Bellanica
Bellanica
Lisan | |
---|---|
Fshat | |
Shteti | Kosova |
Komuna | Malishevë |
Rajoni | Prizren |
Sipërfaqja | |
• Gjithsej | 9 km2 (3 sq mi) |
Lartësia mbidetare | 594 m (1,949 ft) |
Popullsia | |
• Gjithsej | 2.146 banorë |
Targat | 04 |
Bellanica është një vendbanim në komunën e Malishevës, Kosovë. Pas vitit 1999, fshati është i njohur edhe me emrin Lisan. Shtrihet rreth 7 kilometra në lindje të qendrës së Malishevës dhe ka konfiguracionin e tokës kodrinoro-malore dhe fushore.[1]
Fshati ka shkollën fillore nëntëklasëshe, punktin shëndetësor, zyrën e vendit, xhaminë dhe dyqanet tregtare. Banorët e fshatit, burimet kryesore të të ardhurave i sigurojnë nga bujqësia, blegtoria, diaspora dhe disa veprimtari të tjera si biznesi tregtar dhe prodhues.
Historia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Në vendet: Livadhet e Senikut, në Arat e Rrafshit, në Arat e Elshanit, ekzistojnë gjurmët e vendbanimit, si tjegulla, tulla, horostan, gurë të pusave etj. Në dalje të fshatit ekzistojnë varrezat e vjetra. Në pjesën jugore, kah mullini i Sylës, në vendin Arat e Rrafshit, ekzistojnë themelet e një kishe të vjetër.
Në defterin e Sanxhakut të Prizrenit të vitit 1530, është i regjistruar si vendbanim me emrin Belaniçi, ndërsa në defterin e hollësishëm nr. 368 janë të regjistruar vendbanimet Gorna Bellaniça dhe Dolna Belaniça. Pastaj, përmendet në defterin kadastral të Sanxhakut të Prizrenit të vitit 1591. Ai ishte i regjistruar në dy fshatra: Gorna Belaniça me 10 shtëpi dhe Dolna Belaniça me 6 shtëpi.
Si vendbanim me emrin Belanitz (Belanic) është i regjistruar në një hartë austriake të vitit 1689. Si vendbanim me shënimet përkatëse është regjistruar ne sallnamet e Vilajetit të Kosovës të viteve 1893, 1896 dhe 1900. Sipas një dokumenti arkivor, ne vitin 1913, ky fshat kishte 150 shtëpi, nga të cilat 145 janë djegur dhe janë vrarë 42 banorë. Gjatë kohës ndërmjet dy luftërave botërore, pushteti borgjez jugosllav në Bellanicë kolonizoi 14 familje kolonë serbe e malazeze. Kolonët u vendosën në vitin 1937 dhe u larguan në vitin 1941 dhe nuk u kthyen më.
Nga ky fshat ka pasur shpërngulje sporadike, rreth vitit 1936, janë shpërngulur në Turqi 5 familje. Disa familje kanë migruar dhe në rrethinën e Velesit në Koruçullar me qëllim të vazhdimit të rrugës për në Turqi, rreth viteve 1956. Migrim të theksuar ka pasur edhe në vitet e 70-ta, pjesa dërrmuese nëpër qytete. Ky vendbanim është shkatërruar nga ushtria osmane, në vitin 1909. Në vitin 1914 është djegur dhe shkatërruar tërësisht nga ushtria serbe e që ka pasur edhe viktima në njerëz, të moshave të ndryshme. Këtë e dëshmojnë varrezat e asaj kohe.
Lagjet dhe mikrotoponimet
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Lagjet kryesore në Bellanicë janë: Hoxhaj, Sertolli, Kafexholli dhe Zogaj, te gjithë të vëllazërisë Zogu, të fisit Thaç. Mikrotoponimet më karakteristike janë: Tishani, Arat e Elshanëve, Arat e Jahës, Arranicat, Pajatishtat, Mullini i Hoxhës, Lisi Vogël, Dardha e Aruqit, Arat e Rrafshit, Livadhet e Senikut, etj.
Demografia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Viti i regjistrimit | Numri i popullsisë | Numri i shtëpisë |
---|---|---|
1879 | - | 20 |
1913 | 553 | - |
1918 | 391 | 65 |
1921 | 704 | 72 |
1948 | 757 | 99 |
1953 | 823 | 114 |
1961 | 962 | 118 |
1971 | 1236 | 121 |
1981 | 1741 | 153 |
1999 | 2146 | 236 |
Koha e Luftës së Kosovës
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Nga ushtria serbe janë djegur e shkatërruar 233 shtëpi dhe objekte të tjera banimi. Janë granatuar edhe xhamia (e ndërtuar më 1754), ndërsa minarja është minuar. Janë shkatërruar ambulanca, biblioteka dhe zyra e vendit. Nga ky fshat janë vrarë 8 banorë dhe 2 persona janë zhdukur. Në një varrezë në këtë fshat janë gjetur dy ushtarë të UÇK-së nga fshati Ngucat. Më 1 prill 1999, popullata e këtij fshati së bashku me atë të fshatrave të tjera që ishin strehuar në këtë fshat u dëbuan për në Shqipëri.
Shih dhe këtë
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ Osmani, Jusuf (2006). Vendbanimet e Kosovës - Malisheva. Vëll. 19. Prishtinë: Shkrola. fq. 84. ISBN 9951-8658-3-6.
Lidhje të jashtme
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Astrazupi | Balinca | Banja | Bellanica | Berisha | Bubaveci | Bubli | Carrallugë | Carravrana | Damaneku | Dragobili | Gajraku | Garaçeva | Golluboci | Guriqi | Jançishti | Joviqi | Kërvasari | Kijeva | Lubizhda | Lladroci | Lladroviqi | Llapçeva | Llashkadrenoci | Llazica | Magjera | Millanoviqi | Maralia | Mirusha | Mleçani | Ngucati | Pagarusha | Panorca | Pllaçica | Qypeva | Ruda | Seniku | Shkarashniku | Temeçina | Tërpeza | Tërpeza e Poshtme | Turjaka | Vërmica