Jump to content

Lufta e Ulqinit

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Lufta e Ulqinit

Luftëtarët shkodranë marshojnë drejt Ulqinit
Data22 nëntor 1880 – 23 nëntor 1880
Vendodhja
Kodra e Kuqe afër Ulqinit, Perandoria Osmane (sot Mali i Zi)
Pasoja
Palët pjesëmarrëse

Perandoria Osmane


Mbështetësit:
Fuqitë e mëdha

Mali i Zi
Lidhja e Prizrenit
Komandantët dhe udhëheqësit
Dervish Pasha Isuf Sokoli
Mehmet Beci
Mehmet Gjyli
Viktimat dhe humbjet
300 ushtarë të vrarë[1] 400 luftëtarë të vrarë[1]

Lufta e Ulqinit është një luftë e zhvilluar më 22 dhe 23 nëntor 1880 në lokalitetin Kodra e Kuqe, pranë Klleznës, në afërsi të Ulqinit. Luftimet u zhvilluan ndërmjet trupave osmane të udhëhequra nga Dervish Pasha kundër forcave vullnetare shqiptare.

Pasi trupat osmane fituan kundrejt forcave shqiptare, Dervish Pasha ia dorëzoj Ulqinin Principatës së Malit të Zi më 26 nëntor.

Demostrata navale

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Mali i Zi e pranoi propozimin që bënë ambasadorët e Fuqive të Mëdha në Stamboll, më 26 qershor 1880, për të zëvendësuar krahinat e Hotit e të Grudës me qytetin dhe rrethinat e Ulqinit. Por Porta e Lartë, megjithëse zyrtarisht nuk e kundërshtoi, nxori përsëri në shesh pengesën që do të ndeshtë në dorëzimin e tij nga ana e shqiptarëve. Në të vërtetë, jo vetëm qyteti bregdetar i Ulqinit, por edhe hinterlandi i tij fshatar banohej krejtësisht nga popullsi shqiptare. Përveçse pjesë e pandarë e truallit kombëtar të Shqipërisë, Ulqini ishte edhe skela kryesore e Shkodrës dhe e pellgut të saj në detin Adriatik. Ai ishte njëkohësisht edhe pika më e rëndësishme bregdetare që lidhte tregtinë e jashtme të Kosovës me skelat e ndryshme të Mesdheut. Si edhe më parë, shqiptarët protestuan menjëherë për këtë padrejtësi të re që Fuqitë e Mëdha po bënin në dëm të interesave të tyre kombëtarë. Në të njëjtën kohë ata ia përsëritën Portës së Lartë vendosmërinë për ta mbrojtur me çdo kusht Ulqinin dhe gatishmërinë për të hyrë në luftë edhe kundër saj. Por këtë radhë Fuqitë e Mëdha ishin të vendosura për të mos i marrë në asnjë mënyrë parasysh justifikimet e qeverisë osmane. Me një notë kolektive, që i drejtuan më 3 gusht 1880 Stambollit, ato e ftonin Portën e Lartë ta thyente qëndresën e shqiptarëve dhe t’ia dorëzonte Ulqinin Malit të Zi. Në fillim qeveria osmane përsëri ngurroi të përdorte forcën ushtarake kundër Lidhjes Shqiptare. Ajo u përpoq më shumë se kurdoherë me anë të kërcënimeve për t’i bindur udhëheqësit e saj të hiqnin dorë nga qëndresa, por orvatjet nuk patën sukses. Vullnetarët shqiptarë nën komandën e Isuf Sokolit, të Haxhi Mehmet Becit, të Mehmet Gjylit etj., e rrethuan Ulqinin dhe u përgatitën për ta shtënë në dorë, sapo të largoheshin ushtritë turke nga qyteti. Për ta zgjidhur çështjen e dorëzimit të Ulqinit, Fuqitë e Mëdha e kërcënuan Turqinë se do të zhvillonin një demonstratë navale në bregdetin shqiptar, madje më vonë se do të zbarkonin trupat e tyre në skelën turke të Izmirit. E tmerruar nga demonstrata navale dhe për të shmangur ndërlikimet ndërkombëtare, Porta e Lartë dërgoi në gusht 1880 në Shkodër gjeneral Riza Pashën me 3 000 ushtarë, me detyrën që ta dorëzonte Ulqinin pa konflikte të armatosura. Riza Pasha, që mbërriti në Shkodër më 19 gusht, u përpoq t’i bindte krerët e Lidhjes me të holla e me premtime që të hiqnin dorë nga mbrojtja e Ulqinit. Në një takim të veçantë që pati më 22 gusht me anëtarët e Komitetit Ndërkrahinor të Shkodrës, ai u deklaroi se do të përdorte dhunën ushtarake kundër të gjithë atyre që do të pengonin dorëzimin e Ulqinit. Me 24 gusht 1880 Riza Pasha shpalli në Shkodër shtetrrethimin e ndalimin e qarkullimit dhe të lidhjeve me Ulqinin nga mbrëmja në agim. Por orvatjet e tij nuk dhanë rezultat. As letrat personale që sulltani u drejtoi krerëve të Lidhjes, as ndërhyrjet e ministrave të tij nuk i prapsën vullnetarët nga vendimi për mbrojtjen e Ulqinit. Për këtë 2 000 luftëtarë shqiptarë (ndër të cilët 600 ishin shkodranë), të komanduar nga Muftar agë Reçi, zunë pozita midis Midës së Krajës dhe Malit të Mozhurës për të penguar kalimin e forcave të Riza Pashës në Ulqin. Forca të tjera ulqinake, nën komandën e Haxhi Mehmet Becit, qëndronin në gatishmëri kundër marshimit të mundshëm të forcave malazeze.

Më 1 shtator Fuqitë e Mëdha vendosën të ndërmerrnin demonstratën navale para ujërave të Ulqinit dhe më 4 shtator 1880 rreth 20 korracata me shumë anije të vogla angleze, franceze, gjermane, ruse, italiane dhe austro-hungareze hodhën spirancat në ujërat e Raguzës. Por edhe pas kësaj as popullsia e Shkodrës dhe e Ulqinit, as edhe Komiteti Ndërkrahinor i Lidhjes për Shkodrën nuk u nënshtruan; ata u treguan të vendosur të mbronin Ulqinin. Për mbrojtjen e Ulqinit u shpreh edhe Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes që u mblodh në Prizren në fillim të shtatorit. Ndërkaq, më 7 dhe 8 shtator 17 batalione osmane, të komanduara nga Riza Pasha, rrethuan qytetin e Shkodrës dhe u drejtuan për në Ulqin. Forcat vullnetare shqiptare, që ndodheshin në Ulqin e në Mozhurë, u dolën përpara forcave osmane dhe ndalën marshimin e tyre për në Ulqin. Më 15 shtator dega e Lidhjes Shqiptare për Ulqinin u dërgoi Fuqive të Mëdha, nëpërmjet konsujve të tyre në Shkodër, një memorandum ku protestonte në mënyrë kategorike kundër lëshimit të Ulqinit dhe shprehte gatishmërinë e popullsisë së tij për të qëndruar deri në fund. Më 17 shtator komandanti i flotës ushtarake të Gjashtë Fuqive të Mëdha i dërgoi Riza Pashës një ultimatum, me të cilin i jepte 3 ditë afat për dorëzimin e Ulqinit. Më 17 shtator ushtritë e Lidhjes, të përbëra nga 6 mijë ushtarë që deri atëherë e mbanin të rrethuar Ulqinin, sapo morën lajmin për demonstratën navale, sulmuan ushtritë osmane dhe e shtinë në dorë qytetin. Ushtria turke u mbyll në kazerma dhe më pas u largua fshehurazi nga qyteti. Më 20 shtator flota e gjashtë Fuqive të Mëdha la Raguzën dhe u drejtua për në jug, por nuk hyri në ujërat e Ulqinit. Megjithatë, ushtritë e Lidhjes Shqiptare, të cilat tani qëndronin përballë flotës ndërkombëtare, nuk u bindën. Më 25 shtator Riza Pasha shpalli shtetrrethimin në Shkodër, bllokoi rrugën e Ulqinit për të ndaluar furnizimin e vullnetarëve, çarmatosi forcat e armatosura të qytetit që vareshin nga Lidhja, ndaloi mbledhjet dhe shpalli shpërndarjen e Degës së Lidhjes. Njëkohësisht bëri arrestime. Më 29 shtator Riza Pasha urdhëroi shpërndarjen e Komitetit Ndërkrahinor të Lidhjes dhe e kërcënoi se do të merrte masa ushtarake kundër tij, nëse nuk shpërndahej. Dega e Lidhjes të nesërmen u përgjigj se ajo tashmë nuk e njihte Riza Pashën si komandant ushtarak të vilajetit dhe e kërcënonte se do ta dëbonte atë së bashku me garnizonin e tij nga Shkodra. Pikërisht në këto ditë, kur acarimi i marrëdhënieve ndërmjet Lidhjes së Prizrenit dhe Portës së Lartë po çonte drejt konfliktit të armatosur, Anglia dhe Austro-Hungaria ndërhynë për të penguar mbrojtjen me armë të Ulqinit. Duke parë se as demonstrata detare e flotës ndërkombëtare, as masat ushtarake të qeverisë osmane nuk po jepnin rezultat, konsujt britanikë dhe austro-hungarezë u përpoqën të bindnin krerët e degëve të Lidhjes së Prizrenit e në mënyrë të veçantë anëtarët e Komitetit Ndërkrahinor të Shkodrës se Fuqitë e Mëdha ishin të prirura t’u jepnin shqiptarëve të drejta autonomiste, por kërkonin si kusht që këta të mos e kundërshtonin dorëzimin e Ulqinit dhe të mos shkaktonin konflikt të armatosur me Portën e Lartë. Edhe pse premtimi i tyre qe një mashtrim, si edhe presionet e dhunshme të Stambollit nuk mbetën pa efekt. U lëkundën sidomos qarqet e moderuara, të cilat menduan se ia vlente të sakrifikohej Ulqini për të siguruar të drejtat autonomiste pa hyrë në konflikt me Portën e Lartë. Si rrjedhim, disa nga anëtarët e Komitetit Ndërkrahinor të Shkodrës, ndërmjet të cilëve edhe Hodo Sokoli, përkrahës i njohur i lëvizjes autonomiste, tani hoqën dorë nga lufta për mbrojtjen e Ulqinit. Kjo rrethanë e vështirësoi më shumë detyrën e atdhetarëve për të mbrojtur me armë Ulqinin dhe për të siguruar autonominë e Shqipërisë. Megjithatë, ata nuk hoqën dorë nga qëndrimi i tyre, por u përpoqën të mbanin gjallë frymën luftarake në të katër vilajetet. Veç kësaj, ata vendosën të ndërmerrnin përçapjen e fundit për të tërhequr në programin e tyre qarqet e moderuara, në mënyrë të veçantë forcat luftarake që ishin ende të lidhura pas tyre. Për këtë qëllim u thirr një kuvend i jashtëzakonshëm i Lidhjes Shqiptare në qytetin e Dibrës.

Kuvendi i Dibrës

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Kuvendi i Dibrës i filloi punimet më 20 tetor 1880. Aty morën pjesë rreth 300 delegatë të ardhur nga krahinat shqiptare të katër vilajeteve, të shoqëruar nga 5 mijë veta të armatosur. Shumica e tyre ishin dërguar nga vilajeti i Kosovës dhe nga viset shqiptare të vilajetit të Manastirit. Numri i delegatëve që përfaqësonin Shkodrën, Shqipërinë e Mesme dhe të Jugut ishte më i pakët. Pjesa më e madhe e delegatëve u përkiste rrymave radikale dhe të moderuara. Midis delegatëve ishin Ali pashë Gucia, Iliaz pashë Dibra, Abdyl Frashëri etj. Kuvendi trajtoi tri çështje me rëndësi vendimtare për Shqipërinë: qëndrimin ndaj çështjes së Ulqinit, krijimin e një vilajeti autonom dhe formimin e qeverisë së përkohshme. Lidhur me çështjen e parë Kuvendi e quajti të domosdoshme mbrojtjen me armë të Ulqinit dhe shprehu gatishmërinë për të dërguar në Shkodër forcat vullnetare të sanxhakut të Dibrës. Ky vendim iu njoftua edhe Komitetit Ndërkrahinor të Shkodrës. Abdyl Frashëri dhe përfaqësuesit e krahut radikal argumentuan gjithashtu programin e miratuar në Kuvendin e Gjirokastrës, për krijimin e vilajetit autonom të Shqipërisë dhe për formimin e qeverisë së përkohshme. Ashtu siç parashikohej, elementët konservatorë (rreth 25 veta) mbajtën anën e Portës së Lartë. Ata nuk pranuan asnjë nga kërkesat e atdhetarëve radikalë dhe u sulën me ashpërsi kundër tyre. Vendimi për mbrojtjen e Ulqinit, pavarësisht nga urdhri që kishte dhënë sulltani për dorëzimin e tij, u mor me votat e atdhetarëve radikalë dhe të moderuar. Të moderuarit e pranuan në parim edhe formimin e Vilajetit të Shqipërisë. Madje disa prej tyre, ndër të cilët Iljaz pashë Dibra dhe Ali pashë Gucia, e miratuan edhe tezën e Abdyl Frashërit për ta sendërtuar vilajetin autonom me anën e veprimeve të armatosura. Të tjerët ngulën këmbë në pikëpamjen e tyre të mëparshme: për të mos shkuar përtej paraqitjes së peticionit, duke ia lënë sulltanit në dorë plotësimin e kërkesave të tij. Debate të zjarrta u zhvilluan sidomos rreth çështjes së formimit të qeverisë së përkohshme, kundër së cilës u ngritën gjithë delegatët konservatorë. Si pasojë e këtyre divergjencave, Kuvendi i Dibrës doli me dy rezoluta.

Njëra, e ndërtuar sipas platformës së Kuvendit të Gjirokastrës, me të cilin kërkohej krijimi i Vilajetit të Shqipërisë me autonomi të gjerë, fitoi afërsisht 120 vota. Tjetra, e propozuar nga delegatët e krahut të moderuar, me të cilin lutej Porta e Lartë që të krijonte një Ejalet të Shqipërisë, pa i shkrirë vilajetet, dhe të zbatonte në këtë reformat për organizimin e ri të vilajeteve, sipas nenit 23 të Traktatit të Berlinit. Ejaleti i Shqipërisë do të kishte një autonomi të kufizuar. Rezoluta e dytë grumbulloi shumicën prej 150 votash. Delegatët konservatorë nuk nënshkruan asnjërin prej tyre. Të dyja rezolutat u dërguan veç e veç në Stamboll. Për çështjen e qeverisë së përkohshme, Kuvendi i Dibrës zyrtarisht nuk mori asnjë vendim. Në bazë të marrëveshjes që u arrit ndërmjet patriotëve revolucionarë, ajo u la të shqyrtohej edhe njëherë në Prizren. Miratimi i dy rezolutave tregoi se Kuvendi i Dibrës nuk arriti të bashkonte të gjitha forcat patriotike shqiptare rreth një programi të vetëm autonomist. Megjithatë, vendimet e tij patën jehonë pozitive si brenda vendit, ashtu edhe në opinionin publik evropian. Gjatë ditëve të Kuvendit të Dibrës qeveria e Stambollit mori masa të tjera shtrënguese kundër shkodranëve për të siguruar dorëzimin pa luftë të Ulqinit. Ajo vendosi të përfitonte nga përçarja që u thellua në Kuvendin e Dibrës dhe t’i jepte fund qëndresës së Lidhjes për mbrojtjen e Ulqinit.

Më 25 tetor 1880, Porta e Lartë largoi nga Shkodra gjeneralin Riza Pashën dhe në vend të tij dërgoi mareshalin Dervish Pashën, të shoqëruar nga 21 batalione dhe të pajisur me fuqi të jashtëzakonshme. Ai u emërua komisar i jashtëzakonshëm dhe kryekomandant i vilajetit të Shkodrës. Për të shmangur pusitë e forcave shqiptare, Dervish Pasha udhëtoi nga Stambolli në Shqipëri me anije. Sapo arriti në Shkodër, më 3 nëntor 1880, ai i dha një ultimatum Komitetit Ndërkrahinor të Shkodrës për të tërhequr vullnetarët shqiptarë nga Ulqini. Në këtë kohë treva e Ulqinit ndodhej nën kontrollin e forcave vullnetare të Lidhjes Shqiptare, që drejtoheshin nga shtabi ushtarak i formuar për mbrojtjen e Ulqinit. Nën drejtimin e tij, sipas të dhënave më të sakta, qenë 2 mijë vullnetarë të vendosur në Ulqin (nga të cilët 800 ulqinakë) dhe 2 mijë të tjerë, në sektorin e Tuzit. Në fillim të nëntorit, kur Dervish Pasha ishte vendosur tanimë në Shkodër, mbërritën këtu qindra vullnetarë të tjerë nga Tetova, nga Shkreli, nga Dibra, nga Kelmendi dhe pritej të vinin rreth 4 mijë të tjerë nga Prizreni, nga Gjakova e nga Dibra. Presionet që Dervish Pasha bëri nga 7 deri në 16 nëntor 1880 ndaj Komitetit Ndërkrahinor të Lidhjes për Shkodrën për ta detyruar të dorëzonte Ulqinin nuk dhanë rezultat. Edhe Komiteti i Lidhjes për Ulqinin në peticionin që u dërgoi më 16 nëntor Fuqive të Mëdha, shprehte vendosmërinë për mbrojtjen e qytetit. Fryma e qëndresës kishte përfshirë gjithë popullsinë e qytetit. Për të shpejtuar dorëzimin e Ulqinit u angazhuan konsulli anglez (K. Grini) dhe ai austro-hungarez (F. Lipih) në Shkodër, të cilët, në marrëveshje me Dervish Pashën, ushtruan trysni mbi Komitetin Ndërkrahinor të Shkodrës për ta bindur të hiqte dorë nga mbrojtja e Ulqinit. Përkundrejt kësaj konsujt e huaj do të ndërhynin pranë sulltanit për t’u dhënë shqiptarëve të drejtat autonomiste. Përballë trysnisë së Dervish Pashës dhe premtimeve të konsujve të huaj, më 17 nëntor 1880 shumë anëtarë të Komitetit Ndërkrahinor të Shkodrës deklaruan se hiqnin dorë nga qëndresa e armatosur në Ulqin. Ndërkohë edhe mjaft nga përfaqësuesit e krahut të moderuar kishin kapitulluar para Dervish Pashës dhe patën shkuar aq larg, sa disa ditë më parë kishin lajmëruar telegrafisht Kuvendin e Dibrës se nuk kishin nevojë për ndihma, pasi kishin vendosur ta dorëzonin qytetin. Kapitullimi i tyre shkaktoi revoltimin e atdhetarëve shkodranë, të cilët formuan një komitet të ri të Lidhjes Shqiptare për Shkodrën. Në komitetin e ri, që u ngrit më 19 nëntor 1880, hynë partizanët e vendosur të mbrojtjes me armë të Ulqinit, si Selim Çoba, Isuf Sokoli, Fetah Dragusha, Filip Çeka etj. Por ngjarjet u zhvilluan me shpejtësi të madhe. Përçarja në udhëheqjen e Lidhjes dobësoi forcat e saj ushtarake, sidomos ardhjen e vullnetarëve të tjerë. Komiteti i ri nuk pati kohë të mobilizonte popullin dhe të organizonte qëndresën e armatosur kundër ushtrisë osmane.

Fotografi e Ulqinit, pas dorëzimit Malit të Zi.

Tri ditë më vonë, më 22 nëntor 1880, ndërsa Shkodra nuk e kishte kapërcyer ende krizën e brendshme politike, Dervish Pasha i dha urdhër ushtrisë turke të fillonte marshimin për në Ulqin. Atë ditë ushtritë turke u ndeshën me forcat shqiptare te Kodra e Kuqe, afër fshatit Kllezna. Në fillim vullnetarët shqiptarë i sprapsën ushtritë turke, por më vonë, pasi arritën reparte të tjera osmane të pajisura me artileri moderne, forcat shqiptare u thyen. Komandanti i tyre Isuf Sokoli u plagos rëndë dhe pak më vonë vdiq. Pasi u thye ushtria shqiptare, forcat turke vazhduan marshimin dhe hynë në Ulqin, më 23 nëntor 1880, të cilin pastaj më 26 nëntor ua dorëzuan ushtrive malazeze. Së bashku me dorëzimin e Ulqinit mori fund edhe çështja e kufijve veriorë, e cila kishte shqetësuar për gati 30 muaj jo vetëm Perandorinë Osmane, por edhe diplomacinë evropiane. Megjithatë, edhe pse çështja e kufirit turko-malazez u mbyll, lufta që zhvilluan shqiptarët kundër shantazhit brutal të Fuqive të Mëdha dhe ndërhyrjes ushtarake të Portës së Lartë la përshtypje të thellë në opinionin publik të Evropës. Jo vetëm në shtyp, por edhe në disa parlamente të Evropës, u ngritën zëra proteste kundër politikës së Fuqive të Mëdha, të cilat vendosën të përdornin luftanijet për të shtypur të drejtat kombëtare të popullit shqiptar.