Dollogozhda
Dollogozhdë
Делогожда | |
---|---|
Fshat | |
Popullsia | |
• Gjithsej | 2.920 |
Emri i banorëve | Dollogozhdas |
{{{postal_code_type}}} | 6338 |
Dollogozhdë, (maqedonisht: Делогожда/Delogožda) është fshat në komunën e Strugës, Maqedoni. Fshati ndodhet rrëzë malit Karaorman në verilindje të Strugës në një largësi prej rreth 11 kilometrash. Nga viti 1996 deri 2004 ishte e organizuar si komunë në vete, por me riorganizimin e sistemit të vetëqeverisjes lokale u shkri në komunën e Strugës. Dollogozhda si komunë numëronte 7884 banorë por si fshat rreth 3000 banorë, sipas regjistrimit të popullsisë në vitin 2002.
Demografia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Është vendbanim i banuar me shumicë shqiptare.[1]
Tabela e Popullsisë (2002)
Kombësia | Banorë | % |
---|---|---|
Shqiptarë | 2906 | 99.52 % |
Të tjerë | 14 | 0.48 % |
Histori
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Në shekullin XIX Dollogozhda i takonte rrethit apo kazasë së Оhrit në imperinë otomane. Në librin "Етнография на вилаетите Адрианопол, Монастир и Салоника", i botuar në Stamboll më 1878 që e tregon statistikën e banorëve meshkuj nga viti 1873, Dollogozhda ka pasur 25 familje, me 65 banorë meshkuj të gjithë mysliman.[2]
Sipas statistikës së Васил Кънчов ("Македония. Етнография и статистика") nga viti 1900 Dollogozhda ka 730 banorë shqiptarë mysliman.[3]
Ky artikull ose seksion duhet të përmirësohet sipas udhëzimeve të Wikipedia-s. |
Ky artikull dyshohet se përmban hulumtim vetjak apo thënie të pacituara prandaj nuk mund të merret si i saktë. |
Etimologjia e emrit "Dollogozhdë"
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Në fshat ekzistojnë disa variante për emrin e Dollogozhdës. Pleqtë e fshatit e lidhin me fjalën që kanë përdorë banorët e fshatit Poum, këta kur kanë zbrit poshtë pasi që janë shumë lartë prej Dollogozhdës, kanë thënë -“Dola Poshtë“ dhe kështu ka ngelur emri Dollogozhdë. Një variant tjetër thot se fshati ndodhet në luginën më të ngushtë - Te lugu i ngushtë, që do të thotë se fshati i vjetër nuk ka mundur të duket, dhe pyetjes se ku ndodhet fshati “Te Lugu Osht” ose “Te Logu Oshtë“ që d.m.th. Dollogozhdë. Njëherë nga fusha e Tateshit ka ardhur një udhëtar, kur ka hypur lartë te Zabeli i Beut nuk ka mund të vërej fshatin, udhëtarit I kanë thënë se kur të kalosh zabelin do të shohësh një fshat të vogël, udhëtari pasi nuk e sheh fshatin, kur ka arritur te Vromi ka takuar një bari dhe e ka pyetur ku ndodhet fshati, ai i ka thënë: “se te Lugu Osht”, po si e ka emrin ky fshat e ka pyetur udhëtari, po ja i ka thënë bariu ne i themi Te Lugu Osht, jo më mirë i ka thënë udhëtari ju ti thoni Dollogozhdë. Varianti i parë që kanë thën fshatarët e Poumit “Dola poshtë“, me të vërtet kur kanë zbrit nga mali kanë thënë “Dola poshtë“ sepse me të vërtet kan zbrit në rrafshirë këta janë variante të Dollogozhdës. Varianti më i sigurt është se vendbanimi në të kaluarën është quajtur “Guri i bardhë“, por me ardhjen e sllavëve ashtu si që indërruan emrata e shum venbanimeve kështu vepruan edhe me emrin guri i bardhë. Sot në fshat ka dy vende ku quhen Gurët ose guri i bardhë, njëri është mbi fshat kurse tjetri në krastë. Këta gurë të bardhë në krastë mund ti vëresh prej Struge dhe më largë. Flitet se emri Dollogozhdë është me prejardhje sllave siç dëshirojnë ta interpretojnë disa njerëz, por pjesa e dytë e emrit nuk korrespondon me asnjë emër sllav.[4]
Gjeografia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Dollogozhda është e vendosur në rrëzën jugore të malit Karaorman, me lartësi mbidetare afër 800 m dhe kufizohet në lindje me fshatin Zhepin (1,6 km) dhe Koroshisht (2,3 km), në jug me fshatrat: Livadhi (2,8 km) dhe Bixhovë (3,7 km). Në jugperendim me fshatin Novo Sellë (3,1 km), në perendim kufizohet me fshatin Tatesh i Poshtëm (2,9 km), kurse në veri me fshatin Poum (2,9 km).
Lidhjet komunikative të fshatit:
Në lindje, Dollogozhda është e lidhur me fshatin Zhepin dhe Koroshisht dhe nëpërmjet rrugëve që kalojnë lumin Sateska dhe dalin në magjistralen Ohër-Shkup. Në juglindje, Dollogozhda lidhet me fshatin Livadhi, përtej lumit Sateska me fshatrat Volin dhe Trebenishtë dhe përsëri lidhet me magjistralen Ohër-Shkup. Ne jugperendim, Dollogozhda lidhet me fshatrat Bixhovë, Novo Sellë, Llozhan dhe del në magjistralen Strugë-Dibër-Shkup, Strugë-Dibër-Peshkopi. Në perdenim, Dollogozhda lidhet me fshatrat Tatesh i Poshtëm, Tatesh i Epërm, Dobovjan, Veleshtë dhe me magjistralen Strugë-Dibër. Nëpërmjet fshatit Tatesh i Poshtëm Dollogozhda lidhet me fshatrat Misllodezhdë, Bogovicë-Toskët dhe përtej me fshatrat e Malësisë Bërcevë, Presojan, Zbazhd, Razhnov dhe përtej me Komunën e Dibrës. Dollogozhda lidhet gjithashtu edhe me rrugët që rrugëtojnë në malin Karaorman. Këtu vlen të permendet rruga e lashtë Dollogozhdë-Cërrckë-Ledina e Koritave, Rrafshat e vogla dhe Rrafshat e mëdha, si dhe rruga Dollogozhdë-Koshare-Kumbulla-Livadhi i Karaxhit deri te Rrafshat e mëdha.
Rrugë të asfaltuara janë rrugët Dollogozhdë-Livadhi-Drasllavicë-Strugë, si dhe rrugët Dollogozhdë-Zhepin-Koroshisht, Dollogozhdë-Tatesh i poshtëm-Misllodezhdë dhe Dollogozhdë-Poum. Edhe rrugët mbrenda në fshat janë të asfaltuara.
Reliefi
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Dollogozhda shtrihet në vend kodrinor. Në veri duket mali i bukur i Karaormanit, kurse në jug është fusha e Dollogozhdës që është pjesë e fushës së Strugës. Në lindje është krasta e mbuluar me gurë të bardhë gëlqeror ku rriten shkurret, ferrat dhe një lloj bagrem i egër. Në perendim është toka e kuqe, e cila është emëruar si Kuqlina, në cilën kultivohen të lashtat, gruri por me shumë sukses rritet hardhia. Dollogozhda është e njohur për prodhimin rrushit kualitativ me sasi të madhe të sheqerit. Në perëndim është lumi i thatë i ashtuquajtur "Vromi", cili më parë ka bërë vershime shumë të mëdha. Që të eliminohet kjo e keqe e fshatit u ndërtua kanali me bankina i cili për rreth u mboll me bagrema, gështenja e pisha kështu që vershimet janë eliminuar dhe uji rrjedh vetëm në stinën e dimrit. Ky aksion dhe pyllëzimi i kodrave për rreth ka filluar kah viti 1950 dhe ka ndikuar pozitivisht në pengimin e vërshimeve që ishin një rrezik për fshatin, pasi që më parë disa herë është goditur duke u shkaktur dëme të mëdha. Pyllëzimi ndikoi edhe në zbukurimin e kodrinave të fshatit Dollogozhdë.
Klima
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Prej të gjitha vendbanimeve për rreth, Dollogozhda është mesi më i ngrohtë. Në veri mbrohet nga mali Karaorman. Prej erës së Veriut që sjell lumi Sateska mbrohet nga Krasta, kurse prej erërave të perendimit e mbron Zabeli i Beut.
Është e vërtet se bora e parë në ultësirën e Strugës shkrihet në Dollogozhdë. Në të dalë prej fshatit Zhepin, aty ku është krasta më e ulët ose ku mbaron krasta, rritet një fik i egër dhe aty bora shkrin më parë. Banorët e Dollogozhdës thonë se këtë copë vend e rrahin erërat e ngrohta të Jugut.
Me rritjen e drunjëve në mal si dhe me paksimin e të rreshurave të shiut dhe borës disa vite me radhë, nga burimi i Dollogozhdës, që rrjedh në fund te krastës, buron pak ujë dhe nuk mjafton as për furnizim e e fshatit me ujë për pije. Edhepse më parë nga po ky burim është vaditur toka pjellore e fshatit. Kjo ndikon në mikrokrimen e Dollogozhdës. Më të vjetrit thonë, se më parë në male ka rënë mbi 2 m borë, dhe atëherë burimi ka pasur mbi 10 vijë ujë për ujitjen e fushës dhe ka punuar edhe mulliri i fshatit.
Vegjetacioni
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Dollogozhda ka vegjetacion të llojllojshëm. Duke filluar qysh në ditët e para të muajit mars nëpër kodra çel thana, kukureku, luledelja dhe manushaqja. Në prill fillojnë të çelin dhe të gjithë pemët tjera.
Në pjesën kodrinore rritet dushku, ahu, pisha, bagremi, gështenja, kreka, frashëri, pali etj. Prej pemëve me sukses rriten kumbullat, ftoi, dardhat, mollat, qershit, hardhia etj. Prej barnave është shumë e sukseshme jonxha dhe trendelina. Pra, nëse Dollogozhda ka ujë për vaditjen e fushës gjatë stinës së verës, ka kushte për prodhimin e rendimenteve të larta të shumë kulturave bujqsore. Kur burimi i Dollogozhdës ka patur ujë për vaditjen e fushës janë kultivuar me shumicë në Dollogozhdë specat, duhani, misri, fasulja etj.
Dollogozhdarët thonë me të drejtë, se në Dollogozhdë më mirë është të ketë ujë për vaditje se sa një fabrik. Ka disa vite me radhë që në Dollogozhdë nuk mbillet as misri, as duhani dhe as specat për shkak se mungon uji për vaditjen e arave pjellore.
Ekonomia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Bujqsia ka qenë, është dhe siç duket, derisa te arrihet zhvillimi ekonomik i Komunës tonë, do të mbetet si degë kryesore e zhvillimit edhe për banorët e Dollogozhdës. Me të ardhurat nga bujqsisa është ruajtur familja. Më parë toka është punuar me mjete primitive, me parmendë dhe me qe. Gati çdo familje e ka pasur parmendën, pllugun, zgjedhën, etj. Është kultivuar gruri, elbi, thekrat, vardari. Drithërat janë mbjellë zakonisht para Shën Mitrit. Pjesa perendimore e tokës sidomos "Kuqlinat" janë mbjellur një herë në 2 vite, kurse pjesa tjetër, "Shavarushtet", "Skripsat", "Nder Krasta" janë mbjellur një vit misër ose kulture tjetër dhe një vit drithra.
Misri, grosha, duhani, specat, domatet mbilleshin mbas "Shën Gjergjit". Të korrat vini zakonisht pas 15 korrikut. Me rritjen e numrit te banorëve rriteshin edhe nevojat për shtimin e prodhimtarisë, prandaj dollogozhdarët ne vitin 1968/69, bënë tentim për ndertim të ujësjellësit dhe ndërtuan vijen e ujit nëpër krastë dhe nxorrën ujin prej Zhepini në fund të fshatit, për ta ujitur fushën. Kjo ka qenë koha kur në Dollogozhdë kultivohej me të madhe duhani. Kjo vijë ka funksinuar nja 2 vite. Në vitin 1976/77 e bë tentim tjetër që të ndërtohet një sistem tjetër për vaditje. Por me gjithë mundim e dhënë dhe mjetet finaciare edhe ky sistem punoi disa vite dhe nuk funksionoi më tutje. Siç duket pompat u montuan gabim dhe gypat edhe sot e kësaj dite ngelën në tokë, kurse pompat më shumë se dhjetë vite nuk punojnë.
Në pjesën perendimore, pra ku është toka e kuqe, rriten me sukses hardhia, dhe ka disa familje që kanë vreshta. Pemtaria është më pak e zhvilluar, por në oborre të shtëpive mund të shihen pemë të llojllojshme. Blegtoria më parë ka qenë shumë e zhvilluar. Popullata është marrë me rritjen e kafshëve shtepiake, që janë perdorë për punë, për prodhimin e qumshtit dhe për sigurimin e mishit. Disa familje kanë pasë kope delesh të cilat gjatë verës i kanë ruajtur nëpër stane.
Është me rëndësi të përmendet periudha pas vitit 1960, kur në fushën e Dollogozhdës prodhoheshin speca te kualitetit të lartë. Gjithashtu edhe duhani ishte me kualitet të lartë. Por për shkak të mungesës të ujit për vaditje, kultivimin i këtyre kulturave ka rënë krejtësisht. Tani fusha mbillet me jonxhe dhe drithra.
Fusha me pozitën e saj dhe mikroklimën mund të japë rendimente të mira.
Kultura
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Arsimimi
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Dollogozhdarët janë arsimdashës,Por kushtet ekonomike dhe politike që kanë dominuar në të kaluarën nuk premtonin një zhvillim më të shpejtë të arsimit në këtë vend.
Shkollat e para happen në kohën e Mbreterisë Sërbo-Kroato-Sllovene në gjuhën sërbe. Mësuesit po ashtu kanë qenë nga Sërbia ose Mali i Zi. Përveç lëndeve të tjera, që janë përshkruajtur në monografinë e Sh.F. "Naim Frashëri", mësohej vetëm një lëndë që u interesonte fshatarëve, lënda për fenë islame të cilën e ka ligjëruar hoxha ose dikush tjetër qe ka pasur njohuri mbi fenë. Por dëshira për të mësuar në gjuhën amtare ka qenë shumë e madhe.
Në gjuhën shqipe u hapën shkollat e para gjatë Luftës së dytë botërore nga ministria e atëhershme e mbretërisë së Shqipërisë kanë vazhduar me punë deri në çlirimin e vendit. Pas mbarimit të Luftës Nacional-Çlirimtare. Prej këtyre shkollave fillore nxënësit e dalluar i vazhduan mësimet në Shkollën e Mesme Normale të Shkupit, ku u regjistruan shumë nxënës nga Dollogozhda.
Mësimet në Normalen e Shkupit në atë kohë i mbaruan me sukses dhe u emëruan mësues keta nxënës nga Dollogozhda: Remzi Qoku, Xhemail Qoku, Ali Zhaku-Aliu, Belqia Dervishi dhe Osman Sela. Para tyre si mësues me kursin e kryer kanë punuar me nxënësit Aqif Dalipi dhe Bilal Bilali. Kuadri me arsim të lartë u krijua më së shumti nga Universiteti i Prishtinës, dhe nga univerzitetet e Shkupit, Beogradiit dhe Zagrebit. Për emrat e të shkulluarve gjegjësisht intelektualëve nuk janë të prezentuara në këtë punim, pasi që janë përmendur në monografinë e shkollës, që është botuar në vitin 1998.
Sa i perket arsimit dhe edukimit te gjenerateve te reja, në këtë drejtim apelojmë që në të ardhmen të insistohet me çdo kusht, që gjeneratat e reja të mësojnë sa më shumë dhe të vazhdojnë shkollimin në shkollat e mesme të përgjithshme dhe profesionale prej ku do ti vazhdojnë studimet në universite të ndryshme. Sepse vetëm duke u shkolluar mund të ecim përpara si dollogozhdarë, por edhe si komb dhe sa më lehtë të mund të integrohemi në proceset demokratike evropiane.
Shkolla fillore në fshatin Dollogozhdë është ndertuar në vitin 1969. Si objekt shkollor ajo nuk i plotësonte kushtet minimale për mesim bashkëkohor me planet dhe metodat e reja të mesimit interaktiv. Shkolla u rindërtua në vitin 2001 me inciativë të qytetarëve të Dollogozhdës nga fonde të oragnizuara me vetiniciativë. Më 5 maj të vitit 2006, shkolla mbante emrin e Rilindasit tonë të madhë "Naim Frashëri", emërohet me emrin e luftëtarit dhe Komandantit të UÇK-së, "Nuri Mazari-Komandant Struga".
Shoqatat kulturore
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Shoqëria Kulturore-Artistike "BESA" është formuar në vitin 1974,si rezultat i dëshirës së madhe të rinisë Dollogozhdare, për të afirmuar vlerat dhe traditën kulturore-artistike të Dollogozhdës dhe Trevës Strugane. Ndër iniciatorët e parë që formuan këtë shoqëri kanë qenë disa të Rinjë dhe Intelektualë të fshatit Dollogozhdë sic janë: Minir Zhaku, Nuhi Pollozhani, Afrim Sela, Adi Useini etj. Për shkaqe tashmë të njohura politike në këto treva, kjo Shoqëri ndërpret Aktivitetin e sajë disa vite dhe përsëri rinis Aktivitetin e saj në vitet 1991/92, ku si Kryetar i sajë zgjidhet Juristi Adi Useini. Në vitet që rrodhën Shoqeria "BESA" merr pjesë në një numër të madhë Koncertesh dhe Festivalesh si në: " Këngë Jeho"- Strugë; "Sharri Këndon"- Tetovë; "Oda Dibrane"-Peshkopi dhe të tjera manifestime kulturore, ku prezanton të gjitha të arriturat e kësaj Shoqërie ndër vite. Në vazhdën e prezantimeve të suksesshme, Shoqëria "BESA" në vitin 1994 me Vallen "Vallja e Plakut" fiton cmimin e Parë për vallen më të mirë në Festivalin " Këngë Jeho"- Strugë 1994. Në Kuadër të kësaj Shoqërie në maj të vitit 1999 u organizua një Koncert madhështor në Stadiumin e fshatit për përcjelljen e Vëllezerve tanë Kosovarë në trojet e veta Etnike, me moton "Kosovë e gëzofsh Lirinë dhe Pavarsinë". Në gusht të vitit 2002, falë një pune të palodhëshme disa vjecare, Shoqëria Kulturore-Artistike "BESA" fiton cmimin e Dytë në Festivalin " Këngë Jeho"- Strugë 2002, kurse në po të njëjtin Muaj të vitit 2003 laureohet me cmimin e Parë të po këtij Festivali. Ky cmim ndikoi mjaftë në punën e vetë Shoqërisë "BESA", dhe qe një pikë shtytëse që aktivitet e ardhëshme të kësaj Shoqërie të jenë edhe më të suksesshme dhe më profesionale nga ana Artistike. Pas prezantimit dinjitoz në Festivalin e njohur të Strugës, SHKA "BESA" pranon Ftesë Zyrtare që të prezantohet edhe para publikut dhe Artëdashësve Kosovarë në Prishtinë, dhe njëherit Programi i sajë i pasur kulturoro-artistik transmetohet edhe në Programin në Gjuhën Shqipe pranë Radio Televizionit Shtetëror të Maqedonisë. Me angazhimin e Shoqërisë Kulturore-Artistike "BESA", u bë i mundur edhe realizimi i një Dokumentari për vetë fshatin Dollogozhdë, i cili për qëllim pati prezantimin e të gjithë vlerave dhe traditave etno-kulturore, folkloristike e të tjera që i ka fshati Dollogozhdë. Për t'a mbajtur gjallë këtë Shoqëri që sot krenohet e gjithë Dollogozhda, kontribut të vecantë kanë dhënë Kurbetqarët e Amerikës, Zvicrës, Gjermanisë dhe Austrisë të cilët asnjëherë nuk kursyen mundin dhe djersën e tyre që kjo shoqëri të vazhdojë me sukseset e saj.
Ndër aktivitetet e shumta të SHKA "BESA" mund të vecojmë:
- Shoqëria Kulturore-Artistike "BESA" për t'a nderuar luftën heroike të ish Ushtrisë Clirimtare Kombëtare, mori pjesë në Manifestimin e organizuar me rastin e shënimit të një vjetorit të çlirimit të fshatit Radushë të Shkupit.
- Pjesmarja në "Takimet e Kurbetqarëve" ne fshatin Gërçare të Prespës.
- Pjesmarja në Turneun 2 Javorë në Turqi. Shoqëria "BESA" merrë pjesë në 2 Festivale ndërkombëtare ku edhe njëherë dëshmoi vlerat e mëdha kulturore artistike të Kombit tonë.
- Pjesmarja në Revynë e Veshjeve Popullore të mbajtur në Strugë, ku paraqiti koloritin e veshjeve tradicionale të trevës sonë.
Sporti
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Klubi Futbollistik i fshatit Dollogozhdë u formua ne vitin 1977/78 me emrin "Vllaznimi". Kryesia e Parë e Klubit përbëhej nga Zejadin Islami (Kryetar), Alit Aliti (arketar), Mustafa Useini dhe Resul Bekteshi (Trajnerë). Ndër iniciatorët e parë për formimin e Klubit ka qenë zoteriu i ndjerë Alit Aliti, emrin e të cilit e mbanë aktualisht Qendra Sportive e fshatit. Në stinorin e parë të garimit, Klubi Futbollistik i fshatit Dollogozhdë garonte në Ligën Komunale B, ku pas nje Stinori Klubi u ngjit në Ligën Komunale A. Në vitin 1986 nga situata e krijuar politike në ish Jugoslavi, organet Shtetërore e Kontestuan emrin e Klubit "Vlaznimi" gjë që sipas Organeve shtetërore Klubi duhej të mbante emrin "Bratstvo", dhe mu për këtë shkak Kryesia e Klubit morri vendimin qe Klubi tash e tutje të mbante emrin e vetë fshatit pra Klubi Futbollistik "Dollogozhda". Për shkak të padrejtësivë të shumta dhe të vazhdueshme nga ana e Strukturave shtetërore, Klubi Futbollistik "Dollogozhda" që nga viti 1989 deri në vitin 1992 pushoi së funksionuari. Në vitin 1992 me iniciativën e disa Dollogozhdarëve dhe të njërit prej Lojtarëve më të dalluar të KF "Dollogozhda", Zamir Danit Klubi riaktivizohet dhe garon në Ligën Komunale. Pas disa vitesh garimi në Ligën Komunale, në vitin 1996 Klubi u ngjit në Ligën e Tretë Perëndimore të Maqedonisë, duke shënuar suksese mjaft të mira. Por suksesin më të madhë gjatë gjithë historisë së tijë KF "Dollogozhda" e arriti në vitin 2004 ku u shpall Kampione në Ligën e Trete Rajonale (Liga Liqenase- siq quhet Zyrtarisht nga FFM) dhe mori pjesë në ndeshjet kualifikuese për tu ngjitur ne Ligën e dytë të përbashkët të Maqedonisë, të mbajtura në Shkup, ndeshje kualifikuese të cilat Klubi nuk i kaloi me sukses. Meritat më të mëdha për këtë sukses i ka Zoteriu Lulzim Zhaku-Aliu i cili njëherit e ndihmon Klubin Financiarisht që nga viti 2000. Ndër kontributet e vecanta që ka dhëne zotëri Lulzim Zhaku-Aliu për KF "Dollogozhda" janë:
- Instalimi i rrjetit gjegjësisht të Gypave për Ujitje nga Burimi i fshatit deri tek Qendra Sportive.
- Dhurimi i të gjitha pajisjeve Sportive për të gjitha grupmoshat, duke filluar që nga Topat, Fanelat e deri tek Tutat.
- Organizimi i Turneut futbollistik mbarkombëtar "Dollogozhda 2000", ku morën pjesë edhe Ekipet e shquara si "Bashkimi" nga Kumanova, "Flamurtari" nga Prishtina, "Drita" nga Bogovina etj, Turne i cili ndikoi në përmiresimin dhe përhapjen e një Imazhi të mirë të KF Dollogozhda në hapësirën mbarëshqiptare.
- Formimi i Shkollës së futbollit për grupmoshat e reja, ku trajnerë janë z. Fatmir Ziba dhe z. Xhavit Mazari. Nga vetë puna serioze dhe e palodhëshme e këtyre Trajnerëve rrodhën edhe disa suksese, ku vlejnë të theksohen pjesmarrja e këtyre të rinjve në disa Turne ndërkombëtare si në Kroaci, Shqipëri etj. Në Turneun në Kroaci, ku pjesmarrës ishin edhe Shkollat e njohura të Futbollit Evropian si nga Milani, Dinamoja e Zagrebit etj, shkolla e futbollit për grupmoshat e reja nga Dollogozhda zë vendin e Tretë.
Ndër Lojtarët më të shquar nga gjeneratat e vjetra që ka nxjerrë KF "Dollogozhda" janë: Mair Ziba, Zamir Dani, Nexhmedin Pollozhani, Mentor Ibrahimi, Atmi Ziba, Xhavit Mazari, Mugni Alimi(Portier),Nadi Aliti, ndërsa nga gjeneratat e reja vlejnë të theksohen: Selami Ameti, Juni Ziba, Zaim Dauti, Nadi Ameti, Vebit Imeri, Mushteba Kica (Portier), Atmi Shazimani, Dritan Dani, Femi Kurtishi, Ardian Dani, Argjend Zhaku etj.
Gjithashtu për Kontributin e tyre të pashoqë për KF "Dollogozhda" vlejnë të përmenden edhe emrat e zotërinjve : Osman Sela, Sadulla Bakiu, Subi Dani, Shefqet Dani, Alim Zhaku, Fatmir Neziri, Rushan Sela, Maherr Pollozhani, Rufon Zhakut-Foni (për mirëmbajtjen e Fushës) etj.
Veshjet popullore
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Me ndryshimin e kohërave kanë ndryshuar edhe veshjet në Dollogozhdë. Por pëlhurat e endura janë ruajtur edhe sot e sidomos këmishat me oja, pështëmallat dhe veshjet e nuseve dhe grave të tjera.
Veshjet e nuseve-grave
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Këmishat prej pelhure të endura në razboj (tërkuzë), këmishat shalle, këmishat me varra, këmishat me topa, këmishat me honxa, këmisha mendafshi ose e ashtuquajtura pelhurë e mirë.
Bofçat me drugëz, bofçat me topa të bardha, çarçafe shalle, çarçaf me topa, çarçafe rende. Dullaku i nuses ishte prej kadife ose atllasi. Mbi këmishen vehej jeleku, brezi gjysëm dimie, te cilët brezër kanë qenë prej kadife, atllasi, basme etj. Këto tesha i kanë qepur gratë nëpër shtëpija dhe të cilat ruhen ende kësaj dite. Si pjesë e veshjes së nuses kanë qenë edhe komat te thurura me dore prej gajtani. Gratë më të vjetra kanë veshur këmisha prej pëlhurë me onxa të kaltërta, pështëmallat, pështërkat, ndersa çirkat kanë shërbyer si pallto prej kadifes së zezë ose të kuqe.
Veshjet e burrave
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Burri ka veshur këmishe të bardhë me sqepa, pallto, pantollona prej shajaku e më vonë prej shtofi, opinga dhe më vonë këpucë, çorape të cilat kanë qenë të bardha e të thuruara prej leshi. Më të vjetrit kanë mbajtur tirqe koprone etj.
Dasmat në Dollogozhdë
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Njëra nga traditat më të lashta të kombit që është ruajtur me xhelozi dhe besnikëri në Dollogozhdë janë dasmat. Kjo tradit e bukur që bënë pjesë në grupin e këngëve familjare për të cilën dollogozhdarët janë të njohur për ruajtjen autoktonike të saj nga ceremonija e fejesës deri te ajo e martesës. Është normale se me ndryshimin e kushteve, me ndryshimin e gjendjes ekonomike edhe kjo tradite ka pësuar ndryshime, por ajo që është qenësore (thellbësore), është ruajtur.
- Duke u nisur prej kohërave më të vjetra e deri më sot ka pasur shumë ndryshime në organizimin e dasmave.
Dasmat për kohezgjatje mund ti ndajme në 3 grupe:
- Dasmat që bëheshin para gjysëm shekulli dhe zgjatnin 8 ditë, fillonin dhe mbaronin ditën e enjte.
- Dasmat që bëheshin para 20 e më shumë viteve zgjatnin 4 ditë, te cilat fillonin ditën e hënë dhe mbaronin të enjten.
- Dasmat që bëhen sot zgjasin vetëm 1 ose 2 ditë.
Ditët e fillimit dhe mbarimit të dasmave nuk caktohen. Dasmat bëhen për një ditë, fillojn në mëngjez dhe mbarojn në mbrëmje.
Më parë dasmat janë bërë në stinën e dimrit, kurse tani bëhen në stinën e verës për shkak të ardhjes së gurbetqarëve.
Dasma te dhëndërri
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Dasma fillon me çuarjen e bojës. Bojali caktoheshin 3 vetë nga më të afërmit e familjes së dhëndrrit, të cilët ne tre kuaj e me pase me qerre kali apo arab dhe tani me veture, shkonin ose shkojnë te shtepia e nuses me një arkë, ku e çonin bojën dhe dhuratat tjera për nusen dhe të afërmit e tjerë të familjes së saj. Bojalitë në mëngjez çojn peshqeshe për nusen, peshqeshe për të afërmit e nuses, kanë ëmbelsira të ndryshme, rrush të thatë, elbebia dhe dikund gështenja të ziera.
Kur kthehen bojalitë në shtëpin e dhëndrrit fillon shtypja e grurit dhe fillonin njerëzit e afërt të përgatisin drekën dhe më pas pergatitjen për marrjen e nuses dhe pergatitje të ndryshme që do të ceken me vonë... Ditën e dasmës vinë edhe lodrat(daullet)dhe pizgat. Luhej valle rruhej dhëndrri dhe atëherë nisen krushqit për marrjen e nuses. Edhe te shtëpia e nuses luhej valle por këtu përparsi kishin burrat nga ana e nuses dhe pas një ore e merrshin nusen me këngë dhe niseshin krushqit për në shtëpin e dhëndrrit. Nusja hynte në qerre e fundit. E afronin njerëzit e afërt të shtëpisë së saj. Rregullisht pas qerres shkonte një krushk i hypur në kal i cili quhej "pas qerres". Kur nusja arrinte në shtëpin e dhëndrrit kryhej ceremonia me ibrikun, oxhakun, maxhen dhe bukën. Kur nusja hynte ne ajat dhëndrri i hidhte sheqerka në fytyre. Më në fund nusja nxirrej para krushkave.
Ky rit përdoret edhe sot në dasma në Dollogozhdë. Vlen të përmendet edhe ajo, se më parë dasmat i kanë bërë edhe me të grishur, kur i zoti i dasmës i thirrte disa ditë para dasmorët dhe i lajmëronte se dasmën do ta bëj me të grishur. Dasmorët si dhurat sillnin nga një dash dhe merrnin me vete diku edhe 10 vetë të tjerë. Të grishurit priteshin dhe përcilleshin me lodra, të cilët në dasëm rrishin një natë.
Dasma te nusja
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Si iknin bojalitë, nuses i vendohej boja. Me këtë rast bëhet një rit me vajzat e rritura, cilat nuk lejojnë që nuses, shoqes së tyre, t'i vendohet kana. Më pasë ato dakordohen dhe nuses i bëhen ceremonit e bojës, dhe me pas e veshin nusen me fustan të bardh. Ne ditën e dasmës caktohen 2 gra ne fillim për pregaditjen e drekës dhe darkës, edhe te nusja edhe te dëendrri të cilat i qujam MAXHENICA. Posaçëirsht caktohen edhe sherbyesit, të cilët te ftuarve u japin ujë, llokum, cigare, ushqim dhe kujdesen për zjarrin. Gjithashtu caktohej edhe KRYETARI I DASMËS i cili është i afërm i zotit të dasmës.
Vallet qe luheshin me lodra dhe pizga me te njohurjane: "VALLJA E BABËS", "Çollakja", "Koxhikja", "Toskarçja", "Vranishtja", etj. Pasi kryhej ceremonija e darkes se dhendrrit kryhej ceremonia e mbylljes se dhendrrit, aty pervec njerezve te aferm te dhendrrit merrnin pjese dhe shoket e tij dhe imami i fshatit. Pas kryerjes se ritit fetar dhenderri ja merrte doren babes, imamit dhe me te vjeterve dhe nisej për te nusja, ne ate moment me te rinjte i binin me shuplaka shpines. Jashte fillonte rrahja e daulleve dhe e pizges dhe ne ato momente ndizej zjarr me teshat e zotit dhe zonjes se dasmes. Diten e neserme pa lere dielli fillonte riti i ngritjes se dhendrrit i veshun me tesha te reja zbret dhe e luante vallen e fundit te dhenderrise. Pas pushimit te daulleve dhe pizgave perfundon dasma.
Me ndryshimin e kohrave ndryshuan dhe menyrat e organizimit të dasmave në Dollogozhdë. Por ritet dhe ceremonit e lartëpermendura origjinale janë të ruajtura edhe sot. Në ditët e sotme lodrat dhe pizgat merren vetëm deri në momentin e ardhjes së nuses në shtëpin e dhëndrrit, ndërsa prej momentit të ardhjes së nuses në shtëpin e dhëndrrit fillon ahengu me orkestrinë dhe këngetar të shquar. Në ditët e sotme dasmat organizohen edhe në restorante.
Ushqimi në ditët e dasmes ka qenë: jania, baklava dhe pilavi me vone është përdorë hallva që e përgadiste akshiu, kurse tash përdoret allva e bardhe e fabrikuar, ndersa jania është zëvendesuar me ushqime të llojllojshme që pregatiten nëpër kuzhinat e restoranteve
Personalitete
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Nuri Mazari (Komandant Struga)- Pjesëtar dhe Komandant i UÇK-së në Maqedoni
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ Regjistrimi Kombëtar i Maqedonisë, 2002 (sipas etnitetit, gjinisë, përkatësisë fetare, dhe gjuhës) Stampa:Mk Gabim i përfshirjes: {{En}} është vetëm për emërhapësirën e Skeda. Përdorni më mirë {{lang-en}} ose {{in lang|en}}.
- ^ „Македония и Одринско. Статистика на населението от 1873 г.“ Македонски научен институт, София, 1995. стр. 104-105.
- ^ Васил Кънчов. „Македония. Етнография и статистика“. София, 1900.]
- ^ "Dollogozhda.org". Arkivuar nga origjinali më 9 shkurt 2007. Marrë më 28 shkurt 2007.
{{cite web}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!)
Selia: Struga dhe vendbanimet: Belica e Poshtme | Belica e Sipërme | Bixhova | Bogovica | Boroveci | Bezeva | Bërçeva | Burineci | Dobovjani | Dollogozhda | Drasllavica | Drenoku | Ermëzi | Frëngova | Glloboçica | Jabllanica | Kalishti | Koroshishti | Ladorishti | Livadhia | Llabunishti | Llakavica | Llozhani | Llukova | Misleshova | Misllodezhda | Modriçi | Morovishti | Morunishti | Nerezi | Novosella | Oktisi | Podgorca | Pohumi | Preskopshtina | Prisovjani | Rodohozhda | Shumi | Tateshi i Epërm | Tateshi i Poshtëm | Teferiqi | Toska | Veleshta | Vishnja | Vranishti | Zagraçani | Zbazhdi | Zhepini
Ky artikull me tematikë në lidhje me gjeografinë e Maqedonisë së Veriut është një faqe cung. Ju mund të ndihmoni Wikipedia-n duke e përmirësuar atë. |
- Gabime CS1: Mungon parametri i gjuhës
- Pages using infobox settlement with unknown parameters
- Pages using infobox settlement with missing country
- Pages using infobox settlement with no map
- Artikuj që përmbajnë tekst në Macedonian
- Për përmirësim
- Fshatra në komunën e Strugës
- Komunitetet Shqiptare në Maqedoninë e Veriut
- MK-gjeo-cung