Në mesditë Byroja Politike u mblodh

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Pashallarët e kuq)
Jump to navigation Jump to search

Pashallarët e kuq njohur në origjinal si Në mesditë Byroja Politike u mblodh është poemë e shkrimtarit Ismail Kadare e shkruar më 1974, ku ai paraqet zyrtarët e lartë komunistë me duar të përgjakura gjer në bërryle. U dërgua në shtyp në tetor 1975, por botimi u pezullua në mesnatë dhe të gjitha dorëshkrimet e poemës u sekuestruan. Kur poema i ra në dorë Enver Hoxhës ai u tërbua dhe e quajti akuzë të rëndë për udhëheqjen e Partisë dhe trakt i zi që bën thirrje për kryengritje ndërsa Ismail Kadarenë e quajti armik të rrezikshëm të partisë. Vepra u dënua si armiqësore dhe kundërrevolucionare në një mbedhje të aparatit të Komitetit Qendror të PPSh, dorëshkrimi u gjykua i rrezikshëm prandaj kaloi nëpër duart e një numri shumë të kufizuar të zyrtarëve të lartë. Kadare u akuzua se kishte shkruar një poemë armiqësore, kundërrevolucionare, kundër Partisë, kundër diktaturës së proletariatit dhe kundër Enver Hoxhës.

Autori u syrgjynos në Myzeqe dhe iu ndalua botimi i romaneve të reja. Dorëshkrimi origjinal iu konfiskua autorit dhe është zhdukur përgjithnjë ndërsa teksti i daktiloshkruar i poemës u zbulua në vitin 2002 dhe u botua për herë të parë.

Analiza[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në këtë vepër Kadare akuzon rrethin e Enver Hoxhës se mbanin përgjegjësi për problemet në vend. Poema i përket traditës së "letërsisë politike të Europës Qendrore".[1] Ky produkt letrar i absolutizmit iluminist, synonte të përmirësonte politikën duke i bërë thirrje sovranit të spastronte qeverinë nga shërbëtorët e tij të korruptuar. Poema nuk është sulm i drejtpërdrejtë kundër Enver Hoxhës, por sulm kundër Partisë, Byrosë Politike dhe nomeklaturës. Hoxha shfaqet si "sundues i mirë" i cili mbron interesat e popullit nga zyrtarët e korruptuar. Mirëpo thelbi i kësaj tradite të shkrimit ishte se kuptohej se vetë sistemi ishte i korruptuar dhe me plot të meta, sado që sunduesi është "i mirë".[1] Byrokratët komunistë në poemë paraqiten me duar të përgjakura.[2]

Ndalimi[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Kadare e shkroi këtë poemë në janar 1974 dhe e çoi për botim në gazetën "Drita" në tetor 1975. Poema ishte paraparë të zinte vendin kryesor në faqosje të gazetës, mirëpo në mesnatë teksa shtypej, e lexoi kryeredaktori i gazetës dhe pezulloi botimin.[3][4] Dritëro Agolli e informoi Pirro Kondin, anëtar i Komitetit Qendror për këtë poemë duke shtuar se Kadareja aty tregon se "Partia nuk është më në gjendje të qeverisë". Poema u hoq nga shtypi dhe autorit iu sekuestrua origjinali.[4][5]

Kadare u thirr për të bërë autokritikë në aparatin e Komitetit Qendror, në një mbledhje të drejtuar nga vetë Ramiz Alia, ku qenë të pranishëm funksionarë të KQ të PPSH, të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Ministrisë së Arsimit. Procesverbali i mbledhjes u bë publik në vitin 2011 dhe në të Alia e akuzoi Kadarenë se:[6]

[...]E tërë poezia është e konceptuar me një frymë armiqësore, kundër-revolucionare, kundër vijës së Partisë dhe diktaturës së proletariatit. Që nga kreu deri në fund kjo poezi ka sulme kundër regjimit socialist, ndërsa komplotistët as që zihen në gojë. Thelbin e poezisë e përbën mendimi se regjimi socialist është i krimbur që nga lart e deri poshtë. Nga ana tjetër në poezi i mëshohet idesë se ky regjim është regjim burokratik, i cili i ka duart të lyera me gjak. Pankartat dhe heronjtë e punës, gazetat e telegramet e urimit, "janë të gjitha blof". Bile Kadare revoltohet e proteston "Mjaft me këtë qeshje dashamirëse" sepse ai i sheh "të kobshëm, me duar të përgjakura gjer në bërryle" njerëzit në fuqi.[...] Në fakt, pra, edhe figura e shokut Enver atakohet, sepse ai "i pari i pa". Por atëherë lind pyetja pse s'i pa më parë? Pse i lejoi, meqë ai është në udhëheqje? Si përfundim: poezia është armiqësore e kundërrevolucionare. Ajo duket sikur u drejtohet armiqve të brendshëm, sidomos atyre të jashtëm, por u drejtohet për t'u thënë se këtu çdo gjë është e kalbur, lart e poshtë, se regjimi mbahet në këmbë me gjak.[...]»

Në analiza të tjera të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të KQ të PPSH, prirjet e Kadaresë "për të dalë autoritet mbi Partinë" u krahasuan me prirjet e puçistëve në ushtri dhe të komplotistëve në ekonomi.[7]

Kadare u detyrua të paraqiste autokritikë edhe përpara organizatës bazë të partisë në Lidhjen e Shkrimtarëve. Ai pranoi se kishte shkruar një vepër "armiqësore, kundërrevolucionare, kundër vijës së Partisë, Diktaturës së Proletariatit dhe popullit".[5] Në autokritikë nuk kurseu kundër vetes as fjalët më të rënda.[4] Për tu bërë sa më bindës dhe për të shpëtuar me dënim sa më të lehtë, u thellua duke bërë autokritikë retrospektive për vepra të mëparshme.[8] Poema u ndalua.[9] Dorëshkrimi i poemës kaloi në fare pak duar, madje as funksionarëve të lartë të PPSH dhe Lidhjes së shkrimtarëve nuk u është dhënë, dhe nuk e njihnin, duke e gjykuar të rrezikshme dhe infektuese ideologjikisht. Dorëshkrimi origjinal që iu konfiskua autorit është zhdukur përgjithnjë dhe mbijeton vetëm teksti i daktiloshkruar që u dorëzua në gazetën Drita.[10]

Si ndëshkim, Kadaresë iu ndalua botimi i romaneve të reja,[9] u syrgjynos fillimisht në Fier, e më pas në moçalet e Myzeqesë, ku duhej të hiqte dorë nga shkrimi dhe të mësonte të "kontribonte në mënyrë produktive në të mirën e kombit".[11] Biseda për poemën ose vetë përmendja e saj ishte e ndaluar gjatë kohës së komunizmit, madje edhe për vetë Kadarenë.[12]

Pas komunizmit[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Pas rënies së sistemit, kritikët e Kadaresë kanë hedhur dyshime mbi ekzistencën e poemës, duke e akuzuar atë se e kishte shpikur pas 1990-tës për ta paraqitur veten si disident.[5] Helena Kadare, bashkëshortja e autorit në lidhje me këtë shkruan:

Detraktorët e tij, sa herë që binte fjala për këtë vjershë, e quanin atë si një fantazi të shkrimtarit. Disa arritën deri atje, sa ta quajnë lavdërim për diktaturën, madje u tha se shkaku i zemërimit kundër Is., ishte se regjimit nuk i pëlqenin lavdërimet e tepruara, ndaj deshi ta dënonte shkrimtarin për këtë!

— Helena Kadare, Kohë e pamjaftueshme: kujtime (Onufri 2011, fq.339)

Madje edhe historiani Noel Malcolm e quajti poemën në shtypin amerikan "fantazi të I.K.".[12] Përveç kësaj, për poemën ishte spekuluar edhe se nuk ishin byrokratët ata që Kadare i kishte paraqitur me duar të përgjakura, por ishin "komplotistët".[2]

Mirëpo në vitin 2002 poema u zbulua në arkivin e shtetit dhe u botua me miratimin e autorit.[5] Pas botimit të poemës, ajo filloi të sulmohej se ishte "vepër tipike e realizmit socialist". Në shtyp u shtrua pyetja se nëse poema ishte "vepër tipike e realizmit socialist" atëherë përse kishte ngjallur zemërim aq të madh te shteti kundër autorit.[2]

Me publikimin e disa dokumenteve nga arkivat e shtetit në vitin 2011 doli në dritë edhe qasja zyrtare e shtetit ndaj poemës. Në vitin 2018 u publikuan edhe shënimet e ditarit të Enver Hoxhës ku analizonte poemën.

Reagimi i Enver Hoxhës[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Sipas Vahid Lamës, sekretarit personal të Hoxhës, poemën ia kishte lënë mbi tavolinë Ramiz Alia dhe pastaj kishte dalë nga zyra, kështu që kur hyri sekretari, Enveri sapo kishte përfunduar leximin e poemës dhe shpërtheu:

Merri këto shënime dhe jepja Nexhmijes për t’i sistemuar diku në arkiv. Janë disa gjykime të miat për Ismail Kadarenë, që u dashka ta mbash nga xhaketa për të mos u gremisur në ato humnerat e fantazisë së tij të sëmurë. Ai shkruan për “Pashallarë të Kuq”, po cilët qenkan këta? Anëtarët e Byrosë Politike?! Sigurisht ai kështu mendon. Por ajo mendja e tij, e pleksur me kozmopolitizëm, më pas do t’i pjellë që të shkruajë edhe për “Sulltanin e Kuq”! Hajde shkrimtar, hajde! Ai është një armik i rrezikshëm i partisë. E kemi përkëdhelur shumë, por tani me këto “Pashallarët e Kuq” durimi ynë është sosur, ai do të japë llogari. Poema e tij është akuzë e rëndë për udhëheqjen e partisë, ajo është një trakt i zi, që bën thirrje për kryengritje, është një vepër makabre.:— Enver Hoxha[13]

Lama thekson se Enveri "ishte nxirë në fytyrë" dhe shton se "rrallë herë më kishte takuar ta shikoja në atë gjendje aq të shqetësuar". Për Kadarenë thotë se mendoi se kësaj here vërtet do ta pësonte dhe se "lart e poshtë thuhej gojë më gojë që arrestimi i Kadaresë ishte çështje ditësh".[13] Për më tepër, në tekstin e poemës vetë Hoxha kishte shkruar “Ismail Kadareja të shkojë në burg!”.[14]

Trashëgimia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Pas dërgimit të Ismail Kadaresë në Myzeqe, i vdiq babai. Sipas tij, i ati e dinte të internuar ose më keq, dhe kishte vdekur me atë mendim në kokë.[15]

Për të kapërcyer ndalesën e botimit të romaneve të reja, e cila qe pjesë e ndëshkimit, i maskoi ato si novela duke i ngjeshur në një përmbledhje novelash.[9] Kësodore u botuan vëllimet me novela: Ura me tri harqe më 1978, Gjakftohtësia më 1980 dhe Koha e shkrimeve më 1986.

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ a b Peter Morgan (2011). Ismail Kadare: shkrimtari dhe diktatura, 1957-1990. Tirana: Shtëpia botuese 55. ff. 164–165.  9789928106124.
  2. ^ a b c Kadare, Helena (2011). Kohë e pamjaftueshme. Onufri. ff. 341–342.
  3. ^ Haliti, Faslli (24 tetor 2014). "Intervista/ Poeti Faslli Haliti: Ismail Kadare është gjeni. Nuk njoh asnjë gjeni servil". Res Publica. Marrë më 10 nëntor 2017.
  4. ^ a b c Sinani 2011, p. 287.
  5. ^ a b c d Peter Morgan (2011). Ismail Kadare: shkrimtari dhe diktatura, 1957-1990. Tirana: Shtëpia botuese 55. ff. 165–168.  9789928106124.
  6. ^ Sinani 2011, p. 243.
  7. ^ Sinani 2011, p. 250.
  8. ^ Sinani 2011, p. 285.
  9. ^ a b c Fayé, Éric (1993). Kadaré, Ismail (red.). œuvres completes: tome 1. Editions Fayard. ff. 10–20.
  10. ^ Sinani 2011, p. 257.
  11. ^ Peter Morgan (2011). Ismail Kadare: shkrimtari dhe diktatura, 1957-1990. Tirana: Shtëpia botuese 55. f. 175.  9789928106124.
  12. ^ a b Kadare, Helena (2011). Kohë e pamjaftueshme. Onufri. f. 339.
  13. ^ a b Lama, Vahid. "Rroftë Nexhmija, poshtë Kadare!"". Gazeta Shqip. Marrë më 10 nëntor 2017.
  14. ^ "Vreri i Enverit pasi lexoi "Pashallarët e kuq": Durimi mori fund, Kadare, në burg". Panorama Online. 27 gusht 2012. Marrë më 10 nëntor 2017.
  15. ^ Sinani 2011, p. 345-346.

Bibliografia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  • Sinani, Shaban (2011). Letërsia në totalitarizëm dhe "Dossier K". Naim Frashëri.
  • Morgan, Peter (2011). Kadare: Shkrimtari dhe diktatura 1957-1990 (bot. 1)). Tiranë: Shtëpia Botuese "55".  978-9928-106-12-4.
  • Kadare, Helena (2011). Kohë e pamjaftueshme. Tirana: Onufri.  978-99956-87-51-9.