Sllobodan Millosheviç

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Sllobodan Millosheviq)
Jump to navigation Jump to search
Postier i baltosur i Millosheviqit

Sllobodan Millosheviç (ser.: Слободан Милошевић) ka lindur në Pozharevc, Jugosllavi20 gusht 1941 dhe ka vdekur në Hagë, Holandë11 mars 2006. Gjatä karrierës së tij politike, Millosheviqi mbajti postin e Presidentit të Republikës së Serbisë për periudhën 1989-1997, dhe postin e presidentit të Republikës Federale të Jugosllavisë për periudhën 1997-2000, kryetar i Partisë Socialiste të Serbisë nga krijimi i saj më 1992 deri në vitin 2001, dhe i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Rinia[redakto | redakto tekstin burimor]

Prindërit e Sllobodan Millosheviqit, Svetozar Milosheviq dhe Stanislava Milosheviq u divorcuan pak vite pas lindjes së Sllobodanit. Babai i tij, prift në Kishën Ortodokse Serbe kreu vetëvrasje në vitin 1962. Nëna, Stanislava, mësuese shkolle, do të kryejë vetëvrasje (varje) në vitin 1974. Gjatë viteve të gjimnazit, Millosheviqi e takon gruan e tij të ardhshme Mira Markoviq (Marković), figurë fondamentale e politikës Serbe në vitet 90 dhe inspiruese e rilindjes së nacionalizmit serb. Diplomohet jurist më 1964 në Beograd dhe i bashkohet Lidhjes Komuniste të Serbisë.

Millosheviqi filloi të punojë si funksionar në firmat shtetërore të Serbisë: së pari në kompaninë e gazit e pastaj në Beogradska Banka.

Historia[redakto | redakto tekstin burimor]

Rishfaqja e nacionalizmit serb[redakto | redakto tekstin burimor]

Ngritja e karrierës së tij fillon në vitin 1986: Millosheviqi zgjidhet kryetar i Lidhjes Komuniste të Serbisë, falë përkrahjes së Presidentit të Serbisë, Ivan Stambolliq (Stambolić), mikut të tij personal dhe tutorit politik. Vitet 90 karakterizohen nga ringjallja e nacionalizmit serb dhe për largimin nga modeli i Jugosllavisë titiste. Nacionalizmi merr hov kur më 24 shtator 1986 e përditshmja beogradase Veçernje Novosti (Večernje Novosti) publikon pjesë të një dokumenti të titulluar Memorandumi i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë (Memorandum SANU ose Memorandum Srpske Akademije Nauka i Umjetnosti). Në këtë vepër, të redaktuar nga intelektualët serbë të udhëhequr nga novelisti Dobrica Qosiq (Ćosić), përpunohet aktakuza kundër Titos për veprimtari antiserbe, dhe përshkruhet një projekt për eliminimin e plotë të Serbëve nga Kosova. Edhe pse elita komuniste distancohet nga ai memorandum, Millosheviqi heshti.

Marrja e pushtetit[redakto | redakto tekstin burimor]

Në mesin e viteve 80 situata paraqitej më e vështirë në Kosovë, me tensione ndërmjet serbëve e shqiptarëve, kurse në Kroaci dhe Bosnje-Hercegovinë situata ishte relativisht më e qetë. Më 1987 Presidenti i Republikës Socialiste të Serbisë, Stambolliq dërgon Millosheviqin në Kosovë për të dëgjuar ankesat e Serbëve kundër udhëheqjes partiake dhe shtetërore në Kosovë. Në një situatë të tensionuar, të krijuar artificialisht nga grupe të Serbëve, banorë të Kosovës, Milosheviqi deklaroi para turmës së Serbëve të mbledhur se “askush më nuk do të guxojë tju rrahë juve.”

Presidenca e Serbisë[redakto | redakto tekstin burimor]

I aftë për të drejtuar (nëse jo për të krijuar dhe nxitur ) ndjenjat e opinion publik serb, Millosheviqi pastron klasën e tërë politike serbe, nën akuzën për paaftësi. Më 1987 Stambolliqi detyrohet të japë dorëheqjen dhe Millosheviqi bëhet President i Republikës së Serbisë në vend të tij. Më 1988 acarohet edhe më tej situata në Kosovë dhe në republikat tjera, veçanërisht në Slloveni. Ndërsa Millosheviqi mbështeste një model centralist në planin ekonomik dhe politik, në drejtim të të cilit do të ishte Serbia si republika më e madhe e federatës, Lubjana me kryetarin Millan Kuçan (Milan Kučan) mbështeste të drejtën për vetëvendosje të republikave dhe respektimin e pakicave dhe autonomisë.

Millosheviqi e kuptoi që zotëronte përkrahje të madhe popullore: Serbët panë në të një udhëheqës të një kombi krenar, një udhëheqës karizmatik. Kisha Ortodokse Serbe e përkrahu atë po ashtu. Propaganda serbe e ringjalli mitin e fitores së thyer, i cili sipas Serbëve pengoi bashkimin politik të të gjithë Serbëve ndërsa në Serbi ishin ndarë dy krahina, Kosova dhe Vojvodina. Në mars 1989 ndryshohen njëanësisht kushtetutat kosovare dhe serbe, që ia hoqi autonominë Kosovës. Më 28 qershor 1989, 600 vjet pas betejës së Fushë Kosovës, mblidhen qindra mijëra serbë në Fushën e Mëllenjave ku Millosheviqi jep një fjalim luftënxitës. Shqiptarët qëndrojnë të mbyllur në shtëpi. Më 19 nëntor 1989 mblidhen një milion manifestues në Beograd.

Fundi i Jugosllavisë[redakto | redakto tekstin burimor]

Në janar të 1990 mbahet kongresi i 14 dhe i fundit i LKJ-së. Millan Kuçani (Milan Kučan), që udhëhiqte delegacionin slloven, vendosë që delegacioni i Sllovenisë të tërhiqet, dhe pastaj të njëjtën e bëri edhe kroati Ivica Raçan (Ivica Račan). Ky ishte fundi politik i Jugosllavisë federale dhe multietnike. Në qershor të vitit 1990 Millosheviqi riemëron Lidhjen Komuniste të Serbisë në Partia Socialiste Serbe, nga e cila zgjedhet kryetar. Në janar të vitit 1991 zbulohet shtypja ilegale e monedhës federale nga ana e qeverisë serbe, ndërsa po në janar Millosheviqi dërgon ushtrinë për të ndërprere protestat e opozitës në Beograd. Pas referendumeve popullore më 25 qershor të vitit 1991, Sllovenia dhe Kroacia shpallin pavarësinë.

Lufta në Kroaci dhe Bosnje-Hercegovinë[redakto | redakto tekstin burimor]

Ushtria federale intervenoi në Slloveni. Millosheviqi nuk ishte i interesuar në vendin etnikisht kompakt dhe të përkrahur nga Austria dhe Gjermania. Lufta përfundoi pas dhjetë ditëve, më 8 gusht. Vëmendja e Millosheviqit zhvendoset në Kroaci, në veçanti në regjionet e banuara me serbë në fushat e Sllavonisë dhe të regjionit malor të Krajinës. Milosheviqi nuk pranoi që popullatat serbe të jetonin jashtë Jugosllavisë së re ku përfshihej Serbia dhe Mali i Zi. Projekti i tij ishte që të aneksojë territoret e banuara me serbë në Kroaci dhe gjysmën e Bosnje-Hercegovinës ku lufta më 1991 ende nuk kishte filluar. Në gjysmën e vitit 1991 Millosheviqi, ushtria federale jugosllave dhe trupat paraushtarake fillojnë një luftë të ashpër kundër Kroacisë. Viktima e parë ishte qyteti multietnik i Vukovarit, ku bashkëjetesa mes kroatëve dhe serbëve ishte historike. Ushtria jugosllave futet në thellësi të territorit kroat duket arritur të granatojë Zagrebin. Mas referendumit për pavarësi në Bosnje, të mbajtur më 29 shkurt 1992, i cili u bojkutua nga Serbët e Bosnjës, filloi lufta e Bosnjes. Millosheviqi përkrahu ushtarakisht dhe politikisht Radovan Karaxhiqin (Karadžić), udhëheqësin e serbëve të Bosnjës dhe kriminelin e luftës. Lufta e Bosnjes përfundoi më 21 nëntor 1995 me marrëveshjen e Dejtonit (Dayton), të cilën Millosheviqi e nënshkruan për serbët e Bosnjës përkundër dëshirës së tyre. Millosheviqi pas kësaj u cilësua njeri i paqes dhe u la në pushtet. Vlenë të theksohet se Bosnja nga marrëveshja e Dejtonit humbi shumicën e qeverisjes vendore, kështu shteti i Bosnjës dhe Hercegovinës edhe pse i dëmtuar nga lufta humbi përparsinë politike duke marrë vetem 49% të qeverisjes, ndërsa 51% iu takonin serbëve.

Lufta e Kosovës dhe rënia e Millosheviqit[redakto | redakto tekstin burimor]

Në nëntor të vitit 1996 Millosheviqi u zgjodh President i Republikës Federale Jugosllave (ku përfshihet Serbia dhe Mali i Zi). Në të njëjtin vit koalicioni opozitar Zajedno (Së bashku) i fiton zgjedhjet lokale në disa komuna, por fitoret nuk pranohen nga pozita. Pas protestave të vazhdueshme të studentëve dhe popullit në Beograd për njëmbëdhjetë javë me radhë, Milosheviqi i pranoi zgjedhjet. Më zgjedhjet presidenciale serbe, më vonë, fiton Millan Millutinoviq (Milan Milutinović), bashkëpunëtor i ngushtë i Millosheviqit.

Në këtë kohë u intensifikuan sulmet e UÇK-së në Kosovë. Në Rambuje (Rambouillet) dështuan përpjekjet për zgjedhjet e konfliktit të Kosovës. Në mes marsit dhe qershorit 1999 NATO bombardoi Jugosllavinë duke e detyruar Millosheviqin të tërheqë forcat nga Kosova. I izoluar në nivelin ndërkombëtar dhe kombëtar (Mali i Zi nuk i pranonte më institucionet federale), Millosheviqi u rikandidua në zgjedhjet e 24 shtatorit 2000, falë një reforme kushtetuese. Ai u mund nga Vojisllav Koshtunica (Vojislav Koštunica), një nacionalist më i moderuar, dhe me 6 tetor u shty të pranojë humbjen pas një proteste të madhe që shpiu te zënia e parlamentit nga protestuesit.

Kryeministri serb Zoran Gjingjiq (Đinđić) e dorëzoi në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime në ish-Jugosllavi në Hagë me 28 qershor 2001, edhe përkundër kundërshtimit të Koshtunicës dhe një pjese të opinionit publik serb.

Millosheviqi u akuzua për krime kundër njerëzimit për operacionet e Ushtrisë Jugosllave në Kroaci, Bosnje-Hercegovinë dhe Kosovë. Ai po ashtu u akuzua për vrasjen në mënyrë barbare të Ivan Stambolliqit, mentorit të tij nga vitet e 80-a dhe kundërshtarit të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2000.

Millosheviqi u gjet i vdekur në qelinë e tij në Hagë më 11 mars 2006 disa muaj para se të përfundojë gjykimi i tij në Hagë.

Shih edhe[redakto | redakto tekstin burimor]