Jump to content

Rrethi i Tropojës

Checked
Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Rrethin e Tropojës)

Rrethi i Tropojës është një nga 36 rrethet administrative të Republikës së Shqipërisë. Ky rreth bën pjesë në Qarkun e Kukësit dhe shtrihet në verilindje të Shqipërisë, konkretisht në Rajonin Verioro – Verilindor. Nga vendasit njihet me emrin Malësia e Gjakovës.

Tropojë, në qarkun e Kukësit

Rrethi i Tropojës është i përbërë nga tetë Njësi të Qeverisjes Vendore (NJQV):

  1. Bashkia Bajram Curri
  2. Komuna Bujan
  3. Komuna Bytyç
  4. Komuna Fierzë
  5. Komuna Lekbibaj
  6. Komuna Llugaj
  7. Komuna Margegaj
  8. Komuna Tropojë

Këto NJQV përmbledhin gjithsej 54 fshatra.[1]

Pozita gjeografike

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Tropoja ndodhet në verilindje të Shqipërisë dhe kufizohet në veri me Malin e Zi, në jug me Rrethin e Hasit, në perëndim me Qarkun e Shkodrës (me rrethet Shkodër dhe Pukë) dhe në lindje me Republikën e Kosovës. Gjatësia e vijës kufitare me Kosovën është 81 km, ndërsa me Malin e Zi rezulton 31 km. Rrethi i Tropojës ka një sipërfaqe prej 1043 km2, ndërsa sipërfaqja e qytetit të Bajram Currit rezulton 160 ha.[2] Distanca më e afërt e Bashkisë Bajram Curri me komunat përreth është: 3 km me komunat Margegaj dhe Bujan, ndërsa distanca më e largët konsiston në 30 km, përkatësisht me komunat Lekbibaj dhe Bytyç.[3] Tropoja ndodhet 260 km larg Tiranës, kryeqytetit të Shqipërisë dhe 120 km larg Prishtinës, kryeqytetit të Kosovës.[4] Ky rreth shtrihet në juglindje të Alpeve të Veriut dhe pozicionohet mes këtyre pikave ekstreme:

  • Në jugperëndim, në vendin e quajtur “Te the Drini qafën” - 42° 14’ 42” dhe në veri në zonën malore të quajtur “Kershi i Vujkut” - 42° 33’ 25” gjerësi veriore.
  • Në pikën më perëndimore - 19° 48’ 50” dhe në skajin më lindor - 42° 10’ 15” gjerësi lindore.[5]

Tropoja është banuar që në periudhën e hershme të bronzit (2000 – 1700 vjet p.e.s), që daton pas neolitit të vonë (eneolitit).[6] Në kohën e Ilirisë, ky rreth ka qenë i populluar nga fisi i Dardanëve. Vendbanimi i hershëm i Rosujës ka qenë qendra kryesore administrative e pozicionuar në kufirin mes dy fiseve, Labeatët dhe Dardanët, që daton 400 vjet para lindjes së Krishtit, nga ku rrjedh dhe emërtimi i banorëve autoktonë vendas “Dardanmalas” (dardanët alpinë).[7] Vendbanime të tjera që datojnë para lindjes së Krishtit janë ato të Bujanit, Selimajt, Komit, Cërrnicës, Shoshanit, Nikajt dhe Mulajt. Nga përbërja etnografike fiset ndahen: fisi i Gashit, Krasniqes, Bytyçit dhe Berishës.[8] Gjatë periudhës së pushtimit nga Perandoria Osmane, Tropoja ishte pjesë e Vilajetit të Kosovës, kohë nga e cila ka trashëguar toponimin tradicional Malësia e Gjakovës.[9] Administrata e parë në Malësinë e Gjakovës do të vendosej në vitin 1916 me nënprefekturë në fshatin Bujan dhe me katër krahina: Bytyç, Tropojë, Bujan e Nikaj-Mërtur. Para fillimit të Luftës së Dytë Botërore, Tropoja së bashku me Hasin dhe Kukësin ishin njësi përbërëse të Prefekturës së Kosovës, që ishte një nga 10 zonat administrative të Shqipërisë së atëhershme.[4] Gjatë viteve 1939 – 1945, periudhë gjatë së cilës u zhvillua Lufta e Dytë Botërore, Tropoja u rradhit në bllokun e bashkimit antifashist ashtu si e gjithë Shqipëria. Të një rëndësie mbarëkombëtare janë dhe dy kuvendet e zhvilluara në këtë periudhë:

  • Kuvendi i Malësisë së Gjakovës, i cili u mbajt më 28 gusht 1943 në afërsi të urës së Kolgecajve në breg të lumit Valbonë, në të cilin u lidh besa ndërmjet të gjithë delegatëve në kuvend për luftë të përbashkët pa asnjë kompromis kundër pushtuesve fashistë.
  • Konferenca e Bujanit, e cila zhvilloi punimet e saj në datat 31 dhjetor 1944 – 2 janar 1945. Konferenca u mbajt në kullën e Sali Manit në fshatin Bujan, ku u deklarua shkëputja dhe pavarësia e plotë e Kosovës nga Jugosllavia nëpërmjet parimit të vetëvendosjes, pas çlirimit nga pushtuesit nazistë.

Tropoja u çlirua nga pushtuesit më 16 tetor 1944. Pas vitit 1948, si një periudhë fillestare e regjimit komunist në Shqipëri, u shtua izolimi i dy pjesëve të ndara të Malësisë së Gjakovës, kjo edhe për faktin se Kosova mbeti nën shtypjen serbe për dhjetëra vite me rradhë. Pas luftës në Kosovë të viteve 1998 – 1999, e gjithë Shqipëria dhe veçanërisht Tropoja u bë strehë mikpritëse e mijëra të shpërnglurve nga Kosova, për shkak të gjenocidit serb.[10] Emri i rrethit lidhet me fshatin Tropojë, i cili ishte qendra administrative e rrethit nga viti 1925 deri në vitin 1952. Duke filluar nga viti 1952, Bajram Curri u bë qendra e re administrative e rrethit të Tropojës, i cili u ndërtua në ish-fshatin Kolgecaj, përkatësisht mbi lagjet Gjongecaj, Gjoçaj ,Gjyriq dhe Mustafaj. Tanimë, pozita gjeografike e qendrës së rrethit shtrihej në Pellgun e Tropojës, rrëzë bjeshkëve të Ponarit dhe Bishevës. Deri në fillim të viteve ’90 (1959 – 1990), Tropoja ishte një nga 26 rrethet e Shqipërisë. Sot rrethi i Tropojës është një nga tre njësitë administrative (rrethet) të Qarkut Kukës dhe një nga 36 rrethet e Republikës së Shqipërisë.[1]

Reliev malor

Tropoja është një zonë tipike malore. Si një pjesë përbërëse e Alpeve Shqiptare, hapësirën më të madhe të sipërfaqes së rrethit e zënë malet e larta. Lartësia mesatare e rrethit të Tropojës është ndër më të lartat në Shqipëri – 1105 m mbi nivelin e detit.[1] Njësitë përbërëse të relievit malor janë:

  • Kurrizi Shkëlzen – Kollatë, që shtrihet mes luginës së Valbonës dhe gropës së Tropojës, ngrihet mbi 2000 m lartësi e rrethohet nga shpate të thepisura. Pjesë të tjera përbërëse të këtij kurrizi janë: Maja e Shkelzenit (2407 m), Mali i Radeshës (2314 m), Lugina e lumit të Gashit dhe Blloku i Kollatës.[11]
  • Blloku i Jezercës, që shtrihet në qendër të Alpeve Shqiptare, rrethohet me gropa, lugina dhe lugje të thella. Krahas majës së Jezercës (2694 m), e cila është maja e dytë më e lartë në Shqipëri, rezultojnë dhe 35 maja të tjera me lartësi mbi 2200 m në shkallë rrethi. Mbizotërojnë lugjet akullnajore dhe gropat karstike, ku bimësia është mjaft e rrallë.
  • Malësia e Gashit, që është e përbërë nga shkëmbinj magmatikë dhe dallohet për relievin e ashpër dhe liqene të shumta akullnajore, pyje dhe kullota alpine.[12]

Ndër qafat kryesore në Tropojë janë: Qafa e Prushit, Vranicës, Borit, Morinës dhe Valbonës. Luginat e këtij rrethi janë: Lugina e Valbonës, Lugina e Gashit, Lugina e Sylbicës (Tropojës), Lugina e Lumit të Bardhë dhe Lugina e Currajt. Njësi të tjera përbërëse të relievit në rrethin e Tropojës janë: Pllaja e Sylbicës, Pllaja e Dobërdolit, Pllaja e Markofçes, Pllaja e Curraj të Epërm, Rrafshnalta e Tplanit dhe e Bytyçit.[13]

Klima në Tropojë është malore në zonën e Alpeve dhe mesdhetare kontinentale në pjesën tjetër, e karakterizuar me dimër të gjatë e të ashpër dhe verë të shkurtër e të freskët. Temperatura mesatare në Pellgun e Tropojës është 11.5 °C; 0.2 °C në stinën e dimrit dhe 21 °C në stinën e verës. Gjatë vitit ka mesatarisht 198 ditë me diell. Sasia mesatare vjetore e reshjeve është 1735 mm. Gjatë dimrit reshjet e dëborës janë të shpeshta dhe ka maja malesh mbi të cilat bora nuk shkrihet asnjëherë. Erërat fryjnë nga veriu: Masat ajrore “Veriu i zi” që vijnë nga verilindja nëpërmjet Qafës së Morinës (pikës kufitare me Republikën e Kosovës), masat ajrore “Veriu i bardhë” që vijnë nga veriu nëpërmjet luginës së lumit të Gashit, të cilat sjellin masa ajrore të ftohta. Ndërsa “Era” që fryn nga jugu përgjatë Luginës së Valbonës përcjell masa ajrore të ngrohta dhe me lagështi të konsiderueshme.[1] Erëra të tjera që qarkullojnë në Tropojë janë “Erërat e malit dhe luginës”, “Murrlani” dhe “Shiroku”.[14] Të dhëna mesatare shumëvjeçare për klimën në Tropojë:

Elementet klimatike Njësia Stinët
Pranverë Verë Vjeshtë Dimër
Temperatura mesatare minimale °C 6.2 14.8 11.5 -1.5
Temperatura mesatare maksimale °C 17 27.4 17.2 5.7
Diellzimi orë 569 933 554 317
Reshjet mm 375.9 50.8 531.9 575.6
Lagështia relative % 65 62 71 75
Shpejtësia e erës m/s 1.9 1.4 1.2 1.6
Drejtimi i erës % JP 8.8 JP 6.8 V 7.1 V 12.2

[15]

  • Temperatura maksimale absolute e regjistruar në rrethin e Tropojës është 37.2 °C më 18 korrik 1973.
  • Temperatura minimale absolute e regjistruar në rrethin e Tropojës është – 16.5 °C më 13 janar 1973.[16]
Liqeni i Gjerovicës

Rrethi i Tropojës është i pasur me ujëra natyrorë. Zona laget nga lumenj të shumtë, të cilët karakterizohen nga ujëra të kthjellëta me mjaft liqene akullnajore, por edhe burime të pashtershme nëntokësore.

Lumenjtë Tropoja laget nga shtatë lumenj, të cilët krijojnë lugina me vlera turistike dhe shkencore. Ata janë: Lumi i Gashit (lugina e të cilit është shpallur Park Kombëtar i kategorisë së parë - Zonë e mbrojtur strikte), Lumi i Valbonës (lugina e të cilit është shpallur Park Natyror Kombëtar), Lumi i Drinit, Lumi i Currajt, Lumi i Skatinës, Lumi i Sylbicës dhe Lumi i Bytyçit.

Liqenet Liqenet në rrethin e Tropojës janë të natyrës akullnajore, tektonike dhe artificiale. Ato ndikojnë në klimën e zonës, përhapjen e bimësisë dhe nivelin e zhvillimit të faunës. Liqenet kryesore janë: Liqeni i Ponarëve, Liqenet akullnajore të Sylbicës, Dobërdolit, Liqeni i Dashit, Liqenet e Jezercës, Liqenet e Qukut të Dunishës etj. Liqenet artificiale, të ndërtuara nga diga e hidrocentraleve përkatëse, Fierza dhe Komani, përbëjnë një rezervë të madhe natyrore hidroenergjitike.

Burimet ujore Rrethi i Tropojës ka rreth 350 km kanale ujitëse, të cilat përdoren dhe si burime ujore për konsum të popullatës vendase. Një pjesë e tyre ka edhe vlera kurative. Ato gjithashtu shfrytëzohen për përpunimin dhe prodhimin e ujit mineral, si ujërat e Valbonës, Astes etj.

Vrella e Shoshanit është një ndër burimet më të mëdha ujore në Ballkan, nga e cila formohet kanioni me të njejtin emër që është vlerësuar në cilësinë e monumentit natyror të rrethit. Burimi ndodhet në hyrje të luginës së Valbonës dhe ka kapacitet të mjaftueshëm për furnizimin e gjithë rrethit me ujë të pijshëm.[17]

Tropoja ka një popullsi prej 24491 banorësh (sipas censusit të vitit 2011). Vihet re një ndryshim relativisht i ndjeshëm mes të dhënave të censusit dhe numrit të popullsisë së regjistruar në vitin 2014: 28216 banorë. Por rrethi, për shkak të kushteve klimatike dhe relievit malor, në 40% të sipërfaqes është i papopulluar. Dendësia mesatare e popullsisë është 20 banorë/km2. Pavarësisht nga shtrirja e komunave të Tropojës në një territor të konsiderueshëm, popullsia e tyre rezulton e vogël. Popullsia mesatare për njësi vendore është 2536 banorë, një shifër e ulët krahasuar jo vetëm me mesataren e përgjithshme kombëtare (8016 banorë/njësi vendore), por edhe me atë të Qarkut Kukës (3159 banorë/njësi vendore). 75% e popullsisë jeton në zonat rurale ndërsa 25% e popullsisë banon në qytetin e Bajram Currit, i cili përmban një dendësi të lartë krahasuar me komunat e rrethit: 1749 banorë/km2. Njësitë e Qeverisjes Vendore përreth Bashkisë Bajram Curri kanë dendësi më të lartë të popullsisë (rreth 33 banorë/km2) sesa ato më periferiket (nën 28 banorë/km2). NJQV më pak të populluara janë komunat Lekbibaj dhe Bytyç, përkatsisht 1207 dhe 1563 banorë. Tropoja ka një popullsi vitale dhe të re në moshë.[18] Sipas censusit të vitit 2011, rreth 25% e popullsisë përbën grupmoshën që varion nga 0 – 14 vjeç dhe rreth 63% e popullsisë përbëhet nga mosha 14 – 65 vjeç.

NJQV Grupmoshat
0 - 14 15 - 64 65+ Gjithsej
Bajram Curri 1406 3497 437 5340
Bujan 565 1636 349 2550
Bytyç 419 968 176 1563
Fierzë 395 1015 197 1607
Lekbibaj 338 786 83 1207
Llugaj 424 1147 216 1787
Margegaj 577 1470 299 2346
Tropojë 1006 2643 468 4117
Gjithsej 5130 13162 2225 20517

[19]

Megjithëse është një rreth me pasuri të shumta natyrore, mungesa e investimeve të vazhdueshme dhe e prespektivës së zhvillimit ka detyruar një pjesë të konsiderueshme të banorëve të Tropojës të kryejnë migrim të brendshëm dhe të jashtëm, duke shkaktuar ndryshime demografike. Të dhënat e mëposhtme paraqesin përqindjen e rënies së popullsisë në periudhën kohore 2001 – 2011, ku spikat komuna Lekbibaj me lëvizjen më të madhe të popullsisë në rreth, fakt që lidhet kryesisht me kushtet natyrore dhe mungesën e shërbimeve për banorët e kësaj komune të largët malore:

  1. Bashkia Bajram Curri – 18.5%.
  2. Komuna Bujan – 22.6%.
  3. Komuna Bytyç – 25.93%.
  4. Komuna Fierzë – 39.38%.
  5. Komuna Lekbibaj – 55.45%.
  6. Komuna Llugaj – 25.95%
  7. Komuna Margegaj – 26.16%.
  8. Komuna Tropojë – 23.95%.Ndërsa mesatarja e % së rënies së popullsisë në shkallë rrethi është 26.59%.[20]

Tropoja është një zonë kryesisht bujqësore dhe blegtorale përsa i përket aspektit ekonomik. Sektorët prioritarë me bazë zhvillimi për të ardhmen konsiderohen turizmi rural e malor, prodhimi bujqësor dhe përpunimi i produkteve bujqësore duke u mbështetur në kushtet e përshtatshme natyrore, klimatike dhe gjeografike të rrethit. Ndër sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë konsiderohet industria nxjerrëse e minierave.[21]

Bujqësia është sektori kyç i zhvillimit ekonomik në rrethin e Tropojës. Rezultojnë të regjistruara 4800 ferma që ushtrojnë aktivitet bujqësor dhe blegtoral në shkallë rrethi. Sipërfaqja mesatare e tokave të punuara është 0.9 ha/familje, ndërsa sipërfaqja në aspektin individual rezulton 0.25 ha/frymë. Tokat bujqësore kategorizohen në 77% të kafenjta, 22% të murrme dhe rreth 0.6% livadhore alpine.[22] Sipërfaqen më të madhe të tokës së punueshme e zënë arat (rreth 50%). Kulturat kryesore bujqësore që mbillen në këto toka janë: misri, gruri, perimet, foragjeret dhe patatet. Nga prodhimi i tyre, banorët e Tropojës sigurojnë rreth 39% të të ardhurave.[23]

Drithërat dhe perimet

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Vendin kryesor në këtë nënsektor e zënë respektivisht: komuna Tropojë, Margegaj, Bujan dhe Llugaj, të cilat favorizohen dhe nga afërsia gjeografike e ndërveprimi më intensiv me Bajram Currin, në cilësine e qendrës së rrethit. Peshën më të madhe e zënë drithërat (rreth 75%), ndërsa perimet kanë një rol më inferior. Pavarësisht nga kushtet e favorshme, vihet re një rënie e sipërfaqes së mbjellë për të gjitha kulturat bujqësore, duke përjashtuar foragjeret. Kjo lidhet me largimin e familjeve nga fshati në qytet, migrimin e jashtëm, uljen e kapaciteteve ujitëse, mungesën e mekanizimit e shumë faktorë të tjerë. Kjo ulje është shoqëruar me rritjen e kulturave livadhore plorifite shumëvjeçare, si nevojë e sigurimit të bazës ushqimore për blegtorinë.[24]

Fakti më i rëndësishëm rreth pemëtarisë është se Tropoja ka masivin më të madh të gështenjave, jo vetëm në Shqipëri por edhe në Ballkan. Ky masiv shtrihet në 2000 hektarë dhe numëron më shumë se 190000 rrënjë, ku dallohen komunat e Bujanit, Lekbibajt, Tropojës dhe Margegajt. Ky rreth gjithashtu ka si karakteristikë kumbullën tropojane, arroret e shumta, mollat e shumëllojshme (gjyle, sarkinge etj.) dhe vreshtat e tij. Sipas të dhënave dhe intervistave individuale të zhvilluara nga shoqata ANTTARC, rezulton që vetëm gjatë vitit 2014 janë gjeneruar më shumë se 3 milionë € të ardhura nga shitja e gështenjave. Vendet kryesore të eksportimit të saj janë Gjermania, Austria dhe Turqia.[25]

Pyjet dhe kullotat alpine

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Pyjet zënë 43190 ha sipërfaqe të rrethit të Tropojës, nga të cilat 8000 ha i zë Lugina e Valbonës dhe 3000 Lugina e Gashit. Në pyjet e këtij rrethi ndodhen rreth 6 milionë m3 lëndë drusore, nga të cilat 5 milionë m3 janë lëndë drusore industriale ndërsa 1 milion m3 për dru zjarri.[26] Kushtet klimatike të zonës favorizojnë rritjen e një larmie pemësh që përfshijne: Lisin (Qarri, Bungi, Bungbuta, Sparthi), Ahun, Pishën dhe Bredhin si dhe drurët dekorativë: Mështekna, Plepi i Egër, Bushi, Shelgu, Bliri etj.[27] Brezi i kullotave alpine në rrethin e Tropojës përfshin Alpet Shqiptare dhe masive të shumta malore. Alpet në këtë rreth përbëhen nga male të thepisura me potencial të konsiderueshëm turistik si pasojë e ndërveprimit të akullnajave dhe erozionit me kullota të pasura alpine, të cilat kanë krijuar liqene akullnajore dhe bjeshkët e Tropojës.[28] Ato karakterizohen nga kontraste të theksuara të lartësive me qafa të kalueshme dhe lugina të thella që përshkohen nga lumenj të shkurtër e të rrëmbyeshëm, që banohen deri në thellësitë e tyre. Ndër zonat më të njohura për kullotat e tyre alpine janë bjeshkët e Gashit, Krasniqes dhe Bytyçit.[11]

Bimët mjekësore dhe produktet jodrusorë

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Fruta të bimëve mjekësore

Lartësia e konsiderueshme nga niveli i detit dhe variacioni i lartë i terrenit malor dhe të kullotave alpine e bëjnë rrethin e Tropojës një hapësirë territoriale të favorshme për rritjen e bimëve medicinale. Në këtë rreth gjenden afërsisht 500 lloje bimësh mjekësore, ku spikat Boronica (Vaccinium myrtillus). Bimë të tjera mjekësore janë: dëllinja e zezë, molla e egër, sherebela, lule bliri, trumza, çaji i malit, luleshtrydhet (dredhëzat dhe medrat), trëndafili i egër, aguliçja, qingela, lule shtogu, salepi, sanza, lule basani, rrënjët e hithrës, kokrrat e shtogut, rigoni, bar pezma njëmijë gjethëshe, lule kamomili, thundërmushka, kulumbria, mëllaga, zhumbricat, shpatorja, ushejza pa kërcell e shumë të tjera.[29] Bima e boronicës rritet në kullota alpine rreth 1200 – 1800 m mbi nivelin e detit. Çdo vit mblidhen rreth 70 tonë boronicë, 40 tonë dëllinjë e zezë, 30 tonë mollë e egër dhe 20 tonë trëndafil i egër. Tropoja nuk ka kapacitet të mjaftueshëm për përpunimin e bimëve mjekësore dhe kryesisht ato shiten të njoma. Pavarësisht nga situata aktuale, bimët mjekësore janë një burim i konsiderueshëm të ardhurash dhe një sektor prioritar për të ardhmen.[30]

Ky sektor i ekonomisë ka një rol të rëndësishëm në ekonominë e rrethit për vetë faktin e shumëllojshmërisë dhe cilësisë së kullotave të shumta natyrore. Hapësira e gjerë e kullotave alpine ofron një kapacitet të mjaftueshëm për zhvillimin e blegtorisë. Prodhimet blegtorale përdoren për konsum familjar dhe një pjesë e tyre shiten në tregun e brendshëm. Në llojet e kafshëve të mbarështuara në shkallë rrethi, vendin kryesor e zënë: gjedhi, të leshtat dhe të dhirtat. Lloje të tjera mjaft të përhapura janë: njëthundrakët, shpendët dhe derrat. Komuna Tropojë zë vendin e parë lidhur me: numrin e krerëve për gjedhin (22%), të leshtat (më shumë se 42%), të dhirtat (rreth 30%), prodhimin e qumështit (26%) dhe të mishit (30%) në shkallë rrethi. Vihet re një rënie e përgjithshme e numrit të krerëve dhe ndër arsyet kryesore janë mungesa e baxhove dhe e tregjeve për tregtimin e produkteve si mishi, qumështi, gjalpi, djathi dhe leshi i bagëtive.

Struktura e blegtorisë sipas llojit dhe Njësive të Qeverisjes Vendore, 2014:

Lloji/NJQV Bashkia Bajram Curri Komuna Tropojë Komuna Margegaj Komuna Llugaj Komuna Bytyç Komuna Lekbibaj Komuna Bujan Komuna Fierzë
Gjedhi 160 3134 2212 1224 2560 893 1616 2251
Të leshta 243 9156 2144 2864 2690 1166 1210 2457
Të dhirta 48 2322 1216 210 684 1290 728 1102

[31]

Bletaria Relievi i ndërthurur mes lëndinave e pyjeve dhe natyra në përgjithësi e karakterizuar nga ajri i pastër krijojnë kushte të favorshme për rritjen e bletëve. Komunat Tropojë dhe Bytyç kanë numrin më të madh të zgjojeve të bletëve, përkatësisht 26% dhe 24% të numrit të përgjithshëm në rreth. Pavarësisht nga cilësia e mjaltit, ai karakterizohet nga një rendiment relativisht i ulët, rreth 9 kg/zgjua. Në përdorim më të lartë rezulton mjalti i Zogajve (Bytyç) dhe mjalti i gështenjës (kryesisht në zonën e Krasniqes), i cili rekomandohet për vetitë e tij kurative.[32]

Në rrethin e Tropojës, zhvillimi industrial është orientuar drejt industrisë së lehtë dhe asaj të përpunimit të drurit.

  • Industria e lehtë ushqimore mbështetet në mbledhjen, përpunimin dhe përgatitjen për transport të frutit të gështenjës. Gjithashtu, në rreth gjenerojnë dhe disa punishte të përpunimit të kumbullës dhe rrushit, përpunimit të rakisë dhe të ujit mineral.
  • Industria e përpunimit të drurit merret me prodhimin e mobilieve dhe pajisjeve të tjera drusore. Si lëndë e parë përdoren drurët e pyjeve të zonës.[33]

Mineralet kryesore

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Industria mbështetet gjithashtu dhe në industrinë nxjerrëse të minierave. Aktualisht në rreth gjenerojnë një numër i vogël firmash në krahasim me potencialin e madh mineral të Tropojës, dhe ato nxirren në sasi të vogla në mënyrë artizanale nga banorët vendas, të inkurajuar nga disa subjekte të licensuara.[34] Ndër mineralet kryesore që ndeshen në rrethin e Tropojës janë:

  • Minerali i Kromit – është i përqëndruar në zonën minerare Rragam-Kam-Kepenek-Zogaj, gjithashtu dhe në zonën e Bytyçit. Shfrytëzimi i tij ka filluar pas Luftës së Dytë Botërore dhe vazhdon edhe në ditët e sotme me rezerva të pashfrytëzuara që rrumbullakohen afërsisht 3 milionë tonë, nga të cilët 10 – 15% janë rezerva të pasura.
  • Kuarci – nxirret në fshatin Kërnajë dhe sasia e tij e pashfrytëzuar rezulton në rreth 300000 tonë.
  • Boksitet – ndodhen në zonën e Alpeve dhe janë të lidhura me shkëmbinjtë gëlqerorë të kësaj zone, ku paraqesin vështirësi të mëdha në shfrytëzimin e tyre. Sasia e rezervave të zbuluara është 3 milionë tonë dhe gjenden në 4 vendburime kryesore.
  • Olivinitet – janë minerale me një sasi rreth 50 milionë tonë të zbuluar, dhe që ndodhen në një pozitë dhe kushte të përshtatshme për t’u shfrytëzuar.
  • Rezerva të tjera të pashfrytëzuara ndodhen në rërë kalçumore, gurë gëlqerorë, gurë dekorativë, vendburime me elemente të grupit të platinit dhe mermere me pamje e fortësi të ndryshme. Inertet e lumit Valbona karakterizohen nga një cilësi e mirë dhe gjenden në rezerva të pashtershme.[35]

Turizmi është sektori që zotëron prespektivën më premtuese për të ardhmen. Turizmi malor është nënsektori kryesor, i cili është i zhvilluar kryesisht në Luginën e Valbonës, por edhe në shumë atraksione të tjera të pashfrytëzuara. Rrethi i Tropojës karakterizohet nga etnografia, folklori, historina dhe gastronomia e pasur.[34]

Lugina e Valbonës

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Lugina e Valbonës është ndër atraksionet kryesore jo vetëm të Tropojës, por edhe të Shqipërisë. Si zona e dytë malore më e vizituar në Shqipëri (pas Thethit), ajo shtrihet në një sipërfaqe prej 8000 ha dhe ndodhet 23 km larg qytetit të Bajram Currit. Lugina është një monument natyror i mbrojtur nga shteti në cilësinë e një “Parku Natyror Kombëtar”. Ajo ka marrë emrin nga lumi i Valbonës që është rreth 50.6 km i gjatë, i cili nis nga Qafa e Valbonës dhe përfundon në Luginën e Drinit, pranë digës së hidrocentralit të Fierzës. Lumi karakterizohet nga ujë i ftohtë dhe i kulluar, i analizuar si më i pastri në Shqipëri. Karakteristikë tjetër e lumit Valbona është “trofta pikaloshe” dhe ujëvarat e shumta, veçanërisht ajo e Rragamit e cila krijon një numër të madh kanionesh. Përgjatë gjithë luginës janë ndërtuar rreth 24 hotele dhe shtëpi pritëse në shërbim të turistëve vendas dhe atyre të huaj. Ky park kombëtar vizitohet më së shumti nga muaji maj deri në shtator dhe gjatë muajve të verës numri i vizitorëve rezulton mesatarisht 700 turistë në ditë. Turistët e huaj vijnë nga shtete të ndryshme, por në të shumtat e rasteve ata udhëtojnë nga Evropa Perëndimore e Qendrore dhe Amerika e Veriut. Një numër i konsiderueshëm vizitorësh, favorizuar dhe nga distanca e shkurtër, vijnë nga Kosova. Përveç hoteleve, restauranteve, shtëpive pritëse dhe bujtinave, në Luginën e Valbonës gjenerojnë dhe 2 kampingje të cilat akomodojnë rreth 45 turistë në ditë. Parku Kombëtar i Valbonës është i përshtatshëm për ecje, eksplorim në natyrë, alpinizëm, peshkim, si dhe mjaft shpella në brendësi të tij për t’u vizituar, ku spikat Shpella e Dragobisë. Gjatë vitit 2014, sipas të dhënave të mbledhura nga hotelet dhe shtëpitë pritëse, vetëm komuna Margegaj raporton më shumë se 57000 turistë.[36]

Monumentet natyrore

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Vrella e Shoshanit

Pasuritë natyrore të Tropojës e bëjnë atë një destinacion të rëndësishëm të turizmit malor. Për shkak të pozitës së favorshme gjeografike, relievit dhe kushteve natyrore, rrethi i Tropojës ka një numër të konsiderueshëm të monumenteve natyrore.

Monumentet natyrore Vendndodhja
Rrasa e Pesmarrës Margegaj
Shpella e Haxhisë Maja e Thatë,Margegaj
Shkëmbi i Forcës Curraj i Epërm
Burimi karstik i Qirecit Lekbibaj
Rrasa e Currajt Curraj i Poshtëm
Liqenet akullnajore të Dobërdolit Çerem
Liqenet akullnajore të Sylbicës Bjeshka e Bytycit
Depozitimet fluvio-glaciale të Shoshajt Shoshan
Depozitimet fluvio-glaciale të Shëmtirës Rragam
Bredhishta e Rragamit Rragam
Shelgu i Rrjetëzuar Margegaj
Burimi i Qukut të Dunishës Valbonë
Burimi i Shoshanit Shoshan
Burimi i Valbonës Valbonë
Shpella e Akullit Valbonë
Lugina e varur akullnajore e Kukajt Rragam
Lugina akullnajore e Motinës Dragobi
Kanioni i Shoshanit Shoshan
Blijtë e Markaje Markaj
Dushkajat e Qafë-Luzhës Bytyç
Liqeni i Ponarëve Maja e Hekurave,Margegaj
Mështekna e Lugut të Zi Lug i Zi
Ahishtja "Gurra e Hasan Gashit" Mali Mërtur
Rrobulli në liqenin e Ponarëve Margegaj
Arra e Dragobisë Dragobi
Liqeni i Ponarve GegHyen
Shpella e Dragobisë Dragobi
Ahishta e Vranicës Mali i Vranicës
Lugina e lumit të Gashit Pellgu ujëmbledhës i lumit të Gashit
Lugina e Valbonës Valbonë

[37]

Monumentet historike

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Rrethi i Tropojës ka qenë historikisht vatër monumentesh kulturore, fakte që janë dëshmi e historisë së saj. Ndër to mund të përmendim:

Qyteza ilire e Rosujës është e pozicionuar mbi vargëzime shkëmbore të kategorizuara nga banorët vendas si "Qyteti i Madh" dhe "Qyteti i Vogël". Ka qenë qendra e parë administartivo – tregtare që në lashtësi.

Qyteza e Shoshanit është e vendosur në grykën e fshatit Dragobi dhe ka shërbyer si bazë strategjike mbrojtëse e fortifikuar në luginën e Malësisë së Gjakovës, gjatë pushtimeve të hershme.

Qyteza e Grisë shërbente në lashtësi si nyje lidhëse mes kalasë së Lekës në fshatin Rajë me atë të Selimajt e të Rosujës.

Kalaja e Lekës në Rajë ishte kala mesjetare e ndërtuar për të mbrojtur vendin nga sulmet e vazhdueshme që vinin nga lugina e lumit Drin.

Kalaja e Kaurrit ndodhet ne Velisht, pranë fshatit Geghysen.

Kalaja e Kamit ndodhet në vendin e quajtur “Mullinjtë e Gradit”.

Tumat e Bujanit janë varre ilire të zbuluara në vendin e quajtur “Mollë e Kuqe”, jo shumë larg Rosujës.

Kulla e Mic Sokolit gjendet në fshatin Bujan, kullë tipike ngujimi dhe betejash, me vlera të rëndësishme etnografike dhe me dritaret e vogla karakteristike për kullat e zonës, të quajtura “frengji”.

Kulla e Sali Manit ishte shtëpia historike trekatëshe ku u mbajt Konferenca e Bujanit.

Mulliri i Bajram Currit është një godinë dykatëshe e ndërtuar pranë Vrellës së Shoshanit.

Muzeu Historik i rrethit ndodhet në qendër të qytetit të Bajram Currit, pranë të cilit ngrihet dhe statuja e Heroit të Popullit me të njejtin emër, Bajram Curri.[38]

Etnografia dhe folklori

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Etnografia dhe folklori, si një pjesë e traditës dhe kulturës vendase, përbëjnë dy ndër elementët më të pasur të Tropojës.

Veshjet tradicionale popullore janë përdour masivisht në Malësinë e Gjakovës në jetën e përditshme të banorëve dhe vijojnë të përdoren edhe në ditët e sotme në variante të ndryshme, por në përdorim më të rrallë. Veshja e burrave karakterizohet nga kapuçi (qeleshja) gjysmësfërik, tirqit (të bardhë ose të kafenjtë), shalli i Rugovës dhe kostumi gozhup “Deshtë Vrastarë”. Veshjet e grave janë më të shumta në numër, ku mund të përmendim “Veshjen e ngushtë”, “Veshjen e çikave”, “Veshjen e ngushtë me krahoçe”, “Veshjen e nuseve”, “Veshjen e gjanë – pështjellakun”, “Veshjen me xhubletë” në fshatrat Ragam dhe Lekbibaj, ku mbizotëron ngjyra e kuqe.[39]

Vallet malësore tropojane shquhen për ritëm, energji, dhe dinamizëm të lartë. Në Tropojë ekzistojnë valle të burrave dhe të grave. Ndër vallet kryesore janë: Vallja e Tropojës, Kcimi i Sokolit, Kcimi me tepsi, Vallja e shqiponjave, Vallja e shpatave etj. Vallet e rrethit të Tropojës kanë fituar shumë çmime në festivalet e Gjirokastrës, Ohrit, Kosovës dhe në shumë vende të tjera në botë.

Këngët janë një element i rëndësishëm i kulturës vendase. Ekzistojnë lloje këngësh tradicionale, kryesisht këngë kreshnikësh që transmetojnë Eposin (Ciklin) e Kreshnikëve, nga rapsodë të shoqëruar nga lahuta majë krahut. Këngët që femrat malësore përfaqësojnë janë: këngë çikash, vaji, djepi dhe gjëme. Të gjitha llojet e këngëve shoqëroheshin me instrumentet popullore si : lahuta, çiftelia, tupani, sharkia, fyelli dhe defi.[40]

Kuzhina tradicionale

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Sofër me gatime tradicionale tropojane

Të gjitha llojet e gatimeve tradicionale në Tropojë janë të bazuara në prodhimet blegtorale, kryesisht mishi dhe bylmeti. Gjatë periudhës së dimrit, ushqimet kryesore të sofrës tropojane janë mishi i thatë (pastërma), sunxhuku vendas, lakra rasoi dhe lakra urov (lakër jeshile e shtratifikuar). Gjithashtu, karakteristikë tjetër e kësaj periudhe është dhe konservimi i frutave nga stina e verës në dy mënyra kryesore: tharja e tyre deri procesin përfundimtar (oshaf) dhe reçeli tradicional me pothuajse të gjithë frutat e rrethit (reçel fiku, molle, kumbulle, ftoi etj.). Për gatimin e gjellërave zakonisht përdorej t’lyeni (gjalpi) dhe maza (kajmaku). Pastaj si ushqime të zakonshme të sofrave tropojane vinin me rradhë: qumështi, kosi i kulluar, maza (kajmaku) e qumështit, gjiza dhe lloje të ndryshme të turshive. Ndër gatimet karakteristike për raste si dasmat apo festat janë: çorba, qervishi, flia, maza e zime (kajmaku i zier), pitja (byreku), laknuri (lakrori), qeshkeku, kaçamaku etj., ndërsa ëmbëlsirat kryesore tradicionale janë: rezhniku (qumështori), hallma (hallva), orizi me qumësht, ravonia (revania), shëndetlia, bakllavaja, lakrori ëmbëlsirë etj.[41]

Çorba gatuhet me miell misri të situr imtë, përzier me hudhër, gjalp, copa dhjami, copa mushkërie, copa mëlçie të zezë, copa zemre dhe copa mishi të dhjamosur. Çorba merr trajtën e një gjelle me trashësi mesatare ngjyrë kafe, ku duhet pasur parasysh raporti i ujit me miellin, që gatimi të mos dalë as shumë i hollë dhe as shumë i trashë (ku mund të marrë trajtën e qervishit).[42]

Qervishi është një tjetër gatim tradicional tropojan, i cili gatuhet me miell misri të kavardisur me gjalp dhe hudhër, i zier në lëngun e mishit të pulës.[43]

Mishi i thatë është pastërmaja karakteristike e Tropojës, veçantia e të cilit qëndron në mënyrën e përpunimit dhe tharjes. Mishi i bërë gati nga therja e kafshës përkatëse (dele, dhi apo lopë) kërkon mjeshtëri të veçantë në prerjen e tij në rripa të gjatë e të hollë, gjithnjë duke ruajtur raportet e pjesëve të mishit. Këta rripa mishi vendosen në mënyrë rrethore në sofrat e drunjta tradicionale të zonës duke i hedhur kripë për çdo rend me rrathë mishi të rripuar. Mishi lihet në këtë gjendje për dymbëdhjetë orë me rradhë në mënyrë që kripa të ketë depërtuar plotësisht në brendësi të mishit. Sipër oxhakut të gatimeve vendoset çekreku i tharjes, mbi të cilin vendosen shkopinj që më pas do të shërbejnë si mbajtës të rripave të mishit. Mbi zjarr vendosen degë të njoma dëllinje ose bimë hithre të grumbulluara gjatë verës nëse preferohet mishi i tymosur. Kjo tymosje e mbron mishin nga çdo mikrob i mundshëm dhe i jep një aromë të veçantë. Mishi i thatë zakonisht shoqërohet me sunxhukun.

Sunxhuku tradicional përgatitet nga mishi i grirë i bagëtive vendase, i përzier me hudhër, piper, spec djegës dhe një sasi e vogël qepësh për ta mbajtur në raporte të drejta.[44]

Lëngu i rasoit nxirret nga lakra me të njejtin emër, por në kohët e mëparshme ajo nxirrej edhe nga dardhat e egra, thanat dhe lëngu i rrushit “grezë”. Ky lëng futet në një enë druri (bucelë) dhe përdoret si ilaç tradicional për sëmundjen e astmës dhe reumatizmit.[45]

Rezhniku (Qumështori) konsiston në qumështin e parë të bagëtisë pas lindjes (kulloshtra), i cili gatuhet me vezë të rrahura në proporcione të drejta, duke i tundur me lugë druri. Kjo përbërje hidhet në tepsi dhe zakonisht piqet me saç. Shoqërohet me masë të caktuar kripe ose sheqeri, sipas dëshirës së konsumuesit.[46]

Lakrori ëmbëlsirë gatuhet me miellin e gështenjave, të përziera me gjalp dhe thelbinj arre. Fillimisht zgjidhen gështenjat më të mëdha, thahen në dru, më pas bluhen për t’u bërë miell. Brumi i miellit të gështenjës, i trazuar me qumësht të ngrohtë hidhet në një tepsi të lyer me gjalp në mënyrë që të mos ngjitet apo të digjet. Procesi i pjekjes kryhet me saç dhe kërkon kujdes të veçantë. Ëmbëlsira bëhet me petë dhe pas pjekjes së çdo pete, ajo lyhet me gjalp dhe mbulohet me arra, derisa tepsia të mbushet. Më pas ëmbëlsira pritet dhe sipër saj vendoset sërish saçi për të marrë pjekjen përfundimtare.[47]

Punimet artizanale

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Artizanati në Tropojë bazohet në zejtari, e cila zë fill që në lashtësi. Aktiviteti i mjeshtërve bazohej në përpunimin e gurit, drurit dhe qeramikës. Guri dhe druri ishin dy elementë të cilët gjenin përdorim në ndërtimin e shtëpive, kalave, qytezave, tumave, krojeve, staneve, veglave të punës dhe mullinjve. Qeramika përdorej për punimin e enëve për pjekjen e bukës (çerep) dhe enëve për gatim (vegsh). Aktiviteti artizanal i grave përqëndrohej tek thurjet, vektaria (mënyra tradicionale e krijimit të qilimave dhe sexhadeve), endjet me grep, por edhe dekorimi i hershëm i armëve, thurja e veshjeve tradicionale tropojane dhe përpunimi i instrumenteve popullore të zonës.[48]

Besimi më i hershëm i rrethit është ai pagan, i cili daton që nga periudha ilire dhe ruhet nga banorët si dëshmi e origjinës dhe identitetit të tyre kulturoro - kombëtar. Ndër ritet dhe zakonet kryesore që janë trashëguar deri në ditët e sotme janë:

Ritet në adhurimin e diellit, të cilat konsistojnë në besimin për rëndësinë e diellit si faktor kyç për jetën mbi Tokë. Banorët bekojnë ushqimet dhe foshnjet e tyre në lidhje me diellin. Në rastet e një eklipsi në lashtësi (kohë në të cilën eklipsi nuk kishte shpjegim shkencor), gratë dhe fëmijët rrëmbenin të frikësuar enët e kuzhinës duke i goditur dhe duke kënduar me zë të lartë, me mendimin që një forcë e ligë (kuçedër) i kishte ndërprerë rrugën diellit. Burrat godisnin me armë drejt qiellit dhe të gjithë festonin kur eklipsi mbaronte.[49]

Ritet në adhurimin e hënës konsistojnë qysh në legjendat e lashta që rrëfejnë dashurinë e diellit me hënën, fryt i së cilës ka lindur natyra. Që në lashtësi e deri në ditët e sotme, nuk kryhet asnjë proces bujqësor apo blegtoral, nuk realizohet asnjë ndërtim, nuk qethet floku i parë i fëmijës, nuk ndahet dita e fejesës apo e martesës e shumë aktivitete të jetës së përditshme, para se të llogaritet saktësisht lëvizja hënore (mbushja dhe zbrazja e saj).[50]

Dita e Verës, e cila festohet me datën 22 mars me djegien masive të turrave të dëllinjave duke krijuar zjarre sa më të mëdha, simbolizon largimin e të ligave të dimrit dhe ardhjen e pranverës. Një rit tjetër i lidhur me këtë festë pagane dëshmon se nënat dhe gjyshet duhet të zgjohen herët në mëngjes, të mbledhin lule dhe fije bari dhe t’ua hedhin në shtrat fëmijëve ndërkohë që ata janë duke fjetur. Fijet e barit janë simbol urimi që fëmijët të rriten shpejt si bari, ndërsa petalet e luleve simbolizojnë shëndetin dhe bukurinë.[51]

Dita e Shëngjergjit festohet me 6 maj, ditë në të cilën shtëpitë lyhen me gëlqere, qengjat zgjidhen për t’u bërë kurban dhe fëmijët mbledhin lule.

Kuçedra dhe Dragoi janë dy figura mitologjike, dueli mes të cilave shpjegonte shumë dukuri natyrore si vetëtimat, bubullimat, shtrëngatat dhe elipset.[52]

Feja në ditët e sotme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Tropoja ishte një krahinë e krishterë në periudhën e Mesjetës së hershme. Pranimi fesë Islame u bë gjatë periudhës e pushtimit 5-shekullor osman. Feja islame përbën 78% të popullsisë, ndërsa pjesa tjetër janë të besimit të krishterë. Toleranca dhe bashkëjetesa fetare, si në çdo vend të Shqipërisë, kanë qenë bashkëudhëtare e rrjedhës se historisë tropojane.[53]

Bota bimore dhe shtazore e rrethit është mjaft e pasur, favorizuar nga terreni alpin dhe mbrojtja strikte e Parkut Kombëtar të Valbonës, Rezervatit Natyror të Gashit dhe monumenteve të tjera natyrore. Numërohen rreth 1700 specie bimësh vaskulare. Krahas drurëve frutorë, në brezin e dushqeve të këtij rrethi gjenden: gështenja (Castanea sativa), bliri (Tilia cordata tomentosa), frashëri (Fraxinus), panjat (Acer) dhe lajthia (Coryllus).[54] Në vitin 1897, botanisti Baldac zbuloi në vendin e quajtur “Shtegu i dhenve” lulen endemike shqiptare, të emërtuar “Vulfenia Baldac”. Kjo lule tregon lidhjen që ka pasur flora jonë me atë aziatike në periudhën e lashtësisë. Fauna e zonës përfshin kafshë si: ujku, ariu i murrmë, dhelpra, rëqebulli (Lynx lynx martinoi), dhia e egër, derri i egër, dreri, lepuri i egër, nuselala, shqarthi, baldosa, ketri e shumë të tjerë. Alpet Shqiptare janë gjithashtu habitati i më shumë se 200 lloje zogjsh si: gjeli i egër, sokoli i bjeshkës, qukapiku laraman, ndër të cilat spikat shqiponja e artë e maleve (Aquila Chrysaetos). Numërohen rreth 59 lloje fluturash, ku 19 prej tyre konsiderohen të rralla. Në ujërat e zonës gjenden: lundërza, mustaku, krapi si dhe katër llojet e troftës pikaloshe.[55]

Vendet historike dhe gojëdhënat

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Kalaja e Rosujës, rrënojat e së cilës ndodhen në fshatin Rosuje të Tropojës, paraqesin një objekt me vlera studimore historike, i cili dëshmon vendbanime dhe rrugë antike ilire që vërtetojnë lashtësinë 4-shekullore parahistorike. Rreth viteve ’80 një grup arkeologësh zbuloi disa enë antike dhe gurë të fosilizuar, që pas studimeve të shumta rezultuan të datonin rreth 2000 vite më parë.[56]

"Gjyteti" (Qyteti) është një legjendë e cila bazohet në rrënojat e mureve deri në katër metra trashësi që shtrihen në skajin veriperëndimor të fshatit Shoshan, sipër Urës së Shtrejtit dhe përgjatë luginës së Valbonës. Gojëdhënat flasin për shtatë vëllezër dardanë që mbretëruan në këtë qytet antik.[57]

"Kungji i Armëve"

"Kungji i Armëve" (Kunji i armëve) është një kreshtë malore e bjeshkëve të Tropojës, e cila ndodhet në një pikë strategjike përgjatë shtigjeve që të nxjerrin në zonën e Plavës dhe Gucisë dhe shërben si pikë orientimi për shtegtarët. Të vjetrit deklarojnë se rrëzë kësaj kreshte ka qenë vendi i përshtatshëm dhe më i sigurti ku luftëtarët i strehonin armatimet e rënda pas kthimit nga lufta në mbrojtje të territoreve të sulmuara nga serbo – malazezët.[57]

“Mrizet e zanave” lidhen me Eposin e Kreshnikëve, konkretisht me figurat mitologjike - “Orët dhe Zanat”. Mrizet janë hije lisash të gjatë, zakonisht në afërsi të një burimi ujor që shërbejnë për çlodhje dhe pushim. Vendasit besojnë që orët dhe zanat të kenë qenë krijesa të mbinatyrshme që pushonin dhe dilnin nga vende të tilla, të veshura në të bardhë që mbronin personin përkatës që u ishte caktuar (kryesisht kreshnikët e maleve), por edhe ishin shumë të rrezikshme në rast se shkeleshin rregullat e mirësjelljes ndaj tyre.[58]

“Dhija briprerueme” (Dhia me brirë të artë) është një legjendë që bazohet në tufat e shumta të dhive të egra, që jetonin në pllajat e bjeshkëve të Tropojës. Gojëdhëna flet për një zanë mali që ishte maskuar si një dhi me brirë të artë dhe personi që do arrinte ta kapte të gjallë, do zotëronte menjëherë aftësi hyjnore. Trimi kryesor i Ciklit të Kreshnikëve, Gjeto Basho Muja (i njohur me emrin Muji) arrin ta kapë dhe në atë moment dhia shndërrohet në zanën e Mujit, e cila e mbron nga çdo rrezik i mundshëm. Poezia e mëposhtme e Ciklit të Kreshnikëve e mbështet këtë variant:

"Muja ngusht te kanka kanë

Ka rá kershi e ka nxanë

S’mun lue dorë as s’mun lue kamë

Fort pisket ku je moj zanë,

Ku e ki besën qi m’ke dhanë,

Po’i pisket Orës s’vet,

Thirri shoqet e hajde shpejt,

Se, ka rá kershi e m’ka nxanë,

S’muj luej dor’ e s’muj luej kamë,

Kurrë ma ngushtë nuk paskna kanë."[59]

"Guri i shpuem" (Guri i shpuar) është një majë shkëmbi me përmasa të mëdha në bjeshkët e Tropojës, i cili është i shpuar tejpërtej. Legjenda është pjesë përbërëse e Ciklit të Kreshnikëve dhe e lidh këtë fakt me shpjegimin e saj: Kur baruti ishte prodhuar për herë të parë, Muji ngrit dorën lart dhe urdhëron ta qëllojnë me armë për të provuar fuqinë e këtij mjeti të ri luftarak. Kur e shikon se plumbi depërton nga të dyja anët e dorës dhe shpon edhe gurin, Muji deklaron që: “…i paska ardh funi takatit t’njerit” (i paska ardhur fundi fuqisë njerëzore) dhe nga ai moment kreshnikët nuk janë parë më në trojet shqiptare.[60]

Mali i Shkelzenit

“Shkelzeni” është një mal me një emër të vetëformuar në dialektin e Tropojës që nënkupton: "shkëlzen – shkëlqen – lëshon rreze drite". Gojëdhëna bazohet në ekzistencën e një shpelle të pozicionuar në faqen verilindore të malit Shkelzen (2407 m), të cilën askush nuk ka arritur ta eksplorojë, pasi banorët mendojnë të jetë pika lidhëse e rrugëve të nëndheshme të bjeshkëve të Tropojës. Banorët vendas këmbëngulin në vërtetësinë e legjendës duke shtuar se kjo shpellë ka qenë vendbanimi i Mujit dhe Halilit. Version tjetër që lidhet me këtë mal konsiston në vendndodhjen e dy varreve të mira të dy princërve dardanë. Gojëdhëna tregon se në pamundësi për të mposhtur dyndjet sllave, shtatë vëllezër dardan vendosin të hedhin topuzin nëpër të gjitha trojet shqiptare, në mënyrë që të varroseshin në vendin ku do të binte topuzi. Topuzi i vëllaut të madh dhe të vogël pëplasen me njëri – tjetrin dhe bien mbi një mal ku lëshojnë një dritë “verbuese”, nga ku ka marrë emërtimin “Shkëlzen” dhe varret vendosen mbi majën e këtij mali. Në periudhën e Ilirisë së madhe, Shkelzeni rezulton të jetë në mes të gjitha territoreve shqiptare. Sipas matjes lineare veri – jug, distanca në vijë ajrore nga Mali i Shkelzenit deri në lumin Danub në territoret e Dalmacisë në veri, është e barabartë me distancën e këtij mali deri në Prevezë në jug.[61]

“Zogu Sokol” është një legjendë karakteristike që mbizotëron në rrethin e Tropojës. Legjenda thotë se Sokole Halili (vëllau i vogël i Mujit) kishte rënë në dashuri me të bijën e krajlit (mbretit) serb, Tanushën “e bukur si zana”. Ai tenton ta rrëmbejë Tanushën, por zbulohet nga e ëma e vajzës dhe e burgosën për shtatë vite me rradhë. Muji ishte zemëruar me të vëllanë, pasi nuk e kishte dëgjuar këshillën e tij që të merrte nuse shqiptare duke zgjedhur një serbe, prandaj nuk shkon pas tij për ta nxjerrë nga burgu. Pasi plotësohen shtatë vite, krajli e nxjerr trimin në oborr që t’ia presë kokën. Dëshira e fundit e Halilit ishte të këndonte me lahutë dhe mbreti pranon. Gjatë këngës së tij, një zog fluturon mbi kokën e trimit, dhe Sokole Halili i jep mesazh zogut që të thërrasë kreshnikët për ta shpëtuar. Muji me 30 kreshnikë mbërritën në trojet sllave, maskaruan mbretërinë e tyre dhe liruan Halilin, duke u kthyer në bjeshkët e Jutbinës krenarë që kishin nderuar vendin dhe Shipërinë. Në nder të kreshnikut Sokole Halili, ky lloj zogu edhe në ditët e sotme quhet Sokol.[62]

“Fusha e Mejdanit” është një fushë e cila shtrihet në fshatin me të njejtin emër të komunës Tropojë, Mejdan. Fjala “mejdan” nënkupton shesh lufte, ku sipas gojëdhënave mendohet të jenë zhvilluar shumë dyluftime kreshnikësh në këtë fushë. Dyluftimet më të rëndësishme që gojëdhënat e Tropojës parashtrojnë janë: dyluftimi mes Mujit e krajlit serb dhe dyluftimi mes Gjergj Elez Alisë dhe Bajlozit të detit.[63]

"Lkeni i Dashit" (Liqeni i Dashit) emërtohet në këtë mënyrë njëri nga liqenet akullnajore të bjeshkëve të Tropojës, i cili nuk e ndryshon nivelin e ujit në katër stinët e vitit, fakt që lidhet më dëshmitë rreth lidhjeve burimore me akullnajat dhe shpellat mijëra vjeçare. Gojëdhëna pretendohet të jetë e bazuar në një ngjarje të vërtetë, ku motër e vëlla së bashku me dashin e tyre mbyten në këtë liqen. Furka dhe flokët e vajzës dalin tek Vrella e Mulliqit në Kosovë dhe brirët e dashit së bashku me fyellin e çobanit dalin tek Vrella e Shoshanit në Tropojë.[64]

Lojërat tradicionale

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Lojërat popullore në rrethin e Tropojës kanë qenë historikisht një element i pandashëm i kulturës vendase.

“Loja e kapuçave” është loja karakteristike tropojane, e cila ka marrë emrin nga kapuçi (qeleshja) që vihet në kokë. Fillimisht lojtarët ndahen në dy grupe dhe vendosen përballë njëri – tjetrit, ku para tyre shtrohen dhjetë kapuçat në dy rreshta paralel, pesë e nga pesë. Elementi kyç i lojës është një sferë e vogël plumbi, e cila fshihet duke e kaluar kokrrën (sferën) poshtë secilit kapuç. Pala fshehëse ka detyrë të fshehë sferën, ndërsa pjesëtarët e palës gjurmuese konsultohen mbi kapuçin e dyshuar ku mbahet kokrra (tregojnë ishqilat – hamendjet), ku të gjithë japin mendimin e tyre dhe lideri i grupit vendos. Loja ka si njësi përbërëse “dhitë”, që nënkuptojnë pikët. Nëse në tre kapuçat e parë zbulohet kokrra, atëherë pala kundërshtare merr dhjetë dhi. Pas heqjes së tre kapuçave të parë, nëse kokrra shfaqet në kapuçin e shtatë merr automatikisht dhjetë dhi, në të gjashtin tetë dhi, në të pestin shtatë dhi, në të katërtin gjashtë dhi dhe në të tretin tre dhi. Nëse kokrra nuk gjendet as në tre kapuçat e fundit, rradha e fshehjes i kalon palës tjetër, së bashku me dhjetë dhi. Grupi fitues është ai që grumbullon njëqind dhi dhe fitorja shoqërohet me valle e këngë me nota tallëse për palën humbëse.[65]

Loja me “rruma” është një lojë kryesisht për vajza, por me raste merrnin pjesë edhe djemtë. Termi “rrum” vjen nga forma e rrumbullakët e gurëve me të cilët luhet kjo lojë. Fillimisht hidhen pesë rruma në mënyrë të atillë që të mos takohen me njëri – tjetrin. Më pas vendoset dora e majtë mbi gishtin e madh në formën e një harku, ku duhet të kalojnë rrumat dhe zgjidhet rrumi më i përshtatshëm pa prekur të tjerët. Loja konsiston në hedhjen e gurit lart në një lartësi të mirëllogaritur, futjen poshtë dorës së majtë me një lëvizje preçize të një guri në tokë, dhe kapjen e gurit që është në ajër. Kush i kalon të pesë rrumat poshtë harkut pa shkaktuar asnjë gabim fiton lojën.[66]

Loja “Dhelpna e zagari” (Dhelpra dhe qeni) është një lojë që zhvillohet në natyrë ndërmjet dy fëmijëve, ku njëri zgjedhet të bëjë rolin e dhelprës e tjetri të zagarit. Loja konsiston në mbylljen e syve nga “zagari” dhe gjetjen e “dhelprës” nëpërmjet ulërimave mashtruese, që lojtarët realizojnë për të çorientuar konkurentin. Nëse “dhelpra” arrin të kthehet në pikën e nisjes pa e parë “zagari”, ajo do të shpallet fituese. Në të kundërt, do të fitojë zagari.[67]

Loja “Gurapesha” është një lojë fëmijësh e frymëzuar nga personazhet e Ciklit të Kreshnikëve, Muji dhe Halili, të cilët me fuqitë e tyre të mbinatyrshme arrijnë të peshojnë gurë të përmasave të mëdha. Me dëshirën për t’i imituar, fëmijët realizojnë këtë lojë duke garuar në grup me një gur të së njejtës masë, ku fitues do të shpallet ai që e ngrit gurin deri në lartësinë e supeve.[68]

Loja “Kcimi përmbi shoka” është një garë kryesisht djemsh, që lidhet me kalimin e lartësive nëpërmjet shokës (shallës) që vihet në bel në veshjet tradicionale tropojane. Caktohen dy fëmijë që do të mbajnë shokën e tendosur në 4 pozicione: fillimisht në gju, pastaj në lartësinë e belit, në lartësinë e gjoksit dhe nëse ata janë të shkurtër, kufiri maksimal është në lartësinë e kokës. Garuesit do të hidhen mbi shokë dhe ai që do kapërcejë lartësinë më të madhe, shpallet fitues.[69]

Loja “Rrasavija” është një lojë vajzash, por nuk përjashtohen dhe djemtë. Loja konsiston në ndërtimin e një figure gjeometrike me katrorë të barabartë që marrin formën e shkronjës “T”. Kur mbaron shkronja “T”, do të bëhet një rreth i madh i ndarë në katër pjesë, që do i bashkangjitet shkronjës “T”. Loja fillon me hedhjen e rrasës në katrorin e parë, pastaj shtyrjen e saj duke u hedhur me njërën këmbë (kám’kaçel) në të gjithë katrorët e figurës gjeometrike. Kush kalon të gjithë katrorët dhe kthehet nga pika e nisjes fiton lojën, ndërsa humbasin ata që nuk arrijnë ta mbajnë njërën këmbë lart (kaçel) dhe e lëshojnë në tokë.[70]

Loja “Kaprolli e Gjetari” (Dreri dhe Gjuetari) është një lojë e cila ka baza në histori të vërteta të besës që kërkon kaprolli (dreri) dhe gjuetari ia jep. Gjuetia në Tropojë ka qenë gjithnjë një aktivitet i disiplinuar, ku hapësirat e gjuetisë ndaheshin sipas përkatësisë territoriale të banorve. Rastet më të shpeshta të gjuetisë së drerëve tregojnë se në momentin e drejtimit të armës nga kafsha, ajo ngrihet në këmbët e pasme, vendos këmbët e përparme në gjoksin e gjuetarit dhe sytë i mbushen me lotë. Ky veprim i drerit tregon meshirën që i kërkon gjuetarit dhe rënien në besë. Në përputhje me këtë instikt të drerit është krijuar ky kërcim popullor mes dy personave të maskuar si kaproll dhe gjuetar, të cilët imitojnë skenën e gjahut.[71]

Personalitete të shquara

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Tropoja ka qenë historikisht një vend që ka nxjerrë figura të shquara me kontribut mbarëkombëtar në aspektin historiko – kulturore.

Personalitetet historike janë të shumtë në numër, konkretisht 107 dëshmorë vetëm në luftërat kundër pushtuesve italianë dhe gjermanë. Patriotët tropojanë morën pjesë edhe në shpalljen e pavarësisë në Vlorë, ndër ta Bali Bajram Nokshiqi.[72]

Busti i "Heroit të Popullit" Bajram Curri

Bajram Curri lindi në vitin 1862 në fshatin Krushë e Madhe, Gjakovë. Në moshën 18 vjeçare luftoi përkrah Mic Sokolit dhe Ali Ibrës për mbrojtjen e trevave shqiptare të Plavës dhe Gucisë. Ai hapi të parën shkollë shqipe 4-vjeçare në Gjakovë. Ai u vra më 29 mars 1925 në Shpellën e Dragobisë.

Mic Sokoli (1839 – 1881) lindi në fshatin Bujan të Malësisë së Gjakovës. Në moshën 16 vjeçare hyri në luftë kundër forcave serbo – malazeze në mbrojtje të Plavës dhe Gucisë. Më 10 qershor 1878, formoi batalionin që mbrojti delegatët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku luftoi krah për krah me Sulejman Vokshin, Mal Dula, Halil Brahimi, Ali Ibrën, Haxhi Zekën etj. Më 22 prill 1881 Mic Sokoli me plagë të thella në trup i doli para topit të armikut ku vdiq në mbrojtje të atdheut në grykën e Caravelës. Ai është shpallur “Hero i popullit”.[73]

Ali Ibër Neza lindi në vitin 1835 në një kullë në Buçaj të fshatit Shipshan. Ai ishte ndër luftëtarët e shquar të rrethit në mbrojtje të territoreve shqiptare, ku që në moshën 20 vjeçe luftoi për kombin. Ai ishte delegat në moshën 43 vjeçare në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, ku luajti një rol të rëndësishëm në këtë kuvend kombëtar. Mori pjesë në luftra të shumta si ajo e Plavës, Gucisë, Moraçës etj. Në beteja të shumta, si ajo e Plavës dhe Gucisë që u zhvillua në muajt nëntor – dhjetor të vitit 1879, Ali Ibra ishte komandant i luftëtarëve tropojanë në luftë me malazezët. Ali Ibër Neza vdiq në vitin 1900 në fshatin Osek, në afërsi të Gjakovës.[74]

Heronj të tjerë të Tropojës janë: Binak Alia, Mal Dula, Ahmet Sadria, Man Avdia, Brahë Alia, Tahir Beka, Alush Balia, Col Delia etj.[75]

Mal Dula, Bajraktari (1851-1914) lindi ne Pac Bytyç te Malesise se Gjakoves ne nje familje me virtyte te larta patriotike. Ne çerekun e katert te shek.19-te është nje nga figurat me kryesore te malësisë se Gjakoves,ështe nje nga shtate delegatet ne lidhjen e Prizrenit: Binak Alia, Ali Ibra, Mal Dula, Ahmet Sadria, Halil Brahimi, Qerim Delia, Mic Sokoli. Ne vitet 1878-1881 eshte prijesi i djelmnise se Bytyçit ne mbrojtjen e trojeve shqiptare se bashku me mbi 2000 forca te tjera te malesise se Gjakoves, ne mbrojtjen e Plaves dhe Gucise, ne mbrojtjen e Gjakoves, Hotit dhe Grudes sebashku me nipin e tij Mic Sokoli dhe komandante te tjere Binak Alia, Ali Ibra, Halil Brahimi, jane ne krye te forcave malesore per mbrojtjen e trojeve shqiptare. Mal Dula me djelmnine e Bytyçit e Berishes dallohet ne betejen e Velikes si nje udheheqes luftarak i shquar. Mal Dula, Halil Brahimi, Ahmet Sadria jane ne krye te forcave te Gashit, Bytyçit e Berishes ne sulmin kunder forcave te Knjaz Nikolles te Malit te Zi. Luftoi deri ne fund ne mbrojtje te lidhjes se Prizrenit kur ajo u shtyp me force! Gjatë viteve 1871 - 1873 kemi beteja të zhvilluara kundër forcave turke në Gjakovë e rrethina, në Deçan e deri në Pejë, ku forcave të Malësisë së Gjakovës u prinin Mal Dul Bajraktari,Haxhi Brahim Bajraktari, Binak Alia, Man Avdia, etj. Kontribut të shquar dha Malësia e Gjakovës në zhvillimet e Kuvendit të Prizrenit, më 10 qershor 1978, dhe në të gjitha betejat që zhvilluan forcat e kësaj Lidhjeje kundër fuqive osmane dhe atyre serbo – malzeze, që synonin copëtimin e trojeve shqiptare. Rol të spikatur në këtë periudhë patën Binak Alia e Mic Sokoli, Mal Dula,Halil Brahimi e Ali Hoxha, Ali Ibra e Ahmet Sadria, Shpend Zeqiri, Prel Tuli etj.

Më 4 dhjetor 1879, pjesa më e mirë e ushtrisë malazeze prej 4 mijë ushtarësh, nën komandën e Mark Milanit, ndërmori një sulm të furishëm në sektorin e Nokshiqit, në drejtim të Plavës e të Gucisë. Shtabi ushtarak i Lidhjes, i përbërë nga Ali pashë Gucia (kryetar), Jakup Ferri, Sulejman Vokshi, Haxhi Zeka,Mal Dula [Bajraktari i Bytyçit]Kadri Bajri (Bajraktari i Rugovs), Filip Çeka, Jusuf Sokoli e të tjerë, midis të cilëve kishte edhe disa oficerë të karrierës, u përgjigj duke hedhur në sulm rreth 2 mijë luftëtarë. Luftimet më të ashpra u bënë në luginën e Nokshiqit, ku u angazhuan forca të shumta malazeze. Luftëtarët u përleshën aq ashpër me njëri-tjetrin, sa që të dy palët lanë mënjanë hutat dhe nxorën jataganët, duke u përleshur trup me trup. Përleshja vazhdoi disa orë me radhë. Forcat vullnetare të Lidhjes ndalën sulmin e ushtrisë malazeze dhe i shkaktuan asaj disfatë në Nokshiq, duke e detyruar të tërhiqej brenda kufijve të Malit të Zi. Edhe pse të dhënat për humbjet e të dy palëve janë kontradiktore, mund të nxirret si përfundim se nga malazezët pati 300 të vrarë e të mbytur në lumë gjatë tërheqjes, ndërsa nga shqiptarët 300-400 veta. Personalitetet artistike kategorizohen në fusha të ndryshme të kulturës dhe artit.

  • Këngëtarët e rrethit janë: Fatime Sokoli “Mjeshtre e madhe”, Fatmira Breçani, Murat Alia, Gëzim Nika, Vjollca Hoxha, Isuf Halili, Riza Zymeri, Syl Shabani, shkurte Marku, Elmie Lata e shumë të tjerë.
  • Valltarët dhe koreografët e shquar janë: Xhevahire Gashi, Azgan Haklaj, Deli Metaliaj, Skënder Haklaj, Nafie Ferizi, Shaqir Seci, Bubë Mici, Bukurie Elezi, Mirjeta Braha, shkurte Mrisha e shumë të tjerë.
  • Poetët dhe prozatorët e shquar janë: Hamit Aliaj, Ndue Vatnikaj, Ndoc Papleka, Skënder Buçpapaj, Selim Aliaj, Muj Buçpapaj, Besnik Mustafaj, Shkëlzen Zalli, Halil Buçpapaj, Feride Papleka dhe Brunilda Zllami.[76]
  • Piktorët dhe skulptorët e shquar janë: Isa Balia, Hajdar Danjolli, Adulla Gjongeci, Nazmi Hoxha, Agim Nika etj.
  • Regjisorët e shquar janë Sali Doçi (Prengjoni) dhe Afërdita Kolmaka, ndërsa aktorët më në zë janë: Petrit Malaj, Gazmend Gjoka, Liri Lushi, Merita Gjyriqi, Gjelosh Marku, Sokol Progni, Azem Balia, Tomorr Doçi dhe Hysni Hajdarmataj.
  • Muzikantët e shquar janë: Bashkim Gjyriqi, Kol Susaj, Gëzim Haxhia, Skënder Doshlani, Martin Progni etj.
  • Personalitete që ndihmuan në studimin e vlerave kulturore të trevës janë Ndoc Papleka dhe Xheladin Gosturani.
  • Rapsodët më të njohur janë: Sokol Arifi, Mark Deda dhe Sokol Progni.
  • Personalitetet e shquara politike janë: Sali Berisha, Azem Hajdari, Shaban Memia, Besnik Mustafaj, Aleksandër Biberaj, Besnik Gjongecaj, Besnik Dushaj dhe Islam Lauka.[77]

Studiues të huaj që shkruan për Tropojën

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Gjatë gjithë rrjedhës së historisë, Tropoja është vizituar dhe studiuar nga shumë udhëtarë të karaktereve të ndryshme profesionale si: punonjës shkencorë, historianë dhe shkrimtarë nga e gjithë Evropa dhe më tej, të nisur nga qëllime dhe ekspedita të caktuara letrare, artistike por edhe shkencore.

Edit Durham, një nga shkrimtaret botërore më të njohura pasi vizitoi Tropojën në vitin 1904, përshkroi me përpikmëri zakonet, sjelljet dhe besnikërinë e malësorëve. Ajo ka thënë: “Sa hyra në këto male, të parin malësor që takova e pyeta: - Ç’ka je?! - Shqiptar, m’u përgjigj ai. Kisha qenë edhe në vende të tjera dhe kisha pyetur po kështu, por më ishin përgjigjur se: 'jam katolik', 'jam mysliman', 'jam ortodoks'…”.[78]

Evlia Çelebia, kronist i njohur turk, pasi ka kaluar nëpër Qafë Prush ka shkruar në shekullin XVII veprën “Udhëtime” ku përmend edhe Tropojën.

Franc Nopça ishte një eksplorues i maleve shqiptare, ku në vitin 1908 shkruan për një pjesë të zonës së Tropojës: “…nga Nikajt i shkuam deri në fund qafës së Ndërmajes, 1700 m e lartë, duke luajtur me topa bore. Kuptova se edhe pa përkthyes mund të jetoja mes këtyre njerëzve shumë të mirë e shend e verë…”. Ai ishte gjeografi i parë që përcaktoi lartësinë e malit të Jezercës (2694 m), në natën e 22 gushtit 1906, duke provuar shijen e borës në malet shqiptare.

Ami Bue ishte një francez euridit, i cili gjatë udhëtimit të tij në vitin 1883 jep informacionet e para për ndërtimin gjeologjik të Alpeve Shqiptare.

Mikloezieh ishte një doktor i njohur kroat, i cili vizitoi Tropojën në vitin 1887 ku u përqëndrua tek studimet në fushën shoqërore dhe shkroi librin “Gjakmarrja te shqiptarët”.

Evans ishte një studiues që vizitoi Tropojën në vitin 1889 dhe mbeti i mahnitur nga bjeshkët shqiptare. Për të Franc Nopça ka shkruar: “…ndoshta është i pari evropian që ka vizituar Dragobinë dhe bëri gjymën e punës së tij për hartën e Valbonës”.

Vetshman ishte një studiues tjetër që pasi vizitoi Tropojën, në vitin 1890 shkroi librin “Kontribut për florën shqiptare”, në të cilin flitet për pasuritë e florës së rrethit të Tropojës.[79]

Lidhje të jashtme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
  1. ^ a b c d ANTTARC – Zona Funksionale Tropojë, Analizë, 2015, faqe 4
  2. ^ ANTTARC – Zona Funksionale Tropojë,Analizë, 2015, faqe 4
  3. ^ Plani strategjik trevjeçar (2012 - 2015), Bashkia Bajram Curri, faqe 26
  4. ^ a b ANTTARC – Zona Funksionale Tropojë, Analizë, 2015, faqe 5
  5. ^ Profili i Bashkisë Bajram Curri,2005, 2015, faqe 8
  6. ^ Bernard Zotaj, Marenglen Kasmi - Historia e shqiptarëve, 12, Filara, 2011, faqe 14
  7. ^ ANTTARC – Zona Funksionale Tropojë, Analizë, 2015, faqe 4-5
  8. ^ Lulzim Logu, Gjon Neçaj - Vendlindja ime Tropoja, Erik, faqe 11, 2008
  9. ^ Komuna Tropojë – Strategjia Afatmesme e Zhvillimit,2009-2015, faqe 12]
  10. ^ Lulzim Logu, Gjon Neçaj - Vendlindja ime Tropoja, Erik, 2008 faqe 37-38
  11. ^ a b Lulzim Logu, Gjon Neçaj - Vendlindja ime Tropoja, Erik, 2008, faqe 13
  12. ^ Perikli Qiriazi, Dhimitër Doka - Gjeografia 12, Ideart, 2013, faqe 122
  13. ^ Lulzim Logu, Gjon Neçaj - Vendlindja ime Tropoja, Erik, 2008, faqe 14
  14. ^ Lulzim Logu, Gjon Neçaj - Vendlindja ime Tropoja, Erik, 2008, faqe 16
  15. ^ Instituti Hidrometerologjik, Bashkia Bajram Curri, tetor 2005
  16. ^ Profili i Bashkisë Bajram Curri, 2005, faqe 8
  17. ^ Lulzim Logu, Gjon Neçaj - Vendlindja ime Tropoja, Erik, 2008 faqe 18-19-20
  18. ^ ANTTARC – Zona Funksionale Tropojë, Analizë, 2015, faqe 5-6-7
  19. ^ INSTAT - Censusi 2011
  20. ^ ANTTARC – Zona Funksionale Tropojë, Analizë, 2015, faqe 8
  21. ^ ANTTARC – Zona Funksionale Tropojë, Analizë, 2015, faqe 17
  22. ^ ANTTARC – Zona Funksionale Tropojë, Analizë, 2015, faqe 17-18
  23. ^ Lulzim Logu, Gjon Neçaj - Vendlindja ime Tropoja, Erik, 2008, faqe 31
  24. ^ ANTTARC – Zona Funksionale Tropojë, Analizë, 2015, faqe 18-20
  25. ^ ANTTARC – Zona Funksionale Tropojë, Analizë, 2015, faqe 21-22
  26. ^ Profili i Bashkisë Bajram Curri, 2005, faqe 12
  27. ^ Komuna Tropojë – Strategjia Afatmesme e Zhvillimit, 2009-2015, faqe 12
  28. ^ [ANTTARC – Zona Funksionale Tropojë, Analizë, faqe 29]
  29. ^ Komuna Tropojë – Strategjia Afatmesme e Zhvillimit,2009-2015, faqe 23
  30. ^ ANTTARC – Zona Funksionale Tropojë, Analizë, 2015, faqe 22-23
  31. ^ ANTTARC – Zona Funksionale Tropojë, Analizë, 2015, faqe 23-26
  32. ^ ANTTARC – Zona Funksionale Tropojë, Analizë, 2015, faqe 27-28
  33. ^ Lulzim Logu, Gjon Neçaj - Vendlindja ime Tropoja, Erik, 2008, faqe 33-34
  34. ^ a b ANTTARC – Zona Funksionale Tropojë, Analizë, 2015, faqe 9
  35. ^ Profili i Bashkisë Bajram Curri, 2005, faqe 11
  36. ^ ANTTARC – Zona Funksionale Tropojë, Analizë, 2015, faqe 30
  37. ^ ANTTARC – Zona Funksionale Tropojë, Analizë, 2015, faqe 29
  38. ^ Lulzim Logu, Gjon Neçaj - Vendlindja ime Tropoja, Erik, 2008, faqe 43-44
  39. ^ Skënder Haklaj - Tropoja e mrekullive shpirtnore, Studim, 2014, faqe 300-305
  40. ^ Lulzim Logu, Gjon Neçaj - Vendlindja ime Tropoja, Erik, 2008, faqe 49
  41. ^ Skënder Haklaj - Tropoja e mrekullive shpirtnore, Studim, 2014, faqe 189-198
  42. ^ Skënder Haklaj - Tropoja e mrekullive shpirtnore, Studim, 2014, faqe 191
  43. ^ Skënder Haklaj - Tropoja e mrekullive shpirtnore, Studim, 2014, faqe 192
  44. ^ Skënder Haklaj - Tropoja e mrekullive shpirtnore, Studim, 2014, faqe 194
  45. ^ Skënder Haklaj - Tropoja e mrekullive shpirtnore, Studim, 2014, faqe 195
  46. ^ Skënder Haklaj - Tropoja e mrekullive shpirtnore, Studim, 2014, faqe 196
  47. ^ Skënder Haklaj - Tropoja e mrekullive shpirtnore, Studim, 2014, faqe 197-198
  48. ^ Lulzim Logu, Gjon Neçaj - Vendlindja ime Tropoja, Erik, 2014, faqe 35
  49. ^ Skënder Haklaj - Tropoja e mrekullive shpirtnore, Studim, 2014, faqe 47-50
  50. ^ Skënder Haklaj - Tropoja e mrekullive shpirtnore, Studim, 2014, faqe 51-53
  51. ^ Skënder Haklaj - Tropoja e mrekullive shpirtnore, Studim, 2014, faqe 53-56
  52. ^ Lulzim Logu, Gjon Neçaj - Vendlindja ime Tropoja, Erik, 2008, faqe 45
  53. ^ Lulzim Logu, Gjon Neçaj - Vendlindja ime Tropoja, Erik, 2008, faqe 46
  54. ^ Komuna Tropojë – Strategjia Afatmesme e Zhvillimit,2009-2015, faqe 22
  55. ^ Lulzim Logu, Gjon Neçaj - Vendlindja ime Tropoja, Erik, 2008, faqe 23
  56. ^ Skënder Haklaj - Tropoja e mrekullive shpirtnore, Studim, 2014, faqe 89-90
  57. ^ a b Skënder Haklaj - Tropoja e mrekullive shpirtnore, Studim, 2014, faqe 100-101
  58. ^ Skënder Haklaj - Tropoja e mrekullive shpirtnore, Studim, 2014, faqe 84-85
  59. ^ Skënder Haklaj - Tropoja e mrekullive shpirtnore, Studim, 2014, faqe 82-83
  60. ^ Skënder Haklaj - Tropoja e mrekullive shpirtnore, Studim, 2014, faqe 91
  61. ^ Skënder Haklaj - Tropoja e mrekullive shpirtnore, Studim, 2014, faqe 91-93
  62. ^ Skënder Haklaj - Tropoja e mrekullive shpirtnore, Studim, 2014, faqe 94-96
  63. ^ Skënder Haklaj - Tropoja e mrekullive shpirtnore, Studim, 2014, faqe 93-94
  64. ^ Skënder Haklaj - Tropoja e mrekullive shpirtnore, Studim, 2014, faqe 101-103
  65. ^ Skënder Haklaj - Tropoja e mrekullive shpirtnore, Studim, 2014, faqe 283-288
  66. ^ Skënder Haklaj - Tropoja e mrekullive shpirtnore, Studim, 2014, faqe 209
  67. ^ Skënder Haklaj - Tropoja e mrekullive shpirtnore, Studim, 2014, faqe 203-204
  68. ^ Skënder Haklaj - Tropoja e mrekullive shpirtnore, Studim, 2014, faqe 205-206
  69. ^ Skënder Haklaj - Tropoja e mrekullive shpirtnore, Studim, 2014, faqe 206-207
  70. ^ Skënder Haklaj - Tropoja e mrekullive shpirtnore, Studim, 2014, faqe 209-210
  71. ^ Skënder Haklaj - Tropoja e mrekullive shpirtnore, Studim, 2014, faqe 261-265
  72. ^ Lulzim Logu, Gjon Neçaj - Vendlindja ime Tropoja, Erik, 2008, faqe 37
  73. ^ Lulzim Logu, Gjon Neçaj - Vendlindja ime Tropoja, Erik, 2008, faqe 40
  74. ^ Hamit Aliaj - Ali Ibër Neza, 2012, faqe 43-65
  75. ^ Hamit Aliaj - Ali Ibër Neza, 2012, faqe 19-24
  76. ^ Skënder Haklaj - Tropoja e mrekullive shpirtnore, Studim, 2014, faqe 68
  77. ^ Lulzim Logu, Gjon Neçaj - Vendlindja ime Tropoja, Erik, 2008, faqe 53-55
  78. ^ Lulzim Logu, Gjon Neçaj - Vendlindja ime Tropoja, Erik, 2008, faqe 7
  79. ^ Lulzim Logu, Gjon Neçaj - Vendlindja ime Tropoja, Erik, 2008, faqe 59-60