Dantja i pashmangshëm
'Dantja i pashmangshëm ose Histori e shkurtër e Shqipërisë me Dante Aligerin sprovë me Autor Ismail Kadare. Shtëpia botuese Onufri, viti 2005. Faqe 80. Në këtë libër Kadare shkruan për Shqipërinë duke iu referuar figurave të mëdha botërore për të shprehur më qartë periudhën së cilës i referohet.
Dante Aligieri nuk ishte lidhur vetëm me tmerrnajën tonë. “Komedia hyjnore” e tij ishte, me sa dukej, e vetmja në botë, që rrezatonte po aq fuqishëm edhe zinë edhe dritën.
Pyetjes që Eugenio Montale, në kremtimin e Dantes, ia drejtoi vetes dhe të tjerëve : “Ç’kuptim ka për poetët e sotëm vepra e Dantes ?”, poetët e botës i janë përgjigjur e do t’i përgjigjen në mënyra të ndryshme, sipas “gjendjes” së tyre. Natyrisht që Dante Aligieri është gjithmonë Dante, por ka periudha kohe kur ai bëhet dyfish, trefish i tillë.
Kështu, në shekullin e 20-të, atëherë kur dukej se e kishte arritur majën më të lartë të lavdisë e se s’mund të rritej më, pikërisht atëherë në rrafshirën kolosale komuniste, nga Dante që ishte, ai u bë Dydantsh, Tridantsh.
Duke u rrëfyer rrugëtimin e tij të vetmuar në botën e të vdekurve, ai u tregoi sivëllezërve të vet poetë, qofshin ata rusë, shqiptarë, baltikë a kinezë, se gjendja natyrale e shkrimtarit të madh është pikërisht ajo: të udhëtojë i gjallë midis vdekjes. Të pajeta shtrihen përpara tij mbretëritë, vrasësit, tiranët, orizoret, stuhitë, vetë ajri që i prodhon ato. Përbindëshat dhe rreziqet janë rrotull tij, por ai ka një përparësi: ai është i gjallë, ndërkohë që ata s’janë. Ndaj fjalët e Virgjilit “mos u tremb, është një stuhi e vdekur”, përbëjnë formulën e shpëtimit për shkrimtarin.