Jump to content

Hasan Prishtina

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Hasan Bej Prishtina)
Hasan Prishtina
Kryeministër i Shqipërisë
Në detyrë
7 dhjetor – 12 dhjetor, 1921
Paraprirë ngaQazim Koculi
Pasuar ngaIdhomene Kosturi
Ministër i Bujqësisë
Në detyrë
15 shtator – 10 tetor, 1913
Paraprirë ngaPandeli Cale
Pasuar ngaQemal Karaosmani
Ministër i Punëve të Brendshme
Në detyrë
5 shtator – 20 nëntor 1913
Paraprirë ngaEsad pashë Toptani
Pasuar ngaFejzi bej Alizoti
Ministër i Postë-Telegrafave
Në detyrë
14 mars – 20 maj 1914
Paraprirë ngaLef Nosi
Pasuar ngaMit'hat Frashëri
Të dhëna vetjake
U lind më27 prill 1873
Vushtrri, Perandoria Osmane, sot Kosova
Vdiq më13 gusht 1933
Selanik, Greqi
NënshtetësiaShqiptar
Bashkëshortja/etIkballe, çerkeze (vd. qershor 1931)
PunësimiPolitikan, Jurist
Nënshkrimi

Hasan bej Prishtina, i njohur dhe si Hasan Berisha (Turqisht: Priştineli Hasan Bey, Hasan Bey Priştine and Volçetrinli Hasan Bey; Vuçitern, 1873 - Selanik, 13 gusht 1933) ka qenë politikan shqiptar në Perandorinë Osmane, ndër krerët e disa kryengritjeve gjatë periudhës parlamentare osmane duke bërë që me Kryengritjen e vitit 1912 të fitonte autonominë e Vilajetit Shqiptar. Lufta ballkanike nuk i la mundësi jetëgjatësie arritjes së tij dhe pas pavarësisë së Shqipërisë u emërua ministër në qeverinë e parë dhe më pas kryeministër.[1]

U lind në Vushtrri në 1873-shin, i ati ishte zhvendosur në qytet për një post në administratën e ushtrisë osmane[2] Familja e tij ishin bejlerët e Vushtrisë, dera e tyre ka qenë një familje e nderuar spahinjsh vendas.[3] Në 1921-shin në kujtimet e tij për Kryengritjen e 1912-shit shkruan se 150 vjet më parë, gjyshi i tij Haxhi Aliu i Abdullah Ali Berishës nga Polanca e Drenicës dhe u vendos në Vuçiternë.[4] Sipas Prishtinës, lidhjeve të familjes me Drenicën i kushtoheshin këngë.[5] Haxhi Aliu kishte tre djem: Mehmetin, Mahmutin dhe Ahmetin. Mehmeti la pas vetes Sylejman agën, i cili në 1898-n arriti të fitojë titullin pashë. Mahmuti la një djalë, Zejnullah bej Vuçiternën. Ahmeti pati dy djem: Hasanin dhe Ymerin.

Ahmeti, në ortakëri me Ismail pashë Saraçin nga Dibra duke kontraktuar nozullimin e ushtrisë osmane, grumbulloi pasuri tepër të madhe në pak vjet.

Mësimet e para Hasani i kreu në vendlindje. Vazhdoi shkollimin në gjimnazin frëng të Selanikut, më pas në Stamboll u shkollua në kolegjin administrativ (Mülkiye-i Sultaniye)[2] ku u diplomua për drejtësi.[6] Në Stamboll ra në kontakt me nacionalistët shqiptarë dhe më pas iu bashkua xhonturqve, sepse besonte se me fitoren e tyre kombi shqiptar do të merrte autoniminë brenda Perandorisë Osmane.[2] Pas përfundimit të shkollës punoi në Shkup.[6] Edhe sot ekziston një shkollë në Prishtinë që mban emrin e tij. Universiteti i Prishtinës, tani quhet Universiteti "Hasan Prishtina"

Revolucioni Xhonturk

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Sipas disa burimeve, mori pjesë në Kuvendin e Ferizajt ku ulematët dhe paria shqiptare u mblodhën për të përkrahur rikthimin e kushtetutës dhe ishte pikënisja e Revolucionit Xhonturk.[2]

Dhjetorin e 1908-s u zgjodh deputet i Sanxhakut të PrishtinësMexhlisin Osman, arsye për të cilën mbiemri i tij ndryshoi, burimet turke e quanin Priştineli dhe Volçitirnli Hasan.[2] Përkrahu partinë e xhonturqve në parlament,[7] deri në fushatat e xhonturqve në vilajetin e Kosovës e bënë që të shkruante artikullin "Shqiptarët" në gazetën Tanin. Theksonte se përdorimi i forcës nuk do të sillte paqe e rend dhe se do të duheshin reforma si të Mid'hat Pashës.[8] Si parlamentar Prishtina i shihte shqiptarët si pjesë të procesit të vendimmarrjes në perandori dhe perandorinë e shihte si shoqëri aksionere, ku të gjithë kishin pjesën e tyre dhe askush nuk meritonte trajtim të parapëlqyer.[9] Gjatë përpjekjeve për një alfabet latin të shqipes, e mbrojti këtë në gazetat e Stambollit dhe i kundërshtoi në parlament ndërhyrjen e qeverisjes qendrore në këtë çështje. Nëntorin e 1909 u bë anëtar i kryesisë së partisë liberale drejtuar nga Ismail Qemal bej Vlorës.[2]

Ishte ndër konspiruesit dhe organizatorët e kryengritjes së 1910 me Hoxhë Said efendiun, Nexhip bej Dragën, Isa Boletinin, Mehmet pashë Derallën, Rexhep Mitrovicën, Bedri Pejanin, Salih Gjukën dhe Idriz Seferin.[10] Nga fundi i 1911 iu bashkua partisë "Liri dhe Marrëveshje", i të cilës ishte ndër bashkëthemeltarët; parti e cila ishte për Otomanizmin, decentralizim të qeverisjes si dhe për të drejtat e minoriteteve.[11] Në 1911-n shkroi një kapitull për Kryengritjen e Malësisë së Madhe në librin Musaver Arnavud e redaktuar dhe botuar në osmanisht nga Dervish Hima, ku Prishtina nënvizoi detyrën e tyre të rëndësishme për mbrojtjen e kufijve.[12] Këtë periudhë udhëtonte shumë me Nexhip bej Dragën në vilajetin e tyre për të hapur shkolla shqipe apo së paku për të përkrahur futjen e teksteve shqipe ndër shkollat osmane.[2]

Pasi u pa se në rrugë parlamentare Porta nuk do të bindej t'i jepeshin të drejtat kombëtare kombit shqiptar. Përveç deputetit të Pejës, Ibrahim Efendiut dhe atij të Elbasanit, Haxhi Ali Efendiut deputetë, anëtarë të parisë dhe personalitete u mblodhën në shtëpinë e Reshit Aqif Pashës, e një herë tjetër në shtëpinë e Halil pashë Alizoti-Gjirokastrës dhe disa herë në shtëpinë e Syrja bej Vlorës.[13] Pasi zërat e Ismail Qemalit, Hasan bej Prishtinës e Myfid bej Libohovës që qeveria t'i thërriste arsyes dhe mos hidhte farën e përçarjes, u përbuzën dhe nuk u la vend për arsyetim, kësodore deputetët shqiptarë më vete u mblodhën për t'u besatuar në shpëtimin e kombit dhe atdheut.

Komploti i Taksimit dhe kryengritja

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Shiko edhe: Kryengritja e vitit 1912

Pas një takimi në hotelin "Pera Palace" mes tij dhe Ismail Qemalit, më 12 janar u mblodhën në shtëpinë e Syrja bej Vlorës në lagjen "Taksim" deputetët e Beratit Ismail Beu dhe Aziz pashë Vrioni, deputeti i Gjirokastrës Myfid bej Libohova, deputeti i Durrësit Esad pashë Toptani dhe i Prishtinës, Hasan Beu. Deputetët shqiptarë, pasi kuvenduan mbi masat që kërkonin nevoja e rrethanave lidhën besën, duke u betuar mbi kuran për sakrificat e mëtejshme që do të ndërmerreshin në dobi të kombit e atdheut të tyre.[13] Ismail Qemali dha fjalën se do të ndihmonte me armë dhe të holla që kryengritja mbarëshqiptare ta mbante nën trysni Portën deri kur të bindej për dhënien e lirive kombëtare. Lidhja mes lëvizjes në terren dhe Ismail Qemalit jashtë shtetit u vendos të mbahej përmes konsullit britanik në Shkup.[14]

Më 23 prill 1912 njerëzit e tij nisën kryengritjen në Malësinë e Gjakovës dhe u përhapën më tej.[15] Më 21-25 maj tuboi krerët në kuvendin e Junikut ku u dha besa dhe u nënshkrua një shpallje,[16] për t'i shpallur luftë qeverisë xhonturke përmes kryengritjes së armatosur në Vilajetin e Kosovës.[15][17][18] U propozoi kryengritje të bashkërenduar komitëve bullgaro-maqedonë, gjithashtu të pakënaqur nga regjimi xhonturk, por u pengua nga Sofia duke pasë në plan Aleancën Ballkanike.[17] Prishtina mori pjesë aktive në kryengritje[19][20] dhe formuloi kërkesat për autonominë e Vilajetit Shqiptar që iu paraqitën autoriteteve osmane gushtin e 1912-s, të ashtuquajturat Katërmbëdhjetë pikat e Hasan Prishtinës.

Sipas burimeve angleze pas pushtimit të Shkupit, prijësi i kryengritjes Prishtina kishte si qëllim kryesor të saj rënien e Komitetit Xhonturk dhe kërkonte më tepër garanci se shqiptarët nuk do të trajtoheshin në të ardhmen ashtu si në të shkuarën.[21] Nga 14 gushti pas zvarritjeve, sepse parlamenti osman ishte shkrirë, autoritetet osmane më 4 shtator pranuan 12 nga 14 pikat e parashtruara nga paria e kryengritjes si hap i parë i njohjes së autonomisë të Vilajetit Shqiptar.

Lufta Ballkanike dhe pavarësia

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Me shpërthimin e Luftës së Parë Ballkanike, Prishtina dhe Draga i bënë thirrje Fuqive të Mëdha që shqiptarët nuk ishin pro Perandorisë Osmane, por për integritetin territorial kombëtar, por e gjitha ishte e kotë. Gjysmën e dytë të tetorit 1912 trupat serbe kishin pushtuar vilajetin e Kosovës dhe Prishtina me Dragën u arrestuan dhe i çuan në Beograd. Si pasojë e shumë protestave, u liruan dhe u mërguan jashtë vendit. Më 16 korrik 1913 me shtatë shoqërues kaloi nga Italia në Vlorë, i papajtuar me vendimet e Konferencës së Londrës për aneksimin e Kosovës nga Serbia. Në shtator iu ngarkua Ministria e Brendshme dhe disa ditë më tej ajo e Bujqësisë në qeverinë e Vlorës.[2]

Tetorin e 1913, qe ndër 60 firmëtarët e një memorandumi në të cilin i paraqiteshin një radhojë ankesash kreut të qeverisë së Vlorës.[22] Në nëntor të 1913 iu bashkua Esad pashë Toptanit dhe shkurtin e 1914 ishte pjesë e delegacionit që shkuan në Neuwied për t'i dorëzuar kurorën Princ Vidit.[23] Ditën e ardhjes së Vidit në Durrës qe gjithashtu në shoqërinë e Esad Pashës dhe Xhemil bej Vlorës e Mihal Turtullit.[24] U emërua ministër i Postë-Telegrafeve në kabinetin e Turhan pashë Përmetit.[6]

Gjatë Luftës së Parë Botërore u kthye në Kosovë dhe organizoi njësi vullnetarësh për të luftuar përkrah trupave austro-hungareze.[25][26] U dekorua më 1916 me urdhrin austro-hungarez të Franc-Jozefit, me shenjat e oficerit të madh (Gross-Offizier). Kishte marrëdhënie të ngushta me Ballplatz-in për çështjen e Shqipërisë.[27]

Gjatë kësaj kohe bëri përpjekje për të riaktivizuar Lëvizjen Kombëtare, më 1915 hapi shkollën fillore në Vushtrri, ku qe formuar orkestra muzikor.[28] Veproi gjithashtu në Shkup e rrethinë që ishte pushtuar nga Bullgaria, ku, më 1917, u burgos nga policia bullgare. Hasan Prishtina, u arratis nga burgu pasi theu dritaren e qelisë duke shpëtuar nga zhdukja e sigurt; në këtë rast ai dëmtoi rëndë njërën këmbë nga e cila do të vuajë shumë kohë.[29]

Pas ripushtimit të Kosovës nga trupat serbe në 1918-n shkoi në Vjenë e më pas në Romë ku ishte në kontakt me kundërshtarët malazez, maqedon e bullgar të Mbretërisë së re Jugosllave. U emërua në krye të dërgatës së Komitetit "Mbrojtja Kombëtare e Kosovës"Konferencën e PaqesParis ku do të kërkonte bashkimin e viseve shqiptare të ish-Vilajetit të Kosovës me shtetin shqiptar. Megjithëse dërgatës së Komitetit nuk i jepej e drejta të merrte pjesë në diskutime,[30] Prishtina i shkroi një telegram presidentit të ShBA, Wilson.[28]

Karriera politike në Shqipëri

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Mori pjesë aktive në përgatitjen dhe organizimin e Kongresit të Lushnjës në 1920-n.[31] Pas një takimi me pakicat kombëtare të Jugosllavisë në Fiume, nën drejtimin e D'Annuncios, në korrik të vitit 1920, u sigurua një vapor me armë me ndërmjetësinë e D. Mitrovicës, por kryeministri Delvina nëpërmjet Sejfi Vllamasit e Xhemal Naipit, të mbështetur nga forcat ushtarake në vend, nuk lejuan shkarkimin e vaporit në Shëngjin, duke shkaktuar kështu një thyerje të marrëdhënieve mes grupit me ide irredentiste me qeverinë dhe figurën e Zogut.[32]

Në prill të vitit 1921 u zgjodh deputet i Dibrës në parlamentin shqiptar.

Në dhjetor të vitit 1921 pas një grusht shteti me M. Krujën, Q. Koculin e Prishtinës shkaktuan dorëheqjen e qeverisë Evangjeli. Pas qeverisë gjashtorëshe të Koculit, emërohet kryetar i një qeverie që zgjati pesë ditë. Mori pjesë sërish në një lëvizje kryengritëse në shkurt-marsin e vitit 1922, e shtypur energjikisht nga qeveria Ypi dhe min. i Brendshëm Ahmet Zogu.[31] pas së cilës u zëvendësua në postin e deputetit[1]. Pas implikimit me veprimet e marsit, kalon në arrati së bashku me Z. Dibrën e H. Currin nëpër malet e Shqipërisë. Në vitet 1922-'23 Prishtina shihet të lëvizë në ms zonave të Pukës, Dibrës, Kukësit, etj. Në janar 1923 njoftohej se zyrat shtetërore në Kukës e Krumë qenë pushtuar prej Hasan Prishtina. Qeveria shqiptare ishte e gatshme ta linte të dilte jashtë vendit, por sipas njoftimit të dt. 2 maj 1923 të komandantit të operacionit, Preng Jaku, ai nuk bindej. Pas bisedimesh, më 25 gusht 1923 Prishtina del jashtë Shqipërisë me ndërmjetësinë e legatës italiane. Niset nga Shëngjini me avulloren "Galiopoli" në Itali, i shoqëruar nga Hysni Curri dhe 26 revolucionarë. Udhëtoi në Brindisi, Romë dhe Vjenë. Gjatë kohës së qëndrimit në Romë, mbajti lidhje me atasheun tregtar sovjetik.[33]

U kthye në Tiranë pas Lëvizjes së Qershorit. Në shtator të vitit 1924 në krye të një delegacioni në emër të komitetit "Mbrojtja Kombëtare e Kosovës" shkoi në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë ku protestoi kundër barbarizmave mbi popullsinë shqiptare të qarqeve shoviniste serbe në Kosovë.[30]

Pas dështimit të revolucionit të 1924-s u largua jashtë atdheut. Në shtator të vitit 1924 në krye të një delegacioni në emër të komitetit "Mbrojtja Kombëtare e Kosovës", shkoi, së bashku me Fan Nolin, Gurakuqin, Currin e PejaninLidhjen e KombeveGjenevë ku protestoi kundër barbarizmave mbi popullsinë shqiptare të qarqeve shoviniste serbe në Kosovë. Për këtë rast, Kolea, në gazetën dyjavore «L’ALBANIE», që dilte në Lozanë në frëngjisht, do të shkruante më 19 janar 1919 shkrimin: Une voix d’Albanie (Një zë i Shqipërisë), ndër të tjera thoshte:

« …Dans l’appel si noblement et si virilement patriote qu’on va lire, c’est la voix de tout le peuple albanais, depuis des siècles assoiffé de liberté et d’indépendance, qui retentit. Dans les circonstances actuelles, notre peuple ne pouvait trouver d’interprète plus fidèle et plus autorisé que le groupe de patriotes qui se pressent autour de M. Hassan Béy Prishtina, signataire, en leur nom, de la supplique à M. Wilson.

…Në apelin aq fisnikërisht e me aq burrëri atdhetare që do ta lexojmë, është zëri i gjithë popullit shqiptar, i etur qysh me shekuj, për liri dhe pavarësi, zë që jehon. Në rrethanat aktuale, populli ynë nuk do të gjente përfaqësues më besnik dhe më me ndikim se grupi i atdhetarëve që janë rreth z. Hasan Bej Prishtina, në kërkesën që i bëjnë Z. Wilson, në emër të tyre.[29]

Varrimi i Luigj Gurakuqit, në qendër Hasan Prishtinën duke e përshëndetur bashkëpatriotin e tij

Pas kthimit të Zogut me Triumfin e Legalitetit, Prishtina shtrëngohet të mërgojë edhe njëherë. Në ceremoninë mortore të GurakuqitBari, mban fjalën e rastit.[34]

Merr pjesë në formimin e një komiteti në Bari, i cili u ftua nga Noli e Boshnjaku që të bëhej një marrëveshje me Bashkimin Sovjetik, Prishtina dhe Bushati ishin kundër.[27] Nën drejtimin e tij, u themelua "Komiteti i Çlirimit të Kosovës" i cili veproi krahas Komitetit të Çlirimit Nacional. Meqë nuk mund të kthehej në Kosovë, u vendos në Selanik, ku bleu një pronë të madhe.[30]

Pretendohet se kundrejt Prishtinës janë ndërmarrë katër herë përpjekje për t'i bërë atentat.[35] Bashkëpunoi me rryma dhe shtete të ndryshme kundër Zogut, madje organizoi mjaft atentate kundër tij. Për një atentat të tillë u dënua me vdekje në mungesë më 6 qershor 1933 së bashku me 7 të tjerë të arratisur politikë.[31] Në ditarin e shërbimeve konsullore të Mbretërisë Shqiptare të vitit 1933 janë shënuar të gjitha lëvizjet e Hasan Prishtinës: më 10 janar ishte në Vjenë, më 16 mars në Bukuresht, më 1 prill në Sofje, më 11 prill në Selanik, më 1 maj në Stamboll, më 1 qershor në Vjenë, më 6 qershor në Budapest, më 23 qershor në Vjenë, më 30 qershor në Stamboll dhe më 1 korrik 1933 në Selanik. Konsulli Qemal Mesareja përcillte se Prishtina kishte dalë nga shtëpia e të vëllait, Ymerit, dhe ishte vendosur në hotelin "Astoria".[35]

Shtatorja e Hasan Prishtinës në Prishtinë

Sipas kujtimeve të veta dëshmon se ka shitur një pjesë të pasurisë së vet për të ndihmuar në blerjen e armëve për kryengritjen e 1912-s.[4] Me rastin e hapjes së Normales së Elbasanit, ndihmoi me shpenzime 50 studentë kosovarë që të shkonin e të shkolloheshin.[2] Drejtori i atëhershëm i Normales, Luigj Gurakuqi, do ta falënderonte në të përkohshmen "Bashkimi i Kombit" për kontributin e Prishtinës në arsim.[29] Gjatë mërgimit të fundit të jetës së tij, ndihmoi financiarisht të përkohshmen "Ora e Shqipnisë" që Dom Lazër Shantoja botonte në Vjenë.

Deri në vitet '60 konsiderohej si tradhtar në tekstet e historisë së Shqipërisë, por më pas ai u rehabilitua. Më 6 dhjetor 1977 u zhvillua ceremonia e rivarrimit të eshtrave të tij në qytetin e Kukësit.[31]

Ka lënë një varg artikujsh si edhe kujtimet e tij për kryengritjen e 1912-s që kanë vlerë për historinë shqiptare.

Më 4 maj 2014, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani vlerësoi pas vdekjes Hasan Prishtinën me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”.

  1. ^ a b Ligjvënësit Shqiptarë 1920-2005, përgatiti Diana Estrefi, Tiranë: Kuvendi i Shqipërisë, 2005.
  2. ^ a b c d e f g h i Kaleshi, Hasan. "Prishtina, Hasan Bey". biolex.ios-regensburg.de (në gjermanisht). Biographisches Lexikon zur Geschichte Südosteuropas.
  3. ^ Vlora, Eqrem bej (2003). Kujtime 1885-1925. Përkthyer nga Afrim Koçi. Tiranë: IDK. fq. 279–280. ISBN 99927-780-6-7.
  4. ^ a b Prishtina, Hasan (2009) [1921]. Nji shkurtim kujtimesh mbi kryengritjen shqyptare të vjetit 1912. Prishtinë: rrokullia.com. fq. 5nb. ISBN 9789951519021.
  5. ^ Xheladin Shala (2014). Hasan Prishtina: veshtrim i shkurtër atdhetarie. Instituti Albanologjik. fq. 65–70.
  6. ^ a b c Dervishi, Kastriot (2012). Kryeministrat dhe ministrat e shtetit shqiptar në 100 vjet. Tiranë: 55. fq. 209nb. ISBN 9789994356225.
  7. ^ Gawrych 2006, pp. 162, 202.
  8. ^ Gawrych 2006, p. 175.
  9. ^ Gawrych 2006, p. 188.
  10. ^ Kansu, Aykut (2000). Politics in Post-revolutionary Turkey, 1908-1913 (PDF) (në anglisht). Brill. fq. 381. ISBN 9789004115873.
  11. ^ Gawrych 2006, pp. 190, 202, 211.
  12. ^ Gawrych 2006, p. 185.
  13. ^ a b Vlora, Syrja bej (2013) [1921-1925]. Kujtime, nga fundi i sundimit osman në Luftën e Vlorës. Përkthyer nga Ali Asllani. Tiranë: Iceberg. fq. 37–9, 41–2. ISBN 978-9928-4140-4-5.
  14. ^ Prishtina, Hasan (2009). Nji shkurtim kujtimesh mbi kryengritjen shqyptare të vjetit 1912. Prishtinë: rrokullia.com. fq. 11, 15. ISBN 9789951519021.
  15. ^ a b Pearson 2004, p. 24.
  16. ^ Vlora, Syrja bej (2013) [1921-1925]. Kujtime, nga fundi i sundimit osman në Luftën e Vlorës. Përkthyer nga Ali Asllani. Tiranë: Iceberg. fq. 223–225. ISBN 978-9928-4140-4-5.
  17. ^ a b Skendi 1967, p. 427-428.
  18. ^ Gawrych 2006, p. 192.
  19. ^ Skendi 1967, p. 433.
  20. ^ Gawrych 2006, p. 202.
  21. ^ Архив на Македониjа, МФ – 1609, Public Record Office, London, FO.294/43.
  22. ^ Ikonomi 2016, pp. 201-202.
  23. ^ Ikonomi, Ilir (2016). Esat pashë Toptani: njeriu, lufta, pushteti. Tiranë: Uet press. fq. 274nb. ISBN 978-9928-190-91-8.
  24. ^ Ikonomi 2016, p. 285.
  25. ^ Ikonomi 2016, p. 382.
  26. ^ Elsie, Robert (2010). Historical Dictionary of Kosovo (në anglisht). London: Scarecrow Press. fq. 223–224. ISBN 9780810874831.
  27. ^ a b Kruja, Mustafa; Margjokaj, P. Paulin (2006). Letërkëmbim (1947-1958). Shkodër: Camaj-Pipa. fq. 321, 65. ISBN 99943-34-47-6.
  28. ^ a b Sinadinovski B., Hasan Priština, Shkup: Josif Bager, 2014.
  29. ^ a b c Pllana R., Hasan Prishtina - Ideologu kryesor i Shqipnisë etnike, albaniapress.com, 11 gusht 2013.
  30. ^ a b c Elsie R., Historical Dictionary of Albania, Scarecrow Press, 2010. fq. 370. ISBN 978-0-8108-7380-3
  31. ^ a b c d Dervishi K., Kryeministrat dhe ministrat e shtetit shqiptar në 100 vjet, Tiranë: "55", 2012. fq. 209. ISBN 978-99943-56-22-5
  32. ^ Vlora E., Kujtime, Tiranë: IDK, 2003, fq. 279-280, fq. 476. ISBN 99927-780-6-7
  33. ^ Dervishi K., Lëvizja komuniste në vitet 1924-1944 dhe formimi i PKSH-së, Tiranë: 55, 2016. fq. 15. ISBN 978-9828-106-38-4
  34. ^ Dervishi K., Plumba politikës... fq. 77-92.
  35. ^ a b Gjergji A., Si u vra patrioti i madh Hasan Prishtina, pashtriku.org, marrë më 18 janar 2018.