Paolo Cesare Maldini (lindur më 26 qershor1968) është një ish futbollist profesionist italian i cili luajti si mbrojtës i majtë dhe qëndër mbrojtës për klubin italian Milan dhe kombëtaren italiane. Ai konsiderohet gjerësisht si një nga mbrojtësit më të mirë të të gjitha kohërave, si dhe një nga lojtarët më të mirë të historisë.[3][4][5][6][7][8] Si kapiten i Milanit dhe Italisë për shumë vite, Maldini u konsiderua një udhëheqës nga shumë futbollistë, duke fituar pseudonimin "Il Capitano" ("Kapiteni"). Ai mban rekordin për numrin e ndeshjeve të luajtura në Serie A, me plot 647.[9] Maldini aktualisht është drejtori teknik i Milanit si dhe bashk-pronari i klubit amerikan Miami FC, që aktualisht luan në North American Soccer League (NASL).
Gjatë karrierës së tij si lojtar, Maldini i shprenzoi të 25 sezonet e karrierës së tij në Serie A me Milanin, para se të tërhiqej në vitin 2009 në moshën 41 vjeç. Ai fitoi 25 trofe me Milanin: pesë Liga Kampionesh, shtatë tituj të Serie A, një Coppa Italia, pesë Supercoppa Italiana, pesë Super Kupa Evropiane, dy Kupa Ndërkontinentale dhe një Kupë Bote për Klube. Gjatë viteve të tij te Milani, Maldini luajti në nivele të klasit botëror në të gjithë karrierën e tij për dy dekada e gjysëm, duke fituar çmimin e mbrojtësit më të mirë në Çmimet e Klubeve të Futbollit nga UEFA në moshën 39 vjeç, si dhe çmimin Mbrojtësi më i mirë në Serie A në vitin 2004. Pas tërheqjes së tij në përfundim të sezonit 2008–09, Milani vendosi të tërhiqte fanellën me numrin 3.[10]
Maldini bëri debutimin e tij me Italinë në vitin 1988, duke luajtur për 14 vite para se të tërhiqej në vitin 2002 me 7 gola në 126 ndeshje, që në atë kohë ishte rekord në kombëtare. Që atëherë, rekordi i tij i ndeshjeve u thye nga Fabio Cannavaro në vitin 2009 dhe Gianluigi Buffon në vitin 2013. Ai ishte kapiten i kombëtares për tetë vite, duke luajtur plot 74 ndeshje me shiritin në krah, një rekord i cili zgjati deri në vitin 2010, kur Cannavaro dhe më pas Buffon e thyen.[11] Me Italinë, Maldini luajti në katër edicione të Kupës së Botës dhe tre edicione të Kampionatit Evropian. Edhe pse ai nuk fitoi trofe me Italinë, ai arriti finalen e Kupës së Botës 1994 dhe Euro 2000, si dhe gjysëm-finalen e Kupës së Botës 1990 dhe Euro 1988. Ai u zgjodh në ekipin e turnamentit në të tre Kampionatet Evropian që mori pjesë, si dhe në edicionet 1990 dhe 1994 të Kupës së Botës.
Maldini u rendit i dyti mbrapa George Weah për çmimin FIFA Lojtari Botëror i Vitit në 1995. Ai gjithashtu u rendit i treti për Topi i Artë, një tjetër çmim prestigjoz individual, në dy raste (1994 dhe 2003).[12] Në vitin 2002, ai i zgjodh si mbrojtës në Ekipin e Ëndërrave të FIFA Kupës së Botës, kurse dy vite më vonë u zgjodh nga Pelé në FIFA 100, një listë me 125 lojtarët më të mirë ndonjëherë.[13] Maldini mbajti rekordin për numrin e ndeshjeve të zhvilluara në kompeticionet e UEFA-s, me 174, deri sa u kalua nga portieri Iker Casillas në vitin 2017.[14] Ai është lojtari që ka luajtur më shumë ndeshje (902) në të gjitha kompeticionet me Milanin.[10] Maldini është një nga 18 lojtarët në histori ka që luajtur më shumë se 1,000 ndeshje zyrtare si profesionist.[15][16][17] Në vitin 2012, ai u bë pjesë e Hollit të Famës të Futbollit Italian.[18] Babai i tij, Cesare Maldini, ka luajtur dhe ka qënë kapiten i Milanit, si dhe ka pasur një periudhë të suksesshme si trajner i kombëtares italiane nën-21; përveç kësaj, ai ka qënë trajner i Milanit dhe i kombëtares së parë në Kupën e Botës 1998.
Maldini është produkt i akademisë së Milanit, klub me të cilin luajti në të gjithë karrierën e tij. Me ekipin Primavera, Maldini fitoi Kupën e Italisë Primavera gjatë sezonit sezonit 1984–85, ku edhe debutoi me ekipin e parë në Serie A nën drejtimin e trajnerit Nils Liedholm më 20 janar 1985, duke zëvëndësuar të dëmtuarin Sergio Battistini në një ndeshje kundër Udineses moshën 16 vjeç.[19][20] Kjo ishte ndeshja e vetme që ai luajti me ekipin e parë gjatë atij sezoni. Megjithatë, në sezonin e ardhshëm, Maldini fitoi një vend titullari në krahun e djathtë të mbrojtjes, duke veshur fanellën me numër 3, e cila më parë kishte qënë pjesë e babait të tij Cesare.[21] Ai më pas u zhvendos si mbrojtës i majtë, e cila më pas do të bëhej pozicioni ikonik i tij, kjo për shkak të aftësisë së tij me këmbën e majtë. Maldini bëri debutimin e tij në Kupën e Italisë në vitin 1985, më 21 gusht, kurse debutimi i tij në kompeticionet evropiane erdhi pak më vonë, më 18 shtator.[22] Ai shënoi golin e parë në Serie A me Milanin më 4 janar 1987 në fitoren 1–0 në transfertë kundër Comos.[23][24] Goli i parë në Evropë për të erdhi më 21 tetor 1992 në fitoren 1–0 në transfertë kundër sllovakëve të Slovan Bratislava.[25]
1987–1991: Suksesi vendor dhe ndërkombëtar me Të pavdekshmit
Milani arriti në finalen e Kupës së Italisë në sezonin 1989–90, por u mposhtën nga Juventusi. Pavarësisht kësaj, kuqezinjtë vazhduan të ishin të suksesshëm në kompeticionet evropiane, duke fituar UEFA Superkupën e Evropës në vitet 1989 dhe 1990, si dhe dy herë Kupën Ndërkontinentale, po në vitet 1989 dhe 1990. Në sezonin e ardhshëm, e cila do të ishte e fundit e Sacchit në klub, Milani u eliminua në çerek-finale të Kupës Evropiane nga Marseille, e cila në fund arriti në finale. Në kampionat, Milani përfundoi në vendin e dytë, mbrapa Sampdorias, por regjistroi sërisht mbrojtjen më të mirë, duke pësuar vetëm 19 gola. Ekipi gjithashtu arriti në gjysëm-finalen e kupës, ku u eliminua nga Roma që më pas fitoi trofeun. Në vitin 1989, Maldini u nderua me çmimin Bravo, i cili jepej për lojtarin më të mirë nën-23 vjeç në kompeticionet evropiane.[23][24]
Nën drejtimin e Fabio Capellos, zëvëndësuesit të Sacchit, Milani vazhdoi të ishte një forcë dominuese në Itali dhe Evropë. Maldini ishte pjesë e ekipit të pamposhtur të Milanit në Serie A, e cila fitoi kampionatin në sezonin 1991–92; Milani qëndroi i pamposhtur në Serie A për plot 58 ndeshje, duke fituar edhe pseudonimin Të pamposhturit.[36] Ky kampionat do të ishte i pari nga tre rresht që Milani fitoi nën drejtimin e Capellos në fillim të viteve 1990'. Maldini ndihmoi ekipin ta fitonte sërisht kampionatin në sezonin 1992–93, dhe të arrinte një nga tre finalet e Ligës së Kampioneve në atë periudhë. Milani u mposht 1–0 nga Marseille në finalen e vitit 1993. Në atë sezon, Maldini shënoi golin e tij të parë në kompeticionet evropiane më 21 tetor 1992 në një fitore 1–0 në Ligën e Kampioneve ndaj Slovan Bratislavës,[23] kurse më 4 tetor luajti ndeshjen e 200të në Serie A.[22] Në sezonin e rradhës, Milani fitoi titullin e tretë rresht të Serie A, të cilën e mbylli me mbrojtjen më të mirë në Itali, duke pësuar vetëm 15 gola. Maldini gjithashtu ndihmoi ekipin të arrinte finalen e Ligës së Kampioneve për të dytin edicion rresht, duke mposhtur Barcelonën.[37] Për shkak të pezullimit të Alessandro Costacurtës dhe dëmtimeve të Franco Baresit, Jean-Pierre Papin dhe Marco van Bastenit, "Ekipi i Ëndërrave" i Barcelonës, me trajner Johan Cruyff, shiheshin si favoritët e mëdhenjë për të fituar trofeun, me dyshen e frikshme të sulmit të përbërë nga Romário dhe Hristo Stoichkov.[38] Pavarësisht mungesave shumë të rëndësishme, Maldini ndihmoi mbrojtjen e Milanit të mos pësonte gol dhe kontribuoi në fitimin e ndeshjes me rezultatin 4–0, me dy gola nga Daniele Massaro dhe një nga Dejan Savićević dhe Marcel Desailly.[23][24][38]
Pasi fitoi titullin e tretë të Ligës së Kampioneve dhe arriti finalen e Kupës së Botës 1994, Maldini u bë mbrojtësi i parë që fitoi Çmimin Lojtari Botëror i Vitit, e dhënë çdo vit nga revista sportive World Soccer. Gjatë fjalimit të tij në marrjen e çmimit, Maldini e quajti këtë arritje "një grimcë krenarie për shkak se mbrojtësit në përgjithsi marrin më pak vëmëndje nga media dhe tifozët sesa golashënuesit. Ne jemi më shumë në dhomën e motorrit sesa në marrjen e lavdisë."[39] Ai më pas veçoi kapitenin e Milanit Franco Baresi si një lojtar që "me të vërtetë e [meritonte] të merrte këtë lloj çmimi që unë kam marrë".[39] Maldini gjithashtu u rendit i treti në garën për Topin e Artë 1994, mbrapa Stoichkov dhe bashkkombasit Roberto Baggio, si dhe i pesti në çmimin FIFA Lojtari Botëror i Vitit.[23][24]
Në sezonin e ardhshëm, Milani dhe Maldini fituan titullin e tyre të tretë të Supercoppa Italianas me Capellon trajner, e cila u ndoq nga triumfi në UEFA Super Kupën dhe disfata në Kupën Ndërkontinentale. Pas tre kampionateve rresht, Milan nuk mundi të ruante titullin e Serie A, por megjithatë arriti finalen e tretë rresht të Ligës së Kampioneve, ku u mposhtën nga Ajaxi me rezultatin 1–0.[40] Maldini u rendit i dyti mbrapa sulmuesit George Weah (i cili më vonë do të bëhej shok skuadre) në garën për çmimin FIFA Lojtari Botëror i Vitit 1995. Më 17 shkurt 1995, ai zhvilloi ndeshjen e tij të 300të në Serie A në humbjen 4–0 në Stadio Olimpico ndaj Lazios.[22] Në sezonin 1995–96, Maldini fitoi titullin e tij të pestë të Serie A, dhe të katërtin me Capellon si trajner.[23][24]
1996–2001: Shiriti i kapitenit, vështirsitë dhe titulli i vitit 1999
Pas largimit të Capellos dhe plakjes dhe tërheqjes të disa nga lojtarëve kyç të ekipit, Milani pati rezultate zhgënjyese në sezonet në vazhdim, duke ndërruar trajner disa herë. Milani humbi Superkupën e Italisë ndaj Fiorentinës në vitin 1996 dhe dështoi të kualifikohej në kompeticionet evropiane për të dytin sezon rresht, si dhe u eliminuan në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve në sezonin 1996–97. Pas tërheqjes së Franco Baresit dhe Mauro Tassottit në përfundim të sezonit 1996–97, Maldini u emërua kapiteni i ri i ekipit. Pavarësisht vështirësive që Milani pati në atë periudhë, falë lidershipit të Maldinit, ata arritën në finalen e Kupës së Italisë 1998, ku u mposhtën nga Lazio. Megjithatë, ata fituan kampionatin në sezonin 1998–99 nën drejtimin e trajnerit Alberto Zaccheroni, duke e mbyllur me një pikë para Lazios. Maldini luajti ndeshjen e tij të 400të në Serie A më 25 prill 1999 në fitoren 2–0 në transfertë ndaj Vicenzës.[22] Në sezonin 1999–2000, Milani humbi trofeun e Supercoppa Italianës ndaj Parmës, përfunduan në vendin e tretë në Serie A si dhe e mbyllën fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve në vendin e fundit. Në sezonin e ardhshëm, Milani u eliminua në raundin e dytë të Ligës së Kampioneve dhe u rendit e gjashta në kampionat, duke humbur mundësinë për të luajtur në Ligën e Kampioneve, dhe në vënd të kësaj, duke siguruar një vend në Kupën UEFA.[23][24]
Maldini duke ngitur Ligën e Kampioneve për Milanin pas fitimit të finales së vitit 2003.
Milani u bë sërisht një forcë dominuese në Itali dhe Evropë me trajner Carlo Ancelottin. Në sezonin 2001–02, Milani arriti një vënd të katërt në kampionat, duke u kualifikuar në Ligën e Kampioneve; ekipi gjithashtu regjistroi rezultatin e tyre më të mirë në Kupën UEFA, duke arritur në gjysëm-finale. Në vitin 2002, Maldini u nderua me çmimin Premio Nazionale Carriera Esemplare "Gaetano Scirea" për arritjet në karrierë dhe personalitetin.[41] Në sezonin e ardhshëm, Maldini formoi repartin e mbrojtjes sëbashku me Alessandro Nestën, Alessandro Costacurtën dhe Cafunë, të cilët, me holandezin Jaap Stam gjatë sezonit 2004–05 do të krijonin një nga mbrojtjet më të frikshme në Itali dhe Evropë. Milani u rendit në vendin e tretë në Serie A, por Maldini arriti që të fitojë Kupën e Italisë për herë të parë në karrierën e tij, duke mposhtur Romën në finale.[23][24] Më 15 mars 2003, ai luajti ndeshjen e tij të 500të në Serie A.[22]
Milani triumfoi në Ligën e Kampioneve të sezonit 2002–03 me Maldinin si kapiten për herë të parë në karrierën e tij, në një finale të gjithën italiane kundër Juventusit më 28 maj 2003 në Old Trafford. Ai ndihmoi ekipin të mos pësoj gol gjatë ndeshjes, e cila u mbyll me fitoren e Milanit 3–2 nga gjuajtjet e penalltive pasi koha e rregullt dhe shtesa u mbyllën në barazim 0–0. Në atë ditë, ishte 40 vjetori i triumfit të Milanit në Kupën Evropiane me Cesaren, babain e tij, si kapiten i ekipit, në një finale që gjithashtu u luajt në Angli.[42] Ata janë një nga tre çiftet baba-bir që e kanë arritur këtë gjë; dy të parët ishin Manuel Sanchís Martínez dhe Manuel Sanchís Hontiyuelo të Real Madridit, dhe Carles dhe Sergio Busquets të Barcelonës. Maldini u zgjodh lojtari i ndeshjes si dhe u përfshi në Ekipin e Vitit të UEFA-s për herë të parë në karrierë.[23][24]
Në sezonin e rradhës, Milani u mposht nga Juventusi me penallti në ndeshjen e Superkupës së Italisë; ata u mposhtën në të njëjtën mënyrë në finalen e Kupës Ndërkontinentale, këtë herë nga Boca Juniors. Megjithatë, ata arritën të fitonin një tjetër trofe, UEFA Super Kupën, duke mposhtur ekipin portugez Porto. Maldini u rendit i treti në garën për çmimin Topi i Artë 2003 për herë të dytë në karrierën e tij. Ai ishte kapiteni i ekipit që fitoi titullin e Serie A në sezonin 2003–04, duke mbledhur plot 82 pikë, një rekord. Ata gjithashtu arritën në gjysëm-finalen e kupës dhe çerek-finalen e Ligës së Kampioneve, ku u eliminuan respektivisht nga Lazio dhe Deportivo de La Coruña. Në prill 2004, Maldini u rendit i dhjeti në 'UEFA Golden Jubilee Poll, një sondazh online i organizuar nga UEFA, e cila u krye për të përkujtuar futbollistët evropian më të mirë të 50 viteve të fundit. Maldini ishte italiani i dytë që ishte renditur më lartë, pas portierit Dino Zoff.[43] Maldini gjithashtu u përfshi në listën FIFA 100 në vitin 2004, e cila ishte një përzgjedhje e 125 futbollistëve më të mëdhenjë të zgjedhur nga Pelé.[44] Pas performancave të tija pozitive në kampionat, Maldini u zgjodh Mbrojtësi i Vitit i Serie A në vitin 2004 në Oscar del Calcio.[23][24]
Maldini duke festuar triumfin e Ligës së Kampioneve 2007 me shokët e ekipit. Në moshën 38 vjeç, ai ishte kapiteni më i vjetër që ngrite trofeun.
Maldini e nisi sezonin 2004–05 duke ngitur trofeun e Superkupës Italiane pasi Milani mposhti Lazion në San Siro. Në kampionat, Milani u rendit në vendin e dytë, duke humbur titullin ndaj Juventusit, por megjithatë, ata arritën në finalen e Ligës së Kampioneve, ku u mposhtën me penallti nga Liverpooli; koha e rregullt dhe shtesa u mbyllën në barazim 3–3, me Maldinin i cili kishte shënuar golin e parë të ekipit të tij pas vetëm një minute.[45][46] Në vitin 2005, Maldini u zgjodh të ishte pjesë e Ekipit të Vitit të UEFA-s për të dytën herë në karrierë, si dhe për herë të parë në FIFPro World XI. Në sezonin e ardhshëm, Milani e mbylli kampionatin në vendin e dytë mbrapa Juventusit për të dytin sezon rresht, si dhe arriti në gjysëm-finalen e Ligës së Kampioneve, ku u eliminua nga Barcelona, e cila në fund u shpall kampione. Si Milani dhe Juventusi j'u hoqën pikë për përfshirjen e tyre në skandalin e trukimit të ndeshjeve në vitin 2006 të quajtur "Calciopoli", duke bërë që titulli t'i jepet Interit; Juventus ra nga Serie A, kurse Milani përfundoi në vendin e tretë pas heqjes së pikëve. Gjatë atij sezoni, Maldini shënoi dopietën e parë dhe të vetme në karrierë në një ndeshje kundër Regginës.[47] Më 25 shtator 2005, Maldini theu rekordin Dino Zoff për ndeshjet në Serie A në takimin kundër Trevisos, ku ai zhvilloi paraqitjen e tij të 571të;[48] shtatë ditë më parë, ai kishte luajtur ndeshjen e 800të në të gjitha kompeticionet për Milanin në një disfatë 2–1 në transfertë ndaj Sampdorias.[49]
Në sezonin 2006–07, Maldini ndihmoi ekipin t'a përfundonte kampionatin në vendin e katërt, pavarësisht zbritjes së pikëve, duke siguruar një vënd të rëndësishëm në Ligën e Kampioneve për sezonin e ardhshëm. Ai luajti ndeshjen e tij të 600të në Serie A më 13 maj 2007 në barazimin 1–1 në Catania.[50] Në atë sezon, Maldini udhëhoqi Milanin në finalen e tretë të Ligës së Kampioneve në gjashtë vite, duke mposhtur Liverpoolin 2–1 në Athinë më 23 maj 2007, duke marrë hak për disfatën e dy viteve parë.[51] Në moshën 37 vjeç, Maldini u bë kapiteni më i vjetër që ngrinte trofeun e Ligës së Kampioneve.[52] Kjo ishte edhe finalja e tetë e Ligës së Kampioneve që Maldini kishte marrë pjesë, e cila barazohet vetëm nga Francisco Gento i Real Madridit; Maldini e fitoi trofeun pesë herë, dy herë si kapiten. Në një intervistë për ESPN e transmetuar para finales së vitit 2007, Maldini e etiketoi finalen e vitit 2005 si momentin më të keq të karrierës së tij. Në atë ndeshje, ai kishte shënuar golin më të shpejtë në historinë e një finaleje të Kupës Evropiane/Ligës së Kampioneve pas 51 sekondash si dhe ishte bërë lojtari më i vjetër që kishte shënuar në një finale; Milani u mposht me penallti nga Liverpooli edhe pse ishte në avantazh 3–0 në përfundim të pjesës së parë. Maldini u zgjodh Mbrojtësi i Vitit nga UEFA për performancat e tij në vitin 2007.[23][24]
Më 16 shkurt 2008, në një ndeshje kundër Parmës në Stadio Ennio Tardini, Maldini u aktivizua në vend të mbrojtësit Marek Jankulovski dhe regjistroi ndeshjen e tij të 1,000të si profesionist,[53][54] ku 861 ishin për Milanin, 12 me ekipin kombëtar nën-21, me 1 ekipin olimpik dhe 126 me kombëtaren e parë.[55] Në futbollin evropian, vetëm portieri anglez kishte luajtur më shumë ndeshje si profesionist si ai në atë kohë: 1,390 në vitet 1966–1997. Maldini luajti ndeshjen e tij të fundit në Ligën e Kampioneve më 4 mars 2008 në një disfatë 2–0 në San Siro kundër Arsenalit në raundin e 16-tave që solli edhe eliminimin e ekipit nga kompeticionit. Në vitin 2008, Maldini u nderua me çmimet FIFA Urdhëri i Meritës dhe Premio Internazionale Giacinto Facchetti, që i jepen një lojtari i cili shfaq aftësi dhe ndershmëri gjatë karrierës së tij.[24][56]
Më 18 prill 2009, Maldini njoftoi se ai do të tërhiqej nga futbolli në përfundim të sezonit 2008–09.[23][24] Më 17 maj 2009, në Stadio Friuli, Maldini luajti ndeshjen e tij 900të zyrtare për Milanin në një ndeshje kampionati kundër Udineses. Ndeshja e tij e fundit në San Siro u luajt më 24 maj në humbjen 3–2 kundër Romës, ku ai mori një ovacion në këmbë nga tifozët. Megjithatë, në atë ditë ndodhi edhe një polemikë e vogël, kur ultrasit e Milanit të njohur si Brigate Rossonere protestuan ndaj Maldinit, cili po thoshte lamtumirë.[57][58] Ndeshja e tij e fundit për Milanin dhe e fundit si futbollist profesionist erdhi më 31 maj kundër Fiorentinës, ku Milani triumfoi me rezultatin 2–0. Me këtë fitore, Milani e mbylli kampionatin në vendin e dytë, duke siguruar një vend në Ligën e Kampioneve për sezonin e ardhshëm. Maldini mori sërisht një ovacion në këmbë nga tifozët. Ashtu siç kishin bërë me fanellën me numër 6 të Franco Baresit, Milani tërhoqi fanellën me numër 3 të Maldinit, por do t’i lejohet një prej djemve të tij nëse njëri prej tyre do të bëhej pjesë e skuadrës.[24][59][60]
Më 28 gusht 2009 në Monte Karlo, Maldini u nderua me një çmim për karrierën e tij nga UEFA gjatë shortit për fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve 2009–10.[61] Më 17 nëntor, gazeta spanjolle sportive Marca e nderoi Maldinin me çmimin "Marca Leyenda" për karrierën dhe arritjet e tij.[62][63]
Në vitin 1986, Maldini u thirr nga babai i tij Cesare Maldini në ekipin kombëtar nën-21, me të cilën debutoi më 12 nëntor të atij viti, në një ndeshje kundër Austrisë e cila u mbyll në barazim;[64][22] ai luajti gjithsej 12 ndeshje dhe shënoi 5 gola për të kaltrit e vegjël.[64] Goli i tij i parë erdhi në fitoren 2–1 kundër Portugalisë më 11 shkurt 1987.[64][22] Maldini gjithashtu ishte pjesë e ekipit nën-21 që u mposht në finalen e Kampionatit Evropian nën-21 1986 nga Spanja.[65][66] Dy vite më vonë, ai luajti sërisht në Kampionatin Evropian nën-21, ku Italia këtë herë u eliminua nga Franca, që në fund u shpall kampione, në raundin e parë.[67]
Fanella e Maldinit nga Kupa e Botës 1990, e ndodhur në Muzeun e Futbollit në Firence.
Maldini debutoi me kombëtaren italiane më 31 mars 1988 në moshën 19 vjeç në një ndeshje miqësore kundër Jugosllavisë në Split e cila u mbyll në barazim 1–1.[68] Një vit më herët, ai kishte debutuar me ekipin olimpik më 28 tetor 1987,[22] por megjithatë, nuk luajti në Lojërat olimpike verore 1998. Në vend të kësaj, Maldini u thirr të merrte pjesë në UEFA Euro 1988, ku ai zhvilloi katër paraqitje, me Italinë që u eliminua në gjysëm-finale nga Bashkimi Sovjetik.[24][64][69]
Maldini mori pjesë në FIFA Kupën e Botës për herë të parë në karrierën e tij në edicionin e 1990, e cila u zhvillua në Itali. Ai luajti në të shtata ndeshjet. Ai ndihmoi Italinë të fitonte në pesë ndeshje rresht duke luajtur titullar në mbrojtje, e cila nuk pësoi asnjë gol në ato pesë ndeshje, duke vendosur një rekord. Mbrojtja italiane u mposht nga Carlos Bilardo i Argjentinës në gjysëm-finale, duke e ndalur rekordin në 518 minuta pa pësuar.[70] Pas mbarimit të dy pjesëve shtesë me nga 15 minuta, ku asnjë ekip nuk mundi të shënonte, Italia mposht nga Argjentina në gjuajtjet e penalltive. Të kaltrit në fund u renditën në vendin e tretë pasi fituan finalen e vogël ndaj Anglisë me rezultatin 2–1, duke e mbyllur turnamentin me mbrojtjen më të mirë me vetëm dy gola të pësuar në shtatë ndeshje. Performancat e Maldinit u shpërblyen me një vend në Ekipin e Turnamentit.[24][64]
Finalja e Kupës së Botës 1994 dhe shiriti i kapitenit
Goli i parë i Maldinit me Italinë erdhi në ndeshjen e tij të 44të, në një fitore 2–0 kundër Meksikës në një miqësore të zhvilluar në Firence më 20 janar 1993.[68] Maldini gjithashtu ishte pjesë e skuadrës që garoi në U.S. Cup 1992, një turnament miqësor të cilën Italia e mbylli në vendin e dytë, mbrapa vendit organizator. Italia dështoi të kualifikohej në Euro 1992, duke e mbyllur grupin e saj në vendin e dytë, por arriti të kualifikohej në Kupën e Botës 1994, ku Maldini u emërua zëvëndës-kapiten i ekipit. Gjatë Kupës së Botës 1994, Maldini luajti në të shtata ndeshjet e Italisë, tre nga të cilat si kapiten, respektivisht nga Nigerisë, Spanjës dhe Bullgarisë, duke ndihmuar ekipin të mos pësonte gol në ndeshjen e fazës së grupeve ndaj Norvegjisë. Maldini udhëhoqi mbrojtjen e Italisë që arriti në finale, duke luajtur si mbrojtës krahu dhe në qëndër, kjo për shkak të mungesave Baresit, për shkak dëmtimi, Mauro Tassottit, për shkak pezullimi pas çerek-finaleve, dhe Alessandro Costacurtës, i pezulluar për finalen. Maldini ndihmoi Italinë të mos pësonte gol në finale kundër ekipit favorit Brazilt; ekipi në fund u mposht nga gjuajtjet e penalltive. Ashtu si në vitin 1990, Maldini u emërua në Ekipin e Turnamentit, 32 vite pasi babai i tij mori të njëjtin nder në Kupën e Botës 1962.[24][64]
Portier i Italisë: puna më e lehtë në Evropë.
—Slogani i Nike i shoqëruar me një pamje të Maldinit e cila u shfaq në postera para fillimit të Euro 1996.[71]
Pasi Baresi u tërhoq nga futbolli ndërkombëtar në vitin 1994, Maldini u zgjodh kapiteni i përhershëm i Italisë. Të kaltrit zhgënjyen tërësisht në fushatën e Euro 1996, duke e mbyllur fazën e grupeve me katër pikë, në një grup që kishte pjesë Gjermaninë dhe Republikën Çeke, që sëbashku luajtën në finale. Maldini luajti në të tre ndeshjet e fazës së grupeve. Kupa e Botës 1998 pa Italinë të bënte një nisje të fuqishme, duke fituar grupin. Maldini luajti në të pesta ndeshjet e Italisë, si dhe nisi aksionin që solli golin e Christian Vierit në barazimin 2–2 kundër Kilit në ndeshjen e parë. Maldini, në mbrojtje me Alessandro Costacurtën, Fabio Cannavaron, Alessandro Nestën dhe Giuseppe Bergomin, ndihmuan Italinë të mos pësonte gol në ndeshjen e dytë në grup ndaj Kamerunit, në ndeshjen e raundit të 16-tave ndaj Norvegjisë dhe në çerek-finale ndaj Francës në çerek-finale. Në këtë të fundit, Italia u eliminua nga gjuajtjet e penalltive, për të tretën edicion rresht të Kupës së Botës, me Francën që në fund u shpall kampione.[24]
Maldini zhvilloi paraqitjen e tij të 100të me Italinë më 28 prill 1999 në barazimin pa gola kundër Kroacisë, në një ndeshje miqësore.[72] Në vitin e ardhshëm, Italia arriti finalen e Euro 2000, por u mposht sërisht nga Franca kampione në fuqi e Kupës së Botës në shtesë. Maldini luajti në të gjashta ndeshjet e Italisë gjatë turnamentit. Të kaltrit fituan grupin e tyre, duke fituar çdo ndeshje, me Maldinin, i cili në bashkpunim me Fabio Cannavaron dhe Alessandro Nestën në mbrojtje, ndihmuan ekipin të pësonte vetëm dy gola gjatë rrugës në finale, duke e mbajtur portën e paprekur në ndeshjet ndaj Belgjikës në fazën e grupeve, Rumanisë në çerek-finale dhe Holandës në gjysëm-finale. Në këtë të fundit, Italia, edhe pse me 10 lojtarë, u kualifikua në finale nga gjuajtjet e penalltive pasi koha e rregullt dhe shtesa u mbyllën në barazim pa gola. Edhe pse Maldini gaboi në penalltinë e tij, Italia triumfoi 3–1.[73] Në finale, Italia po udhëhiqte 1–0 deri sa Wiltord barazoi në minutën e fundit të kohës shtesë. David Trezeguet shënoi golin e artë në minutën e 103të të pjesës së parë të shtesës.[74] Në të tre Kampionatet Evropiane në të cilat Maldini mori pjesë, ai u zgjodh në të treja rastet në Ekipin e Turnamentit.[24]
Më 7 tetor 2000, në një fitore 3–0 në Milano kundër Rumanisënë një ndeshje kualifikuese të Kupës së Botës 2002, Maldini parakaloi portierin Dino Zoff si lojtari me më shumë ndeshje në historinë e kombëtares italiane, me 113.[75] Ai mori pjesë në Kupën e Botës të katërt të tij, si dhe të dytën si kapiten, e cila u zhvillua në Korenë e Jugut dhe Japoni. Ai ndihmoi Italinë të mos pësonte në ndeshjen hapëse të tyre ndaj Ekuadorit, si dhe luajti në të katërta ndeshjet e ekipit. Italia zhgënjeu në dy ndeshjet e mbetura të grupit, por arriti të kualifikohej si ekipi i dytë më i mirë i grupit. Megjithatë, ekipi (me 10 lojtarë) u eliminua me polemika në raundin e 16-tave, falë një goli të artë, nga Korea e Jugut. Pas përfundimit të turnamentit, Maldini u tërhoq nga futbolli ndërkombtëar në moshën 34 vjeç si lojtari me më shumë ndeshje i Italisë.[24] Ai shënoi shtatë gola me kombëtaren, të gjitha në ndeshje si vendas. Ai e shpenzoi pothuajse gjysmën nga 16 vite si lojtar i kombëtares duke mbajtur shiritin e kapitenit, duke luajtur plot 74 ndeshje me të,[76] një rekord, deri sa ai u parakalua fillimisht nga Cannavaro dhe më pas nga Buffon.[64][77] Pavarësisht performancave për shtetin e tij, Maldini nuk mundi dot të fitojë trofe, edhe pse arriti në finalen e Kupës së Botës dhe Kampionatit Evropian. Ai luajti 23 ndeshje në Kupën e Botës, duke u renditur i dytë në listën e të gjitha kohërave mbrapa Lothar Matthäus, i cili luajti dy ndeshje më shumë. Maldini mban rekordin për numrin e minutave të luajtura në Kupën e Botës, me plot 2,216.[78]
Në shkurt 2009, trajneri i Italisë Marcello Lippi shfaqi mbështjetjen e tij për një ndeshje lamtumire në nder të Maldinit, duke shtuar se dëshironte t'i jepte një mundësi të fundit mbrojtësit për të luajtur me të kaltrit.[79]Federata Italiane e Futbollit (FIGC) i ofroi një vend titullari për ndeshjen miqësore ndaj Irlandës së Veriut. Megjithatë, Maldini refuzoi ofertën, duke deklaruar se ai dëshironte që ndeshja e tij e fundit të ishte një ndeshje zyrtare.[80]
Maldini në një konferencë për shtyp si ambasador i Milanit në 2013.
Para se të tërhiqej nga futbolli, Maldini kishte deklaruar se nuk do të ndiqte një karrierë si trajner.[81][82] Atij j'u ofrua një pozicion te Çelsi që do t'a bashkonte atë me ish trajnerin e tij Carlo Ancelotti, në stafin e këtij të fundit; Maldini sipas raportimeve kishte folur me vetë Ancelottin dhe me presidentin e klubit Roman Abramovich për një marrëveshje të mundshme.[83] Ancelotti më pas njoftoi se Maldini e kishte refuzuar ofertën e tij për t'u bërë pjesë e stafit të tij te Çelsi.[84]
Në vitin 2012, Maldini u fut në Hollin e Famës të Futbollit Italian. Ai më pas luajti në edicionin e 11të të Ndeshjes Kundër Varfërisë (Anglisht: Match Against Poverty) më 4 mars 2014, duke luajtur me legjenda të tjera si Ronaldo, Zinedine Zidane, Luís Figo dhe Pavel Nedvěd; kjo ndeshje u zhvillua në Bern të Zvicrës, me fitimet nga biletat që shkuan në shtetin e Filipines, e cila u godit nga Taifuni Haiyan.[85] Më 1 shtator 2014, Maldini, sëbashku me shumë futbollistë aktivë dhe të tërhequr, luajtën në "Match for Peace" (Ndeshja për Paqen), e cila u zhvillua në Stadio Olimpico të Romës; fitimet sërisht shkuan për bamirësi.[86][87][88] Në maj 2015, Maldini u bë bashkpronar i klubit të North American Soccer League (NASL) Miami FC, sëbashku me sipërmarrësin për të drejtat e televizionit Riccardo Silva, me shpresën se ekipi do të bëhej pjesë e Major League Soccer (MLS) në të ardhmen.[89] Më 1 maj 2016, Maldini u bë lojtari i dytë pas lojtarit të SouthamptonMatthew Le Tissier që nderohet nga klubi bask Athletic Bilbao me çmimin "One Club Man" (lojtar që e ka shpenzuar të gjithë karrierën me një klub); atij j'u dha çmimi në pushimin midis pjesëve të ndeshjes kundër Celta de Vigos, duke marrë ovacione nga tifozët e pranishëm.[90]
Në qershor 2017, Maldini u kualifikua për Kupën e Tenisit Aspira në Milano, një turnament profesionist tenisi në ATP Challenger Tour, sëbashku me partnerin e tij Stefano Landonio, pasi fitoi një ndeshje kualifikuese në Itali.[91] Megjithatë, ata u eliminuan në raundin e parë nga Tomasz Bednarek dhe David Pel me rezultatin 6–1, 6–1.[92] Pas humbjes, Maldini deklaroi se kjo ishte më shumë mundësi ndeshja e tij e fundit në tenisin profesionist.[93]
Në gusht 2018, pak javë pasi pronësia e Milanit kaloi në duart e Elliott Management Corporation, Maldini pranoi një ofertë për t'u bërë drejtori sportiv i strategjisë & zhvillimit për klubin, duke punuar në krahë të drejtorit të ri sportiv Leonardo. Kjo gjë shënoi rikthimin e tij te kuqezinjtë që pas largimit të tij nga futbolli në vitin 2009.[94] Më 14 qershor 2019, Maldini u ngrit në detyrë, duke u emëruar drejtori i ri teknik i klubit.[95]
"Maldini ishte mbrojtësi më i mirë dhe i fortë me të cilin jam përballur. Ai kishte gjithçka: ai ishte një mbrojtës i kompletuar, i cili ishte i fortë, inteligjent, dhe një markues i shkëlqyer."
Edhe pse luajti si mbrojtës i majtë në shumicën e karrierës së tij, Maldini ishte një lojtar këmbë-djathtë, dhe nisi të luante për Milanin në krahun e djathtë të mbrojtjes. Ai më pas kaloi në krahun e majtë pas kërkesës së trajnerit Arrigo Sacchi për shkak të prezencës së Mauro Tassottit në krahun e djathtë.[97] Kjo lëvizje u bë e mundur edhe falë shkathtësisë taktike dhe aftësisë për të luajtur me të dyja këmbët, cilësi këto që e lejonin të luante në çdo pozicion të mbrojtjes dhe të kishte një karrierë të gjatë dhe të suksesshme, si për Milanin dhe për Italinë.[98][99]
"Ai ishte një nga mbrojtësit më të mirë në historinë e Ligës së Kampioneve, por ajo që ishte shumë mbreslënëse rreth tij ishte se kur ishte nën zotërimin e topit, ai nuk dukej si mbrojtjes, por më shumë si një mesfushor elegant."
Maldini njihet për aftësinë teknike, atleticizmin, ndërhyrjet me rrëshqitje, staminën, qetësinë dhe vrapimet energjike përpara si mbrojtës i majtë ose i djathtë.[101][102][103][104][105] Ai ishte gjithashtu një krosues i shkëlqyer, si dhe një kërcënim në sulm, duke shënuar dhe asistuar disa gola në karrierën e tij.[106][107] Në vitet e fundit të karrierës së tij, me humbjen e shpejtësisë, kjo edhe për shkak të moshës, Maldini kaloi në qëndër të mbrojtjes, ku ai shkëlqeu duke u varur edhe nga përvoja, aftësia teknike, pozicionimi dhe koha për të fituar topin.[108]
Si një qëndër-mbrojtës, Maldini shquhej për markimin e tij dhe aftësinë për të parashikuar një aksion nga ekipet kundërshtare.[3][109] Pavarësisht se ndërhynte në mënyrë shumë të saktë dhe kishte prani imponuese mbrojtëse,[110] ai shpesh i shmangte ndërhyrjet kur ai i gjykonte të panevojshme, duke preferuar të ndalonte lojën sulmuese të kundërshtarëve të tij me anë të pozicionimit dhe markimit.[111] Maldini gjithashtu njihej për aftësinë e tij në duelet ajërore, forcën, duelet një-kundër-një si dhe njohurinë taktike.[101][98][112] Rrezja e tij e pasimit dhe aftësia për të nisur aksione nga prapavija e lejonin të avanconte në mesfushë dhe të shkëlqente në pozicionin libero (lojtar i lirë në fushë, pa pozicion të caktuar), në të cilën është vendosur në raste të rralla në karrierën e tij.[101][113]
"E kam pasur përherë të vështirë kur jam përballur kundër Paolo Maldinit. Ai ishte mbrojtësi më i mirë me të cilin jam përballur gjatë karrierës time. Ai patjetër e meritonte të fitonte çmimin FIFA Lojtari Botëror i Vitit disa herë."
Maldini konsiderohet të jetë një nga mbrojtësit më të mirë të të gjitha kohërave, dhe është përshkruar si një "ikonë dhe zotëri i lojës".[3][115] Ai njihej për qetësinë dhe përmbajtjen e tij në fushë, si dhe aftësinë për të lexuar lojën, duke preferuar elegancën dhe inteligencën në vend të fizikalitetit dhe agresitivitet kur mbronte; i konsideruar një lojtar korrekt, i njohur për disiplinën e tij në fushë, Maldini ka marrë vetëm tre kartonë të kuqë gjatë gjithë karrierës së tij.[3][116][117] Në një sondazh të kryer nga FIFA në vitin 2002, Maldini u zgjodh si mbrojtës në Ekipin e Ëndërrave të FIFA Kupës së Botës.[118]
"Paolo Maldini. Kur t'i e shihje përball teje, ti e dije që nuk do të kaloje. Ai ishte i madh. Ai ishte i fortë me kokë, me këmbën e djathtë, me këmbën e majtë... Ti duhej të vendosje 15 lojtarë sëbashku për të bërë një si ai."
—Roberto Baggio në 2017, kur u pyet se cili ishte mbrojtësi më i mirë me të cilin ishte përballur.[119]
Fanella e Maldinit me numër 3 në muzeun e San Siros.
Maldini ishte mbrojtësi i parë në histori që u nominua për çmimin FIFA Lojtari Botëror i Vitit, duke u renditur i dyti në vitin 1998.[120] Ai ka qënë dy herë finalist i çmimit Topi i Artë, në vitet 1994 dhe 2003, ku në të dyja rastet përfundoi i treti. Përveç suksesit kolektiv, Maldini gjithashtu fitoi disa çmime dhe trofe individuale. Ai ka fituar UEFA Mbrojtësin e Vitit, Seria A Mbrojtësin e Vitit, Çmimin Bravo, Çmimin World Soccer Lojtari i Vitit. Ai gjithashtu është përzgjedhur në UEFA Ekipin e Vitit, FIFPro World XI, dhe në Ekipet e Turnamenteve të FIFA Kupës së Botës dhe UEFA Kampionatit Evropian. Maldini ka qënë një simbol i klubit të tij dhe kombëtares italiane.[121][122] Maldini shquhej për vazhdimsinë, shkathësinë, intensitetin e punës dhe jetëgjatësinë, duke fituar vendin e titullarit te Milani që në adoleshencë, vend të cilin e mbajti deri sa u tërhoq nga futbolli në moshën 41 vjeçare.[123]
Gjatë karrierës së tij, Maldini gjithashtu u konsiderua një udhëheqës, si për Milanin ashtu edhe kombëtaren italiane, duke fituar edhe pseudonimin "Il Capitano" ("Kapiteni").[124] Si kapiten, ai dallohej për prezencën e tij komanduese dhe vokale në fushë, si dhe për aftësitë komunikuese dhe organizuese, të cilat motivonin shokën e tij të skuadrës dhe siguronin që ata ishin në pozicionin e tyre.[109] Ai luajti më shumë se 1,000 ndeshje si profesionist gjatë 25 sezoneve të tij si lojtar i Milanit, duke qënë lojtari i klubit me më shumë ndeshje në Serie A dhe në të gjitha kompeticionet. Maldini luajti në tetë finale të UEFA Ligës së Kampioneve (një rekord), si dhe është lojtari me më shumë ndeshje në kompeticionet e UEFA-s.[109] Me 126 ndeshje gjatë 16 viteve si lojtar i Italisë, Maldini ishte lojtari me në shumë ndeshje i shtetit të tij, deri sa ai u kalua nga Fabio Cannavaro në vitin 2009 dhe nga Gianluigi Buffon katër vite më pas. Ai gjithashtu më parë mbante rekordin për numrin e ndeshjeve si kapiten i Italisë, me 74,[3] por më pas u kalua nga Cannavaro.[125] Maldini ka frymëzuar mbrojtës si Rio Ferdinand, Rafael Márquez dhe Carles Puyol.[126][127][128]
Maldini ka marrë pjesë në disa reklama të kompanisë së veshjeve sportive Nike.[129][130] Ai veshi këpucët e futbollit Nike Tiempo në Kupën e Botës 1994.[131] Në vitin 1996, ai mori pjesë në reklamën e Nike të titulluar "Good vs Evil", një ndeshje gladiatorësh e cila zhvillohej në një amfiteatër romak. Ai u shfaq sëbashku me lojtarë nga e gjithë bota, përfshirë Ronaldon, Eric Cantonën, Luís Figon, Patrick Kluivertin dhe Jorge Camposi; në reklamë, ata mbronin "lojën e bukur" kundër një ekipi me luftëtarë demonë. Në atë reklamë, Maldini thotë: "Ndoshta ata janë miqësorë? para se të nisi aksionin që përfundon me Cantonën që shënon dhe "shkatërron të keqen".[129]
Maldini është pjesë e video lojës FIFA të EA Sports; ai ishte pjesë e kopertinës së versionit italian të FIFA: Road to World Cup 98.[132] Në vitin 2014, ai ishte pjesë e Ultimate Team Legends në FIFA 14.[133]
Paolo ka lindur në Milano nga prindërit Cesare Maldini dhe Maria Luisa De Mezzi.[134] Ai është i martuar me ish modelen nga Venezuela Adriana Fossa që nga dhjetori i vitit 1994.[135][136][137] Çifti ka dy djem, Christianin (lindur më 14 qershor 1996) dhe Danielin (lindur më 12 tetor 2001);[138] që të dy më parë kanë qënë pjesë e Milanit dhe madje kanë luajtur edhe në ekipet e të rinjëve.[139][140] Babai i tij Cesare gjithashtu ka qënë futbollist i cili ka luajtur si mbrojtës, ka qënë kapiten i Milanit si dhe ka përfaqsuar kombëtaren italiane, dhe më vonë u bë trajner. Gjatë karrierës si trajner të Cesares, ai ka drejtuar djalin e tij në kombëtaren nën-21 dhe kombëtaren e madhe; në nivel klubesh, ai e ka drejtuar Paolon te Milani.[141] Ai vdiq më 3 prill 2016 në moshën 84 vjeç.[142] Mamaja e Paolos, Maria, vdiq po në atë vit, më 28 korrik.[143]
Maldini ka markën e tij të modës – Sweet Years – të cilën ai e menaxhon sëbashku me ish shokun e tij në kombëtare Christian Vierin.[144][145]
^"Legend of Calcio: Paolo Maldini" [Legjenda e Futbollit: Paolo Maldini] (në anglisht). Forza Italian Football. 28 korrik 2011. Marrë më 22 dhjetor 2013.
^Ben Jones (22 qershor 2013). "Football's One Club Men: Paolo Maldini" [Lojtari me një klub në futboll: Paolo Maldini] (në anglisht). The Football History Boys. Marrë më 12 dhjetor 2015.
^"Maldini" (në italisht). La Gazzetta dello Sport. Arkivuar nga origjinali më 17 tetor 2013. Marrë më 24 korrik 2014.
^House, Future Publishing Limited Quay; Ambury, The; Engl, Bath BA1 1UA All rights reserved; number 2008885, Wales company registration (26 korrik 2017). "FourFourTwo's 100 Greatest Footballers EVER: No.20, Paolo Maldini" [100 futbollistët më të mirë ndonjëherë të FourFourTwo: Nr.20, Paolo Maldini]. FourFourTwo (në anglisht). Marrë më 17 mars 2019.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Emra shifrorë: lista e autorëve (lidhja)
^"Paolo Maldini" (në anglisht). Talk Football. Marrë më 25 shkurt 2008.
^Williams, Richard (23 maj 2007). "Maldini the fulcrum of Milan generation game" [Maldini plotësimi i lojës së brezit të Milanit] (në anglisht). Londër: The Guardian. Marrë më 28 maj 2007.
^"Tuttocalcio 7 ottobre" [Tuttocalcio 7 tetor] (në italisht). RaiSport. 7 tetor 2000. Arkivuar nga origjinali më 29 mars 2018. Marrë më 22 maj 2018.
^Lewis, Sam (28 korrik 2011). "Legend of Calcio: Paolo Maldini" [Legjenda e Futbollit: Paolo Maldini] (në anglisht). Forza Italian Football. Marrë më 14 shtator 2011.
^"PAOLO MALDINI RETURNS TO AC MILAN" [Paolo Maldini rikthehet te AC Milan]. acmilan.com (në anglisht). A.C. Milan. 5 gusht 2018. Marrë më 13 gusht 2018.
^"OFFICIAL: Milan promote Maldini" [Zyrtare: Milan ngre në detyrë Maldinin] (në anglisht). Football Italia. 14 qershor 2019. Marrë më 17 nëntor 2019.
^"MALDINI IL MODELLO ITALIANO" [Maldini modeli italian] (në italisht). La Repubblica. 29 janar 1996. Marrë më 20 maj 2014.
^"Paolo Maldini" (në anglisht). BBC Sport. 8 maj 2002. Marrë më 4 qershor 2016.
^Ben Radford (13 korrik 2000). "Profile: Paolo Maldini" [Profili: Paolo Maldini] (në anglisht). ESPN FC. Marrë më 22 shkurt 2017.
^"Paolo Maldini Questa volta è davvero" [Paolo Maldini këtë herë është e vërtetë] (në italisht). La Gazzetta dello Sport. 19 maj 2009. Marrë më 20 maj 2014.
^"Carles Puyol's Letter to Paolo Maldini" [Letra e Carles Puyol te Paolo Maldini] (në anglisht). Insidespanishfootball.com. 20 shkurt 2013. Arkivuar nga origjinali më 3 nëntor 2013. Marrë më 19 nëntor 2019.
^Richard Williams (23 maj 2007). "Richard Williams on Paolo Maldini" [Richard Williams mbi Paolo Maldinin] (në anglisht). Athinë: The Guardian. Marrë më 22 dhjetor 2013.
^Football (18 shkurt 2008). "Paolo Maldini bids 'arrivederci Milan'" [Paolo Maldini i thotë Milanit 'arrivederci'] (në anglisht). London: The Telegraph. Marrë më 22 dhjetor 2013.
^"Carles Puyol's Letter to Paolo Maldini" [Letra e Carles Puyol te Paolo Maldini] (në anglisht). Inside Spanish Football. 20 shkurt 2013. Arkivuar nga origjinali më 3 nëntor 2013. Marrë më 19 nëntor 2019.
^Massimiliano Bonino (9 maj 2014). "Biografia di Paolo Maldini" [Biografia e Paolo Maldinit] (në italisht). cinquantamila.corriere.it. Arkivuar nga origjinali më 23 maj 2018. Marrë më 22 maj 2018.
^"Today Marisa Maldini passed away" [Sot Marisa Maldini ka ndërruar jetë]. acmilan.com (në anglisht). A.C. Milan. 28 korrik 2016. Arkivuar nga origjinali më 9 gusht 2016. Marrë më 28 korrik 2016.
^Marcelo Leme de Arruda (24 korrik 2014). "World All-Time Teams" [Ekipet e të gjitha kohërave të botës] (në anglisht). RSSSF.com. Marrë më 2 gusht 2017.
^Rainbow, Jamie (2 korrik 2013). "The Greatest" [Më të mirët] (në anglisht). World Soccer. Marrë më 13 shtator 2015.
^"Paolo Maldini at San Mamés" [Paolo Maldini në San Mamés] (në anglisht). Athletic Bilbao. 1 maj 2016. Arkivuar nga origjinali më 11 maj 2018. Marrë më 11 maj 2018.
^"Your All-time EURO 11 revealed" [Zbulohet 11-shja e juaj e të gjitha kohërave e Evropianit]. UEFA.com (në anglisht). UEFA. 7 qershor 2016. Marrë më 7 qershor 2016.