Muzeu i Elektroekonomisë së Kosovës
Muzeu i Elektroekonomisë - Hidroelektrana Prizrenasja | |
---|---|
Lloji | Arkitekturore |
Vendndodhja | Prizren, Kosovë |
Ndërtuar | Shek. XX |
Emri zyrtar: Monument /Ansambël | |
Lloji | Nën mbrojtje |
Përcaktuar | 50/77 |
Nr. i referencës | 1425 |
Muzeu i Elektroekonomisë së Kosovës i njohur në fillimet e tij si "Hidroelektrana Prizrenasja" është një monument i trashëgimisë kulturore në Prizren, Kosovë.[1] Ky monument është i kategorisë "Arkitekturor", i miratuar me numër 50/77. .[2]
Historiku
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Objekti i Muzeut të Elektroekonomisë së Kosovës apo Hidroelektrana “Prizrenasja” gjendet në ambientin piktoresk të Grykës së Lumbardhit, 2.5 km larg Prizrenit. Është ndërtuar në vitin 1926-28 me kontributin e qytetarëve dhe kredive bankare. Ndërtesa është projektuar dhe ndërtuar nga një kompani austriake nga Vjena. Objekti ka pasur elementet moderne të asaj kohe: turbinat e ujit, pjesën për pastrimin e ujit nga mbeturinat, kanalin, pajisjet për përcjelljen e ujit gjer në turbinë dhe gjeneratorin me fuqi 160 KW. Për shkak të kërkesës së madhe të energjisë elektrike në vitin 1936 është lëshuar në qarkullim gjeneratori i dytë me kapacitet të njëjtë. Muzeu ka funksionuar deri në mes të viteve të 80’ta të shekullit të kaluar. Pas një periudhe të gjatë të mungesës së mirëmbajtjes, në vitin 2011 me një donacion të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është hartuar projekti i restaurimit nga QRTK Prizren dhe CHwB gjersa punët për restaurimin e janë bërë në vitin 2012.[3]
Objekti është formësuar në dy kate, në përdhesë është kthina e madhe ku janë të vendosura dy gjeneratorë dhe pajisjet tjera përcjellëse, kurse në dhomën tjetër kanë qenë aparatet për përcjelljen e rrymës. Në katin e epërm ka qenë dhoma e inxhinerit që ka qenë edhe mbikëqyrësi i hidroelektranës. Fillimisht një pjesë e katit të parë ka qenë e mbuluar me kulm të rrafshët, dhe qasja në kulm realizohej nga ana veriore e dhomës së inxhinierit. Më vonë kulmi i rrafshët është mbuluar me kulm të pjerrtë një ujor të mbuluar me tjegulla argjile. Arkitekti austriak ka zgjedhur vendin më të përshtatshëm për shfrytëzimin e ujit dhe është munduar që objektin industrial ta përshtatë me ambientin duke dhënë formën e një kështjelle si inspirim nga Kështjella e Epërme (Kalaja e Vashave) që gjendet në afërsi. Në të njëjtën kohë dhe me të njëjtin stil janë ndërtuar edhe dy trafostacione që kanë shpërndarë rrymën nëpër qytetin e Prizrenit. Objekti është ndërtuar nga gurët e latuar të lidhur me llaç gëlqeror, me këndet e punuara me tulla të plota. Konstruksioni meskatësh është punuar nga druri. Kulmi i rrafshët është punuar me beton të armuar. Dritaret kanë formë drejtkëndëshe, me hapje gjysmëharkore në pjesën e sipërme. Dera hyrëse në përdhesë është punuar nga druri i bungut, me hapje gjysmëharkore në pjesën e sipërme. Hidroelektrana ka furnizuar qytetin e Prizrenit me rrymë elektrike prej vitit 1929 deri në vitin 1973. Në vitin 1979 kjo ndërtesë e rëndësishme për historinë industriale të qytetit është shndërruar në Muze të Energjisë Elektrike të Kosovës. Gjatë adaptimit të ndërtesës në muze janë bërë punët restauruese, ndërrimi i dritareve në etazhe, suvatimi i enterierit, restaurimi i mureve nga ana e jashtme, plotësimi i fugave me llaç çimentoje, adaptimi i hapësirës me pajisjet e rrymës në përdhesë si dhomë e ekspozitës, rregullimi i oborrit, dhe ndërtimi i nyjeve sanitare në oborr. Hapësira në katin e parë është shndërruar në bufe. Në oborr janë vendosur aparate nga elektranat e ndryshme të Kosovës. Pas adaptimit të objektit në muze kjo dhomë është shndërruar në restorant. Muzeu i Energjisë Elektrike i vendosur në një ndërtesë historike “Hidroelektranë” paraqet një shembull unik për Kosovën, për trajtimin e objekteve industriale si trashëgimi kulturore.[4]
Punët restauruese të kryera në vitin 2012, mes tjerash janë edhe këto: restaurimi i strukturës së mureve; ndërtimi i kulmit të ri, restaurimi i mureve nga ana e brendshme, konservimi i dritareve dhe derës origjinale në përdhesë, dhe restaurimi i oborrit. Pas përfundimit të punëve restauruese, muzeu planifikohet të rikthehet në funksionin e Muzeut të Energjisë Elektrike. Hidroelektrana me pozitën e saj karakteristike, harmoninë me ambientin rrethues, karakteristikat arkitektonike si ndërtesë me arkitekturë të veçantë të fillimit të shekullit XX, dhe me elementet origjinale të ruajtura paraqet një monument me vlerë të madhe artistike, historike, shoqërore dhe shkencore jo vetëm për Kosovën, por në përgjithësi për rajonin.[5]
Galeria
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Shih edhe
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Prizreni
- Lumbardhi i Prizrenit
- Lista e muzeumeve në Kosovë
- Lista e monumenteve në Prizren
- Kompleksi Monumental i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ %5bhttps://web.archive.org/web/20190528153543/https://www.erih.de/da-will-ich-hin/site/show/Sites/wasserkraftwerk-elektrizitaetsmuseum-1/ Arkivuar%5d 28 maj 2019 tek Wayback Machine%5b%5bKategoria:Faqe me adresa nga Wayback Machine që përdorin stampën e arkivës së rrjetit%5d%5d "WASSERKRAFTWERK - ELEKTRIZITÄTSMUSEUM". www.erih.net (në gjermanisht). European Route of the Industrial Heritage. Marrë më 17 maj 2019.
{{cite web}}
: Shiko vlerën e|url=
(Ndihmë!) - ^ LISTA E TRASHËGIMISË KULTURORE PËR MBROJTJE TË PËRKOHSHME (PDF). Republika e Kosovës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Marrë më 17 gusht 2016.
- ^ Van Balen, K.; Vandesande, A. (2016). Heritage Counts (Reflections on Cultural Heritage). Antwerp: Garant. fq. 286. Marrë më 19 maj 2019.
{{cite book}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!) ISBN 9044133306 ISBN 9789044133301 - ^ "Hydro-Power Plant – Electrical Museum (Prizren)". Database of Cultural Heritage of Kosova (në anglisht). Ministry of Culture, Youth and Sport of Kosova. Arkivuar nga origjinali më 19 gusht 2020. Marrë më 17 maj 2019.
- ^ "Hyrje Trashëgimia Arkitekturale Trashëgimia Arkeologjike Trashëgimia e Luajtshme Kërko Databazen Hidroelektrana - Muzeu i Elektroekonomisë (Prizren)". Databaza e Trashëgimisë Kulturore. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Arkivuar nga origjinali më 28 maj 2019. Marrë më 12 nëntor 2016.
{{cite web}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!)
Lidhje të jashtme
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Databaza e trashëgimisë kulturore të Kosovës Arkivuar 26 mars 2016 tek Wayback Machine
- Commons: Hidroelektrana Prizrenasja – Album me fotografi dhe/apo video dhe materiale multimediale