Jump to content

Aksioni i Gjakovës

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Beteja e Gjakovës
Data3-6 Shtator 1878
Vendodhja
Gjakovë
Pasoja Fitore të Lidhjes së Prizrenit
Palët pjesëmarrëse
Lidhja e Prizrenit Perandoria Osmane
Komandantët dhe udhëheqësit
Ali Pashë Gucia
Sylejman Vokshi
Abdullah Pasha Dreni 
Mehmed Ali Pasha 
Fuqia ushtarake
4.500 6.000
Viktimat dhe humbjet
120 të vrarë
400 të plagosur
280 të vrarë
300 të plagosur

Aksioni i Gjakovës ishte sulmi kundër Mehmet Ali Pashës, dhe është ndërmarre në 3-6 shtator 1878 nga Komiteti i Gjakovës i Lidhjes së Prizrenit në pronën e Abdullah Pashë Drenit afër Gjakovës. Gjatë betejës mbetën të vrarë Mehmed Ali Pasha (marshall osman që duhet të vëzhgonte dorëzimin e zonave shqiptare të Plavës dhe Gucisë Malit te Zi), Abdullah Pashë Dreni (zyrtar i rajonit dhe ish-anëtar i Lidhjes), si dhe ushtarë e vullnetarë të Komitetit të Gjakovës.

Sulmi ishte operacioni i parë ushtarak i Lidhjes së Prizrenit dhe shënoi fillimin e armiqësive në mes të organizatës dhe Perandorisë Osmane. Në nivel ndërkombëtar, ai ishte i pari në një seri betejash që ndryshuan kushtet e Kongresit të Berlinit në lidhje me koncesionet që iu bënë Malit të Zi dhe përfundoi me rrethimin e Ulqinit, i cilai përcaktoi kufijtë e Malit të Zi deri në Luftërat Ballkanike.

Sipas Kongresit të Berlinit, Perandoria Osmane duhet t'ua dorëzonte Principatës së Malit te Zi rajonin e Plavës dhe Gucisë. Si çdo protokoll tjetër i traktatit që konsistonte në aneksimin nga Mali i Zi i zonave të banuara me shqiptarë të Perandorisë, ai u kundërshtua me forcë nga Lidhja e Prizrenit, qëllimi i të cilit ishte promovimi i vetëqeverisjes shqiptare. Ndërsa vendimet e tjera të traktatit të kundërshtuar nga Lidhja eventualisht nuk u kryen, duke reduktuar fitimet territoriale të shteteve përkatëse nënshkruese, Plava dhe Gucia u përfshinë në këtë zonë për t'iu lënë Malit të Zi. Protestat e shumta të Lidhjes ndaj shtetit osman dhe Fuqive të Mëdha u injoruan, ndërsa ultimatumi rus, i cili ndër pikat e tjera përcaktonte që trupat ruse nuk do të evakuonin Rumelinë Lindore derisa inkorporimi i këtyre zonave në Mal të Zi do finalizohej, nxitoi përpjekjet osmane për ta përfunduar dorëzimin e Plavës dhe Gucisë Malit të Zi.[1]

Më 20 gusht, Ministria Osmane e Punëve të Jashtme informoi Princ Nikollën e Malit të Zi që Mehmed Ali Pasha ishte caktuar për të kryer procesin e dorëzimit. Detyra e parë e marshallit ishte që të qetësonte Lidhjen për të shmangur në kufi ndonjë konflikt gjatë transferimit të territorit. Megjithatë, Mehmed Ali Pasha ishte shumë i urryer nga shqiptarët, pasi kishte qenë përfaqësues osman në Kongresin e Berlinit dhe, 7 vjet më parë, në vitin 1871, kishte udhëhequr trupat osmane që kishin shtypur një revoltë shqiptarësh.[2] Pas mbërritjes në Prizren më 25 gusht, ai kërkoi një takim me anëtarët kryesorë të Lidhjes, dhe, një ditë më pas, iu dha një ultimatum 24-orësh për të ndërprerë aktivitetet e tyre kundër transferimit të zonave. Më 27 gusht, asnjë nga drejtuesit nuk mori pjesë në takimin e dytë, dhe një anëtar vendor vrau telegrafistin e komandimit në kafenenë e Marashit në Prizren. Për të shmangur përshkallëzimin e sulmeve, më 31 gusht, Mehmet Ali Pasha u largua nga Prizreni dhe, i përforcuar nga tre batalione shkoi në Gjakovë, ku ai ishte i vendosur në pronat e Abdullah Pashë Drenit, ish-udhëheqës i komitetit të Lidhjes vendore, i cili ishte bashkuar me fraksion osman të Lidhjes.[1]

Meqë në 1 shtator rrugët nga Gjakova deri në kufirin osmano-malazez ishin të bllokuara nga forcat vullnetare nën Ali Pashë Gucinë, një udhëheqës i komiteteve të Plavës dhe Gucis, Mehmed Ali Pasha e zgjati qëndrimin e tij në Gjakovë që të presi pritur një batalion të katërt që duhet të mbërrinte në Gjakovë nga Mitrovica si dhe mercenarë nga Fandi. Ditën tjetër, 4,500 trupa vullnetare nën Ahmet Koronicën dhe Sulejman Vokshin bllokuan të gjitha rrugët në rajon. Përfaqësues të Komitetit të Gjakovës i njoftuan Abdullah Pashë Drenit se në qoftë se ai nuk dorëzohet, Lidhja do e sulmojë dhe ai do të konsiderohet si osman. Më 3 shtator beteja filloi me humbje të mëdha në të dy anët dhe u ra dakord për një armëpushim 24-orësh për bisedime.[3] Në mbrëmjen e 4 shtatorit beteja vazhdoi, po u fashit dhe ra në luftime të nivelit të ulët pasi shumë ushtarë osmanë u dorëzuan, ndërsa shumica e ushtarëve të batalionit të ardhur nga Mitrovica, të cilët ishin më së shumti shqiptarë, braktisi radhët dhe u bashkua me forcat vullnetare të Lidhjes.[3]

Në ditën e fundit të sulmit prona e Abdullah Pasha Drenit u dogj dhe Mehmed Ali Pasha u vra. Në total, rreth 280 u vranë dhe 300 u plagosën gjatë betejës.[2] Në mes të të vrarëve ishte edhe Shaqir Aga Curri, njeri i besuar i Abdullah Pashë Drenit dhe babai i Bajram Currit.[4] Pamundësia e osmanëve për të përfunduar dorëzimin e territoreve të Plavës dhe Gucisë Malit të Zi, theksoi ndërkombëtarisht nivelin e lartë të instabilitetit të Perandorisë Osmane edhe pas Kongresit të Berlinit. Fillimisht, kontingjente të mëdha trupash osmane u dërguan nga SelanikuShkup dhe Ferizaj, por, më vonë, këto trupa u tërhoqën, pasi qeveria osmane e konsideroi shumë të lartë rrezikun e një revolte të përgjithshme, dhe vendosi të bënte një deklaratë zyrtare, ku ia atribuohet sulmin "elementeve të pandërgjegjshëm", të cilët do ndëshkoheshin pas pak kohe.[5] Sulltani gjithashtu ftoi në një takim Mustafa Tetovën, atëherë president i komitetit qendror të Prizrenit, i cili, pas kthimit të tij në Prizren, organizoi një takim me delegatët e Lidhjes.[6] Brenda Lidhjes, suksesi i sulmit, i cili ishte edhe operacioni i parë ushtarak i Lidhjes, shkaktoi rritjen e faksionit independentist, i cili ishte nën influencën e Abdyl Frashërit: ky i fundit kryesonte asamblenë e Komitetin e Stambollit. Më 27 shtator, vendimet e asamblesë, të cilat, ndër të tjera, përfshinin bashkimin e të gjitha zonave të banuara me shqiptarë në një vilajet të vetëm me autonomi maksimale, u botuan në Tercuman-i Sark, një gazetë në pronësi të Sami Frashërit në kryeqytetin osman.[5]

  • Frashëri, Kristo (2002). Prifti, Kristaq (red.). Historia e Popullit Shqiptar. Vëll. 2. Toena. ISBN 9992716231.
  • Gawrych, George. The Crescent and the Eagle: Ottoman Rule, Islam and the Albanians, 1874–1913 (në anglisht).
  1. ^ a b Frashëri 2002, p. 169
  2. ^ a b Gawrych 2006, p. 49
  3. ^ a b Frashëri 2002, p. 170
  4. ^ Shukri Rahimi (1969), Vilajeti i Kosovës më 1878-1912, Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore i Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, fq. 61
  5. ^ a b Frashëri 2002, p. 172
  6. ^ Gawrych 2006, p. 50

Lidhje te jashtme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

https://www.shqiperia.com/Acarimi-i-marredhenieve-shqiptaro-turke.Aksioni-i-Gjakoves-(korrik-shtator-1878).300/