Jump to content

Eusébio

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Eusébio da Silva Ferreira i lindur në Maputo (ish-koloni portugeze në Mozambik) më 25 janar të vitit 1942, Eusebio u kthye në simbolin më të madh të futbollit portugez dhe një nga sulmuesit më të mirë në historinë e këtij sporti. I rritur mes varfërisë, ai mësoi të luante futboll në rrugët e varfra të qytetit të tij, ku fëmijët krijonin topin me një shuk gazetash të mbështjella me çorape. Bashkë me miqtë e tij më të ngushtë, ai filloi karrierën duke krijuar një skuadër amatore, që mori emrin Os Brasileiros (Brazilianët) në nderim të kombëtares braziliane të Botërorit 1950. Që adoleshent, dëshironte me çdo kusht t’i bashkohej skuadrës së zemrës, Benfikës, gjë që arriti ta bënte vetëm kur ishte 18 vjeç, pas një beteje të mirëfilltë mes kësaj skuadre dhe Sporting Lisbonës. Kur nënshkroi kontratën, iu desh të qëndronte për 12 ditë i fshehur në një hotel në Algarve me pseudonimin Ruth Maloso, pasi Benfika dyshonte se rivalët kishin në plan ta grabisnin.

Kjo luftë mes klubeve portugeze u justifikua që në momentin kur ai zbriti në fushë me fanellën e Benfikës dhe dha prova të aftësive të tij të jashtëzakonshme fizike, që i siguruan pseudonimin “Pantera e Zezë”. Gjatë pak më shumë se një dekade me këtë klub dhe me kombëtaren portugeze, ai dha një shfaqje të jashtëzakonshme të aftësive të tij si golashënues spektakolar dhe një atlet që vraponte 100 metrat në 11 sekonda. Ndaj nuk është rastësi që ai në 7 sezone fitoi titullin e golashënuesit më të mirë në Portugali (1963/‘64, 1964/‘65, 1965/‘66, 1966/ ‘67, 1967/‘68, 1969/‘70 dhe 1972/‘73), vend ku zhvillohej një nga kampionatet më të forta të epokës. Për më tepër, në dy sezone (1967/‘68 dhe 1972/‘73) fitoi “Këpucën e Artë” si golashënuesi më i mirë në Europë, ndërsa siguroi edhe “Topin e Artë” (1965). Në këtë periudhë të shkëlqyer të karrierës së tij me fanellën e Benfikës, ai siguroi 11 tituj kampionë me këtë ekip, ndërsa shënoi 316 gola në 294 ndeshje, duke kontribuuar njëkohësisht që klubi të fitonte Ligën e Kampioneve në vitin 1962.

Karriera e tij me kombëtaren portugeze filloi në vitin 1961, ndërsa ai veshi në 64 ndeshje fanellën e përfaqësueses iberike duke realizuar 41 gola. Shpërthimi i tij me Portugalinë ishte padyshim në Botërorin e vitit 1966 që u luajt në Angli, ku ai shënoi 9 gola dhe u shpall golashënuesi më i mirë i turneut, ashtu si edhe lojtari më i mirë i tij. Paraqitja më mbresëlënëse është ajo e çerekfinaleve të këtij turneu përballë Koresë së Veriut, ku 4 golat e tij i mundësuan Portugalisë të përmbyste dizavantazhin 0-3 dhe të kalonte në gjysmëfinale falë fitores 5-3.

Pas largimit nga futbolli, Eusebio vazhdoi të qëndronte pjesë e këtij sporti, si një simbol i futbollit portugez, ndërsa emri i tij shfaqet thuajse në çdo listë të atyre që cilësohen futbollistët më të mirë në histori. Jo rastësisht, Federata Ndërkombëtare e Historisë dhe Statistikave të Futbollit e ka përzgjedhur atë si lojtarin e 9 më të mirë të shekullit të 20.

Ndahet nga jeta më 5 janar 2014.