Shko te përmbajtja

Duboci

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Duboc
Gjytet
Fshat

Duboc është një vendbanim në komunën e Vushtrrisë, Kosovë. Në kohën e Perandorisë Osmane, në të folmen popullore, Kalaja e Dubocit dhe zona përreth saj ka qenë e njohur edhe me emrin Gjytet.[1]

Mbishkrime nga Kalaja e Dubocit

Duboci është një fshat në komunën e Vushtrrisë, i cili si vendbanim i hershëm i tipit kodrinor i takon grupit kulturor dardano–ilir, që daton nga shekujt VIII–IV p.e.s. Në këtë fshat gjendet Kalaja e Dubocit, e njohur edhe si Gjyteti, e ndërtuar mbi një kodër të ulët rreth dhjetë kilometra në jugperëndim të Vushtrrisë, pranë lagjes së Zuçakëve. Pozita e saj ka qenë strategjike, pasi kontrollonte rrugët që lidhnin Vushtrrinë me Drenicën.[2]

Gjatë ekspeditave arkeologjike janë zbuluar shtresa kulturore të epokës së hekurit, të periudhës ilire dhe romake dhe të mesjetës së hershme. Kalaja ka ruajtur gjurmë të dy fazave ndërtimore: Civilizimi A (shtresat e poshtme), i cili duket se u shkatërrua nga një zjarr, dhe Civilizimi B (shtresat e sipërme), i cili u ripërtëri disa herë. Nga struktura arkitektonike janë identifikuar themele muresh 3–4 metra të trasha, dy porta përballë njëra-tjetrës, korridore, dhoma dhe një gropë e madhe rreth 10 metra në diametër, e njohur nga populli si “Bunari i Gjytetit”.

Materialet e zbuluara përfshijnë qeramikë pa ornamente dhe vegla hekuri nga shtresa e hershme, ndërsa në shtresën e mëvonshme janë gjetur qeramikë me dekorime të tipit ilir, tulla, tjegulla dhe mbishkrime të gdhendura në mermer. Ndër gjetjet epigrafike veçohet një mbishkrim në gur mermeri me shënimet “BCEFILLICI”, “ANVS” dhe “FACIT”, që interpretohen si të lidhura me periudhën romake.[3]

Në dokumentet historike për herë të parë përmendet në vitin 1530 në kuadër të Sanaxhakut të Viçitrinës e po ashtu edhe në shkresën e relacionit të arqipeshkvit Pjetër Karagiqi të vitit 1725 kur përmendet si pjesë e misionarit apostolik të Pejës, dom Ndre Breçani.

  1. "Kalaja e Dubocit". Mapcarta (në gjermanisht). Marrë më 2025-09-05.
  2. "Kalaja e Dubocit". dtk.rks-gov.net (në shqip dhe anglisht). Marrë më 2025-09-05.
  3. Osmani, Jusuf (2008). Vendbanimet e Kosoves: Drenica. Autori. fq. 297–302.

Lidhje të jashtme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]