Jump to content

Aleksandër Stavre Drenova

Checked
Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Aleksandër Stavër Drenova)
Aleksandër Stavre Drenova
U lind më11 prill 1872
Drenovë, Perandoria Osmane
Vdiq më11 Dhjetor, 1947 (mosha 75 vjeçare)
Bukuresht, Rumani
Emri i letraveAsdreni
KombësiaShqiptar
Gjinitë letrarePoema, Poezi, Kritika

Aleksandër Stavre Drenova i njohur më së shumti me nofkën Asdreni (Drenovë, 11 prill 1872 - Bukuresht, 1947) ka qenë një poet, publicist dhe veprimtar i kolonisë shqiptare të Bukureshtit, që është edhe autori i Himnit të Flamurit, që është himni kombëtar i Shqipërisë.

Lindi më 11 prill 1872 në Drenovë (Pipa e cilëson atë fshat bullgar),[1] 5 km larg Korçës. Në fshatin e lindjes ndoqi shkollën fillore në gjuhën greke dhe sapo kishte nisur gjimnazin në Korçë kur i ati i ve Stavri Thimiu vdiq, duke e lënë kështu trembëdhjetëvjeçarin jetim.[2]

Vjeshtën e vitit 1885, me dy vëllezërit më të mëdhenj mbërritën në Bukuresht. Punoi në fillim si qymyrxhi e çirak, më pas ndoqi studimet në mënyrë private dhe për një kohë të shkurtër pranë Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit të Bukureshtit. Në janar 1899, qe ndër themeluesit e Qarkut të studentëvet shqiptarë, i cili në mars të 1902-shit u shndërrua në shoqëri me emrin Shpresa, e themeluar nga Asdreni dhe nga shoku i tij shkrimtar Kristo Dako.[2]

Verën e vitit 1899, kur ishte 27 vjeç, u kthye në Korçë duke kaluar nga Stambolli për ta vizituar vendlindjen për herë të parë si i rritur. Pasi ndenji 5 muaj në vatrën dhe mjedisin e fëmijërisë, u kthye në Bukuresht.[2]

Në 1905-ën ishte mësues në një shkollë shqipe në Konstancë, kurse 1 vit më vonë u bë kryetar i degës së re të shoqërisë "Dija" në kryeqytetin rumun, shoqëri e cila qe themeluar së pari në Vjenë. I entuziazmuar nga krijimi i shtetit të pavarur shqiptar, zbriti në Durrës pranverën e 1914-ës për të përshëndetur kryetarin e sapocaktuar të shtetit, princin Vilhelm Vid, nga i cili shpresonte të emërohej si arkivist në administratën e re mbretërore.[2]

Pas një vizite të shkurtër në Shkodër, u kthye në Bukuresht në korrik të 1914-ës. Vitet më pas vazhdoi të marrë pjesë në mënyrë aktive në lëvizjen kombëtare shqiptare. Në Rumani, pasi u hap konsullata shqiptare në mars 1922, u emërua sekretar i konsullatës. Bëri një vizitë tjetër në atdhe në nëntor të vitit 1937 me rastin e 25-vjetorit të Pavarësisë, me shpresë se pas kaq vjetësh shërbimi ndaj shtetit shqiptar do të merrte pension shtetëror. Ndenji ca kohë në Tiranë dhe pastaj bëri një vizitë në Shkodër, ku takoi Gjergj Fishtën në shkurt 1938.[2]

Në fillim përshëndeti pushtimin e Shqipërisë nga Italia në 1939-ën dhe shkroi Credere, obedire, combatere, por rrëmuja e shkaktuar nga pushtimi dhe lufta ia bëri fare të qartë dhe me dhimbje se shpresat për pension qenë të kota. Prandaj u kthye përsëri në Bukuresht në korrik të vitit 1939, ndërkohë që Evropa po përgatitej përsëri për luftë. Vdiq në skamje më 11 dhjetor 1947, në moshën 75-vjeçare.[2]

Busti i Asdrenit në fshatin e lindjes Drenovë, afër Korçës

Asdreni nisi të shkruajë poezi dhe të botojë artikuj që në fillim të shekullit XX.[2] Pjesë e poetëve që zbuloi apo botoi Faik bej Konica tek Albania.[3] Në 1904-ën botoi në Bukuresht përmbledhjen e tij të parë me 99 vjersha, Rrez diélli, që ndahet në 5 cikle: Atdhesie, Fushore, Mendimtare, Dashurie, Satirike, të ndara këto sipas tematikave të ndryshme. Rreze dielli ia kushtoi Skënderbeut. Vijoi traditat e poezisë së Naim Frashërit, lartoi dashurinë për atdheun, nxiti bashkatdhetarët të rreshtoheshin në luftën për çlirim nga zgjedha turke.

Vëllimi i dytë i Asdrenit, Ëndrra e lotë, e botuar në Bukuresht në 1912-ën, shfaq një pjekuri më të madhe. Kjo përmbledhje, po me 99 vjersha si e para, ndahet në 5 cikle: Atdheu, Natyra, Mendimi, Bukuria, Të Ndryshme dhe i kushtohet udhëtares dhe mikes së Shqipërisë Edith Durham.

Rritja e mjeshtërisë në formë, stil e teknikë dhe zgjerimi i gamës ideore e tematike bie në sy edhe më shumë në vëllimin e tretë poetik të Asdrenit Psalme Murgu, po në kryeqytetin rumun në vitin 1930. Psalme Murgu përbëhet nga katër cikle: Flaga e vatrës, Vallja e jetës, Ngjyra ylberi, Lule dhe gjemba. Asdreni rimerr të njëjtat tema, por i trajton në forma të reja poetike. Kjo vepër, sipas Elsie-t, shënjon hyrjen e frymës moderniste në letërsinë shqiptare.

Përgatiti vëllimin e katërt "Kambana e Krujës", të cilin nuk arriti ta shohë të botuar. Në këtë vepër patosi patriotik u rikthye si në veprën e parë, duke mpakur elementin universal të veprës pararendëse.[2]

Arshi Pipa vëren idilizmin e tij në paraqitjen e jetës fshatare, ka fjalë simpatie vezulluese për bujqit mëditës dhe rajatë sa herë që i bie rasti t'i përmendë ndër vjershat e tij.[1] Mendohet se tek poezia e tij në fillim reflektohet një kalim romanticizmi në realizëm, i ndikuar nga Emil Zola.[4] Sabri Hamiti sheh tek vepra e Asdrenit kalimin nga romanticizmi në trashëgimi të simbolizmit.[5]

Wikisource ka një koleksion punimesh të Autorit :
  1. ^ a b Pipa, Arshi (2014) [1978]. "Trilogia Albanica III: Albanian Literature: Social Perspectives" [Trilogjia Albanika III: Letërsia shqipe: Perspektiva shoqërore] (në anglisht). Përkthyer nga Primo Shllaku. Princi. fq. 112. ISBN 978-9928-4090-9-6.
  2. ^ a b c d e f g h Elsie, Robert (1997). Histori e Letërsisë Shqiptare. Përkthyer nga Abdurrahman Myftiu. Tiranë-Pejë: Dukagjini. fq. 179–180.
  3. ^ Skëndi, Stavro (2015). The Albanian National Awakening (në anglisht). Princeton University Press. ISBN 9781400847761.
  4. ^ Hanioğlu, M. Şükrü (2010). A Brief History of the Late Ottoman Empire (në anglisht). Princeton University Press. fq. 99. ISBN 9780691146171.
  5. ^ Hamiti, Sabri (2013). Letërsia moderne shqipe. Tiranë: Uet press. fq. 5. ISBN 9789995639457.