Vajza e Agamemnonit

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Jump to navigation Jump to search
Vajza e Agamemnonit
Vajza e Agamemnonit
Botimi i parë shqip
AutoriIsmail Kadare
ShtetiShqipëri
Gjuhashqip
BotuesiShtëpia Botuese "55"
Botimi2003
Faqe114
Pasuar ngaPasardhësi

Vajza e Agamemnonit është një roman i shkruar nga Ismail Kadare. Bashkë me romanin pasues, Pasardhësi, përbëjnë një diptik të cilin disa kritikë e kanë renditur përkrah veprave më të mira të autorit.

Sfondi[redakto | redakto tekstin burimor]

I shkruar më 1985, vitin e vdekjes së udhëheqësit të Shqipërisë Enver Hoxha, dorëshkrimi i romanit Vajza e Agamemnonit së bashku me dorëshkrimet e disa veprave tjera të rrezikshme për autorin si Hija dhe Ikja e shtërgut, u nxorën fshehtazi jashtë shtetit dhe u depozituan në një bankë në Paris. Në fillim faqet e para të dorëshkrimeve ishin maskuar si përkthim i një vepre të shkrimtarit gjerman Siegfried Lenz, për të mos rënë në sy gjatë kontrollit të valixheve që bëhej në aeroport. Disa sosh i kontrabandoi vetë autori gjatë një udhëtimi në Paris, mirëpo asnjëherë nuk merrte me vete një numër të madh fletësh nga frika se mos zbulohej. Për t'i kontrabanduar dorëshkrimet e plota jashtë shtetit, në Shqipëri kishte ardhur vetë botuesi francez i Kadaresë, Claude Durand dhe i kishte nxjerrë të gjitha njëherësh. "Vajza e Agamemnonit" qëndroi e depozituar në Paris deri pas rënies së komunizmit dhe u botua për herë të parë në vitin 2003.[1]

Përmbajtja[redakto | redakto tekstin burimor]

“Vajza e Agamemnonit” është pjesa e parë e diptikut që pasohet nga “Pasardhësi”, e ajo që i lidh të dy veprat nuk është vetëm personazhi kryesor, a këndvështrimi i tij mbi botën, por ajo lloj alegorie e historisë që në pjesën e dytë të diptikut shndërrohet në intrigë të romanit. Është historia tronditëse e një dashurie që gjendet befas midis ingranazheve të makinës së ftohtë të shtetit.

Pjesën më të madhe të romanit e zë monologu i brendshëm i personazhit kryesor, një gazetar me prirje liberale i ftuar në tribunën e 1 Majit, dhe mendimet e tij për të dashurën Suzanën dhe njerëzit që ndesh gjatë rrugës për te vendi i tij në tribunë.

Në roman poashtu hasim përrallën shqiptare të Qerosit, i cili bie në botën e poshtme dhe mundohet të dalë prej saj me anë të një shkabe.

Pritja[redakto | redakto tekstin burimor]

I konsideruar si vepër që "bën bashkë atmosferën e Kafkës dhe Oruellit",[2] diptiku Vajza e Agamemnonit / Pasardhësi është konsideruar nga botuesi francez i Kadaresë, drejtori i Fayard-it Claude Durand, si "një nga veprat më të mira dhe më të arrira të Ismail Kadaresë deri më sot".[1]

Burimet e të dhënave[redakto | redakto tekstin burimor]

  1. ^ a b Durand, Claude (2006). "About Agamemnon's Daughter: Adapted from the Publisher's Preface to the French Edition". Në Kadare, Ismail. Agamemnon's Daughter: A Novella and Stories. Translated by Bellos, David. Arcade Publishing. pp. ix–xii. ISBN 978-1-559-70788-6. 
  2. ^ Tonkin, Boyd (22 February 2008). "Paperbacks: Agamemnon's Daughter, by Ismail Kadare". The Independent. Marrë më 13 Shtator 2017. 


Shih edhe[redakto | redakto tekstin burimor]

Lidhje të jashtme[redakto | redakto tekstin burimor]