Shko te përmbajtja

Në mesditë Byroja Politike u mblodh

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Pashallarët e kuq njohur në origjinal si Në mesditë Byroja Politike u mblodh është poemë e shkrimtarit Ismail Kadare e shkruar më 1974. U dërgua në shtyp në tetor 1975, por botimi u pezullua në mesnatë dhe të gjitha dorëshkrimet e poemës u sekuestruan. Autori propozoi gjatë autokritikës së vet që të lejohej të shkonte me "leje krijimi" në fshat, kohë gjatë së cilës qëndroi deputet i legjislaturës.[1]

Dorëshkrimi origjinal u konfiskua dhe është zhdukur përgjithnjë ndërsa teksti i daktiloshkruar i poemës u zbulua në vitin 2002 dhe u botua për herë të parë. Në vitin 2011 u publikuan procesverbalet e mbledhjeve ku u dënua vepra.

Poema i referohej një mbledhjeje të Byrosë Politike të datës 27 qershor 1975, nga e cila doli një "Vendim i Byrosë Politike të Komitetit Qëndror të PPSH-së mbi disa masa për luftën kundër burokratizmit veçanërisht për thjeshtimin e organikave".[2]

Poema i përket traditës së "letërsisë politike të Europës Qendrore",[3] gjegjësisht kundër burokratizmit siç kuptohej në vitet kur u shkruajt.[2] Qe tundim i radikalizmit të majtë të autorit; si dhe i mëtimit të milituar në politikën e regjimit totalitar, madje edhe si tregues besnikërie ndaj Enver Hoxhës në "përleshjen e tij me burokracinë".[2][4] Krahas ekzaltimit të figurës së Enverit, ashtu sikurse te Dimri i madh, bënte thirrje për ashpërsim të luftës së klasave sipas modeleve të revolucionit kulturor kinez.[5] Ai akuzon rrethin e Enver Hoxhës se mbanin përgjegjësi për problemet në vend. Ky produkt letrar i absolutizmit iluminist, synonte të përmirësonte politikën duke i bërë thirrje sovranit të spastronte qeverinë nga shërbëtorët e tij të korruptuar. Poema është sulm kundër Partisë, Byrosë Politike dhe nomeklaturës. Hoxha shfaqet si "sundues i mirë" i cili mbron interesat e popullit nga zyrtarët e korruptuar. Mirëpo thelbi i kësaj tradite të shkrimit ishte se kuptohej se vetë sistemi ishte i korruptuar dhe me plot të meta, sado që sunduesi është "i mirë".[3] Byrokratët komunistë në poemë paraqiten me duar të përgjakura.[6]

Paraqitjen e saj si provë disidence e kanë quajtur pjesë të kulturës së simulim-manipulimit, sepse duke pasë qenë e botuar në Francë dhe e prezantuar provë disidence për të simuluar atë që çmohet më së shumti në kushte totalitare (disidencën) duke u konformuar ndaj pëlqyeshmërisë së huaj, manipulohet si rrjedhim opinioni shqiptar me këtë hyrje në rol.[7]

Autori e shkroi këtë poemë në janar 1974 dhe e çoi për botim në gazetën "Drita" në tetor 1975. Poema ishte paraparë të zinte vendin kryesor në faqosje të gazetës, mirëpo në mesnatë teksa shtypej, e lexoi kryeredaktori i gazetës dhe pezulloi botimin.[8][9] Agolli e informoi Pirro Kondin, anëtar i Komitetit Qendror për këtë poemë duke shtuar se Kadareja aty tregon se "Partia nuk është më në gjendje të qeverisë". Poema u hoq nga shtypi dhe autorit iu sekuestrua origjinali.[9][10]

Autori u thirr për të bërë autokritikë në aparatin e Komitetit Qendror, në një mbledhje të drejtuar nga vetë Ramiz Alia, ku qenë të pranishëm funksionarë të KQ të PPSH, të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Ministrisë së Arsimit. Procesverbalet e mbledhjeve u bënë publike më 2011.[11]

Në analiza të tjera të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të KQ të PPSH, prirjet e Kadaresë "për të dalë autoritet mbi Partinë" u krahasuan me prirjet e puçistëve në ushtri dhe të komplotistëve në ekonomi.[12]

Kadare u detyrua të paraqiste autokritikë edhe përpara organizatës bazë të partisë në Lidhjen e Shkrimtarëve. Ai pranoi se kishte shkruar një vepër "armiqësore, kundërrevolucionare, kundër vijës së Partisë, Diktaturës së Proletariatit dhe popullit".[10] Poema u ndalua.[13] Dorëshkrimi i poemës kaloi në fare pak duar, madje as funksionarëve të lartë të PPSH dhe Lidhjes së shkrimtarëve nuk u është dhënë, dhe nuk e njihnin, duke e gjykuar të rrezikshme dhe infektuese ideologjikisht. Dorëshkrimi origjinal që iu konfiskua autorit është zhdukur përgjithnjë dhe mbijeton vetëm teksti i daktiloshkruar që u dorëzua në gazetën Drita.[14]

Si ndëshkim dënimi qe i lehtë:[15] iu ndalua e drejta e botimit,[13] me propozimin e tij[1] për t'u vetëdënuar shkoi "me leje krijimi" në Fier,[16] Seman dhe Libofshë[17] ku të mësonte të "kontribonte në mënyrë produktive në të mirën e kombit".[18] Biseda për poemën ose vetë përmendja e saj ishte e ndaluar gjatë kohës së komunizmit, madje edhe për vetë Kadarenë.[19]

Pas rënies së sistemit, kritikët e Kadaresë kanë hedhur dyshime mbi ekzistencën e poemës, duke e akuzuar atë se e kishte shpikur pas 1990-tës për ta paraqitur veten si disident.[10] Helena Kadare, bashkëshortja e autorit në lidhje me këtë shkruan:

Detraktorët e tij, sa herë që binte fjala për këtë vjershë, e quanin atë si një fantazi të shkrimtarit. Disa arritën deri atje, sa ta quajnë lavdërim për diktaturën, madje u tha se shkaku i zemërimit kundër Is., ishte se regjimit nuk i pëlqenin lavdërimet e tepruara, ndaj deshi ta dënonte shkrimtarin për këtë!

Helena Kadare, Kohë e pamjaftueshme: kujtime (Onufri 2011, fq.339)

Madje edhe historiani Noel Malcolm e quajti poemën në shtypin amerikan "fantazi të I.K.".[19] Përveç kësaj, për poemën ishte spekuluar edhe se nuk ishin byrokratët ata që Kadare i kishte paraqitur me duar të përgjakura, por ishin "komplotistët".[6]

Mirëpo në vitin 2002 poema u zbulua në arkivin e shtetit dhe u botua me miratimin e autorit.[10] Pas botimit të poemës, ajo filloi të sulmohej se ishte "vepër tipike e realizmit socialist". Në shtyp u shtrua pyetja se nëse poema ishte "vepër tipike e realizmit socialist" atëherë përse kishte ngjallur zemërim aq të madh te shteti kundër autorit.[6]

Me publikimin e disa dokumenteve nga arkivat e shtetit në vitin 2011 doli në dritë edhe qasja zyrtare e shtetit ndaj poemës. Në vitin 2018 u publikuan edhe shënimet e ditarit të Hoxhës ku analizonte poemën.

Pas dërgimit të Kadaresë në Myzeqe, i vdiq babai. Sipas tij, i ati e dinte të internuar ose më keq, dhe kishte vdekur me atë mendim në kokë.[20]

Për të kapërcyer ndalesën e botimit të romaneve të reja, e cila qe pjesë e ndëshkimit, i maskoi ato si novela duke i ngjeshur në një përmbledhje novelash.[13] Kësodore u botuan vëllimet me novela: Ura me tri harqe më 1978, Gjakftohtësia më 1980 dhe Koha e shkrimeve më 1986.

  1. 1 2 Malcolm, Noel (15 janar 1998). "'In the Palace of Nightmares': An Exchange". nybooks.com (në anglisht).
  2. 1 2 3 Vehbiu, Ardian (25 janar 2019). "Pashallarët në nëntë pamje". Peizazhe të fjalës. Marrë më 9 mars 2021.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  3. 1 2 Morgan 2011, fq. 164-165.
  4. Vehbiu, Ardian (23 janar 2019). "Filologjia e shkurtimit". Peizazhe të fjalës. Marrë më 9 mars 2021.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  5. Demalia, Ilir (28 gusht 2020). "Enveri urdhëroi arrestimin e Kadaresë dhe Qemal Lame i ndërroi mendjen? Kaq budalla ishte Enveri?!". panorama.com.al. Marrë më 9 mars 2021.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  6. 1 2 3 Kadare 2011, fq. 341-342.
  7. Lubonja, Fatos (14 shtator 2020). "Raporti i Kadaresë me regjimin e djeshëm, njëjtë me atë të korruptuar mafioz të sotëm". dosja.al. Marrë më 9 mars 2021.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  8. Haliti, Faslli (24 tetor 2014). "Ismail Kadare është gjeni. Nuk njoh asnjë gjeni servil". Res Publica. Intervistuar nga Leonard Veizi. Arkivuar nga origjinali më 19 gusht 2020. Marrë më 10 nëntor 2017.
  9. 1 2 Sinani 2011, f. 287
  10. 1 2 3 4 Morgan 2011, fq. 165-168.
  11. Sinani 2011, f. 243
  12. Sinani 2011, f. 250.
  13. 1 2 3 Fayé, Éric (1993). Kadaré, Ismail (red.). Oeuvres completes (në frëngjisht). Vëll. 1. Editions Fayard. fq. 10–20.
  14. Sinani 2011, f. 257.
  15. Morgan, Peter (2010). "Ismail Kadare: Writing under Dictatorship". Arts: The Journal of the Sydney University Arts Association (në anglisht). 32: 76.
  16. Gjini, Kozma (5 qershor 2018). "Një burrë nga Myzeqeja". telegraf.al. Marrë më 9 mars 2021.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  17. Kulla, Pëllumb (2008). "Sulmet ndaj Kadaresë". alb-club.alb. Arkivuar nga origjinali më 3 shkurt 2022. Marrë më 9 mars 2021.
  18. Morgan 2011, f. 175.
  19. 1 2 Kadare 2011, f. 339.
  20. Sinani 2011, f. 345-346.
  • Sinani, Shaban (2011). Letërsia në totalitarizëm dhe "Dossier K". Naim Frashëri.
  • Morgan, Peter (2011). Kadare: Shkrimtari dhe diktatura 1957-1990 (bot. 1). Tiranë: Shtëpia Botuese "55". ISBN 978-9928-106-12-4.
  • Kadare, Helena (2011). Kohë e pamjaftueshme. Tirana: Onufri. ISBN 978-99956-87-51-9.