Jump to content

Krushica e Poshtme

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Krushicë e Poshtme
Dardhisht i Poshtëm
Fshat

Krushicë e Poshtme është një vendbanim në komunën e Therandës, Kosovë. Pas vitit 1999 fshati është i njohur edhe me emrin Dardhishtë e Poshtme.

Shtrihet rreth 8 km në lindje të qendrës komunale të Therandës. Krushica e Poshtme është vendbanim i tipit të shpërndarë.

Jetojnë familjet Jasharaj, Maliqi, Selmanukaj. Këto dy të fundit kanë ardhur nga Budakova, ku e kanë gjetur familjen Jashari.

Dardhishtën e Poshtme, thuhet se vendbanimi i vjetër ka qenë në lagjen e sotme të Maliqëve. Në një livadh (në mes të Lumarit (Reçanit) e Dardhishtës) mund të gjendën mbeturina të tjegullave, tullave, gurëve etj., që dëshmon se mund të ketë qenë i banuar). Në jug të fshatit, në anën e epërme të Udhës së Latinëve ndodhet i ashtuquajtur Guri i Shkruar ose Guri Latin, por në te nuk ka asnjë gjurmë të shkrimit. Është ruajtur edhe mikrotoponimi Udha e Latinëve që kalonte nëpër Dardhishtën e sotme të Poshtme dhe shkonte për Bukosh. Në Dardhishtën e Poshtme janë ruajtur mikrotoponimet: Livadhi i Demë Nikës, Ara e Stakës, Mali Shubot, Vneshta, Ara e Metës, Ara e Gegës, Ara e Zanit etj.

Në dokumentet e shkruara përmendet në vitin 1348 në kartën e Car Dushanit, dhe në defterin kadastral osman të Sanxhakut të Shkodrës varur nga Prizreni të vitit 1485 ku kishte 14 shtëpi, 8 beqarë e 3 të veja. Me emrin Kroshiçe, përkatësisht Krushevicë është i regjistruar si vendbanim në sallnamet e Vilajetit të Kosovës të vitit 1893, të vitit 1896 dhe të vitit 1900.

Shënimet statistikore:

  • në vitin 1961 kishte 31 shtëpi me 253 banorë (250 shqiptarë dhe 3 të tjerë);
  • në vitin 1971 - 40 shtëpi me 344 banorë shqiptarë;
  • në vitin 1981 - 50 shtëpi me 436 banorë shqiptarë.

Para agresionit serb në vitet 1998/99 fshati kishte 112 shtëpi me 742 banorë shqiptarë. Nga sulmet barbare serbe janë djegur 109 shtëpi të banimit dhe objektet tjera ndihmëse dhe ekonomike. Nga ky vendbanim janë vrarë 3 banorë (1 dëshmor e 2 civilë). Popullata ishte larguar nga fshati në korrik të vitit 1998, disa ishin strehuar në fshatrat tjera e shumica ishin deportuar në Shqipëri.

Qendra arkeologjike në Krushicë të Poshtme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Qendrat arkeologjike të komunës Suharekë
Qendrat arkeologjike të komunës Suharekë

Në Krushicë të Poshtme janë gjetur gjurmë arkeologjike të tipit "vendbanim dhe varreza" të periudhës së shekullit I-IV dhe periudhës mesjetare.

Në Krushicë të Poshtme emri i qendrës arkeologjike është "Vendbanim i shekullit I-IV" në koordinatat 7491449.18 dhe 4690875.25.


Lidhje të jashtme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]