Erseka
Erseka | |
---|---|
Popullsia | 3.746 |
Faqja zyrtare | Ilia Stefo |
Erseka është një qytet në rrethin e Kolonjës me 3746 banorë sipas censusit te 2011. Qyteti ndodhet në juglindje të Shqipërisë i vendosur mbi Pllajën e Kolonjës e përballë Malit të Gramozit.
Historia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Erseka është krijuar rreth vitit 1768. Fillimisht qyteti ka pasur rreth 100 shtëpi banorë të ardhur nga fshatrat përreth dhe të vendosur buzë rrugës që lidhte Korçën me Leskovikun.
Gjeografia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Erseka shtrihet në pjesën juglindore të Shqipërisë, ajo bën pjesë në krahinën malore juglindore të vendit. Erseka është kryeqendra e rrethit të Kolonjës. Ajo është pozicionuar në brendësi të Pllajës së Kolonjës, e cila ka një lartësi prej rreth 1100 m. mbi nivelin e detit. Pllaja e Kolonjës është njësia fiziko-gjeografike më e rëndësishme për këtë zonë. Ajo gjendet në koordinatat gjeografike 20° 47' 03" në lindje, 20° 27' 04" në perëndim, 40° 29' 30" në veri dhe 40° 05' 00" në jug. Në lindje të Ersekës ndodhet Mali i Gramozit me një lartësi prej 2523 m. mbi nivelin e detit, kurse në perëndim të saj ndodhet Mali i Radomit. Pragu i Qarrit e ndan këtë pllajë nga ajo e Korçës. Në jug të Ersekës shtrihet Malësia e Gërmenjit. Pllaja përshkohet nga një sërë përrenjsh, të cilët bashkohen në pellgun ujëmbledhës të lumit të Osumit. Përrenjtë më të mëdhenj janë Përroi i Starjes dhe Përroi i Taçit. Përrenjtë e tjerë më të vegjël kanë karaktere stinore në aktivitetin e tyre. Në këtë zonë jeton pjesa më e madhe e popullsisë ersekase. Lumi i Osumit rrjedh tërthor pllajës në pjesën perëndimore të saj. Në këtë pllajë gjendet dhe vendbanimi parahistorik i Ollmit të Qinamit, i cili ndodhet në majë e një kodre në afërsi të fshatit Qinam, si dhe shpella e Kamnikut. Mali i Gramozit shërben si kufi ndarës i kësaj zone me shtetin grek. Rrëzë malit janë vendosur një sërë fshatrash si Gjonçi, Taçi, Rehova, Kamnik, Starje, Kreshovë, Skorovot, Milec e Bezhanj.
Rrethi i Kolonjës shtrihet në juglindje të Republikës së Shqipërisë. Pjesa më e madhe e këtij rrethi zihet nga gropa e Kolonjës ndërsa në perëndim shtrihet malësia e Kolonjës. Qyteti i Ersekës është kryeqendra e rrethit të Kolonjës.
Gropa e Kolonjës shtrihet në këto koordinata gjeografike : lindje 20˚ 47' 3" , perëndim 20˚ 27' 30" , veri 40˚ 29' 30" , jug 40˚ 5' 0". Ajo ësht pozicionuar në brëndësi te Gropës së Kolonjës. Një gropë kjo me lartësi rreth 1100 m mbi nivelin e detit. Kjo gropë shtrihet në jug të pragut të Qarrit.Ne jug e në perëndim kufizohet nga malësia e Kolonjës kurse në lindje nga mali i Gramozit. Siperfaqja e saj është 108 km2 me shtrirje më të madhe nga veriu ne jug (rreth 20 km), ndërsa nga lindja në perëndim gjerësia e saj lëkundet nga rreth 1 km në 9 km. Kurrizi qendror ( mali i Qinamit-gostivishtit) e ndan gropën në dy pjesë. 2
Gropa dallohet për reliev te crregullt me lartësitë nga 550 m në 1200 m. Pra amplituda hipsometrike e saj arrin në 650 që është pasojë e zhvillimit në të të proceseve të fuqishme erozive. Copëtimi horizontal i saj është shumë më i madh (deri në mbi 7 km/km2), por vlerat mbizotëruese janë mbi 3 km/km2. Ky është rezultat i ndërtimit prej depozitimeve të shkrifëta, lëvizjeve ngritëse dhe evolucionit të sotëm të piemontit të Kolonjës.
Në lindje të gropes së Kolonjës ndodhet mali i Gramozit me një lartesi prej 2523 m mbi nivelin e detit. Mali i Gramozit ka shtrirje veri-jug rreth 25 km deri në Qafën e Kamenikut, ku zë fill lumi i Lengaricës dhe gjerësi nga 1 në 4 krn. Nga perëndimi kufizohet nga gropa grabenore e Kolonjës dhe nga disa gropa të tjera më të vogla të karakterit të kontaktit tektoniko- litologjik, që ndodhen në jug të kësaj grope. Edhe në lindje të tij (jashtë kufirit), ky mal vegohet nga disa gropa tektonike dhe të kontaktit.
Gramozi ka trajtën e një kreshte të madhe me karakter mikst (të rrumbullakët, të thepisur e te sheshtë) asimetrike në të cilën ngrihen shumë maja të vecuara nga qafa të thella. Ajo, në përgjithësi, ka drejtimin veri-jug. Por vihen re edhe dredhime të saj (të shkaktuara hga përparimi jo i njëjtë i përrenjve në drejtim të kreshtës. Mali i Gramozit ngrihet në lartësitë nga 1400 m në 2523 m, (Maja e Qukapecit). Mbizotërojnë lartësitë mbi 1500 m. Ky mal shënon lar-tësinë më të madhe jo vetëm në Gropat Juglindore dhe në malet përreth tyre, por në gjithë territoret malore që ndodhen në pjesën jugore të vendit. Kjo është e lidhur jo vetëm me lëvizjet e fuqishme ngritëse (amplituda e tyre mbi 2000 m), por edhe me ndërtimin gëlqeror të majave më të larta. Copëtimi horizontal i relievit në këtë mal ,është i madh( deri 5 km/km2), por mbizotërojnë vlerat mbi 3 km/km2, që lidhen kryesisht me ndërtimin e tij prej flishi.
Lëvizjet e fuqishme diferencuese midis grabenit të Kolonjës dhe malit të Gramozit cuan në formimin e thepisjes së madhe tektoniko-erozive perëndimore të këtij mali, e cila është copëtuar nga përrenjtë e shumtë. (fig. B 57) Proceset e shpatit, intensiteti i madh i të cilave është kushtëzuar nga ndërtimi flishor, pjerrësia dhe zhveshja bimore e kanë transformuar rrënjësisht këtë thepisje, duke zvogëluar pjerrë-sinë e shpatit. Kjo pjerrësi është e madhe vetëm në ata sektorë ku dalin në sipërfaqe gëlqerorët.
Pozita gjeografike që ka ky rreth në të cilin kalojnë rrugë që e lidhin atë me pjesë të tjera të Shqipërisë e më gjerë ka bërë që shumica e popullsisë që ndodhej në zonat e thella dhe fshatrat e thellë malorë të zhvendosen buzë këtyre rrugëve për të ushtruar aktivitetin e tyre jetësor. Pozita gjeografike e rrethit ndikon më së shumti tek banorët e zonave më të thella malore, ku për shkak të largësisë që ka ky rreth nga qëndrat e zhvilluara ekonomikisht të vendit bën që zhvillimi i këtyre banorëve si ekonomikisht ashtu edhe nga ana arsimore dhe kulturore të mos jetë në nivelet e duhura. Gjithashtu rrugët e vetme për tu lidhur me zonat e tjera janë ato rrugore automobilistike.
Klima e gropës së Kolonjës është e freskët dhe kushtëzohet nga pozita gjeografike dhe sidomos nga lartësia e madhe mbi nivelin e detit (mbi 1000 m), ekspozimi i saj nga veriu (lartësia relative e pragut të Qarrit 200-300 m) e nga jugu (lartësia relative e pllajës së
Shalësit 200 m) si dhe nga grykat e qafat e shumta në lindje dhe në në të cilat fryjnë erëra, që ndikojnë në klimën e kësaj grope.
Temperatura mesatare vjetore është 9.8˚C, e janarit 0.6˚C, e gushtit 18.6˚c dhe amplituda e temperaturës vjetore 18˚C. Kjo amplitudë është më e vogël se ajo e Korçës për arsye të hapjes më të madhe të saj dhe të ventilimit më të madh. Kjo dukuri ndikon edhe në vlerat jo shumë të theksuara të maksimumeve dhe minimumeve absolute. Kështu, maksimumi absolut në këtë gropë është 34.9˚C, ndërsa minimumi absolut—19.5˚C. Periudha vegjetative në të arrin në rreth 180 ditë. Ngricat janë një dukuri e zakonshme dhe zenë rreth 30 ditë në vit.
Reshjet në këtë gropë janë të pakta, me një mesatare vjetore deri në 943 mm. Stina më e lagët është dimri me 319.3 mm dhe pas tij vjen vjeshta me një ndryshim të vogël. Stina më e thatë është vera me 3 herë më pak reshje se dimri. Kjo dukuri sic thamë, është pasojë e ndikimit kontinental. Reshjet e dëborës zenë një vend të rëndësishëm, ato formojnë shtresë mesatarisht deri në 30-40 ditë në vit.
Klima ka ndikim të drejtpërdrejtë sepse zonat e thella malore kanë klimë më të ashpër se pjesa e brendshme, për pasojë ka çuar në krijimin e një sërë vendbanimesh rurale pranë rrugës nacionale Korçë – Leskovik. Gjithashtu një tjetër aspekt është edhe turizmi i cili është një degë jo shumë e zhvilluar pavarësisht potencialit të madh turistik që ofron kjo zonë. Këtu mund të zhvillohet si turizmi i bardhë dhe ai historik. Si zona më të vizituara mund të përmendim zonën e Gërmenjit dhe atë të Shelegurit. Por, klima këtu luan rolin e saj, sepse duke qenë një klimë me dimër te ashper,me temperatura shumë te ulëta nuk lejon zhvillimin e turizmit.
Hidrografia ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë, sepse çdo vendbanim rural dhe urban është i vendosur pranë një rrjedhje ujore. Duke qënë të vendosur pranë këtyre pjesëve popullsia e zhvillon aktivitetin e saj ekonomik. Gjithashtu kohët e fundit rrjeti hidrografik po përdoret edhe për prodhimin e energjisë elektrike ku mund të përmendim Hec-in e ndërtuar në lumin Osum.
Gropa e Kolonjës dallohet për një rrjet shumë të dendur hidrografik. Por rrjedhjet janë të vogla, shumica e tyre të përkohshme madje ka edhe nga ato që kanë ujë vetëm për një periudhë shumë të shkurtër, pas shirave të gjatë ose pas shkrirjes së menjëhershme të dëborës. K jo dukuri është e lidhur sidomos me filtrimin e madhe të ujit në strukturën e kryqëzuar të piemontit të Kolonjës.
Të gjitha rrjedhjet e kësaj grope dallohen për luhatje të mëdha të niveleve, pra fryrje dhe rënie të menjëhershme të nivelit të tyre. Kjo dukuri është e lidhur sidomos me formën e zgjeruar në pjesën e poshtme të pellgjeve ujëmbledhëse, me pjerrësinë shumë të madhe të shpateve të këtyre pellgjeve dhe të shtretërve të rrjedhjeve ujore. Rol të rëndësishëm luan gjithashtu përbërja prej flishi dhe varfëria bimore. Rrjedhjet ujore të gropës së Kolonjës dallohen edhe për prurje shumë të madhe të ngurtë. Jo rrallë ato marrin trajtën e rrjedhjeve të baltës.
Tokat përhëhen kryesisht nga tokat e kafenjta, të cilat në sektorët e sheshtë ose me pjerrësi të vogël kanë profil të plotë deri në 1 m), ndërsa në sektorët e pjerrët janë mjaft të cekëta. Në Pjesën lindore dhe gjatë shtretërve të përrenjve gjenden tokat primitive.
Bimësia e gropës së Kolonjës ndonëse e pakët, ka tipare të shprehura kserofile dhe përbëhet kryesisht nga shoqërimet e dushkut. Vitet e fundit ajo është zëvendësuar nga bimët e kultivuara.Gjatë viteve të pushtetit popullor mjedisi gjecgrafik është trasformuar gjerësisht, janë hapur toka të reja Për të cilat është siguruar ujitja, janë bërë pyllëzime dhe sistemime antierozive. Bimësia e lartë drusore në malin e Gramozit është shumë e varfër, e kushtëzuar kryesisht nga faktorët natyrorë, sidomos nga përhapja e madhe e proceseve të degradimit të relievit. Por në shpatet dhe në kreshta ka kullota të mira verore. Vetëm në pjesën jugore të tij ahishtet formojnë një pyll masiv. Kohët e fundit në shpatet e Gramozit janë bërë pyllëzime artificiale.
Demografia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Popullsia e qytetit shkon në rreth 10000 banorë sipas regjistrimit të nëntorit 2010 me një përbërje 50,8 % meshkuj dhe 49,2 % femra. Dendësia mesatare e qytetit është rreth 3200 banorë për km². Rreth 65 % e popullsisë i përkasin besimit mysliman, rreth 33% atij ortodoks dhe 2 % atij protestant. Emigrimi dhe ulja e nivelit të lindjeve janë ndër faktorët më kryesorë që popullsia në Ersekë në vitet pas hyrjes së demokracisë ka shkuar gjithnjë e në rënie.
- SHTESA NATYRORE, LINDJET DHE VDEKJET
Një tjetër aspekt i rëndësishëm i studimit të popullsisë është dhe shtesa natyrore e saj, që paraqet raportin midis lindjeve dhe vdekjeve. Shtesa natyrore e popullsisë llogaritet të jetë rreth 15 banorë për mijë. Tendenca në vitet e fundit është gjithnjë e më shumë në ulje.
- MIGRIMI DHE EMIGRIMI I POPULLSISË
Në qoftë se do të shohim ritmin e shtimit dhe zvogëlimit të popullsisë në kohë na rezulton se që prej statistikave të para të mbajtura për këtë zonë në vitin 1926 e deri në vitin 1991 popullsia ka ardhur duke u shtuar madje gjatë periudhës 1945 – 1990 popullsia u dyfishua kjo si pasojë e politikave të ndjekura në atë periudhë kohore. Por gjatë 25-vjeçarit të fundit ajo është zvogëluar në krahasim me periudhën paraardhëse kjo për disa faktorë që janë :
- Largësia e madhe nga qëndrat e zhvilluara ekonomikisht të vendit ka bërë që një pjesë e konsiderueshme e popullsisë në pamundësi për të zhvilluar bizneset e tyre në këtë zonë janë larguar kryesisht drejt kryeqytetit dhe në ultësirën perëndimore.
-Lindjet e pakta janë një tjetër shkak që ka ndikuar në zvogëlimin e popullsisë pasi në vitet e fundit numri i tyre pothuajse është përgjysmuar, kjo edhe për shkak të emigrimit dhe migrimit të shumtë por edhe për shkak të politikave të planifikimit familjar.
-Emigrimi dhe migrimi i popullsisë kryesisht pas vitit 1990 ka qenë masiv dhe i pakontrolluar çka ka çuar në braktisjen totale të shumë vendbanimeve rurale , madje në disa fshatra të kësaj zone nuk ka më asnjë banor rezident.
-Pamundësia që ka popullsia për të vazhduar arsimimin në shkallët e larta të tij, faktor që çon në një fenomen shqetësues siç është braktisja masive nga ana e të rinjve e kësaj zone për të shkuar në qytete më të zhvilluara të vendit ose në shtete të tjera për të vazhduar arsimimin e tyre. Në gjithë rrethin ka vetëm 3 shkolla të arsimit të mesëm.
-Shëndetësia është një tjetër faktor pasi shërbimi shëndetësor është fare i vogël. Ndodhen 23 qendra shëndetësore primare, nga të cilat 12 ndodhen në njësinë administrative Mollas (për shkak të numrit më të madh të fshatrave). Në përbërje të këtyre qendrave ka mjekë të familjes, ndërsa disa prej tyre kanë edhe mjekë specialistë, 19 konsulentë për gratë dhe fëmijët, si dhe staf mbështetës. Konstatohet se një pjesë e madhe e banorëve të kësaj bashkie, i drejtohet spitalit të Korçës apo atij të kryeqytetit, për të marrë kujdes shëndetësor më të specializuar. Gjendja e ndërtesave vlerësohet si e amortizuar dhe evidentohet nevoja për investime në mirëmbajtjen e tyre.
-Papunësia në Kolonjë rezulton në nivelin 27.1% dhe paraqitet pak më e ulët se mesatarja e papunësisë në rang vendi (rreth 29.3%). Kjo mund të shpjegohet me përqindjen e madhe të popullsisë rurale, e cila supozohet si e vetëpunësuar. Norma e papunësisë për të rinjtë është 53%, ndërsa norma e papunësisë për femrat është 32.5%. Këta tregues flasin për domosdoshmërinë e marrjes së masave urgjente, nëpërmjet projekteve, që synojnë rritjen e numrit të të punësuarve, pa lënë jashtë vëmendjes edhe fuqizimin e orientimin nga tregu i punës të arsimit profesional të mesëm.
- SHPËRNDARJA E POPULLSISË SIPAS VENDBANIMEVE.
Në rrethin e Kolonjës kemi 2 vendbanime urbane të cilat janë qytetet e Ersekës dhe të Leskovikut dhe 76 vendbanime rurale. Numri i vendbanimeve rurale ka qenë më i madh në periudhat e mëparshme por në disa nga këto vendbanime, kryesisht në 25 vitet e fundit popullsia ka migruar dhe emigruar në masën 100 % dhe shumë fshatra në komunat Novoselë dhe Çlirim nuk ka më banorë rezidentë të përhershëm por gjatë verës vihet re një popullim stinor i këtyre fshatrave, kryesisht nga popullsi e moshës së tretë. Por, në krahasim me zonat urbane vëmë re se pjesa më e madhe e popullsisë jeton në zonat rurale, pra në zonat urbane kemi një numër prej 5271 banorësh ose 47.6 % e popullsisë së rrethit ndërsa në ato rurale një numër prej 5799 banorësh ose 52.4 % e popullsisë. Pjesa më e madhe e popullsisë është e përqendruar rreth qytetit të Ersekës, ku bashkia Ersekë së bashku me komunën qendër Ersekë kanë 6419 banorë ose 57.9 % e popullsisë. Faktori kryesor i kësaj shpërndarje të popullsisë është ai social dhe si kriter kryesor mund të përmend punësimin. Numrin më të lartë të popullsisë si njësi administrative e ka qyteti i Ersekës me 33.8 % ndërsa më të ulëtin komunat Çlirim dhe Novoselë me përkatësisht secila me 3.2 %.
Krahasim i numrit të popullsisë midis viteve 1990 dhe 2011.[1]
1990 | 2011 | |
Komuna Barmash | 1256 | 480 |
Komuna Çlirim | 1894 | 355 |
Bashkia Ersekë | 10253 | 3746 |
Bashkia Leskovik | 2800 | 1525 |
Komuna Mollas | 4229 | 1520 |
Komuna Novoselë | 1163 | 355 |
Komuna qendër Ersekë | 5830 | 2673 |
Komuna qendër Leskovik | 1390 | 416 |
STRUKTURA GJINORE SIPAS NJËSIVE ADMINISTRATIVE.
Nga sa mund të vëmë re shohim se kemi të bëjmë me një mbizotërim të numrit të personave meshkuj në krahasim me femrat, dhe në rastin e vitit 2011 kemi një përbërje prej 51.02 % meshkuj dhe 48.98 % femra, pra raporti midis meshkujve dhe femrave na rezulton në 96 femra për çdo 100 meshkuj.
STRUKTURA MOSHORE E POPULLSISË SIPAS VENDBANIMEVE
Kemi disa ndarje strukture moshore të popullsisë por në ketë rast popullsia është ndarë në : popullsi të re, popullsi aktive e moshës së mesme dhe popullsi e moshës së tretë. Faktorët kryesorë që ndikojnë mbi strukturat moshore janë lindjet, vdekjet, lëvizjet migruese të grupeve të ndryshme të popullsisë, faktorë socialë dhe ekonomikë. Vetëm një pjesë fare e vogël e të rinjve që vazhdojnë studimet universitare kthehen përsëri në vendlindjen e tyre, duke ndikuar dhe në strukturat moshore dhe si pasojë mosha e re përbën vetëm 15.6 % të popullsisë. Këtu mund të përmendim edhe lindjet e pakta sidomos në vitet e fundit.
Ekonomia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Erseka ka një ekonomi pak të zhvilluar ku më së shumti dallohet fabrika e bukës, ajo e miellit, fabrika e birrës (ALNED), fabrika e qumështit (M6A). Në Ersekë ushtrojnë aktivitetin e tyre prodhues një sërë shoqërish të vogla me karakter artizanal. Gjithashtu në Ersekë janë në funksionim të vazhdueshëm ndërmarrjet shtetërore Ndërmarrja Rruga-Ura dhe Ndërmarrja e Shërbimeve Pyjore. Në Ersekë ka filialin e tij dhe Fondacioni AGRINAS. Taçi Oil International është një kompani që merret me tregtinë e naftës, pronari dhe drejtori i së cilës është biznesmeni kolonjar zoti Rezart Taçi. Nën pronësinë e tij është edhe stacioni televiziv Albanian Screen, dikur i quajtur ALSAT.
Tregu bujqësor zë një vend të rëndësishëm në ekonominë e qytetit të Ersekës. Ajo kryhet me qytetet kufitare Korçë, Leskovik, Përmet, por edhe me qytetet e mëdha si Tirana, Durrësi, apo dhe me zonat kufitare me Greqinë.
Bujqësia dhe blegtoria përbën sektorin kryesor të ekonomise së bashkisë Kolonjë.
Kolonja ka kushte klimatiko-tokësore të përshtatshme për kulturat bujqësore si drithërat, perimet foragjerët dhe vecanërisht te pemtaria. Prodhimet e Kolonjës njihen për cilësinë e tyre dhe vecanërisht mund të dallojmë thekrën e cila është tipike kolonjare që mund të shërbejë për prodhim birre dhe buke të zezë; gruri I cili ka % të lartë gluteni dhe prodhon bukë me cilësi të lartë; frutat si molla, dardha janë shumë cilësore dhe mund të bëhen “pyje” për prodhim “bio”.
Aktualisht merren rendimente të ulta në kulturat bujqësore për shkak të mungesës së inputeve kryesore dhe të teknologjive të reja. Gjithashtu fermerët nuk janë të organizuar dhe kanë shumë vështirësi në teknologji dhe marketing të prodhimit.
Burimi kryesor i të ardhurave të banorëve është bujqësia dhe pemëtaria.Kulturat më fitimprurëse janë drithërat (gruri, misri) e pemët frutore (molla). Shtimi i prodhimit bujqësor në çdo drejtim potencial kushtëzohet nga gjendja e infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit, e cila, aktualisht mundëson ujitjen e vetëm 40% të sipërfaqes së tokës gjithsej, shkallës së ulët të mekanizimit të punës për disa nga proceset e punës në bujqësi, dhe kapaciteteve magazinuese të pamjaftueshme të prodhimit të secilës prej kulturave më të kultivuara në zonë.
Sipërfaqja e tokës bujqësore për Bashkinë e Kolonjës është 6357 ha.Për vitin 2015 sipërfaqja e mbjelle është 4416 ha, nga kjo pjesa më e madhe shërben për kultivimin e drithërave dhe foragjereve.Numri i fermave në Bashkinë e Kolonjës është 2,303; nga këto 1420 ferma kanë madhësi ngastre 2 deri 2.5 ha.
Në Kolonjë ka dobësi me infrastrukturën ujitëse dhe kullimin, gjë që kërkon ndërhyrje të shpejtë.Është vështirë të flitet për mekanizim te bujqësisë me këtë fragmentarizim të tokës me sipërfaqe te vogla dhe për rendimente te krahasueshme me rajonin.
Toka bujqësore është tejet e fragmentarizuar ndërsa mungojnë bashkëpunimet mes fermerëve dhe politika vendore të përbashkëta për prodhimin bujqësor; zinxhiri i vlerës është i shkurtër, prodhimi grumbullohet nga sipërmarrës privatë në frigoriferë dhe mbërrin në tregjet vendore dhe rajonale, por nuk përpunohet më tej në asnjë formë.Këto probleme janë shkak për rendiment të ulët të tokës dhe për pasojë shfrytëzim të ulët të potencialit të saj.Nxitja e bashkimit të fermerëve dhe informimi i tyre për fondet e skemave kombëtare që janë të vlefshme për sipërmarrje të përbashkëta të fermerëve është i nevojshëm për të drejtuar në mënyrë me strategjike zhvillimin e sektorit të bujqësisë.
Turizmi përbën potencial për diversifikimin e burimit të të ardhurave të zonës, dhe mund të jetë nxitës i rëndësishëm për gjallërimin e jetës sociale të saj; sinergjia që mund të krijohet me agro-bizneset është e vlefshme veçanërisht për punësimin e grave dhe rritjen e mirëqenies së tyre. Megjithatë, sektori është ende i pazhvilluar. Njohja dhe promovimi i vlerave të zonës janë të domosdoshme, me qëllim afrimin e sipërmarrjeve private dhe turistëve vendas e të huaj.
Në bashkinë e Kolonjës, zhvillimi i biznesit është i orientuar kryesisht nga biznesi i vogël. Në këtë territor ushtrojnë aktivitet rreth 350 subjekte private, nga të cilat vetëm 15 subjekte kanë statusin e personit juridik. Subjektet me statusin e personit juridik përbëhen nga 6 firma ndërtimi, ndërsa të tjerat punojnë kryesisht në fushën e shfrytëzimit të pyjeve dhe përpunimit për shitje të lëndës drusore.Pjesa tjetër e aktivitetit ekonomik konsiston në biznesin e vogël, kryesisht në fushën e shërbimeve dhe tregëtisë dhe një numër relativisht i vogël përbëhet nga subjekte të vogla prodhuese e përpunuese, (1 subjekt prodhim birre; 3 subjekte prodhim buke; 1 fabrikë përpunim qumështi dhe 3 baxho me kapacitet relativisht të ulët).Gjithashtu, veprojnë subjekte në fushën e tregëtisë dhe të shërbimeve, kryesisht të vetëpunësuar dhe vetëm 30% e tyre kanë nga dy punonjës të siguruar, përfshi edhe pronarin.
Investimet e reja për zhvillimin e biznesit janë të rralla; numërohen rreth 35 objekte të reja të përshtatura për objekte tregëtie dhe shërbimesh, disa prej tyre të papërfunduara, me sipërfaqe ndërtimi nga 100 deri në 200 m2, mesatarisht 2-3 kate. Ajo që është e dukshme janë investimet për rikonstruksion dhe përshtatje të mjediseve ekzistuese në rreth 80% të mjediseve ku ushtrohet aktivitet privat.Në vitet e fundit ka patur pothuajse një numër kostant të numrit të biznesit të vogël të regjistruar me një rritje rreth 2-3%.Ka subjekte që mbyllin aktivitetin ose ndryshojnë llojin e aktivitetit ose vendndodhjen e biznesit, sidomos në rastet e subjekteve që operojnë kryesisht në mjedise me qera.Numri i bizneseve të mbyllura çdo vit varion në 4-5% të numrit të përgjithshëm të subjekteve private.
Mirëqenia ekonomike
Nga shqyrtimi i burimeve të të ardhurave familjare, rezulton se ndihma sociale dhe përfitimet të ngjashme me të zënë 11,6% të të ardhurave familjare për popullatën lokale të Kolonjës. Në një nivel mjaft të ulët paraqiten remitancat, që përfaqësojnë 3,7% të të ardhurave. Ndërkohë, burimi kryesor i të ardhurave familjare janë punësimi dhe vetpunësimi, që së bashku përfaqësojnë më shumë se gjysmën e totalit: 51,5%, si dhe llojet e ndryshme të pensioneve: 38,8% (kjo e fundit tregon mbi përbërjen e moshuar të popullsisë së zonës). Të dhënat mbi numrin e familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike janë një tregues indirekt i nivelit të varfërisë në Bashkinë e Kolonjës. Këtë ndihmë e përfitojnë në total 394 familje, nga të cilat 154 në qytetin e Ersekës dhe 61 në atë të Leskovikut. Në raport me numrin total të familjeve, rezulton se në Bashkinë e Kolonjës përfitojnë ndihmë ekonomike rreth 6,2 % e familjeve. Përqindja mbetet thuajse konstante dhe nuk ka patur reduktime apo rritje të ndjeshme gjatë viteve të fundit.
Burimet natyrore dhe qëndrueshmëria mjedisore
Bota bimore e shtazore është e pasur.Gati 45 % e sipërfaqes është e mbuluar me pyje e shkurre.Takohet zona e makjeve, dushkut, pishës, ahut, bredhit si dhe ajo e kullotave alpine. Krahina e Kolonjës zotëron zona me vlera të veçanta natyrore, që përbëjnë potencial të lartë turistik: Rezerva Natyrore Gërmenj-Shelegur, zona termale e Vromonerit dhe gazrat sulfurike të Postenanit. Bashkia Kolonjë me sipërfaqe prej 80 mijë ha, mbart një pasuri të madhe pyjore prej 35 mijë ha, kullosore me 22 mijë ha, sipërfaqe fond gjuetie (zonë e lejuar gjuetie) 40 mijë ha dhe zonë e ndaluar gjuetie 26 mijë ha. Rritet shumëllojshmëri e florës dhe e faunës, bazuar edhe në shtrirjen vertikale të sipërfaqes nga zona e ulët Sandrapor-Leskovik me 460 m mbi nivelin e detit deri në kullotat alpine me 2.523 m mbi nivelin e detit (maja Cuka e Pecit). Ky variacion i altitudës sjell pa dyshim mikroklima sipas kundrejtimeve, relieveve, habitateve të florës e faunës mjaft të pasur.
Politika
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Partia Socialiste e Shqipërisë fitoi zgjedhjet vendore të vitit 2011 duke zgjedhur si kryetar të bashkisë zotin Ali Laho. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2005 të fituara nga Partia Demokratike në Kolonjë u zgjodhen si deputetë zoti Alfred Dalipi (PS) dhe Leonard Solis (PBDNJ). Kryetar i PD-së i degës së Ersekës është zoti Viktor Duro.Ne zgjedhjet lokale te parakohshme te vitit 2016 fitoi Partia Socialiste e Shqiperise me kryetar Ilia Stefo.
Kultura
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Erseka është një qytet me tradita të madha kulturore. Ndër vite ka pasur shumë qytetarë kolonjarë, të cilët kanë kontribuar sukseshëm në fusha të ndryshme të artit dhe kulturës. Ndër më të njohurit kanë qenë Petro Nini Luarasi, Papa Kristo Negovani Sevasti Qiriazi, Parashqevi Qiriazi, Agim Qiriaqi, Dhori Qiriazi, Jani Vreto, Faik Konica, Sali Butka, Gani Butka, Mersin Prodani, dhe Zalo Prodani, Themistokli Gërmenji, Zylyftar Poda, Spiro Bellkameni, Hasan Zyko Kamberi, Shahin Kolonja, Naum Vangjel Cerja dhe këngëtari Xhemal Shaini.
INFORMACION SHTES
Periudhat e zhvillimeve urbane
Përsa i përket kësaj çështjeje në punim kam evidentuar tre periudha kryesore që për nga zhvillimet urbane paraqesin tipare të ndryshme. Periudha e parë nga krijimi i qytetit deri në vitin 1944, periudha e dytë në vitet 1945 – 1990, dhe periudha e tretë nga viti 1991 deri në 2016.
Periudha e parë nga krijimi i qytetit deri në vitin 1944, është evidentuar në ketë punim si periudhë e parë kjo pasi përsa i përket 3 nënsistemeve paraqesin luhatje të ndjeshme në tiparet e tyre. Për shembull, përsa i përket nënsistemit funksional fillimisht aktivitet kryesor ekonomik ishte kryesisht tregtia, më pas kjo hapësirë morri tipare të tjera dhe kaloi në një etapë ku zhvillimi ekonomik ishte administrativo – tregtar, si dhe u zhvilluan bizneset dhe dyqanet e parë dhe në vitet e fundit të kësaj periudhe zhvillimi ekonomik dhe punësimi ishin kryesisht të mbështetur tek punësimi në administratë.
Periudha e dytë nga viti 1945 – 1990 është evidentuar si periudhë më vete kjo kryesisht bazuar në zhvillimet popullatave dhe në nënsistemin fizik. Përsa i përket të parës kemi një rritje të popullsisë rreth 800% nga viti 1944 deri në 1970[3], ndërsa për nënsistemin fizik mund të themi se qyteti u zgjerua shumë përsa i përket sipërfaqes, me rreth 150%, në të gjithë drejtimet por më tepër drejt veriut dhe jugut duke ndjekur gjurmën e rrugës nacionale Korçë – Leskovik.
Periudha e tretë nga viti 1991 – 2016, ka si tipar zhvillimet popullative dhe nënsistemin funksional. Në ketë periudhë kemi migrim dhe emigrim masiv nga qyteti. Nënsistemi fizik pothuajse nuk pëson ndryshime. Periudha nga krijimi deri në vitin 1944 Para vitit 1944 nuk ekzistonte asnjë lloj industrie[4]. Në periudhën 1920 – 1924 në Kolonjë ka pasur 4 hotele dhe 2 hane[5]. Të dhënat e para për popullsinë e qytetit të Ersekës janë ato të vitit 1928 ku sipas një libri të botuar nga sekretari i përgjithshëm i këshillit të ministrave të asaj kohe Teki Selenica thuhet se pas largimit të andartëve grekë nga Shqipëria juglindore qyteti i Ersekës kishte ngelur vetëm me 27 shtëpi dhe 112 banorë. Nuk dihet saktësisht sa banorë ka pasur përpara këtij viti por dihet se si pasojë e luftës një pjesë e banorëve u largua ose u vranë. Më poshtë është ilustruar me foto qyteti i Ersekës në vitet ’20. Figura nr. 1 Qyteti i Ersekës në periudhën e mbretit Zog[6]. Përsa i përket ndryshimeve strukturore dhe hapësinore në ketë periudhë mund të themi se ato ishin tepër të larmishme. Toka në hapësirën urbane kishte përdorim kryesisht për bujqësi, dhe shumë pak në aktivitete të tjera. Numri mesatar i ndërtesave në ketë periudhë luhatej midis 15 – 20 ndërtesa banimi mesatarisht, ndërsa si godina shërbimesh 1 – 2 godina. Banesat ishin kryesisht të ulëta dhe pjesa më e madhe e tyre ishin me 2 kate. Çatitë e ndërtesave ishin relativisht të pjerrëta, si pasojë e klimës. Ato ishin të ndërtuara me dërrasa guri. Në qendër ndërtesat ishin pranë njëra – tjetrës, ndërsa me largimin drejt periferisë distanca midis tyre vinte duke u rritur. Rrugët ishin të gjera dhe me bazament natyral. Në ketë periudhë nga studimi nuk kam vërejtur një ndërlidhje të fortë midis të tre nënsistemeve. Këtu kam vërejtur një ndërvarësi midis nënsistemit funksional dhe atij fizik. Kjo sepse tipologjia dhe shpërndarja e banesave ishin në varësi të aktiviteteve ekonomike të kësaj periudhe. Por, mund të them se rolin kryesor në ketë periudhë e ka pasur nënsistemi funksional i cili ka qënë nxitësi kryesor i zhvillimit të qytetit. Periudha nga 1945 – 1990 Në vitin 1958 në Ersekë u hap gjimnazi “Petro Nini Luarasi”[7]. Në qytetin e Ersekës që në vitin 1962 është krijuar dhe ka vepruar Muzeu Historik i rrethit Kolonjë[8]. Erseka para çlirimit kishte rreth 300 banorë, kurse në vitin 1970 kishte rreth 2500 banorë[9]. Përsa i përket popullsisë urbane në vitin 1970 ajo ishte në 23%, duke përfshirë qytetin e Ersekës dhe të Leskovikut[10]. Ndërsa qyteti e Ersekës në 1970 kishte 13.35% popullsi urbane, qyteti i Leskovikut ishte në shifrën 9.65%. Në vitin 1945 në Ersekë kishte vetëm një central të vogël telefonik me 10 numra, që bënte lidhjen e rrethit me qytetet e tjera[11]. Sipas të dhënave të vitit 1970 në qytetin e Ersekës dhe Leskovikut, dy qendrat urbane të rrethit të Kolonjës, deri në ketë vit kishin 2 punishte frutash, 5 punishte alkooli, 2 punishte ëmbëlsirash dhe 11 punishte bulmeti[12]. Deri në vitin 1970 në rrethin e Kolonjës kishte 130 njësi tregtare, nga të cilat 57 në zonat urbane. Periudha nga viti 1990 deri në ditët e sotme Qyteti i Ersekës ka 6.8% të totalit të popullsisë urbane të rajonit, sipas të dhënave të vitit 2001[13]. Në vitin 2011 popullsia e qytetit ishte 3746 banorë[14]. Nga këta 613 banorë ose 16.36% i përkasin grupmoshës 0 – 14 vjeç, 2572 banorë ose 68.65% i përkasin grupmoshës 15 – 64 vjeç ose pjesa e popullsisë aktive urbane dhe 561 banorë ose 14.97% i përkasin grupmoshës 65+ vjeç[15]. Gjithsej qyteti ka rreth 1169 familje sipas censusit 2011. Gjithsej gjatësia e rrjetit rrugor është 17.8 km, ku 10 km janë asfalt, 5.9 km çakëll, 1.9 km pa çakëll[16]. Sipas të dhënave qyteti i Ersekës e ka dendësinë e rrjetit rrugor 2.9 km/km2. Në qytetin e Ersekës, rrjeti rrugor paraqitet në 56.2% të tij si i tipit “i asfaltuar[17], dhe është 25.1% më i lartë se mesatarja e rajonit që është 31.1%. Përsa i përket strukturës ekonomike qyteti i Ersekës ka si aktivitete kryesore industrinë e lehtë dhe përpunimin e drurit[18]. Sipas të dhënave nga drejtoria rajonale e tatim taksave, dega Korçë, në qytetin e Ersekës, bizneset e liçencuara, nëndegë të sektorit primar, janë gjithsej 2. 1 në nëndegën bujqësi dhe 1 në nëndegën bletari[19]. Në sektorin sekondar nëndegët janë këto : 1 biznes elektro – magnetikësh, 3 biznese mekanike, 11 biznese materialesh ndërtimi, 22 ushqimore, 2 ndërmarrje tekstilesh dhe veshjesh, 13 për përpunim druri dhe 1 industri e letrës, ambalazhit dhe shtypshkronjës[20]. Në sektorin terciar qyteti i Ersekës ka 4.7% të peshës specifike, të totalit të sektorit terciar rajonal[21]. Tregtia urbane në rrethin e Kolonjës zë 41.1%[22]. Përsa i përket sektorit terciar ka gjithsej 292 biznese në ketë sektor, sipas të dhënave të vitit 2009, ku ka 112 njësi tregtare, 31 njësi transporti, 70 njësi turizmi, 69 njësi shërbimesh[23]. Në qytetin e Ersekës ka 278 automjete ose 3.6% e gjithë automjeteve të rajonit[24]. Nga këto 31 shërbejnë për transport, nga të cilat 8 për transport mallrash, 7 për transport udhëtarësh dhe 16 për transport udhëtarësh ku hyjnë taksi dhe furgona[25]. Përsa i përket arkitekturës dhe shpërndarjes së banesave në vitin 2011 kemi 383 godina[26]. Ndryshe mund të shprehemi edhe se në qytet ndodhen 1450 banesa[27], ku hyjnë banimi në pallat, shtëpitë private, vila, shtëpi të përbashkëta banimi etj. Sipas të dhënave të vitit 2011 në qytet ka 731 telefona fiks, 294 kompjuter dhe 198 lidhje interneti[28]. Nga viti 1945 deri në vitin 2011 numri i telefonave fiks është rritur me 73100%. Televizioni lokal Era TV vazhdon transmetimet e tij që nga viti 1999.
Personalitete të njohura
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Petro Nini Luarasi (Mësues i Popullit, atdhetar)
- Papa Kristo Negovani (Mësues i Popullit, atdhetar)
- Sali Butka (Atdhetar)
- Faik Konica (Rilindas)
- Hasan Zyko Kamberi (Rilindas, poet)
- Shahin Kolonja (Atdhetar)
- Agim Qirjaqi (Aktor)
- Jani Vreto (Atdhetar)
- Sevasti Qiriazi-Dako (Atdhetare, Mësuese e Popullit)
- Parashqevi Qiriazi (Atdhetare, Mësuese e Popullit)
- Dhori Qiriazi (Mësues i popullit)
- Zalo Prodani (Atdhetar)
- Sejfi Vllamasi (Atdhetar, politikan)
- Gani Malushi, (Dëshmor)
- Themistokli Gërmenji, (Atdhetar)
- Josif Pashko, (Atdhetar)
- Gramoz Pashko, (Politikan)
Sporti
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Klubi Futbollistik Gramozi Ersekë (shkurt: KF Gramozi ) është skuadra e futbollit të qytetit. Klubi është themeluar ne vitin 1925. President i klubit të futbollit FK Gramozi është zoti Rezart Taçi. KF Gramozi ka marrë pjesë gati në të gjitha aktivitetet sportive në vend. Në sezonin 2007-2008 ka dalë kampion i kategorisë së dytë, duke fituar kështu për herë të parë të drejtën për të luajtur në kategorinë e parë. Gjatë sezonit 2008-2009 skuadra e futbollit të Ersekës edhe pse ishte debutuese ajo arrin një nga sukseset më të mira në historinë e saj. Forma e mirë sportive e futbollistëve të saj bëri që skuadra në përfundim të fazës së parë të kryesojë tabelën e klasifikimit. Në fund të kampionatit ajo renditet në vendin e katërt duke fituar njëkohësisht të drejtën për të luajtur një ndeshje shtesë me mbajtësen e vendit të 9-të të kategorise superiore. Ndeshja u luajt në Stadiumin Kombëtar "Qemal Stafa" në Tiranë. Ajo u fitua nga FK Gramozi me rezultatin 5:2 nën praninë e mëse 9000 tifozëve kolonjarë. Në sezonin futbollistik 2009-2010 FK Gramozi debutoi në nivelin më të lartë të futbollit shqiptar, në atë të kategorisë superiore.
Lidhje të jashtme
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Bashkia Ersekë - Strategji e zhvillimit ekonomik vendor 2006 - 2011[lidhje e vdekur] (PDF-Format)
- Raporti për gjëndjen e mjedisit 2008 (PDF-Format)
- Futboll Klub Gramozi