Dasma (roman)

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Jump to navigation Jump to search

Dasma (njohur edhe si Lëkura e daulles) është roman i dytë shkruar nga Ismail Kadare dhe botuar për herë të parë më 1967 në revistën "Nëntori", kurse si libër më vete në vitin 1968 nga shtëpia botuese "Naim Frashëri". U përkthye në anglisht dhe u dramatizua nga radio BBC e Londrës në vitin 1969 me titullin "Dasma dhe fantazma".[1]

Sfondi dhe përmbajtja[redakto | redakto tekstin burimor]

Ne gjysmën e dytë të viteve '60 Shqipëria pati verzionin e saj të revolucionit kulturor kinez, ku shkrimtarët shqiptarë u detyruan të shkonin në "bazë" e të njiheshin nga afër me jetën e popullit. Të njëjtin fat e pati edhe Kadareja, i cili më 1966 u dërgua në qytetin e Beratit të jetonte "pranë popullit".[1]

Prej tri romaneve të mëhershme të Kadaresë, i pari Qyteti pa reklama kishte mbetur pa u botuar, i dyti, Gjenerali i ushtrisë së vdekur ishte kritikuar ngaqë nuk e kishte prekur temën e ndërtimit të socializmit, kurse i treti, Përbindëshi ishte ndaluar. I përballur me klimën e pafavorshme për krijimtari të lirë dhe i gjetur nën trysni për të shkruar diçka për të "tashmen e gëzuar", gjatë qëndrimit në kombinatin e tekstilit në Berat Kadare mendon në duhet të braktisë letërsinë, apo të bëjë lëshime dhe të shkruajë nën trysninë e dogmës. Në këtë sfond merr formë romani "Lëkura e daulles" i cili si bërthamë kishte tregimin e pabotuar "Dasma e çuditshme" që Kadare e kishte shkruar disa vite më parë, por nga kjo bërthamë në fund nuk do të mbetej pothuajse asgjë.[1]

Romani botohet fillimisht në revistën Nëntori nën titullin "Lëkura e daulles" kurse një vit më vonë del si libër më vete nën titullin "Dasma". Në faqet e romanit shpaloset një pasqyrë e "Shqipërisë së re"; ndeshen punëtorë, kantiere ndërtimi, punë riedukuese; pastaj ndeshen tema të asaj kohe si emancipimi i gruas, lufta kundër martesave me mblesëri dhe lufta kundër fesë. Romani përshkohet nga atmosfera festive, një gjë e pazakontë kjo për veprat e Kadaresë[1]

Trajtonte temën e emancipimit të gruas në Shqipëri në kulmin e dy fushatave të mëdha sociale të Enver Hoxhës: heqja e fesë dhe emancipimi i gruas në një popullsi me prejardhje kryesisht myslimane.[2].

Reagimet[redakto | redakto tekstin burimor]

Romani u prit me entuziazëm nga kritika letrare zyrtare e kohës dhe u pa si sukses në riedukimin e shkrimtarëve.[1]

Më 1968, Bilal Xhaferri u shpreh në Lidhjen e Shkrimtarëve kundër romanit, duke e akuzuar Kadarenë për revizionizëm ndaj doktrinës komuniste, një akuzë kjo shumë e rëndë gjatë regjimit komunist që mund ta kishte dëmtuar shumë Kadarenë. Mirëpo meqenëse këtë akuzë e bënte një njeri me "njolla" në biografi, autoritet komuniste nuk e pritën mirë.[3] Fadil Paçrami e qortoi rëndë Xhaferrin duke i kujtuar se ishte biri i një armiku të rendit.[4][5] Arshi Pipa nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e cilësoi si një vepër pothuajse disidente[1].

Sipas Elsiet, romani Dasma, krijim i Revolucionit Kulturor shqiptar të viteve 1966-1969, është vepër me vlera artistike të kufizuara, ndonëse është me interes si dokument i kohës.[4]

Përkthimet[redakto | redakto tekstin burimor]

Për qëllim propagandistik është përkthyer anglisht, Tiranë 1968, Nju Jork 1972; norvegjisht, Oslo 1976; suedisht, Stokholm 1976; holandisht, Roterdam 1979 dhe spanjisht më 1985[4].

Burimet e të dhënave[redakto | redakto tekstin burimor]

  1. ^ a b c d e f "“Kadare e përçmoi ‘Dasmën’, se u pëlqye nga kritika e kohës”". Panorama Online. Marrë më 11 prill 2018. 
  2. ^ Robert Elsie (1995), Histori e Letërsisë Shqiptare, përktheu Abdurrahman Myftiu, Tirana & Peja: Dukagjini, 1997.
  3. ^ Apolloni, Ag (25 maj 2015). "Disidenca e Don Kishotit". Panorama Online. Marrë më 7 November 2017. 
  4. ^ a b c Elsie, Robert (1997) [1995]. "Histori e Letërsisë Shqiptare" (PDF). elsie.de. Tiranë: Dukagjini. 
  5. ^ Ismail Kadare, Goditja e Xhaferrit, e pamoralshme, intervistoi Aida Tuci, Shqip, 7 qershor 2014.