Muhamet Kyçyku

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Jump to navigation Jump to search

Muhamet Kyçyku (1784-1844) është një ndër poetët bejtexhinj më të njohur dhe njëherit konsiderohet si pikëkalim nga vargu i vjetër në atë rilindas shqiptar.

Jeta[redakto | përpunoni burim]

Muhamet Kyçyku lindi në Konispol në 9 korrik të vitit 1784, po nuk dimë shumë për fëmijërinë e tij të hershme. Kemi njohuri të mëvonshme për studimet në Egjipt, të cilat zgjatën 11 vjet ku edhe u njoh me një numër të madh bashkëkombësish që punonin dhe jetonin atje. Me të kryer studimet teologjike u kthye në fshatin e lindjes dhe u vu në shërbim të fesë si imam.

Vepra kryesore e Kyçykut është "Erveheja", që është edhe hapi i parë voluminoz i bejtexhinjve, por mendohet se "Jusufi dhe Zylihaja" është më e mbushur në pikëpamjen e përshkrimit të ngjarjes e sidomos pasqyrimi i pasioneve të Zylihasë është shumë i bukur.

Kyçyku u mor me përkthime dhe përmendet Mevludi i përkthyer nga arabishtja i shkrimtarit berber Al Busiri.

Qëndrime letrare[redakto | përpunoni burim]

Në letërsi, Kyçyku zë vendin e merituar të pikënisësit dhe pikëkaluesit nga klasika bejtexhiane në poezinë e Rilindjes Kombëtare. Ai është gjithashtu i pari ndër shqiptarët të ketë shkruar poemë voluminoze. Sikur të gjithë bejtexhijtë, e që nga fillimi i këtij lloji letrar, shumë ide e tema merreshin nga librat fetarë dhe nga themelet e moralit dhe virtytit fetar islam. Kur bisedojmë për moralin e gruas dhe burrit, duhet vënë në dukje se është i famshëm respekti bashkëshortor ilir dhe para shqiptar që në kohërat pagane kështu që bejtexhinjtë, e në këtë rast Muhamet Çami vetëm ngrinte lart besnikërinë iliro-shqiptare dhe natyrisht atë islame të relacioneve familjare.

Brendia e poemës Erveheja (në fillim Ravda) se Çamit duhet të ketë qenë e njohur në trojet tona sidomos pas pranimit të Islamit nga shkaku se kjo temë, në variante të afërta, ka arritur në fillim nga Persia e më vonë edhe nga turqit si letërsi gojore dhe në raste më të rralla edhe në forma të shkruara së paku në gjuhën turke. Nuk kemi dokumente të shkruara për të vërtetuar këto të dhëna, por nëse nisemi nga fakti se shumë shqiptarë, pas pranimit të fesë islame shkolloheshin në vise të ndryshme të perandorisë turke, bënë reale mundësitë e përhapjes së literaturës arabe, perse gjegjësisht asaj turke në Ballkan. Nga sanskritishtja kemi shkrimin "Shukasaptati" nga mori idenë dhe frymëzimin poeti Pers Zijauddin Nakshabi dhe shkroi Tutinamen e tij, prej nga, Kyçyku ndërtoi mjaft bukur, historinë me tipare të gruas luftëtare shqiptare në mbrojtje të nderit. Dhe Erveheja e mbrojti me guxim pa u trembur as nga vdekja. Në këtë mënyrë ajo arrin të lundrojë nëpër shtrëngatat që i sillte jeta gjer në momentin fatlum të ngadhënjimit mbi padrejtësitë dhe në ngadhënjimin e të vërtetës mbi dredhitë dhe pasionet e errëta të kunatit, pasanikut, shërbëtorit dhe hajnit.

Sa i përket veprës "Jusufi dhe Zulihaja", dimë së është një ngjarje për të cilën flitet në librat e shenjtë : Teurat, Inxhil dhe Kur’an në suren "Jusuf". Janë të njohura veprat e shkruara nga këto inspirime fetare në literaturën orientale e më gjerë. Në persisht, në një mënyrë shumë të bukur shkruajtën Firdeusi (935-1020) (persisht), mistiku Xha’ami, (1414-1492) dhe në turqisht Hamdullah Hamdi 1449-1508) e shumë të tjerë.

Kyçyku këtë ngjarje të vërtetë të treguar në librat e shenjtë që janë fjalë të Zotit, e rreshtoi në poemë, me një gjuhë edhe pse të rënduar me fjalë të huaja, të kuptueshme dhe në nivel më të lartë poetik se Erveheja.

Veprat tjera të Kyçykut janë poema me tematikë antialkoolike Bekriu (1824), ajo historike nga viti 1826 për Ibrahim Pashën, fushatat e lavdishme të mbretit të Egjiptit Muhamed Aliut kundër rebelimit grek dhe poemën që merret me hallet e atyre që detyroheshin të kërkojnë kafshatën e bukës dhe fitimin larg vendlindjes – Gurbetlitë.

Kyçyku u mor edhe me përkthime nga arabishtja dhe turqishtja e ndër përkthimet më të njohura është padyshim Mevludi i shqipëruar Kasidatu’l Burda nga Al Busiri (?-1296).

  • Më 1888 në Bukuresht, Jani Vreto (1822-1900) e botoi Ervehenë të adoptuer në si përrallë dhe të pastruar nga fjalët arabe, persishte dhe turke por megjithatë origjinali ngeli më i kuptueshëm dhe më lirik.
  • Ahmet Qirezi (1966) botoi në « Jehona » (Shkup, 1978 ; ribotuar më 2007) dramën « Erveheja » me motive nga poema e njëjtë e Kyçykut duke e përshtatur shumë bukur për skenë.

Lidhje të jashtme[redakto | përpunoni burim]