Jump to content

Majaca

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Majaci)
Majac
Majac
Fshat

Majac është një vendbanim në komunën e Besianës, Kosovë.

Fshati Majac shtrihet në pjesën jug-perëndimore të komunës së Podujevës, me një sipërfaqe prej 14.30 km2 dhe gjatësi të vijës kufitare 21.20 km. Edhe pse është fshat i komunës së Podujevës gjendet ndërmjet dy qendrave urbane të mëdha Prishtina(17 km vijë ajrore) dhe Podujeva(12 km vijë ajrore). Nga rruga magjistrale Prishtinë-Podujevë(M-25) në gjatësinë rreth 3.4 km gjendet qendra e fshatit. Në pjesën perëndimore kufizohet me komunën e Vushtrrisë(me fshatin Dumnicë e Epërme), me komunën e Obiliqit(me fshatin Breznicë), ndërsa pjesët tjera me vendbanimet e komunës së Podujevës(me fshatrat: Lupçë i Epërm, Buricë, Konushefc, Penuhë, Godishnjak, Sallabajë, Lupçë i Poshtëm). Shtrihet prej 42o47’44’’ deri 42o50’58’’ të gjë.gj.v. dhe 21o5’50’’ deri 21o9’25’’ të gj.gj.l. Gjatësia jug-veri është 6.06 km, ndërsa perëndim-lindje është 3.6 km që i bie që për një herë më shumë është më e gjatë sesa e gjerë.

Rreth prejardhjes së emrit të këtij fshati ka mendime të ndryshme por mendohet se emri ka ardhur nga që ky fshat paraqet vendin ku lindja e diellit është vërejtur së pari në Kulinë (Kulinë emër me prejardhje shqipe vendi ku lind Dielli) që është në drejtim juglindje pra është "maja e lindjes" apo Majac. Sipas ASK-së në këtë fshat jetojnë 1622 banorë, si vendbanim i përshtatshëm bënë pjesë në 77 vendbanime sa i ka kjo komunë.

Për sa i përket morfologjisë ky fshat i takon masivit malor të Kopaunikut, ndërsa formatrelievore kanë trajtë të valëzuar, me forma ngritura në pjesën perëndimore dhe lindore ndërsa gjatë luginës së lumit është kryesisht fushë. Lartësia mbi nivelin e detit është prej 560 – 850 metra, që shumica e banorëve të këtij fshati jetojnë në lartësinë mbidetare prej 600-700 metra. Shtrirja e madhe e banimit në këtë lartësi mbidetare është bërë si shkak i kushteve më të volitshme për jetës sesa pjesët e tjera të ngritura të relievit.

Për shkak të pozitës gjeografike, lartësisë mbidetare, dhe relievit si faktor përcaktues klimatik ky fshat disponon klimë kontinentale. Në përgjithësi karakterizohet me dimra të ftohët ku temperatura mesatare e kësaj stinë është -0.4oC dhe reshje 180 mm ndërsa vera në përgjithësi është e nxehtë me mungesë të reshjeve sidomos në muajin gusht me temperatura mesatare shumëvjeçare 19.3oC. Vlerat mesatare vjetore të temperaturave lëkunden nga 9-10oC, ajo e muajit më të ftohtë, janarit, arrin –1oC deri –2oC dhe ajo e muajit më të nxehtë, korriku e gushti 20oC - 20.7oC. Vlen të theksohet se rolin morfologjik më të rëndësishëm e luajnë vlerat e temperaturave ekstreme, pra maksimumet dhe minimumet absolute të tyre, të cilat në këtë zonë arrijnë –27.2oC (janari) dhe 37oC (korriku), duke u karakterizuar kështu nga një amplitudë prej 64.2oC.

Lumi kryesor që kalon në këtë fshat është ai i Kaçandollit i cili ka gjatësi 33km që buron në Kaçandoll  dhe derdhet ne lumin Llap që i takon pellgut të Detit të Zi. Reshjet atmosferike si element me shumë rëndësi hidrografike, në këtë regjion paraqiten me 700 mm në vit. Tokat kryesore të cilat paraqiten në këtë fshat janë: aluviale, deluviale, tokë e kuqërremt, tokë kafeje, rendzina etj.  Për sa i përket bonitetit si toka të cilësisë së mirë llogariten të jenë tokat aluviale dhe deluvial që i takojnë kategorisë së tretë dhe katërt. Trajtimi i tokave ka rëndësi pedologjike të veçantë, pasi krijon kushtin kryesor për zhvillimin e

Lagjet me të njohura janë: Krasniqi, Berisha, Gashi, Livadhgji, (Kamberi, Abazi, Namani, Gjidolli) Ratkocet, Lushaku, Bekolli,Citaku, Kurtolli, Jakupi, Abdullahu, Vocolli, te Bukurdollit.

Mikrotoponimet me të njohura janë: Lugu i Rames, Lugu i Fierit, Lugu i Baltave, Lugu i Muses, Gryka e Lezhnices, Te Kreksi i Delis, Te Qarri, Udhet e Kuqe, Te Bukurdolli, Klisyra, Mullini i Lam Binakut, Te Kulla, Lugu i Kronit Gerdeq, Prroni i Gjudes, Lugu i Gjavelles, Cikolli etj.

Afër ketij fshati egzistojnë gjurme të lashta, një pjesë e maleve në anën e majtë të lumit Kaçanoll quhet me emrin Gradina, ndërsa mbi të është kalaja e Majacit, në kufi me fshatin Lupçi i Epërm.

Fshati në mesjetë për herë të parë përmendet në defterin kadastral të Vilajetit Vellk të vitit 1455 me emrin Majanofc, qe kishte 84 shtëpi. Sipas Dr. Rexhep Docit emri i fshatit buron nga fjala ilire-shqipe mal, nga e cila fjalë araike ka dalë fjala e mevonshme dhe e sotshme majë-a naltësi-thep qe si e tillë me kohe është strukturuar pra në rrenjën e emrit të fshatit Majacë.

Fshati në vitin 1911 kishte 60 shtëpi familje shqiptare.

Lidhje të jashtme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]