Jump to content

Xhamia e Mbretit

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Xhamia e Madhe)
Xhamia e Mbretit
Xhamia e Madhe
LlojiArkitektuale
VendndodhjaPrishtinë, Kosovë
Ndërtuar1461
Emri zyrtar: Monument
LlojiNën mbrojtje
Përcaktuar848/1953
Nr. i referencës2766

Xhamia e Mbretit e njohur edhe si Xhamia e Madhe ose Xhamia e Sulltan Mehmet Fatihut II është në rrugën “Nazim Gafurri”, oborri i saj është në formë trekëndëshi dhe kufizohet me tri rrugë, dy rrugët anësorë qojnë drejt tregut të gjelbër, ndërsa rruga në anën e kiblës në anë djathit shkon (qonë) drejt qendrës së tashmë të qytetit, ndërsa në anën e majtë drejt parkut “Gërmia”. Xhamia e Mbretit është një monument i trashëgimisë kulturore në Prishtinë, Kosovë.[1] Ky monument është i kategorisë "Arkitekturor", i miratuar me numër 848/1953.

Objekte të rëndësishme afër xhamisë

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në pjesën lindore të xhamisë përtej rruge gjenden “Sahat Kulla”, gjimnazi “Sami Frashëri”, Teqeja e Kadirive dhe ndërtesa e AShAK, kurse ne jug të xhamisë është Hamami i Sulltan Mehmet Fatihut. Në oborrin e xhamisë është shatërvani nga mermeri. Shatërvani është i mbuluar me çati me qeremide dhe ka 16 çezme që shërbejnë për marrjen e abdesit.

Historiku i xhamisë

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Xhamia e Sulltan Mehmedit II (Fatihut) në Prishtinë, që njihet edhe si xhamia e madhe e Prishtinës, është ndërtuar me urdhër të Sulltan Mehmedit II në vitin 865 hixhri (1460/61), 8 vjet pas pushtimit të Stambollit. Mbishkrimi i xhamisë gjendet mbi derën e xhamisë, mbi një copë të bukur mermeri me ngjyrë të zezë e përbërë prej katër rreshtave.

E njohur edhe si Xhamia e Sulltan Mehmet Fatihut II gjendet në bërthamën e qytetit të vjetër të Prishtinës, në afërsi të Hamamit të Madh (shek. XV), Sahat Kullës (shek. XIX), ndërtesës së vjetër të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (shek. XIX), të shpallura monumente të trashëgimisë kulturore. Është ndërtuar sipas urdhrit të Sulltan Mehmet Fatihut II - Pushtuesit. Mbishkrimi i shkruar në alfabetin arab në gjashtë rreshta i cili ndodhet mbi portalin e hyrjes si datë të saktë të ndërtimit jep vitin 1461, sipas kalendarit gregorian, përkatësisht hixhrën 865 sipas kalendarit arab. Në popull njihet me emrin Xhamia e Mbretit dhe Xhamia e Madhe. Gjatë luftërave austro - turke në fund të shek. XVII është shndërruar në kishë katolike. Këtu ka qenë i varrosur Pjetër Bogdani, njëri ndër shkrimtarët me të shquar shqiptarë. Pas humbjes së luftës së austriakëve në vitin 1690 eshtrat e shkrimtarit zhvarrosen dhe hedhen në rrugë nga ushtria turke, dhe ndërtesës i kthehet funksioni i mëparshëm. Gjatë Luftës së Dytë Botërore ushtria gjermane ka bërë meremetime në brendinë e xhamisë. Kjo shihet nga pikturimi i kryqit të thyer mbi portën e hyrjes. Bazuar në monumentin, konstruksionin, mënyrën e ndërtimit dhe elementet dekorative radhitet ndër objektet më të rëndësishme të arkitekturës islame në Evropën Juglindore. Në oborrin e xhamisë gjendet edhe një shatërvan i ndërtuar në vitin 1996. Xhamia e Sulltan Mehmet Fatihut me objektet ndihmëse zë sipërfaqe prej 577 m2. Është ndërtuar me gurë të gdhendur ranorë të ngjyrës së verdhë. Muret nga ana e brendshme janë veshur me tulla të lidhura dhe të suvatuara me llaç gëlqereje. Trashësia e mureve arrin 180 cm. Xhamia përbëhet prej një hapësire në trajtë drejtkëndëshi me përmasa 14.14 x 14.14 m, kupolës me diametër 13.50 m e ngritur mbi katër pandativa, minares së lartë 38.20 dhe portikut reprezentativ. Mund të thuhet se kupola Xhamisë së Madhe është një ndër kupolat me të mëdha të objekteve të shek. XV dhe me zgjedhje më të suksesshme arkitektonike në Evropën Juglindore. Në pjesën e brendshme gjendet mihrabi, mimberi dhe mahvili. Për vlera artistike shquhet sidomos mahvili i drurit i zbukuruar me friz në formë stalaktitesh dhe me ornamente gjeometrike. Portiku i xhamisë peshon mbi shtylla ortogonale ndërsa në pjesën e sipërme mbulohet me kupola. Kupola qendrore dhe kupolat e portikut janë të mbuluara me llamarinë të zinkuar. Brendia e xhamisë ndriçohet nga hapjet e dritareve të mëdha në tri zona të mureve dhe nga 12 hapje të vogla të kupolës. Kalota e kupolës qendrore, sipërfaqet e pandativave, sipërfaqet rreth dritareve, kupolat dhe pandativët e portikut janë pikturuar më ngjyra të larmishme me motive bimore në teknikën al seko. Në aspektin arkitektural, hapësinor, strukturor dhe dekorativ, ndërtesa ruan të gjitha tiparet që nga koha e ndërtimit. Është një ndërtesë unike dhe dominuese në peizazhin e qytetit të Prishtinës. Në ditët tona ky monument na vjen me një sërë ndërhyrjesh riparuese, ndër të cilat vlen të përmendet restaurimi i viteve 1682/’83 – gjatë sundimit të Sulltan Mehmetit IV, si dhe ndërhyrjet riparuese pas tërmetit të vitit 1955. Që nga koha kur ky monument është shpallur nën mbrojtje të shtetit (1953) nga Enti Krahinor për Mbrojtjen e Monumenteve xhamia ishte në gjendje jo të mirë, prandaj gjatë viteve 1955 dhe 1990 nga i njëjti institucion janë realizuar ndërhyrje të pjesshme konservimi me karakter shpëtimi / konsolidimi. Më qëllim konservimi/restaurimi të kësaj ndërtese, në vitin 2004 një ekip i specializuar nga Turqia ka përgatitur Studimin/Planin e Konservimit/Restaurimit i cili në vitin 2006 është aprovuar nga autoritetet e trashëgimisë kulturore të Kosovës dhe Turqisë.[2]

Sulltan Mehmed Fatihu baba i pushtimeve

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Gjatë kohës së sundimit të vet ndërtoi xhaminë dhe zhvilloi kulturën në Perandori. Besimtarëve iu dha qetësia shpirtëror, duke u ndërtuar kopshti i Xhennetit.

Këtë ai e kishte quajtur si më të mirën vepër të tij, duke e thënë datën e ndërtimit me këto fjalë : “Ixhmai nehari” (mbledhja ditore) viti 865 hixhri”. Nga mbishkrimi shihet se sulltan Mehmet Fatihu e ka ndërtuar këtë xhami në vitin 865 sipas hixhrit, që i përgjigjet vitit 1461 të erës sonë

Ndërtimi i Xhamisë

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Ne realizimin e këtij objekti sakral si material ndërtimor konstruktiv është përdorur guri i latuar. Ndërkaq faqet e brendshme te mureve janë me tulla dhe të suvatuara. Sa u përket dekorimeve plastike, kjo është mjaft modeste, sado që ajo në një masë re vogël prezantohet në forme relievi të imët në minare si stalaktite në mihrab dhe në kapitole e shtylla te hajatit.

Xhamia është e ndërtuar sipas shkollës arkitektonike të Brusës. Xhamia është godine një hapësinore me kubenë me dimensione prej 14 m. Është ndërtuar me tulla nga brenda e me gurë të gdhendur nga jashtë. Xhamia “Sulltan Mehmet Fatih” (xhamia e madhe) është e ndërtuar në stilin e “Ullu Xhamisë” që gjendet në Bursa, është e stolisur shumë bukur, dhe është ndër projektet me bukuri të rrallë të kohës kur është ndërtuar. Xhamia është e ndërtuar me gurë të mëdhenj katrorë. Në mes ka kupolën kryesore në madhësi prej 13,50 m, kurse nga të katër anët gjinden kupolat me tre kënde.

Kupola kryesore dhe kupolat tjera mbulojnë këtë projekt madhështorë. Minarja e lartë, e hollë dhe e bukur është e ndërtuar gjithashtu prej gurëve. Kapaku i minares, kupola kryesore dhe tre kupolat e vegjël përpara janë të mbuluara me plumb. Sikurse xhamia po ashtu edhe minarja nuk janë të suvatuar. Maja e minares është e mbuluar me bronz. Kur shikohet minarja mund të vërehet se ballkoni dhe pjesa e epërme e minares është e rinovuar. Në xhami gjate viteve 1961 e 1962 u zhvilluan punimet në konservimin e tremes, ndërsa gjate viteve 1964 deri 1967 punime mjaft te ndërlikuara në sanimin e minares, kur u rrënua dhe u rimuros minarja mbi lartësinë prej 17 metrash.

Xhamia e Madhe përbehet nga këto pjese : salla e lutjeve (faljeve), hajati (portiku) dhe minarja.

Brendia e xhamisë

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Brendia e xhamisë (Salla për namaz) ka vëllim unik dhe është e mbuluar me kube. Kjo sallë ka planimetrinë katrore me përmasa 14 m dhe në të hyhet nga porta, që është e mbuluar me arkitrah. Salla me vëllimin e saj unik është e mbuluar me kube të konstruktuar drejtpërdrejt mbi te nëpërmjet pandantivave në qoshe. Xhamia është e shtuar me tapet (tepi) bashkëkohore.

Dimensionet e xhamisë në matjen e jashtme janë 17,55 m x 18,00 m pa llogaritur hajatin i cili ka 5,90 m. Ndërsa brendia e sallës së xhamisë 14,00 m x 14,00 m. Madhësia e xhamisë mesatarisht thuhet se është 900 metra katrorë. Xhamia ka vend për 800 njerëz.

Mbi derën e hyrjes gjendet mahfili nga druri i cili është pak i thellë në lartësi prej 3,50 m nga toka që mbahet nga 6 shtylla të drurit. Gjerësia e Mafilit është 2,55 m. Në mahfil hyhet nga dritarja e djathtë më anë të shkallëve. Shkallët janë brenda murit.

Mihrabi i xhamisë është nga mermeri dhe është mjaft e zbukuruar. Mihrabi është ne vend të lartë dhe në harmoni me stolitë e xhamisë.

Edhe mimberi i xhamisë është një monumentale, është i ndërtuar sipas traditës dhe stilit osman. Minberi i xhamisë është i ndërtuar nga mermeri është mjaft i bukur. Tre qoshet e tij, bukuria e vendosje së tyre dëshmon për mjeshtërinë e ndërtimit.

Hyrja e minberit është e stolisur me një kurorë të bukur. Në minber është i vendosur një dritare e vogël por mjaft e bukur. Tre qoshet janë të punuara me nga një rozetë. Minberi është i bojatisur me ngjyrë jeshile, por ka edhe disa ornomente të bukura që përshtaten me harmoninë e xhamisë, këtu duhet veçuar ornamentet që gjenden në dy anët e minberit. Minberi ka 10 shkallë ndërsa gjerësia e tij është 1,10 m.

Xhamia ka 37 dritare në madhësi të ndryshme. Dritaret janë të vendosura në katër nivele. Dritaret, e nivelit të parë të pos që janë më të mëdha brenda kanë kapakun e bukur nga druri. Në të katër anët xhamia ka nga dy dritare të tilla që do të thotë 8 sish. Ndërsa në dritaret e nivelit të dyte janë më të vogla dhe në tri anë ka nga tri dritare, ndërsa ana e hyrjes kryesore nuk ka këso dritare.

Dritaret e niveli të tretë janë më të vogla dhe në të katër anët ka nga 2 dritare, me të vetmin përjashtim që dritaret nga hyrja qendrore kanë formën e rrumbullakët. Punimet e kapakëve te dritareve të kibles janë shumë të bukura. Kurse kapakët e dritareve tjera edhe pse janë ndërruar janë të bukura.

Dritaret e niveli të katër janë ato të bazës së kupolës ku janë 12 dritare, që do të thotë se kubja qendrore e xhamisë është në bazën 12 këndesh.

Dera e xhamisë është ndërtuar me pllaka të cilat në pjesën e epërme kanë formë të yllit 12 këndor. Sot dera e xhamisë është e ngjyrosur me ngjyrë jeshile. Dera e xhamisë hapet në dy anët.

Kupola kryesore mbahet nga qoshet trekëndëshe dhe nuk është shumë e lartë. Gurët të cilët e rrethojnë kupolën i japin një bukuri tjetër xhamisë. Kupolat e pjesës së fundit të vendit të xhematit përbëhen nga pesë pjesë dhe janë tetë këndesh.

Hajati (portiku) i xhamisë ka një zgjidhje tradicionale të këtyre ambienteve. Hajati mbulohet me tri kube të vogla ë njëjta. Kubet e hajatit janë në nivel më të ulët se kubeja kryesore dhe me dinamiken e me kontrastet e tyre ndikojnë në vlerën estetike të objektit. Kubetë janë të mbuluara me mbulese të plumbit

Si pjese e pandare dhe me rëndësi është edhe minarja, e cila zakonisht është në vend të djathtë re sallës se lutjeve. Minarja si pjesë konstruktive-arkitektonike dhe funksionale veçohet për poligonalitetin dhe elegancën e saj. Si element i minares është edhe sherifja e cila shërben për kryerjen e ceremonive të caktuara fetare : thirrja e ezanit. Minarja shumë këndshe shpreh tendencën e hollësisë maksimale. Hyrja për në minaret është jashtë xhamisë, Minarja e xhamie është e lartë 120 shkallë, kurse në lartësi është shtathollë. Maja e minares është e mbuluar me bronz.

Pamja e minares në prapavi të hamamit të madh.

Vlerat artistike të xhamisë arti në kupolë

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Brendia është e dekoruar me ornamentikë bimorë. Duke marrë parasysh dimensionet (14,14 m x 14.14 m), konstruksionin, realizimin dhe elementet dekorative sëbashku me kohën e ndërtimit, kjo xhami është një ndër objektet më të rëndësishme dhe më të vlefshme të periudhës osmane ndër ne.

Në këtë objekt monumental na prezantohen edhe dekorimet pikturave të realizuara në seko teknikë. Këto rea1izime të pikturave murale dekorojnë sallën e lutjeve me kube si dhe hajatin e xhamisë. Këtu, pos luleve të stilizuara, prezantohen edhe figura gjeometrike, motive arkitektonike, selvi dhe motivi i rrushit. Piktura është përqendruar kryesisht në dritare të sallës së lutjeve, në harqe dhe në padantive në kurore ku nga sistemi konstruktiv pandantiv kalohet në kube. Dekorime kemi edhe në vet kubenë e objektit. Në piktura murale të xhamisë dominon ngjyra e kaltër me nuanca të saj dhe e përhimëta. Rozeta si një tërësi kompozicionale është realizuar me ngjyre të kuqe (qeramidhe) me të gjelbër, të përhimet dhe të zezë. E zeza kryesisht i konturon motivet florale dhe gjeometrike të rozetës.

Në mes të kupolës gjendet një rozetë. Pjesa e epërme e kupolës është e punuar me motive trëndafili dhe gjethe të bimëve. Figurat janë të punuara më një art mallëngjyes, figurat janë me ngjyrë të kaltër, të gjelbër dhe të kuqe dhe shtrihen deri te dritaret e poshtme.

Ilustrimet në kupolat e hajatit

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Brendësia e dritareve në pjesën jugore është e zbukuruar me shkrime të bukura. Në pjesën jugore dritaret e epërme janë ne formë gjysmë harku dhe xhamat i kanë ne forme trëndafili.

Në saje të elementeve konstruktive, formës arkitektonike, proporcioneve dhe vlerës estetike të objektit, kjo xhami bënë pjesë në rendin e ndërtimeve me të vjetra të realizimeve arkitektonike të konfesionit islam jo vetëm në Prishtinë e në Kosovë, por edhe më gjerë.

Gjendja e xhamisë sot

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Me gjithë që xhamia “Sulltan Mehmet-Fatih” është një ndër monumentet e rralla të trashëgimisë islame jo vetëm në vendin tonë por edhe më gjerë, si për kah aspekti historik, ashtu edhe nga ana arkitektonike dhe artistike, edhe pse xhamia prej kohësh është shpallur si objekt monumental i mbrojtur Instituti Kombëtar për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës, xhamia sot gjendet në një situatë shumë të rëndë, e për këtë kanë ndikuar shumë faktorë:

  • 1. qasja jo adekuate ndaj objekteve të trashëgimisë islame
  • 2. mostrajtimi adekuat me masa restauruese dhe konzevuese siç e kërkon një objekt i mesjetës
  • 3. moskujdesi i duhur nga institucionet kompetente
  • 4. dëmtimet nga koha
  • 5. atakimi nga ndërtimet përreth madje edhe në vet oborrin e xhamisë
  • 6. atakimi nga rruga përballë xhamisë sidomos kur lëvizin mjetet me tonazh të madh
  • 7. atakimi nga të reshurat atmosferike

Dëmtimi i xhamisë

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Të gjithë këta faktor kane ndikuar që xhamia sot të jetë në një gjende të vështirë madje shtyllat që mbajnë kupolat e hajatit kanë lëvizur për disa centimetra dhe rrezikojnë që në një të ardhme të afërt të bien, ndërsa në kupolën qendrore në disa vende depërtojnë të reshurat atmosferike gjë që rrezikojnë stabilitetin e saj. Në gjendje të vështirë është edhe pjesa e poshtme e minares ngase pjesa e sipërme është restauruar në vitet e 60 të shekullit të shkuar. Në gjendje hiq më të mirë nuk është as ana e jashtme e kbiles se xhamisë e cila i nënshtrohet një atakimi të rëndë nga rruga-trotuari që kalon rreth xhamisë. Këtu xhamia atakohet nga të reshurat atmosferike që bien në trotuarin e çimentuar dhe nga mjetet me tonazh të madh të cilat atakojnë sidomos murin rreth tokës gjë që vërehet shumë qartë.

Edhe brendia e xhamisë lenë shumë për të dëshiruar, është bërë elektrifikimi jo adekuat me harminë e xhamisë, për çudi janë hequr kandilat dhe janë zëvendësuar me një të ashtuquajtur llambstmodern, ndërsa tash së fundi megjithëqë objekt i mesjetë dhe objekt monumental në dy anët e xhamisë janë vendosur klimatizues modern. Duhet thënë edhe këtë se edhe anës artistike të xhamisë nuk i është kushtuar kujdes meritor në shumë raste është dëmtuar duke vendosur në murin e xhamisë levha dhe gjëra të ndryshme. Ajo që bie në sy për të keq është se brenda xhamisë me të hyrë në anën e majtë tash e sa kohë është improvizuar një dhomë me material druri, kjo dhe veprime që përmendem më lartë mendoj se nuk duhet toleruar në një objekt monument.

Por, në përfundim duhet thënë se disa veprime që janë bërë në xhami janë të riparueshëm por duhet shtuar kujdesi institucional që xhamia sa më parë të restaurohet dhe të trajtohen sipas norma adekuate si objekt i rëndësi së veçantë, si objekt kulture që në vete ngërthen vlera të çmuara nga e kaluar jonë.

Lidhje të jashtme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Një kategori në Wikimedia Commons përmban dokumente multimediale për Xhamia e Mbretit.
  1. ^ LISTA E TRASHËGIMISË KULTURORE PËR MBROJTJE TË PËRKOHSHME (PDF). Republika e Kosovës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Marrë më 17 gusht 2016.
  2. ^ "Xhamia e Mbretit (Xhamia e Sulltan Mehmet Fatihut II, Xhamia e Madhe) (Prishtinë)". Databaza e Trashëgimisë Kulturore. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Arkivuar nga origjinali më 26 mars 2016. Marrë më 13 nëntor 2016.