Jump to content

Beqir Musliu

Checked
Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Beqir Musliu
Beqir Musliu
U lind më1945
Gjilan Kosova
Vdiq më24 qershor, 1996
Prishtinë
Kombësiashqiptar
Gjinitë letrarePoezi, Prozë, Dramë, Kritikë letrare

Beqir Musliu (Gjilan,1945; Prishtinë,1996) ishte poet, romancier dhe dramaturg shqiptar. Njihet si një ndër dramaturgët shqiptarë më në zë. Është nga autorët modernistë të dramës shqipe, vepra e të cilit dëshmohet si një nga arritjet e shënuara të këtij drejtimi, në veçanti dy me përmbledhjet me drama, Shtrigani i Gjel Hanit (1989) dhe Rrakullima (1990).[1]

U lind në Gjilan, Kosovë në vitin 1945; vdiq më 24.06.1996, në Prishtinë dhe u varros në Gjil an.Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në Gjilan, ndërsa fakultetin filozofik drejtimi i gjuhës dhe letërsisë shqipe në Prishtinë. Gjenerata e Beqir Musliut në Gjilan patën për ideolog të shkrimeve dhe të jetës politike Rexhep Elmazin, andaj që në shkollë të mesme u mor në biseda informative dhe u burgos. Po në këtë kohë Beqir Musliu filloi të merret edhe me shkrime letrare. Në fillim me poezi e pastaj edhe me tregime, romane, drama e kritika letrare dhe dramaturgjike. Mënyra e të shkruarit dhe metaforat e simbolet e përdorura në shkrimet e tij, atë menjëherë e renditën në rangun e shkrimtarëve me një perspektivë të theksuar. Punimi i parë iu botua në revistën letrare “Jeta e Re” të cilën e udhëhiqte Esat Mekuli. Po kjo revistë, tri vite më vonë, në vitin 1965, ia botoi edhe librin e parë.

Shkrimet e Beqir Musliut janë të një niveli të lartë dhe përdorin me mjeshtri të madhe metaforat dhe simbolet, andaj mund të quhet edhe shkrimtar i simboleve.

Puna e tij kryesisht ka të bëjë me gazetari, publicistikë dhe redaktim të revistave. Së pari punoi si gazetar e redaktor në revistën “Zëri i rinisë", e pastaj edhe në “Fjala” të Prishtinës. Së bashku me disa krijues të gjeneratës së vet, sa ishte student, nxori dhe redaktoi revistën letrare “Plejada”, e cila arriti të botohet vetëm deri në numrin 6, sepse pushteti i atëhershëm, duke parë ndikimin e krijimtarisë letrare në masën e gjerë, nuk e financoi dhe e shantazhi për të mos u botuar. Më vonë Beqir Musliu ishte anëtar i redaksisë, e një kohë edhe redaktor në revistën “Jeta e Re”.

Beqir Musliu është prezantuar thuaja në të gjitha antologjitë e shkrimtarëve shqiptarë të kohës së tij e më vonë. Punimet e tij janë përkthyer në gjuhën frënge, angleze, spanjolle, italiane, arabe, gjermane, hungareze, rumune, turke, sllovake, maqedonase, sllovene, serbe dhe kroate.

Beqir Musliu njihet si një ndër dramaturgët shqiptarë më në zë. Është nga autorët modernistë të dramës shqipe, vepra e të cilit dëshmohet si një nga arritjet e shënuara të këtij drejtimi, në veçanti dy me përmbledhjet me drama, Rrakullima dhe Shtrigani i Gjel Hanit, katër tek e para dhe katër tek e dyta. Në to lexuesi has ide të thella të natyrës ekzistenciale, ku qenia njerëzore dhe qenia e kombit përzihen dhe krijojnë një integrale të mbushur me situata jermi e apokaliptike, imazhe, fantazmagori. Brenda tyre ndërveprojnë mite dhe legjenda, vijnë dhe ikin figura të munduara nga vdekja dhe jeta.[2] Musliu në tekstet e veta mbështetet më drejtpërdrejt në trashëgiminë gojore shqiptare, për të artikuluar reflekse aludive lidhur me sprovat dramatike me të cilat përballet etnia në këtë kontekst historik.[3] Ndërthurja e lëndës letrare në dramat e Beqir Musliut “Rrakullima” dhe “Shtrigani i Gjel-Hanit” është e llojit postmodern.[4]

Tituj të veprave

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
  • „Rima të shqetësuara“ („Jeta e re“, Prishtinë, 1965)
  • „Lulëkuqet e gjakut“ („Rilindja“, Prishtinë, 1966)
  • „Skënderbeu ose shqiponja e maleve“ - kurorë sonetesh („Jeta e re“, Prishtinë, 1968)
  • „Bukuria e zezë“ („Rilindja“, Prishtinë, 1968)
  • „Sezamet“ („Rilindja“, Prishtinë, 1972)
  • „Parabola“ („Rilindja“, Prishtinë, 1976)
  • „Darka e magjisë“ („Rilindja“, Prishtinë, 1978)
  • Metafizika e Sfidimit
  • Mandragora
  • Klepsidra e Magjisë
  • Martirium
  • Magna Karta
  • Ekzodus
  • Kodeksi i Argasit
  • „Vegullia“ - roman („Rilindja“, Prishtinë, 1979)
  • „Mbledhësit e purpurit“ - roman („Rilindja“, Prishtinë, 1982)
  • „Kori i gjelave të vdekur“ - tregime („Dukagjini“, Pejë, 2002)
  • „Makthi“ - roman („Faik Konica“, Prishtinë, 2004)
  • „Amullia“ - roman („Faik Konica“, Prishtinë, 2004)
  • „Krupa“ - roman („Faik Konica“, Prishtinë, 2004)
  • „Skërluta“ - roman („Faik Konica“, Prishtinë, 2004)
  • „Ndeshtrasha“ - roman („Faik Konica“, Prishtinë, 2004)
  • „Skënderbeu“ – poemë („Faik Konica“, Prishtinë, 2004)
  • „Orfeiana“ – Shtatë Libra Anatema - („Faik Konica“, Prishtinë, 2004)
  1. ^ Halili 2013, p. 6-7.
  2. ^ Halili 2013, p. 6-7.
  3. ^ Aliu 2012, p. 10.
  4. ^ Halili 2013, p. 212.
  • Krasniqi, Nysret (2016). Letërsia e Kosovës 1953-2000. Prishtinë: AIKD.
  • Aliu, Ali (2012). Kënaqësia e leximit. Prishtinë: ASHAK.
  • Halili, Ernestina (2013). DUKURI MODERNE NЁ DRAMЁN SHQIPE NЁ KOSOVЁ' - disertacion (PDF). Tiranë. Arkivuar nga origjinali (PDF) më 26 gusht 2020. Marrë më 25 gusht 2020.{{cite book}}: Mirëmbajtja CS1: Mungon shtëpia botuese te vendodhja (lidhja)
  • Hamiti, Sabri (2002). Letërsia Bashkëkohore, Vepra Letrare, 10. Prishtinë: Faik Konica.

Lidhje të jashtme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]