Jump to content

Kushtetuta e Shqipërisë

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Kushtetuta - Shqipëria)

Kushtetuta e Shqipërisë u adoptua më 12 shtator 1998 përmes referendumit mbarëpopullor. Kjo kushtetutë përkufizon Shqipërinë si republikë parlamentare, shtet unitar e të pandashëm, si dhe me qeverisje të bazuar "në një sistem zgjedhjesh të lira, të barabarta, të përgjithshme e periodike".

Sipas kushtetutës, organi ligjvënës përbëhet nga një dhomë - Kuvendi - dhe ka 140 anëtarë, të cilët zgjedhin kreun e shtetit, Presidentin e Republikës, si dhe Këshillin e Ministrave e ngarkuar me pushtetin ekzekutiv. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë përbëhet nga Preambula, ku paraqiten motivet e nxjerrjes së kushtetutës dhe aspiratat e kombit shqiptar për të ardhmen, si dhe tetëmbëdhjetë pjesë që mbulojnë parimet themelore, kartën e të drejtave, degët e qeverisë, institucionet e pavarura, forcat e armatosura, si dhe dispozitat kalimtare.

Zanafilla dhe zhvillimi historik

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Tradita e shqiptarëve për rregull dhe ligj është e vjetër. Prej ligjeve të vjetra kujtohet Kanuni, një lloj kushtetute e respektuar nga një pjesë e mirë e shqiptarëve për shekuj. Shquhet Kanuni i Lekë Dukagjinit, që sipas shënimeve u kodifikua në shek. XV nga princi shqiptar me po të njëjtin emër. Zanafilla e kanuneve besohet të jetë më e vjetër, ndërkaq.

Kanuni i Lekë Dukagjinit u ka shërbyer shqiptarëve për ta ruajtur vetëqeverisjen e tyre si dhe për të ushtruar sado pak një pushtet demokratik. Sipas Kanunit, vendime të rëndësishme merren nga kuvendet e pleqve.

Në valën e Rilindjes Kombëtare të shek. XIX, shqiptarët themeluan Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe në ndërkohë krijuan një qeveri të përkohshme për vilajetet shqiptare. Këtu vlen të përmendet Kanuni i Ri, program i Lidhjes, si dhe nismë e diplomacisë dhe politikës moderne shqiptare.

Me njohjen e pavarësisë së Shqipërisë nga fuqitë e mëdha evropiane, u arrit marrëveshje për formë monarkike të qeverisjes. Sipas Statutit Organik ose kushtetutës së atëhershme, Shqipëria ishte mbretëri kushtetuese me në krye Mbretin Vid. Mirëpo kjo kushtetutë nuk pati jetë të gjatë për shkak të rebelimit të lëvizjes Haxhi Qamiliase kundër Vidit në njërën anë, si dhe për shkak të Luftës së Parë Botërore në anën tjetër.

Gjatë pjesës së parë të viteve ’20, Shqipëria përjeton mosqëndrueshmëri politike. Pas Triumfit të Legalitetit, fitores së Ahmet Zogut ndaj revolucionarëve të udhëhequr nga Fan Noli, më 1925 u shpall Ligji Themeltar i Republikës Shqiptare. Kjo republikë, e bazuar në modelin e Republikës së Tretë Franceze (1870-1940), ishte parlamentare me në krye një president të fuqishëm, që ishte kreu i shtetit si dhe shef i ekzekutivit (qeverisë). Pushteti ligjvënës ndërkaq i takonte dy dhomave të parlamentet, asaj të deputetëve dhe Senatit.

Pas tri vjetësh, më 1928, Shqipëria shpallet [[Mbretëria Shqiptare|mbretëri demokratike e parlamentare. Organi ligjvënës përbëhej prej një dhome, ndërsa pushteti ekzekutiv i takonte kreut të shtetit, Mbretit, dhe kabinetit të përbërë nga kryeministri dhe ministrat. Me pushtimin fashist dhe largimin e Mbretit Zog nga Shqipëria, de facto kjo kushtetutë merr fund. Bashkëpunëtorët e pushtuesve i japin kurorën shqiptare një shteti tjetër, në këtë rast Viktor Emanuelit III, mbret i Italisë, akt ky që dhunoi kushtetutën e Mbretërisë Shqiptare.

Pas çlirimit të vendit nga nazi-fashistët dhe vendosjes së pushtetit komunist, më 1946 shpallet Republika Popullore e Shqipërisë me ç’rast hyn në fuqi kushtetuta e re. Më 1976 aprovohet një kushtetutë tjetër që stilizon Shqipërinë si “Republikë Popullore Socialiste”. Sistemi njëpartiak i vendosur nga komunistët bashkë me mungesën e lirive themelore të njeriut, si dhe gjendja e rëndë ekonomike krijuan pakënaqësi të mëdha në popull. Më 1991, Sekretari i Parë i Partisë së Punës, Ramiz Alia, vendosi të pranonte sistem shumëpartiak dhe në ndërkohë u miratua një kushtetutë e përkohshme.

Hartimi dhe miratimi i Kushtetutës së sotme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Pas dorëheqjes së Sali Berishës nga detyra e kreut të shtetit më 1997 dhe saknsionimit të regjimit republikan në referendumit e këtij viti, filluan punimet për nxjerrjen e kushtetutës së përhershme të Republikës së Shqipërisë. Me gjithë kundërshtimin e Partisë Demokratike të udhëhequr nga Sali Berisha, propozimi për kushtetutë i mbështetur nga Presidenti Rexhep Meidani fitoi shumicën e votave në pëlqim mbarëpopullor.

Gjatë hartimit të kushtetutës u shqyrtuan sistemet presidenciale dhe parlamentare si dhe elemente të tjera të rendit kushtetues. Refuzimi i sistemit presidencial gjatë udhëheqjes së Sali Berishës shtyu hartuesit e kushtetutës të zgjidhnin sistemin parlamentar. Me ndryshime të vogla gjatë ecurisë së përpilimit, propozimi për kushtetutë u miratua nga Kuvendi i Shqipërisë më 21 tetor 1998 dhe u vendos më referendum mbarëpopullor. Qytetarët e Shqipërisë u pajtuan me propozimin dhe bënë të mundshëm fuqizimin e Kushtetutës po atë vit.

Ekspertë ndërkombëtare e kanë vlerësuar Kushtetuën e Republikës së Shqipërisë si në përputhje me rregullat e standardet evropiane.

Lidhje të jashtme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]