Pasardhësi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Jump to navigation Jump to search
Pasardhësi
Pasardhësi
Kopertina e botimit shqip
AutoriIsmail Kadare
Gjuhashqip
BotuesiShtëpia Botuese "55"
Botimi2003
ISBN978-99956-87-13-7
Paraprirë ngaVajza e Agamemnonit

Pasardhësi është roman i shkrimtarit Ismail Kadare, i botuar në vitin 2003. “Pasardhësi” është pjesa e dytë e diptikut i cili lidhet me romanin e parë “Vajza e Agamemnonit” nëpërmjet personazhit kryesor.

Sfondi[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

2rightarrow (Nuvola colors).svg Shiko gjithashtu artikullin Mehmet Shehu

Vajza e Agamemnonit, pjesa e parë e diptikut, u shkrua në vitin 1985 dhe u nxor fshehtazi jashtë Shqipërisë, para rënies së regjimit Hoxhaist, por u publikua gati dy dekada më vonë, pasi Kadare tashmë kishte përfunduar Pasardhësin.[1] Për dallim prej të parit, i cili ishte paksa më personal, ky i fundit ka më tepër bazë historike, duke paraqitur një ritregim imagjinar të ngjarjeve që mund të kenë çuar drejt vdekjes së pasqaruar të Mehmet Shehut në vitin 1981. Burimet zyrtartare shqiptare të asaj kohe e kishin cilësuar vdekjen e tij si "vetëvrasje", por shpallja e tij më pas si "agjent i shumëfishtë" dhe "tradhtar i atdheut" si dhe përndjekja e gjithë fisit të tij (duke filluar nga gruaja Fiqirete Shehu dhe i biri Bashkim Shehu) kishin ngjallur dyshime tek njerëzit se Shehu mund të ishte vrarë me urdhër të Enver Hoxhës ose gruas së tij Nexhmijes.[2]

Përmbajtja[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Romani fillon me shpalljen e vdekjes së Pasardhësit që në fjalinë e parë. Gradualisht romani largohet prej spekulimeve mbi identitetin e vrasësit dhe në vend të kësaj fokusohet në pasojat brutale që ka diktatura në çdokënd që është i detyruar të jetojë nën të, pa marrë parasysh sa i sigurt duket ai ose ajo në sytë e një vëzhguesi të jashtëm. Kadare e përdor personazhin e Arkitektit për të hedhur dritë mbi çështjen e integritetit të një artisti nën kushte të tilla. Ndodhitë e Vajzës së Agamemnonit tregohen përsëri, kësaj radhe nga këndvështrimi i protagonistes femër, Suzanës.

Pritja[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Diptiku Vajza e Agamemnonit / Pasardhësi është konsideruar nga botuesi francez i Kadaresë, drejtori i Fayard-it Claude Durand, si "një nga veprat më të mira dhe më të arrira të Ismail Kadaresë deri më sot".[1] James Wood e përshkruan diptikun si "një nga rrëfimet më rrënuese të shkruara ndonjëherë, mbi bjerrjen mendore dhe shpirtërore që i shkaktohej individit nga shteti totalitar".[3] Wood e vë Kadarenë në një piedestral me Oruellin dhe Kunderën, por e konsideron atë "një ironist shumë më të thellë se i pari, dhe një rrëfimtar më i mirë se i dyti".[3] Si një ilustrim veçanërisht të shkëlqyeshëm të ironisë së Kadaresë, ai e përmend një nga pasazhet e fundit të kreut të tretë të romanit, kur Prijsi gati krejtësisht i verbër, i prirë nga gruaja e tij, e viziton shtëpinë e meremetuar të Pasardhësit dhe papritur e zbulon një reostat, që asokohe ishte një risi në Shqipëri dhe e cila mund të jetë parë nga Prijsi paranojak si një tipar borgjez:

Përreth ishte bërë befas heshtje dhe, kur dora e tij kishte lëvizur reostatin dhe ndriçimi befas ishte zmadhuar, ai kishte qeshur me zë. E kishte shtuar prapë ndriçimin, gjersa e kishte çuar në kulmin e tij dhe prapë kishte qeshur ha-ha-ha, si të kishte gjetur një lodër. Të tjerët kishin qeshur gjithë zhurmë pas tij dhe kjo kishte vazhduar gjer në çastin kur kishte nisur ta rrotullonte reostatin në drejtim të kundërt. Me pakësimin e ndriçimit, ishte dukur se gjithçka po ftohej e po errej, gjersa llambat e shumta të ndriçuesit ishin fikur krejt.

— Ismail Kadare, Pasardhësi (Onufri 2010, fq.104)

Po i njëjti pasazh është vënë në dukje edhe nga James Lasdun, si një shembull përfaqësues i aftësisë së Kadaresë për të portretizuar akullsisht frikën dhe "vetëdijen zvarranike të diktatorëve". Një recension në Publishers Weekly mendon se ky roman riafirmon vendin e Kadaresë "përkrah Oruellit, Kafkës, Kunderës dhe Solzhenicinit si një nga kronikanët më të mëdhenj të shtypjes së njeriut".[4]

Shih edhe[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Burimet e të dhënave[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ a b Durand, Claude (2006). "About Agamemnon's Daughter: Adapted from the Publisher's Preface to the French Edition". më Kadare, Ismail (red.). Agamemnon's Daughter: A Novella and Stories. Përkthyer nga Bellos, David. Arcade Publishing. ff. ix–xii.  978-1-559-70788-6. Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  2. ^ Thomson, Ian (15 January 2006). "Tyranny in Tirana". The Observer. Marrë më 25 July 2017. Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  3. ^ a b Woods, James (20 December 2010). "Chronicles And Fragments: The Novels of Ismail Kadare". The New Yorker. Marrë më 14 shtator 2017. Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  4. ^ "Chronicles And Fragments: The Novels of Ismail Kadare". Publishers Weekly. Marrë më 25 July 2017. Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)