e Llogarisë do të habiten nga saktësia e paparë e këtyre shënimeve. Ndodh që njeriu gjatë jetës së tij të ketë bërë ndonjë vepër, qoftë të mirë, qoftë të keqe, dhe ta ketë harruar, sepse nuk i ka kushtuar ndonjë rëndësi të veçantë, por ja që tash vjen momenti dhe e sheh atë vepër të tij:
- “Dhe vihet libri (i veprave), e i sheh mëkatarët të frikësuar nga shënimet që janë në të, dhe thonë
- “Të mjerët ne, ç’është puna e këtij libri që nuk ka lënë as (mëkat) të vogël e as të madh pa e përfshirë?” dhe atë që vepruan, e gjejnë të gatshme – të pranishme, e Zoti yt nuk i bën padrejt askujt. (El-Kehf, 49)
pastaj:
- “E kush punoi ndonjë të mirë, që peshon sa grima, atë do ta gjejë, dhe kush punoi ndonjë të keqe, që peshon sa grima, atë do ta gjejë”. (Ez-Zelzele, 7-8)
Ne si besimtarë që jetojmë në këta shekuj të lulëzimit të shkencës kompjuterike e të teknologjisë moderne, mbase edhe nuk çuditemi aq kur shohim se si sot me anë të pllakave kompjuterike nga platina, mikroprocesorëve të vegjël, videokamerave të ndryshme digjitale dhe arkivave filmike etj., ka mundësi që shënimet nga njerëzit të ruhen me shekuj e shekuj. Paramendoni se edhe sa e sa zbulime do të bëhen në këtë fushë në vitet dhe shekujt që do të pasojnë (deri në momentin që Allahu urdhëron që kjo gjithësi të shkatërrohet), andaj si mund të çuditemi për saktësinë e shënimeve të Allahut xh.sh. – Krijuesit tonë !
- <bi>. فَذُوقُوا فَلَنْ نَزِيدَكُمْ إِلَّا عَذَابًا
- 30. “E ju pra, vuani, se Ne nuk do t’ju shtojmë tjetër veçse vuajtje”.
S’ka dyshim se ky ajet është një nga ajetet më të ashpra kuranore kundër pabesimtarëve.
Transmetohet nga Abdullah ibn Umeri të ketë thënë: “Nuk ka zbritur për banorët e Xhehennemit ajet më i ashpër se ky”.
Dhe vërtet ky është një realitet i hidhur. Përjetimi i këtyre ndëshkimeve është tmerri e ndëshkimi më i madh, sepse Allahu xh.sh., të tillët nuk i shikon me mëshirën e Vet, por mbi ta derdh tërë pezmin dhe hidhërimin e Tij, ngase gjatë jetës në këtë botë, ata pasuan intrigat e shejtanit, duke menduar se kjo botë është e tëra, dhe se nuk do të ketë ballafaqim me ringjalljen e as me veprat e tyre të liga.
Të zhytur në këto mundime e ndytësi, Allahu xh.sh. ua shton edhe më ndëshkimin dhe ndytësinë, kur thotë:
- “Ndytësisë së tyre u shton ndytësi”. (Et-Tevbe, 125).
- إِنَّ لِلْمُتَّقِينَ مَفَازًا حَدَائِقَ وَأَعْنَابًا وَكَوَاعِبَ أَتْرَابًا وَكَأْسًا دِهَاقًا لا يَسْمَعُونَ فِيهَا لَغْوًا وَلا كِذَّابًا جَزَاءً مِنْ رَبِّكَ عَطَاءً حِسَابًا رَبِّ السَّمَاوَاتِ وَالأَرْضِ وَمَا بَيْنَهُمَا الرَّحْمَانِ لا يَمْلِكُونَ مِنْهُ خِطَابًا يَوْمَ يَقُومُ الرُّوحُ وَالْمَلائِكَةُ صَفًّا لا يَتَكَلَّمُونَ إِلاَّ مَنْ أَذِنَ لَهُ الرَّحْمَانُ وَقَالَ صَوَابًا ذَلِكَ الْيَوْمُ الْحَقُّ فَمَنْ شَاءَ اتَّخَذَ إِلَى رَبِّهِ مَآبًا إِنَّا أَنذَرْنَاكُمْ عَذَابًا قَرِيبًا يَوْمَ يَنظُرُ الْمَرْءُ مَا قَدَّمَتْ يَدَاهُ وَيَقُولُ الْكَافِرُ يَالَيْتَنِي كُنتُ تُرَابًا
- 31.“Vërtet për të devotshmit ka fitime (ngadhënjime) të mëdha (kënaqësitë e Xhennetit).
- 32. Kopshte e vreshta rrushi.
- 33. Edhe vasha të një moshe.
- 34. Edhe kupa të mbushura plot (pije të kulluar).
- 35. Aty nuk dëgjojnë fjalë të kota, as gënjeshtra.
- 36. Shpërblime e dhurata të shumta dhënë nga Zoti yt (për hir të veprave të tyre të mira).
- 37. Zoti i qiejve e i tokës, dhe ç’ka ndërmjet tyre, i Gjithëmëshirshmi, të Cilit nuk kanë të drejtë t'i bëjnë vërejtje.
- 38. Atë ditë Xhibrili dhe engjëjt qëndrojnë të rreshtuar, askush nuk flet pos atij që e lejon Mëshiruesi, dhe i cili e thotë të vërtetën.
- 39. Ajo është dita e vërtetë, e kush dëshiron le të kthehet rrugës te Zoti i vet.
- 40. Ne jua tërhoqëm juve (idhujtarëve) vërejtjen për dënimin e afërt, në ditën kur njeriu do t’i shohë veprat e tij, kur jobesimtari do të thotë
- “Ah, sikur të isha dhe!” (En-Nebe’ë, 31-40)
- إِنَّ لِلْمُتَّقِينَ مَفَازًا حَدَائِقَ وَأَعْنَابًا وَكَوَاعِبَ أَتْرَابًا وَكَأْسًا دِهَاقا
- 31.“Vërtet për të devotshmit ka fitime (ngadhënjime) të mëdha (kënaqësitë e Xhennetit).
- 32. Kopshte e vreshta rrushi.
- 33. Edhe vasha të një moshe.
- 34. Edhe kupa të mbushura plot (pije të kulluar).
Në këto ajete, tash para nesh shfaqet një pamje krejtësisht e kundërt nga ajo e gjendjes së banorëve të Xhehennemit. Këtu Allahu xh.sh. na e përshkruan jetën dhe kënaqësinë e banorëve të Xhennetit, pasi më përpara na dëftoi për vuajtjet dhe mundimet, në të cilat do të jenë pabesimtarët dhe ata që nuk përfillën urdhrat hyjnore.
I Lartëmadhërishmi fillon me fjalët: “Vërtet për të devotshmit ka fitime (ngadhënjime) të mëdha (kënaqësitë e Xhennetit)…”
Kjo mënyrë e të shprehurit hyjnor është një argument i vërtetimit të besimit të drejtë të xhennetlinjve dhe realizim i premtimit të Allahut për të devotshmit, për ata që shkuan rrugës së dritës hyjnore duke mos përfillur rrugën e shejtanit. Besimtarët në këtë botë, për shkak të besimit të tyre islam, shpeshherë përjetuan sprova të rënda, patën vështirësi e vuajtje, u privuan nga shumë kënaqësi të përkohshme të kësaj bote, por ja që tash para tyre me tërë bukurinë magjepsëse shfaqet Xhenneti me shpërblime të lloj-llojshme dhe me kënaqësi të përjetshme, sepse aty do të përjetohen të mirat dhe kënaqësitë e Xhennetit, kopshtet e bukura personale, me lloj-lloj lulesh, frutash dhe me vreshta rrushi.
Në Xhennet si shpërblim gjithashtu do të ketë edhe vasha të reja, të bukura si margaritarë, të dëlira e të një moshe. Aty si freskim do të kenë edhe kupa plot me pije të këndshme, jo pije që dehin dhe humbin arsyen, por pije që freskojnë e sjellin kënaqësi, siç thotë Allahu xh.sh. në ajetet vijuese:
- - “Prej së cilës pije as nuk u dhemb koka e as nuk dehen.” (El-Vakiatu, 19).
- - “S’ka dyshim se të devotshmit do të pinë në kupë (pije të kulluar) të përzier me ujë nga burimi (aromatik) Kafur (në Xhennet)“. (El-Insan, 5)
- - “Dhe u jepet të pinë aty nga gota (pije) të përzier me zenxhebilë (xhenxhefil - bimë aromatike) nga burimi i quajtur “Selsebil”. (El-Insan, 17-18).
Sado që të përpiqet të flasë për bukuritë dhe kënaqësitë e Xhennetit, njeriu kurrë nuk do të mund të shprehë as për së afërmi përjetimet, imazhet dhe përfytyrimet e tij reale.
Kopshtet me lloj-lloj pemësh e lulesh, në të cilat rrjedhin lumenj të amshueshëm, ujëvarat, shtëpitë nga gurët e çmueshëm, kënaqësitë shpirtërore e trupore-janë vetëm nga disa përfytyrimet e Xhennetit, për të cilat dijetarë të ndryshëm kanë shkruar libra të tërë. Megjithë imagjinatën e tyre të vrullshme, megjithatë nuk do të merremi me ta, pasi këto gjëra kanë të bëjnë me çështje që janë gajb-sekrete, shpjegimi i hollësishëm i të cilave është i pamundshëm, prandaj do të mjaftohemi me këto dy ajete kuranore: “(Në Xhennet) do të keni atë që dëshironi dhe gjithçka kërkoni” (Fussilet, 31), dhe “Ata aty (në Xhennet) kanë çka të dëshirojnë, e tek Ne ka edhe më shumë.“ (Kaf, 35) si dhe me thënien e Pejgamberit a.s.: “Në Xhennet ka gjëra (pamje) të cilat syri i njeriut kurrë nuk i ka parë, gjëra (zëra) që veshi i njeriut kurrë s’i ka dëgjuar dhe gjëra (të bukura) të cilat mendja e njeriut as që mund t’i imagjinojë”, për të kuptuar se çfarë gjërash dhe kënaqësish na presin në Xhennet.
Fjala “mefaza”, që është përdorur në këtë ajet, d.t.th. ngadhënjim, fitim për atë që është kërkuar e shpresuar, dhe shpëtim nga zjarri. Padyshim, ajo që theksohet më së tepërmi në ngadhënjimin e të devotshmëve, është fakti se ata do të shpëtojnë nga zjarri i Xhehennemit.
Sha’raviu, në lidhje me këtë shpëtim nga zjarri i Xhehennemit, si shembull tjetër të argumentimit sjell edhe këtë ajet kuranor:
- “Dhe nuk ka asnjë prej jush që nuk do t'i afrohet atij (Xhehennemit). Ky (kontakti i Xhehennemit) është vendim i kryer i Zotit tënd. Pastaj, (pas kalimit pranë tij) do t'i shpëtojmë ata që ishin ruajtur (prej mëkateve), e zullumqarët do t'i lëmë aty të gjunjëzuar”. (Merjem, 71)
Ai ndalet tek kjo pjesë e ajetit: “Dhe nuk ka asnjë prej jush që nuk do t'i afrohet atij (Xhehennemit)”, dhe thotë: “Ne të gjithë, kur të kalojmë nëpër urën e Siratit, do të shohim flakët e tmerrshme të Xhehennemit. Vetë fakti se do ta shohim zjarrin e pastaj do të shpëtojmë prej tij, është fitim-ngadhënjim”.
Në të njëjtin konstelacion është edhe ajeti tjetër:
- “…E kush i shmanget zjarrit e futet në Xhennet, ai ka arritur shpëtim”. (Ali Imran, 185)
Pra, shpëtimi ynë nga zjarri i Xhehennemit, konsiderohet fitim, për vetë faktin se ai që shpëton nga zjarri dhe hyn në Xhennet, ai vërtet ka ngadhënjyer me fitimin më të madh.
- لا يَسْمَعُونَ فِيهَا لَغْوًا وَلَا كِذَّابًا جَزَاءً مِنْ رَبِّكَ عَطَاءً حِسَابًا
- 35. Aty nuk dëgjojnë fjalë të kota, as gënjeshtra.
- 36. Shpërblime e dhurata të shumta dhënë nga Zoti yt (për hir të veprave të tyre të mira).
Xhenneti do të jetë vend në të cilin kurrë nuk do të dëgjohet ndonjë fjalë e ligë e as gënjeshtër. Kjo argumenton më së miri për ambientin e pastër e të lartë moral që mbretëron në hapësirat e pakufishme të Xhennetit. Atu nuk fliten fjalë të kota, aty nuk mund të dëgjohen fjalë të liga, të ndyta e të pista. Aty do të ketë vetëm fjalë të mira dhe paqe. Ja se ç’na thotë Allahu xh. sh. për ambientin e Xhennetit, në një ajet tjetër: “Asnjë fjalë të keqe a të pistë nuk do ta dëgjojnë atje dhe as të folur me gjynahe (përgojim a shpifje), por vetëm thënien: Selam! Selam! (Paqe mbi ju! Paqe mbi ju)”. (El-Vakiatu, 25-26)
Dhe të gjitha këto mirësi do të jenë nga Zoti i botëve vetëm për të devotshmit, mirësi të cilat do të jenë të mjaftueshme dhe meritore për hir të veprave të tyre, por, padyshim, shpërblimi më i madh kundruall të gjitha të mirave dhe shpërblimeve të tjera, do të jetë të pamit e Allahut xh.sh.: “Atë ditë do të ketë fytyra të shkëlqyera (të gëzuara). Që Zotin e tyre e shikojnë.” (El-Kijame, 22-23), dhe vetëm atëherë do të përjetohet plotësisht kënaqësia kulmore e çdo besimtari në Xhennet.
- رَبِّ السَّمَاوَاتِ وَالأَرْضِ وَمَا بَيْنَهُمَا الرَّحْمَانِ لَا يَمْلِكُونَ مِنْهُ خِطَابًا
- 37. “Zoti i qiejve e i tokës, dhe ç’ka ndërmjet tyre, që është mëshirues, të cilit nuk kanë të drejtë t'i bëjnë vërejtje.”
Allahu i Plotfuqishëm në këtë ajet shfaq tërë madhështinë e Tij si Krijues, d.t.th, për secilin do të jetë e ditur se ky Zot-Krijues i Gjithësisë do të jetë i vetmi Sundimtar në Ditën e Gjykimit. Në këtë ditë, drejtësia e Tij absolute si dhe mëshira do të mbulojnë çdo skaj të kësaj hapësire. Ky është Zoti i Gjithësisë, i cili të devotshmit do t’i mbulojë me mëshirën e Tij, kurse të këqijtë dhe pabesimtarët do t’i ndëshkojë me ndëshkimin më të rëndë. Dhe askush nuk mund t’i bëjë Atij asnjë vërejtje ose kritikë, sepse drejtësia e Tij është e përkryer. Ai shpërblen ose ndëshkon vetëm sipas veprave tona në këtë botë.
- يَوْمَ يَقُومُ الرُّوحُ وَالْمَلائِكَةُ صَفًّا لا يَتَكَلَّمُونَ إِلا مَنْ أَذِنَ لَهُ الرَّحْمَانُ وَقَالَ صَوَابًا
- 38. “Atë ditë Xhibrili dhe engjëjt qëndrojnë të rreshtuar, askush nuk flet pos atij që e lejon Mëshiruesi, dhe i cili e thotë të vërtetën".
Se ajo ditë e ballafaqimit me veprat tona para Allahut, do të jetë ditë e vështirë, por njëkohësisht edhe madhështore, dëfton ky ajet, nga i cili kuptojmë se madje as Xhibrili a.s., meleku më i madh, e as melekët e tjerë, nuk mund të flasin e as të ndërmjetësojnë pa lejen e Allahut.
Paramendoni atë ditë kur besniku i të gjitha shpalljeve, Xhibrili a.s., engjëlli më madhështor prej engjëjve të tjerë, qëndron para madhërisë së Allahut, në rresht, tok me engjëjt e tjerë dhe nuk bëzajnë fare, por, edhe kur u lejohet të flasin, u duhet ta bëjnë këtë vetëm me dy kushte:
E para: Kur u lejohet nga ana e Allahut të ndërmjetësojnë (të bëjnë shefat), siç thotë Allahu xh.sh.:
- “Kush mund të ndërmjetësojë tek Ai, pos me lejen e Tij?” (El-Bekare, 255)
pastaj:
- “E kur të vijë ajo ditë, askush nuk do të flasë, pos me lejen e Tij…” (Hud, 105)
dhe:
- “Atë ditë nuk bën dobi as ndërmjetësimi, përveç atij që e ka lejuar i Gjithëmëshirshmi të ndërmjetësojë dhe për të cilin e pëlqeu ndërmjetësimin.” (Ta Ha, 109)
d he e dyta: Që si ndërmjetësues ta thonë të vërtetën me rastin e ndërmjetësimit, dhe me kusht që personi për të cilin bëhet ndërmjetësimi, të jetë i denjë për këtë.
Dijetarët, në lidhje me aludimin në fjalën “Er-Rruhu”, kanë shprehur disa mendime:
- - Shumica dërrmuese e dijetarëve thonë se “Er-Rruhu” është Xhibrili a.s., dhe këtë pohim të tyre e mbështetin me argumentin kuranor:
- “Atë (Kur’anin) e solli shpirti besnik (Xhibrili).” (Shuara, 193).
- - Disa të tjerë kanë dhënë mendimin se me termin “Er-Rruhu” nënkuptohet një prej ushtrive të Allahut që nuk janë prej melaikeve, ose janë melaiket më të ndershme (më të mëdha), ose janë mbrojtësit (kujdestarët) e melaikeve ose me këtë term thuhet të jetë cilësuar vetë Kur’ani.
Pavarësisht nga këto mendime, megjithatë mendimi më i saktë dhe më i pranueshëm është se fjala “Er-Rruhu” në këtë ajet aludon Xhibrilin a.s.
- ذَلِكَ الْيَوْمُ الْحَقُّ فَمَنْ شَاءَ اتَّخَذ إِلَى رَبِّهِ مَآبًا
- 39. “Ajo është dita e vërtetë, e kush dëshiron le të kthehet rrugës te Zoti i vet.”
Ky ajet, na rikthen rishtazi në fillimin e kësaj kaptine, sepse mu kjo ditë, është Dita e Ringjalljes dhe Lajmi i madh, të cilin pabesimtarët e përgënjeshtruan dhe kishin kundërthënie rreth tij. Andaj, ai që dëshiron të dalë i pastër para Allahut, me besim të paluhatshëm, le të ndjekë rrugën e nënshtrimit ndaj Fuqiplotit, le të kërkojë strehim nën hijen e udhëzimit të Tij, sepse vetëm në të është e vërteta e amshueshme dhe shpëtimi.
- إِنَّا أَنذَرْنَاكُمْ عَذَابًا قَرِيبًا يَوْمَ يَنظُرُ الْمَرْءُ مَا قَدَّمَتْ يَدَاهُ وَيَقُولُ الْكَافِر يَالَيْتَنِي كُنتُ تُرَابًا
- 40. “Ne jua tërhoqëm juve (idhujtarëve) vërejtjen për dënimin e afërt, në ditën kur njeriu do t’i shohë veprat e tij, dhe kur jobesimtari do të thotë
- “Ah, sikur të isha dhe!”
Dijetarët bashkëkohorë duke e komentuar këtë pjesë të ajetit:
- إِنَّا أَنذَرْنَاكُمْ عَذَابًا قَرِيبًا ...
“Ne jua tërhoqëm juve (idhujtarëve) vërejtjen për dënimin e afërt…”, thonë se ky ajet, përveç paralajmërimit të dënimit të tmerrshëm të Ahiretit, mund të kuptohet si paralajmërim i dënimit të përkohshëm edhe në jetën e Berzahut, më saktësisht, ndëshkimit në varr, për ç’gjë i Lartmadhërishmi na flet edhe në këto ajete: “Është e vërtetë se ata që bënë zullum, kanë një dënim më të afërt sesa ai (i kiametit), por pjesa dërrmuese e tyre nuk dinë.” (Tur, 49), dhe: “Ata i nënshtrohen zjarrit mëngjes e mbrëmje, e ditën e kiametit (u thuhet engjëjve): Ithtarët e faraonit futni në dënimin më të rëndë!” (Gafir, 46).
Vërtet, drejtësia dhe mëshira absolute e Allahut është e pashembullt. Ai njerëzve ua tërheq vërejtjen për dënimin e tmerrshëm në Ahiret, e ajo ditë është e afërt, sepse çdo gjë që vjen, është e afërt. Në atë ditë askush nuk mund të ketë ndonjë arsyetim para Krijuesit të vet, se nuk i është tërhequr vërejtja për diçka të tillë, që vërtet do ta presë.
Por, padyshim, momenti më i vështirë për pabesimtarët do të jetë momenti i Llogarisë së fundit, kur ata definitivisht do të drejtohen për në Skëterrë (Xhehennem), pas ballafaqimit me veprat e tyre të shëmtuara siç thotë i Plotëfuqishmi: “Ditën kur çdo njeri e gjen pranë vetes atë që veproi, mirë ose keq, e për atë të keqe që bëri, do të dëshirojë që në mes tij dhe në mes asaj të jetë një distancë shumë e madhe (e të mos e shohë).” (Ali Imran, 30).
Vazhdimi i ajetit të fundit të kësaj kaptine: ...يَوْمَ يَنظُرُ الْمَرْءُ مَا قَدَّمَتْ يَدَاهُ وَيَقُولُ الْكَافِرُ يَالَيْتَنِي كُنتُ تُرَابًا “…në ditën kur njeriu do t’i shohë veprat e tij, dhe kur jobesimtari do të thotë: “Ah, sikur të isha dhe !”, na ofron pamjet trishtuese të fytyrave të pabesimtarëve e kriminelëve, të cilët në kulmin e thyerjes së tyre shpirtërore e fizike, të dëshpëruar nga pafuqia e tyre që të ndërrojnë diçka nga ky realitet i hidhur, shfaqin një dëshirë të parealizueshme për atë moment. Dëshirojnë të ishin dhe, e të mos ishin krijuar fare si njerëz, dëshirojnë të kishin ngelur në varre, ashtu të shndërruar në dhe, e të mos ishin ringjallur fare. Disa komentatorë thonë se pabesimtarët në ato momente të turpërimit e të nënçmimit do të dëshironin të ishin në vend të atyre kafshëve (gjallesave) pa intelekt, të cilat nesër në Ahiret, pasi të ketë marrur secila hakun nga njëra-tjetra, me urdhrin e Allahut, do të shndërrohen në dhe.
Mendjemadhësia, arroganca dhe kryeneçësia e tyre në këtë botë i shtyri për të mohuar argumentet e njëpasnjëshme të Allahut, të cilat ia solli njerëzimit për të njohur Krijuesin e tyre. Prandaj vetëm në atë ditë dhe në ato momente tragjike, ata do ta kuptojnë realitetin e hidhur, për të cilin i pati paralajmëruar Allahu xh.sh. qysh në fillim të kësaj kaptine: “Jo, (mos të pyesin) sepse ata sigurisht (një ditë) do ta kuptojnë!. Dhe, gjithsesi (bindshëm) do ta kuptojnë (se ringjallja dhe Dita e Gjykimit janë realitet)!” (En-Nebe’ë, 4-5)
Por, mjerisht, tash për ta çdo gjë është tepër vonë. Ata tashmë i sheh tek tërhiqen zvarrë nga melaiket e ndëshkimit, të nënçmuar e të përbuzur, drejt vendqëndrimit të tyre të përjetshëm, në skëterrat e Xhehennemit, për të mos dalë kurrë prej aty, në vuajtje e ndëshkim të amshueshëm: “Halidine fiha ebeda – Në të (Xhehennem) do të jenë përgjithmonë.”[2]
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ Muhammed Shevkaniu, “Fet’hul Kadir”, vëll. V-të, fq. 359, Mensure-Egjipt, 1994
- ^ "Komentim nga Sabri Bajgora". Arkivuar nga origjinali më 13 tetor 2007. Marrë më 6 nëntor 2007.
{{cite web}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!)